Surja Al Imran (23-92)

Xhuzi 3 (b)

23. A nuk i sheh ata, të cilëve u është dhënë pjesë nga Libri[1], që kur ftohen për t’u gjykuar te Libri i Allahut[2], një pjesë prej tyre kthejnë shpinën,[3] duke refuzuar.

24.  Kjo, sepse ata thonë: “Ne nuk do të na prekë zjarri veçse për disa ditë.[4]” Shpifjet që bënin i kanë mashtruar ata në besimin e tyre.[5]

25. Si do të jetë gjendja e tyre kur t’i bashkojmë në një ditë, për të cilën s’ka pikë dyshimi, kur çdokujt do t’i shlyhet ajo që ka fituar, dhe atyre nuk do t’u bëhet padrejtësi?

26. Thuaj: “O Zoti im! Zotëruesi i gjithë Pushtetit![6] Ti ia jep pushtetin[7] kujt të duash dhe ia heq atë kujt të duash.[8] Lartëson kë të duash[9] dhe poshtëron kë të duash[10]. Në Dorën Tënde është e gjithë e mira[11]. Vërtet, Ti je i Plotfuqishëm për gjithçka.[12]

27. Ti e fut natën në ditë dhe fut ditën në natë.[13] Ti e nxjerr të gjallën nga e vdekura dhe nxjerr të vdekurën nga e gjalla.[14] Ti furnizon kë të duash pa llogari.[15]

28. Besimtarët të mos i marrin për miq mosbesimtarët, në vend të besimtarëve![16] Ata që e bëjnë këtë, nuk kanë pjesë tek Allahu,[17] përveç nëse i ruheni ndonjë frike[18]. Allahu ju paralajmëron që t’i ruheni Vetes së Tij,[19] dhe tek Allahu është kthimi.[20]

29. Thuaju: “E fshihni apo e shfaqni atë që keni në gjokse, Allahu e di atë, dhe di gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në tokë. Allahu është i Zoti për çdo gjë.”[21]

 -53-


[1] Bëhet fjalë për çifutët, të cilët patën pjesë nga shpalljet e Allahut me dërgimin e pejgamberëve. Por shpallja e Allahut u përmbush, u plotësua dhe u vërtetua me Kuranin, i cili i përmbledh të gjitha shpalljet e zbritura para tij, dhe dallon të vërtetën nga e pavërteta e asaj që gjendet në duart e ithtarëve të Librit, pasi që me shumë prej tyre ka luajtur dora njerëzore.

[2] Që kishin në duart e tyre, te Teurati.

[3] I kthejnë shpinën Librit të tyre dhe përgënjeshtrojnë atë që thuhet në të.

[4] Ata pretendojnë se do të dënohen vetëm 40 ditë, ditët në të cilat kanë adhuruar viçin.

[5] Ata trillonin gënjeshtra dhe të pavërteta, duke pretenduar se janë bijtë e Allahut dhe të dashurit e Tij, dhe se Allahu i ka premtuar babait të tyre, Jakubit, se nuk do të fusë në zjarr asnjë prej bijve të tij. Por Allahu i përgënjeshtroi të gjitha fjalët e tyre dhe e njoftoi pejgamberin e Tij, Muhamedin, se ata janë banorët e zjarrit ku do të jenë përgjithmonë, ndryshe nga ata që besojnë Allahun, të dërguarit e Tij dhe ato që kanë ardhur nga Ai.

[6] Vetëm Allahut i përket zotërimi dhe sundimi i kësaj bote dhe i botës tjetër, dhe vetëm Ai gjykon mes robërve të Vet.

[7] I jep pushtet kujt të duash mbi çfarë të duash prej vendeve e njerëzve, dhe kjo sipas Urtësisë Tënde absolute.

[8] Allahu ka vendosur ligje në krijimin e Tij, dhe prej atyre ligjeve janë edhe shkaqet e dhënies së pushtetit dikujt dhe shkaqet e heqjes së tij nga dikush tjetër, qoftë në lidhje me besimtarët apo me mosbesimtarët.

[9] Me bindjen ndaj Teje.

[10] Me kundërshtimin dhe thyerjen e Urdhrave të Tua.

[11] Çdo gjë është në dorën Tënde dhe ti vepron me Vullnetin Tënd absolut.

[12] Asgjë nuk është e pamundur për Ty, por gjithçka i bindet Vullnetit dhe Fuqisë Tënde.

[13] Bëhet fjalë për zgjatjen e ditës dhe shkurtimin e natës si dhe anasjelltas gradualisht me ndryshimin e stinëve të vitit.

[14] Me fuqinë dhe vullnetin Tënd.

[15] Me furnizim të gjerë, nga nuk e pret.

[16] Në këtë ajet, Allahu i ndalon besimtarët nga marrja për miq, të dashur e ndihmues mosbesimtarët, dhe e kërcënon atë që e bën këtë, sin ë vazhdim të ajetit.

[17] Shkëputet nga Allahu dhe nuk ka pjesë në fenë e Allahut, pasi që marrja e mosbesimtarëve për miq e të dashur nuk mund të bashkohet me besimin, sepse besimi urdhëron për të marrë për mik, të dashur dhe ndihmues, Allahun dhe miqtë e Allahut, besimtarët, të cilët ndihmohen me njëri-tjetrin për ngritjen e fesë së Allahut dhe luftimin e armiqve të saj.

[18] Keni frikë se ju vrasin.

[19] Prandaj, mos veproni gjëra që nxisin zemërimin e Tij dhe mos i shkelni Urdhrat e Tij!

[20] Dhe çdokush do të japë llogari për veprat që ka bërë dhe do të marrë shpërblimin që i takon, përveç nëse Allahu me mëshirën e Tij, fal gjynahe dhe shumëfishon vepra të mira.

[21] I Zoti për t’i dhënë secilit shpërblimin apo dënimin që meriton.


30. (Kini frikë) Atë ditë[22], kur çdo njeri do ta gjejë përpara atë të mirë që ka vepruar, kurse për atë të keqe që ka vepruar, do të donte që mes saj dhe atij të ishte largësi e madhe.[23] Allahu ju paralajmëron që t’i ruheni Vetes së Tij.[24]” Allahu është i Butë me robët e Vet.[25]

31. Thuaju (o Muhamed): “Nëse vërtet e doni Allahun,[26] atëherë më ndiqni mua,[27] që t’ju dojë Allahu dhe t’jua falë gjynahet! Allahu është Falës i Madh, Mëshirëplotë.”[28]

32. Thuaju: “Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit!”[29] E, në qoftë se ata kthejnë shpinën[30], me të vërtetë, Allahu nuk i do mosbesimtarët.[31]

33. Allahu e zgjodhi[32] Ademin, Nuhun, familjen[33] e Ibrahimit[34] dhe familjen[35] e Imranit[36], mbi të gjitha krijesat.[37]

34. Pasardhës të njëri-tjetrit.[38] Allahu dëgjon dhe di gjithçka.[39]

35. Kujto kur gruaja e Imranit tha: “Zoti im! Unë ta kam kushtuar Ty atë që është në barkun tim, që të jetë vetëm në shërbimin Tënd, prandaj, pranoje prej meje! Vërtet, Ti je Gjithëdëgjuesi,[40] i Gjithëdijshmi.[41]

36. Kur ajo e lindi atë, tha: “Zoti im! Unë e linda femër atë[42], -e Allahu e di shumë mirë se çfarë lindi ajo,[43] -e mashkulli nuk është si femra![44] Unë e quajta atë “Merjeme”, dhe unë e lë atë dhe pasardhësit e saj nën mbrojtjen Tënde nga djalli i mallkuar.”

37. Zoti i saj e pranoi atë me kënaqësi,[45] e bëri që të rritet mirë[46] dhe e la nën kujdestarinë e Zekerias[47]. Sa herë që Zekeria hynte në Mihrab[48], gjente pranë saj ushqim[49] dhe i thoshte: “O Merjeme! Nga të ka ardhur ky?” Ajo i përgjigjej: “Ky është nga Allahu. Vërtet se Allahu furnizon kë të dojë pa llogari[50].”

 -54-


[22] Në ditën e llogarisë, ditën e gjykimit.

[23] Do të donte që të mos e shihte dhe të mos ballafaqohej kurrë me veprën e keqe që ka bërë në dynja.

[24] Duke mos vepruar gjëra që e zemërojnë Atë.

[25] Dhe i mëshirshëm me ta, dhe nga mëshira dhe butësia e Tij është se Ai i ka paralajmëruar që t’i ruhen zemërimit të Tij dhe se nuk e derdh atë (zemërimin) pa i paralajmëruar ata.

[26] Ashti si pretendoni se e keni arritur këtë gradë të lartë mbi të cilën nuk ekziston gradë tjetër.

[27] Në të gjitha çështjet e fesë, në ato që ju ndaloj dhe që ju urdhëroj. Kjo është shenja e dashurisë suaj për Allahun.

[28] Taberiu thotë se ky ajet ka zbritur si përgjigje për një delegacion të krishterësh nga Nexhrani, të cilët pretendonin se e donin Allahun dhe e madhëronin Isain (alejhi selam). Atëherë Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) u tha se shenja që ata e duan vërtetë Allahun, është që të ndjekin atë dhe shpalljen që i shpallet nga Allahu. Por, sigurisht që kuptimi i ajetit është i përgjithshëm dhe ai i drejtohet të gjithë njerëzve deri në ditën e Kiametit.

[29] Në gjithçka që ju urdhërojnë. Bindja ndaj të dërguarit është bindje ndaj Allahut, sepse ai komunikon atë që i shpallet nga Allahu dhe Allahu ka urdhëruar për bindje ndaj tij.

[30] Dhe nuk i binden Allahut dhe të dërguarit të Tij, atëherë nuk ka vend ku të kthehen, veçse në mosbesim dhe në bindje ndaj çdo shejtani të panënshtruar.

[31] Por i urren dhe ndëshkon me ndëshkimin më të rëndë që meritojnë.

[32] Për t’i shpallur fenë e Tij. E zgjodhi si të dërguar tek njerëzit.

[33] Ata që e besuan dhe e ndoqën atë.

[34] Pejgamberi Ibrahim, i dashuri i Allahut, i ati i Ismailit, të cilin e ofroi si kurban për Zotin e tij, dhe i Is’hakut. I quajtur si babai i pejgamberëve.

[35] Ata që e besuan dhe e ndoqën atë.

[36] Imrani është babai i Merjemes, nënës së Isait (Paqja e Allahut qoftë mbi ta!).

[37] Allahu i zgjodhi dhe i privilegjoi ata mbi të gjithë njerëzit e të gjitha kohërave me pejgamberllëkun dhe shpalljen e Tij, për të qenë pejgamberët e Tij të devotshëm  dhe njerëzit më të mirë dhe më të nënshtruar ndaj Zotit të tyre.

[38] Këtu bëhet fjalë për familjen e Ibrahimit dhe të Imranit, nga pasardhësit e të cilëve u zgjodhën pejgamberët, në mesin e të cilëve edhe Muhamedi (salallahu alejhi ue selem), pasardhës i Ibrahimit dhe vula e pejgamberëve.

[39] Allahu e di mirë se kush meriton të jetë i zgjedhur nga mesi i njerëzve, i njeh mirë cilësitë dhe veprat e tyre, prandaj edhe i zgjodhi këta për cilësitë e tyre, dhe ne i lutemi Allahut që të na japë sukses të pajisemi me cilësitë e tyre dhe të bëjmë ato vepra që bëjnë të mundshme arritjen e kënaqësisë së Tij.

[40] I Cili e dëgjon atë që them dhe dëgjon çdo gjë.

[41] I Cili e di qëllimin tim dhe atë që kam në zemër.

[42] Fëmijën që ta kushtova Ty, që kur ishte në bark.

[43] Dhe nuk ka nevojë ta njoftojë kush, sepse Ai e di se çfarë do lindte ajo që para se ta lindte, por këtu është për qëllim të tregohet shprehja e keqardhjes dhe justifikimit nga nëna e Merjemes.

[44] Sepse mashkulli është më i fortë dhe më i aftë për shërbimin ndaj fesë dhe faltores së Allahut. Nëna e Merjemes sikur kërkon të shfajësohet, sepse priste të lindte mashkull, për të qenë më i aftë për shërbim.

[45] Allahu iu përgjigj lutjes së saj dhe e ruajti Merjemen dhe pasardhësin e saj, Isain, i strehoi dhe i mbrojti nga intrigat e djallit të mallkuar.

[46] I siguroi Merjemes kushtet për t’u rritur mirë, me moral të mirë dhe duke adhuruar Zotin e saj, sepse Ai e la atë nën kujdestarinë e Zekerias, pejgamberit të Tij.

[47] Allahu ia la Zekerias kujdestarinë e Merjemes, duke bërë që shorti që hodhën njerëzit në faltore për kujdestarinë e saj, t’i bjerë atij.

[48] Mihrab quhet vendi më i nderuar i faltores, si dhe qoshja e shtëpisë apo e dhomës. Këtu është për qëllim qoshja e dhomës në të cilën e mbante Zekrija Merjemen.

[49] Thuhet se gjente fruta jo të stinës dhe ushqime që nuk gjendeshin tek njerëzit në atë stinë.

[50] Pa masë dhe pa llogari nga njeriu, andej nga nuk e pret.


38. Atëherë[51] Zekeria iu lut Zotit të vet, duke i thënë: “Zoti im! Më dhuro nga ana Jote pasardhës të bekuar! Me të vërtetë, Ti je Dëgjuesi i lutjes.”

39. Në atë çast, atë e thërrasin engjëjt, ndërsa ishte në këmbë duke u falur, në Mihrab[52], dhe i thonë: “Allahu të jep lajmin e mirë për Jahjan[53], vërtetues i një Fjale nga Allahu,[54] fisnik[55], i dëlirë[56] dhe pejgamber[57], një prej të mirëve.[58]

40. Ai (Zekeria) tha: “Zoti im! Si mund të kem fëmijë, kur mua më ka zënë pleqëria, e gruaja ime është që nuk lind fëmijë?!” Ai (engjëlli) tha: “Kështu! Allahu vepron çfarë të dojë!”[59]

41. Ai (Zekeria) tha: “Zoti im! Më jep një shenjë!”[60] Ai (Zoti) i tha: “Shenja jote është se për tri ditë nuk do të mund t’u flasësh njerëzve, veçse me gjeste.[61] Përmende shumë Zotin tënd,[62] dhe madhëroje Atë mbrëmje e mëngjes!”

42. Kujto gjithashtu kur engjëjt thanë: “O Merjeme! Me të vërtetë, Allahu të ka zgjedhur[63], të ka pastruar[64] dhe të ka zgjedhur mbi të gjitha gratë e botës.[65]

43. O Merjeme![66] Bindju Zotit tënd[67], bëj sexhde dhe përkulu në ruku[68] bashkë me ata që përkulen!”[69]

44. Këto janë prej njoftimeve të fshehta, të cilat Ne t’i shpallim ty (o Muhamed!).[70] Ti nuk ishe i pranishëm kur ata hidhnin short se kush prej tyre do ta merrte nën kujdes Merjemen, dhe nuk ishe i pranishëm kur ata grindeshin me njëri-tjetrin.[71]

45. As (nuk ishe i pranishëm) kur engjëjt thanë: “O Merjeme! Allahu të jep lajmin e mirë[72] për një Fjalë prej Tij,[73] emri i të cilit është Mesihu[74] Isa, biri i Merjemes, i nderuar në këtë botë dhe në botën tjetër,[75] dhe një nga të afërmit.[76]

 -55-


[51] Kur pa atë që pa prej mrekullive të Allahut te Merjemja.

[52] Në vendin më të nderuar të faltores.

[53] Të njofton me lajmin e mirë se ty do të lindë një fëmijë, të cilin do ta quash Jahja.

[54] Që do të vërtetojë profetësinë e Isait, birit të Merjemes, dhe do të jetë në një rrugë dhe në një drejtim me të.

[55] Fisnik në dije dhe në adhurim.

[56] I virgjër, që nuk kryen marrëdhënie intime me gratë.

[57] Lajmëtar i Zotit tek populli i tij.

[58] Prej pejgamberëve të mirë. E, të gjithë pejgamberët janë të mirë.

[59] Për Allahun nuk është e vështirë asgjë, dhe kjo është një prej mrekullive që ai ta jep ty.

[60] Që të më qetësohet zemra plotësisht, se kjo është e vërtetë nga Ti dhe se unë do të kem një djalë.

[61] Pa pasur ndonjë sëmundje në gjuhë apo në gojë dhe jo me dëshirën e tij për të mos folur. Këtu tregohet edhe një herë se: ashtu si Allahu i bën gjërat të ndodhin pa ndodhjen e shkaqeve përkatëse të tyre, po ashtu bën edhe që pasojat të mos ndodhin edhe pse gjenden shkaqet e tyre përkatëse, për të thënë se të gjitha shkaqet renditen nën caktimin dhe vendimin e Allahut. I Madhëruar qoftë Allahu, Krijuesi më i mirë!

[62] Sepse këtë mund ta bësh edhe pse nuk mund të flasësh.

[63] Për t’ju bindur Atij dhe të ka nderuar.

[64] Nga të metat dhe gjërat negative të njeriut. E ka pastruar besimin tënd nga dyshimi dhe ndotësitë e grave të bijve të Ademit.

[65] Zgjedhja e parë kthehet te cilësitë e mira dhe virtytet e larta të Merjemes, kurse zgjedhja e dytë kthehet në privilegjimin e saj mbi të gjitha gratë e kohës së saj ose të të gjitha kohërave, por në rastin e dytë, bashkohen me të edhe gra të tjera besimtare, siç është Hadixheja, gruaja e parë e Pejgamberit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), Fatimja, vajza e Pejgamberit, Aisha, gruaja e Pejgamberit.

[66] Me gjithë këto mirësi që të ka dhënë Allahu, ti duhet ta falënderosh Atë për këto mirësi.

[67] Vazhdimisht, me përulje dhe frikërespekt.

[68] Duke vendosur duart mbi gjunjë.

[69] Merjemja i bëri këto si falënderim ndaj Zotit të saj dhe si madhërim dhe adhurim vetëm për Të.

[70] Për të qenë dëshmi dhe provë se ti je i Dërguari i Allahut, dhe ata e kanë detyrë që të pasojnë ty dhe atë të shpallet nga Allahu.

[71] Kur e ëma e Merjemes shkoi te paria e Kudsit, në Jeruzalem, bashkë me Merjemen, ata hodhën short mes njëri-tjetrit se kush do ta merrte përsipër kujdestarinë e saj. Shorti u bë në atë mënyrë që ata të hidhnin lapsat e tyre në lum, dhe zotëruesi i lapsit që do të ngulej në lum dhe nuk do të merrej nga uji, do të merrte kujdestarinë e Merjemes. Ishte pikërisht lapsi i Zekerias, pejgamberit të tyre dhe më të mirit  prej tyre, i cili u ngul si në baltë dhe kështu ai mori kujdestarinë e saj.

[72] Se do të të lindë një djalë.

[73] Isai u quajt “Fjala e Allahut”, sepse ai u krijua me një Fjalë nga Allahu, me fjalën “Bëhu!”, sepse gjendja e tij ka dalë nga shkaqet e zakonshme dhe Allahu e ka bërë atë nga shenjat dhe mrekullitë e krijimit të Tij. Allahu dërgoi engjëllin Xhibril te Merjemja dhe ai fryu në jakën e rrobës së saj. Ajo frymë e zgjuar, e këtij engjëlli të pastër, u fut te Merjemja, dhe nga ajo, Allahu krijoi këtë shpirt të pastër. Pra, Isai nuk u krijua nga sperma e njeriut por nga lëndë shpirtërore, prandaj u quajt “Shpirti i Allahut”. Këto shprehje duhen kuptuar mirë, sepse pikërisht këtu kanë devijuar të krishterët dhe e kanë ngritur Isain më tepër se ç’duhet, madje e kanë madhëruar deri sa e kanë bërë Zot, apo bir Zoti, apo pjesë e Zotit – i treti i të treve. Isai nuk e pranon kurrë këtë gjë dhe Allahu është i Pastër dhe i Lartë nga ajo që i përshkruajnë.

[74] Mesih do të thotë: i pastruar nga gjynahet, dikush që Allahu ia ka fshirë gjynahet, e ka bekuar.

[75] Allahu e ka nderuar dhe e ka dalluar Isain në dynja, duke e bërë një nga pesë të dërguarit më të mëdhenj dhe duke e ngritur emrin e tij në botë, kurse në botën tjetër, Isai është i nderuar tek Allahu dhe do të ndërmjetësojë ashtu si edhe vëllezërit e tij pejgamberë.

[76] Nga të afërmit tek Allahu, në botën tjetër.


46. Ai do t’u flasë njerëzve që në djep[77], dhe i rritur[78], dhe do të jetë një nga të mirët.”[79]

47. Ajo tha: “Si mund të kem fëmijë, kur mua nuk më ka prekur askush?!” Ai (engjëlli) tha: “Kështu! Allahu krijon ç’të dojë.[80] Kur Ai vendos diçka, mjafton t’i thotë “Bëhu!”, dhe ajo bëhet.[81]

48. Ai (Allahu) do t’ia mësojë atij shkrimin, urtësinë[82], Teuratin[83] dhe Inxhilin[84].

49. Dhe (do ta bëjë) të Dërguar te bijtë e Israilit, (të cilëve do t’u thotë:) “Unë ju kam sjell provë nga Zoti juaj[85]: bëj për ju diçka prej balte në formë shpendi, fryj në të, dhe me urdhrin e Allahut ajo bëhet shpend i gjallë; shëroj të verbrin dhe të lebrosurin, dhe ngjall të vdekurit me lejen e Allahut; ju tregoj çfarë hani dhe çfarë depozitoni në shtëpitë tuaja. Sigurisht që në të gjitha këto ka provë për ju,[86] nëse vërtet jeni besimtarë.[87]

50. Unë jam vërtetues i asaj (shpalljes së Zotit) që ka qenë para meje prej Teuratit[88] dhe që t’ju lejoj disa gjëra nga ato që i keni pasur të ndaluara.[89] Ju kam ardhur me provë nga Zoti juaj, prandaj kini frikë Allahun[90] dhe bindmuni![91]

51. Me të vërtetë, Allahu është Zoti im dhe Zoti juaj, prandaj Atë adhuroni![92] Kjo[93] është rrugë e drejtë.[94]

52. Kur Isai e kuptoi mosbesimin e tyre,[95] tha: “Kush janë ndihmuesit e mi në rrugë të Allahut?”[96] Havarijunët[97] u përgjigjën: “Ne jemi ndihmuesit e Allahut.[98] I kemi besuar Allahut, prandaj dëshmo[99] se ne jemi muslimanë (të nënshtruar Allahut).”

-56- 


[77] Për të vërtetuar pastërtinë dhe pafajësinë e nënës së tij.

[78] Këtu është për qëllim të thuhet se edhe Isai ka kaluar në fazat e rritjes ashtu si edhe njerëzit e tjerë, por Allahu e ka dalluar atë me veçoritë që u përmendën më sipër.

[79] Në grupin e njerëzve të mirë të Allahut.

[80] Dhe e bën atë shenjë dhe argument për njerëzit, që të shohin fuqinë e Allahut dhe Madhështinë e Tij.

[81] Ashtu si do Ai, në formën, madhësinë dhe cilësitë që do Ai.

[82] Sqarimin dhe kuptimin e Librit.

[83] I cili gjendej në mesin e bijve të Israilit që në kohën e Musait (Paqja e Allahut qoftë mbi të!).

[84] Libër i ri, i cili nuk gjendej tek bijtë e Israilit, por iu shpall Isait (Paqja e Allahut qoftë mbi të!).

[85] Që të besoni se unë jam i dërguari i Tij tek ju.

[86] Sepse ato janë mrekulli dhe nuk mund t’i bëjë veçse një i dërguar nga Allahu, me urdhrin e Allahut.

[87] Nëse vërtet e besoni Allahun, provat e Tij, të dërguarin e Tij Musain dhe Teuratin që  iu shpall atij nga Allahu.

[88] Isai e besonte Teuratin dhe të gjitha shpalljet e mëparshme të Allahut, që ua ka shpallur pejgamberëve të mëparshëm dhe po kështu të gjithë pejgamberëte e Allahut, i besonin të dërguarit e mëparshëm dhe shpalljet e mëparshme të Allahut, si dhe lajmëronin për të dërguarin që do të vinte pas tyre.

[89] Isai e praktikonte Teuratin dhe atë që ishte shpallur nga Allahu, por atij iu shpallën disa lehtësime për disa ligje të rënda që ishin shpallur në Teurat, për shkak të arrogancës së bijve të Israilit.

[90] Në ato gjëra që ju ka urdhëruar dhe në ato që ju ka ndaluar.

[91] Në atë që u thërras, me të cilën Allahu më ka dërguar tek ju.

[92] Isai (alejhi selam) argumenton me njësimin e Allahut në krijim dhe se Ai është Zoti dhe Krijuesi i gjithçkaje, për njësimin e Tij në adhurim; pra, vetëm Zoti duhet adhuruar, dhe Isai është krijesë e Zotit.

[93] Adhurimi i Allahut dhe devotshmëria ndaj Tij.

[94] E cila të çon tek Allahu dhe tek xheneti i Tij, kurse rrugët e tjera përveç kësaj rruge të çojnë në zjarrin e xhehenemit.

[95] E vuri re dhe e nuhati se ata mohuan provat e Allahut dhe donin ta vrisnin atë, madje vetë ideja për vrasjen e tij është kufër, sepse ai ishte i Dërguari i Allahut.

[96] Kush do të më ndihmojë dhe do të punojë me mua në përkrahje të fesë së Allahut?

[97] Ndihmuesit e Isait, nxënësit e tij, shokët e tij që e ndoqën, apostujt e tij.

[98] Ndihmuesit e fesë së Allahut; i besojmë Allahut dhe të ndjekim ty.

[99] O Isa, tek Allahu për besimin tonë.


53. “Zoti ynë![100] Ne e besojmë atë që ke zbritur[101] dhe i bindemi të Dërguarit,[102] prandaj, na shëno bashkë me dëshmitarët[103]!”

54. Dhe ata[104] i përgatitën një kurth[105], por edhe Allahu u përgatiti kurth,[106] e Allahu është kurthngritësi më i mirë.[107]

55. (Kurthi i Allahut ishte) Kur Allahu tha: “O Isa! Unë do të të marr[108] ty, do të të ngre tek Unë, do të të pastroj[109] nga ata që kanë mohuar, dhe do t’i ngre ata që të ndjekin[110] ty përmbi ata që mohojnë, deri në ditën e Kiametit. Pastaj, tek Unë do të jetë kthimi juaj,[111] dhe Unë do të gjykoj mes jush për atë që jeni kundërshtuar.[112]

56. Sa për ata që mohojnë,[113] do t’i dënoj me dënim të ashpër në këtë botë[114] dhe në botën tjetër,[115] dhe ata nuk do të kenë asnjë ndihmues.[116]

57. Ndërsa atyre që besojnë[117] dhe bëjnë punë të mira,[118] Ai do t’u japë shpërblimin e plotë[119]. Allahu nuk i do të padrejtët[120].”

58. Këto që t’i lexojmë ty janë nga provat e qarta[121] dhe Këshilla e urtë.[122]

59. Shembulli i Isait[123] tek Allahu është njësoj si shembulli i Ademit, të cilin e krijoi nga balta, pastaj i tha “Bëhu!”, e ai u bë.[124]

60. E vërteta është nga Zoti yt,[125] prandaj mos u bëj nga ata që dyshojnë![126]

61. Atyre që polemizojnë me ty (o Muhamed) për çështjen e tij (Isait), pas asaj që të ka ardhur prej dijes,[127] thuaju: “Ejani t’i thërrasim bijtë tanë dhe bijtë tuaj, gratë tona dhe gratë tuaja, vetë ne dhe ju, pastaj të lutemi që mallkimi i Allahut të jetë mbi gënjeshtarët!”[128]

 -57-


[100] Këtë e thonë Havarijunët.

[101] Atë që i ke shpallur të dërguarit Tënd, Isait.

[102] Jemi bërë ndjekësit e Isait në fenë Tënde me të cilën e ke dërguar atë.

[103] Ata që dëshmojnë dëshminë e vërtetë të Njësimit të Allahut dhe besimit në të dërguarin e Tij.

[104] Që mohuan prej bijve të Israilit, mohimin e të cilëve e kuptoi dhe e vuri re Isai (alejhi selam).

[105] I përgatitën kurth Isait me qëllim për ta vrarë.

[106] Dijetarët e tefsirit transmetojnë se kurthi që përgatiti Allahu ishte vendosja e shëmbëlltyrës së Isait njërit prej shokëve të tij, dhe çifutët vranë atë duke menduar se vranë Isain (alejhi selam).

[107] Kundër atyre që thurin kurthe të padrejta dhe janë prishës e mohues.

[108] Dijetarët kanë dy mendime në lidhje me domethënien e fjalës “mutevafijke”, në lidhje me Isain (alejhi selam). Kjo, sepse domethënia e kësaj fjale në origjinë është përmbushja e diçkaje, pastaj është përdorur për të treguar vdekjen e njeriut. Por, në lidhje me Isain nuk është për qëllim vdekja dhe dalja e shpirtit nga trupi, sepse Allahu na ka njoftuar se e ka ngritur atë të gjallë, dhe pejgamberi ynë, Muhamedi na ka njoftuar se Isai nuk ka vdekur por është i gjallë në qiell dhe do të zbresë para ditës së Kiametit, pastaj do të vdesë dhe muslimanët janë ata që do t’i falin xhenazenë dhe do ta varrosin. Prej këtu, disa dijetarë thonë se domethënia e kësaj fjale këtu është marrja dhe ngritja e tij nga toka në qiell. Kurse të tjerë thonë se domethënia e saj është vdekja e vërtetë, por në ajet ka ndryshim të radhës së gjërave; sipas këtyre, radha e fjalisë është kështu: “O Isa, Unë do të të ngre tek Unë, do të shpëtoj nga ata që kanë mohuar, dhe do t’i ngre ata që të ndjekin ty …, pastaj do të të vdes.” Sipas këtij mendimi, dobia e përmendjes së vdekjes në fillim të fjalisë është për të treguar se ngritja në qiell nuk e pengon vdekjen e tij, por ai do të zbresë në tokë kur ta ketë caktuar Allahu, do të prijë besimtarët muslimanë, do të vrasë Dexhalin dhe do të vdesë si gjithë njerëzit, duke i dorëzuar shpirtin Allahut. Siç shihet, të gjithë janë dakord se Isai nuk ka vdekur, sepse kjo thuhet hapur dhe qartë në Kuran: “As nuk e vranë, as nuk e kryqëzuan, por iu duk atyre” [En Nisa, 157].

[109] Do të të shpëtoj prej tyre.

[110] Ndjekësit e Isait janë ata që e besuan dhe e ndoqën atë prej të krishterëve dhe jo jehudët, të cilët nuk e besuan Isain por vendosën ta vrasin atë, madje vepruan dhe menduan se e vranë, deri sa Allahu dërgoi Muhamedin, për t’u bërë muslimanët ndjekësit e vërtetë të Isait dhe ata që e besuan të vërtetën e tij ashtu si ishte. Dhe kështu, Allahu i ndihmoi muslimanët dhe u dha triumf kundër jehudëve, të krishterëve e tjerë, si urtësi nga Allahu dhe ndëshkim i tyre për lënien e ndjekies së Isait.

[111] Kthimi i të gjitha krijesave është tek Allahu, dhe të gjitha ato do të kthehen patjetër tek Krijuesi i tyre, po kështu edhe ata që polemizojnë në lidhje me Isain (alejhi selam).

[112] Në lidhje me Isain dhe me çdo gjë tjetër, me gjykim të drejtë dhe të vërtetë.

[113] Që mohojnë profetësinë tënde, o Isa, dhe që mohojnë Allahun, të dërguarit e Tij apo ndonjërin prej tij, shpalljet e Tij.

[114] Me vrasje, poshtërim, jetë të vështirë materiale apo shpirtërore, ose të dyja së bashku, e tjera prej vuajtjeve të dynjasë.

[115] Në zjarr të xhehenemit, ku dënimi do të jetë shumë më i rëndë dhe i përhershëm.

[116] Që t’i ndihmojë dhe t’i ruajë nga dënimi i Allahut, as me fuqi, as me ndërmjetësim.

[117] Allahun, engjëjt e tij, të dërguarit e Tij, librat e Tij, ringjalljen në botën tjetër, dhe çdo gjë që ka ardhur nga Allahu.

[118] Zbatojnë urdhrat e Allahut dhe i largohen ndalesave të Tij.

[119] Në këtë botë dhe në botën tjetër. Në këtë botë ata do të kenë nderime, ndihmë nga Allahu, jetë të qetë e të lumtur, kurse shpërblimi i tyre në botën tjetër është i papërshkrueshëm.

[120] Ata të cilët nuk i vendosin gjërat në vendin e vet, adhurojnë tjetër përveç Allahut dhe u bëjnë padrejtësi njerëzve.

[121] Kundër atyre që polemizojnë në lidhje me Isain dhe nënën e tij, prej jehudëve dhe të krishterëve.

[122] Kurani i urtë, dalluesi mes të vërtetës dhe të pavërtetës.

[123] Në krijimin e tij pa babë.

[124] Pa babë dhe pa nënë. Pra, çudia në krijimin e Isait pa babë, nuk është më e madhe se çudia në krijimin e Ademit pa babë e pa nënë, dhe ashtu si Allahu ka krijuar Ademin, ka krijuar edhe Isain, me fjalën “Bëhu!”

[125] Të gjitha ato që të njofton Allahu në lidhje me Isain dhe krijimin e tij, janë të vërteta dhe e vërteta e vetme rreth tij dhe rreth çdo gjëje tjetër është ajo që thotë Allahu.

[126] Mos dysho aspak dhe në asgjë nga ato që të njofton Allahu, sepse nuk qëndron përballë të vërtetës veçse e pavërteta. Ky është një rregull madhështor, të cilin po ta ketë parasysh besimtari, do t’i japë përgjigje çdo dyshimi që i vjen në lidhje me çështjet e besimit për të cilat ka njoftuar Allahu dhe i Dërguari i Tij.

[127] Pasi Allahu ta tregoi të vërtetën në lidhje me të, në Kuran, dhe qartësoi se ai është rob i Allahut dhe i dërguar i tij.

[128] Nëse dikush polemizon për çështjen e Isait pas këtyre provave të qarta nga Allahu, kjo tregon për kokëfortësinë e tyre, kështu që nuk ka më dobi nga hyrja në polemikë me ta, pasi që e vërteta është bërë e qartë për të gjithë, kurse ata nuk ndjekin atë që thotë Allahu dhe nuk duan të vërtetën, por ndjekin epshet e tyre dhe duan të kundërshtojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij me kokëfortësi dhe arrogancë. Përderisa është kështu, atëherë Allahu e urdhëron të Dërguarin e Tij që të dyja palët t’i luten Allahut që të hedhë mallkimin e Tij mbi palën gënjeshtare dhe mbi familjet dhe të afërmit e tyre, por ata nuk pranuan, sepse e dinin shumë mirë që sikur ta bënin këtë, nuk do të gjenin familje, as fëmijë dhe as pasuritë e tyre kur të ktheheshin në shtëpitë e tyre, si dhe do të shpejtonin dënimin e tyre. Dhe kështu, ata qëndruan në fenë e tyre, duke qenë të bindur për pavërtetësinë e saj, dhe ky është kulmi i kokëfortësisë dhe prishjes, prandaj Allahu thotë në ajetin 63, në vijim: “Nëse ata kthejnë shpinën, Allahu e di mirë se kush janë prishësit.”


62. Padyshim, se kjo është historia e vërtetë.[129] Nuk ka asnjë të adhuruar tjetër (të denjë) përveç Allahut,[130] dhe me të vërtetë, Allahu është i Plotëfuqishmi, i Urti.

63. E, nëse ata kthejnë shpinën,[131] Allahu e di mirë se kush janë prishësit.[132]

64. Thuaj: “O ithtarët e Librit! Ejani të biem në një fjalë[133] të përbashkët mes nesh dhe jush: që të mos adhurojmë tjetër përveç Allahut, të mos i shoqërojmë Atij asgjë, dhe të mos e marrim njëri-tjetrin për zota,[134] në vend të Allahut!” Nëse ata refuzojnë, atëherë thoni: “Dëshmoni pra, se ne jemi muslimanë[135] (të nënshtruar Allahut).”

65. O ithtarë të Librit! Përse polemizoni në lidhje me Ibrahimin,[136] kur si Teurati edhe Inxhili[137] nuk janë zbritur veçse pas tij? A nuk logjikoni?[138]

66. Ju jeni ata që polemizuat për atë që kishit një farë dije,[139] përse tani polemizoni për diçka që nuk keni aspak dije?[140] Allahu e di,[141] kurse ju nuk dini asgjë.[142]

67. Ibrahimi nuk ka qenë as jehudi, as i krishterë, por ka qenë ndjekës i fesë së drejtë,[143] mysliman (i nënshtruar Allahut) dhe nuk ka qenë nga politeistët.[144]

68. Pa dyshim, njerëzit më të denjë për të pasur Ibrahimin[145] janë ata që e pasuan atë,[146] ky pejgamber[147] dhe ata që besojnë.[148] Allahu është Mbrojtësi i besimtarëve.[149]

69. Një grup nga ithtarët e Librit do të dëshironin që t’ju shpinin në humbje,[150] por ata nuk shpienë në humbje veçse veten e tyre,[151] por nuk e ndiejnë.[152]

70. O ithtarë të Librit![153] Përse i mohoni ajetet e Allahut,[154] ndërkohë që dëshmoni për to?[155]

-58- 


[129] Kështu është historia e vërtetë e Isait, dhe çdo version tjetër i kësaj historie që e kundërshton këtë që ka treguar Allahu, është i pavërtetë.

[130] Vetëm Allahu është Zot dhe vetëm Ai meriton të adhurohet dhe asgjë e askush tjetër përveç Tij. Isai nuk ka qenë veçse rob i Allahut dhe i zgjedhur nga Ai si pejgamber. Kurse mrekullitë që kanë ndodhur në lidhje me të dhe nënën e tij, Allahu i ka bërë për të treguar fuqinë e Tij dhe provë për njerëzit, me qëllim që të besojnë Allahun dhe të ndjekin të Dërguarin e tij.

[131] Dhe refuzojnë të bëjnë lutje të përbashkët që mallkimi i Allahut të bjerë mbi gënjeshtarët.

[132] Dhe i dënon ata për veprën e tyre me dënimin më të rëndë.

[133] Fjala e njësimit të Allahut, fjala e të gjithë të dërguarve dhe lajmëtarëve të Allahut, të cilën nuk e kanë kundërshtuar veçse të humburit dhe të pabindurit.

[134] Të mos i bindemi njëri-tjetrit për gjëra që e kundërshtojnë urdhrin e Allahut, por t’i bindemi vetëm Allahut dhe të zbatojmë atë që thotë Ai dhe t’i largohemi asaj që ndalon Ai.

[135] Dëshmoni se ne i jemi nënshtruar vetëm Allahut me fjalë, me vepër dhe me zemër, dhe i bindemi vetëm Atij.

[136] Për të cilin, jehuditë thonin se  është prej tyre, ndërsa të krishterët thonin se është prej tyre.

[137] Që pretendon se ndjek secili prej jush.

[138] Sikur të logjikonit, nuk do të thoshit këto që thoni.

[139] Për atë që e patë me sytë tuaj, Isain (alejhi selam) dhe atë që gjenit të shkruar në Teurat dhe në Inxhil.

[140] Në lidhje me Ibrahimin dhe fenë e tij.

[141] Për Ibrahimin dhe për çdo gjë që ka krijuar, me dije të plotë e të përpiktë.

[142] Përveç asaj që keni parë dhe që keni lexuar në librat qiellor.

[143] Fesë së Allahut, duke iu bindur dhe nënshtruar vetëm ndaj Allahut dhe duke adhuruar vetëm Allahun.

[144] Kjo është dëshmi nga Allahu për pastërtinë e pejgamberit dhe të dashurit të Allahut, Ibrahimit (alejhi selam), i cili ka qenë i nënshtruar ndaj Alahut dhe urdhrave të Tij, larg idhujtarisë dhe idhujtarëve. Në këtë ajet, Allahu i përgënjeshtron jehudët dhe të krishterët, të cilët pretendonin se Ibrahimi i përkiste fesë së tyre, dhe pohon se ai ishte mysliman, që do të thotë: i nënshtruar Allahut me zemrën dhe veprat e tij, në gjithçka që Allahu urdhëron dhe pëlqen, si dhe duke iu larguar atyre që Allahu ndalon dhe urren. Kjo është feja e vërtetë, Islami.

[145] Për ta pasur Ibrahimin mik, të dashur, dhe të adresuar në fenë e tyre.

[146] Ata që ndoqën rrugën dhe besimin e tij në një Zot të vetëm, pa i shoqëruar Atij askënd.

[147] Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).

[148] Bashkë me Muhamedin (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), d.m.th. populli musliman.

[149] Allahu është Mbrojtësi dhe Ndihmuesi i atyre që besojnë Muhamedin dhe e ndjekin atë dhe gjithçka që  i është shpallur atij nga Allahu.

[150] T’ju zmbrapsin nga Islami, o muslimanë, për t’ju kthyer në mosbesimin ku ndodhen vetë, dhe kështu t’ju tërheqin me vete në shkatërrim e në humbje.

[151] Veten dhe ndjekësit e tyre në fenë e tyre, sepse ata tërheqin zemërimin dhe mallkimin e Allahut kundër vetes, për shkak të mohimit të Allahut dhe shkeljes së besës që u mori Allahu në Librin e tyre, për pranimin e Muhamedit, besimin në të dhe pasimin e tij.

[152] Nuk e dinë se çfarë i pret prej dënimit të Allahut, për shkat të veprave të tyre.

[153] I drejtohet jehudëve dhe të krishterëve.

[154] Vargjet dhe provat e Allahut që i gjeni në Librin e Allahut të zbritur tek ju, në gjuhën e të dërguarve tuaj.

[155] Dëshmoni për vërtetësinë e tyre dhe se ato janë nga Allahu. Në këtë ajet, Allahu i qorton ithtarët e dy Librave, për mohimin e Muhamedit dhe përgënjeshtrimin e profetësisë së tij, ndërkohë që ata e gjejnë atë të shënuar në Librat e tyre, dhe vetë ata dëshmojnë se ajo që thuhet në Librat e tyre është e vërtetë, nga Allahu.


71. O ithtarë të Librit! Përse e ngatërroni të vërtetën me të pavërtetën, dhe e fshihni të vërtetën,[156] duke qenë se e dini?[157]

72. Një grup prej ithtarëve të Librit thanë: “Në mëngjes, besoni në atë që u është zbritur atyre që besojnë, kurse në mbrëmje mohojeni atë, se ndoshta kështu do të kthehen.[158]

73. Dhe mos u besoni veçse atyre që ndjekin fenë tuaj!”[159] Thuaj (o Muhamed): “Udhëzimi[160] i vërtetë është vetëm udhëzimi i Allahut.”[161] (Vazhdojnë të thonë:) “Apo (mos besoni) se ndokujt mund t’i jepet diçka e ngjashme me atë që u është dhënë juve, apo se do të polemizojnë kundër jush te Zoti juaj!”[162]  Thuaj: “Mirësia[163] është në Dorë të Allahut dhe Ai ia jep kujt të dojë.[164] Allahu është Mirëbërës i madh, i Gjithëdijshëm.[165]

74. Ai veçon me mëshirën[166] e Vet kë të dojë. Allahu është Zotërues i mirësisë së madhe.

75. Prej ithtarëve të Librit[167] ka të atillë që, nëse i beson një tonelatë ari, ta kthen atë, por ka edhe të atillë që, nëse i beson një dinar (monedhë ari), nuk ta kthen atë, vetëm po qe se nuk i ndahesh.[168] Kjo,[169] sepse ata thonë: “Ne nuk kemi asnjë detyrim ndaj analfabetëve (arabë).[170]” Dhe flasin gënjeshtra për Allahun[171] me vetëdije.

76. Përkundrazi,[172] kushdo që e përmbush premtimin e tij[173] dhe ruhet[174], padyshim se Allahu i do të devotshmit.[175]

77. Vërtet, ata që e shkëmbejnë premtimin e Allahut dhe betimet e tyre[176] me një vlerë të pakët,[177] nuk do të kenë pjesë në botën tjetër,[178] Allahu nuk do t’u flasë atyre,[179] as nuk do të shikojë[180] tek ata në ditën e Kiametit, as nuk do t’i pastrojë ata[181] dhe për ta do të ketë dënim të dhembshëm.

-59- 


[156] Që thuhet për Muhamedin dhe profetësinë e tij, në Librat tuaj.

[157] E dini të vërtetën dhe e fshihni atë me vetëdije. Kështu veprojnë ata që kanë devijuar nga rruga e drejtë dhe besimi i pastër, ata që ndjekin epshet e tyre dhe i japin përparësi jetës së kësaj bote mbi botën tjetër, për të mashtruar njerëzit dhe për t’i bërë ata ndjekës të tyre: duke ngatërruar të vërtetën me të pavërtetën, që njerëzit të bienë në pështjellim dhe në dyshime, dhe duke e fshehur të vërtetën me vetëdije, me qëllim që njerëzit të mos e shohin atë, përndryshe do të zbulohen nuk do të ndiqen më tej. Kjo është ajo që bënë paria çifute dhe e krishtere, dijetarët dhe klerikët e tyre, dhe që vazhdojnë të bëjnë gjithnjë, në çdo kohë e vend.

[158] Nga feja e tyre. Ky ishte një prej kurtheve të tyre për të zmbrapsur besimtarët nga Islami; sepse muslimanët, duke parë që dijetarët prej ithtarëve të Librit hynë në Islam në mëngjes dhe dolën prej tij në mbrëmje, do të mendojnë se ata dolën prej tij pasi që panë se nuk ishte i vërtetë! Dhe kështu, njerëzit do ta linin Islamin dhe do të ndiqnin fenë e tyre, por Allahu nuk lejon tjetër veçse të përsosë dritën e Vet, edhe sikur mohuesit ta urrejnë këtë gjë.

[159] Mos i zini besë dhe mos i tregoni asgjë veçse atyre që janë në fenë tuaj, përndryshe ata do ta mësojnë atë që dini ju prej të vërtetës që fshihni, dhe do të dëshmojnë kundër jush tek Allahu.

[160] Sqarimi i të vërtetës dhe udhëzimi tek ajo.

[161] Kjo është fjali kundërshtore, me anë të së cilës kundërshtohet fjala e tyre djallëzore dhe sqarohet e vërteta.

[162] Sepse ju jeni më të nderuar se ata tek Allahu, për atë që ju ka dhënë juve dhe nuk ua ka dhënë atyre.

[163] Pjegamberllëku, shpallja, udhëzimi në rrugën e drejtë dhe dhënia sukses për gjetjen e saj dhe ecjen në të.

[164] Dhe jo kujt të dëshironi ju, o jehudë!

[165] E di mirë se kush e meriton mirësinë e Tij.

[166] Me Islamin, pejgamberllëkun, Kuranin.

[167] Prej jehudëve.

[168] Dhe ia kërkon vazhdimisht.

[169] Moskthimi i amanetit të lënë tek ata.

[170] Nuk kemi detyrim dhe as gjynah në mbajtjen e pasurive të tyre sepse ata janë idhujtarë e të paditur.

[171] Duke thënë se Allahu ua ka bërë të lejuar pasurinë e atyre dhe ne nuk kemi gjynah nëse e thyejmë amanetin e tyre.

[172] Nuk është ashtu si thonë këta gënjeshtarë prej jehudëve.

[173] Premtimin dhe besën që u ka marrë jehudëve në Teurat, se do të besojnë Muhamedin dhe atë që i shpallet nga Zoti i tij.

[174] I ruhet atyre që ka ndaluar Allahu prej mosbesimit dhe mëkateve, nga frika e mbikqyrjes së Allahut dhe dënimit të Tij.

[175] Ata që i ruhen Allahut dhe dënimit të Tij, duke iu larguar ndalesave të Tij dhe duke iu bindur urdhrave të Tij.

[176] Betohen rrejshëm për të bërë të lejuar atë që Allahu ua ka ndaluar, prej pasurive të njerëzve.

[177] Nga gjërat e dynjasë.

[178] Nuk do të kenë pjesë në të mirat e botës tjetër, në të mirat e xhenetit.

[179] Nuk do t’u flaës fjalë që i gëzon ata. E kemi përmendur më parë më gjerësisht kuptimin e kësaj.

[180] Nuk do u hedh sytë, nuk do i dhimbsen, nuk do ketë mëshirë për ta.

[181] Nga ndotësia e gjynaheve dhe mohimit të tyre.


78. Me të vertëtë, prej tyre[182] është një grup, të cilët i përdredhin gjuhët[183] e tyre kur lexojnë Librin,[184] që ju të mendoni se ajo[185] është prej Librit, kurse në të vërtetë nuk është prej Librit. Dhe thonë: “Kjo është nga Allahu.”[186] Por ajo nuk është nga Allahu. Ata flasin gënjeshtër për Allahun, duke qenë të vetëdijshëm.[187]

79. Nuk i takon asnjë njeriu,[188] të cilit Allahu i ka dhënë Librin, gjykimin[189] dhe pejgamberllëkun, që t’u thotë njerëzve: “Bëhuni robërit e mi dhe jo të Allahut!”[190] Por ai u thotë: “Bëhuni edukatorë të urtë,[191] për atë se ua mësonit të tjerëve Librin[192] dhe e studionit atë.”[193]

80. As (nuk i takon) që t’ju urdhërojë të merrni engjëjt dhe pejgamberët për zota[194]. Vallë, a do t’ju urdhëronte për mosbesim, pasi të jeni nënshtruar[195]?!

81. Kujtoni[196] kur Allahu mori besën[197] e pejgambereve: “Çfarëdo që t’ju jap prej Librit dhe urtësisë, kur t’ju vijë një i dërguar,[198] vërtetues i asaj që ju është dhënë,[199] ju do ta besoni dhe do ta ndihmoni atë! A e pranoni dhe më jepni besën për këtë?” Ata thanë: “E pranojmë.” Ai tha: “Atëherë dëshmoni,[200] dhe Unë jam bashkë me ju prej dëshmitarëve.[201]

82. Por, kushdo që kthen shpinën pas kësaj,[202] pikërisht ata janë të prishurit.[203]

83. A mos kërkojnë fe tjetër nga ajo e Allahut,[204] ndërkohë që Atij i janë nënshtruar[205] të gjithë ata që gjenden në qiej e në tokë, me hir[206] a me pahir[207], dhe tek Ai do të kthehen.[208]

-60-


[182] Prej ithtarëve të Librit, jehudëve dhe të krishterëve.

[183] Deformojnë fjalët dhe ndryshojnë kuptimin me interpretimin e tyre të gabuar e të qëllimshëm.

[184] Librin e Allahut, Teuratin dhe Inxhilin.

[185] Fjala që thonë ata duke përdredhur gjuhën gjatë leximit, me qëllim që të ndryshojnë fjalët dhe kuptimin, të trillojnë gënjeshtër dhe të pavërtetë.

[186] E ndryshojnë haptazi atë që thuhet në libër dhe thonë se ajo që kanë ndryshuar vetë ata është nga Allahu.

[187] Ky është krim më i madh se ai që thotë për Allahun diçka që nuk e di, edhe pse të thuash për Allahun diçka që nuk e di, është gjynah i madh, por gjynahu i këtyre është edhe më i madh, sepse ata e dinë të vërtetën dhe trillojnë gënjeshtër me vetëdije.

[188] Është e pamundur, absurde që një njeri, të cilit Allahu i ka dhënë Librin… Ky ajet ka zbritur si kundërpërgjigje ndaj atyre ithtarëve të Librit të cilët, kur Pejgamberi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) i urdhëroi të besonin se ai ishte i Dërguari i Allahut dhe t’i bindeshin atij, thanë: “A dëshiron, o Muhamed, që të adhurojmë ty bashkë me Allahun?”

[189] Dijen dhe kuptimin, gjykimin e drejtë.

[190] Më adhuroni mua në vend të Allahut.

[191] Edukues dhe drejtues të njerëzve me dije, kuptim dhe largpamësi, me qëllim të përmirësimit të çështjeve të tyre të kësaj bote dhe të botës tjetër.

[192] Kuranin dhe Sunetin e Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).

[193] Njeriu nuk i mëson të tjerët, veçse pasi të ketë mësuar vetë dhe të jetë thelluar në dije, pastaj, kur ua mëson atë të tjerëve, ajo dije zë rrënjë tek ai dhe forcohet.

[194] Që adhurohen në vend të Allahut apo bashkë me Allahun.

[195] Pasi t’i jeni nënshtruar Allahut me bindje e besim.

[196] O ithtarë të Librit!

[197] Zotimin dhe premtimin se do t’i binden Allahut për gjithçka që i urdhëron apo i ndalon.

[198] Kushdo prej të dërguarve, në mes të të cilëve edhe Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).

[199] Beson dhe vërteton të dërguarit dhe shpalljet e mëparshme të Allahut, sepse të gjithë pejgamberët besojnë dhe vërteteojnë njëri-tjetrin, sepse që të gjithë ata janë dërguar nga Allahu.

[200] Tek popujt tuaj dhe merruni besën atyre për këtë: se do ta besojnë dhe do ta ndjekin çdo të dërguar nga Allahu i cili vërteton atë që u ka ardhur atyre.

[201] Kundër popujve tuaj, me dëshminë se ju ua keni marrë besën atyre dhe ata e mësuan të vërtetën, kështu që për ta nuk ka justifikim.

[202] Kushdo që kthen shpinën dhe e shkel besën e dhënë, duke mos i besuar të dërguarit e Mi, të cilët vijnë si vërtetues të dërguarve që kanë qenë para tyre, as nuk i ndjek e nuk i përkrah ata.

[203] Që kanë dalë nga feja e Allahut dhe bindja ndaj Tij.

[204] O ithtarë të Librit! A mos kërkoni bindjen dhe nënshtrimin ndaj dikujt tjetër përveç bindjes dhe nënshtrimit ndaj Allahut.

[205] Me adhurim e bindje, pa i shoqëruar asgjë.

[206] Engjëjt dhe besimtarët, të cilët i binden Allahut dhe i nënshtrohen Atij me dëshirë, ashtu si i ka udhëzuar Ai.

[207] Të gjitha krijesat, madje edhe mosbesimtarët, sepse të gjithë i nënshtrohen ligjit dhe caktimit të vendosur nga Allahu, dhe nuk mund të dalin prej tij.

[208] Dhe Ai do të gjykojë mes tyre dhe do t’i shpërblejë sipas vendimit të Tij, i cili sillet mes mirësisë dhe drejtësisë.


84. Thuaj[209]: “Ne besojmë Allahun, atë që na është zbritur neve, atë që i është zbritur Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit, Esbatëve[210] dhe atë që i është dhënë Musait, Isait dhe të gjithë pejgamberëve nga Zoti i tyre. Ne nuk bëjmë asnjë dallim mes tyre, dhe ne vetëm Atij i nështrohemi.”[211]

85. Ndërsa kush kërkon fe tjetër përveç Islamit, atij nuk do t’i pranohet[212] dhe në botën tjetër ai do të jetë prej të humburve[213].

86. Si mund t’i udhëzojë Allahu ata njerëz, të cilët mohuan pas besimit të tyre dhe pasi dëshmuan se i Dërguari[214] është i vërtetë, dhe u kishin ardhur provat e qarta? Allahu nuk i udhëzon në rrugë të drejtë njerëzit e padrejtë.[215]

87. Shpërblimi i këtyre është që mbi ta të jetë mallkimi i Allahut, i engjëjve dhe i mbarë njerëzimit.

88. Përgjithmonë në të (dënim), pa ju lehtësuar dënimi aspak dhe pa ju dhënë afat[216].

89. Përveç atyre të cilët pas kësaj pendohen[217] dhe përmirësohen[218], padyshim se Allahu është Falës i madh, Mëshirëplotë.

90. Vërtet, ata të cilët mohojnë pas besimit të tyre, pastaj e shtojnë edhe më shumë mohimin[219], pendimi i tyre nuk do të pranohet[220] dhe pikërisht këta janë ata që kanë humbur (rrugën e drejtë).

91. Vërtet, ata që mohojnë[221] dhe vdesin duke qenë mosbesimtarë, askujt prej tyre nuk do t’i pranohet kompensim[222], edhe sikur (kompensimi) të ishte sa e tërë toka mbushur me ar. Ata do të kenë dënim të dhembshëm dhe nuk do të kenë asnjë ndihmues[223].

-61-


[209] Nëse ata refuzojnë veçse të ndjekin fe tjetër nga ajo e Allahut, thuaju…

[210] Ata pasardhës të Jakubit (alejhi selam), të cilët kanë qenë pejgamberë.

[211] Ajet i njëjtë me këtë ka qenë ajeti nr. 136, i sures Bekare, prandaj kthehuni atje për më tepër komentim.

[212] Nga Allahu.

[213] Nuk kanë vend në mëshirën e Allahut, por ka humbur gjithçka dhe nuk mund të shpëtojë nga dënimi i zjarrit.

[214] Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).

[215] Sepse këta e njohën të vërtetën dhe ndoqën të pavërtetën, me vetëdije, dhe kjo është padrejtësia më e madhe.

[216] Për t’u justifikuar me ndonjë justifikim.

[217] Kthehen nga mosbesimi në besim.

[218] Përmirësojnë gjendjen e tyre me vepra të mira dhe në bindje ndaj Allahut.

[219] Duke mohuar profetësinë e Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).

[220] Nuk u pranohet pendimi nga gjynahet përderisa vazhdojnë të jenë në mohim e mosbesim, dhe dihet se kush mohon një prej të Dërguarve, i ka mohuar të gjithë të dërguarit e Allahut dhe ai është mohues i Allahut.

[221] Mohojnë profetësinë e Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), në veçanti dhe të gjitha llojet e mohimit në përgjithësi.

[222] Për të shpaguar dhe liruar veten nga dënimi i zjarrit.

[223] Asnjë të afërm, mik apo shok që ta ndihmojë dhe ta shpëtojë nga Allahu dhe dënimi i Tij, ashtu si e ndihmonin në dynja kundër dikujt që kërkonte ta dëmtonte.


92. Nuk keni për ta arritur devocionin[224], deri sa të jepni nga ajo që e doni[225]. Nuk ka gjë që jepni,[226] veçse Allahu e di mirë atë.[227]

 -62-


[224] Devotshmërinë dhe përkushtimin e vërtetë ndaj Allahut, bindjen e plotë ndaj Tij dhe të gjitha ato vepra të mira që e çojnë njeriun në xhenet.

[225] Nga pasuria më e mirë dhe më e dashur që zotëroni, apo kur zotëroni pak dhe megjithatë jepni për Hir të Allahut; gjë e cila do të thotë se ju i jepni përparësi kënaqësisë së Allahut mbi dëshirave tuaja, dhe për këtë fitoni shpërblimin e Allahut.

[226] Qoftë shumë apo pak, sipas mundësisë dhe qëllimit.

[227] Dhe ju shpërblen sipas qëllimit tuaj dhe dobisë që bën ajo që jepni.


Kthehu te Xhuzi 3a                 |              Vazhdo te Xhuzi 4a