Surja El Bekare

Xhuzi 2 (b)

 

203. Përmendni Allahun në ditët e caktuara[1], e kush ngutet në dy ditë, ai nuk ka gjynah, dhe as ai që vonohet[2], nuk ka gjynah, përderisa i frikësohet Allahut[3]. Pra, kini frikë Allahun[4] dhe dijeni se patjetër që tek Ai do të grumbulloheni.[5]

204. Ka prej njerëzve, fjala e të cilit në jetën e kësaj bote ty të pëlqen[6], madje ai thotë se ka dëshmitar Allahun për atë që ka në zemër, por në të vërtetë ai është kundërshtari më i egër.[7]

205. Ndërsa kur largohet nga ti, përpiqet të bëjë prishje në tokë[8] dhe të shkatërrojë të mbjellat dhe bagëtitë. Por Allahu nuk e do prishjen.

206. E, kur atij i thuhet: “Kije frikë Allahun!”, atë e rrëmben mendjemadhësia për kryerjen e gjynaheve. Mjafton xhehenemi (si dënim) për të, e nuk ka banesë më të keqe se ai!

207. Por ka edhe njerëz të cilët e shesin veten për të fituar kënaqësinë e Allahut[9], e Allahu është shumë i Mëshirshëm me robtë e vet.

208. O ju që keni besuar! Hyni në Islam tërësisht[10] dhe mos ndiqni rrugët e shejtanit[11], sepse vërtet që ai është armik i hapur për ju.[12]

209. E, nëse rrëshqisni[13], pasi ju kanë ardhur provat e qarta[14], atëherë dijeni se Allahu është i Plotfuqishëm[15], i Urtë[16].

210. Apo mos presin[17] që t’u vijë Allahu përmes hijeve të reve bashkë me engjëjt[18], dhe  të përfundojë gjithçka?![19] Tek Allahu kthehen të gjitha çështjet.[20]

 -32-


[1] Tri ditët e Teshrikut, pas ditës së Bajramit të Kurbanit, ditë gjatë të cilave haxhinjtë hedhin gurët në vendin e quajtur Xhemarat, në Mina dhe flenë atje. Këto ditë kanë të veçantën e tyre, për shkak se një pjesë e riteve të haxhit bëhen gjatë tyre, dhe për faktin se në këto ditë haxhinjtë janë miq të Allahut, ndaj edhe është ndaluar agjërimi i këtyre tre ditëve, siç ka thënë Pejgamberi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!): “Ditët e teshrikut janë ditë ngrënie dhe pirje, dhe përmendje e Allahut.” [Es Seadi].

[2] Dhe i plotëson të treja ditët.

[3] Kush i ruhet Allahut në çdo gjë, përfiton mosmarrjen gjynah në asgjë, dhe kush i ruhet Allahut në disa gjëra dhe në të tjera jo, e ka shpërblimin sipas veprës.

[4] Dhe mos i lini as mos i neglizhoni detyrimit që ju ka ngarkuar, as mos veproni ato që ju ka ndaluar.

[5] Dhe do të merrni shpërblimin sipas veprave tuaja, pa ju bërë aspak padrejtësi.

[6] Në pamje të parë dhe nga ana e jashtme, por në të vërtetë ai është hipokrit dhe armik.

[7] I cili polemizon me fjalë të pavërteta dhe të falsifikuara.

[8] Prishje materiale ose morale, duke vrarë e shkatërruar me dorën e tij ose duke bërë vepra të këqija dhe të ndaluara nga Allahu, gjë e cila shkakton prishje në tokë dhe pakësim të bereqetit.

[9] Këta janë ata të cilët e flijojnë veten e tyre në rrugë të Allahut për të arritur kënaqësinë e Allahut dhe shpërblimin e Tij, siç ka thënë Allahu: “Allahu ka blerë nga besimtarët jetën dhe pasuritë e tyre, në këmbim të xhenetit.”

[10] Të gjithë ju, me gjithçka që zotëroni, në të gjitha bazat e Islamit dhe degët e tij, në Islamin e tërësishëm.

[11] Duke vepruar në kundërshtim me urdhrin e Allahut.

[12] Dhe armiku i hapur e i përbetuar nuk urdhëron veçse për keq, për shthurje dhe për atë që ju dëmton.

[13] Nëse gaboni dhe devijoni nga e vërteta, duke e kundërshtuar Islamin dhe mësimet e tij…

[14] Muhamedi, Kurani, Islami.

[15] Në hakmarrjen dhe ndëshkimin e Tij.

[16] Në të gjitha çështjet e Tij.

[17] Ata të cilët përgënjeshtrojnë Muhamedin (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dhe fenë e tij, që bëjnë prishje në tokë, që ndjekin rrugët e shejtanit.

[18] Ky është një kërcënim i fortë dhe i ashpër, nga i cili zemrat dalin nga gjoksi. Allahu thotë: “A mos presin ata të cilët përgënjeshtrojnë Muhamedin dhe bëjnë prishje në tokë, që t’u vijë dita e shpërblimit për veprat e tyre, ditë në të cilën Allahu i palos qiejt dhe tokën, shpërndan planetet dhe yjet, rrumbullakos diellin dhe hënën së bashku, zbresin engjëjt dhe rrethojnë të gjitha krijesat, dhe zbret Krijuesi i Lartëmadhëruar “përmes hijeve të reve”, për të gjykuar mes robërve të Tij me gjykim të drejtë?” Ky ajet dhe të tjerë si ai, janë argument për rrugën e pasuesve të sunetit dhe xhematit, të cilët i pohojnë të gjitha atributet vullnetare të Allahut, siç është qëndrimi mbi Arsh, zbritja, ardhja, e të tjera cilësi të Allahut, për të cilat ka njoftuar Ai dhe i Dërguari i Tij (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!). Pasuesit e sunetit i pohojnë këto cilësi dhe atribute të Allahut ashtu si i përshtatet Madhështisë dhe Përsosmërisë së Tij, pa i krahasuar e ngjasuar me ato të krijesave dhe pa i devijuar nga domethënia e tyre, në kundërshtim me mohuesit dhe sakatuesit e tyre të rrymave të ndryshme, siç janë xhehmijet, mutezilitë, esharitë etj.    [Es Seadi].

[19] Ka përfunduar llogaria mes krijesave me drejtësi.

[20] Tek Allahu kthehet gjykimi mes krijesave në ditën e Kiametit.

 


 

211. Pyeti bijtë e Israilit: sa prova të qarta u kemi dhënë Ne atyre?[21] E kush e ndërron të mirën e Allahut[22] pasi t’i ketë ardhur atij, atëherë padyshim se Allahu është i rreptë në ndëshkim.

212. Jeta e kësaj bote u është zbukuruar[23] atyre që nuk besojnë, ndaj edhe tallen me ata të cilët kanë besuar. Por ata të cilët u ruajtën[24], do të jenë mbi ta në ditën e Kiametit[25]. Allahu furnizon[26] pa llogari kë të dojë.

213. Njerëzit kanë qenë një popull i vetëm[27] dhe më pas[28] Allahu dërgoi lajmëtarët (pejgamberët) si përgëzues[29] e paralajmërues[30], dhe bashkë me ta, Ai zbriti Librin[31] me të vërtetën[32], me qëllim që të gjykonte[33] mes njerëzve për gjërat që ata nuk pajtoheshin. E, nuk patën mospajtim në lidhje me të (Teuratin), veçse ata të cilëve ai iu dha[34], pasi që iu erdhën provat e qarta, nga zilia ndaj njëri-tjetrit[35]. Por Allahu, me vullnetin e Vet, ata të cilët besuan[36] i udhëzoi në njohjen e së vërtetës lidhur me atë që të tjerët kishin mospajtim[37]. Allahu udhëzon kë të dojë në rrugën e drejtë.[38]

214. Apo mos menduat[39] se do të hyni në xhenet pa u provuar edhe ju ashtu siç u provuan ata që kanë qenë para jush?[40] Ata i goditi skamja dhe sëmundja, dhe u tronditën[41] aq shumë, sa që i Dërguari dhe ata që besuan bashkë me të thanë: “Kur do të vijë ndihma e Allahut?” Ja, vërtetë që ndihma e Allahut është afër![42]

215. Të pyesin ty se çfarë të shpenzojnë[43]. Thuaju: “Çfarëdo të mire që të shpenzoni, ajo u takon prindërve, të afërmve, jetimëve, të varfërve dhe udhëtarëve. Çfarëdo të mire që të bëni, Allahu është më se i Ditur për të[44].”

 -33-


[21] Siç ka qenë shkopi i Musait dhe dora e tij, ndarja e detit, ngritja e malit mbi kokat e tyre, etj.

[22] Kush e ndërron të mirën e Allahut me mohimin dhe nuk falënderon për atë të mirë, qoftë ajo e mirë dynjaje apo fetare, ajo e mirë i ikën nga duart dhe i ndërrohet me të keqe dhe me dënim.

[23] Në sytë dhe zemrat e tyre. Janë joshur prej saj, ndaj edhe me të gjitha punët dhe dëshirat e tyre kanë për synim vetëm atë.

[24] U ruajtën në dynja, duke kryer urdhrat e Allahut dhe duke iu larguar ndalesave të Tij.

[25] Këta besimtarë të devotshëm që u ruajtën në dynja, do të hyjnë në xhenetet e larta, ndërsa ata që nuk besuan do të hyjnë në zjarrin e xhehenemit, në shtresat më të ulëta të tij, dhe kështu që besimtarët do të jenë shumë më lart se mosbesimtarët.

[26] Allahu i jep dhe i dhuron të mira kujt të dojë, në këtë botë dhe në botën tjetër, pa bërë llogari nga frika se mund të pakësohet diçka nga sundimi i Tij.

[27] Të bashkuar në një fe të vetme, në fenë e pastër të Allahut, në Islam. Thuhet se kjo ka zgjatur dhjetë shekuj; që nga koha e Ademit (alejhi selam) deri në kohën e Nuhut (alejhi selam), por për këtë nuk ka ndonjë argument të saktë.

[28] Por më pas ata devijuan dhe një pjesë prej tyre mohuan dhe u bënë mosbesimtarë, atëherë Allahu dërgoi pejgamberë që t’i këshillojnë dhe t’i paralajmërojnë ata.

[29] Përgëzues të atyre që i binden Allahut, se ata do të kenë shpërblim të madh në të dyja botët dhe kthim të nderuar në botën tjetër.

[30] Paralajmërues të atyre që e mohojnë Allahun dhe i shkelin urdhrat e Tij, se ata do të kenë ndëshkim të rreptë, llogari të vështirë dhe përjetësim në zjarr.

[31] Teuratin dhe librat e tjerë qiellorë, por këtu është për qëllim Teurati.

[32] Çdo gjë që thuhej në Librat qiellor, të cilët iu zbritën pejgambereve, kanë qenë njoftime të vërteta dhe urdhra të drejta.

[33] Gjykuesi këtu është Libri i zbritur nga Allahu, d.m.th. pejgamberët, që pas Musait e deri te Muhamedi, gjykonin sipas asaj që thuhej në Librin e Allahut, në Teurat.

[34] Çifutëve, jehudive prej bijve të Israilit.

[35] Për sende të kësaj bote, për zbukurimet dhe kënaqësitë e saj, për pushtet dhe pasuri. Për këto gjëra ata u grindën me njëri-tjetrin, u përçanë dhe vranë njëri-tjetrin.

[36] Prej popullit të Muhamedit.

[37] Të gjitha çështjet në të cilat ithtarët e Librit prej çifutëve dhe të krishterëve kishin mospajtim mes njëri-tjetrit dhe e anashkaluan të vërtetën dhe gabuan në to, Allahu udhëzoi popullin musliman në të vërtetën dhe të saktën e tyre, me vullnetin e Allahut, dijen dhe lehtësimin e Tij.

[38] Allahu e ka ftuar të gjithë njerëzimin në rrugën e drejtë, me drejtësi dhe për të mos u lënë justifikim atyre, dhe udhëzon atë që do, me mëshirën dhe mirësinë e Tij, me ndihmën dhe butësinë e Tij. Kjo është mirësia dhe mëshira e Tij, ndërsa e para është drejtësia dhe urtësia e Tij.

[39] O besimtarë.

[40] Prej besimtarëve dhe ndjekësve të pejgamberëve të Allahut.

[41] Nga frika prej armikut.

[42] Taberiu thotë: “Sipas fjalës së komentuesve të Kuranit, ky ajet ka zbritur në ditën e luftës së Hendekut, kur besimtarët i kapi frikë e madhe nga forcat aleate armike, uri dhe i ftohtë i madh. Ashtu siç përshkruhet gjendja e tyre në suren El Ahzab, 9-11.”

[43] Të pyesin ty, o Muhamed, shokët e tu: “Çfarë të shpenzojnë nga pasuria e tyre për t’a dhënë lëmoshë, dhe kujt t’ja japin atë?”

[44] Allahu e di mirë atë dhe ua regjistron me qëllim që t’ua shpërblejë sipas nijetit dhe sinqeritetit tuaj.


216.  Lufta u është bërë detyrim[45], ndonëse ajo është e urryer për ju[46]. Por ndodh që të urreni diçka, ndërkohë që ajo është e mirë për ju, dhe ndodh që të doni diçka, ndërkohë që ajo është e dëmshme për ju. Allahu e di[47], ndërsa ju nuk e dini.

217. Të pyesin ty për muajin e shenjtë[48]; për luftën në të. Thuaju: “Lufta në të është gjynah i madh, por pengimi i njerëzve nga rruga e Allahut[49], mohimi i Tij[50], pengimi nga Xhamia e Shenjtë dhe nxjerrja e banorëve të saj nga ajo, janë gjynahe më të mëdha tek Allahu. Provokimi[51] është më i madh se vrasja[52].” Ata do të vazhdojnë t’ju luftojnë ju, deri sa t’ju kthejnë nga feja juaj, në qoftë se munden. E, kushdo prej jush që kthehet nga feja e tij[53], pastaj vdes duke qenë mohues, atyre do t’u fshihen të gjitha punët[54], në këtë botë dhe në botën tjetër. Ata janë banorët e zjarrit, në të do të jenë përgjithmonë.

218. Vërtet, ata që besuan, ata që emigruan[55] dhe luftuan në rrugë të Allahut, ata shpresojnë mëshirën e Allahut.[56] Allahu është Falës i madh, Mëshirëplotë.

219. Të pyesin ty për alkoolin[57] dhe kumarin. Thuaju: “Në to ka gjynah të madh[58] dhe disa përfitime për njerëzit,[59] por gjynahu i tyre është më i madh se dobia që ato kanë.”[60] Të pyesin gjithashtu se çfarë të shpenzojnë (si lëmoshë). Thuaju: “Tepricën.[61]” Kështu ua sqaron Allahu provat, në mënyrë që të mendoni[62].

 -34-


[45] Lufta kundër idhujtarëve dhe mosbesimtarëve. Në këtë ajet kemi detyrueshmërinë e luftës në rrugë të Allahut, ndërkohë që në fillim të Islamit, muslimanët ishin urdhëruar të mos luftonin, për shkak të dobësisë së tyre dhe mospërballimit të saj. Kur Pejgamberi emigroi në Medine dhe muslimanët u shtuan e u forcuan, Allahu i urdhëroi ata që të luftonin në rrugën e Tij.

[46] Për shkak të përpjekjes, lodhjes, mundimit, ballafaqimit me vdekjen, etj, por megjithëkëtë, ajo është vetëm hajër dhe e mirë për muslimanët, sepse në të ka shpërblim të madh, ruajtje nga zjarri i dhembshëm, triumf kundër armiqve, ruajtje të vendeve të muslimanëve dhe të gjakut të tyre, përvetësim të plaçkës së luftës, etj.

[47] Se ç’është e mirë për ju dhe ç’është e dëmshme, ndaj mos e urreni atë që ju bëra të detyrueshme prej luftimit të armikut të tuaj dhe të atyre që ju kam urdhëruar të luftoni. Që të luftoni është më e mirë për ju në të dyja botët, ndërsa që të mos luftoni është e keqe dhe e dëmshme për ju në të dyja botët.

[48] Shokët pyesin Muhamedin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), për luftën në muajt e shenjtë,pikërisht për muajin Raxheb, pasi që në të ndodhi që një ekspeditë myslimane vrau një prej idhujtarëve: Amër ibën el Hadrami. Idhujtarët filluan të flasin kundër muslimanëve për shkak se bënë vrasje në muajt e shenjtë, muaj të cilët madhëroheshin edhe nga idhujtarët kurashit që para Islamit. Atëherë, Allahu zbriti këtë ajet, për t’u thënë idhujtarëve se veprat e tyre janë shumë më të shëmtuara dhe gjynahu i tyre shumë më i madh se vepra e muslimanëve për vrasjen e një idhujtari të vetëm, me të drejtë, në këtë muaj.

[49] Pengimi i njerëzve që të hyjnë në fenë Islame.

[50] Mohimi i Allahut, mosbesimi tek Ai.

[51] Provokimi i muslimanëve në fenë e tyre me qëllim që pas besimit të ktheheshin në mosbesim dhe në idhujtari.

[52] Më i madh se vrasja në këtë muaj.

[53] Kthehet nga Islami në mosbesim dhe në idhujtari.

[54] Do t’u fshihet shpërblimi dhe sevapi i punëve të mira.

[55] Lanë shtëpitë dhe pasuritë për të mos ndenjur mes idhujtarëve e mosbesimtarëve, dhe për të shkuar përbri besimtarëve, në kërkim të kënaqësisë së Allahut dhe pëlqimit të Tij.

[56] Këto tre vepra janë simboli i lumturisë dhe boshti i adhurimit të Allahut, por megjithatë, njeriu nuk duhet të mbështetet në to dhe të mburret me to, por duhet të shpresojë mëshirën e Allahut dhe pranimin e veprave të tij nga Allahu, faljen e gjynaheve të tij dhe mbulimin e të metave të tij, sepse çdo e mirë është prej Allahut dhe rezultat i suksesit që të jep Ai. [Es Seadi].

[57] Alkool është  çdo pije dehëse, që të humb logjikën dhe arsyen, pa marrë parasysh frutin apo lëndën nga përfitohet ai.

[58] Humbje të logjikës nga ai që pi alkool, kur dehet, gjë e cila e pengon nga njohja e Zotit të tij, ndaj Ibën Abasi thotë: “gjynah të madh” d.m.th. Dobësim të besimit të atij që i bën ato.” Ndërsa gjynahu i atij që luan kumar është preokupimi nga përmendja e Allahut dhe nga namazi, futja e urrejtjes dhe armiqësisë mes atyre që luajnë kumar, për shkak të kumarit., ngrënia e pasurive të njëri-tjetrit padrejtësisht. Ky cilësim “ka gjynah të madh” është e meta e parë me të cilën është cilësuar alkooli në Kuran, që të jetë në vend të parapërgatitjes për ndalimin e prerë dhe përfundimtar të tij, të përmendur në suren El Maide, 91.  

[59] Përfitimet e alkoolit ishin fitime materiale në shitjen e tij dhe ajo kënaqësi që ndjenin në pirjen e tij, ndërsa përfitimet e a kumarit ishin për atë që fitonte në lojën me të.

[60] Sepse alkooli dhe kumari shkaktojnë urrejtje, armiqësi dhe vrasje të njëri-tjetrit. Mendjes së shëndoshë do t’i mjaftonte ky ajet për t’ju larguar alkoolit dhe kumarit, pasi që mendja e shëndoshë zgjedh atë që është më e mirë për të dhe i largohet të dëmshmes përderisa e dëmshmja është dominuese mbi të dobishmen.

[61] Atë që ju tepron nga pasuria pas plotësimit të nevojave tua, atë që keni më lehtë, si për të pasurin edhe për të varfrin, qoftë edhe një gjysën hurme. Allahu e ka urdhëruar të Dërguarin e Tij që të marrë nga teprica e pasurisë së njerëzve si lëmoshë dhe zekat për ta dhe jo atë që i ngushton dhe e kanë të vështirë ta japin. Të gjitha këto, për të mirën tonë dhe të vëllezërve tanë, për lumturinë tonë në të dyja botët.

[62] Të përdorni logjikën tuaj në kuptimin e ligjeve të Tij dhe çfarë fshihet pas tyre, për të mirën dhe interesin tuaj, në këtë botë dhe në botën tjetër.


220. (Të mendoni) Për këtë botë[63] dhe për botën tjetër[64]. Të pyesin gjithashtu për jetimët. Thuaju: “Që të përkujdeseni për interesat e tyre[65], është më e mirë. Edhe nëse i përzieni gjërat me ta[66], ata janë vëllezërit tuaj. Allahu e di se kush është prishës dhe kush është ndreqës.[67] Dhe, sikur të donte Allahu, do t’ju kishte munduar[68]. Vërtet që Allahu është i Plotfuqishëm, i Urtë.[69]

221. Mos u martoni me idhujtaret, deri sa ato të besojnë[70]. Një robëreshë besimtare është më e mirë se një idhujtare, edhe sikur kjo e dyta t’ju pëlqejë[71]. As muslimanet mos i martoni me idhujtarë, deri sa ata të besojnë.[72] Një rob besimtar është më i mirë se një idhujtar, edhe sikur ky i dyti t’ju pëlqejë. Ata thërrasin për në zjarr[73], ndërsa Allahu, me vullnetin e Tij, thërret për në xhenet dhe falje gjynahesh[74], dhe ua sqaron provat[75] e Tij njerëzve, në mënyrë që të përkujtojnë[76].

222. Të pyesin ty për të përmuajshmet e grave[77]. Thuaju: “Ato janë të dëmshme[78], ndaj largojuni grave nga vendi i të përmuajshmeve[79] dhe mos iu afroni atyre[80] deri sa të pastrohen[81]. Kur të pastrohen[82], afrojuni atyre aty ku ju ka urdhëruar Allahu[83]. Vërtet, Allahu i do ata që pendohen dhe i do ata që pastrohen.

223. Gratë tuaja janë “arë”[84] për ju, ndaj afrojuni “arave” tuaja nga cila anë të dëshironi[85], por përgatitni për veten tuaj[86]. Dhe kijeni frikë Allahun dhe dijeni se ju keni për ta takuar Atë. E, përgëzoi besimtarët.

224. Mos e bëni betimin në Allahun pengesë për të bërë mirë, për t’u ruajtur (nga e keqja) dhe për të  pajtuar mes njerëzve.[87] Allahu është Gjithëdëgjues, i Gjithëditur.

 -35-


[63] Për kalimin dhe mbarimin e shpejtë të saj, dhe ta refuzoni atë, të mos mashtroheni nga jo.

[64] Për vazhdimësinë dhe përhershmërinë e saj, dhe se ajo është banesa e shpërblimit, ndaj punoni për të.

[65] Që të ruani pasurinë e tyre dhe ta kultivoni e investoni atë, është më e mirë për ta dhe ju keni shpërblim tek Allahu për këtë.

[66] Kur zbriti ajeti: “Ata të cilët hanë pasurinë e jetimëve padrejtësisht, nuk fusin veçse zjarr në barqet e tyre…”, muslimanët u rënduan nga kjo gjë dhe e ndanë pasurinë dhe sendet e jetimëve që kishin në shtëpi, nga pasuritë e tyre. Pastaj pyetën Pejgamberin (salallahu alejhi ue selem) për këtë vepër, dhe Allahu u tha atyre se është për qëllim përmirësimi i pasurive të tyre duke i ruajtur dhe duke i investuar ato që të shtohen, dhe se përzierja e ushqimit dhe pasurisë së jetimëve me atë të tyre, është e lejuar në atë mënyrë që nuk e dëmton jetimin, pasi që jetimët janë vëllezërit tuaj dhe vëllai e përzien pasurinë me vëllanë e vet. Por e gjitha çështja kthehet tek qëllimi dhe vepra. Nëse dikush ka për qëllim kultivimin e pasurisë së jetimit dhe nuk e lakmon atë, edhe nëse ndodh ndonjë gabim i paqëllimshëm, nuk ka problem për të. [Es Seadi].

[67] Se kush ka për qëllim të hajë pasurinë e jetimit padrejtësisht dhe kush ka për qëllim përkujdesjen për kultivimin e saj.

[68] Nuk do ua lejonte përzierjen e pasurive të jetimëve me tuajën, dhe do ta kishit të vështirë të kryenit detyrimet tuaja kundrejt pasurisë suaj dhe pasurisë së tyre, veç e veç.

[69] Fuqia e Allahut është e plotë dhe absolute, por megjithatë, Allahu e vepron atë në vendin e duhur, me urtësinë e Tij absolute, ndaj këto dy cilësi të Allahut përmenden të shoqëruara nga njëra-tjetra.

[70] Në një Zot të vetëm, të bëhen muslimane. Ky ajet është i përgjithshëm dhe i përfshin të gjitha gratë idhujtare dhe mosbesimtare, por nga ai janë përjashtuar gratë çifute dhe të krishtere, përjashtim i bërë nga ajeti 5, i sures El Maide.

[71] Për nga bukuria, fisi a pasuria.

[72] Ky ligj është i përgjithshëm dhe nga ai nuk ka asnjë përjashtim. Nuk i lejohet femrës muslimane të martohet veçse me musliman; as me idhujtar dhe as me çifut apo të krishter.

[73] Me fjalët e tyre, veprat dhe gjendjet e tyre. Prandaj, përzierja dhe qëndrimi me ta përbën rrezik për besimtarin, dhe jo vetëm rrezik që lidhet me dynjanë por rrezik që lidhet me jetën e përhershme.

[74] Allahu i thërret robët e Tij për arritjen e xhenetit dhe faljen e gjynaheve, duke kryer shkaqet e tyre, prej veprave të mira, pendimit të sinqertë, dijes së dobishme etj.

[75] Ligjet e Tij dhe urtësitë e këtyre ligjeve.

[76] Dhe të marrin mësim.

[77] Të pyesin ty, o Muhamed, shokët e tu: për gjendjen e gruas kur ajo është me të përmuajshme; si të sillen me to? A t’u afrohen atyre? A të flenë me to? A të hanë bashkë me to, apo t’u largohen atyre totalisht, ashtu si bëjnë çifutët?

[78] Kryerja e marrëdhënieve seksuale gjatë të përmuajshmeve është e dëmshme si për burrin edhe për gruan.

[79] Mos kryeni marrëdhënie seksuale me to në organin seksual të tyre, gjatë të përmuajshmeve, vetëm kjo është e ndaluar për ju gjatë kësaj periudhe, por hani, flini dhe luani me to dhe me trupin e tyre.

[80] Për të kryer marrëdhënie seksuale.

[81] T’u ndërpritet gjaku, dhe ky është kushti i parë për lejimin e të afruarit atyre pas të përmuajshmeve.

[82] Kur të lajnë të gjithë trupin, pas ndërprerjes së gjakut; dhe ky është kushti i dytë për lejimin e të afruarit atyre.

[83] Në organin seksual të tyre dhe jo në organin e jashtëqitjes nga mbrapa.

[84] Vend për të mbjellë farën tuaj, që të lindin fëmijët tuaj, njësoj si ara për mbjellje.

[85] Nga para, nga mbrapa, e në çdo lloj forme, por në vendin e mbjelljes nga del fëmija, dhe jo në organin e jashtëqitjes. Kryerja e marrëdhënieve në organin e jashtëqitjes është nga gjynahet e mëdha dhe ata njerëz që e bëjnë këtë janë mallkuar nga Pejgamberi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).

[86] Përgatitni vepra të mira për në ditën e kthimit tek Zoti juaj, që t’i keni për situatën e dhënies së llogarisë.

[87] Kush betohet për lënien e një detyrimi, ai duhet ta prishë betimin dhe ta shlyejë atë sipas rregullit. Po kështu, kush betohet për bërjen e të ndaluarës, ai duhet ta prishë betimin dhe ta shlyejë atë.


225. Allahu nuk ju merr në llogari për betimet tuaja të paqëllimshme[88], por ju merr në llogari për ato që zemrat tuaja i bëjnë me qëllim.[89] Allahu është Falës i madh[90], i Butë[91].

226. Ata që betohen se nuk do t’u afrohen grave të tyre, kanë afat katër muaj; nëse kthehen[92], atëherë padyshim se Allahu është Falës i madh, Mëshirëplotë.[93]

227. E nëse vendosin të bëjnë divorcin[94], padyshim se Allahu është Gjithëdëgjues, i Gjithëditur.[95]

228. Gratë e ndara duhet të rrinë në pritje tre cikle mujore[96], dhe atyre nuk u lejohet që ta fshehin atë që Allahu ka krijuar në mitrën e tyre[97], në qoftë se besojnë Allahun dhe Ditën e fundit.[98] Burrat e tyre kanë më shumë të drejtë[99]që t’i kthejnë ato gjatë kësaj periudhe, nëse dëshirojnë përmirësim[100]. Edhe ato kanë po aq të drejta sa edhe detyrime, sipas zakonit[101], por burrat kanë një gradë mbi ato[102]. Allahu është i Plotfuqishëm, i Urtë.

229. Divorci[103] mund të bëhet dy herë, dhe më pas, ose mbajtje normale[104] ose lëshim me të mirë[105]. Juve (burrave) nuk u lejohet të merrni asgjë nga ajo që u keni dhënë atyre[106], përveç nëse të dy ata frikësohen se nuk do t’u përmbahen kufijve të Allahut[107]. Nëse ata të dy frikësohen se nuk do t’u përmbahen kufijve të Allahut, atëherë nuk është gjynah për asnjërin, nëse gruaja paguan për lëshimin e saj[108]. Këto[109] janë kufijtë e Allahut, ndaj mos i kaloni ata, sepse ata që i kalojnë kufijtë e Allahut, pikërisht ata janë të padrejtët.

230. Nëse i bën përsëri divorc asaj[110], atëherë ajo nuk i lejohet më atij[111], vetëm nëse martohet me burrë tjetër, dhe nëse ai tjetri i bën divorc asaj,[112]atëherë nuk ka gjynah për ata të dy që të kthehen te njëri-tjetri, nëse mendojnë se do t’i respektojnë kufijtë e Allahut. Këto janë kufijtë[113] e Allahut, të cilat Ai ua sqaron njerëzve që dinë[114].

 -36-


[88] Që janë bërë shprehi të bisedave, por që nuk është për qëllim betimi.

[89] Për betimet e rrejshme dhe për betimet  që bëhen me vetëdije. Betimi është madhërim i atij për të cilin betohesh dhe përforcim i asaj gjëje për vërtetësinë e të cilës betohesh. Prandaj, nuk i lejohet muslimanit që të betohet veçse për Allahun e Madhëruar, dhe ai duhet të jetë i kujdesshëm në betimet e tij.

[90] Për atë që i kthehet Atij i penduar.

[91] Me atë që thyen urdhrin e Tij, sepse nuk e shpejton ndëshkimin e tij, por tregohet i butë dhe ia mbulon.

[92] Nga ajo për të cilën u betuan, d.m.th. kryejnë marrëdhënie me gratë e tyre.

[93] Sepse Allahu ka caktuar shlyerje të betimeve të tyre dhe zgjidhje të tyre, dhe nuk i ka bërë të patjetërsueshme që nuk mund të kthehesh prej tyre, si dhe është i Mëshirshëm me ta për shkak të kthimit të tyre dhe mëshirimit të grave të tyre.

[94] D.m.th. nëse nuk kryejnë marrëdhënie me gruan brenda afatit të përcaktuar me katër muaj, kjo do të thotë se ata kanë vendosur të bëjnë divorc, dhe nëse nuk e bëjnë ata, atëherë gjykatësi ka të drejtë që t’i devorcojë me forcë, sepse në këtë mënyrë i bëhet padrejtësi gruas.

[95] Përmendja e këtyre dy cilësive të Allahut, është kërcënim për atë që bën betim të tillë duke pasur për qëllim dëmtimin e gruas dhe bërjen keq asaj.

[96] Tre perioda ose tre pastrime nga periodat; sipas një mospajtimi në mesin e dijetarëve. Prej urtësive në përcaktimin e kësaj kohe të pritjes së gruas për martesë pas devorcit është sigurimi nëse është apo jo shtatzënë.

[97] Prej barrës ose periodave, sepse në fshehjen e këtyre ka pasoja të rënda. Nëse fsheh barrën, kjo do të thotë se do ia hedhë atë dikujt tjetër që nuk është babai i tij, dhe kështu përziehen gjakërat dhe ai fëmijë mund të martohet më pas me të afërmit e tij pa e ditur, si dhe do të humbë të drejtat e tij në trashëgiminë e të atit dhe do të ndahet nga të afërmit e vet. Ndërsa në fshehjen e periodave, ka shkelje të të drejtave të burrit në lidhje me të drejtën e tij për kthimin e saj në kurorën e martesës para mbarimit të afatit të pritjes, ose e kundërta e kësaj, duke bërë që burri ta kthejë atë pas mbarimit të afatit, pasi që në këtë rast ajo është bërë e huaj për atë burr.

[98] Fshehja e barrës apo e periodave nga ana e tyre, është argument se ata nuk besojnë Allahun dhe ditën e fundit.

[99] Më shumë të drejtë në kthimin e grave se sa gratë në moskthyerjen tek ata.

[100] Pajtim, qetësi dhe dashuri për njëri-tjetrin.

[101] Të vendit dhe kohës që ndodhen.

[102] Udhëheqjen dhe pushtetin, sepse këto u takojnë burrave.

[103] Në të cilin burri ka të drejtën e kthimit të gruas në kurorën e martesës.

[104] Të jetosh me gruan normalisht, me dashuri e mirësi ndaj saj.

[105] Pa e dëmtuar dhe pa i bërë padrejtësi gruas.

[106] Prej mehrit (prikës, dhuratës së martesës) dhe asgjë tjetër që u keni dhënë grave, nëse vendosni që t’i ndani përfundimisht ato.

[107] Detyrimeve ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj Allahut.

[108] Është fjala për ndarjen e quajtur “muhaleah”: nëse njëri nga bashkëshortët nuk e pëlqen bashkëshortin e tij për arsye fizike, morale apo fetare, dhe ka frikë se nuk i përmbahet detyrimeve në jetën me të, atëherë gruaja ka të drejtë që të bëjë marrëveshje me burrin e saj që t’i japë divorcin asaj kundrejt mehrit apo dhuratave që ai i ka dhënë asaj, dhe burrit i është lejuar që të marrë atë që i ka dhënë asaj në këtë rast.

[109] Të gjitha ligjet e përmendura në ajetet e mësipërme.

[110] Për herë të tretë.

[111] Për grua, por ndahet prej tij dhe ai nuk ka më të drejtë ta kthejë atë, vetëm nëse ajo martohet me një tjetër dhe ai tjetri e ndan atë, pastaj nëse dëshirojnë mund të martohen përsëri me akt të ri martese.

[112] Ibën Abasi thotë: “Nëse gruaja martohet me burrë tjetër pas ndarjes nga i pari, dhe hyn me të (kryejnë marrëdhënie), pastaj ky i dyti e ndan atë ose vdes, atëherë i lejohet burrit të parë që të martohet përsëri me të.”

[113] Ligjet e dispozitat, urdhrat e ndalesat e Allahut.

[114] Njerëzve të ditur dhe besimtarë, sepse këta përfitojnë prej tyre dhe u sjellin dobi edhe të tjerëve.


231. Kur t’i ndani gratë[115] dhe ato t’i afrohen fundit të afatit të tyre (të pritjes), ose mbajini sipas rregullit ose lëshojini sipas rregullit! Dhe mos i mbani ato me qëllim që t’i dëmtoni, duke i kaluar kufijtë[116], sepse kush e bën këtë, ai i ka bërë padrejtësi[117] vetvetes! Mos u tallni me Ajetet[118] e Allahut! Kujtoni mirësinë[119] e Allahut mbi ju dhe atë që Ai ju zbriti prej Librit (Kuranit) dhe Urtësisë[120], me të cilën ju këshillon. Kini frikë Allahun[121] dhe dijeni se Allahu është i Gjithëdijshëm për gjithçka.

232. Kur t’i ndani gratë[122] dhe afati i tyre i pritjes të ketë përfunduar, mos i pengoni[123] ato që të martohen përsëri me burrat e tyre, nëse merren vesh me njëri-tjetrin sipas rregullit.[124] Me këtë[125] këshillohet ai i cili beson Allahun dhe ditën e  fundit prej jush, dhe kjo[126] është më e mirë për ju[127] dhe më e pastër[128]. Allahu di, ndërsa ju nuk dini.[129]

233. Nënat[130] t’u japin gji fëmijëve të tyre[131] dy vjet të plota; ato që duan ta plotësojnë gjidhënien. Ndërsa babai i fëmijës ka për detyrë ushqimin dhe veshmbathjen e tyre sipas mundësisë. Askush nuk ngarkohet më tepër mundësive që ka. Asnjë nënë nuk duhet të dëmtohet për shkak të fëmijës së saj[132] dhe asnjë baba nuk duhet të dëmtohet për shkak të fëmijës së tij[133]. Po këto detyrime janë edhe për trashëgimtarin (e fëmijës jetim). Por, nëse pas konsultimit dhe me pëlqimin e të dyve, ata vendosin t’ia ndajnë gjirin fëmijës së tyre[134], nuk ka ndonjë gjynah për ta. Po ashtu, nuk është gjynah për ju nëse dëshironi t’i gjeni mëndeshë fëmijës suaj, përderisa i jepni asaj atë që i caktoni, sipas zakonit. Kini frikë Allahun dhe dijeni se Allahu është Gjithëshikues i gjithçkaje që ju veproni.

 -37-


[115] Me divorc të kthyeshëm, për herë të parë apo të dytë.

[116] Nuk i lejohet burrit që ta dëmtojë gruan e lëshuar duke e kthyer atë dy apo tre ditë para se t’i përfundojë periudha e pritjes pas divorcit të parë e të dytë, me qëllim që t’i zgjasë pritjen asaj, për ta lënduar e dëmtuar atë.

[117] Ka future veten në gjynah dhe ka bërë që të meritojë dënimin e Allahut.

[118] Mos luani me ligjet e dispozitat e Allahut në përgjithësi dhe ato që lidhen me divorcin në veçanti.

[119] Udhëzimin në Islam dhe të gjitha mirësitë e begatitë e Allahut.

[120] Të kuptuarit e fesë me sunetin e pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).

[121] Ruajuni dënimit të Tij me zbatimin e urdhrave të Tij dhe largimin nga ndalesat e Tij.

[122] Me divorc të kthyeshëm, për herë të parë apo të dytë.

[123] I drejtohet kujdestarëve të grave të lëshuara nga burri në divorcin e parë apo të dytë, kur ata nuk i kanë kthyer brenda afatit të pritjes.

[124] Me dëshirën e të dyve dhe me akt e mehër të ri martese. Kjo gjë lejohet pas divorcit të parë ose të dytë, ku burri ka pasur të drejtë ta kthejë gruan e tij në periudhën e pritjes së saj, por ai nuk e ka kthyer dhe afati ka mbaruar, atëherë ajo quhet e ndarë plotësisht nga ai, por në këtë rast i lejohet burrit që ta kërkojë përsëri për martesë ishgruan e tij, ndryshe nga divorci i tretë, pas të cilit nuk lejohet më martesa, vetëm nëse gruaja martohet me burrë tjetër dhe ai i lëshon atë sipas rregullit, ose vdes, atëherë mund të lidhë martesë të re me burrin e parë, siç e pamë më sipër.

[125] Mospengimin e vajzës për t’u martuar përsëri me burrin e saj pas divorcit.

[126] Që t’i lejoni të martohen me burrat e tyre.

[127] O kudestarë; prindër, vëllezër apo dikush tjetër.

[128] Për zemrat tuaja.

[129] Se çfarë është më e mira për to e për ju.

[130] Janë për qëllim nënat e ndara nga burri, të cilat kanë fëmijë në gji me burrin e ndarë.

[131] Kjo tergon se nënat kanë më shumë të drejtë në gjidhënie se sa ndonjë mëndeshë me qira, pas ndarjes nga burri.

[132] Nuk lejohet të dëmtohet nëna e fëmijës e devorcuar, nga babai i tij, duke e ndaluar atë nga gjidhënia ose duke mos shpenzuar për të atë që i takon.

[133] Nga nëna e fëmijës, duke u tërhequr nga dhënia gji fëmijës së tyre, ose duke kërkuar më shumë se ç’i takon, apo llojet të tjera dëmtimi.

[134] Pa u plotësuar dy vjet.


 

234. Bashkëshortet e lëna pas nga ata që vdesin prej jush, duhet të presin katër muaj e dhjetë ditë.[135] Pasi ta plotësojnë afatin e tyre, ju[136] nuk keni ndonjë gjynah për atë që ato bëjnë me veten e tyre sipas rregullave.[137] Allahu është i Gjithënjohur për çdo gjë që veproni.

235. Nuk është gjynah për ju nëse këtyre grave u jepni shenjë se do t’i kërkoni për martesë, ose e fshihni këtë gjë brenda vetes suaj.[138] Allahu e di se ju do t’ua përmendni atyre[139], por mos u premtoni atyre asgjë në fshehtësi[140], përveç nëse flisni fjalë të lejuara. Dhe mos vendosni lidhjen e martesës deri sa të përfundojë afati i caktuar[141]. Dijeni se Allahu e di çfarë fshihni në vetet tuaja, prandaj ruajuni prej Tij! Dhe dijeni se Allahu është Falës i madh, i Butë[142].

236. Nuk është gjynah për ju nëse i ndani gratë para se t’i prekni ato[143] ose para se të caktoni shumën që i detyroheni atyre[144], por jepuni atyre dhuratë të kënaqshme[145], i pasuri sipas gjendjes së tij dhe i varfëri sipas gjendjes së vet, sipas zakonit. Ky është detyrim për vepërmirët.[146]

237. E, nëse i ndani ato para se t’i prekni, dhe ua keni caktuar shumën e detyruar, atëherë atyre u takon gjysma e asaj që keni caktuar, përveç nëse ua falin ato ose ata që kanë në dorë lidhjen e martesës.[147] Por që të falni është më pranë devotshmërisë[148]. Mos harroni bamirësinë midis jush! Vërtet, Allahu është Gjithëshikues i gjithçkaje që ju veproni.

 -38-


[135] Kjo është periudha e pritjes dhe e zisë së gruas që i vdes burri, përveç nëse është shtatzënë, në këtë rast periudha e pritjes së saj është deri sa të lindë.

[136] Kujdestarët e gruas.

[137] Prej zbukurimit, vendosjes së parfumit, daljes nga shtëpia ku kaluan zinë, martesa sipas rregullave, etj.

[138] Grave që u ka vdekur burri dhe janë në kohën e zisë, nuk lejohet t’u kërkohet dora për martesa veçse pas mbarimit të zisë, por lejohet dhënia e shenjave nga të cilat mund të kuptohet se pas mbarimit të zisë, ju do t’i kërkoni për martesë sipas rregullit.

[139] Dëshirën tuaj për t’u martuar me to pas kalimit të afatit të pritjes.

[140] Për të bërë lidhje të paligjshme.

[141] I zisë dhe pritjes së tyre për martesë.

[142] I Duruar, që nuk ua shpejton ndëshkimin për gjynahet robërve të Tij.

[143] Të kryeni marrëdhënie intime me to.

[144] Është fjala për “mehrin”, dhuratën e detyrueshme që burri duhet t’i japë gruas për martesë. Mehri duhet të caktohet që në aktin e martesës, dhe në rast se ai nuk caktohet në aktin e martesës, atëherë bëhet i detyrueshëm sasia e mehrit të grave të ngjashme me këtë grua (për nga prejardhja, pasuria, bukuria, etj), sipas zakonit të njerëzve të një vendi të caktuar. Nëse dikush e bën aktin e martesës dhe nuk e cakton mehrin e gruas dhe as nuk ka hyrë me të, pastaj vendos ta ndajë atë, atij i lejohet kjo gjë, por duhet t’i japë asaj një dhuratë të kënaqshme, sipas mundësive. Por në rast se mehri është caktuar dhe ai nuk ka hyrë me to, por kërkon ta ndajë, atëherë gjysma e mehrit të caktuar i mbetet gruas ndërsa gjysma tjetër kthehet, siç e thotë ajeti në vijim.

[145] Për të kompensuar dëmin shpirtëror që u keni sjellë atyre.

[146] Vepërmirët janë ata të cilët i bëjnë mirë vetes së tyre me garim në bindje ndaj Allahut për kryerjen e atyre me të cilat Ai i ka ngarkuar.

[147] Sipas mendimit më të saktë, ata që kanë në dorë lidhjen e martesës janë burrat dhe jo kujdestari i gruas, sepse kujdestari nuk ka të drejtë të fal diçka që i takon asaj që ka nën kujdestari. Prej këtu, kuptimi i ajetit është se falja apo tërheqja nga gjysma e mehrit bëhet nga gruaja duke e kthyer edhe gjysmën e saj, ose nga burri duke ia lënë asaj edhe gjysmën e vet.

[148] Fjala i drejtohet të dy palëve, burrit dhe gruas që kanë lidhur aktin e martesës dhe janë ndarë para se të bëjnë hyrjen dhe pasi kanë caktuar mehrin, që secili prej tyre t’ia falë pjesën e tij tjetrit, me qëllim që të bëjë bamirësi për veten dhe të kënaqë sa do pak palën tjetër pas prishjes së zemrave të tyre me ndarjen.


 

238. Kryejini rregullisht namazet[149], sidomos namazin e mesëm[150] dhe qëndroni të përulur[151] para Allahut!

239. Nëse keni frikë[152], faluni duke ecur më këmbë ose kaluar, dhe kur të jeni të sigurt[153], përmendeni Allahun[154] ashtu si u ka mësuar atë që nuk e keni ditur!

240. Grave të lëna pas nga ata të cilët vdesin prej jush, u takon testament me mjetet e jetesës për një vit pa i nxjerrë nga shtëpia[155]. Por, nëse ato vetë dalin, ju (kujdestarët e tyre) nuk keni ndonjë gjynah për atë që veprojnë ato me vetet e tyre prej të lejuarave.[156] Allahu është i Plotfuqishëm[157], i Urtë[158].

241. Grave të ndara u takon dhuratë e kënaqshme[159], gjë e cila për të devotshmit është detyrim.

242. Kështu ua sqaron Allahun provat[160] e Tij, në mënyrë që të kuptoni[161].

243. A nuk i ke parë[162] ata të cilët dolën nga vendi i tyre nga frika e vdekjes, edhe pse ishin mijëra njerëz? Allahu u tha atyre: “Vdisni!” pastaj i ringjalli ata?[163]Vërtet që Allahu ka mirësi të mëdha mbi njerëzit, por shumica e njerëzve nuk falënderojnë.

244. Luftoni në rrugë të Allahut[164] dhe dijeni se Allahu është Gjithëdëgjues, i Gjithëditur.

245. Kush ështe ai që i jep Allahut një hua të mirë,[165] dhe Allahu t’ia kthejë shumëfish atë? E, Allahu është Ai që shtrëngon dhe liron (rizkun)[166], dhe tek Ai do të ktheheni.

 -39-


[149] Kryejini rregullisht namazet e detyrueshme në kohët e tyre, sipas rregullit të përcaktuar,  me bindje, përqendrim dhe përulje para Allahut të Madhëruar.

[150] Ka shumë mendime nga dijetarët në lidhje me namazin e mesëm se cili është ai, por mendimi më i saktë është se bëhet fjalë për namazin e ikindisë.

[151] Të nënshtruar, me devotshmëri dhe pa folur me njerëzit gjatë namazit.

[152] Nëse keni frikë nga armiku apo nga diçka tjetër të rrezikshme dhe nuk mund të faleni sipas rregullit, atëherë faluni duke ecur ose kaluar mbi kalë apo deve.

[153] Kur kalon frika nga armiku apo diçka tjetër.

[154] Në namaz dhe jashtë namazit, me falënderim e lavdërim për mirësitë që u ka dhënë prej udhëzimit në të vërtetën, e të gjitha mirësitë e Tij të panumërta.

[155] Ata që ndalohen t’i nxjerrin nga shtëpia janë trashëgimtarët e burrit. Disa dijetarë thonë se testamenti për gratë që u vdes burri duhet të lihet nga vetë burri kur ndodhet në shtratin e vdekjes, ndërsa të tjerë thonë se ky testament (jetesa dhe banesa në shtëpinë bashkëshortore për një vit) i takon gruas që i vdes burri në pasurinë që lë burri në çdo rast, lë apo nuk lë testament burri i saj, dhe kjo është më e sakta.

[156] Dhënies fund zisë për burrin, dhe lejimin e të zbukuruarit dhe pranimit të kërkesave për martesë të re. Shumica e dijetarëve të tefsirit janë të mendimit se ky ajet është abroguar (shfuqizuar) nga ajeti i mëparshëm me nr. 234, ku thuhet se gratë të cilave u vdes burri duhet të presin katër muaj e dhjetë ditë. Ndërsa të tjerë thonë se ky ajet vazhdon të jetë në fuqi dhe domethënia e tij është se periudha e pritjes prej një viti është e preferuar, ndërsa periudha e detyruar është katër muaj e dhjetë ditë, prandaj në vazhdim të ajetit thuhet : “por nëse ato vetë dalin” d.m.th. para plotësimit të vitit, nuk është gjynah për to dhe as për kujdestarët e tyre kjo gjë. Dhe, ky është një bashkim i mirë mes dy ajeteve, e Allahu e di më mirë.

[157] Në ndëshkimin e atyre që thyejnë urdhrat e Tij dhe shkelin ndalesat e Tij, prej burrave dhe grave.

[158] Në të gjitha gjykimet dhe vendimet e Tij.

[159] Të holla, veshmbathje, apo dhuratë tjetër prej pasurisë së burrit, me të cilën ajo kënaqet dhe ngushëllon disi veten e saj pas ndarjes. Mendimi më i saktë i dijetarëve është se kjo dhuratë i takon të gjitha grave që ndahen nga burri i tyre, por ajo është e detyrueshme për gratë e ndara para hyrjes me to, siç e pamë në ajetin nr. 236, dhe e preferuar për të gjitha gratë e tjera që ndahen nga burri i tyre.

[160] Kufitjë e Tij, hallallin dhe haramin.

[161] Që t’i kuptoni ligjet e Tij, t’i njihni ato dhe qëllimin prej tyre, dhe ai që i njeh këto, e ka detyrim të veprojë sipas tyre.

[162] A nuk ke dëgjuar, apo a nuk ke dijeni. Këtu është për qëllimi shikimi i zemrës dhe jo i syve.

[163] Taberiu, në tefsirin e këtij ajeti, përmend se këtu bëhet fjalë për historinë e banorëve të një vendi hebrenjsh, të cilët braktisën shtëpitë e tyre nga frika e vdekjes prej epidemisë së përhapur apo prej luftës, duke menduar se me ikjen e tyre në një vend tjetër do të shpëtonin nga vdekja, por në rrugë e sipër ata i zuri vdekja e caktuar për ta. Aty pranë kaloi një prej pejgamberëve të Allahut dhe iu lut Allahut që t’i ringjallte ata dhe Allahu i ringjalli.

[164] Luftoni armiqtë mosbesimtarë për të ngritur lart Fjalën e Allahut dhe për të ndihmuar fenë e Tij, me sinqeritet dhe vetëm për të arritur kënaqësinë e Allahut.

[165] Shpenzon sipas mundësisë në rrugë të hajrit, e veçanërisht për shpenzimet e xhihadit. “Hua të mirë” d.m.th. nga pasuria e pastër dhe e lejuar me të cilën kërkohet të arrihet kënaqësia e Allahut të Madhëruar, duke e shpenzuar atë në rrugë të hajrit, dhe askush që ka logjikë nuk thotë se Allahu ka nevojë për hua nga njerëzit, sepse çdo gjë që ekziston është pronë e Allahut, edhe vetë njeriu, por Allahu urdhëron që një pjesë e pasurisë që na jep, ta shpenzojmë në rrugët e hajrit, për ata që janë në nevojë, dhe Allahu na shpërblen shumëfish atë, në këtë botë dhe në botën tjetër.

[166] Në dorë të Allahut është shtrëngimi i rizkut të robërve të Tij dhe lëshimi i tij me bollëk, i jep kujt të dojë dhe i ndalon kujt të dojë. Ai është i Vetmi Furnizues i krijesave të Tij dhe askush tjetër.


 

246. A nuk e ke parë[167] ti (o Muhamed) parinë e bijve të Israilit (Jakubit), pas Musait, kur ata i thanë një pejgamberi[168] të tyre: “Na dërgo (emëro) një mbret, që të luftojmë në rrugë të Allahut!”[169] Ai (pejgamberi) u tha: “Po sikur lufta t’ju bëhet detyrim dhe ju të mos luftoni?” Ata thanë: “E përse të mos luftojnë në rrugë të Allahut, përderisa jemi dëbuar nga atdheu ynë dhe nga fëmijët tanë?!” Mirëpo, kur lufta iu bë detyrim atyre, ata i kthyen shpinën[170], me përjashtim të një pakice. E, Allahu di gjithçka për të padrejtët.

247. Pejgamberi i tyre u tha: “Allahu ka dërguar Talutin[171] mbret për ju.” Ata thanë: “Si mund të ketë ai pushtet mbi ne, ndërkohë që ne na takon pushteti më shumë se atij, madje atij as nuk i është dhënë pasuri e madhe!”[172] Ai (pejgamberi) u tha: “Allahu e ka zgjedhur atë mbi ju dhe i ka dhuruar atij begati në dije e në trup. Allahu ia jep pushtetin e Vet kujt të dojë.[173] Allahu është Mirëbërës i madh[174], i Gjithëdijshëm[175].”

248. Pejgamberi u tha atyre: “Shenja e sundimit të tij është ardhja e arkës[176] e mbartur nga engjëjt[177], në të cilën ka qetësi[178] nga Zoti juaj dhe diçka e mbetur nga ajo që ka lënë pas familja e Musait dhe familja e Harunit.[179] Vërtet që këtu ka provë të qartë për ju[180], nëse jeni besimtarë.”

 -40-


[167] Me syrin e zemrës, d.m.th. “A nuk e di?”, “A nuk e ke marrë vesh?”

[168] Taberiu përmend se disa dijetarë thonë se ai pejgamber ishte Shamuel ibën Bali, ndërsa të tjerë thonë se ai ishte Jushea ibën Nun.

[169] Në atë kohë, bijtë e Israilit ishin të përçarë dhe nuk kishin një mbret të përbashkët që t’i udhëhiqte e t’i bashkonte për të luftuar armiqtë e tyre të cilët i kishin dëbuar nga atdheu, kështu që i kërkuan pejgamberit të tyre në atë kohë, që t’u emëronte një mbret me pëlqimin e të gjitha palëve. Në thënie të sakta të pejgamberit tonë, Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) thuhet se bijtë e Israilit udhëhiqeshin nga pejgamberët; sa herë që vdiste një pejgamber, atë e zëvendësonte një pejgamber tjetër.

[170] Nga frika dhe zhburrëria, duke thyer besën që i kishin dhënë pejgamberit të tyre, madje atë që vetë e kishin kërkuar.

[171] Taluti ishte nga nipat e Beniaminit, birit të Jakubit, të cilët nuk kishin pasur më parë pushtet dhe asnjë pejgamber nuk ishte dërguar prej tyre.

[172] Kjo tregon edhe një herë arrogancën dhe kryeneçësinë e çifutëve, të cilët në vend që t’i bindeshin urdhërit të Allahut dhe ta pranonin me kënaqësi atë, kundërshtuan dhe filluan të diskutojnë sipas peshores së tyre të prishur, duke i matur gjërat me mendjen e tyre të mangët.

[173] I gjithë sundimi dhe pushteti është në dorë të Allahut dhe Ai i jep kujt të dojë pushtet si dhe ia merr atë kujt të dojë, ndaj ju, o paria e bijve të Israilit, mos e kundërshtoni urdhrin e Allahut në dërgimin e Talutit si mbretin tuaj, edhe pse ai nuk është nga familja pushtetare, sepse pushteti nuk është trashëgimi nga të parët, por ai është në dorë të Allahut dhe Allahu ia jep atë kujt të dojë.

[174] Me mirësinë e Tij, duke ia dhënë atë kujt të dojë dhe duke ia shtuar atë kujt të dojë.

[175] Ai e di mirë se kush është i aftë për bartjen e pushtetit dhe të mirësisë që jep Ai.

[176] Është fjala për një arkë të cilën bijtë e Israilit e bartnin me vete dhe sa herë që përballeshin me ndonjë armik, e nxirrnin arkën përpara dhe vetë zvarriteshin pas saj, dhe askush nuk u bënte ball me atë arkë, por gjithnjë triumfonin, deri sa thyen urdhrat e Allahut dhe kundërshtuan pejgamberët e Tij, atëherë Allahu ua mori atë arkë herë pas here, dhe ia kthente përsëri. Por herën e fundit nuk ua ktheu më dhe as nuk ka për t’ua kthyer më kurrë.

[177] Engjëjt e mbartën arkën dhe e vendosën në shtëpinë e Talutit, i cili ndërkohë ishte në këmbë në mes të bijve të Israilit.

[178] Qetësi për zemrat dhe prehje për shpirtin.

[179] Shkopi i Musait, copat e pllakave të Musait, Teurati ose një pjesë e tij, e gjëra të tjera që mund të ketë pasur në atë arkë.

[180] Për vërtetësinë e asaj që u tha pejgamberi, se Allahu kishte caktuar Talutin mbret të tyre.


  

249. Kur Taluti u nis për luftë bashkë me ushtarët[181], u tha atyre: “Allahu do t’ju sprovojë me një lumë. Kush pi nga ai, nuk është prej meje[182], ndërsa kush nuk pi nga ai përveç një grushti me dorën e vet[183], ai është prej meje.” Por që të gjithë ata pinë nga ai, përveç një pakice prej tyre. Dhe pasi ai e kaloi atë (lumin) bashkë me ata që besuan, shumë prej tyre[184] thanë: “Ne sot nuk kemi fuqi të luftojmë me Xhalutin dhe ushtarët e tij.” Por ata që ishin të bindur se do të takoheshin me Allahun[185], thanë: “Sa ushtri të vogla kanë ngadhënjyer mbi ushtri të mëdha me lejen e Allahut! E, Allahu është me të durueshmit[186].”

250. Kur u përballën me Xhalutin dhe ushtrinë e tij, thanë: “Zoti ynë! Na jep durim, na i ngul këmbët[187] dhe na ndihmo kundër këtij populli mosbesimtar!”

251. Dhe ata i thyen armiqtë me lejen e Allahut dhe Daudi[188] vrau Xhalutin. Më pas, Allahu i dha atij (Daudit) pushtetin dhe urtësinë[189], dhe i mësoi ato që deshi[190]. Sikur Allahu të mos i pengonte disa njerëz me të tjerë[191], toka do të ishte shkatërruar, por Allahu ka mirësi të madhe ndaj krijesave.[192]

252. Këto[193] janë provat e Allahut, të cilat t’i lexojmë ty me të vërtetën[194], dhe padyshim se ti (Muhamed) je prej të Dërguarve[195].

-41-


[181] Numri i ushtrisë ishte shumë i madh, sa që nuk kishte mbetur pa iu bashkuar ushtrisë së tij veçse pleqtë, fëmijët dhe gratë.

[182] Nuk është prej ndjekësve dhe ushtarëve të mi të bindur, dhe as prej atyre që besojnë Allahun dhe takimin me Të.

[183] Kush pinte një grusht ujë me dorën e vet, atij i shuhej etja dhe ngopej, ndërsa kush pinte më shumë, vazhdonte gjithnjë të ishte i etur. Allahu i sprovon robët e Vet me çfarë të dojë, dhe përgëzimi është për të qëndrueshmit dhe të durueshmit.

[184] Ata që ishin të luhatur dhe të pavendosur në besim.

[185] Besimtarët e vendosur dhe të bindur plotësisht ndaj urdhrave të Allahut, duke shpresuar takimin me Të dhe shpërblimin e Tij.

[186] I ndihmon, i jep sukses dhe ngadhënjim atyre.

[187] Që të mos dezertojmë nga lufta.

[188] Pejgamberi Daud (alejhi selam), i cili ishte në mesin e ushtrisë së Talutit, e vrau mbretin e mosbesimtarëve, Xhalutin, me dorën e tij, për trimërinë, fuqinë dhe durimin që i kishte dhuruar Allahu.

[189] Pejgamberllëkun.

[190] I mësoi ligjet e fesë dhe të politikës, duke bashkuar tek ai mes pejgamberllëkut dhe pushtetit. Po kështu, Allahu i mësoi Daudit bërjen e mburojave prej hekuri, llogarinë, etj.

[191] Sikur Allahu të mos i ndihmonte njerëzit e mirë e besimtarë që luftojnë në rrugë të Allahut kundër njerëzve të këqinj e mosbesimtarë, toka do të shkatërrohej bashkë me çfarë ka në të, për shkak të mbizotërimit të mosbesimtarëve dhe shfaqjen e mosbesimit në tokë. Po kështu, sikur Allahu të mos i pengonte ata që bëjnë shkatërrime në tokë, duke nxitur armiqtë e tyre që t’i luftojnë ata, qofshin prej besimtarëve apo edhe prej mosbesimtarëve, atëherë toka me çfarë ka në të do të shkatërrohej e do të prishej, dhe mbi njerëzit e saj do të zbriste dënimi i Allahut.

[192] Allahu i mbron njerëzit nga kurthet e atyre që kërkojnë të bëjnë shkatërrime në tokë, ndaj edhe ka ligjëruar xhihadin në ngritjen e të cilit ka lumturi, asgjësim të armikut dhe siguri në tokë.

[193] Të gjitha këto histori reale që u treguan më sipër dhe të gjitha ato që tregohen në Kuran.

[194] Të gjitha këto histori janë të vërteta dhe Allahu ia tregon ato pejgamberit të tij analfabet, Muhamedit, ashtu si kanë qenë në realitet, pa shtesa e trillime, me qëllim që këto të jenë prova dhe argumente të prera nga Allahu për profetësinë e Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), të cilin ithtarët e Librave të mëparshëm e mohonin si pejgamber.

[195] Kjo është një dëshmi e prerë nga Allahu i Madhëruar për profetësinë e Muhamedit, dhe se ai është vazhdim i vargut të pejgamberëve të dërguar nga Allahu për udhëzimin e njerëzimit, dhe i fundit i tyre me të cilin ky varg është vulosur.


Kthehu te Xhuzi 2a                 |              Vazhdo te Xhuzi 3a