Surja El Bekare

Xhuzi 2 (a)

142. Disa njerëz mendjelehtë[1] do të thonë: “Çfarë i shtyu ata që të ndryshojnë drejtimin[2] nga i cili ktheheshin më parë?” Thuaju: “Të Allahut janë edhe lindja edhe perëndimi. Ai udhëzon kë të dojë në rrugën e drejtë[3].”

143. Po kështu[4], Ne ju kemi bërë një popull të mesëm[5] (të drejtë) me qëllim që të jeni dëshmitarë përmbi njerëzit dhe i Dërguari të jetë dëshmitar përmbi ju.[6] Ne nuk e kishim caktuar atë drejtim[7] nga i cili ktheheshe, veçse për të ditur[8] se kush e ndjek të Dërguarin (Muhamedin) dhe kush kthehet mbrapa[9], dhe ndonëse kjo ishte gjë e madhe, por jo edhe për ata të cilët Allahu i ka udhëzuar. Megjithatë, Allahu nuk ua humb kurrë besimin[10] tuaj. Vërtet që Allahu është Përdëllimtar[11] me njerëzit, Mëshirëplotë.

144. Sigurisht që Ne e shohim kthimin e fytyrës tënde nga qielli[12], kështu që do të kthejmë ty nga ai drejtim që të kënaq. Ktheje pra fytyrën tënde në drejtim të Xhamisë së Shenjtë (Kabes), dhe kudo që të ndodheni[13], ktheni fytyrat tuaja në drejtim të saj (Kabes)! Padyshim se ata të cilëve u është dhënë Libri[14], e dinë se kjo[15] është e vërteta[16] nga Zoti i tyre. Allahu nuk është i pavëmendshëm nga ajo që ata veprojnë.

145. Edhe sikur t’u sillje të gjitha provat atyre që u është dhënë Libri, përsëri ata nuk do të ndiqnin Kiblën tënde. As ti nuk ke për të ndjekur kiblën e tyre dhe as ata nuk kanë për të ndjekur kiblën e njëri-tjetrit[17]. E nëse ti, pas asaj dije që të ka ardhur (nga Allahu), do të ndiqje dëshirat e tyre, atëherë padyshim që do të ishe prej të padrejtëve.

 -22-


[1] Çifutët dhe hipokritët. Allahu i ka quajtur ata mendjelehtë për shkak se e zhvlerësuan të vërtetën dhe bënë sikur nuk e njihnin atë, vetëm e vetëm që të mos ndiqnin Muhamedin, i cili ishte prej arabëve dhe jo prej Beni Israilëve. Ndërsa hipokritët ishin në pështjellim kështu që u bënë tarallakë. [Tabariu]

[2] Drejtimin gjatë kryerjes së faljes. Shkaku i kësaj thënie të çifutëve ishte se Pejgamberi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), në fillim të çështjes falej në drejtim të Kudsit në Jeruzalem, deri rreth një vit e gjysëm pas emigrimit në Medine, për urtësi nga të cilat Allahu do të përmendë disa në ajetet në vijim, pastaj u urdhërua që të kthehej në drejtim të Kabes në Mekë.

[3] Megjithëse sundimi i të gjitha drejtimeve është i Allahut, Ai udhëzon kë të dojë në rrugën e drejtë, prej të cilës është edhe udhëzimi i të kthyerit gjatë faljes nga Kibla e babait tonë, Ibrahimit, ndërsa çifutët, hipokritët dhe të gjithë politeistët nuk u udhëzuan në atë që u udhëzuam ne.

[4] Siç ju udhëzuam në rrugën e drejtë dhe  ju veçuam në të drejtuarit nga Kibla e Ibrahimit.

[5] Të drejtë në gjykim, ndaj ju zgjodhëm dëshmitarë dhe të mesëm në të gjitha çështjet e fesë; pa e tepruar dhe i tejkaluar kufijtë ashtu si të krishterët me murgjërinë dhe fjalën për Isain (alejhi selam), dhe as neglizhues si çifutët, të cilët ndryshuan librin e Allahut, vranë të dërguarit e Tij dhe shpikën gënjeshtër për Zotin e tyre.

[6] Të dëshmoni kundër popujve të mëparshëm me dëshminë se të gjithë të Dërguarit e Allahut tek ata, e kanë përcjellë dhe komunikuar mesazhin e Zotit, dhe i Dërguari i Allahut, Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) do të dëshmojë përmbi ju, se ua komunikoi shpalljen dhe do të dëshmojë për besimin tuaj në të dhe në atë me të cilën ai ka ardhur nga Allahu.

[7] Kudsi në Jeruzalem.

[8] Për ta ditur i Dërguari Im dhe besimtarët, të dashurit e Mi, partia Ime. Ndërsa Allahu e di gjithçka në hollësi me dije absolute, që para se të krijonte qiejt dhe tokën.

[9] Kthehet në mosbesim, bëhet hipokrit, ose kundërshton Muhamedin (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).

[10] Namazin që keni kryer në drejtim të Kudsit.

[11] Përdëllimi nga Allahu është nga llojet e mëshirës së Tij, dhe ai është i përgjithshëm për të gjitha krijesat në dynja dhe për disa prej tyre në botën tjetër. Ndërsa “Mëshirëplotë” është mëshira e posaçme për besimtarët në këtë botë dhe në botën tjetër.

[12] Në pritje të urdhrit për të ndryshuar drejtimin gjatë faljes nga Meka, gjë të cilën ai e donte aq shumë.

[13] O besimtarë!

[14] Rabinët çifutë dhe dijetarët e krishterë.

[15] Drejtimi nga ana e Kabes në namaz.

[16] E vërteta të cilën Allahu ia urdhëroi Ibrahimit dhe të gjithë robërve të Tij më pas.

[17] As çifutët nuk do të kthehen nga kibla e të krishterëve dhe as të krishterët nga kibla e çifutëve.


 

146. Ata, të cilëve u kemi dhënë Librin, e njohin atë[18] ashtu si njohin bijtë e tyre, por një grup prej tyre e fsheh të vërtetën me vetëdije.

147. E vërteta është ajo (që të vjen) nga Zoti yt, ndaj mos u bëj prej atyre që dyshojnë[19]!

148. Çdo milet ka drejtimin e vet nga i cili kthehet[20], (ndërsa ju drejtimin tuaj të vërtetë), pra garoni në vepra të mira[21]. Kudo që të gjendeni[22], Allahu ka për t’ju mbledhur të gjithëve[23]. Allahu është i Gjithëfuqishëm për çdo gjë.

149. Ngado që të dalësh[24], ktheje fytyrën[25] nga Xhamia e Shenjtë (Kabja). Kjo është e vërteta nga Zoti yt. Allahu nuk është i pavëmendshëm nga ajo që ju veproni.

150. Ngado që të dalësh, ktheje fytyrën nga Xhamia e Shenjtë, dhe kudo që të gjendeni[26], ktheni fytyrat nga ajo (Xhamia e Shenjtë, Kabja), që njerëzit[27] të mos kenë asnjë provë[28] kundër jush, përveç atyre që kanë bërë padrejtësi[29]. Por ju mos iu frikësoni atyre[30], por m’u frikësoni Mua. Dhe kështu[31], Unë plotësoj Mirësinë Time ndaj jush[32], që ju të udhëzoheni drejt.

151. Ashtu si[33] dhe kemi dërguar tek ju[34] një të dërguar[35] nga mesi juaj, i cili iu lexon ajetet[36] Tona, iu pastron[37] dhe iu mëson Librin (Kuranin) dhe Urtësinë[38], si dhe iu mëson atë që nuk e dinit më parë.

152. Pra, më kujtoni Mua që edhe Unë t’ju kujtoj, dhe më falënderoni e mos mohoni[39].

153. O ju që keni besuar[40]! Kërkoni ndihmë[41] me durimin dhe namazin[42]. Vërtet që Allahu është me të duruarit.

 -23-


[18] Të vërtetën në lidhje me Kiblen, Muhamedin dhe atë me të cilën ai ka ardhur nga Allahu.

[19] Mos u bëj prej atyre të cilët dyshojnë që Kibla nga e cila të kam urdhëruar të kthehesh, të jetë Kibla e Ibrahimit dhe e tjerëve pejgamberë përveç tij. Me këtë ajet janë për qëllim shokët e Muhamedit dhe ndjekësit e tij, jo vetë Pejgamberi, pasi që ai nuk kishte pikë dyshimi se kjo ishte e vërteta nga Allahu. [Taberiu]

[20] Çdo popull që ndjek një fe të caktuar, ka drejtimin e vet nga i cili kthehet gjatë kryerjes së riteve fetare, ndërsa ju, o besimtarë keni drejtimin e vërtetë tek i cili ju ka udhëzuar Zoti juaj dhe nuk i ka udhëzuar të tjerët tek ai drejtim dhe tek ajo Kible, kështu që falënderoni Zotin tuaj dhe garoni në vepra të mira që Ai urdhëron.

[21] Falënderoni Allahun dhe bindjuni Atij, për atë se ju ka udhëzuar në të vërtetën dhe më të mirën.

[22] Kudo që të keni vdekur.

[23] Në ditën e Kiametit.

[24] Në çdo vend që të udhëtosh.

[25] Gjatë kryerjes së faljes.

[26] O besimtarë!

[27] Ithtarët e Librit: çifutët dhe të krishterët.

[28] Provë, d.m.th. vend për t’u kapur dhe për të bërë polemikë, duke thënë: “Muhamedi dhe shokët e tij nuk dinin nga të drejtoheshin në faljen e tyre dhe ishim ne ata që i udhëzuam në kiblen tonë.” Fjalë me të cilën ata mbuloheshin dhe maskoheshin tek njerëzit injorantë dhe mendjelehtë prej idhujtarëve.

[29] Janë për qëllim idhujtarët kurashit, të cilët thonin: “Muhamedi u kthye tek Kibla jonë, kështu që ka për t’u kthyer edhe te feja jonë.” Prova e tyre ishte në faktin se ai (Muhamedi) u kthye nga ajo Kible nga e cila ktheheshin edhe ata, por sigurisht që pretendimi i tyre ishte i pavërtetë dhe shpresa e tyre ishte boshe.

[30] Mos iu frikësoni idhujtarëve dhe mos mendoni se ata mund t’ju dëmtojnë në fenë tuaj apo t’ju kthejnë nga feja në të cilën ju udhëzoi Allahu, por qëndroni me vendosmëri në atë Kible që ju urdhërova dhe m’u bindni vetëm Mua.

[31] Duke ju udhëzuar që të merrni për Kible Shtëpinë e Shenjtë, Kaben.

[32] Plotësoj ligjet e fesë suaj të pastër Islame, për të cilën kam porositur Nuhun, Ibrahimin, Musën, Isën dhe të gjithë pejgamberët e tjerë. Kjo është mirësia që Allahu njofton se e ka plotësuar ndaj Muhamedit dhe besimtarëve ndjekës të tij. 

[33] Prej mirësisë Sime ndaj jush është gjithashtu se kemi dërguar tej ju një të dërguar.

[34] Janë për qëllim arabët.

[35] Muhamedin (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).

[36] Ajetet e Kuranit dhe provat e tij.

[37] Nga ndotësitë e gjynaheve.

[38] Të kuptuarit e fesë me sunetin e pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).

[39] Mirësinë time ndaj jush duke mbuluar të vërtetën, përndryshe ua heq atë mirësi.

[40]Që keni besuar Allahun, të Dërguarin e Tij dhe ç’ka ardhur prej Tij.

[41] Për përmbushjen e bindjes ndaj Allahut.

[42] Durimi dhe namazi janë ndihmues për bindjen ndaj Allahut.


 

 154. E për ata që vriten në rrugën e Allahut, mos thoni se janë të vdekur! Përkundrazi, ata janë të gjallë[43], por ju nuk e ndjeni.

155. Patjetër që Ne do t’ju sprovojmë me diçka[44] prej frikës[45], urisë[46], pakësimit të pasurisë, humbjes së jetës[47] dhe pakësimit të të lashtave. Dhe përgëzoji të duruarit.

156. Ata të cilët, kur i godet ndonjë fatkeqësi[48] thonë: “Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi!”[49]

157. Të tillët kanë bekime[50] dhe mëshirë nga Zoti i tyre, dhe të tillët janë të udhëzuarit drejtë.

158. Me të vërtetë që Safa dhe Merva[51] janë prej Simboleve[52] të Allahut, ndaj ai i cili bën Pelegrinazh ose Umra në Shtëpinë e Shenjtë (Kabe), nuk ka ndonjë gjynah[53] që të sillet mes atyre dyjave. E kush vepron mirë vullnetarisht[54], padyshim se Allahu është Falënderues[55], i Gjithëdijshëm.

159. Vërtet se ata të cilët fshehin[56] provat e qarta dhe udhëzimin që Ne kemi zbritur,[57] pasi ua kemi sqaruar ato njerëzve në Libër[58], këta i mallkon[59]Allahu dhe i mallkojnë edhe mallkuesit[60].

160. Përveç atyre që pendohen[61], përmirësohen dhe sqarojnë[62], të tillëve ua pranoj pendimin sepse Unë jam Pranuesi më i Madh i pendimit[63], Mëshirëploti.

161. Vërtet se ata të cilët kanë mohuar dhe vdesin duke qenë mohues (mosbesimtarë), mbi ta do të jetë mallkimi i Allahut, i engjëjve dhe i të gjithë njerëzve.

162. Ata do të jenë përgjithmonë në të[64]. As nuk do t’u lehtësohet dënimi dhe as nuk do t’u shtyhet afati.[65]

163. Zoti[66] juaj është Një Zot i Adhuruar i Vetëm! Nuk ka të adhuruar tjetër[67]përveç Tij. Ai është i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti.

-24-


[43] Mesruku thotë: “Pyetëm Abdullahin –ibën Mesudin- për ajetin: “Mos i llogarisni të vdekur ata të cilët janë vrarë në rrugën e Allahut. Përkundrazi, ata janë të gjallë duke u ushqyer te Zoti i tyre.” [Al Imran, 169]. –Ai tha: “Ne pyetëm për këtë ajet (të Dërguarin e Allahut) dhe ai tha: “Shpirtrat e tyre janë në brendësi të disa zogjve të jeshilë, të cilët kanë disa kandila të varur tek Arshi. Ata bredhin nëpër xhenet nga të dëshirojnë pastaj kthehen tek ato kandilat. Zoti i tyre hodhi vështrimin e Tij tek ata dhe u tha: “A dëshironi ndonjë gjë?” Ata thanë: “E çfarë të dëshirojmë tjetër, kur ne bredhim nëpër xhenet nga të duam?!” Këtë pyetje ua bëri tre herë, dhe kur ata panë se nuk do të liheshin pa kërkuar ndonjë gjë, thanë: “O Zoti ynë! Duam që të na kthesh shpirtrat në trupat tanë me qëllim që të vritemi në rrugën Tënde edhe një herë tjetër.” Kur pa se ata nuk kishin nevojë për asgjë, atëherë u lanë ashtu.” [E transmeton Muslimi 4862, Tirmidhiu 3011, Ibën Maxheh 2801].

[44] Me diçka të pakët prej këtyre, sepse sikur t’i sprovonte me të gjithë frikën, urinë, etj, atëherë do vdisnin, por qëllimi me këto është sprova dhe jo shkatërrimi.

[45] Frikës nga armiku.

[46] Është për qëllim thatësira dhe skamja.

[47] Vdekjes së fëmijëve, të dashurve, etj.

[48] Prej sprovave të Allahut, të përmendura më sipër.

[49] Ne jemi robër të Zotit dhe të Adhuruarit tonë sa jemi gjallë, dhe tek Ai do të kthehemi pas vdekjes sonë, i dorëzohemi caktimit të Tij dhe jemi të kënaqur me atë që na ka caktuar.

[50] Lavdërim,falje të gjynaheve dhe pastrim prej tyre.

[51] Dy kodrina në Mekë pranë Kabes.

[52] Prej shenjave të qarta të fesë së Allahut, për të cilat Ai i ka urdhëruar robët e Tij që t’i madhërojnë ato. Prej këtu, ecja midis atyre dy kodrinave është i detyrueshëm si për pelegrinin edhe për atë që bën umra.

[53] Ecja nga Safa në Merva dhe anasjelltas është detyrim në haxh apo umra, edhe pse nga vështrimi i parë në këtë ajet duket sikur nuk është ashtu, por shkaku i përdorjes së kësaj shprehje është se në fillim të Islamit, disa muslimanë u ngushtuan në lidhje me ecjen mes Safas dhe Mervas, pasi që në ato dyja adhuroheshin idhujt në kohën e injorancës. Por pastaj zbriti ajeti i mësipërm dhe u sqarua çështja e tyre dhe se ato janë nga simbolet e Allahut, të cilat duhet të madhërohen.

[54] Kush kryen haxh, umra, namaz e vepra të tjera të mira vullnetare, përveç atyre të detyruara.

[55] “Falënderues” dhe “Falënderues i Madh” – “Shakir” dhe “Shakur” janë prej emrave të Allahut, që kanë kuptimin: “Allahu pranon edhe punën më të vogël prej robërve të Tij dhe i shpërblen ata me shpërblim shumë të madh. Nëse robi i Tij i kryen urdhrat e Tij dhe i bindet Atij, Ai e ndihmon në këtë gjë, e lavdëron atë dhe i fut dritë e besim në zemër, dhe fuqi e zhdërvjellësi në trup. Pastaj, në botën tjetër, Ai e shpërblen robin e Tij me shpërblim të plotë.” [Es Seadi].

[56] Megjithëse ky ajet ka zbritur në lidhje me çifutët dhe të krishterët, por ai është i përgjithshëm dhe përfshin të gjithë ata që bëjnë si vepra e tyre.

[57] Në lidhje me çështjen e Muhamedit dhe të vërtetën e tij.

[58] Në Teurat dhe Inxhil. Ata fshehën të vërtetën që shkruhej në librat e tyre për Muhamedin (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!). E bënin këtë nga smira dhe padrejtësia e tyre.

[59] I largon nga Mëshira e Tij.

[60] Të gjitha krijesat i luten Allahut që t’i mallkojë dhe t’i largojë ata nga Mëshira e Tij.

[61] Kthehen nga mohimi dhe veprat e tyre të këqia në besim, të penduar.

[62] Atë që fshehnin dhe pranimin e gabimit.

[63] I Cili i kthehet robit të Tij me falje dhe fshirje të gjynaheve, kur ai pendohet, dhe me bamirësi e mirësi, kur ai kthehet tek Allahu.

[64] Në mallkim ose në dënim, megjithëse që të dyja këto domethënie janë të pandara.

[65] Sepse afati i caktuar, i cili ka qenë jeta në dynja, ka mbaruar, dhe atyre nuk u ka mbetur më shfajësim.

[66] Zoti është Ai i Cili ka krijuar gjithçka që ekziston, që drejton dhe sundon gjithçka, i denjë për t’u adhuruar nga të gjitha krijesat, i cilësuar me atributet më të larta dhe i quajtur me emrat më të bukur. Ai është i Pashoq dhe nuk ka të ngjashëm me Të.

[67] Të denjë për adhurim, sepse në realitet shumë njerëz kanë marrë të adhuruar të tjerë prej krijesave, që nuk meritojnë të adhurohen.


 

164. Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të tokës, në ndërrimin e natës dhe të ditës[68], në anijet që lundrojnë në det me gjëra që u sjellin dobi njerëzve, në ujin[69] që Allahu e zbret nga qielli, me të cilin Ai ngjall tokën pas vdekjes së saj, e në të (tokë) ka shpërndarë nga të gjitha gjallesat, në të drejtuarit e erërave[70] dhe në retë e nënshtruara[71] mes qiellit dhe tokës, (në të gjitha këto) ka shenja[72] për njerëzit që logjikojnë.

165. Por megjithatë, ka prej njerëzve që në vend të Allahut marrin[73] idhuj të cilët i barazojnë me Allahun dhe i duan njësoj si dashuria[74] për Allahun, por ata të cilët kanë besuar, kanë dashuri edhe më të fortë[75] për Allahun. E sikur të padrejtët[76]ta shihnin (tani) atë ndëshkim që do të shohin[77], (do të bindeshin se) e gjithë fuqia i përket vetëm Allahut[78] dhe se Allahu është i Rreptë në ndëshkim.

166. Kur[79] ata të cilët u ndoqën[80] të shfajësohen prej ndjekësve të tyre dhe të gjithë ta shohin ndëshkimin, dhe të këputen të gjitha lidhjet[81] midis tyre.

167. Atëherë, ata të cilët ishin ndjekës thonë: “Ah! Sikur të ktheheshim edhe një herë[82] dhe të shfajësoheshim[83] prej tyre[84] ashtu si u shfajësuan prej nesh!” Kështu ua tregon Allahu veprat e vetë atyre si dëshpërim[85] për ta, e ata kurrë nuk kanë për të dalë nga zjarri.

168. O njerëz! Hani nga ato që janë hallall[86] e të mira[87] në tokë dhe mos ndiqni gjurmët[88] e shejtanit, sepse vërtet që ai është armiku juaj i hapur[89].

169. Ai (shejtani) ju urdhëron vetëm për të këqia[90] e të turpshme[91], dhe që të flisni për Allahun gjëra që nuk i dini[92].

-25-


[68] Në ndërrimin e vazhdueshëm të natës me ditën dhe të ditës me natën.

[69] Është fjala për shiun.

[70] Allahu i drejton erërat duke i lëshuar ato herë me shi dhe herë pa shi, herë me mëshirë e herë me dënim, herë nga veriu e herë nga jugu, e kështu.

[71] Megjithëse retë janë të lehta dhe të buta, ato mbartin sasi të mëdha uji, të cilin e derdhin aty ku do Allahu, në sasisë që i urdhëron Allahu. Kur Allahu do që shiu të jetë mëshirë për një vend, lëshon në të sasinë e duhur në formën e duhur, dhe kur do që ai të jetë dënim, lëshon sasi të madhe dhe me rrëmbim…

[72] Prova dhe dëshmi të qarta se Allahu është i Vetmi që meriton të gjithë adhurimin, pa të Cilin nuk mund të bëjë asnjë krijesë dhe të gjitha krijesat kanë nevojë të domosdoshme për Të. Atëherë, a nuk është adhurimi i dikujt apo diçkaje tjetër përveç Tij, padrejtësia më e madhe që ekziston?!

[73] Për adhurim.

[74] E besimtarëve për Allahun.

[75] Se ajo e idhujtarëve për zotat e tyre.

[76] Ata të cilët morën zota të tjerë për t’i adhuruar në vend të Allahut apo me Allahun, dhe pengonin njerëzit nga rruga e Allahut.

[77] Në botën tjetër.

[78] Dhe se idhujt e tyre nuk kanë asnjë lloj fuqie apo mundësie për të bërë gjë, as për ta dhe as për veten e tyre.

[79] Sikur të shihnin gjithashtu atëherë kur të marrin dënimin, në botën tjetër.

[80] U adhuruan nga të tjerët dhe u morën për idhuj, që u zbatohej urdhri dhe iu dëgjohej fjala, prej njerëzve apo djajve, prej të vdekurve apo gurëve…

[81] Që kishin në dynja, pasi që lidhjet e tyre nuk kanë qenë për Allahun, por për idhujt e tyre të cilët ia mveshën Allahut si shokë.

[82] Në dynja.

[83] T’i braktisnim, të mos i adhuronim dhe të mos u bindeshim atyre.

[84] Të ndjekurve të tyre të cilët i adhuronin në vend të Allahut.

[85] Do të dëshpërohen dhe pendohen për veprat e këqia që kanë bërë, përse i kanë bërë dhe përse nuk bënë vepra të mira? Dhe kështu, dëshpërohen për veprat e tyre kur shohin dënimin e merituar.

[86] Të lejueshme nga Allahu.

[87] Të pastra, jo të ndyta dhe as të ndaluara.

[88] Rrugët e shejtanit, veprat e tij, bindjen ndaj tij…

[89] I cili e shfaqi armiqësinë e tij ndaj jush me refuzimin e përuljes para babait tuaj, Ademit, me mashtrimin dhe nxjerrjen e tij nga xheneti…

[90] Vepra të këqia dhe gjynahe.

[91] Ato vepra të cilat janë në kulmin e turpit dhe shëmtisë, si prostitucioni dhe pirja e alkoolit.

[92] Duke bërë të lejuarën të ndaluar dhe të ndaluarën të lejuar, si bindje ndaj shejtanit.


170. Kur atyre u thuhet: “Ndiqni atë që ka zbritur Allahu!”, ata thonë: “Jo! Por ne ndjekim atë (fe) në të cilën i kemi gjetur baballarët tanë!” –A (veprojnë kështu), edhe pse të parët e tyre nuk kuptonin gjë dhe nuk ishin të udhëzuar?!

171. Shembulli i atyre të cilët kanë mohuar është si ato (bagëtitë) që thirren (nga bariu) dhe nuk dëgjojnë veçse zë e thirrje[93]; të shurdhër[94], memecë[95] e të verbër[96], ata nuk kuptojnë.

172. O ju që keni besuar! Hani nga të mirat që ju kemi furnizuar dhe falënderoni Allahun, nëse vërtet adhuroni vetëm Atë!

173. Ai (Allahu) ju ka ndaluar juve vetëm të ngordhtën[97], gjakun[98], mishin e derrit dhe atë që është therur për dikë tjetër[99] përveç Allahut. Por megjithatë, ai i cili detyrohet[100], pa dashur të ndaluarën[101] dhe pa e kaluar kufirin[102], nuk ka asnjë gjynah. Me të vërtetë që Allahu është Falës i Madh, Mëshirëplotë.

174. Vërtet, ata të cilët e fshehin atë që ka zbritur Allahu prej Librit[103] dhe e këmbejnë atë me një çmim të pakët[104], ata nuk fusin në barqet e tyre veçse zjarrin[105]. Atyre nuk ka për t’u folur Allahu në ditën e Kiametit[106], as nuk ka për t’i pastruar[107] dhe ata do të kenë dënim të dhembshëm.

175. Këta janë ata të cilët e kanë blerë humbjen me udhëzimin dhe dënimin me faljen e Allahut.[108] Sa të durueshëm që janë ndaj zjarrit![109]

176. Kjo[110], sepse Allahu e ka zbritur Librin[111] me të vërtetën, ndërsa ata të cilët janë kundërshtuar në lidhje me Librin[112], janë në përçarje të largët[113].

 -26-


[93] Pa kuptuar se çfarë thotë.

[94] Nuk e dëgjojnë të vërtetën me dëgjim kuptimi dhe pranimi.

[95] Nuk flasin fjalën që është për të mirën e tyre, nuk shprehin fjalën e besimit, njësimin e Allahut.

[96] Nuk shohin me syrin e marrjes mësim.

[97] Kafshën e ngordhur pa u therur sipas mënyrës së ligjëruar nga Allahu, pasi që e ngordhta është e ndytë dhe e dëmshme për njeriun, dhe në shumicën e rasteve përmban sëmundje, gjë e cila është shtim edhe më shumë i dëmit të saj. Por nga ky ndalim i përgjithshëm, ligji islam ka përjashtuar karkalecin e ngordhur dhe peshkun e detit. Këto dyja janë të lejuara.

[98] Është fjala për gjakun e derdhur e të rrjedhshëm dhe jo gjakun që ngelet në mishin e kafshës pas therjes dhe daljes së gjakut prej saj.

[99] Kafshën e therur për idhujt dhe në emër të idhujve apo të dikujt tjetër përveç Allahut, qofshin të gjallë apo të vdekur, njerëz apo xhinë.

[100] Për të ngrënë prej këtyre të ndaluarave, për shkak të urisë dhe mospasjes, apo i detyruar me forcë.

[101] Duke qenë se nuk ka mundësi për të marrë të lejuarën.

[102] Në ngrënien e asaj që i është lejuar në rast detyrimi.

[103] Është fjala për rabinët çifutë, të cilët ua fshehnin njerëzve çështjen e Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dhe profetësinë e tij, gjë e cila ishte e shkruar në Teurat.

[104] E ndryshonin atë që shkruhej në Teurat për të marrë një vlerë të pakët nga gjërat e dynjasë.

[105] Nuk fusin në barqet e tyre veçse atë gjë që i çon në zjarr. Hanë haramin.

[106] Nuk ka për t’u folur me fjalë që duan dhe i kënaq, por me fjalë që nuk i duan dhe nuk i pëlqejnë ka për t’u folur, sepse kur ata të thonë: “Zoti ynë! Na nxirr prej tij (zjarrit të xhehenemit), e nëse kthehemi tek e keqja, atëherë vërtet që ne do të jemi të padrejtë.” Ai (Allahu) u thotë: “Rrini aty të përbuzur dhe mos flisni!” [El Mu’minun, 107-108].

[107] Nga ndotësitë e gjynaheve dhe nga mosbesimi i tyre.

[108] Kanë marrë humbjen dhe kanë lënë udhëzimin, kanë marrë atë që u bën të domosdoshme dënimin e Allahut në ditën e Kiametit dhe kanë lënë atë që u bën të domosdoshme faljen dhe kënaqësinë e Tij. [Taberiu].

[109] Fjali habitore, me kuptimin: Si guxojnë të veprojnë vepra të banorëve të zjarrit?! Thuhet gjithashtu se kjo është fjali pyetëse, me kuptimin: Çfarë i bëri të durueshëm ndaj zjarrit, kur lanë të vërtetën dhe ndoqën të kotën?

[110] Që u përmend më sipër prej dënimit të tyre me drejtësi.

[111] Teuratin.

[112] Çifutët dhe të krishterët; çifutët mohuan atë që thuhet në Libër për Isain, të birin e Merjemes dhe nënën e tij, ndërsa të krishterët besuan një pjesë të kësaj dhe mohuan pjesën tjetër, dhe që gë dy grupet mohuan atë Allahu ka zbritur në Libër (Teurat e Inxhil) për të besuar Muhamedin.

[113] Në mosmarrëveshje dhe larg të vërtetës.


 

177. Mirësia nuk është që të ktheni fytyrat nga lindja e perëndimi[114], por mirësia është vepra e atij, i cili beson Allahun, ditën e fundit, engjëjt, Librin[115] dhe pejgamberët; që edhe pse e do pasurinë, ia jep atë[116] të afërmve, jetimëve, të varfërve, udhëtarëve, lypësve dhe për lirimin e robërve[117]; që e fal namazin[118]dhe jep zekatin[119]; e atyre të cilët kur e japin premtimin[120], e mbajnë atë; e të duruarve ndaj skamjes, sëmundjes dhe në kohën e luftës[121]. Këta janë ata të cilët u treguan të siqertë[122] dhe këta janë të devotshmit[123].

178. O ju që keni besuar! Juve u është bërë detyrim[124] gjakmarrja[125] për të vrarët: të lirin për të lirin[126], robin për robin[127] dhe femrën për femrën[128]. Megjithatë, nëse dikujt i falet diçka[129] nga vëllai i vet[130], atëherë të veprohet sipas rregullit[131] dhe ai (vrasësi) të shpaguajë me mirësi. Ky është lehtësim[132]nga Zoti juaj dhe mëshirë nga Ai (për ju). E kushdo që pas kësaj[133] i kalon kufijtë[134], do të ketë dënim të dhembshëm[135].

179. Në gjakmarrje ka jetë[136] për ju, o njerëz me arsye[137], në mënyrë që të ruheni[138].

180. Juve u është bërë detyrim që, nëse ndonjërit prej jush i afrohet vdekja dhe ai lë mbas pasuri, atëherë të lërë testamentin[139] për prindërit dhe të afërmit, sipas gjëndjes; si e drejtë (detyrim) ndaj të devotshmëve.

181. E kush e ndryshon atë (testamentin) pasi ta ketë dëgjuar, gjynahu do të jetë për ata që e ndryshojnë atë.[140] Sigurisht që Allahu është Gjithëdëgjues, i Gjithëditur.

-27-


[114] Për domethënien e kësaj fjale ka dy mendime: Disa thonë se kuptimi i saj është: “E mira nuk kufizohet vetëm me kryerjen e faljes, por vepra të mira ka shumë dhe prej atyre janë gjithashtu ato që përmenden më poshtë.” Ndërsa të tjerë thonë se kuptimi i saj është: “Këtu janë për qëllim çifutët dhe të krishterët. Çifutët kthehen nga perëndimi kur falen, ndërsa të krishterët nga lindja. Allahu e zbriti këtë ajet për të treguar se mirësia nuk është vepra që bëjnë ata, por ajo që kemi sqaruar në këtë ajet.” Taberiu ka zgjedhur fjalën e dytë si më të saktë për shkak se vjen e lidhur me ajetet e mëparshme.

[115] “Libri” në këtë ajet tregon llojin, d.m.th. librin hyjnor, çdo Libër të zbritur nga Allahu.

[116] Jep prej pasurisë së vet lëmoshë vullnetare.

[117] Për lirimin e robit, i cili ka lidhur kontratë me zotëriun e vet që të blejë vetveten me një shumë të caktuar dhe ta lirojë atë nga robëria.

[118] E kryen rregullisht atë dhe në formën e ligjëruar nga Allahu.

[119] Jep zekatin e detyrueshëm të pasurisë për të cilën detyrohet zekat, një herë në vit, 2.5 % të saj.

[120] Premtimi është: angazhimi me atë që të ka ngarkuar Allahu, ose që ke ngarkuar vetveten. Këtu përfshihen të gjitha të drejtat e Allahut ndaj njerëzve, për faktin se Allahu ua ka ngarkuar ato robërve të Tij dhe ata e morën përsipër kryerjen e tyre dhe hynë në premtim, kështu që e kanë obligim përmbushjen e premtimit. Ndërsa angazhimet që njeriu i ngarkon vetes janë p.sh. betimet, zotimet, e të ngjashme me këto. [Es Seadi].

[121] Në fushëbetejë, kur përballen me armikun.

[122] U treguan të sinqertë në besimin e tyre dhe e vërtetuan atë me veprat e tyre.

[123] Të cilët iu ruajtën dënimit të Allahut duke iu larguar thyerjes së urdhrave të Tij, duke përmbushur premtimet e dhëna Atij dhe duke kryer urdhrat e Tij.

[124] “detyrim” ndaj vrasësit dhe familjes së tij që ta dorëzojnë atë për të marrë ndëshkimin e merituar, nëse familja e të vrarit kërkon gjakmarrje.

[125] Barazia në ndëshkim: vrasja e vrasësit në atë formë që ai vret të vrarin, me qëllim që të shkojë në vend drejtësia dhe barazia mes njerëzve.

[126] Që të vrisni vrasësin e një njeriu të lirë për vrasjen e një njëriu tjetër të lirë. Ndërsa në rast se një i lirë vret një rob, ai nuk vritet për vrasjen e tij, por paguan shpagimin e detyruar.

[127] Që të vrisni robin që vret një rob tjetër, qoftë vrasësi mashkull apo femër dhe i vrari mashkull apo femër.

[128] Që të vrisni femrën që vret një femër tjetër. Disa dijetarë kanë nxjerrë prej këtij ajeti se nëse një mashkull i lirë vret një femër të lirë, ai nuk vritet për të, por paguan dijjen (shpagimin e detyruar për të vrarin).

[129] Kur familja e të vrarit ia fal gjakun vrasësit dhe nuk kërkon që ai të vritet.

[130] Nga familja e të vrarit.

[131] Familja e të vrarit të ndjekë çështjen për marrjen e shpagimit nga vrasësi, me të mirë dhe pa e tepruar. Vlera e shpagimit, apo “ed dijjeh” është 100 deve, mosha dhe cilësitë e të cilave ndryshojnë sipas llojit të vrasjes, vrasësit dhe të vrarit. Këto rregulla i gjen në librat e fikhut.

[132] Falja e gjakut të vrasësit dhe marrja e shpagimit për të vrarin, gjë të cilën Allahu ua kishte ndaluar popujve të mëparshëm (beni Israilëve) dhe tek ata nuk kishte shpagim por vetëm marrje të gjakut me gjak.

[133] Pas  marrjes së shpagimit.

[134] Duke shkuar në vrasjen e vrasësit.

[135] Në këtë botë; ai duhet të vritet dhe prej tij nuk pranohet shpagim në këtë rast.

[136] Me vendosjen e këtij ligji nga Allahu, ruhet jeta e njerëzve, sepse kur njeriu e di se nëse vret dikë, do të vritet për të, atëherë ai tutet dhe ndalohet nga bërja e krimit.

[137] Allahu i ka veçuar njerëzit me arsye, sepse vetëm ata i kuptojnë urdhrat dhe ndalesat e Allahut dhe përsiaten mbi shenjat dhe provat e Tij.

[138] Të ruheni nga gjakmarrja, t’ja keni frikën dhe të mos kryeni vrasje.

[139] Shumica e dijetarëve të tefsirit janë të mendimit se ky ajet është shfuqizuar nga ajeti i trashëgimisë (En Nisa, 11), ndërsa të tjerë thonë se ky është pë rata prindër dhe të afërm që nuk kanë pjesë në trashëgimi. Por më e mira është që të thuhet: Ky testament është në përgjithësi për prindërit dhe të afërmit, dhe Allahu e ka kthyer atë te zakoni i njerëzve. Ndërsa më pas, Allahu e përcaktoi në hollësi trashëgiminë për prindërit dhe të afërmit që kanë të drejtë trashëgimie nga i vdekuri, në ajetet e trashëgimisë (në suren en Nisa). Dhe kështu, ky gjykim i përgjithshëm mbet për ata prindër apo të afërm të cilët nuk marrin gjë nga trashëgimia për shkak të përjashtimit me ekzistencën e trashëguesit më të afërm nga i vdekuri. Në këtë rast, njeriu është urdhëruar që të lërë testament për këta persona. Në këtë mënyrë kemi bashkuar mes dy fjalëve të mëparshme dhe kemi harmonizuar mes dy ajeteve, gjë e cila është më e mirë se pretendimi i shfuqizimit të pabazuar në argument të saktë. [Es Seadi].

[140] Ndërsa lënësi i testament e ka shpërblimin tek Allahu dhe nuk ka asnjë gjynah për e ndryshimin e tij nga dikush tjetër.


182. Ndërsa kush[141] i trembet ndonjë devijimi[142] apo padrejtësie[143] nga ana e lënësit të testamentit, nuk ka ndonjë gjynah nëse bën pajtim mes tyre[144]. Vërtet që Allahu është Falës i madh[145], Mëshirëplotë.

183. O ju që keni besuar[146]! Agjërimi ju është bërë detyrim[147] ashtu si ka qenë detyrim për ata para jush[148], që të mund të bëheni të devotshëm[149]!

184. Vetëm disa ditë të numëruara[150]. Megjithatë, nëse ndonjëri prej jush është i sëmurë ose në udhëtim, atëherë të agjërojë aq ditë[151] në ditët e mëvonshme. Ndërsa ata të cilët e përballojnë me vështirësi atë, le të japin shpagim duke ushqyer një të varfër (për çdo ditë agjërimi), e nëse dikush jep më tepër nga vullneti i vet, kjo është më e mirë për të, por që të agjëroni është më mirë për ju, nëse jeni që e dini.[152]

185. (Ato ditë janë) Muaji i Ramazanit, në të cilin është zbritur Kurani[153]: udhëzim për njerëzit, plot me prova të qarta udhëzimi dhe kriter. Kushdo nga ju që e arrin këtë muaj, ta agjërojë atë. Ndërsa ai i cili është i sëmurë ose në udhëtim, të agjërojë po aq ditë në ditët e mëvonshme. Allahu do lehtësim për ju dhe nuk do vështirësim. Plotësoni ditët e agjërimit[154] dhe madhëroni Allahun[155] për atë se ju ka udhëzuar, në mënyrë që të falënderoni[156].

186. Kur robët e Mi të pyesin ty për Mua, (thuaju se) Unë jam afër! I përgjigjem lutjes së lutësit kur më lutet. Ndaj, të më përgjigjen Mua[157] dhe të besojnë tek Unë, që të udhëzohen drejt!

-28-


[141] Kush është prezent në çastet kur i sëmuri lë testamentin dhe i trembet …

[142] Gabimi të pavetëdijshëm në lidhje me testamentin; kur ai që lë testamentin vepron gabimisht diçka që nuk i takon.

[143] Padrejtësie të qëllimshme, në të cilën ka gjynah, si p.sh. duke i lënë testament më shumë se e lejuara dikujt prej të afërmëve që nuk është trashëgimtar; kur lë testament më shumë se një e treta e pasurisë, ose kur e lë testament të gjithë një të tretën e pasurisë ndërkohë që pasuria që ka është e pakët dhe trashëgimtarët janë shumë.

[144] Personi që është prezent në këtë rast, nuk ka ndonjë gjynah nëse bën pajtim mes të sëmurit në shtratin e vdekjes, trashëgimtarëve dhe atyre që u lihet testamenti.

[145] Nëse lënësi i testamentit kthehet nga dëvijimi dhe padrejtësia e tij, Allahu e fal atë.

[146] Që keni besuar Allahun, të Dërguarin e Tij dhe ç’ka ardhur prej Tij.

[147] Agjërim do të thotë: të ndaluarit nga ato që Allahu ka urdhëruar t’i ndalohesh. Ndërsa këtu është për qëllim agjërimi i muajit të Ramazanit, që do të thotë: “Ndalimi nga ngrënia, pirja, marrëdhëniet intime dhe çdo gjë që e prish agjërimin, nga agimi deri në perëndim të djellit.”

[148] Janë për qëllim ithtarët e Librit.

[149] Agjërimi është nga shkaqet më të mëdha të arritjes së devotshmërisë, sepse në të ka zbatim të urdhrit të Allahut dhe largim nga ndalesat e Tij.

[150] Agjërimi zgjat vetëm disa ditë të numëruara, e ato ditë janë muaji i Ramazanit.

[151] Sa ka prishur nga Ramazani.

[152] Në fillim të obligueshmërisë së agjërimit, kur muslimanët nuk ishin mësuar të agjëronin, padyshim se agjërimi ishte i rëndë dhe i vështirë për ta, kështu që Allahu me urtësinë e Tij, ua ngarkoi gradualisht atë me mënyrën më të lehtë: duke i lënë të drejtën e zgjedhjes mes agjërimit dhe shpagimit edhe atyre që e përballonin agjërimin, por duke u bërë të ditur se që të agjëronin ishte më mirë për ta. Më pas, agjërimi u bë detyrim i prerë për ata që e përballojnë atë, ndërsa për ata që nuk e përballojnë, si i moshuari, etj, qëndroi gjykimi i përmendur në ajet: për të dhënë shpagim duke ushqyer nga një të varfër për çdo ditë agjërimi. [Es Seadi].

[153] Kurani ka zbritur në natën e Kadrit, të muajit të Ramazanit, prej “El leuhi el Mahfudh” (Librit që është tek Allahu dhe ku është regjistruar çdo gjë), në qiellin e kësaj dynjaje, pastaj me anë të Xhibrilit iu zbrit Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) i ndarë në pjesë dhe në periudha kohore, sipas asaj që donte Allahu. Për këtë kanë ardhur disa transmetime nga Ibën Abasi dhe shokë të tjerë të Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!). Ato i ka përmendur Taberiu në hollësi.

[154] Ditët e prishura për shkak të sëmurjes apo të qenët në udhëtim.

[155] Përfshihet këtu edhe madhërimi i Allahut (tekbiret) në ditën e Bajramit pas Ramazanit.

[156] Për të gjitha mirësitë e Tij ndaj jush.

[157] Me bindje ndaj urdhrave dhe largim nga ndalesat. Pikërisht këto janë edhe shkaqet që çojnë në përanimin e lutjes së lutësit nga Allahu: besimi dhe bindja ndaj urdhrave, si dhe duke eliminuar ato gjëra që e pengojnë pranimin lutjes, si ngrënia e haramit etj.


187. Juve u është lejuar tashmë që t’u afroheni grave tuaja[158] në netët e agjërimit. Ato janë petk për ju dhe ju jeni petk për to[159]. Allahu e di se ju mashtronit veten, por Ai e pranoi pendimin tuaj dhe u fali juve.[160] Tani shkoni me to[161] dhe kërkoni atë që Allahu ka caktuar për ju (prej fëmijëve). Dhe hani e pini deri sa të dalloni qartë perin e bardhë të agimit nga peri i zi (i errësirës), pastaj plotësojeni agjërimin deri në mbrëmje. Por mos iu afroni atyre[162] (grave) duke qenë mbyllur për adhurim në xhami! Këto janë kufijtë[163] e Allahut, ndaj mos iu afroni atyre. Kështu ua sqaron Allahu njerëzve provat e Tij , në mënyrë që të bëhen të devotshëm[164].

188. Dhe mos e hani pasurinë e njëri-tjetrit padrejtësisht, as mos joshni me të gjykatësit[165] me qëllim që në mënyrë të ndaluar dhe me vetëdije të hani një pjesë nga pasuria e të tjerëve!

189. Të pyesin ty (O Muhamed) për hënat e reja[166] (të çdo muaji)! Thuaju: “Ato janë llogaritëse të kohës[167] për njerëzit dhe për haxhin. E, mirësia nuk është që të hyni në shtëpi nga mbrapa tyre, por mirësi është ajo e atij që ruhet (nga ndalesat e Allahut).[168] Hyni në shtëpi nga dera e tyre dhe kini frikë Allahun, në mënyrë që të shpëtoni.

190. Luftoni në rrugën e Allahut[169] kundër atyre që ju luftojnë por mos i kaloni kufijtë[170], sepse Allahu nuk i do ata të cilët i kalojnë kufijtë.[171]

 -29-


[158] Të kryeni marrëdhënie intime.

[159] Kjo fjali përmban dy kuptime: 1. Dy bashkëshortët janë si petk për njëri-tjetrin kur zhveshin rrobat e tyre natën dhe mbulohen së bashku nën një mbulesë. 2. Bashkëshortët janë prehje për njëri-tjetrin.

[160] Në fillim të Islamit, muslimanët ishin urdhëruar që të agjëronin në atë mënyrë që nëse flinin pas ngrënies së iftarit, nuk u lejohej të hanin dhe as të shkonin me gratë, deri të nesërmen pas Iftarit. Kjo ishte e rëndë për sahabet dhe disa prej tyre ndodhte që të mashtronin veten duke pretenduar se nuk i kishte marrë gjumi pas iftarit, me qëllim që të kryenin marrëdhënie me gratë. Atëherë zbriti ky ajet dhe Allahu ua pranoi pendimin duke u bërë lehtësime dhe ua fali gjynahun e bërë prej tyre kur mashtronin veten.

[161] Kryeni marrëdhënie intime me gratë tuaja.

[162] Mos kryeni marrëdhënie intime me to.

[163] Ligjet e Allahut, urdhrat dhe ndalesat e Tij.

[164] T’i ruhen ndalesave të Allahut që t’i shpëtojnë zemërimit të Tij.

[165] Mos ua ofroni pasurinë tuaj gjykatësve në formë rryshfeti.

[166] Taberiu permend se ky ajet ka zbritur pasi disa njerëz e pyetën Pejgamberin (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) në lidhje me hënën dhe gjëndjet e saj; zvogëlimin dhe shtimin e saj, vendet dhe kohët e lindjes dhe të perëndimit të saj.

[167] Me anë të hënës dhe ndryshimeve të saj, njerëzit llogarisin kohën e tyre; llogarisin kohën e agjërimit, haxhit, larjes së borxhit, periudhën e pritjes së grave të divorcuara apo që u ka vdekur burri,etj.

[168] Thuhet se ky ajet ka zbritur në lidhje me disa njerëz të cilët kur vishnin rrobat e Ihramit për Haxh apo për Umra, nuk hynin në shtëpi nga dera e saj, por nga mbrapa shtëpisë, nga dritarja apo nga ndonjë derë e pasme. Atëherë u shpall ky ajet, i cili sqaron se kjo vepër e tyre nuk ka vend në fe dhe nuk është mirësi, por vepër e njerëzve të injorancës, dhe e ndaloi këtë gjë. [Taberiu].

[169] Rruga e Allahut është: feja që u ka ligjëruar njerëzve dhe rruga që u ka sqaruar atyre.

[170] Mos vrisni të mitur, gra, pleq, njerëz që japin xhizjen prej ithtarëve të Librit, etj.

[171] Duke bërë të lejuar atë që Allahu e ka ndaluar, siç është vrasja e grave dhe e të miturve, gjë të cilën Allahu e ka ndaluar.

Dijetarët janë ndarë në dy mendime në lidhje me këtë ajet: Disa thonë se ky është ajeti i parë që zbriti në lidhje me luftën e muslimanëve kundër idhujtarëve, ku ata u urdhëruan të luftojnë ata idhujtarë të cilët i luftonin ata dhe të mos i luftonin ata të cilët nuk i luftonin, pastaj u shfuqizua nga ajeti në suren Et Teube. Ndërsa të tjerë thonë se ky ajet urdhëron muslimanët që të luftojnë mosbesimtarët dhe nuk është shfuqizuar, por në të bëhet fjalë për ndalimin nga teprimi dhe kalimi i kufijve, i cili është ndalimi nga vrasja e grave dhe të miturve, gjykim i cili qëndron edhe sot e kësaj dite dhe nuk është shfuqizuar. Taberiu zgjedh mendimin e dytë si më të saktë dhe më të qëndrueshëm.


 

191. Vritini ata kudo që t’i zini dhe dëbojini prej nga ju kanë dëbuar[172]! Provokimi[173] është më i rëndë se vrasja. Ju mos i luftoni ata[174] pranë xhamisë së Shenjtë (Kabes) vetëm nëse ju luftojnë aty. Nëse ju luftojnë[175], atëherë vritini! I tillë është ndëshkimi për mosbesimtarët.

192. Por, në qoftë se ata i japin fund[176], atëherë padyshim se Allahu është Falës i madh, Mëshirëplotë.

193. Luftojini ata deri sa të mos mbesë më provokim (idhujtari) dhe feja të jetë vetëm për Allahun[177]. E nëse ata i japin fund[178], atëherë nuk ka armiqësi veçse kundër të padrejtëve[179].

194. Muaji i shenjtë[180] shpaguhet me muajin e shenjtë[181] dhe hakmarrja bëhet edhe në të shenjtat.[182] Kështu që, kushdo që ju sulmon (në muajin apo vendin e shenjtë), kthejani sulmin me sulm të njëjtë si i atij. Por kini frikë Allahun[183], dhe dijeni se Allahu është me të devotshmit.

195. Shpenzoni në rrugën e Allahut[184] dhe mos e shkatërroni vetveten me duart tuaja[185], por bëni mirë; Allahu i do me të vërtetë bamirësit.

196. Kryeni haxhin dhe umran për hir të Allahut! E nëse pengoheni[186], atëherë therrni kurban sipas mundësisë[187], dhe mos i rruani kokat tuaja deri sa kurbani të arrijë në vendin e vet! Por, cilido prej jush që është i sëmurë ose ka ndonjë lëndim në kokë[188], ta kompensojë atë me agjërim, ose lëmoshë, ose therje kurbani[189]. Kur të keni siguri, ai që e ka bërë umran për t’u liruar me të[190] deri në haxh, të therrë kurban sipas mundësisë, ndërsa ai i cili nuk ka mundësi, të agjërojë tre ditë në haxh dhe shtatë kur të ktheheni; këto janë dhjetë ditë të plota. Kjo është për atë që nuk e ka familjen pranë xhamisë së shenjtë (në Mekë). Kini frikë Allahun dhe dijeni se Allahu është i rreptë në ndëshkim.

-30-


[172] Këto ajete përmbajnë urdhrin për të luftuar në rrugën e Allahut, gjë e cila ka ndodhur pas emigrimit në Medine, kur muslimanët u forcuan dhe u bënë fuqi. Ndërsa dëbimi që përmendet këtu është për qëllim dëbimi i emigruesve mekas, të cilët u nxorrën prej idhujtarëve nga shtëpitë e tyre në Meke.

[173] Provokimi i besimtarit në fenë e tij me qëllim që të kthehet prej saj dhe të bëhet idhujtar pasi ka qenë musliman, është më e rëndë dhe më e dëmshme për të se sa të vritet duke qëndruar në fenë e tij dhe i kapur fort pas saj.

[174] Mos filloni ju të parët.

[175] Në xhaminë e Shenjtë, në Kabe. Disa dijetarë thonë se kjo pjesë e ajetit është shfuqizuar nga ajeti nr. 5 i sures et Teube, ku muslimanët urdhërohen që t’i vrasin idhujtarët kudo që t’i gjejnë, qoftë në vend të lejuar apo të ndaluar, deri sa të pranojnë Islamin, ose të japin xhizjen të përulur. Ndërsa të tjerë thonë se ky ajet qëndron dhe nuk është shfuqizuar. Taberiu ka zgjedhur mendimin e parë që thotë se ai është shfuqizuar nga ajeti i sures Teube, nga ajeti në vijim me nr. 193, dhe nga ajete të ngjashme me këto.

[176] Luftës kundër jush dhe mohimit të Allahut, si dhe kthehen tek Allahu me pendim dhe besim.

[177] Deri sa feja e Allahut të jetë evidente dhe ngadhënjimtare mbi të gjitha fetë. Pra, qëllimi nga të luftuarit e idhujtarëve dhe mosbesimtarëve nuk është derdhja e gjakut dhe marrja e pasurive të tyre, por qëllimi është që të triumfojë feja e Allahut mbi të gjitha fetë e tjera, dhe të shtyhet ajo që e kundërshton atë, gjë e cila është idhujtaria dhe mosbesimi. Këto janë edhe për qëllim me provokimin, në këtë ajet.

[178] Luftës kundër jush dhe mosbesimit të tyre, duke u futur në fenë tuaj.

[179] Idhujtarëve, atyre që ju luftojnë, sepse dihet se jo te gjithë ata do t’i japin fund, por një pjesë e tyre.

[180] Është për qëllim muaji Dhul Kaade, një prej muajve të shenjtë në të cilët ndalohet lufta, dhe ai ishte i tillë edhe tek idhujtarët kurashit në kohën e injorancës paraislame.

[181] Idhujtarët kurashit e ndaluan Muhamedin (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dhe shokët e tij që të bënin umran në muajin Dhul Kaade, të vitit të gjashtë të emigrimit dhe u gëzuan e u mburrën me këtë gjë. Atë vit Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) bëri me ta marrëveshjen e Hudejbijes në të cilën thuhej gjithashtu se Umra do të shtyhej për vitin e ardhshëm. Kur erdhi muaji Dhul Kaade i vitit të shtatë të emigrimit, Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dhe shokët e tij shkuan në Mekë të bënin umra dhe qëndruan atje tri ditë, gjë e cila i mërziti shumë idhujtarët dhe kjo ishte marrja e hakut dhe shpagimi për veprën e tyre.

[182] Edhe në muajt dhe vendet e shenjta, apo duke qenë me veshjen e Ihramit për haxh apo umra.

[183] Dhe mos i kaloni kufijtë e përcaktuar në marrjen e hakut.

[184] Shpenzoni në rrugët që të shpienë tek Allahu, në të gjitha rrugët e hajrit, si: lëmosha për të varfërit, për të afërmit, etj, dhe më e madhja e të gjitha këtyre është shpenzimi për xhihadin në rrugë të Allahut, sepse shpenzimi për xhihadin është xhihad me pasuri.

[185] Shkatërrimi i vetvetes kthehet në dy gjëra: 1. Në lënien e atyre për të cilat je urdhëruar që t’i veprosh, kur lënia e tyre çon në shkatërrimin e trupit ose të shpirtit, dhe 2. Në kryerjen e gjërave që të çojnë në shkatërrimin e trupit ose të shpirtit. Pra këtu përfshihen shumë gjëra, prej të cilave është lënia e xhihadit në rrugë të Allahut, ose mosshpenzimi për të, gjë e cila çon në rënien nën pushtimin e armikut. Këtu hyn edhe mashtrimi i njeriut me vetveten duke e futur atë në rrezik, apo duke vazhduar në bërjen e gjynaheve dhe heqjen e shpresës nga pendimi, etj. [Es Seadi].

[186] Nëse dikush apo diçka ju pengon në rrugë dhe nuk mund të arrini në Mekë për të plotësuar ritet e haxhit dhe të umras.

[187] Kurbani që duhet therrur në këtë rast është një dele ose një e shtata e një lope ose e një deveje, siç veproi Pejgamberi dhe shokët e tij në vitin e Hudejbijes.

[188] Dhe detyrohet ta rruajë kokën para kohës së caktuar.

[189] Agjërimi i tre ditëve, ose ushqyerja e gjashtë të varfërve, ose therrja e një kurbani; je i lirë të zgjedhësh mes tyre, por kurbani është më i mirë, pastaj ushqyerja e të varfërve, pastaj agjërimi. [Es Seadi].

[190] Për t’u liruar nga Ihrami deri sa të fillojnë ditët e haxhit. Është fjala për llojin e haxhit “Mutemeti”.


197. Haxhi është në muaj të njohur[191]. Kushdo që vendos[192] të kryejë haxhin në këto muaj, të mos flasë turpshëm[193], të mos bëjë shthurje[194] dhe të mos grindet[195] gjatë haxhit.[196] Çfarëdo të mire që të veproni[197], Allahu e di atë. Pajisuni për (këtë) udhëtim[198]; e pajisja më e mirë është devotshmëria. Pra, ma kini frikën Mua[199], o njerëz me arsye.

198. Ju nuk keni asnjë gjynah nëse kërkoni ndonjë të mirë nga Zoti juaj[200]. E, kur të ktheheni nga Arafati, përmendni Allahun[201] tek vendi i shenjtë (në Muzdelife). Përmendeni Atë[202] ashtu si ju ka udhëzuar[203], edhe pse më parë keni qenë prej të humburve[204].

199. Pastaj vërshoni andej nga kanë vërshuar njerëzit[205] dhe kërkoni falje Allahut, sepse vërtet Allahu është Falës i madh, Mëshirëplotë.[206]

200. Kur t’i përfundoni ritet e haxhit, përmendni Allahun ashtu siç përmendni prindërit tuaj, madje edhe më shumë![207] Disa njerëz thonë: “Zoti ynë! Na jep të mira në këtë botë!”[208] Ndërsa në botën tjetër, për këta nuk do të ketë asnjë pjesë.

201. Por ka edhe prej tyre që thonë: “Zoti ynë! Na jep të mira në këtë botë dhe të mira në botën tjetër,[209] dhe na ruaj nga dënimi i zjarrit!”

202. Të tillët do të kenë pjesë për atë që kanë fituar (punuar). Allahu është i shpejtë në llogari.[210]

-31-


[191] Që në kohën e Ibrahimit (alejhi selam). Ato muaj janë: Sheval, Dhul Kaade dhe dhjetë ditë nga muaji Dhul Hixhe.

[192] Kushdo që vesh Ihramin (rroben e bardhë të haxhit dhe umras) dhe fillon telbijen (thotë: Lebbejke Allahume …).

[193] Origjina e fjalës “rafeth” ka kuptimin “fjalë e turpshme”, por ajo përdoret gjithashtu në mënyrë figurative për të treguar marrëdhëniet seksuale apo veprat  a fjalët paraprake të tyre. Pra, nuk lejohet që gjatë haxhit të kryesh marrëdhënie intime me gruan, as t’i thuash asaj fjalë të turpshme, si: “Kur të lirohemi nga Ihrami pas haxhit, do të bëj kështu e kështu…”, dhe as nuk lejohen fjalët e turpshme në përgjithësi.

[194] Të gjitha llojet e gjynaheve, ku përfshihet edhe fyerja, ofendimi, shkelja e ndalesave të Ihramit, etj.

[195] Të mos bësh polemikë dhe të mos ngacmosh kënd duke e nxehur atë, gjë e cila çon në sherr dhe armiqësi.

[196] Veshja e Ihramit për haxh duhet madhëruar dhe duhet ruajtur nga ato gjëra që e prishin dhe e cënojnë atë. Qëllimi me kryerjen e haxhit është përulja dhe nënshtrimi para Allahut, afrimi tek Ai me sa të mundesh prej veprave të mira dhe ruajtja nga të këqiat. Në këtë mënyrë arrihet haxhi i bekuar, shpërblimi i të cilit është xheneti. Ndërsa këto gjëra, edhe pse janë të ndaluara në çdo kohë, por gjatë haxhit ndalesa e tyre është edhe më e fortë. [Es Seadi].

[197] Prej veprave të haxhit dhe gjatë tij në veçanti dhe prej të gjitha veprave të mira në përgjithësi.

[198] Pajisuni me ushqime dhe gjërat e nevojshme për udhëtimin për kryerjen e haxhit që të mos u keni nevojën njerëzve dhe të mos u kërkoni atyre.

[199] Duke zbatuar urdhërat e Mia dhe duke u larguar nga ndalesat e Mia, në përgjithësi dhe në lidhje me haxhin në veçanti.

[200] Nuk keni gjynah që të bëni tregti para dhe pas Ihramit për haxh.

[201] Me namaz dhe lutje.

[202] Me përkushtim dhe bindje, me lavdërim dhe falënderim.

[203] Ju ka dhënë sukses që të ndiqni rrugën e Ibrahimit, fenë e pastër Islame.

[204] Keni qenë të humbur nga kjo rrugë dhe në buzë të greminës, por Allahu ju shpëtoi me mirësinë e Tij dhe udhëzoi në Islam.

[205] Që nga Ibrahimi (alejhi selam) e deri në kohët e fundit; nga Muzdelife në Mina për të hedhur gurët dhe më pas për të plotësuar ritet e tjera të ditës së madhe të haxhit, ditës së Kurban Bajramit.

[206] Pas përfundimit të riteve të haxhit, madje pas çdo adhurimi dhe vepre të mirë, Allahu urdhëron që t’i kërkojmë falje Atij për ndonjë mangësi që kemi lënë, për ndonjë gabim që kemi bërë dhe për ta falënderuar Atë për suksesin që na jep, dhe jo ashtu siç mendon ndokush se ai e ka plotësuar adhurimin e tij në mënyrën më të plotë dhe me këtë gjë i ka bërë mirë Zotit, dhe me të ka arritur vend të lartë. Ky meriton urrejtje dhe mospranim të veprës, ndërsa ai tjetri meriton pranim të veprës dhe sukses për vepra të tjera të mira. [Es Seadi].

[207] Taberiu përmend disa transmetime ku thuhet se shkaku i zbritjes së këtij ajeti ka qenë se në kohën e injorancës, pas përfundimit të riteve të haxhit, njerëzit uleshin në Mina dhe mburreshin me bëmat dhe veprat e prindërve të tyre. Atëherë, Allahu i urdhëroi ata që pas përfundimit të riteve të haxhit, të përmendin, të madhërojnë dhe të falënderojnë vetëm Allahun dhe askënd tjetër.

[208] Kërkojnë vetëm të mirat e kësaj bote dhe bukuritë e saj të përkohshme, dhe nuk kërkojnë asgjë nga të mirat e botës tjetër, as nuk punojnë për atë.

[209] Në të mirat që kërkojnë ata në këtë botë përfshihen të gjitha ato që i pëlqejnë dhe i bëjnë dobi njeriut, prej rriskut të mirë e të shumtë që është hallall, bashkëshortes së mirë, fëmijëve të dëgjueshëm, dijes së dobishme, veprës së mirë, etj. Ndërsa të mirat në botën tjetër janë: shpëtimi nga dënimi i varrit, nga dënimi i ditës së llogarisë, nga dënimi i zjarrit, dhe arritja e kënaqësisë së Allahut, fitimi i kënaqësive të pafundme në xhenet, etj. Kjo është lutja më përmbledhëse dhe më e plotë, të cilën Pejgamberi ynë e bënte shpesh dhe nxiste shokët e tij që të luteshin me të. [Es Seadi].

[210] Allahu i di mirë veprat e të dy palëve dhe i llogarit ato me llogaritjen më të shpejtë, pastaj e shpërblen secilën palë sipas veprës së vet.


Kthehu te Xhuzi 1b                 |              Vazhdo te Xhuzi 2b