Vazhdim i Sures  “El Bekare”

253. Këta të dërguar[1], Ne i kemi privilegjuar mbi njëri-tjetrin[2]; disave prej tyre Allahu iu foli drejtpërdrejt[3], kurse të tjerë i ngriti në shkallë të larta[4]. Isait, birit të Merjemes, Ne i dhamë provat e qarta[5] dhe e përforcuam me shpirtin e shenjtë[6]. Sikur të donte Allahu, njerëzit që erdhën pas tyre (të dërguarve)[7] nuk do të vriteshin me njëri-tjetrin pas ardhjes së provave të qarta[8], por ata u përçanë dhe disa prej tyre besuan, kurse të tjerët mohuan. E, sikur të donte Allahu, ata nuk do të vriteshin me njëri-tjetrin, por Allahu vepron atë që do Vetë.[9]

254. O ju që keni besuar! Jepni nga ajo që u kemi furnizuar[10] para se të vijë një ditë në të cilën nuk do të ketë tregti, as miqësi dhe as ndërmjetësi[11]! Pikërisht mosbesimtarët janë të padrejtët[12].

255. Allahu![13] Nuk ka të adhuruar tjetër (të denjë) përveç Tij, të Përjetshmit[14], Mbajtësit të gjithçkaje[15]! Atë nuk e kaplon as dremitja, as gjumi![16] Atij i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në tokë.[17] Kush mund të ndërmjetësojë tek Ai pa lejen e Tij?[18] Ai di gjithçka që ka ndodhur para krijesave dhe gjithçka që do të ndodhë pas tyre,[19] kurse ata nuk mund të përvetësojnë asgjë nga dija e Tij, përveç asaj që do Ai. Kursiju[20] i Tij përfshin qiejt dhe Tokën dhe Atë nuk e lodh ruajtja e tyre (qiejve dhe Tokës). Ai është i Larti[21], Madhështori.

256. Nuk ka detyrim në fe,[22] sepse tashmë e drejta është dalluar nga e shtrembra. Ai që mohon tagutin[23] dhe beson Allahun, është kapur për vegjën më të fortë[24], e cila nuk ka thyerje. Allahu është Gjithëdëgjues, i Gjithëdijshëm.

– 42 –
________________________________
[1] Që i kemi përmendur deri tani në këtë sure, dhe të gjithë të dërguarit.

[2] Allahu i ka zgjedhur pejgamberët nga mesi i njerëzve dhe i ka dhënë atyre privilegje mbi njerëzit e tjerë, madje edhe në mesin e pejgamberëve ka prej tyre që kanë privilegje që nuk i kanë të tjerët dhe ata janë në grada të ndryshme.

[3] Siç është Musai (alejhi selam).

[4] Siç është pejgamberi ynë, Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), tek i cili janë bashkuar të gjitha veçoritë e shpërndara tek pejgamberët e tjerë, dhe Allahu e ka dërguar atë tek i gjithë njerëzimi, ndërsa pejgamberët e tjerë janë dërguar vetëm te populli i tyre.

[5] Vërtetuese të profetësisë së tij, dhe se ai është rob i Allahut dhe i dërguar i Tij. Prej atyre provave ishte shërimi i të verbërit, i të lebrosurit, ngjallja e të vdekurit me lejen e Allahut, etj.

[6] Me engjëllin Xhibril, i cili është quajtur “shpirti i shenjtë” për arsye se Allahu e ka krijuar atë duke ia dhënë vetë shpirtin, pa e lindur atë ndonjë prind, dhe kështu e quajti “shpirt”. Po për këtë arsye është quajtur edhe Isai “shpirt”, ngaqë Allahu e krijoi atë duke ia dhënë vetë shpirtin atij, pa pasur baba. Ndërsa fjala “i shenjtë” (el kudus), ka kuptimin “i pastër”.

[7] Pas Musait dhe Isait (Paqja e Allahut qoftë mbi ta!).

[8] Edhe pse atyre u kishin ardhur provat e qarta nga Allahu, dhe ishin ndaluar të përçaheshin dhe të luftonin njëri-tjetrin, ata i shkelën ligjet dhe shumica e tyre mohuan.

[9] Me Vullnetin e Tij absolut, duke i dhënë sukses për zbatimin e urdhrave të Tij kujt të dojë dhe duke poshtëruar e përçmuar kë të dojë, dhe në këtë gjë, Allahu nuk i bën padrejtësi askujt, por të mirit i shton mirësi dhe të keqit i jep atë që ka zgjedhur vetë dhe atë që meriton.

[10] Jepni zekat dhe lëmoshë në rrugë të Allahut, në rrugët e hajrit, nga pasuria që iu ka dhënë Allahu, me qëllim që ta gjeni atë në ditën e Kiametit në peshoren e veprave tuaja të mira.

[11] Për mosbesimtarët, kurse për besimtarët do të ketë ndërmjetësim dhe ata do të ndërmjetësojnë për njëri-tjetrin pasi t’u japë leje Allahu i Madhëruar.

[12] Padrejtësia është vendosja e diçkaje jo në vendin e vet, dhe padrejtësia më e madhe është mohimi i Allahut të Madhëruar, duke e kryer adhurimin për një krijesë tjetër dhe jo për Krijuesin, ndaj në ajet kufizohet e gjithë padrejtësia për mosbesimtarët, sepse mosbesimi është padrejtësia më e madhe që ekziston, njësoj si edhe idhujtaria.

[13] Ky është ajeti më madhështor i Kuranit të ndershëm, më i mirë dhe më i lartë, dhe kjo për shkak të përmbajtjes së tij prej çështjeve madhështore dhe atributeve të larta të Allahut të Madhëruar. Për këtë arsye kanë ardhur hadithe të shumta që flasin për vlerën e këtij ajeti dhe që nxitin për leximin e tij në mëngjes e në mbrëmje, para fjetjes, pas çdo namazi farz, etj.

[14] I Cili zotëron jetë absolute, të përhershme, pa fillim dhe pa mbarim, dhe i Cili gëzon të gjitha cilësitë vetjake absolute që i përshtaten Madhështisë dhe Lartësisë së Tij, të cilat nuk i ngjajnë assesi cilësive të krijesave.

[15] Vet-Ekzistuesi, i Cili mbahet Vetë dhe mban gjithçka që ka krijuar me jetë, furnizim dhe gjithçka që iu nevojitet. Është Ai që gëzon të gjitha cilësitë veprore apsolute që i përshtaten Madhështisë dhe Lartësisë së Tij, të cilat nuk i ngjajnë assesi cilësive të krijesave.

[16] Sepse këto janë cilësi që tregojnë dobësi dhe nevojë, cilësi që i përshtaten krijesave dhe jo Krijuesit të Madhëruar, i Cili zotëron cilësitë e plota dhe absolute, që nuk i ngjajnë atyre të krijesave.

[17] Allahu është Zotëruesi dhe Sunduesi i Vetëm i gjithçkaje që ekziston, dhe Ai nuk ka asnjë shok apo ortak, as në sundim, as në atribute dhe as në adhurim.

[18] Askush nuk mund të ndërmjetësojë tek Allahu për askënd, veçse me lejen e Allahut, dhe kjo leje do të jetë në ditën e Kiametit, kurse në këtë botë askush nuk mund të ndërmjetësojë tek Allahu, qoftë i gjallë apo i vdekur, dhe Allahu nuk pranon ndërmjetës, sepse Allahu thotë: “Kur robët e Mi të pyesin ty për Mua, (thuaju se) Unë jam afër! I përgjigjem lutjes së lutësit kur më lutet. Ndaj, të më përgjigjen Mua dhe të besojnë tek Unë, që të udhëzohen drejt!” [El Bekare, 186].

[19] Allahu di gjithçka në hollësi me dije absolute, që para krijimit të krijesave dhe se çfarë do të bëjë në të ardhmen, në këtë botë dhe në botën tjetër.

[20] Disa dijetarë thonë se me këtë fjalë është për qëllim “Dija” e Allahut, e cila përfshin gjithçka që gjendet në qiej e në tokë, të dukshme e të padukshme. Ndërsa të tjerë thonë se me këtë fjalë është për qëllim “Karrigia”, apo “Stoli” i vendosur para Arshit-Fronit të Allahut. Është vërtetuar se Ibën Abasi ka thënë: “Kursija është vendi i vendosjes së këmbëve, kurse madhësinë e Arshit nuk e përcakton veçse Allahu i Madhëruar.” Ndërsa nga Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) nuk ka ardhur veçse një hadith i saktë në lidhje me Kursijin, ku thuhet: “Shtatë qiejt para Kursijit nuk janë veçse si një unazë e hedhur në shkretëtirë, kurse madhësia e Arshit para Kursijit është si madhësia e asaj shkretëtirë para asaj unaze.” [Es Silsiletu es Sahiha, 109].

[21] Mbi të gjitha krijesat e Tij me Qënien e Tij dhe me Atributet e Tij absolute.

[22] Detyrimi në diçka bëhet për shkak se ajo urrehet nga i detyruari dhe është e dëmshme apo e zymtë për të, ndërsa feja e Allahut është e qartë, e pranueshme për mendjet e shëndosha dhe e dashur për to, për shkak se ajo është rruga e drejtë dhe siguruesja e lumturisë në të dyja botët, gjë e cila vërehet menjëherë nga ai që kërkon të udhëzohet drejt. Kurse ai që është shpirtlig dhe qëllimkeq, e sheh të vërtetën dhe zgjedh të pavërtetën, e sheh të mirën dhe shkon te e keqa. Për këtë njeri nuk ka nevojë feja, kështu që nuk i duhet ta detyrojë atë të futet në fe, madje ai që futet me detyrim në fe, nuk e ka besimin të vlefshëm dhe atij nuk i pranohet feja nga Allahu, derei sa të bëjë zgjedhjen me zemrën dhe vullnetin e tij të lirë.

[23] Tagut quhet çdo gjë që adhurohet përveç Allahut, duke qenë i kënaqur me këtë adhurim që i bëhet. Shejtani është një prej tagutëve dhe koka e tyre.

[24] Për fenë e drejtë dhe të vërtetë Islame, shtyllat e së cilës janë ngulur mirë dhe ai që kapet për të ndiehet i sigurt dhe i vendosur në çështjet e tij.

257. Allahu është Përkrahësi[25] i atyre që besojnë, dhe Ai i nxjerr ata nga errësirat në dritë[26]. Kurse përkrahësit e atyre që nuk besojnë janë tagutët[27], të cilët i nxjerrin ata nga drita në errësira[28]. Këta janë banorët e Zjarrit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.

258. A nuk e ke parë[29] atë, i cili për shkak se Allahu i kishte dhënë pushtetin[30], polemizoi me Ibrahimin[31] për Zotin e tij? Kur Ibrahimi i tha: “Zoti im është Ai i Cili jep jetë dhe vdekje[32]” –ai ia ktheu: “Edhe unë mund të jap jetë dhe vdekje[33].” Ibrahimi i tha: “Allahu e sjell Diellin nga lindja. Sille ti nga perëndimi[34]!” Atëherë, mohuesi u shtang[35]. Allahu nuk e udhëzon popullin e padrejtë[36].

259. Apo si ai[37], i cili kaloi pranë një qyteti të zbrazët e të rrënuar dhe tha: “Si mund ta kthejë Allahu në jetë këtë qytet pas vdekjes së tij?![38] Atëherë, Allahu e vdiq atë për njëqind vjet, pastaj e ringjalli dhe i tha: “Sa kohë ke qëndruar (i vdekur)?” Ai u përgjigj: “Kam qëndruar një ditë apo një pjesë të ditës.” Ai i tha: “Jo! Por ke qëndruar njëqind vjet. Shiko ushqimin dhe pijen tënde të pandryshuara[39]! Shikoje gomarin tënd![40] (I bëjmë këto) Që të bëjmë ty argument për njerëzit.[41] Shikoji eshtrat[42] se si i bashkojmë e pastaj i veshim me mish!” Kur atij iu bë e qartë[43], tha: “Tashmë e di se Allahu është i Fuqishëm për gjithçka.”

– 43 –

___________________________________

[25] Allahu është Mbështetësi, Mbrojtësi dhe Ndihmuesi i atyre që kanë besuar, dhe ata e duan Zotin e tyre, nuk kërkojnë tjetër përveç Tij dhe nuk i bëjnë shok Atij, por duan atë që do Ai dhe urrejnë atë që urren Ai.

[26] Nga errësirat e mosbesimit dhe idhujtarisë në dritën e besimit dhe njësimit të Allahut.

[27] Ata që nuk besojnë kanë për zot shejtanin dhe partinë e tij, dhe i duan ata ashtu si besimtarët duan Zotin e tyre.

[28] Errësirat e mosbesimit dhe idhujtarisë janë të shumta, njëra mbi tjetrën, ndërsa drita e besimit është një dritë e fortë dhe një rrugë e drejtë.

[29] Me syrin e zemrës tënde, o Muhamed. D.m.th: A nuk ke dijeni? Apo: A ke parë të atillë?!

[30] Thuhet se ai ka qenë mbreti Nemrudh, dhe thuhet gjithashtu se ai ka qenë mbreti i parë në tokë.

[31] Me pejgamberin Ibrahim (alejhi selam).

[32] Allahu është Ai i Cili e ka në dorë jetën dhe vdekjen, sepse Allahu është Krijuesi dhe në dorë të tij janë shpirtrat e njerëzve.

[33] Ka për qëllim se vret kë të dojë dhe lë gjallë kë të dojë prej atyre që ka nën pushtet. Por, a është kjo përgjigje në vendin e duhur? A është jeta që jep Allahu, si ajo që pretendon se e jep ky mbret tiran? Nëse ky lë dikë në jetë, e lë atë në jetën që i ka dhënë Allahu dhe nëse e vret, e vret me lejen e Allahut dhe shpirtin e tij e merr Allahu.

[34] Po qe se je vërtet zot, siç pretendon.

[35] Iu rrëzua prova dhe u përgënjeshtrua në pretendimin se ishte zot. Kështu është gjithnjë përfundimi i atij që kërkon të luftojë të vërtetën dhe t’i bëjë ballë asaj; ata munden dhe humbin shumë shpejt.

[36] Por e lë atë në mosbesimin dhe në humbjen e tij, në rrugën që vetë e ka zgjedhur, sepse po të kishte qenë qëllimi i tij kërkimi i të vërtetës dhe i udhëzimit, Allahu do i udhëzonte drejt saj dhe do ia lehtësonte rrugët që të çojnë tek ajo.

[37] A ke parë të atillë?!

[38] E tha këtë duke dyshuar në fuqinë e Allahut për ringjalljen e njerëzve.

[39] Të paprishura edhe pse kishin kaluar njëqind vjet.

[40] I cili kishte ngordhur me kohë, ishte tretur dhe eshtrat i ishin shpërndarë.

[41] Që ti të jesh argument i gjallë dhe i prekshëm për të treguar fuqinë e Allahut dhe se si Ai i ringjall të vdekurit prej varreve të tyre, me qëllim që të vërtetohet saktësia e asaj që kanë njoftuar pejgamberët.

[42] E vetë atij dhe të gomarit të tij.

[43] Ajo që mohonte apo dyshonte prej fuqisë së Allahut për ringjalljen e të vdekurve.

260. Kujto kur Ibrahimi tha: “O Zoti im! Më trego[44] si i ngjall të vdekurit!” –Zoti i tha: “A nuk beson?” –“Po!” –tha ai, “por që të më qetësohet[45] zemra.” Ai i tha: “Merr katër zogj, shtrëngoji pranë vetes,[46] (copëtoji)[47], pastaj vendos nga një pjesë prej tyre në çdo kodër, pastaj thirri, dhe ata kanë për të ardhur me të shpejtë[48]. Dhe dije, se Allahu është i Plotfuqishëm, i Urtë.[49]”

261. Shembulli i atyre që i shpenzojnë pasuritë në rrugë të Allahut, është si një farë nga e cila dalin shtatë kallinj, në çdo kalli ka njëqind fara. E, Allahu i shumëfishon kujt të dojë[50]. Allahu është Mirëbërës i madh, i Gjithëdijshëm[51].

262. Ata të cilët i shpenzojnë pasuritë e tyre në rrugë të Allahut[52], pastaj nuk e përcjellin atë që shpenzojnë me përmendje[53] dhe as me fyerje, ata e kanë shpërblimin te Zoti i tyre, për ta nuk ka frikë dhe as nuk do të pikëllohen.[54]

263. Një fjalë e mirë dhe një falje[55] është më e mirë se një lëmoshë që përcillet me fyerje. Allahu është i Vetëmjaftueshëm[56], i Butë[57].

264. O ju që keni besuar! Mos i çoni dëm[58] lëmoshat tuaja me përmendje të tyre dhe me fyerje, siç vepron ai që e shpenzon pasurinë e vet për sy e faqe të botës dhe nuk e beson Allahun dhe ditën e fundit. Shembulli i këtij është si ai guri i lëmuar e i mbuluar me dhe, mbi të cilin bie një shi i rrëmbyer dhe e lë të zhveshur atë.[59] Ata nuk do të mund të arrijnë asnjë dobi nga veprat që kanë bërë[60]. Allahu nuk e udhëzon[61] popullin mohues.

– 44 –

_______________________________________

[44] Që ta shoh me sytë e mi.

[45] Të bindem plotësisht dhe të mos mbesë në zemrën time asnjë grimcë dyshimi nga e cila mund të futet shejtani për të bërë cytje. Ibrahimi (alejhi selam) ishte gjithnjë në kërkim të provave bindëse me të cilat i shtohej besimi dhe i plotësohej bindja.

[46] Që të sigurohesh që janë gjallë dhe t’i shohësh me sytë e tu.

[47] Fjala “copëtoji” nënkuptohet nga konteksti. Ibrahimi u urdhërua që t’i copëtonte ata zogj, pastaj t’i përziente copat e tyre të gjitha së bashku.

[48] Do të ngjallen plotësisht dhe do të fluturojnë shpejt për tek ti. Ibrahimi e bëri këtë gjë dhe arriti atë që donte, dhe kjo është prej mbretërisë së qiejve e të tokës që Allahu i ka treguar Ibrahimit (alejhi selam), me qëllim që ai të ishte prej të bindurve plotësisht. Si thuhet në ajetin 75 të sures El En’am.

[49] Allahu është i Plotfuqishëm për gjithçka dhe Ai e vepron me Urtësinë e Tij.

[50] Lëmoshën që jep në rrugë të hajrit për Hir të Allahut dhe të gjitha veprat e mira, deri në shtatëqind fish, siç shëmbëllehet me shtatë kallinjtë ku në secilin kalli ka njëqind fara, dhe kjo është në varësi të gjendjes së shpenzuesit dhe sinqeritetit te tij. Ky shembull që sjell Allahu është përfytyrim i mënyrës se si Allahu i shumëfishon veprat e mira në shpërblim, e padyshim se Allahu është Bamirësi më i madh, mirësia e të cilit është e pafundme dhe e pashtershme.

[51] Di se kujt i bën bamirësi, dhe di çdo gjë.

[52] Në xhihad dhe në të gjitha rrugët e hajrit.

[53] Duke ja kujtuar atë atij që ia japin, qoftë me fjalë apo me zemër në veten e tyre, sepse kjo është mburrje dhe tregon se ai nuk ka pasur për qëllim arritjen e kënaqësisë së Allahut, por ndonjë përfitim dynjaje.

[54] Kur të shkojnë tek Allahu i Madhëruar dhe të ndahen nga kjo botë, ata nuk do të kenë frikë për të ardhmen dhe as nuk do të pikëllohen e mërziten për të kaluarën që lënë pas në dynja.

[55] E atij që të hyn në hak për diçka.

[56] Që nuk ka nevojë për asgjë nga krijesat e Tij, por krijesat kanë nevojë për Të dhe mirësinë e Tij.

[57] Nuk e shpejton zbritjen e ndëshkimit të merituar, por afatizon se ndoshta njeriu mendon dhe bën kthesë pasi t’i shohë argumentet e Allahut.

[58] Mos ua humbni shpërblimin tek Allahu, me veprën tuaj.

[59] Kur guri është i mbuluar me dhe, bujku kujton se aty ka tokë pjellore, por kur bie shi i rrëmbyer dhe e zbulon gurin, del në pah e vërteta. Kështu edhe ai që shpenzon sa për sy e faqe të njerëzve, të cilët kujtojnë se ai është njeri i mirë dhe shpenzon për hir të Allahut, por shumë shpejt ai nxjerr në pah atë që fsheh brenda vetes së tij, duke ua kujtuar atyre lëmoshën që u ka dhënë dhe të mirat që u ka bërë, dhe duke i ofenduar ata me fjalë e vepra fyese.

[60] Sepse nuk i kanë bërë ato vepra duke shpresuar shpërblimin e Allahut në ditën e gjykimit, por për sy të njerëzve dhe për lëvdatat e tyre.

[61] Nuk i udhëzon në rrugën e drejtë, por i largon zemrat e tyre nga udhëzimi, ashtu si u larguan ata nga adhurimi i Tij në adhurimin e krijesave si vetë ata.

265. Kurse shembulli i atyre që i shpenzojnë pasuritë[62] për të fituar kënaqësinë e Allahut, me vendosmëri nga vetja e tyre, është si një kopsht në rrafshnaltë, në të cilin bie shi i bollshëm dhe ai i jep frytet dyfish.[63] Edhe nëse nuk i bie shi i bollshëm, i bie shi i imët që i mjafton.[64] Allahu sheh çfarëdo që veproni ju.[65]

266. A do të dëshironte ndokush nga ju që të kishte një kopsht me palma hurmash e rrush, në të cilin rrjedhin lumenj, dhe të kishte në të nga të gjitha frytet, ndërsa këtë ta zinte pleqëria dhe të kishte pasardhës të dobët[66], dhe atë (kopsht) ta kapte një stuhi me zjarr e ai të digjej?! Kështu ua sqaron Allahu provat e Tij, me qëllim që të mendoheni.[67]

267. O ju që keni besuar[68]! Jepni[69] nga të mirat që keni fituar[70] dhe nga ato që Ne ua nxjerrim nga toka[71], dhe mos synoni të jepni më të keqen e pasurisë suaj, të cilën ju vetë nuk do ta pranonit[72] veçse symbyllur[73]! Dijeni se Allahu është i Vetëmjaftueshëm[74], i Lavdërueshëm[75].

268. Shejtani ju kërcënon me varfëri[76] dhe ju urdhëron për vepra të pamoralshme[77], kurse Allahu ju premton falje nga Ai dhe mirësi[78]. Allahu është Mirëbërës i madh, i Gjithëdijshëm[79].

269. Ai ia jep urtësinë[80] kujt të dojë, dhe, cilitdo që i jepet urtësia, vërtet që i është dhënë mirësi e madhe[81]. Por prej këtyre[82] nuk marrin mësim veçse njerëzit që kanë mendje.

-45-

________________________________________

[62] Shpenzojnë nga pasuria e tyre për xhihadin dhe për nevojtarët, në rrugët e ndryshme të hajrit.

[63] Për shkak të plotësimit të kushteve të përshtatshme për këtë, si dielli që e kap kopshtin gjatë gjithë ditës sepse gjendet në rrafshnaltë dhe shiu i dobishëm për të.

[64] Sepse ajo tokë është pjellore. Kështu është edhe shembulli i atij që shpenzon në rrugë të Allahut, secili sipas mundësisë që ka, sepse në çdo rast ka për ta marrë shpërblimin shumëfish.

[65] Dhe e di në hollësi veprën e secilit dhe qëllimin e tij, dhe sipas këtyre jep edhe shpërblimin në mënyrën më të plotë e më të mirë.

[66] Fëmijë të mitur e të pambrojtur, të cilët nuk e ndihmojnë dot atë, por janë barrë për të.

[67] Ky shembull jepet për atë që vepron një vepër për hir të Allahut, qoftë dhënie lëmoshe apo diçka tjetër, pastaj vepron vepra që e prishin atë të mirë që ka bërë. Ky është paralajmërim për besimtarët që të kenë kujdes dhe të jenë të qëndrueshëm në besimin dhe në veprat e tyre, dhe të mos i prishin ato me vepra të këqia e me hipokrizi, sepse përndryshe do të humbin gjithçka në këtë botë dhe në botën tjetër, dhe do të humbin lidhjen me Zotin e tyre.

[68] Allahun dhe të dërguarin e Tij.

[69] Jepni zekatin e detyrueshëm të pasurisë suaj dhe jepni lëmoshë vullnetare prej saj.

[70] Me djersën tuaj dhe që e keni fituar me hallall.

[71] Prej bimëve dhe frutave që prodhohen në tokë, për të cilat zekati është bërë i detyrueshëm. Ashtu si ua ka lehtësuar marrjen e prodhimeve të tokës, edhe ju jepni zekatin e atyre prodhimeve në shenjë falënderimi ndaj Allahut.

[72] Nuk do ta pranonit nga borxhlinjtë tuaj që kanë për t’u kthyer borxhin, dhe nga askush që iu detyrohet.

[73] Duke bërë lëshim dhe duke zbritur nga e drejta juaj.

[74] Nuk ka nevojë për asgjë dhe as për lëmoshën tuaj, dobia e të cilës ju kthehet vetë juve, por ju keni nevojë për Allahun dhe mirësitë e Tij.

[75] Nga krijesat e Tij për mirësitë që u ka dhënë. I Vetmi që meriton të lavdërohet.

[76] Ju frikëson me varfëri nga dhënia e zekatit dhe lëmoshës, edhe pse e vërteta është se lëmosha e pastron pasurinë, i jep bereqet asaj dhe e kultivon atë.

[77] Me gjynahe dhe lënie të bindjes ndaj Allahut.

[78] Pasuri dhe mirësi të pafundme, në këtë botë dhe në botën tjetër.

[79] Di gjithçka në hollësi për lëmoshat tuaja dhe ua regjistron ato për t’ju shpërblyer me to kur të shkoni tek Ai.

[80] Dijen e dobishme dhe veprën e mirë , njohjen e fshehtësive të legjislacionit Islam dhe urtësitë e tyre.

[81] Arritja e lumturisë në këtë botë dhe në botën tjetër.

[82] Këshillave me të cilat Allahu ka këshilluar në këto ajete.

270. Çfarëdo shpenzimi që të jepni[83] dhe çdo zotim[84] që të merrni, nuk ka dyshim se Allahu e di mirë atë[85]! E, të padrejtët[86] nuk do të kenë ndihmues.[87]

271. Që t’i jepni lëmoshat haptazi,[88] është gjë e mirë, por që t’ua jepni ato të varfërve fshehurazi, kjo është më e mirë[89] dhe Allahu ju shlyen disa prej gjynaheve tuaja[90]. Allahu njeh mirë[91] çdo vepër që veproni[92].

272. Ti (Muhamed) nuk e ke detyrë udhëzimin e tyre,[93] por është Allahu Ai i Cili udhëzon kë të dojë në rrugën e drejtë.[94] Çfarëdo të mire që të jepni[95], e keni për veten tuaj[96], dhe ju nuk jepni veçse për Hir të Allahut.[97] Çfarëdo të mire që të jepni, do t’ju kthehet e plotë[98] dhe nuk do t’ju bëhet padrejtësi.[99]

273. Ajo (që jepni) u takon të varfërve,[100] të cilët janë bllokuar në rrugë të Allahut[101] dhe nuk kanë mundësi të enden nëpër tokë[102]. Kush nuk i njeh ata, kujton se janë të pasur, për shkak se nuk kërkojnë[103]. Por ata i dallon nga çehrja e fytyrës.[104] Nuk i kërkojnë njerëzve duke i bezdisur ata[105]. Çfarëdo të mire që të jepni, Allahu e di shumë mirë atë.

274. Ata të cilët i japin pasuritë e tyre natën dhe ditën, fshehurazi dhe haptazi, shpërblimi i tyre është te Zoti i tyre, për ta nuk do të ketë frikë dhe as nuk do të pikëllohen.[106]

-46-

________________________________

[83] Çfarëdo lëmoshe që të jepni.

[84] Zotimi është diçka që njeriu i bën detyrë vetes si bindje ndaj Allahut dhe për t’u afruar tek Ai, qoftë lëmoshë apo vepër hajri.

[85] E di në hollësi dhe në detaje, jua regjistron dhe jua shpërblen sipas qëllimit që keni pasur.

[86] Ata që i bëjnë padrejtësi vetvetes me vendosjen e gjërave jo në vendin që u takon; duke e dhënë lëmoshën për sy të njerëzve dhe duke i marrë zotimet për shejtanin dhe në bindje ndaj tij.

[87] Që t’i ndihmojë dhe t’i mbrojë nga Allahu dhe ndëshkimi i Tij në ditën e Kiametit.

[88] Duke qenë se i jepni për hir të Allahut.

[89] Dhënia e lëmoshës vullnetare fshehurazi njerëzve është më e mirë se dhënia e saj haptazi, kurse dhënia e lëmoshës së detyruar (zekatit) haptazi është më e mirë se dhënia e tij fshehurazi.

[90] Me dhënien e lëmoshës fshehurazi, Allahu u fshin dhe u fal çfarë dhe sa të dojë Ai prej gjynaheve tuaja.

[91] Dhe ekzaktësisht, pa i shpëtuar asgjë e vogël apo e madhe, por dija e Tij përfshin gjithçka.

[92] Në lidhje me lëmoshat tuaja, prej dhënies së tyre haptazi apo fshehurazi, si dhe të gjitha veprat tuaja. Allahu di çfarë fshihni në gjokse, i di qëllimet tuaja, dhe sipas veprave tuaja ua jep shpërblimin.

[93] Por detyra jote është vetëm komunikimi i qartë, kurse udhëzimi është në Dorë të Allahut.

[94] Prandaj, ti Muhamed, mos ua ndalo lëmoshat jomuslimanëve duke i kushtëzuar atyre që të hyjnë në Islam pastaj t’u jepet nga lëmosha e muslimanëve, sepse ti nuk ke në dorë udhëzimin e tyre, por detyra jote është komunikimi.

[95] Sado që të jepni, shumë apo pak, dhe kujtdo që t’ia jepni, muslimanit apo jomuslimanit.

[96] Dobia e saj kthehet tek ju.

[97] Ky është njoftim nga Allahu se lëmoshat e dhëna nga besimtarët me besimin e tyre janë për hir të Allahut, sepse besimi i tyre i ndalon ata nga qëllimet e ulëta dhe u imponon sinqeritet për Allahun.

[98] Në ditën e Kiametit do të merrni shpërblimet për veprat tuaja.

[99] Nuk u pakësohen veprat e mira që keni bërë dhe as nuk u shtohen të këqiat, as sa grimca.

[100] Lëmoshat u takojnë të varfërve.

[101] Në xhihad apo në shërbim të fesë në përgjithësi.

[102] Për tregti e për të siguruar jetesën.

[103] Kjo tregon për durimin e tyre të sinqertë dhe dëlirësinë e tyre.

[104] Gjë të cilën nuk e vëren ai që nuk i njeh, nëse nuk ka mendjemprehtësi për t’i dalluar.

[105] Edhe nëse detyrohen të kërkojnë, nuk këmbëngulin në të kërkuar. Këta janë njerëzit që meritojnë më së shumti të marrin lëmoshë.

[106] Kur të shkojnë tek Allahu i Madhëruar dhe të ndahen nga kjo botë, ata nuk do të kenë frikë për të ardhmen dhe as nuk do të pikëllohen e mërziten për të kaluarën që lënë pas në dynja.

275. Ata të cilët hanë kamatën[107], nuk ngrihen[108] ndryshe veçse ashtu si ai që djalli e ka çmendur me prekjen e vet. Kjo, sepse ata thonë se tregtia është njësoj si kamata, por Allahu e ka lejuar tregtinë[109] dhe e ka ndaluar kamatën.[110] Prandaj, atij të cilit i vjen këshillë nga Zoti i tij[111] dhe i jep fund (kamatës), ajo që ka kaluar është e tij[112], dhe çështja e tij është tek Allahu.[113] Ndërsa ata që kthehen sërish[114], ata janë banorët e zjarrit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.[115]

276. Allahu e çrrënjos kamatën[116] dhe i kultivon lëmoshat[117]. Allahu nuk i do ata që janë mohues[118], mëkatarë[119].

277. Vërtet se ata që besojnë dhe kryejnë vepra të mira, që kryejnë namazin dhe japin zekatin, ata e kanë shpërblimin te Zoti i tyre, për ta nuk do të ketë frikë dhe as nuk do të pikëllohen.

278. O ju që keni besuar! Kini frikë Allahun dhe hiqni dorë nga ajo që ka mbetur prej kamatës[120], nëse vërtetë jeni besimtarë[121].

279. Nëse nuk e bëni këtë[122], atëherë iu është shpallur luftë nga Allahu dhe i Dërguari i Tij.[123] E nëse pendoheni[124], atëherë ju takon kapitali fillestar. Në këtë mënyrë, nuk dëmtoni kënd dhe as nuk dëmtoheni vetë.

280. Nëse ai (borxhliu) është ngushtë[125], shtyjani afatin derisa t’i lehtësohet gjendja[126]. Por, që të jepni lëmoshë[127] është më mirë për ju[128], veç sikur ta dinit.

281. Dhe ruajuni asaj dite që do të ktheheni tek Allahu, kur çdokujt do t’i shlyhet ajo që ka fituar[129] dhe askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi.[130]

-47-

_____________________________________

[107] Ata që punojnë me kamatë, që e marrin dhe e japin atë.

[108] Nga varret e tyre në ditën e ringjalljes.

[109] Fitimet që sjell tregtia e lejuar.

[110] Shtesa që vjen nga kamata nuk është njësoj si shtesa që vjen nga tregtia, por mes tyre ka dallim të madh, sepse e para është padrejtësi ndërsa e dyta e fituar me punë dhe djersë.

[111] Përkujtimi dhe paralajmërimi që përmendet në ajetet e Kuranit në lidhje me pasojat e kamatës dhe përfundimin e praktikuesit të saj.

[112] Kamata që ka ngrënë dhe ka praktikuar para se t’i vijë këshilla, është në favor të tij dhe ai nuk do të merret në llogari për të, si shpërblim për pranimin e këshillës që i erdhi dhe dhënies fund kamatës.

[113] Shpërblimi i tij është tek Allahu, si dhe e ardhmja e tij është në Dorë të Allahut, i Cili nëse do e ruan atë nga rënia përsëri në kamatë dhe nëse do, e lë atë që të bierë përsëri në kamatë.

[114] Që i kthehen praktikimit të kamatës dhe nuk u bën dobi këshilla, por vazhdojnë me këmbëngulje të praktikojnë kamatën.

[115] Fjala më e saktë e dijetarëve në lidhje me komentimin e ajeteve ku përmendet kërcënimi me qëndrim të përjetshëm në zjarr të atyre që veprojnë gjynahe të mëdha, siç është ngrënia e kamatës, vrasja e një besimtari pa të drejtë, etj, është të thuhet se këto vepra për të cilat Allahu ka caktuar përjetësi në zjarr, ato meritojnë atë dënim dhe se ai është dënimi i caktuar për to sikur të mos kishte ndonjë arsye tjetër që e pengon këtë dënim dhe e anullon atë. Por arsyeaja dhe pengesa ekziston. Ajo është njësimi i Allahut dhe besimi, dy gjëra të cilat pengojnë që poseduesi i tyre të qëndrojë përgjithmonë në zjarrin e xhehenemit. Tekste nga Kurani dhe Suneti, si dhe unanimi i të parëve të ymetit musliman, pohojnë dhe vërtetojnë këtë gjë. Sikur njeriu të mos ishte njësues i Allahut dhe larg shokvëies së Tij, vepra e tij e keqe do ta fuste në zjarr atë, pa e hedhur vështrimin te mosbesimi i tij, e si do të ishte puna e tij kur i bashkon edhe mosbesimin edhe veprat e këqija?! [Seadi].

[116] E zhduk atë nga rrënjët dhe ia heq bereqetin, për të qenë shkak për katastrofa dhe kriza ekonomike.

[117] E shton pasurinë e atij që jep lëmoshë dhe i jep bereqet në pasurinë e tij, si dhe shpërblim të shumëfishtë në botën tjetër.

[118] Mohues të Allahut dhe të mirësive të Tij, lejues të ngrënies së kamatës dhe dhënies së saj.

[119] Insistues në gjynah, në atë që Allahu ia ka ndaluar prej ngrënies së kamatës dhe të gjitha haramet e tjera, dhe mosdëgjues i këshillës dhe mospërfitim prej saj.

[120] Mos e kërkoni pjesën e mbetur pa marrë nga shtesa e vendosur mbi kapitalin tuaj fillestar, por hiqni dorë nga kamata në çast dhe përgjithmonë.

[121] Atë që pretendoni me gjuhët tuaja, praktikojeni me veprat tuaja.

[122] Nëse nuk hiqni dorë menjëherë nga kamata.

[123] Kush nuk heq dorë nga kamata, le ta dijë se ai është në luftë me Allahun dhe të Dërguarin e Tij, deri sa të heqë dorë nga ajo. E ku ka fuqi ai të luftojë të Plotfuqishmin e Urtë, i Cili e afatizon të padrejtin por nuk e harron atë, dhe kur e ndëshkon, e ndëshkon me ndëshkimin e të Plotuqishmit, të Fortit.

[124] Ktheheni të penduar tek Allahu dhe hiqni dorë nga praktikimi i kamatës.

[125] Dhe nuk ka të shlyejë borxhin.

[126] Derisa Allahu t’i japë pasuri dhe të ketë mundësi të shlyejë borxhin,pa kamatë.

[127] Që t’ia falni borxhliut borxhin apo një pjesë të tij.

[128] Se sa ta prisni derisa të bëjë borxhin dhe t’ua kthejë atë.

[129] Çdokush do të marrë shpërblimin sipas veprave të tij, të mira e të këqia.

[130] Allahu nuk i bën padrejtësi askujt, as sa grimca. Thuhet se ky është ajeti i fundit që ka zbritur nga Kurani, dhe ai ka ardhur në mbyllje të këtyre rregullave, urdhrave e ndalesave, sepse ai përmban premtim për kryerjen e të mirave dhe kërcënim për kryerjen e të këqiave, dhe se kush e di se ka për t’u kthyer tek Allahu dhe ka për t’u shpërblyer për veprat e tij të vogla e të mëdha, dhe se Allahu nuk bën padrejtësi as sa grimca, këto i shkaktojnë atij frikë dhe shpresë; kështu që largohet nga të këqiat dhe kryen të mira.

282. O ju që keni besuar![131] Kur të lidhni kontratë borxhi[132] mes njëri-tjetrit për një afat të caktuar, shkruajeni atë, dhe shkruesi juaj të shkruajë me drejtësi.[133] Asnjë shkrues të mos refuzojë që të shkruajë ashtu si e ka mësuar Allahu.[134] Ai të shkruajë kurse ai që merr borxhin të diktojë,[135] dhe të ketë frikë Allahu,[136] Zotin e vet, e të mos lërë mangët asgjë nga borxhi! Në qoftë se borxhliu është mendjelehtë,[137] ose i dobët (i mitur), ose që nuk mund të diktojë, atëherë të diktojë kujdestari i tij me drejtësi. Dhe merrni të dëshmojnë dy dëshmitarë burra nga mesi juaj, e nëse nuk gjeni dy burra, atëherë një burrë dhe dy gra prej atyre që i pëlqeni për dëshmitarë;[138] në mënyrë që nëse njëra nga dy gratë harron, t’ia kujtojë tjetra. Dëshmitarët të mos refuzojnë kurdo që të thirren (për të dëshmuar)[139]. Mos përtoni ta shënoni atë (borxhin), qoftë i vogël apo i madh, bashkë me afatin e shlyerjes së tij, sepse kjo është më e drejtë tek Allahu, më e saktë për dëshminë[140] dhe më pranë të mosdyshuarit nga ju.[141] Përveç nëse bëhet fjalë për tregti të çastit që bëni me njëri-tjetrin, në këtë rast nuk keni ndonjë gjynah nëse nuk e shënoni atë,[142] por kur lidhni kontrata tregtie merrni dëshmitarë[143], dhe as shkruesi e as dëshmitari të mos dëmtojnë[144]. Nëse e bëni këtë, kjo është shthurje[145] nga ana juaj. Kini frikë Allahun, e Allahu ju mëson[146]. Allahu është i Dijshëm për çdo gjë.[147]

-48-

_______________________________

[131] Allahun dhe të Dërguarin e Tij, dhe gjithçka që ka ardhur nga Allahu. Ky është ajeti i borxhit dhe ai është ajeti më i gjatë në Kuran. Në këtë ajet përmenden rregulla madhështore që lidhen me të gjitha llojet e borxheve, siç është shit-blerja me borxh, në tregtinë e quajtur “Es Selem”, etj. Prej rregullave të këtyre kontratave që përmbajnë borxh, është përcaktimi i afatit, i sasisë së mallit, i çmimit, i cilësisë. Po kështu shkruajtja e këtyre kontratave sillet mes detyrueshmërisë dhe preferencës, në kundërshtim mes dijetarëve për këtë, por në çdo rast shkruajtja e saj është më e paqshme dhe më larg konflikteve të mundshme.

[132] Kur të shisni me borxh, ose të blini me borxh, ose të jepni apo të merrni borxh.

[133] Të jetë vetë i drejtë dhe të shkruajë të vërtetën me drejtësi, pa anuar nga njëra palë.

[134] Ashtu si Allahu i ka dhënë mirësi atij dhe i ka mësuar shkrim e lexim, edhe ky t’i bëjë mirë njerëzve dhe të mos ua ndalojë dijen që i ka mësuar Allahu.

[135] Diktimi i përmbajtjes së kontratës duhet të bëhet nga ai që merr borxhin, sepse ai pranon një detyrim të caktuar ndaj dikujt tjetër.

[136] Ai që dikton, borxhliu, t’i frikësohet dënimit të Allahut nëse shënon diçka mangut nga borxhi që merr.

[137] I paditur, që nuk di se çfarë duhet të diktojë.

[138] Që janë të drejtë dhe ju e pëlqeni fenë dhe sjelljen e tyre.

[139] Dëshmitarët e kanë detyrim paraqitjen për të dëshmuar, përveç nëse kanë arsye të pranueshme me të cilën mund të justifikohen.

[140] E dëshmitarëve dhe përforcues i saj.

[141] Në dëshminë e dëshmitarëve.

[142] Në këtë rast mallrat shkëmbehen dorë më dorë dhe nuk është nevoja që kontrata të shkruhet.

[143] Dijetarët kanë mospajtim në lidhje me këtë urdhër: a e bën ai të detyrueshme marrjen e dëshmitarëve në lidhjet e kontratave të tregtisë apo marrja e tyre është e preferuar?

[144] Dijetarët janë ndarë në dy grupe në lidhje me këtë ndalesë, se kujt i drejtohet: Grupi i parë thotë se ajo i drejtohet shkruesit dhe dëshmuesit që të mos dëmtojnë me shkrimin dhe dëshminë e tyre, duke shkruar ndryshe nga ajo që i diktohet apo duke dëshmuar ndryshe nga ajo për të cilën është marrë dëshmitarë dhe e ka dëshmuar vetë. Ose duke mos dëshmuar apo duke kërkuar shpërblim të madh nga personi në favor të cilit është dëshmia apo shkrimi, e të ngjashme me këto. Ndërsa grupi i dytë thotë se kjo ndalesë i drejtohet kërkuesit të shkruesit dhe të dëshmitarit, që të mos i dëmtojë ata duke ngulur këmbë në marrjen e tyre për të dëshmuar kur ata janë të zënë dhe nuk kanë mundësi për këtë gjë. Ajo që mendojmë se është më e sakta, është se kjo ndalesë i drejtohet të dyja këtyre palëve: shkruesit dhe dëshmuesit nga njëra anë dhe marrësit të tyre nga ana tjetër.

[145] Gjynah dhe kundërshtim i urdhrit të Allahut.

[146] Nëse i frikësoheni Allahut dhe jeni të sinqertë në kërkimin e hallallit dhe largimin nga harami, Allahu jua bën të qartë detyrimet dhe të drejtat tuaja dhe ua mëson ligjet e Tij, prandaj punoni sipas asaj që ju mëson Allahu.

[147] Që ju veproni dhe jua shënon ato që t’ju shpërblejë me to.

283. Nëse jeni në udhëtim e nuk gjeni shkrues[148], atëherë merrni pengje në dorë[149]. Nëse keni besim te njëri-tjetri, atëherë ai të cilit i është besuar amaneti[150], le ta kthejë atë[151] dhe t’i frikësohet Allahut, Zotit të vet. Mos e fshihni dëshminë, sepse kush e fsheh atë, ai e ka zemrën mëkatare[152]. Allahu di çdo gjë që ju veproni.

284. Allahut i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në tokë.[153] Nëse e shfaqni atë që keni në shpirtin tuaj[154], apo e fshihni atë[155], Allahu do t’ju kërkojë llogari për të, pastaj do të falë kë të dojë[156] dhe do të dënojë kë të dojë[157]. Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë.[158]

285. I Dërguari[159] besoi atë që iu shpall nga Zoti i tij, e po ashtu edhe besimtarët[160]; të gjithë besuan Allahun, engjëjt e Tij, librat e Tij dhe të dërguarit e Tij, (duke thënë): “Nuk bëjmë dallim mes asnjërit prej të dërguarve të Tij.”[161] Pastaj thanë: “Dëgjuam[162] dhe u bindëm. Faljen Tënde kërkojmë, o Zoti ynë! Tek Ti është kthimi.”[163]

286. Allahu nuk ngarkon askënd përtej mundësive që ka[164]; të mirën që fiton (çdokush) e ka për vete dhe të keqen që bën e ka kundra vetes. Zoti ynë! Mos na ndëshko nëse harrojmë[165] apo gabojmë[166]! Zoti ynë! Mos na ngarko barrë të rëndë[167] ashtu si i ngarkove ata para nesh! Zoti ynë! Mos na ngarko me diçka[168] që nuk mund ta mbartim! Na fal ne[169], na i mbulo gjynahet[170] dhe na mëshiro[171]! Ti je Zoti ynë[172], prandaj na jep fitore kundër popullit mosbesimtar![173]

-49-

______________________________________________

[148] Që t’ju shkruajë kontratën e borxhit dhe afatin e tij.

[149] Huadhënësi të pranojë peng nga huamarrësi, për të siguruar kthimin e borxhit dhe për të qenë në vend të dokumentit për kërkimin e të drejtës. Marrja e pengut nuk kufizohet vetëm kur je në udhëtim, por ai lejohet edhe kur je në vendin tënd, por ajeti përmend udhëtimin sepse në udhëtim mendohet se nevoja për këtë është më e madhe.

[150] Borxhi që i është besuar huamarrësit pa i marrë peng dhe pa e shkruar.

[151] Amanetin, i cili është borxhi.

[152] Zemra e tij ka bërë gjynah dhe ka thyer urdhrin e Allahut, me fshehjen e dëshmisë.

[153] Allahu sundon gjithçka që gjendet në qiej e në tokë, sistemon dhe rregullon gjithçka, mban dhe drejton gjithçka, me Vullnetin dhe Fuqinë e Tij absolute. Allahut nuk i shpëton asgjë e vogël apo e madhe, prandaj mos i fshehni dëshminë, o dëshmitarë, sepse kush e fsheh atë, e ka zemrën mëkatare.

[154] Nëse e veproni apo e shprehni atë që mendoni dhe vendosni me zemrën tuaj.

[155] Në lidhje me atë që njeriu fsheh në zemër, dijetarët kanë dy mendime se çfarë është për qëllim: Mendimi i parë: janë për qëllim të gjitha gjërat që fshihen, dhe ky është mendimi i shumicës së dijetarëve, por ata janë kundërshtuar më pas në lidhje me marrjen në llogari për ato që fshihen në zemër dhe nuk veprohen apo shprehen, në dy grupe: i pari thotë se ky ajet është shfuqizuar me Fjalën e Allahut, në ajetin 286 në vijim: “Allahu nuk ngarkon askënd përtej mundësive që ka”, ndërsa grupi i dytë thotë se ky ajet vazhdon të jetë në fuqi, dhe marrja në llogari është e përgjithshme për të gjitha ato vepra që shfaqen e që fshihen, por Allahu ia fal atij që do dhe ndëshkon atë që do, sipas gjendjes së secilit; kush meriton t’i falet do t’i falet dhe kush meriton të ndëshkohet do të ndëshkohet. Pra, marrja në llogari e një personi nuk do të thotë se ai do të dënohet për gjynahet që ka bërë, sepse Allahu mund t’ja ketë falur atij, por ja kujton ato me qëllim që ta dijë se Allahu ja ka falur me mëshirën dhe mirësinë e Vet. Mendimi i dytë: është për qëllim një lloj i caktuar gjërash që fshihen: fshehja e dëshmisë së dëshmitarëve dhe fshehja e dyshimit dhe mosbesimit. Sipas këtij mendimi, ajeti vazhdon të jetë në fuqi, dhe kështu i bashkohet grupit të dytë në mendimin e parë, në lidhje me shfuqizimin apo jo të ajetit, dhe ky është mendimi më i saktë: që ajeti vazhdon të jetë në fuqi. [Shih: “Zadul Mesir’, Ibnul Xheuzi].

[156] Ata që i kanë bërë shkaqet e faljes.

[157] Për gjynahet e tij, për të cilat nuk i ka bërë shkaqet e faljes së tyre.

[158] Për të falur atë besimtar që fsheh një gjynah apo që vendos me zemër të bëjë një gjynah, si dhe për të ndëshkuar atë mosbesimtar që fsheh dyshimin tek Allahu apo shpalljet e Tij.

[159] Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).

[160] Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Kur të Dërguarit të Allahut iu shpall ky ajet, shokët e tij u ngushtuan shumë dhe shkuan tek Ai, u ulën dhe thanë: “O i Dërguari i Allahut! Jemi ngarkuar me vepra të cilat mundemi t’i përballojmë, si namazi, agjërimi, xhihadi, zekati, por tani ty të është shpallur një ajet të cilit nuk e përballojmë dot!” Pejgamberi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) tha: “A doni të thoni ashtu si thanë ithtarët e dy librave para jush: “Dëgjuam dhe kundërshtuam!”? Ju duhet të thoni: “Dëgjuam dhe u bindëm! Faljen Tënde kërkojmë, o Zoti ynë! Tek Ti është kthimi ynë.” Ata thanë: “Dëgjuam dhe u bindëm! Faljen Tënde kërkojmë, o Zoti ynë! Tek Ti është kthimi ynë.” –Pasi e thanë këtë, gjuhët e tyre u nënshtruan me këtë fjalë, pastaj Allahu shpalli ajetin: “I Dërguari besoi atë që iu shpall…” Pasi kësaj ngjarje, Allahu e shfuqizoi këtë ajet dhe shpalli ajetin: “Allahu nuk ngarkon askënd përtej mundësive të tij…” dhe pas çdo lutje qe përmban ajeti, Allahu u thoshte: “Po, e bëra, ua pranova lutjen.” [Muslimi 325].

[161] Nuk bëjmë ashtu si bënë ithtarët e librave të mëparshëm, prej të jehudëve dhe të krishterëve, të cilët besuan disa të dërguar dhe mohuan të tjerë, por ne i besojmë të gjithë të dërguarit e Allahut, pa përjashtim.

[162] Fjalën e Zotit tonë, urdhrat dhe ndalesat e Tij.

[163] Në botën tjetër, prandaj na fal ne, o Zoti ynë!

[164] Allahu nuk e ngarkon njeriun me detyrime që nuk mund t’i përballojë.

[165] Diçka prej urdhrave të Tua dhe nuk e bëjmë atë.

[166] Dhe veprojmë pa qëllim diçka që na e ke ndaluar.

[167] Detyrime të vështira. Thuhet gjithashtu se këtu janë për qëllim marrëveshjet të cilavebesimtarët nuk mund t’i përmbahen dhe i kërkojnë Allahut që të mos i ngarkojë me to, ashtu si ngarkoi ithtarët e librave të mëparshëm prej jehudëve dhe të krishterëve, ndërsa ata sa herë që lidhnin marrëveshje me Allahun me anë të pejgamberëve të tyre, e shkelnin atë. Po kështu ata ishin ngarkuar edhe me detyrime të rënda e të vështira për shkak të arrogancës dhe pyetjeve të tyre të shumta.

[168] Të rëndë e të vështirë.

[169] Për pakujdesinë tonë në ndonjë prej urdhrave të Tua, dhe mos na ndëshko për të!

[170] Dhe rrëshqitjet që bëjmë mes nesh dhe Teje, dhe mos na i zbulo ato, por na i fal!

[171] Na mbulo me mëshirën Tënde, me të cilën shpëtojmë nga ndëshkimi Yt, sepse askush nuk ka për të shpëtuar nga ndëshkimi Yt, vetëm se me mëshirën Tënde dhe jo me punën e tij. Nëse Ti nuk na mëshiron, veprat tona nuk mund të na shpëtojnë nga ndëshkimi Yt, prandaj na jep sukses në kryerjen e veprave që të kënaqin Ty!

[172] Mbrojtësi ynë, Sunduesi ynë dhe i Adhuruari ynë i Vetëm e i Pashoq.

[173] Siç e pamë më sipër në hadithin e transmetuar nga Ebu Hurejra, pas çdo lutje që bëhet në këtë ajet, Allahu thotë: “Po, e bëra, ua pranova lutjen.” [Muslimi, 325].

 

SURJA AL IMRAN

(Surja 3, Medinase, 200 ajete)

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

1. Elif, lam, mim.

2. Allahu! Nuk ka të adhuruar tjetër (të denjë) përveç Tij, të Përjetshmit[174], Mbajtësit të gjithçkaje[175]!

3. Ai[176] të ka zbritur ty (Muhamed) Librin me të vërtetën[177], vërtetues të atyre para tij.[178] Ai e ka zbritur edhe Teuratin[179] dhe Inxhilin[180]

4. më parë[181], si udhëzues për njerëzit[182], pastaj zbriti Furkanin[183]. Vërtet se ata që i mohojnë provat e Allahut,[184] do të kenë dënim të ashpër.[185] Allahu është i Poltfuqishëm, i Zoti për të marrë shpagim.[186]

5. Pa dyshim se Allahut nuk i fshihet asgjë në Tokë dhe as në qiell![187]

6. Është Ai që ju jep formë në mitra,[188] ashtu si dëshiron Vetë. Nuk ka të adhuruar tjetër (të denjë) përveç Tij,[189] të Plotfuqishmit, të Urtit!

7. Është Ai që të ka shpallur ty (Muhamed) Librin, disa ajete të të cilit janë plotësisht të kuptueshme, e ato janë baza e librit,[190] kurse (ajete) të tjera janë jo plotësisht të kuptueshme[191]. Sa i përket atyre, të cilët kanë devijim nga e vërteta në zemrat e tyre,[192] ndjekin ato që janë jo plotësisht të kuptueshme prej tij[193], në kërkim të pështjellimit[194] dhe në kërkim të interpretimit të tyre, por interpretimin e tyre të vërtetë nuk e di veçse Allahu, dhe ata që janë thelluar në dije,[195] thonë: “E kemi besuar atë. Që të gjitha këto (ajete) janë nga Zoti ynë!”[196] Por nuk marrin mësim[197] veçse njerëzit që kanë mendje.

8. “Zoti ynë![198] Mos na i shtrembëro zemrat[199] pasi na ke udhëzuar, dhe na dhuro mëshirë prej Teje! Ti je Dhuruesi i Madh!”

9. “Zoti ynë! Ti do t’i mbledhësh njerëzit në një ditë për të cilën nuk ka dyshim.[200] Pa dyshim, Allahu nuk e shkel premtimin.”

-50-

____________________________________

[174] I Cili zotëron jetë absolute, të përhershme, pa fillim dhe pa mbarim, dhe i Cili gëzon të gjitha cilësitë vetjake absolute që i përshtaten Madhështisë dhe Lartësisë së Tij, të cilat nuk i ngjajnë assesi cilësive të krijesave.

[175] Vet-Ekzistuesi, i Cili mbahet Vetë dhe mban gjithçka që ka krijuar me jetë, furnizim dhe gjithçka që iu nevojitet. Është Ai që gëzon të gjitha cilësitë veprore apsolute që i përshtaten Madhështisë dhe Lartësisë së Tij, të cilat nuk i ngjajnë assesi cilësive të krijesave.

[176] Allahu, Zoti yt, o Muhamed, dhe Zoti i Isait, birit të Merjemes, Zoti i të gjithë pejgamberëve dhe i të gjitha krijesave, Mbajtësi i tyre, i Gjalli që nuk vdes por është i Përjetshëm dhe vepron me vullnetin e Vet gjithçka që dëshiron, me Urtësinë e Tij absolute.

[177] Allahu të ka shpallur ty, o Muhamed, Kuranin, i cili thotë të vërtetën për gjërat në të cilat ithtarët e Teuratit dhe Inxhilit kanë pasur kundërshtim.

[178] Librave dhe të dërguarve të mëparshëm të Allahut. Ajo që dëshmon Kurani për librat e mëparshëm qiellor është e vërtetë dhe ajo që ai hedh poshtë, është devijim nga ithtarët e tyre.

[179] Musait (Paqja e Allahut qoftë mbi të!).

[180] Isait (Paqja e Allahut qoftë mbi të!).

[181] Para zbritjes së Kuranit.

[182] Allahu i zbriti Librat e Tij me qëllim që të jenë udhëzim për njerëzit, por ata i ndryshuan ato me duart e tyre, iu pështjelluan shumë gjëra dhe patën kundërshti mes veti, e veçanërisht në lidhje me Isain, birin e Merjemes, për të cilin thanë se ishte biri i Zotit, apo i treti të treve, apo zot. Pastaj Allahu zbriti Furkanin, Dalluesin e të vërtetës nga e kota me prova të prera dhe argumente të hapura.

[183] Provën dhe dalluesin e të vërtetës nga e kota, Kuranin.

[184] Pasi iu bëhen të qarta dhe i mësojnë ato. Pasi mësojnë për zbritjen e Furkanit – Kuranit dhe nuk e besojnë atë.

[185] Të paërshkrueshëm dhe të pakrahasueshëm.

[186] Për ta ndëshkuar atë që i shkel ligjet e Tij.

[187] Dija e Allahut është absolute dhe ajo përfshin gjithçka të madhe e të vogël, të dukshme e të padukshme, edhe se çfarë fjalësh thonë ithtarët e librit për Isain, birin e Merjemes.

[188] Secilit i jep formën dhe pamjen e vet, ngjyrën e lëkurës e të flokëve, gjininë, moshën që do jetojë, do jetë i mirë apo i keq. Allahu është Ai që i ka dhënë formë edhe Isait, birit të Merjemes.

[189] Allahu është i Pashoq në adhurim dhe i Pashembull në atribute. Askush nuk meriton të adhurohet përveç Tij, dhe Allahu nuk e pranon këtë dhe as nuk e fal kurrë. Kjo do të thotë se as Isai, biri i Merjemes nuk lejohet të adhurohet dhe nuk është i denjë për adhurim, por ai është rob i Allahut dhe i dërguari i Tij, është krijuar nga fjala e Allahut (bëhu) dhe nga shpirti që i ka dhënë Allahu.

[190] Tek të cilat kthehet çdo gjë e paqartë dhe me shumë kuptime. Të kësaj natyre janë shumica e ajeteve të Kuranit.

[191] Domethënien e tyre nuk e kuptojnë shumë njerëz, për shkak se domethënia e tyre është e përgjithshme, ose sepse u shkon në mendje diçka tjetër që nuk është për qëllim, etj.

[192] Zemrat e tyre anojnë nga e pavërteta dhe qëllimet e tyre janë prishur dhe synojnë vetëm të pavërtetën, humbjen dhe devijimin nga rruga e drejtë dhe nga arsyeja e shëndoshë.

[193] Lënë ajetet e qarta e të kuptueshme dhe ndjekin ato që nuk janë plotësisht të qarta, duke ua dhënë kuptimin sipas dëshirave dhe epsheve të tyre.

[194] Që të ngatërrojnë njerëzit e paditur dhe të fusin dyshime e pështjellime tek ata, dhe këto i bëjnë që t’u hedhin hi syve dhe të ndiqen e të pasohen prej tyre.

[195] Dijetarët kanë dy mendime në lidhje me lidhëzën “dhe”, në fjalën “dhe dijetarët”: a është kjo lidhëz nënrenditëse apo ftilluese? D.m.th: Interpretimin e ajeteve jo plotësisht të qarta, a e di Allahu dhe dijetarët e thelluar në dije, apo atë e di vetëm Allahu, ndërsa dijetarët thonë: “E kemi besuar atë…”? Shumica e dijetarëve janë të mendimit se lidhëza është ftilluese, d.m.th. pas saj fillon fjali e re që nuk renditet nën të parën. Kurse të tjerë thonë se lidhëza është nënrenditëse dhe se interpretimin e ajeteve jo të qarta plotësisht e dinë edhe dijetarët. E vërteta është se formulimi i tekstit i përmban të dyja këto, por sipas mendimit të parë, mohohet që dijetarët të dinë interpretimin e ajeteve jo plotësisht të kuptueshme, d.m.th. mohohet që dijetarët të dinë realitetin e tyre në esencë dhe jo domethënien e tyre, dhe këtu bëhet fjalë për ajetet që flasin më shumë për çështje të fshehta, si për shkronjat në fillim të sureve, për ngjarjet e ditës së Kiametit, për ajetet që flasin për cilësitë e Allahut, të cilave u dihet kuptimi por jo forma reale e tyre, gjë të cilën e di vetëm Allahu, sepse askush nuk e ka parë Atë, dhe ne lusim Allahun që të na bëjë prej atyre që do ta shohin Atë në botën tjetër! Po kështu mund të themi edhe për mendimin e dytë dhe të harmonizojmë mes tij dhe të parit: që interpretimin e vërtetë dhe formën reale të atyre ajeteve nuk e di veçse Allahu, por domethënien e tyre e dinë edhe dijetarët sipas asaj që i ka mësuar Allahu: me kthimin e atyre jo plotësisht të kuptueshme te ato që janë plotësisht të kuptueshme.

[196] Dhe ato që janë nga Zoti nuk kanë kundërthënie mes njëra-tjetrës, por janë në harmoni me njëra-tjetrën dhe dëshmojnë për njëra-tjetrën.

[197] Prej këshillave dhe udhëzimeve të Allahut.

[198] Këto i thonë dijetarët.

[199] Mos na i shtrembëra zemrat nga e vërteta me injorancë dhe kokëfortësi nga ne, por na udhëzo dhe na jep qëndrueshmëri në të vërtetën.

[200] Pra, na i fal neve gjynahet tona dhe na i mbulo ato në atë ditë, ditën e llogarisë dhe të shpërblimit të secilit sipas veprave që ka bërë në dynja.

10. Vërtet se atyre që mohojnë[201], nuk do t’u bëjnë aspak dobi tek Allahu, as pasuritë dhe as fëmijët e tyre. Ata do të jenë lëndë djegëse e zjarrit,

11. ashtu si edhe njerëzit e Faraonit dhe ata që kanë qenë para tyre[202]. Ata i përgënjeshtruan provat Tona, prandaj Allahu i ndëshkoi ata për gjynahet e tyre. Allahu është i rreptë në ndëshkim.[203]

12. Thuaju atyre që mohojnë[204]: “Ju do të mposhteni[205] dhe do të tuboheni në Xhehenem. E, sa gatitje e keqe është kjo![206]

13. Ju[207] kishit provë të qarë në dy ushtritë që u ndeshën: njëra luftonte në rrugë të Allahut[208], kurse tjetra ishte mosbesimtare[209] dhe me sytë e tyre e shihnin se ishin dy herë sa ata.[210] Por, Allahu forcon kë të dojë me ndihmën e Vet.[211] Pa dyshim se në këtë (ngjarje) ka mësim për ata që kanë sy[212].

14. Njerëzve u është hijeshuar dashuria për gjërat e dëshiruara: për gratë, fëmijët, tonelatat e arit e argjendit, kuajt e bukur, bagëtitë dhe të mbjellat. Këto janë kënaqësitë e kësaj bote,[213] por tek Allahu është kthimi më i mirë.[214]

15. Thuaju: “A t’ju tregoj gjëra më të mira se këto? Për ata që kanë qenë të devotshëm[215], tek Zoti i tyre do të kenë kopshte nëpër të cilët rrjedhin lumenj, ku do të jenë përgjithmonë, bashkëshorte të pastra[216] dhe kënaqësi nga Allahu.[217]” E, Allahu i sheh robët e Vet,[218]

-51-

________________________________________

[201] Allahun, të Dërguarit e Tij, shpalljet e Tij.

[202] Prej popujve jobesimtarë.

[203] Ndaj atij që e mohon Atë dhe i përgënjeshtron të dërguarit e Tij, pasi t’u jetë bërë e qartë e vërteta me prova bindëse.

[204] Allahun, provat e Tij, të Dërguarit e Tij, e veçanërisht Muhamedin. Janë më shumë për qëllim hebrenjtë si dhe të krishterët.

[205] Në këtë botë nga ushtritë besimtare.

[206] Që keni gatitur me duart tuaja, me veprat tuaja dhe me mohimin tuaj.

[207] Allahu i thotë Pejgamberit të Tij, Muhamedit, që t’i thotë mohuesve prej jehudive që jetonin në Medine bashkë me të.

[208] Ushtria e Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dhe shokëve e tij.

[209] Ushtria e idhujtarëve kurashit, të cilët dolën nga shtëpitë e tyre me kryelartësi e mburrje në sy të njerëzve, për të penguar njerëzit nga rruga e Allahut, dhe të dyja ushtritë u takuan në vendin e quajtur Bedër.

[210] Ushtria e idhujtarëve ishte shumëfish i ushtrisë besimtare në numër, dhe ata e shihnin këtë gjë me sytë e tyre.

[211] Dhe u jep triumf besimtarëve mbi mosbesimtarët, dhe kështu ndodhi në këtë luftë, në luftën e Bedrit.

[212] E mendje për të kuptuar e për të marrë mësim.

[213] Të cilat një pjesë e njerëzve i kanë bërë qëllim të tyre, dhe mendojnë e punojnë vetëm për arritjen e tyre, dhe për kënaqjen me to në mënyrë shtazore, dhe duke harruar qëllimin për të cilin janë krijuar. Kursa pjesa tjetër e njerëzve e mësuan realitetin e këtyre gjërave dhe se ato janë sprovë për njerëzit në këtë botë, për t’u përdorur ashtu si ka urdhëruar Allahu, për t’u ndihmuar me to në arritjen e kënaqësisë së Allahut dhe për t’i dhënë përparësi kënaqësisë së Allahut mbi dëshirave e tyre.

[214] Për të devotshmit, tek Allahu ka gjëra që syri nuk i ka parë, veshi nuk i ka dëgjuar dhe askush nuk i ka imagjinuar.

[215] Që i kishin frikën Allahut në dynja dhe iu bindën Atij, duke zbatuar urdhrat e Tij dhe duke iu larguar ndalesave të Tij.

[216] Të pastra nga gjërat e ndyta që kanë gratë në dynja, si të përmuajshmet, lehonia, etj, si dhe të paprekura.

[217] Të arriturit e kënaqësisë së Allahut është grada më e lartë e nderimit për banorët e xhenetit.

[218] Allahu sheh gjithçka që veprojnë njerëzit dhe i shpërblen sipas veprave të tyre.

16. të cilët thonë: “Zoti ynë! Ne besojmë me të vërtetë[219], prandaj na i fal gjynahet tona[220] dhe na ruaj nga dënimi i zjarrit![221]”;

17. që janë të durueshëm[222], të sinqertë[223], të bindur[224], dorëdhënës[225] dhe që para agimit kërkojnë falje[226].

18. Allahu dëshmon[227] se nuk ka të adhuruar tjetër (të denjë) përveç Tij, po kështu edhe engjëjt e dijetarët,[228] duke mbajtur drejtësinë[229]. Nuk ka të adhuruar tjetër (të denjë) përveç Tij, të Plotfuqishmit, të Urtit.

19. Feja[230] e vërtetë tek Allahu është Islami[231]. E, Ata që u është dhënë Libri[232], nuk patën mospajtime veçse pasi iu erdhi dija[233], nga zilia ndaj njëri-tjetrit[234]. Por, kushdo që i mohon provat e Allahut, (ta dijë se) Allahu është i shpejtë në llogari.[235]

20. Nëse ata[236] polemizojnë me ty (o Muhamed), thuaju: “Unë ia kam nënshtruar fytyrën Allahut[237], dhe po kështu edhe ata që më pasojnë mua.” Dhe thuaju atyre që u është dhënë Libri[238] dhe analfabetëve[239]: “A nënshtroheni[240]?” Nëse nënshtrohen, atëherë kanë gjetur rrugën e drejtë. Por nëse refuzojnë, detyra jote është vetëm komunikimi.[241] Allahu i sheh robët e Vet.[242]

21. Njoftoi me dënim të dhembshëm ata që i mohojnë provat e Allahut, që vrasin pejgamberët[243] padrejtësisht, dhe që vrasin ata njerëz që urdhërojnë për drejtësi.[244]

22. Këta[245] janë ata, veprat e të cilëve nuk kanë vlerë, as në këtë botë[246] dhe as në botën tjetër[247], dhe ata nuk do të kenë asnjë ndihmues[248].

-52-

_______________________________________

[219] Të besojmë Ty, të Dërguarin Tënd dhe atë që i është shpallur prej Teje.

[220] Na i mbulo, na i shlyej ato dhe mos na dëno për to.

[221] Mos dëno me zjarr, o Zoti ynë!

[222] Në fatkeqësi, në luftë dhe në çdo sprovë.

[223] Që e vërtetojnë me vepër atë që pohojnë me gojë prej besimit në Allahun, të Dërguarin e Tij dhe shpalljet e Tij.

[224] Ndaj Allahut.

[225] Që japin zekatin e pasurive të tyre dhe japin lëmoshë ashtu si i ka urdhëruar Allahu dhe atyre që ka urdhëruar Ai.

[226] Me lutje dhe namaz. Ata mendojnë se janë neglizhues në adhurimin ndaj Allahut dhe nuk e kryejnë atë kurrë ashtu si e meriton Allahu, kështu që kërkojnë falje për gjynahet dhe për neglizhimin e tyre, dhe për këtë gjë ruajnë kohën më të përshtatshme për pranimin e lutjes, e ajo është në një të tretën e natës, para agimit.

[227] Kjo është rruga më madhështore për vërtetimin se Allahu është Një: pohimi i Vetë Allahut të Madhëruar.

[228] Këtu Allahu merr për dëshmues krijesat e Tij më të ndershme, engjëjt dhe dijetarët; për të dëshmuar dëshminë më madhështore.

[229] Pasi pohon Njësimin e Tij, Allahu pohon drejtësinë e Tij mes robërve të Tij dhe në të gjitha veprat e Tij.

[230] Bindja dhe nënshtrimi ndaj një Zoti të Vetëm.

[231] Islam do të thotë nënshtrim dhe dorëzim me përulje, frikë, shpresë e dashuri ndaj një Zoti të Vetëm, Allahut. Islami është feja e vetme e pranuar tek Allahu, dhe asnjë fe tjetër përveç tij. Islami ka qenë feja e të gjithë të dërguarve të Allahut.

[232] Inxhili që iu shpall Isait (alejhi selam).

[233] Pasi e mësuan të vërtetën në lidhje me atë që kundërshtoheshin për çështjen e Isait (alejhi selam), etj.

[234] Për sende të kësaj bote, për zbukurimet dhe kënaqësitë e saj, për pushtet dhe pasuri. Për këto gjëra ata u grindën me njëri-tjetrin, u përçanë dhe vranë njëri-tjetrin.

[235] Ia regjistron secilit veprat që bën dhe e shpërblen sipas tyre në botën tjetër.

[236] Të krishterët dhe të gjithë ata që zgjedhin fe tjetër përveç Islamit.

[237] I jam nënshtruar Allahut plotësisht, me të gjithë veten time. Por këtu përmendet fytyra, sepse ajo është pjesa më e nderuar te njeriu.

[238] Çifutëve dhe të krishterëve.

[239] Atyre që nuk u ka ardhur libër qiellor prej idhujtarëve arabë para Islamit.

[240] A i nënshtroheni Allahut duke pranuar Islamin dhe duke mos adhuruar veçse një Zot të Vetëm?

[241] Komunikimi i shpalljeve të Allahut dhe zbatimi i urdhrave të Tij, asgjë tjetër.

[242] Dhe e di mirë se kush e pranon atë që të kam shpallur ty, o Muhamed, dhe kush i kthen shpinën dhe e refuzon atë.

[243] Që i vrisnin pejgamberët e dërguar tek ata. Këtë e kanë bërë çifutët me disa prej pejgamberëve të tyre, si Zekerija, Jahja, etj.

[244] Ndjekësit e pejgamberëve, të cilët urdhëronin për drejtësi dhe për të ndjekur rrugën e drejtë, ndërsa ata i vrisnin njësoj si edhe pejgamberët.

[245] Që mohojnë provat e Allahut dhe vrasin pejgamberët.

[246] Sepse Allahu ua zbulon veprat e këqia që fshehin brenda tyre dhe njerëzit i shohin ata në realitetin e tyre.

[247] Veprat e tyre të mira nuk do të kenë shpërblim në botën tjetër, sepse ata i kanë fshirë ato me mohimin e tyre, dhe ata do të jenë përgjithmonë në zjarr.

[248] Që t’i ndihmojë dhe t’i shpëtojë nga dënimi i Allahut.

23. A nuk i sheh ata, të cilëve u është dhënë pjesë nga Libri[1], që kur ftohen për t’u gjykuar te Libri i Allahut[2], një pjesë prej tyre kthejnë shpinën,[3] duke refuzuar.

24. Kjo, sepse ata thonë: “Ne nuk do të na prekë zjarri veçse për disa ditë.[4]” Shpifjet që bënin i kanë mashtruar ata në besimin e tyre.[5]

25. Si do të jetë gjendja e tyre kur t’i bashkojmë në një ditë, për të cilën s’ka pikë dyshimi, kur çdokujt do t’i shlyhet ajo që ka fituar, dhe atyre nuk do t’u bëhet padrejtësi?

26. Thuaj: “O Zoti im! Zotëruesi i gjithë Pushtetit![6] Ti ia jep pushtetin[7] kujt të duash dhe ia heq atë kujt të duash.[8] Lartëson kë të duash[9] dhe poshtëron kë të duash[10]. Në Dorën Tënde është e gjithë e mira[11]. Vërtet, Ti je i Plotfuqishëm për gjithçka.[12]

27. Ti e fut natën në ditë dhe fut ditën në natë.[13] Ti e nxjerr të gjallën nga e vdekura dhe nxjerr të vdekurën nga e gjalla.[14] Ti furnizon kë të duash pa llogari.[15]

28. Besimtarët të mos i marrin për miq mosbesimtarët, në vend të besimtarëve![16] Ata që e bëjnë këtë, nuk kanë pjesë tek Allahu,[17] përveç nëse i ruheni ndonjë frike[18]. Allahu ju paralajmëron që t’i ruheni Vetes së Tij,[19] dhe tek Allahu është kthimi.[20]

29. Thuaju: “E fshihni apo e shfaqni atë që keni në gjokse, Allahu e di atë, dhe di gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në tokë. Allahu është i Zoti për çdo gjë.”[21]

-53-

____________________________________

[1] Bëhet fjalë për çifutët, të cilët patën pjesë nga shpalljet e Allahut me dërgimin e pejgamberëve. Por shpallja e Allahut u përmbush, u plotësua dhe u vërtetua me Kuranin, i cili i përmbledh të gjitha shpalljet e zbritura para tij, dhe dallon të vërtetën nga e pavërteta e asaj që gjendet në duart e ithtarëve të Librit, pasi që me shumë prej tyre ka luajtur dora njerëzore.

[2] Që kishin në duart e tyre, te Teurati.

[3] I kthejnë shpinën Librit të tyre dhe përgënjeshtrojnë atë që thuhet në të.

[4] Ata pretendojnë se do të dënohen vetëm 40 ditë, ditët në të cilat kanë adhuruar viçin.

[5] Ata trillonin gënjeshtra dhe të pavërteta, duke pretenduar se janë bijtë e Allahut dhe të dashurit e Tij, dhe se Allahu i ka premtuar babait të tyre, Jakubit, se nuk do të fusë në zjarr asnjë prej bijve të tij. Por Allahu i përgënjeshtroi të gjitha fjalët e tyre dhe e njoftoi pejgamberin e Tij, Muhamedin, se ata janë banorët e zjarrit ku do të jenë përgjithmonë, ndryshe nga ata që besojnë Allahun, të dërguarit e Tij dhe ato që kanë ardhur nga Ai.

[6] Vetëm Allahut i përket zotërimi dhe sundimi i kësaj bote dhe i botës tjetër, dhe vetëm Ai gjykon mes robërve të Vet.

[7] I jep pushtet kujt të duash mbi çfarë të duash prej vendeve e njerëzve, dhe kjo sipas Urtësisë Tënde absolute.

[8] Allahu ka vendosur ligje në krijimin e Tij, dhe prej atyre ligjeve janë edhe shkaqet e dhënies së pushtetit dikujt dhe shkaqet e heqjes së tij nga dikush tjetër, qoftë në lidhje me besimtarët apo me mosbesimtarët.

[9] Me bindjen ndaj Teje.

[10] Me kundërshtimin dhe thyerjen e Urdhrave të Tua.

[11] Çdo gjë është në dorën Tënde dhe ti vepron me Vullnetin Tënd absolut.

[12] Asgjë nuk është e pamundur për Ty, por gjithçka i bindet Vullnetit dhe Fuqisë Tënde.

[13] Bëhet fjalë për zgjatjen e ditës dhe shkurtimin e natës si dhe anasjelltas gradualisht me ndryshimin e stinëve të vitit.

[14] Me fuqinë dhe vullnetin Tënd.

[15] Me furnizim të gjerë, nga nuk e pret.

[16] Në këtë ajet, Allahu i ndalon besimtarët nga marrja për miq, të dashur e ndihmues mosbesimtarët, dhe e kërcënon atë që e bën këtë, sin ë vazhdim të ajetit.

[17] Shkëputet nga Allahu dhe nuk ka pjesë në fenë e Allahut, pasi që marrja e mosbesimtarëve për miq e të dashur nuk mund të bashkohet me besimin, sepse besimi urdhëron për të marrë për mik, të dashur dhe ndihmues, Allahun dhe miqtë e Allahut, besimtarët, të cilët ndihmohen me njëri-tjetrin për ngritjen e fesë së Allahut dhe luftimin e armiqve të saj.

[18] Keni frikë se ju vrasin.

[19] Prandaj, mos veproni gjëra që nxisin zemërimin e Tij dhe mos i shkelni Urdhrat e Tij!

[20] Dhe çdokush do të japë llogari për veprat që ka bërë dhe do të marrë shpërblimin që i takon, përveç nëse Allahu me mëshirën e Tij, fal gjynahe dhe shumëfishon vepra të mira.

[21] I Zoti për t’i dhënë secilit shpërblimin apo dënimin që meriton.

30. (Kini frikë) Atë ditë[22], kur çdo njeri do ta gjejë përpara atë të mirë që ka vepruar, kurse për atë të keqe që ka vepruar, do të donte që mes saj dhe atij të ishte largësi e madhe.[23] Allahu ju paralajmëron që t’i ruheni Vetes së Tij.[24]” Allahu është i Butë me robët e Vet.[25]

31. Thuaju (o Muhamed): “Nëse vërtet e doni Allahun,[26] atëherë më ndiqni mua,[27] që t’ju dojë Allahu dhe t’jua falë gjynahet! Allahu është Falës i Madh, Mëshirëplotë.”[28]

32. Thuaju: “Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit!”[29] E, në qoftë se ata kthejnë shpinën[30], me të vërtetë, Allahu nuk i do mosbesimtarët.[31]

33. Allahu e zgjodhi[32] Ademin, Nuhun, familjen[33] e Ibrahimit[34] dhe familjen[35] e Imranit[36], mbi të gjitha krijesat.[37]

34. Pasardhës të njëri-tjetrit.[38] Allahu dëgjon dhe di gjithçka.[39]

35. Kujto kur gruaja e Imranit tha: “Zoti im! Unë ta kam kushtuar Ty atë që është në barkun tim, që të jetë vetëm në shërbimin Tënd, prandaj, pranoje prej meje! Vërtet, Ti je Gjithëdëgjuesi,[40] i Gjithëdijshmi.[41]”

36. Kur ajo e lindi atë, tha: “Zoti im! Unë e linda femër atë[42], -e Allahu e di shumë mirë se çfarë lindi ajo,[43] -e mashkulli nuk është si femra![44] Unë e quajta atë “Merjeme”, dhe unë e lë atë dhe pasardhësit e saj nën mbrojtjen Tënde nga djalli i mallkuar.”

37. Zoti i saj e pranoi atë me kënaqësi,[45] e bëri që të rritet mirë[46] dhe e la nën kujdestarinë e Zekerias[47]. Sa herë që Zekeria hynte në Mihrab[48], gjente pranë saj ushqim[49] dhe i thoshte: “O Merjeme! Nga të ka ardhur ky?” Ajo i përgjigjej: “Ky është nga Allahu. Vërtet se Allahu furnizon kë të dojë pa llogari[50].”

-54-

____________________________________

[22] Në ditën e llogarisë, ditën e gjykimit.

[23] Do të donte që të mos e shihte dhe të mos ballafaqohej kurrë me veprën e keqe që ka bërë në dynja.

[24] Duke mos vepruar gjëra që e zemërojnë Atë.

[25] Dhe i mëshirshëm me ta, dhe nga mëshira dhe butësia e Tij është se Ai i ka paralajmëruar që t’i ruhen zemërimit të Tij dhe se nuk e derdh atë (zemërimin) pa i paralajmëruar ata.

[26] Ashti si pretendoni se e keni arritur këtë gradë të lartë mbi të cilën nuk ekziston gradë tjetër.

[27] Në të gjitha çështjet e fesë, në ato që ju ndaloj dhe që ju urdhëroj. Kjo është shenja e dashurisë suaj për Allahun.

[28] Taberiu thotë se ky ajet ka zbritur si përgjigje për një delegacion të krishterësh nga Nexhrani, të cilët pretendonin se e donin Allahun dhe e madhëronin Isain (alejhi selam). Atëherë Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) u tha se shenja që ata e duan vërtetë Allahun, është që të ndjekin atë dhe shpalljen që i shpallet nga Allahu. Por, sigurisht që kuptimi i ajetit është i përgjithshëm dhe ai i drejtohet të gjithë njerëzve deri në ditën e Kiametit.

[29] Në gjithçka që ju urdhërojnë. Bindja ndaj të dërguarit është bindje ndaj Allahut, sepse ai komunikon atë që i shpallet nga Allahu dhe Allahu ka urdhëruar për bindje ndaj tij.

[30] Dhe nuk i binden Allahut dhe të dërguarit të Tij, atëherë nuk ka vend ku të kthehen, veçse në mosbesim dhe në bindje ndaj çdo shejtani të panënshtruar.

[31] Por i urren dhe ndëshkon me ndëshkimin më të rëndë që meritojnë.

[32] Për t’i shpallur fenë e Tij. E zgjodhi si të dërguar tek njerëzit.

[33] Ata që e besuan dhe e ndoqën atë.

[34] Pejgamberi Ibrahim, i dashuri i Allahut, i ati i Ismailit, të cilin e ofroi si kurban për Zotin e tij, dhe i Is’hakut. I quajtur si babai i pejgamberëve.

[35] Ata që e besuan dhe e ndoqën atë.

[36] Imrani është babai i Merjemes, nënës së Isait (Paqja e Allahut qoftë mbi ta!).

[37] Allahu i zgjodhi dhe i privilegjoi ata mbi të gjithë njerëzit e të gjitha kohërave me pejgamberllëkun dhe shpalljen e Tij, për të qenë pejgamberët e Tij të devotshëm dhe njerëzit më të mirë dhe më të nënshtruar ndaj Zotit të tyre.

[38] Këtu bëhet fjalë për familjen e Ibrahimit dhe të Imranit, nga pasardhësit e të cilëve u zgjodhën pejgamberët, në mesin e të cilëve edhe Muhamedi (salallahu alejhi ue selem), pasardhës i Ibrahimit dhe vula e pejgamberëve.

[39] Allahu e di mirë se kush meriton të jetë i zgjedhur nga mesi i njerëzve, i njeh mirë cilësitë dhe veprat e tyre, prandaj edhe i zgjodhi këta për cilësitë e tyre, dhe ne i lutemi Allahut që të na japë sukses të pajisemi me cilësitë e tyre dhe të bëjmë ato vepra që bëjnë të mundshme arritjen e kënaqësisë së Tij.

[40] I Cili e dëgjon atë që them dhe dëgjon çdo gjë.

[41] I Cili e di qëllimin tim dhe atë që kam në zemër.

[42] Fëmijën që ta kushtova Ty, që kur ishte në bark.

[43] Dhe nuk ka nevojë ta njoftojë kush, sepse Ai e di se çfarë do lindte ajo që para se ta lindte, por këtu është për qëllim të tregohet shprehja e keqardhjes dhe justifikimit nga nëna e Merjemes.

[44] Sepse mashkulli është më i fortë dhe më i aftë për shërbimin ndaj fesë dhe faltores së Allahut. Nëna e Merjemes sikur kërkon të shfajësohet, sepse priste të lindte mashkull, për të qenë më i aftë për shërbim.

[45] Allahu iu përgjigj lutjes së saj dhe e ruajti Merjemen dhe pasardhësin e saj, Isain, i strehoi dhe i mbrojti nga intrigat e djallit të mallkuar.

[46] I siguroi Merjemes kushtet për t’u rritur mirë, me moral të mirë dhe duke adhuruar Zotin e saj, sepse Ai e la atë nën kujdestarinë e Zekerias, pejgamberit të Tij.

[47] Allahu ia la Zekerias kujdestarinë e Merjemes, duke bërë që shorti që hodhën njerëzit në faltore për kujdestarinë e saj, t’i bjerë atij.

[48] Mihrab quhet vendi më i nderuar i faltores, si dhe qoshja e shtëpisë apo e dhomës. Këtu është për qëllim qoshja e dhomës në të cilën e mbante Zekrija Merjemen.

[49] Thuhet se gjente fruta jo të stinës dhe ushqime që nuk gjendeshin tek njerëzit në atë stinë.

[50] Pa masë dhe pa llogari nga njeriu, andej nga nuk e pret.

38. Atëherë[51] Zekeria iu lut Zotit të vet, duke i thënë: “Zoti im! Më dhuro nga ana Jote pasardhës të bekuar! Me të vërtetë, Ti je Dëgjuesi i lutjes.”

39. Në atë çast, atë e thërrasin engjëjt, ndërsa ishte në këmbë duke u falur, në Mihrab[52], dhe i thonë: “Allahu të jep lajmin e mirë për Jahjan[53], vërtetues i një Fjale nga Allahu,[54] fisnik[55], i dëlirë[56] dhe pejgamber[57], një prej të mirëve.[58]”

40. Ai (Zekeria) tha: “Zoti im! Si mund të kem fëmijë, kur mua më ka zënë pleqëria, e gruaja ime është që nuk lind fëmijë?!” Ai (engjëlli) tha: “Kështu! Allahu vepron çfarë të dojë!”[59]

41. Ai (Zekeria) tha: “Zoti im! Më jep një shenjë!”[60] Ai (Zoti) i tha: “Shenja jote është se për tri ditë nuk do të mund t’u flasësh njerëzve, veçse me gjeste.[61] Përmende shumë Zotin tënd,[62] dhe madhëroje Atë mbrëmje e mëngjes!”

42. Kujto gjithashtu kur engjëjt thanë: “O Merjeme! Me të vërtetë, Allahu të ka zgjedhur[63], të ka pastruar[64] dhe të ka zgjedhur mbi të gjitha gratë e botës.[65]

43. O Merjeme![66] Bindju Zotit tënd[67], bëj sexhde dhe përkulu në ruku[68] bashkë me ata që përkulen!”[69]

44. Këto janë prej njoftimeve të fshehta, të cilat Ne t’i shpallim ty (o Muhamed!).[70] Ti nuk ishe i pranishëm kur ata hidhnin short se kush prej tyre do ta merrte nën kujdes Merjemen, dhe nuk ishe i pranishëm kur ata grindeshin me njëri-tjetrin.[71]

45. As (nuk ishe i pranishëm) kur engjëjt thanë: “O Merjeme! Allahu të jep lajmin e mirë[72] për një Fjalë prej Tij,[73] emri i të cilit është Mesihu[74] Isa, biri i Merjemes, i nderuar në këtë botë dhe në botën tjetër,[75] dhe një nga të afërmit.[76]

-55-

——————————————————————-

[51] Kur pa atë që pa prej mrekullive të Allahut te Merjemja.

[52] Në vendin më të nderuar të faltores.

[53] Të njofton me lajmin e mirë se ty do të lindë një fëmijë, të cilin do ta quash Jahja.

[54] Që do të vërtetojë profetësinë e Isait, birit të Merjemes, dhe do të jetë në një rrugë dhe në një drejtim me të.

[55] Fisnik në dije dhe në adhurim.

[56] I virgjër, që nuk kryen marrëdhënie intime me gratë.

[57] Lajmëtar i Zotit tek populli i tij.

[58] Prej pejgamberëve të mirë. E, të gjithë pejgamberët janë të mirë.

[59] Për Allahun nuk është e vështirë asgjë, dhe kjo është një prej mrekullive që ai ta jep ty.

[60] Që të më qetësohet zemra plotësisht, se kjo është e vërtetë nga Ti dhe se unë do të kem një djalë.

[61] Pa pasur ndonjë sëmundje në gjuhë apo në gojë dhe jo me dëshirën e tij për të mos folur. Këtu tregohet edhe një herë se: ashtu si Allahu i bën gjërat të ndodhin pa ndodhjen e shkaqeve përkatëse të tyre, po ashtu bën edhe që pasojat të mos ndodhin edhe pse gjenden shkaqet e tyre përkatëse, për të thënë se të gjitha shkaqet renditen nën caktimin dhe vendimin e Allahut. I Madhëruar qoftë Allahu, Krijuesi më i mirë!

[62] Sepse këtë mund ta bësh edhe pse nuk mund të flasësh.

[63] Për t’ju bindur Atij dhe të ka nderuar.

[64] Nga të metat dhe gjërat negative të njeriut. E ka pastruar besimin tënd nga dyshimi dhe ndotësitë e grave të bijve të Ademit.

[65] Zgjedhja e parë kthehet te cilësitë e mira dhe virtytet e larta të Merjemes, kurse zgjedhja e dytë kthehet në privilegjimin e saj mbi të gjitha gratë e kohës së saj ose të të gjitha kohërave, por në rastin e dytë, bashkohen me të edhe gra të tjera besimtare, siç është Hadixheja, gruaja e parë e Pejgamberit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), Fatimja, vajza e Pejgamberit, Aisha, gruaja e Pejgamberit.

[66] Me gjithë këto mirësi që të ka dhënë Allahu, ti duhet ta falënderosh Atë për këto mirësi.

[67] Vazhdimisht, me përulje dhe frikërespekt.

[68] Duke vendosur duart mbi gjunjë.

[69] Merjemja i bëri këto si falënderim ndaj Zotit të saj dhe si madhërim dhe adhurim vetëm për Të.

[70] Për të qenë dëshmi dhe provë se ti je i Dërguari i Allahut, dhe ata e kanë detyrë që të pasojnë ty dhe atë të shpallet nga Allahu.

[71] Kur e ëma e Merjemes shkoi te paria e Kudsit, në Jeruzalem, bashkë me Merjemen, ata hodhën short mes njëri-tjetrit se kush do ta merrte përsipër kujdestarinë e saj. Shorti u bë në atë mënyrë që ata të hidhnin lapsat e tyre në lum, dhe zotëruesi i lapsit që do të ngulej në lum dhe nuk do të merrej nga uji, do të merrte kujdestarinë e Merjemes. Ishte pikërisht lapsi i Zekerias, pejgamberit të tyre dhe më të mirit prej tyre, i cili u ngul si në baltë dhe kështu ai mori kujdestarinë e saj.

[72] Se do të të lindë një djalë.

[73] Isai u quajt “Fjala e Allahut”, sepse ai u krijua me një Fjalë nga Allahu, me fjalën “Bëhu!”, sepse gjendja e tij ka dalë nga shkaqet e zakonshme dhe Allahu e ka bërë atë nga shenjat dhe mrekullitë e krijimit të Tij. Allahu dërgoi engjëllin Xhibril te Merjemja dhe ai fryu në jakën e rrobës së saj. Ajo frymë e zgjuar, e këtij engjëlli të pastër, u fut te Merjemja, dhe nga ajo, Allahu krijoi këtë shpirt të pastër. Pra, Isai nuk u krijua nga sperma e njeriut por nga lëndë shpirtërore, prandaj u quajt “Shpirti i Allahut”. Këto shprehje duhen kuptuar mirë, sepse pikërisht këtu kanë devijuar të krishterët dhe e kanë ngritur Isain më tepër se ç’duhet, madje e kanë madhëruar deri sa e kanë bërë Zot, apo bir Zoti, apo pjesë e Zotit – i treti i të treve. Isai nuk e pranon kurrë këtë gjë dhe Allahu është i Pastër dhe i Lartë nga ajo që i përshkruajnë.

[74] Mesih do të thotë: i pastruar nga gjynahet, dikush që Allahu ia ka fshirë gjynahet, e ka bekuar.

[75] Allahu e ka nderuar dhe e ka dalluar Isain në dynja, duke e bërë një nga pesë të dërguarit më të mëdhenj dhe duke e ngritur emrin e tij në botë, kurse në botën tjetër, Isai është i nderuar tek Allahu dhe do të ndërmjetësojë ashtu si edhe vëllezërit e tij pejgamberë.

[76] Nga të afërmit tek Allahu, në botën tjetër.

46. Ai do t’u flasë njerëzve që në djep[77], dhe i rritur[78], dhe do të jetë një nga të mirët.”[79]

47. Ajo tha: “Si mund të kem fëmijë, kur mua nuk më ka prekur askush?!” Ai (engjëlli) tha: “Kështu! Allahu krijon ç’të dojë.[80] Kur Ai vendos diçka, mjafton t’i thotë “Bëhu!”, dhe ajo bëhet.[81]”

48. Ai (Allahu) do t’ia mësojë atij shkrimin, urtësinë[82], Teuratin[83] dhe Inxhilin[84].

49. Dhe (do ta bëjë) të Dërguar te bijtë e Israilit, (të cilëve do t’u thotë:) “Unë ju kam sjell provë nga Zoti juaj[85]: bëj për ju diçka prej balte në formë shpendi, fryj në të, dhe me urdhrin e Allahut ajo bëhet shpend i gjallë; shëroj të verbrin dhe të lebrosurin, dhe ngjall të vdekurit me lejen e Allahut; ju tregoj çfarë hani dhe çfarë depozitoni në shtëpitë tuaja. Sigurisht që në të gjitha këto ka provë për ju,[86] nëse vërtet jeni besimtarë.[87]

50. Unë jam vërtetues i asaj (shpalljes së Zotit) që ka qenë para meje prej Teuratit[88] dhe që t’ju lejoj disa gjëra nga ato që i keni pasur të ndaluara.[89] Ju kam ardhur me provë nga Zoti juaj, prandaj kini frikë Allahun[90] dhe bindmuni![91]

51. Me të vërtetë, Allahu është Zoti im dhe Zoti juaj, prandaj Atë adhuroni![92] Kjo[93] është rrugë e drejtë.[94]”

52. Kur Isai e kuptoi mosbesimin e tyre,[95] tha: “Kush janë ndihmuesit e mi në rrugë të Allahut?”[96] Havarijunët[97] u përgjigjën: “Ne jemi ndihmuesit e Allahut.[98] I kemi besuar Allahut, prandaj dëshmo[99] se ne jemi muslimanë (të nënshtruar Allahut).”

-56-

——————————————————————————

[77] Për të vërtetuar pastërtinë dhe pafajësinë e nënës së tij.

[78] Këtu është për qëllim të thuhet se edhe Isai ka kaluar në fazat e rritjes ashtu si edhe njerëzit e tjerë, por Allahu e ka dalluar atë me veçoritë që u përmendën më sipër.

[79] Në grupin e njerëzve të mirë të Allahut.

[80] Dhe e bën atë shenjë dhe argument për njerëzit, që të shohin fuqinë e Allahut dhe Madhështinë e Tij.

[81] Ashtu si do Ai, në formën, madhësinë dhe cilësitë që do Ai.

[82] Sqarimin dhe kuptimin e Librit.

[83] I cili gjendej në mesin e bijve të Israilit që në kohën e Musait (Paqja e Allahut qoftë mbi të!).

[84] Libër i ri, i cili nuk gjendej tek bijtë e Israilit, por iu shpall Isait (Paqja e Allahut qoftë mbi të!).

[85] Që të besoni se unë jam i dërguari i Tij tek ju.

[86] Sepse ato janë mrekulli dhe nuk mund t’i bëjë veçse një i dërguar nga Allahu, me urdhrin e Allahut.

[87] Nëse vërtet e besoni Allahun, provat e Tij, të dërguarin e Tij Musain dhe Teuratin që iu shpall atij nga Allahu.

[88] Isai e besonte Teuratin dhe të gjitha shpalljet e mëparshme të Allahut, që ua ka shpallur pejgamberëve të mëparshëm dhe po kështu të gjithë pejgamberëte e Allahut, i besonin të dërguarit e mëparshëm dhe shpalljet e mëparshme të Allahut, si dhe lajmëronin për të dërguarin që do të vinte pas tyre.

[89] Isai e praktikonte Teuratin dhe atë që ishte shpallur nga Allahu, por atij iu shpallën disa lehtësime për disa ligje të rënda që ishin shpallur në Teurat, për shkak të arrogancës së bijve të Israilit.

[90] Në ato gjëra që ju ka urdhëruar dhe në ato që ju ka ndaluar.

[91] Në atë që u thërras, me të cilën Allahu më ka dërguar tek ju.

[92] Isai (alejhi selam) argumenton me njësimin e Allahut në krijim dhe se Ai është Zoti dhe Krijuesi i gjithçkaje, për njësimin e Tij në adhurim; pra, vetëm Zoti duhet adhuruar, dhe Isai është krijesë e Zotit.

[93] Adhurimi i Allahut dhe devotshmëria ndaj Tij.

[94] E cila të çon tek Allahu dhe tek xheneti i Tij, kurse rrugët e tjera përveç kësaj rruge të çojnë në zjarrin e xhehenemit.

[95] E vuri re dhe e nuhati se ata mohuan provat e Allahut dhe donin ta vrisnin atë, madje vetë ideja për vrasjen e tij është kufër, sepse ai ishte i Dërguari i Allahut.

[96] Kush do të më ndihmojë dhe do të punojë me mua në përkrahje të fesë së Allahut?

[97] Ndihmuesit e Isait, nxënësit e tij, shokët e tij që e ndoqën, apostujt e tij.

[98] Ndihmuesit e fesë së Allahut; i besojmë Allahut dhe të ndjekim ty.

[99] O Isa, tek Allahu për besimin tonë.

53. “Zoti ynë![100] Ne e besojmë atë që ke zbritur[101] dhe i bindemi të Dërguarit,[102] prandaj, na shëno bashkë me dëshmitarët[103]!”

54. Dhe ata[104] i përgatitën një kurth[105], por edhe Allahu u përgatiti kurth,[106] e Allahu është kurthngritësi më i mirë.[107]

55. (Kurthi i Allahut ishte) Kur Allahu tha: “O Isa! Unë do të të marr[108] ty, do të të ngre tek Unë, do të të pastroj[109] nga ata që kanë mohuar, dhe do t’i ngre ata që të ndjekin[110] ty përmbi ata që mohojnë, deri në ditën e Kiametit. Pastaj, tek Unë do të jetë kthimi juaj,[111] dhe Unë do të gjykoj mes jush për atë që jeni kundërshtuar.[112]

56. Sa për ata që mohojnë,[113] do t’i dënoj me dënim të ashpër në këtë botë[114] dhe në botën tjetër,[115] dhe ata nuk do të kenë asnjë ndihmues.[116]

57. Ndërsa atyre që besojnë[117] dhe bëjnë punë të mira,[118] Ai do t’u japë shpërblimin e plotë[119]. Allahu nuk i do të padrejtët[120].”

58. Këto që t’i lexojmë ty janë nga provat e qarta[121] dhe Këshilla e urtë.[122]

59. Shembulli i Isait[123] tek Allahu është njësoj si shembulli i Ademit, të cilin e krijoi nga balta, pastaj i tha “Bëhu!”, e ai u bë.[124]

60. E vërteta është nga Zoti yt,[125] prandaj mos u bëj nga ata që dyshojnë![126]

61. Atyre që polemizojnë me ty (o Muhamed) për çështjen e tij (Isait), pas asaj që të ka ardhur prej dijes,[127] thuaju: “Ejani t’i thërrasim bijtë tanë dhe bijtë tuaj, gratë tona dhe gratë tuaja, vetë ne dhe ju, pastaj të lutemi që mallkimi i Allahut të jetë mbi gënjeshtarët!”[128]

-57-

——————————————————–

[100] Këtë e thonë Havarijunët.

[101] Atë që i ke shpallur të dërguarit Tënd, Isait.

[102] Jemi bërë ndjekësit e Isait në fenë Tënde me të cilën e ke dërguar atë.

[103] Ata që dëshmojnë dëshminë e vërtetë të Njësimit të Allahut dhe besimit në të dërguarin e Tij.

[104] Që mohuan prej bijve të Israilit, mohimin e të cilëve e kuptoi dhe e vuri re Isai (alejhi selam).

[105] I përgatitën kurth Isait me qëllim për ta vrarë.

[106] Dijetarët e tefsirit transmetojnë se kurthi që përgatiti Allahu ishte vendosja e shëmbëlltyrës së Isait njërit prej shokëve të tij, dhe çifutët vranë atë duke menduar se vranë Isain (alejhi selam).

[107] Kundër atyre që thurin kurthe të padrejta dhe janë prishës e mohues.

[108] Dijetarët kanë dy mendime në lidhje me domethënien e fjalës “mutevafijke”, në lidhje me Isain (alejhi selam). Kjo, sepse domethënia e kësaj fjale në origjinë është përmbushja e diçkaje, pastaj është përdorur për të treguar vdekjen e njeriut. Por, në lidhje me Isain nuk është për qëllim vdekja dhe dalja e shpirtit nga trupi, sepse Allahu na ka njoftuar se e ka ngritur atë të gjallë, dhe pejgamberi ynë, Muhamedi na ka njoftuar se Isai nuk ka vdekur por është i gjallë në qiell dhe do të zbresë para ditës së Kiametit, pastaj do të vdesë dhe muslimanët janë ata që do t’i falin xhenazenë dhe do ta varrosin. Prej këtu, disa dijetarë thonë se domethënia e kësaj fjale këtu është marrja dhe ngritja e tij nga toka në qiell. Kurse të tjerë thonë se domethënia e saj është vdekja e vërtetë, por në ajet ka ndryshim të radhës së gjërave; sipas këtyre, radha e fjalisë është kështu: “O Isa, Unë do të të ngre tek Unë, do të shpëtoj nga ata që kanë mohuar, dhe do t’i ngre ata që të ndjekin ty …, pastaj do të të vdes.” Sipas këtij mendimi, dobia e përmendjes së vdekjes në fillim të fjalisë është për të treguar se ngritja në qiell nuk e pengon vdekjen e tij, por ai do të zbresë në tokë kur ta ketë caktuar Allahu, do të prijë besimtarët muslimanë, do të vrasë Dexhalin dhe do të vdesë si gjithë njerëzit, duke i dorëzuar shpirtin Allahut. Siç shihet, të gjithë janë dakord se Isai nuk ka vdekur, sepse kjo thuhet hapur dhe qartë në Kuran: “As nuk e vranë, as nuk e kryqëzuan, por iu duk atyre” [En Nisa, 157].

[109] Do të të shpëtoj prej tyre.

[110] Ndjekësit e Isait janë ata që e besuan dhe e ndoqën atë prej të krishterëve dhe jo jehudët, të cilët nuk e besuan Isain por vendosën ta vrasin atë, madje vepruan dhe menduan se e vranë, deri sa Allahu dërgoi Muhamedin, për t’u bërë muslimanët ndjekësit e vërtetë të Isait dhe ata që e besuan të vërtetën e tij ashtu si ishte. Dhe kështu, Allahu i ndihmoi muslimanët dhe u dha triumf kundër jehudëve, të krishterëve e tjerë, si urtësi nga Allahu dhe ndëshkim i tyre për lënien e ndjekies së Isait.

[111] Kthimi i të gjitha krijesave është tek Allahu, dhe të gjitha ato do të kthehen patjetër tek Krijuesi i tyre, po kështu edhe ata që polemizojnë në lidhje me Isain (alejhi selam).

[112] Në lidhje me Isain dhe me çdo gjë tjetër, me gjykim të drejtë dhe të vërtetë.

[113] Që mohojnë profetësinë tënde, o Isa, dhe që mohojnë Allahun, të dërguarit e Tij apo ndonjërin prej tij, shpalljet e Tij.

[114] Me vrasje, poshtërim, jetë të vështirë materiale apo shpirtërore, ose të dyja së bashku, e tjera prej vuajtjeve të dynjasë.

[115] Në zjarr të xhehenemit, ku dënimi do të jetë shumë më i rëndë dhe i përhershëm.

[116] Që t’i ndihmojë dhe t’i ruajë nga dënimi i Allahut, as me fuqi, as me ndërmjetësim.

[117] Allahun, engjëjt e tij, të dërguarit e Tij, librat e Tij, ringjalljen në botën tjetër, dhe çdo gjë që ka ardhur nga Allahu.

[118] Zbatojnë urdhrat e Allahut dhe i largohen ndalesave të Tij.

[119] Në këtë botë dhe në botën tjetër. Në këtë botë ata do të kenë nderime, ndihmë nga Allahu, jetë të qetë e të lumtur, kurse shpërblimi i tyre në botën tjetër është i papërshkrueshëm.

[120] Ata të cilët nuk i vendosin gjërat në vendin e vet, adhurojnë tjetër përveç Allahut dhe u bëjnë padrejtësi njerëzve.

[121] Kundër atyre që polemizojnë në lidhje me Isain dhe nënën e tij, prej jehudëve dhe të krishterëve.

[122] Kurani i urtë, dalluesi mes të vërtetës dhe të pavërtetës.

[123] Në krijimin e tij pa babë.

[124] Pa babë dhe pa nënë. Pra, çudia në krijimin e Isait pa babë, nuk është më e madhe se çudia në krijimin e Ademit pa babë e pa nënë, dhe ashtu si Allahu ka krijuar Ademin, ka krijuar edhe Isain, me fjalën “Bëhu!”

[125] Të gjitha ato që të njofton Allahu në lidhje me Isain dhe krijimin e tij, janë të vërteta dhe e vërteta e vetme rreth tij dhe rreth çdo gjëje tjetër është ajo që thotë Allahu.

[126] Mos dysho aspak dhe në asgjë nga ato që të njofton Allahu, sepse nuk qëndron përballë të vërtetës veçse e pavërteta. Ky është një rregull madhështor, të cilin po ta ketë parasysh besimtari, do t’i japë përgjigje çdo dyshimi që i vjen në lidhje me çështjet e besimit për të cilat ka njoftuar Allahu dhe i Dërguari i Tij.

[127] Pasi Allahu ta tregoi të vërtetën në lidhje me të, në Kuran, dhe qartësoi se ai është rob i Allahut dhe i dërguar i tij.

[128] Nëse dikush polemizon për çështjen e Isait pas këtyre provave të qarta nga Allahu, kjo tregon për kokëfortësinë e tyre, kështu që nuk ka më dobi nga hyrja në polemikë me ta, pasi që e vërteta është bërë e qartë për të gjithë, kurse ata nuk ndjekin atë që thotë Allahu dhe nuk duan të vërtetën, por ndjekin epshet e tyre dhe duan të kundërshtojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij me kokëfortësi dhe arrogancë. Përderisa është kështu, atëherë Allahu e urdhëron të Dërguarin e Tij që të dyja palët t’i luten Allahut që të hedhë mallkimin e Tij mbi palën gënjeshtare dhe mbi familjet dhe të afërmit e tyre, por ata nuk pranuan, sepse e dinin shumë mirë që sikur ta bënin këtë, nuk do të gjenin familje, as fëmijë dhe as pasuritë e tyre kur të ktheheshin në shtëpitë e tyre, si dhe do të shpejtonin dënimin e tyre. Dhe kështu, ata qëndruan në fenë e tyre, duke qenë të bindur për pavërtetësinë e saj, dhe ky është kulmi i kokëfortësisë dhe prishjes, prandaj Allahu thotë në ajetin 63, në vijim: “Nëse ata kthejnë shpinën, Allahu e di mirë se kush janë prishësit.”

62. Padyshim, se kjo është historia e vërtetë.[129] Nuk ka asnjë të adhuruar tjetër (të denjë) përveç Allahut,[130] dhe me të vërtetë, Allahu është i Plotëfuqishmi, i Urti.

63. E, nëse ata kthejnë shpinën,[131] Allahu e di mirë se kush janë prishësit.[132]

64. Thuaj: “O ithtarët e Librit! Ejani të biem në një fjalë[133] të përbashkët mes nesh dhe jush: që të mos adhurojmë tjetër përveç Allahut, të mos i shoqërojmë Atij asgjë, dhe të mos e marrim njëri-tjetrin për zota,[134] në vend të Allahut!” Nëse ata refuzojnë, atëherë thoni: “Dëshmoni pra, se ne jemi muslimanë[135] (të nënshtruar Allahut).”

65. O ithtarë të Librit! Përse polemizoni në lidhje me Ibrahimin,[136] kur si Teurati edhe Inxhili[137] nuk janë zbritur veçse pas tij? A nuk logjikoni?[138]

66. Ju jeni ata që polemizuat për atë që kishit një farë dije,[139] përse tani polemizoni për diçka që nuk keni aspak dije?[140] Allahu e di,[141] kurse ju nuk dini asgjë.[142]

67. Ibrahimi nuk ka qenë as jehudi, as i krishterë, por ka qenë ndjekës i fesë së drejtë,[143] mysliman (i nënshtruar Allahut) dhe nuk ka qenë nga politeistët.[144]

68. Pa dyshim, njerëzit më të denjë për të pasur Ibrahimin[145] janë ata që e pasuan atë,[146] ky pejgamber[147] dhe ata që besojnë.[148] Allahu është Mbrojtësi i besimtarëve.[149]

69. Një grup nga ithtarët e Librit do të dëshironin që t’ju shpinin në humbje,[150] por ata nuk shpienë në humbje veçse veten e tyre,[151] por nuk e ndiejnë.[152]

70. O ithtarë të Librit![153] Përse i mohoni ajetet e Allahut,[154] ndërkohë që dëshmoni për to?[155]

-58-

———————————————————–

[129] Kështu është historia e vërtetë e Isait, dhe çdo version tjetër i kësaj historie që e kundërshton këtë që ka treguar Allahu, është i pavërtetë.

[130] Vetëm Allahu është Zot dhe vetëm Ai meriton të adhurohet dhe asgjë e askush tjetër përveç Tij. Isai nuk ka qenë veçse rob i Allahut dhe i zgjedhur nga Ai si pejgamber. Kurse mrekullitë që kanë ndodhur në lidhje me të dhe nënën e tij, Allahu i ka bërë për të treguar fuqinë e Tij dhe provë për njerëzit, me qëllim që të besojnë Allahun dhe të ndjekin të Dërguarin e tij.

[131] Dhe refuzojnë të bëjnë lutje të përbashkët që mallkimi i Allahut të bjerë mbi gënjeshtarët.

[132] Dhe i dënon ata për veprën e tyre me dënimin më të rëndë.

[133] Fjala e njësimit të Allahut, fjala e të gjithë të dërguarve dhe lajmëtarëve të Allahut, të cilën nuk e kanë kundërshtuar veçse të humburit dhe të pabindurit.

[134] Të mos i bindemi njëri-tjetrit për gjëra që e kundërshtojnë urdhrin e Allahut, por t’i bindemi vetëm Allahut dhe të zbatojmë atë që thotë Ai dhe t’i largohemi asaj që ndalon Ai.

[135] Dëshmoni se ne i jemi nënshtruar vetëm Allahut me fjalë, me vepër dhe me zemër, dhe i bindemi vetëm Atij.

[136] Për të cilin, jehuditë thonin se është prej tyre, ndërsa të krishterët thonin se është prej tyre.

[137] Që pretendon se ndjek secili prej jush.

[138] Sikur të logjikonit, nuk do të thoshit këto që thoni.

[139] Për atë që e patë me sytë tuaj, Isain (alejhi selam) dhe atë që gjenit të shkruar në Teurat dhe në Inxhil.

[140] Në lidhje me Ibrahimin dhe fenë e tij.

[141] Për Ibrahimin dhe për çdo gjë që ka krijuar, me dije të plotë e të përpiktë.

[142] Përveç asaj që keni parë dhe që keni lexuar në librat qiellor.

[143] Fesë së Allahut, duke iu bindur dhe nënshtruar vetëm ndaj Allahut dhe duke adhuruar vetëm Allahun.

[144] Kjo është dëshmi nga Allahu për pastërtinë e pejgamberit dhe të dashurit të Allahut, Ibrahimit (alejhi selam), i cili ka qenë i nënshtruar ndaj Alahut dhe urdhrave të Tij, larg idhujtarisë dhe idhujtarëve. Në këtë ajet, Allahu i përgënjeshtron jehudët dhe të krishterët, të cilët pretendonin se Ibrahimi i përkiste fesë së tyre, dhe pohon se ai ishte mysliman, që do të thotë: i nënshtruar Allahut me zemrën dhe veprat e tij, në gjithçka që Allahu urdhëron dhe pëlqen, si dhe duke iu larguar atyre që Allahu ndalon dhe urren. Kjo është feja e vërtetë, Islami.

[145] Për ta pasur Ibrahimin mik, të dashur, dhe të adresuar në fenë e tyre.

[146] Ata që ndoqën rrugën dhe besimin e tij në një Zot të vetëm, pa i shoqëruar Atij askënd.

[147] Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).

[148] Bashkë me Muhamedin (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), d.m.th. populli musliman.

[149] Allahu është Mbrojtësi dhe Ndihmuesi i atyre që besojnë Muhamedin dhe e ndjekin atë dhe gjithçka që i është shpallur atij nga Allahu.

[150] T’ju zmbrapsin nga Islami, o muslimanë, për t’ju kthyer në mosbesimin ku ndodhen vetë, dhe kështu t’ju tërheqin me vete në shkatërrim e në humbje.

[151] Veten dhe ndjekësit e tyre në fenë e tyre, sepse ata tërheqin zemërimin dhe mallkimin e Allahut kundër vetes, për shkak të mohimit të Allahut dhe shkeljes së besës që u mori Allahu në Librin e tyre, për pranimin e Muhamedit, besimin në të dhe pasimin e tij.

[152] Nuk e dinë se çfarë i pret prej dënimit të Allahut, për shkat të veprave të tyre.

[153] I drejtohet jehudëve dhe të krishterëve.

[154] Vargjet dhe provat e Allahut që i gjeni në Librin e Allahut të zbritur tek ju, në gjuhën e të dërguarve tuaj.

[155] Dëshmoni për vërtetësinë e tyre dhe se ato janë nga Allahu. Në këtë ajet, Allahu i qorton ithtarët e dy Librave, për mohimin e Muhamedit dhe përgënjeshtrimin e profetësisë së tij, ndërkohë që ata e gjejnë atë të shënuar në Librat e tyre, dhe vetë ata dëshmojnë se ajo që thuhet në Librat e tyre është e vërtetë, nga Allahu.

71. O ithtarë të Librit! Përse e ngatërroni të vërtetën me të pavërtetën, dhe e fshihni të vërtetën,[156] duke qenë se e dini?[157]

72. Një grup prej ithtarëve të Librit thanë: “Në mëngjes, besoni në atë që u është zbritur atyre që besojnë, kurse në mbrëmje mohojeni atë, se ndoshta kështu do të kthehen.[158]

73. Dhe mos u besoni veçse atyre që ndjekin fenë tuaj!”[159] Thuaj (o Muhamed): “Udhëzimi[160] i vërtetë është vetëm udhëzimi i Allahut.”[161] (Vazhdojnë të thonë:) “Apo (mos besoni) se ndokujt mund t’i jepet diçka e ngjashme me atë që u është dhënë juve, apo se do të polemizojnë kundër jush te Zoti juaj!”[162] Thuaj: “Mirësia[163] është në Dorë të Allahut dhe Ai ia jep kujt të dojë.[164] Allahu është Mirëbërës i madh, i Gjithëdijshëm.[165]

74. Ai veçon me mëshirën[166] e Vet kë të dojë. Allahu është Zotërues i mirësisë së madhe.

75. Prej ithtarëve të Librit[167] ka të atillë që, nëse i beson një tonelatë ari, ta kthen atë, por ka edhe të atillë që, nëse i beson një dinar (monedhë ari), nuk ta kthen atë, vetëm po qe se nuk i ndahesh.[168] Kjo,[169] sepse ata thonë: “Ne nuk kemi asnjë detyrim ndaj analfabetëve (arabë).[170]” Dhe flasin gënjeshtra për Allahun[171] me vetëdije.

76. Përkundrazi,[172] kushdo që e përmbush premtimin e tij[173] dhe ruhet[174], padyshim se Allahu i do të devotshmit.[175]

77. Vërtet, ata që e shkëmbejnë premtimin e Allahut dhe betimet e tyre[176] me një vlerë të pakët,[177] nuk do të kenë pjesë në botën tjetër,[178] Allahu nuk do t’u flasë atyre,[179] as nuk do të shikojë[180] tek ata në ditën e Kiametit, as nuk do t’i pastrojë ata[181] dhe për ta do të ketë dënim të dhembshëm.

-59-

——————————————————
[156] Që thuhet për Muhamedin dhe profetësinë e tij, në Librat tuaj.

[157] E dini të vërtetën dhe e fshihni atë me vetëdije. Kështu veprojnë ata që kanë devijuar nga rruga e drejtë dhe besimi i pastër, ata që ndjekin epshet e tyre dhe i japin përparësi jetës së kësaj bote mbi botën tjetër, për të mashtruar njerëzit dhe për t’i bërë ata ndjekës të tyre: duke ngatërruar të vërtetën me të pavërtetën, që njerëzit të bienë në pështjellim dhe në dyshime, dhe duke e fshehur të vërtetën me vetëdije, me qëllim që njerëzit të mos e shohin atë, përndryshe do të zbulohen nuk do të ndiqen më tej. Kjo është ajo që bënë paria çifute dhe e krishtere, dijetarët dhe klerikët e tyre, dhe që vazhdojnë të bëjnë gjithnjë, në çdo kohë e vend.

[158] Nga feja e tyre. Ky ishte një prej kurtheve të tyre për të zmbrapsur besimtarët nga Islami; sepse muslimanët, duke parë që dijetarët prej ithtarëve të Librit hynë në Islam në mëngjes dhe dolën prej tij në mbrëmje, do të mendojnë se ata dolën prej tij pasi që panë se nuk ishte i vërtetë! Dhe kështu, njerëzit do ta linin Islamin dhe do të ndiqnin fenë e tyre, por Allahu nuk lejon tjetër veçse të përsosë dritën e Vet, edhe sikur mohuesit ta urrejnë këtë gjë.

[159] Mos i zini besë dhe mos i tregoni asgjë veçse atyre që janë në fenë tuaj, përndryshe ata do ta mësojnë atë që dini ju prej të vërtetës që fshihni, dhe do të dëshmojnë kundër jush tek Allahu.

[160] Sqarimi i të vërtetës dhe udhëzimi tek ajo.

[161] Kjo është fjali kundërshtore, me anë të së cilës kundërshtohet fjala e tyre djallëzore dhe sqarohet e vërteta.

[162] Sepse ju jeni më të nderuar se ata tek Allahu, për atë që ju ka dhënë juve dhe nuk ua ka dhënë atyre.

[163] Pjegamberllëku, shpallja, udhëzimi në rrugën e drejtë dhe dhënia sukses për gjetjen e saj dhe ecjen në të.

[164] Dhe jo kujt të dëshironi ju, o jehudë!

[165] E di mirë se kush e meriton mirësinë e Tij.

[166] Me Islamin, pejgamberllëkun, Kuranin.

[167] Prej jehudëve.

[168] Dhe ia kërkon vazhdimisht.

[169] Moskthimi i amanetit të lënë tek ata.

[170] Nuk kemi detyrim dhe as gjynah në mbajtjen e pasurive të tyre sepse ata janë idhujtarë e të paditur.

[171] Duke thënë se Allahu ua ka bërë të lejuar pasurinë e atyre dhe ne nuk kemi gjynah nëse e thyejmë amanetin e tyre.

[172] Nuk është ashtu si thonë këta gënjeshtarë prej jehudëve.

[173] Premtimin dhe besën që u ka marrë jehudëve në Teurat, se do të besojnë Muhamedin dhe atë që i shpallet nga Zoti i tij.

[174] I ruhet atyre që ka ndaluar Allahu prej mosbesimit dhe mëkateve, nga frika e mbikqyrjes së Allahut dhe dënimit të Tij.

[175] Ata që i ruhen Allahut dhe dënimit të Tij, duke iu larguar ndalesave të Tij dhe duke iu bindur urdhrave të Tij.

[176] Betohen rrejshëm për të bërë të lejuar atë që Allahu ua ka ndaluar, prej pasurive të njerëzve.

[177] Nga gjërat e dynjasë.

[178] Nuk do të kenë pjesë në të mirat e botës tjetër, në të mirat e xhenetit.

[179] Nuk do t’u flaës fjalë që i gëzon ata. E kemi përmendur më parë më gjerësisht kuptimin e kësaj.

[180] Nuk do u hedh sytë, nuk do i dhimbsen, nuk do ketë mëshirë për ta.

[181] Nga ndotësia e gjynaheve dhe mohimit të tyre.

78. Me të vertëtë, prej tyre[182] është një grup, të cilët i përdredhin gjuhët[183] e tyre kur lexojnë Librin,[184] që ju të mendoni se ajo[185] është prej Librit, kurse në të vërtetë nuk është prej Librit. Dhe thonë: “Kjo është nga Allahu.”[186] Por ajo nuk është nga Allahu. Ata flasin gënjeshtër për Allahun, duke qenë të vetëdijshëm.[187]

79. Nuk i takon asnjë njeriu,[188] të cilit Allahu i ka dhënë Librin, gjykimin[189] dhe pejgamberllëkun, që t’u thotë njerëzve: “Bëhuni robërit e mi dhe jo të Allahut!”[190] Por ai u thotë: “Bëhuni edukatorë të urtë,[191] për atë se ua mësonit të tjerëve Librin[192] dhe e studionit atë.”[193]

80. As (nuk i takon) që t’ju urdhërojë të merrni engjëjt dhe pejgamberët për zota[194]. Vallë, a do t’ju urdhëronte për mosbesim, pasi të jeni nënshtruar[195]?!

81. Kujtoni[196] kur Allahu mori besën[197] e pejgambereve: “Çfarëdo që t’ju jap prej Librit dhe urtësisë, kur t’ju vijë një i dërguar,[198] vërtetues i asaj që ju është dhënë,[199] ju do ta besoni dhe do ta ndihmoni atë! A e pranoni dhe më jepni besën për këtë?” Ata thanë: “E pranojmë.” Ai tha: “Atëherë dëshmoni,[200] dhe Unë jam bashkë me ju prej dëshmitarëve.[201]

82. Por, kushdo që kthen shpinën pas kësaj,[202] pikërisht ata janë të prishurit.[203]”

83. A mos kërkojnë fe tjetër nga ajo e Allahut,[204] ndërkohë që Atij i janë nënshtruar[205] të gjithë ata që gjenden në qiej e në tokë, me hir[206] a me pahir[207], dhe tek Ai do të kthehen.[208]

-60-

————————————————————————–

[182] Prej ithtarëve të Librit, jehudëve dhe të krishterëve.

[183] Deformojnë fjalët dhe ndryshojnë kuptimin me interpretimin e tyre të gabuar e të qëllimshëm.

[184] Librin e Allahut, Teuratin dhe Inxhilin.

[185] Fjala që thonë ata duke përdredhur gjuhën gjatë leximit, me qëllim që të ndryshojnë fjalët dhe kuptimin, të trillojnë gënjeshtër dhe të pavërtetë.

[186] E ndryshojnë haptazi atë që thuhet në libër dhe thonë se ajo që kanë ndryshuar vetë ata është nga Allahu.

[187] Ky është krim më i madh se ai që thotë për Allahun diçka që nuk e di, edhe pse të thuash për Allahun diçka që nuk e di, është gjynah i madh, por gjynahu i këtyre është edhe më i madh, sepse ata e dinë të vërtetën dhe trillojnë gënjeshtër me vetëdije.

[188] Është e pamundur, absurde që një njeri, të cilit Allahu i ka dhënë Librin… Ky ajet ka zbritur si kundërpërgjigje ndaj atyre ithtarëve të Librit të cilët, kur Pejgamberi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) i urdhëroi të besonin se ai ishte i Dërguari i Allahut dhe t’i bindeshin atij, thanë: “A dëshiron, o Muhamed, që të adhurojmë ty bashkë me Allahun?”

[189] Dijen dhe kuptimin, gjykimin e drejtë.

[190] Më adhuroni mua në vend të Allahut.

[191] Edukues dhe drejtues të njerëzve me dije, kuptim dhe largpamësi, me qëllim të përmirësimit të çështjeve të tyre të kësaj bote dhe të botës tjetër.

[192] Kuranin dhe Sunetin e Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).

[193] Njeriu nuk i mëson të tjerët, veçse pasi të ketë mësuar vetë dhe të jetë thelluar në dije, pastaj, kur ua mëson atë të tjerëve, ajo dije zë rrënjë tek ai dhe forcohet.

[194] Që adhurohen në vend të Allahut apo bashkë me Allahun.

[195] Pasi t’i jeni nënshtruar Allahut me bindje e besim.

[196] O ithtarë të Librit!

[197] Zotimin dhe premtimin se do t’i binden Allahut për gjithçka që i urdhëron apo i ndalon.

[198] Kushdo prej të dërguarve, në mes të të cilëve edhe Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).

[199] Beson dhe vërteton të dërguarit dhe shpalljet e mëparshme të Allahut, sepse të gjithë pejgamberët besojnë dhe vërteteojnë njëri-tjetrin, sepse që të gjithë ata janë dërguar nga Allahu.

[200] Tek popujt tuaj dhe merruni besën atyre për këtë: se do ta besojnë dhe do ta ndjekin çdo të dërguar nga Allahu i cili vërteton atë që u ka ardhur atyre.

[201] Kundër popujve tuaj, me dëshminë se ju ua keni marrë besën atyre dhe ata e mësuan të vërtetën, kështu që për ta nuk ka justifikim.

[202] Kushdo që kthen shpinën dhe e shkel besën e dhënë, duke mos i besuar të dërguarit e Mi, të cilët vijnë si vërtetues të dërguarve që kanë qenë para tyre, as nuk i ndjek e nuk i përkrah ata.

[203] Që kanë dalë nga feja e Allahut dhe bindja ndaj Tij.

[204] O ithtarë të Librit! A mos kërkoni bindjen dhe nënshtrimin ndaj dikujt tjetër përveç bindjes dhe nënshtrimit ndaj Allahut.

[205] Me adhurim e bindje, pa i shoqëruar asgjë.

[206] Engjëjt dhe besimtarët, të cilët i binden Allahut dhe i nënshtrohen Atij me dëshirë, ashtu si i ka udhëzuar Ai.

[207] Të gjitha krijesat, madje edhe mosbesimtarët, sepse të gjithë i nënshtrohen ligjit dhe caktimit të vendosur nga Allahu, dhe nuk mund të dalin prej tij.

[208] Dhe Ai do të gjykojë mes tyre dhe do t’i shpërblejë sipas vendimit të Tij, i cili sillet mes mirësisë dhe drejtësisë.

84. Thuaj[209]: “Ne besojmë Allahun, atë që na është zbritur neve, atë që i është zbritur Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit, Esbatëve[210] dhe atë që i është dhënë Musait, Isait dhe të gjithë pejgamberëve nga Zoti i tyre. Ne nuk bëjmë asnjë dallim mes tyre, dhe ne vetëm Atij i nështrohemi.”[211]

85. Ndërsa kush kërkon fe tjetër përveç Islamit, atij nuk do t’i pranohet[212] dhe në botën tjetër ai do të jetë prej të humburve[213].

86. Si mund t’i udhëzojë Allahu ata njerëz, të cilët mohuan pas besimit të tyre dhe pasi dëshmuan se i Dërguari[214] është i vërtetë, dhe u kishin ardhur provat e qarta? Allahu nuk i udhëzon në rrugë të drejtë njerëzit e padrejtë.[215]

87. Shpërblimi i këtyre është që mbi ta të jetë mallkimi i Allahut, i engjëjve dhe i mbarë njerëzimit.

88. Përgjithmonë në të (dënim), pa ju lehtësuar dënimi aspak dhe pa ju dhënë afat[216].

89. Përveç atyre të cilët pas kësaj pendohen[217] dhe përmirësohen[218], padyshim se Allahu është Falës i madh, Mëshirëplotë.

90. Vërtet, ata të cilët mohojnë pas besimit të tyre, pastaj e shtojnë edhe më shumë mohimin[219], pendimi i tyre nuk do të pranohet[220] dhe pikërisht këta janë ata që kanë humbur (rrugën e drejtë).

91. Vërtet, ata që mohojnë[221] dhe vdesin duke qenë mosbesimtarë, askujt prej tyre nuk do t’i pranohet kompensim[222], edhe sikur (kompensimi) të ishte sa e tërë toka mbushur me ar. Ata do të kenë dënim të dhembshëm dhe nuk do të kenë asnjë ndihmues[223].

-61-

——————————————————–
[209] Nëse ata refuzojnë veçse të ndjekin fe tjetër nga ajo e Allahut, thuaju…

[210] Ata pasardhës të Jakubit (alejhi selam), të cilët kanë qenë pejgamberë.

[211] Ajet i njëjtë me këtë ka qenë ajeti nr. 136, i sures Bekare, prandaj kthehuni atje për më tepër komentim.

[212] Nga Allahu.

[213] Nuk kanë vend në mëshirën e Allahut, por ka humbur gjithçka dhe nuk mund të shpëtojë nga dënimi i zjarrit.

[214] Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).

[215] Sepse këta e njohën të vërtetën dhe ndoqën të pavërtetën, me vetëdije, dhe kjo është padrejtësia më e madhe.

[216] Për t’u justifikuar me ndonjë justifikim.

[217] Kthehen nga mosbesimi në besim.

[218] Përmirësojnë gjendjen e tyre me vepra të mira dhe në bindje ndaj Allahut.

[219] Duke mohuar profetësinë e Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).

[220] Nuk u pranohet pendimi nga gjynahet përderisa vazhdojnë të jenë në mohim e mosbesim, dhe dihet se kush mohon një prej të Dërguarve, i ka mohuar të gjithë të dërguarit e Allahut dhe ai është mohues i Allahut.

[221] Mohojnë profetësinë e Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), në veçanti dhe të gjitha llojet e mohimit në përgjithësi.

[222] Për të shpaguar dhe liruar veten nga dënimi i zjarrit.

[223] Asnjë të afërm, mik apo shok që ta ndihmojë dhe ta shpëtojë nga Allahu dhe dënimi i Tij, ashtu si e ndihmonin në dynja kundër dikujt që kërkonte ta dëmtonte.

92. Nuk keni për ta arritur devocionin[224], deri sa të jepni nga ajo që e doni[225]. Nuk ka gjë që jepni,[226] veçse Allahu e di mirë atë.[227]

-62-

—————————————————–

[224] Devotshmërinë dhe përkushtimin e vërtetë ndaj Allahut, bindjen e plotë ndaj Tij dhe të gjitha ato vepra të mira që e çojnë njeriun në xhenet.

[225] Nga pasuria më e mirë dhe më e dashur që zotëroni, apo kur zotëroni pak dhe megjithatë jepni për Hir të Allahut; gjë e cila do të thotë se ju i jepni përparësi kënaqësisë së Allahut mbi dëshirave tuaja, dhe për këtë fitoni shpërblimin e Allahut.

[226] Qoftë shumë apo pak, sipas mundësisë dhe qëllimit.

[227] Dhe ju shpërblen sipas qëllimit tuaj dhe dobisë që bën ajo që jepni.