SURJA EL FATIHA

Xhuzi[1] 1

Surja[2] 1, El Fatiha[3], Mekase[4], 7 ajete[5]

Madina0001

1. Me emrin e Allahut[6],të Gjithëmëshirshmit[7], Mëshirëplotit[8]!2. I gjithë lavdërimi i përket Allahut, Zotit[9] të të gjitha botëve[10],

3. të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit,

4. Sunduesit të ditës së llogarisë.[11]

5. Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm Ty të kërkojmë ndihmë e mbështetje[12].

6. Na udhëzo në rrugën e drejtë[13]!

7. Në rrugën e atyre të cilëve u ke dhuruar mirësi[14], jo të atyre që kanë merituar zemërimin (Tënd)[15] dhe as të atyre të cilët kanë humbur[16]!

-1-

_____________________________

[1] Xhuz do të thotë pjesë. Kurani është i ndarë në 30 xhuze.

[2] Sure do të thotë ndarje apo kapitull, dhe me këtë emër quhen vetëm suret e Kuranit. Kurani ka 114 sure.

[3] El Fatiha do të thotë: Hapja. Kjo sure është quajtur me këtë emër për shkak se Kurani hapet me të dhe me të fillohet leximi nga Kurani në namaz. Kjo sure është quajtur edhe me emra të tjerë, siç ka ardhur në hadith të saktë të transmetuar nga Ebu Hurejra se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Ajo (Fatihaja) është Nëna e Kuranit, Hapja e Librit dhe Shtatë të përsëriturat (ajetet)” [Hadith i saktë. “Es Sahiha” 1183. E ka nxjerrë Darakutni 118, Bejhakiu 2/45].

[4] Mekase do të thotë që ka zbritur në Meke para emigrimit të Pejgamberit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në Medine, ndërsa suret që kanë zbritur pas emigrimit janë quajtur sure Medinase.

[5] Ajet do të thotë shenjë. Ajetet janë quajtur kështu për shkak se ato janë shenja dalluese për ndarjen e një fjale, fjalie apo paragrafi nga një tjetër. Ose sepse ato janë si shenjat udhëzuese në rrugë.

[6] D.m.th. Filloj leximin me Emrin e Allahut. Kështu e ka mësuar Allahu të Dërguarin e Tij dhe të gjithë besimtarët, që para se të fillojnë çdo vepër apo thënie, ta fillojnë atë me Emrin e Allahut (Bismilah).

“Allah” është emër i përveçëm nga emrat e Zotit që do të thotë: i hyjnizuar dhe i adhuruar nga të gjitha krijesat.

[7] Mëshirues i të gjitha krijesave në këtë botë dhe në botën tjetër.

[8] Mëshirues i besimtarëve posaçërisht, në këtë botë dhe në botën tjetër.

[9] Krijuesi, Rregulluesi, Zotëruesi i Pashoq dhe i Pashembullt. Kjo është domethënia e fjalës “Rabb”.

[10] Prej njerëzve dhe xhinëve, brez pas brezi, si dhe të gjitha krijesave në të gjitha kohërat.

[11] Askush tjetër nuk zotëron asnjë gjykim dhe asgjë atë ditë, ditën e llogarisë dhe shpërblimit për veprat e bëra në këtë botë, ditën e gjykimit.

[12] Në adhurimin tonë për Ty dhe në të gjitha çështjet tona, dhe nuk i mbështetemi askujt tjetër.

[13] Dhe na mundëso qëndrueshmërinë në të. Rruga e drejtë është Islami, feja e Allahut në të cilin nuk ka kthesë as shtrembërim.

[14] Të binden dhe të adhurojnë vetëm Ty. E ata janë: engjëjt, pejgamberët, të sinqertët, dëshmorët dhe vepërmirët. [Taberiu; nga Ibën Abasi].

[15] Ata janë çifutët, të cilët e dinë të vërtetën dhe veprojnë të kundërtën e saj.

[16] Ata janë të krishterët, të cilët nuk janë udhëzuar tek e vërteta por veprojnë pa dije.

SURJA EL BEKARE

Surja 2, Medinase, 286 ajete

Madina0002

Me emrin e Allahut,

të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

1. Elif, lam, mim.[17]

2. Ky është libri[18] në të cilin nuk ka pikë dyshimi[19], udhëzues për të devotshmit[20].

3. Ata të cilët besojnë në të fshehtën[21], kryejnë faljen[22] dhe shpenzojnë nga ajo që Ne u kemi furnizuar[23].

4. Ata të cilët besojnë në atë që të është zbritur ty[24] (O Muhamed) dhe atë që është zbritur para teje[25], dhe besojnë me bindje të plotë në botën tjetër.[26]

5. Ata janë të udhëzuar në rrugë të drejtë nga Zoti i tyre[27] dhe ata janë të shpëtuarit[28].

-2-

_________________________________

[17] Këto janë germa prej germave të alfabetit arab. Njëzet e nëntë sure të Kuranit hapen me një apo më shumë germa të ndryshme për domethënien e të cilave ka shumë mendime tek dijetarët e tefsirit, por domethënien e vërtetë të tyre nuk e di veçse Allahu i Madhëruar. Këto i gjen në tefsirin e Taberiut, Kurtubiut, etj.

[18] Kurani, të cilin Allahu ia ka shpallur të Dërguarit të Tij Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), të ndarë në një periudhë kohore prej 23 vjetësh.

[19] Se është nga Allahu.

[20] Besimtarët, të cilët i ruhen Allahut me ruajtjen prej ndalesave të Tij dhe me kryerjen e urdhrave të Tij.

[21] E fshehta (el Gajb) është ajo gjë të cilën njerëzit nuk e shohin, por për ekzistimin e saj ka njoftuar Allahu në Kuran; siç janë engjëjt, pejgamberët, ringjallja pas vdekjes, dita e gjykimit, xheneti dhe xhehenemi, etj.

[22] Kryejnë rregullisht faljen e detyrueshme, pesë herë në një ditë-natë, në atë formë që është përcjellë nga Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

[23] Nxjerrin zekatin e pasurive të tyre dhe shpenzojnë për ata ndaj të cilëve kanë detyrime.

[24] Ajo që i është zbritur Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) është Kurani dhe Suneti (tradita pejgamberike).

[25] Të gjitha librat dhe fletushkat qiellore të mëparshme, të cilat Allahu ua ka zbritur Pejgamberëve të mëparshëm, si: Teurati, Zeburi, Inxhili, fletushkat e Ibrahimit dhe Musait.

[26] Besojnë bindshëm në jetën në botën tjetër, në ringjallje, në llogari, në peshojë, në shpërblim e dënim, etj.

[27] Ata janë në dritë nga Zoti i tyre dhe të qëndrueshëm në atë që u ka ardhur nga Ai, si rezultat i suksesit të dhënë nga Allahu dhe mundësimit nga Ai.

[28] Të fituarit, të cilët arritën atë që kërkonin tek Allahu i Lartësuar me besimin dhe veprat e tyre, prej fitimit të shpërblimit, përjetësisë në kopshtet e xhenetit dhe shpëtimit nga dënimi që Allahu ka përgatitur për armiqtë e Tij.

Madina0003

6. Ndërsa për ata të cilët mohuan[29] është njësoj si t’i këshillosh apo të mos i këshillosh, ata përsëri nuk besojnë[30].

7. Allahu ua ka vulosur zemrat[31] dhe dëgjimin atyre, ndërsa në sytë e tyre ka perde[32], dhe ata kanë dënim të madh.

8. Disa njerëz[33] thonë: “Ne kemi besuar në Allahun dhe në ditën e fundit[34]”, por në realitet ata nuk janë besimtarë.

9. Ata kërkojnë të mashtrojnë Allahun dhe ata që kanë besuar[35], por në të vërtetë nuk mashtrojnë veçse vetveten, por nuk e ndiejnë.

10. Në zemrat e tyre ka sëmundje[36] dhe Allahu ua ka shtuar edhe më shumë sëmundjen. Ata kanë dënim të dhimbshëm për shkak se gënjejnë[37].

11. Kur atyre u thuhet: “Mos prishni[38] në tokë!”, ata thonë: “Ne jemi vetëm rregullues e pajtues[39]”.

12. Nuk është ashtu! Në të vërtetë, pikërisht ata janë prishësit, por nuk e ndiejnë.

13. Dhe kur u thuhet: “Besoni ashtu si kanë besuar njerëzit[40]!”, ata thonë: “A të besojmë ashtu siç besojnë mendjelehtët?” Nuk është ashtu! Në të vërtetë, pikërisht ata janë mendjelehtët, por nuk e dinë.

14. Ndërsa kur takojnë ata të cilët kanë besuar, u thonë: “Ne besojmë”, por kur veçohen tek shejtanët[41] e tyre, thonë: “Në të vërtetë ne jemi me ju[42]. Ne vetëm sa tallemi me ta.”

15. Allahu tallet me ta[43] dhe i lë (të jetojnë) që të sorollaten edhe më shumë në humbjen dhe mosbesimin e tyre.

16. Këta janë ata të cilët e kanë blerë humbjen me udhëzimin[44], por tregtia e tyre nuk pati fitim dhe ata nuk ditën të zgjedhin.

-3-

_______________________________

[29] Mohuan profetësinë e Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe e fshehën çështjen e tij nga njerëzit, megjithëse e njihnin atë ashtu siç njihnin bijtë e tyre, sepse e kishin të shënuar në librin e tyre, në Teurat. Kështu vepruan priftërinjtë çifut të cilët ndodheshin në Medine, në kohën e ardhjes së Muhamedit.

[30] Ata kanë mohuar edhe më parë atë që u ka ardhur nga Zoti i tyre duke qenë se e dinin mirë se ishte nga Zoti, kështu që si do ta dëgjojnë këshillën dhe paralajmërimin tënd, ndërkohë që ata kanë mohuar edhe vetë librin e tyre ku flitet për ty, o Muhamed.

[31] Kur gjynahet pasojnë njëri-tjetrin, ato e mbyllin zemrën dhe kur zemra mbyllet, asaj i vjen vulosja nga Allahu i Madhëruar, kështu që besimi nuk gjen rrugë për në zemrat e tyre dhe as mohimi nuk gjen rrugë për të dalë.

[32] Kështu që nuk e shohin rrugën e drejtë dhe të vërtetë, dhe as të shtrembëtën në të cilën ata janë.

[33] Ajetet në vijim kanë zbritur në lidhje me disa njerëz hipokritë të cilët gjendeshin në Medine në fillim të Islamit, megjithatë ato bëjnë fjalë për cilësitë e hipokritëve në çdo kohë.

[34] D.m.th. ditën e kiametit, ditën e ringjalljes. Është quajtur “dita e fundit” për shkak se pas saj nuk ka më ditë-natë.

[35] Me shprehjen e besimit me gjuhë duke qenë se në zemër fshehin dyshim dhe përgënjeshtrim. Këtë e bëjnë nga frika dhe për t’i shpëtuar ligjit të Allahut të Madhëruar në lidhje me përgënjeshtruesit. Ky është mashtrimi që ata bëjnë.

[36] Sëmundje dyshimi në besim dhe në fe, në të besuarit e Muhamedit dhe në atë me të cilën ai ka ardhur nga Allahu.

[37] Kur thonë se besojnë në Allahun dhe në ditën e fundit.

[38] Prishja është: mosbesimi, kryerja e ndalesave të Allahut dhe humbja e atyre që Ai ka urdhëruar të ruhen.

[39] Duam të pajtojmë mes dy grupeve: besimtarëve muslimanë dhe ithtarëve të librit (çifutëve e të krishterëve).

[40] Janë për qëllim shokët e Muhamedit, si dhe të gjithë ata që e besojnë atë dhe mesazhin e tij të ardhur nga Allahu.

[41] Kokat dhe shokët e tyre në mosbindje, mosbesim, idhujtari, prishje e në çdo të keqe.

[42] Në fenë tuaj dhe ndihmësit tuaj kundër Muhamedit dhe shokëve të tij, kundër besimtarëve.

[43] Tallja është vepra apo fjala e shfaqur nga tallësi para atij që kërkon të tallë, duke pasur për qëllim ta mashtrojë, ta gënjejë dhe ta fusë në kurth. Por në të vërtetë Allahu tallet me hipokritët si ndëshkim për ta; duke qenë se Ai ka caktuar ligje për ta në këtë botë, sipas të cilave ata gjykohen me atë që shfaqin prej besimit Islam, edhe pse mbajnë fshehur të kundërtën e tij. Por kur të ringjallen në botën tjetër bashkë me muslimanët dhe kur të mendojnë se do të futen me ta në xhenet, Allahu do t’i ndajë ata nga miqtë e Tij, dhe do t’i fusë ata në skajin më të thellë të zjarrit, duke u tallur me ta, duke i mashtruar dhe duke i futur në kurth. Por kjo cilësi e Allahut, është në vendin e saj dhe e drejtë, sipas asaj që ata meritojnë dhe jo tallje e padrejtë. Allahu ka cilësitë më të larta, më të përsosura dhe vetëm pozitive, ndryshe nga krijesat e Tij dhe shumë më të larta nga ato që njerëzit i përshkruajnë. [Taberiu].

[44] Zgjodhën humbjen dhe lanë udhëzimin, ndërruan besimin me mosbesimin pasi u urdhëruan të besonin.

Madina0004

17. Shembulli i tyre është njësoj si shembulli i atij që ndez një zjarr, dhe pikërisht kur ai zjarr ndriçon gjithçka përreth, Allahu ua merr dritën dhe i lë në errësira, e ata nuk shohin[45].

18. Të shurdhër, memecë e të verbër[46], kështu që nuk kthehen[47].

19. Ose si një shtrëngatë nga qielli[48], me errësirë, gjëmim e shkreptimë, e prej frikës së vdekjes nga rrufeja, ata i fusin gishtat në veshët e tyre, por Allahu i ka gjithnjë në dorë mosbesimtarët[49].

20. Shkreptima gati sa nuk ua merr të pamurit. Sa herë që ajo u bën dritë atyre, ata ecin në të, ndërsa kur i lë në errësirë, ata mbesin në vend[50]. E sikur të donte Allahu, do t’ua kishte marrë të dëgjuarit dhe të pamurit. Vërtetë që Allahu është i Gjithëfuqishëm për gjithçka.

21. O njerëz! Adhurojeni[51] Zotin tuaj, i Cili ju ka krijuar ju dhe ata që kanë qenë para jush, në mënyrë që të bëheni të devotshëm[52].

22. I Cili për ju e ka bërë tokën shtrat[53] dhe qiellin tavan[54], e nga qielli Ai zbret ujë (shi) me të cilin nxjerr prej fryteve të ndryshme furnizim për ju. Kështu që mos i bëni shokë Allahut duke qenë se e dini[55].

23. E në qoftë se jeni në dyshim për këtë që i kemi zbritur robit Tonë, atëherë sillni një sure të ngjashme me të dhe thërrisni edhe dëshmitarët[56] tuaj përveç Allahut, nëse jeni të sinqertë.

24. Por përderisa nuk e keni bërë dhe as që keni për ta bërë kurrë, atëherë[57] ruajuni zjarrit, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët; i përgatitur për mohuesit.

-4-

______________________________

[45] Shembulli i ndriçimit të hipokritëve me shfaqjen e Islamit me gjuhët e tyre duke u thënë besimtarëve se besojnë Allahun dhe ditën e fundit, gjë me të cilën ata u përfshinë në gjykimin e përgjithshëm të njëjtë me muslimanët në dynja, duke ruajtur gjakun, pasuritë dhe sigurimin e fëmijëve nga robërimi, si dhe në martesë e trashëgimi; shembulli i tyre në të gjithë këtë është si shembulli i atij që ndez një zjarr dhe ndriçohet me të, dhe pikërisht kur zjarri ndriçon vendin përreth, ai fiket dhe i ikën drita, duke e lënë njeriun në errësirë dhe frikë. Kjo sepse hipokriti vazhdon të ndriçohet me dritën e fjalës me të cilën ai ka ruajtur jetën dhe robërinë, edhe pse fsheh të kundërtën e saj dhe mendon se mashtron Allahun, të dërguarin e Tij dhe besimtarët, por kur të kthehet tek Zoti i tij në botën tjetër dhe duke menduar se do të shpëtojë nga Ai ashtu si shpëtoi në dynja me gënjeshtër e hipokrizi, ai mbet në errësirë dhe e pret dënimi i dhimbshëm, siç thotë Allahu në suren “El Hadid”, 13-15. [Taberiu].

[46] Nuk e dëgjojnë të vërtetën, nuk e shprehin atë me gjuhët e tyre dhe nuk e shohin atë që të mund ta meditonin, pasi që Allahu ua ka vulosur zemrat atyre për shkak të hipokrizisë së tyre dhe ata nuk udhëzohen.

[47] Nga humbja në udhëzim dhe nuk pendohen nga hipokrizia e tyre.

[48] Shembulli i ndriçimit të hipokritëve me dritën e pranimit të Islamit me gjuhët e tyre duke mbajtur fshehur mosbesimin, është si shembulli i ndriçimit të atij që ndez një zjarr, në formën e përshkruar nga Allahu i Madhëruar më sipër, ose si shembulli i një shiu të rrëmbyeshëm që vjen nga qielli, në një natë të errët pus, e cila simbolizon mosbesimin, humbjen dhe hipokrizinë e tyre.

[49] Do t’i bashkojë të gjithë në xhehenem.

[50] Shkreptima simbolizon besimin e tyre të jashtëm, i cili u siguron atyre disa përfitime të kësaj dynjaje, dhe sa herë që ata i shohin këto përfitime, vazhdojnë dhe ecin në atë rrugë, ndërsa kur nuk shohin ndonjë interes në Islam; kur Allahu i sprovon robët e Tij besimtarë me ndonjë fatkeqësi, ata qëndrojnë në hipokrizinë dhe në humbjen e tyre.

[51] Allahu i urdhëron të gjithë njerëzit që të njësojnë Allahun duke adhuruar vetëm Atë, duke iu përulur dhe nënshtruar vetëm Atij, duke e veçuar Atë si të vetmin Zot, Krijues, Rregullues dhe Zotërues të gjithçkaje.

[52] T’i ruheni Allahut dhe dënimit të Tij duke adhuruar vetëm Atë dhe duke iu bindur Atij.

[53] D.m.th: të rrafshët dhe të përshtatshme për të ecur, qëndruar e jetuar mbi të.

[54] Qielli është quajtur “sema” – i ngritur, për shkak se ai është i ngritur lartë tokës dhe krijesave që gjenden në të, dhe ai (qielli) është si tavan dhe kupolë për tokën.

[55] E dini që nuk ka Zot tjetër që t’ju ketë krijuar e t’ju furnizojë përveç Allahut, dhe e dini se ajo në të cilën iu thërret Pejgamberi (Muhamedi) është e vërteta në të cilën nuk ka dyshim.

[56] Ndihmuesit dhe shokët tuaj në përgënjeshtrimin e Allahut dhe të Pejgamberit që t’ju ndihmojnë në formulimin e një sureje të ngjashme me Kuranin.

[57] Atëherë iu është bërë e qartë e vërteta, prandaj ruajuni zjarrit… [Tabariu; nga Ibën Abasi].

Madina0005

25. Ndërsa ata të cilët besojnë dhe bëjnë vepra të mira përgëzoi se do të kenë xhenete (kopështe) nën të cilët rrjedhin lumenj. Sa herë që atyre u jepet furnizim nga ndonjë fryt i atyre (xheneteve), ata thonë: “Ky është si ai që kemi ngrënë edhe më parë[58]!” Ngaqë u jepen fryte të ngjashme[59]. Ata do të kenë në to edhe bashkëshorte të pastra[60] dhe ata do të jenë përgjithmonë në to (xhenete).

26. Allahu nuk e ka për turp të sjellë si shembull qoftë duke filluar nga një mushkonjë e deri në diçka më të lartë se ajo[61]. Sa për ata të cilët kanë besuar, ata e dinë se kjo është e vërteta nga Zoti i tyre, ndërsa ata të cilët mohuan thonë: “Çfarë ka pasur për qëllim Allahu me këtë si shembull?” Me të (shembullin e mësipërm) Ai humb shumë[62] dhe udhëzon shumë (të tjerë), por nuk humb me të veçse të pabindurit.

27. Ata të cilët[63] thyejnë besën e dhënë Allahut pas lidhjes së saj[64], shkëpusin ato për të cilat Allahu ka urdhëruar që të mbahen lidhur[65] dhe bëjnë prishje[66] në tokë. Këta janë të humburit.

28. Si mund ta mohoni Allahun kur dihet se keni qenë të vdekur[67] dhe Ai iu dha jetë, pastaj iu vdes, pastaj iu ringjall[68], pastaj ktheheni tek Ai[69]?

29. Është Ai i Cili për ju e krijoi gjithçka që gjendet në tokë[70], pastaj synoi[71] qiellin dhe e përsosi atë (duke e ndarë) në shtatë qiej[72]. Ai është i Gjithëdijshëm për çdo gjë.

-5-

_________________________________

[58] Në dynja.

[59] Në ngjyrë dhe emër, por jo në shije, ose vetëm në emër dhe në asnjë cilësi tjetër.

[60] Nga çdo e metë, mangësi a neveri, si: të përmuajshmet, lehonia, jashtëqitja, etj.

[61] Në madhësi, fuqi, etj. Allahu nuk e ka për turp që për të vërtetën të sjellë shembuj të mëdhenj apo të vegjël, për të sprovuar me të robët e Tij, me qëllim që të dallohen besimtarët nga mosbesimtarët, dhe si humbje nga Ai për disa njerëz dhe udhëzim nga Ai për të tjerë. Thuhet gjithashtu se Allahu e ka sjellë këtë shembull për të krahasuar dynjanë me mushkonjën e cila vazhdon të jetojë përderisa është e uritur, dhe kur ngopet, ngordh. Po kështu edhe këta njerëz për të cilët Allahu e ka sjellë këtë shembull, kur ngopen dhe mbushen nga dynjaja, Allahu i merr ata befasisht.

[62] Prej krijesave të Tij; d.m.th. hipokritët dhe mohuesit.

[63] Mohuesit dhe hipokritët prej çifutëve dhe të gjithë njerëzve që kanë këto cilësi të përmendura më sipër duke filluar që nga ajeti nr. 6 deri në ajetin nr. 20.

[64] Besën e dhënë Allahut në librat e zbritur nga Ai tek të dërguarit e Tij tek ata dhe me gjuhën e të dërguarve të Tij: se do të ndjekin Muhamedin dhe mesazhin e tij nga Allahu, do t’i binden Allahut në atë që u ka bërë detyrim në Teurat: se do t’ia sqarojnë njerëzve çështjen e Muhamedit dhe do t’i njoftojnë ata se e gjejnë atë të shënuar në librin e tyre dhe se ai është i dërguar nga Allahu dhe se bindja ndaj tij është e detyrueshme. Këtë nuk do ta fshehnin në asnjë mënyrë, por ata e thyen besën e dhënë. Në përmbajtjen e këtij ajeti përfshihen të gjithë ata që kanë cilësitë e këtyre prishësve prej hipokritëve dhe mohuesve; në thyerjen e besës, shkëputjen e lidhjeve familjare dhe prishjen në tokë.

[65] Lidhjet familjare, të drejtat e të afërmve dhe çdo gjë që Allahu ka urdhëruar të mbahet.

[66] Mohojnë Allahun, përgënjeshtrojnë të dërguarin dhe e mohojnë profetësinë e tij, kundërshtojnë Allahun dhe mohojnë të vërtetën që iu ka ardhur nga Allahu.

[67] Nuk keni qenë asgjë, nuk keni pas ekzistuar në dynja, nuk njiheshit e nuk përmendeshit.

[68] Në ditën e ringjalljes në botën tjetër.

[69] Sepse Allahu i ringjall njerëzit në varret e tyre para se të mblidhen në tokën e mahsherit dhe të dalin para Tij për të dhënë llogari.

[70] Duke nënshtruar gjithçka për njeriun që t’i shërbejë atij.

[71] Për domethënien e fjalës “isteva ila” ka dy mendime tek dijetarët e Ehli Sunetit. Imam Taberiu ka zgjedhur domethënien “u ngrit dhe u lartësua”, njësoj si kuptimi i fjalës “Isteva ala”, ndërsa Ibën Kethiri ka zgjedhur domethënien “synoi”. Shejh Abdurrahman es Seadi, në tefsirin e tij, ka zgjedhur fjalën e Ibën Kethirit, dhe po kështu Ibën uthejmin i ka dhënë epërsi mendimit të Ibën Kethirit, se në këtë rast vjen me kuptimin “synoi” (kasade), e Allahu e di më mirë.

[72] D.m.th: pasi përsosi tokën dhe e bëri atë të përshtashme për njeriun me gjithçka i duhej atij, si mirësi nga Allahu dhe mëshirë prej Tij, Allahu i Lartësuar rregulloi dhe përsosi qiellin duke e ndarë atë në shtatë qiej të përsosur dhe të rregullt, me fuqinë, vullnetin dhe dijen e Tij absolute.

Madina0006

30. Dhe kur[73] Zoti yt u tha engjëjve[74]: “Unë do të vendos një zëvendës të trashëgueshëm[75] në tokë”, ata thanë: “A do të vendosësh në të dikë që bën prishje në të dhe derdh gjakrat[76], ndërsa ne të madhërojmë Ty me lavdërim dhe të shenjtërojmë[77] Ty?” Ai tha: “Unë di çfarë nuk dini ju[78].”

31. Dhe ia mësoi Ademit[79] të gjitha emrat (e gjërave), pastaj ua paraqiti ato engjëjve dhe u tha: “M’i tregoni emrat e këtyre, nëse jeni të saktë[80].”

32. “Lavdi të qoftë Ty!”, -thanë ata- “ne nuk dimë veçse atë që na ke mësuar Ti[81]. Vetëm Ti je i Gjithëdijshmi, më i Urti.”

33. Ai tha: “O Adem! Tregoja atyre emrat e tyre.” Kur ai ua tregoi emrat e tyre, (Allahu) tha: “A nuk u kam thënë se Unë e di të fshehtën e qiejve dhe të tokës, dhe e di atë që ju shfaqni dhe atë që e mbani fshehur[82]?”

34. Dhe kur[83] u thamë engjëjve: “Bëni sexhde[84] për Ademin!”, ata menjëherë ranë në sexhde me përjashtim të Iblisit[85], i cili refuzoi, bëri mendjemadhësi dhe ishte prej mohuesve[86].

35. Pastaj thamë: “O Adem! Ti dhe bashkëshortja jote banoni në xhenet dhe hani prej tij sa të doni e ku të doni, por mos iu afroni kësaj peme[87], se përndryshe bëheni prej të padrejtëve[88].

36. Por shejtani i shtyu ata të dy që të gabonin në të[89] dhe i nxori[90] ata nga ajo ku ishin. Ne u thamë: “Zbritni! Ju jeni armiq të njëri-tjetrit. Në tokë do të keni vendqëndrim dhe jetesë deri në një kohë të caktuar.[91]

37. Ademi pranoi disa fjalë nga Zoti i tij[92], e Ai e fali atë. Vërtet që vetëm Ai është Pranuesi i Madh i pendimit[93], Mëshirëploti.

-6-

_______________________________

[73] Kujtoju atyre edhe këtë mirësi që Allahu ia dha njeriut, kur që para shumë kohësh u tha engjëjve …

[74] Allahu i ka krijuar engjëjt nga drita dhe ata janë quajtur me emrin “Melaike” për shkak të mesazhit që përcjellin nga Allahu tek pejgamberët dhe robërit e Tij ku Ai i dërgon ata.

[75] Ademin si zëvendës të Allahut në zbatimin e urdhrit të Tij në tokë, dhe njëkohësisht i trashëgueshëm nga bijtë e tij, të cilët edhe ata do të trashëgojnë njëri-tjetrin deri në ditën e Kiametit.

[76] Për komentimin e kësaj fjale të engjëjve ka disa transmetime. Mendimi më i saktë është fjala se engjëjt i kërkojnë Allahut t’u tregojë: “A po vendos në tokë krijesa me cilësi të tilla (që prishin dhe derdhin gjak), duke mos pasur për qëllim Ademin por disa prej pasardhësve të tij, dhe nuk na bën ne zëvendësit e Tu në tokë, ndërkohë që ne të madhërojmë Ty me lavdërim dhe shenjtërim?” Por nuk kanë për qëllim të kundërshtojnë diçka të tillë. Engjëjt e mësuan se njeriu do të bënte prishje dhe derdhje gjaku në tokë me njoftimin e Allahut, sepse ata nuk dinë nga e fshehta veçse atë që u tregon Allahu.

[77] Të pastrojmë nga të metat, të lartësojmë, të madhërojmë në formën më të plotë.

[78] Prej gjërave që engjëjt nuk dinin ishte se në mesin e tyre gjendej edhe Iblisi (djalli, shejtani), i cili fshihte brenda vetes kundërshtimin e parë që iu bë urdhrit të Allahut, mendjemadhësinë. Gjithashtu engjëjt nuk e dinin se prej njerëzve do të kishte pejgamberë, të sinqertë, dëshmorë dhe vepërmirë, të cilët do ia kalonin atyre për nga grada dhe vendi që kanë tek Allahu.

[79] Njeriut të parë, i cili u quajt Adem për sepse u krijua nga dheu i marrë në vende të ndryshme nga sipërfaqja e tokës.

[80] Në fjalën tuaj se me vendosjen e njeriut në tokë, pasardhësit e tij do të bëjnë prishje dhe gjakderdhje, ndërsa sikur të na vendosësh ne atje, do të adhurojmë, madhërojmë, do të bindemi plotësisht dhe nuk do ta thyejmë Urdhrin Tënd.

[81] Engjëjt u tërhoqën menjëherë nga fjala që thanë duke madhëruar Allahun dhe duke e pastruar Atë nga të diturit e tyre diçka që të mos ja ketë mësuar Ai. Pastaj thanë se Allahu është i Vetmi, dija e të Cilit nuk është e përfituar dhe as e mësuar nga dikush tjetër, por dije absolute dhe gjithëpërfshirëse.

[82] Në lidhje me atë që engjëjt mbanin fshehur ka dy komentime: I pari: Është për qëllim ajo që fshihte Iblisi, i cili në atë kohë ishte në mesin e engjëjve. I dyti: Kur engjëjt mësuan se Allahu do të krijojë një krijesë të re, i thanë njëri-tjetrit në fshehtësi se Allahu nuk ka për të krijuar krijesë më të nderuar dhe me vend më të lartë tek Ai se sa ata. Komentimi i parë është përcjellë nga Ibën Abasi ndërsa i dyti nga El Hasen dhe Katade. Më i saktë është mendimi i parë për shkak se është i argumentuar dhe atë e përkrahin edhe ajetet në vijim.

[83] Kujtoni gjithashtu që prej mirësive të Mia ndaj jush është se e nderova babanë tuaj duke urdhëruar engjëjt që të bëjnë sexhde para tij, në shenjë nderimi për të, dhe jo adhurimi.

[84] Sexhde quhet përkulja dhe vendosja e ballit dhe hundës në tokë.

[85] Iblis do të thotë: i pashpresë. Allahu e ka nxjerrë atë nga çdo e mirë dhe e ka bërë djall të mallkuar për shkak të gjynahut të tij. Ai është krijuar nga flaka e zjarrit dhe nuk është prej engjëjve por prej xhinëve.

[86] Prej mohuesve të mirësive të Allahut me kundërshtimin e urdhrit për t’ju përulur Ademit.

[87] Mos hani prej frutave të saj. Emri i asaj peme nuk është përmendur në ndonjë tekst Kuranor apo Hadith.

[88] Ndiqni rrugën e atyre që i kalojnë kufijtë e mi, kundërshtojnë urdhrin Tim dhe bëjnë të lejuara ndalesat e Mia.

[89] Në lidhje me pemën, duke i mashtruar që të hanin prej frutave të saj.

[90] U bë shkak që Allahu t’i nxjerrë ata nga e mira në të cilën ishin në xhenet.

[91] Do të jetoni dhe do të furnizoheni në të brez pas brezi deri në ditën e kiametit.

[92] Allahu i paraqiti Ademit disa fjalë dhe ai i pranoi ato i penduar, dhe Allahu ia pranoi atij pendimin dhe ia fali gabimin me shqiptimin dhe pranimin e atyre fjalëve. Kurani bën shenjë se fjalët e pranuara nga Ademi janë ato që thuhen në ajetin: “O Zoti ynë! Ne i bëmë padrejtësi vetvetes dhe nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, atëherë do të jemi prej të humburve.” [El Araf, 23].

[93] I Cili e pranon pendimin e robërve të Tij mëkatarë të kthyer tek Ai për t’iu bindur dhe të penduar pas gjynahut të kryer, dhe i fal gjynahet e tyre duke mos i dënuar për to, si mirësi tjetër nga mëshira e Tij e madhe.

Madina0007

38. Ne u thamë: “Zbritni që të gjithë[94] prej tij (xhenetit), dhe sigurisht që do t’ju vijë udhëzim[95] prej Meje; dhe kushdo që e ndjek udhëzimin Tim, për ta nuk do të ketë frikë dhe as nuk do të brengosen[96].”

39. Ndërsa ata të cilët mohojnë dhe përgënjeshtrojnë shenjat[97] Tona, pikërisht ata janë banorët e zjarrit. Ata do të jenë në të përgjithmonë[98].

40. O bijtë e Israilit[99]! Kujtoni mirësinë Time[100] ndaj jush dhe mbani besën që më keni dhënë[101], që edhe Unë të mbaj premtimin[102] që ju kam dhënë, dhe vetëm Mua më kini frikë.

41. Besoni atë që kam zbritur (Kuranin), i cili është vërtetues i atij që keni ju[103], dhe mos u bëni mohuesit e parë të tij (Kuranit), as mos i shkëmbeni ajetet e Mia për një vlerë të pakët dhe vetëm Mua të ma kini frikën.

42. Mos e ngatërroni të vërtetën me të pavërtetën dhe të fshihni të vërtetën duke qenë se e dini.[104]

43. Falni namazin, jepni zekatin[105] dhe përuluni[106] bashkë me ata që përulen.

44. A i urdhëroni njerëzit për punë të mira ndërsa veten tuaj e harroni, ndërkohë që ju lexoni edhe Librin (Teuratin)? A nuk logjikoni?

45. Kërkoni ndihmë me durimin[107] dhe namazin, megjithëse kjo është e madhe, por jo edhe për të përulurit[108],

46. të cilët janë të bindur se do ta takojnë Zotin e tyre dhe se do të kthehen tek Ai.

47. O bijtë e Israilit! Kujtoni mirësinë Time ndaj jush, kur iu favorizova ndaj të gjitha krijesave[109].

48. Dhe kini frikë atë ditë kur askush nuk mund t’i shlyejë askujt asgjë[110], as nuk pranohet ndërmjetësimi i ndokujt[111], as nuk merret shpërblesë nga askush dhe as nuk do të ndihmohen.

-7-

___________________________

[94] Ademi, Havaja dhe Iblisi.

[95] Sqarim për urdhrin Tim dhe bindjen ndaj Meje dhe udhëzim në rrugën dhe fenë Time. Kjo do t’ju vijë me anë të të dërguarve dhe pejgamberëve të Mi.

[96] Nuk do të kenë frikë nga tmerret e ditës së Kiametit dhe nga dënimi i Allahut, për shkak se iu bindën Allahut në dynja dhe ndoqën udhëzimin dhe rrugën e Tij, dhe nuk do të brengosen për atë që kanë lënë mbrapa në dynja pas vdekjes.

[97] Shenjat e Allahut janë argumentet dhe provat e Tij për Njëshmërinë dhe Hyjnizimin e Tij, si dhe shenjat dhe dëshmitë me të cilat kanë ardhur pejgamberët e Allahut për vërtetimin e Njëshmërisë së Allahut dhe vërtetësisë së asaj që ata kanë njoftuar nga Zoti i tyre.

[98] Është fjala për banorët e përhershëm të zjarrit, pasi që do të ketë edhe njerëz të tjerë që do të hyjnë në zjarr si dënim për gjynahet e tyre dhe më pas do të dalin prej tij dhe do të hyjnë në xhenet. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: “Sa për banorët e zjarrit të cilët janë banorët e tij, ata as vdesin në të dhe as jetojnë, por janë disa njerëz (njësues të Allahut, besimtarë) të cilët i ka kapur zjarri për shkak të gjynaheve të tyre dhe i vdes ata një të vdekur sa që kur bëhen prush, jepet lejë (nga Allahu) për ndërmjetësim. Pastaj sillen torbe-torbe (si plaçkat) dhe përhapen mbi lumenjtë e xhenetit. Pastaj thuhet: “O banorë të xhenetit! Derdhni ujë mbi ta.” Atëherë mbijnë si fara e bishtajoreve mbi sjelljet e lumit.” [Muslimi, 458].

[99] Bijtë e pejgamberit Jakub, birit të Is’hakut, birit të Ibrahimit, (paqja e Allahut qoftë mbi ta!). Jakubi u quajt Israil me kuptimin: Rob i Allahut dhe i zgjedhuri i Allahut nga mesi i krijesave të Tij.

[100] Mirësitë e Allahut ndaj bijve të Israilit kanë qenë të shumta; prej tyre është se Ai ka zgjedhur pejgamberë prej tyre, u ka dërguar Libra, i ka shpëtuar nga vuajtjet dhe mjerimet e shkaktuara nga Faraoni dhe populli i tij, etj.

[101] Besa e dhënë nga ata është përmendur edhe më parë në ajetin 27; se ata do t’ua sqaronin njerëzve çështjen e Muhamedit se ai është pejgamber dhe se ata e gjejnë atë të shënuar në librin e tyre, në Teurat, dhe se do ta besojnë dhe do ta pasojnë atë.

[102] Premtimi i Allahut është se do t’i fusë në xhenet n.q.s. ata e përmbushin besën që i kanë dhënë Allahut.

[103] I Teuratit dhe Inxhilit. Nëse ju besoni Kuranin, keni besuar edhe Teuratin e Inxhilin, e në të kundërt: nëse e përgënjeshtroni Kuranin, keni përgënjeshtruar edhe Teuratin e Inxhilin që keni në duar, për shkak se ajo që thuhet në Kuran për profetësinë e Muhamedit dhe urdhëri për pasimin e tij, thuhet edhe në Teurat dhe Inxhil, kështu që kush e përgënjeshtron Kuranin, ka përgënjeshtruar edhe Teuratin e Inxhilin.

[104] Mos ia ngatërroni njerëzve çështjen e Muhamedit, o rabinë të ithtarëve të Librit, dhe mos e fshihni atë që gjeni në librin tuaj në lidhje me të, duke qenë se ju e dini të vërtetën; e dini se Muhamedi është i Dërguari i Allahut për të gjithë njerëzimin dhe se ajo me të cilën ai ka ardhur është prej Allahut.

[105] Zekati është pastrimi i pasurisë dhe kultivimi i saj me dhënien e një pjese të caktuar si lëmoshë për ata që u takon.

[106] Nënshtrojuni Allahut me bindje ndaj Tij.

[107] Origjina e durimit është që t’ia ndalosh vetes epshet dhe dëshirat e saj.

[108] Besimtarët e vërtetë të cilët kanë frikë Allahun dhe dënimin e Tij.

[109] Të asaj kohe, kur u dërgonte pejgamberë, libra dhe u dha pushtet.

[110] Askush nuk shlyen borxhin e dikujt tjetër as nuk i bën dobi me asgjë, as prindi fëmijës dhe as fëmija prindit, pasi që kthimi i të drejtave në ditën e gjykimit do të jetë prej veprave të mira e të këqia.

[111] Allahu i drejtohet çifutëve prej bijve të Israilit me këtë ajet, të cilët thoshin: “Ne jemi bijtë e Allahut, të dashurit e Tij dhe bijtë e pejgamberëve të Tij, kështu që prindërit dhe të parët tanë kanë për të ndërmjetësuar tek Allahu për ne.” Atëherë Allahu i njoftoi ata se në ditën e gjykimit askush nuk i bën dobi askujt dhe as nuk ndërmjetëson për askënd, deri sa gjithsecili të marrë hakun e tij. Dhe kështu, Allahu ua hoqi shpresat atyre nga ajo që ata prisnin dhe dëshironin prej shpëtimit nga dënimi i Allahut, megjithë përgënjeshtrimin e asaj të vërtete që ata e mësuan dhe e dinin.

Por megjithëse shprehja e këtij ajeti është e përgjithshme, qëllimi i tij është i kufizuar për nga komentimi, për shkak se janë përcjellë hadithe nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), i cili ka thënë: “Ndërmjetësimi im do të jetë për vepruesit e gjynaheve të mëdha nga ymeti im.” [Mishkatul Mesabih, 5598. E ka nxjerrë Ebu Daudi 4739, Tirmidhiu 2435] Ai gjithashtu ka thënë: “Çdo pejgamberi i është dhënë e drejta e një lutjeje, ndërsa unë e ruajta lutjen time për të ndërmjetësuar për popullin tim, dhe ai (ndërmjetësimi im), me Lejën e Allahut, do të përfshijë prej tyre të gjithë ata të cilët vdesin dhe nuk i kanë bërë shok Allahut asgjë.” [Muslimi, 490]. Ndërsa në ajet përfshihen ata që vdesin duke qenë mosbesimtarë dhe pa u penduar tek Allahu i Madhëruar. [Taberiu].

Madina0008

49. Edhe kur[112] iu shpëtuam nga njerëzit e faraonit, të cilët iu shkaktonin juve vuajtjet më fyese: iu thernin bijtë tuaj ndërsa gratë tuaja i linin gjallë[113]. Padyshim që këtu kishte sprovë (mirësi) të madhe për ju nga Zoti juaj.

50. Edhe kur e ndamë detin[114] për ju dhe iu shpëtuam, ndërsa njerëzit e faraonit i mbytëm[115] dhe ju shihnit[116].

51. Edhe kur i caktuam takim Musait[117] për dyzet net, ndërsa ju morët viçin (për zot) pas tij[118] dhe ishit të padrejtë[119].

52. Por edhe pas kësaj Ne ua falëm juve me qëllim që të falënderoni.

53. Edhe kur[120] i dhamë Musait Librin[121] dhe Furkanin[122] me qëllim që të udhëzoheni[123].

54. Edhe kur Musai i tha popullit të vet: “O populli im! Vërtet që ju i bëtë padrejtësi vetvetes me marrjen e viçit (për zot), ndaj kthehuni tek Krijuesi juaj me pendim dhe vritni vetët tuaja[124], kjo është më e mirë për ju tek Krijuesi juaj.” Dhe Ai ua pranoi pendimin juve. Vërtet që vetëm Ai është Pranuesi i Madh i pendimit, Mëshirëploti.

55. Edhe kur ju thatë: “O Musa! Ne nuk do të besojmë ty deri sa ta shohim Allahun hapur[125]!” Atëherë ju kapi e befasishmja[126] dhe ju e shihnit (atë).

56. Më pas ju ringjallëm pas vdekjes tuaj me qëllim që të falënderoni.

57. Dhe retë i bëmë hije për ju, iu zbritëm lëng pemësh dhe thëllëza. Hani pra nga të mirat që u kemi furnizuar. Dhe ata nuk na bënë dëm Neve por i bënin dëm vetvetes.

-8-

_____________________________

[112] Kujtoni, o bijtë e Israilit, edhe mirësinë Time ndaj jush, kur …

[113] I thernin të posalindurit meshkuj dhe i linin gjallë ato që ishin femra, nga frika se prej bijve të Israilit do të dilte dikush që do ia merrte pushtetin faraonit.

[114] Duke hapur 12 rrugë në det për të kaluar 12 fiset e bijve të Israilit.

[115] Në det me mbylljen e rrugëve të hapura për popullin e Musait.

[116] Mrekullinë që u ndodhi atyre me ndarjen e detit në rrugë për t’i shpëtuar faraonit dhe mbylljen e atyre rrugëve që u hapën për të mbytur faraonin dhe njerëzit e tij.

[117] Që të shkonte në malin e Turit të fliste me Allahun dhe t’i shpallej Teurati.

[118] Pas ikjes së Musës në malin e Turit.

[119] Me vendosjen e adhurimit jo në vendin e vet, pasi që adhurimi i përket vetëm Allahut, ndërsa ju adhuruat viçin.

[120] Kujtoni gjithashtu mirësinë Time ndaj jush, kur…

[121] Teuratin.

[122] Dalluesin e të vërtetës nga e pavërteta. Kjo është cilësi e Teuratit dhe e të gjithë librave të zbritur nga Allahu.

[123] Me të, d.m.th. me Teuratin, i cili ishte dallues mes të vërtetës dhe të pavërtetës.

[124] Duke vrarë njëri-tjetrin, dhe transmetohet se në këtë ngjarje janë vrarë 70 mijë prej tyre, sa që thuajse u shuan të gjithë. Me këtë vepër iu pranua pendimi dhe u falën të gjithë, të vrarët dhe ata që mbetën gjallë.

[125] Me sytë tanë dhe pa perde. Këtu, Allahu u kujton atyre (çifutëve) kundërshtimin e të parëve të tyre dhe mos qëndrimin drejt të tyre megjithë provat dhe argumentet që Allahu u sillte atyre. Me këtë ajet Allahu u bën të ditur çifutëve prej bijve të Israilit, të cilët ndodheshin në Medine në kohën e Pejgamberit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), se me përgënjeshtrimin dhe mohimin e tyre, ata nuk do të jenë më tepër se paraardhësit e tyre, të cilët dilnin nga feja vazhdimisht.

[126] Dëgjuan zë të fortë, ose u ra tërmet apo zjarr dhe vdiqën të gjithë. Taberiu transmeton se këta që vdiqën ishin 70 burra të zgjedhur nga Musai (alejhi selam) për të shkuar në malin e Turit dhe të kërkonin falje për veprën e popullit të tyre. Këta i kërkuan Musait që të dëgjonin Fjalët e Zotit të tyre kur i fliste Musait dhe ai e bëri këtë, dhe ata e dëgjuan. Pastaj i kërkuan që ta shihnin Zotin me sytë e tyre… Pas vdekjes së tyre, Musai iu lut Allahut që t’i ringjallë ata.

Madina0009

58. Edhe kur[127] ju thamë: “Hyni në këtë qytet[128] dhe hani prej tij ku të doni e sa të doni, por tek porta (e tij) hyni të përkulur[129] dhe thoni: “Falje!”,[130] e Ne t’ua falim[131] gjynahet dhe mirëbërësve do t’ua shtojmë shpërblimin[132].

59. Por ata të cilët vepruan padrejtësi e ndërruan me një tjetër fjalën që u ishte thënë[133]. Atëherë Ne zbritën ndëshkim nga qielli mbi ata të cilët vepruan padrejtësi, për shkak se ishin të pabindur.

60. Edhe kur Musai (na) kërkoi ujë për popullin e tij[134] dhe Ne i thamë: “Godite gurin[135] me shkopin tënd”, nga ai shpërthyen dymbëdhjetë burime, dhe secili grup[136] e dinte vendin e tij të pirjes[137]. Hani e pini nga furnizimi i Allahut dhe mos shkatërroni në tokë e të jeni prishës.

61. Edhe kur[138] ju thatë: “O Musa! Nuk do të durojmë vetëm një lloj ushqimi, ndaj lute Zotin tënd që të na nxjerrë nga ato që mbin toka prej bimëve të saj, trangujve, grurit, thjerrëzave dhe qepëve.” Ai (Musai) tha: “A kërkoni të ndërroni me më të ulët atë që është më e mirë? Atëherë zbritni në ndonjë qytet dhe keni për të gjetur atë që kërkoni.” Dhe kështu mbi ta u bë i detyrueshëm poshtërimi dhe skamja, dhe u kthyen duke marrë mbi vete zemërim nga Allahu. Kjo ngaqë ata i mohonin vazhdimisht shenjat e Allahut dhe i vritnin pejgamberët pa të drejtë, dhe kjo ngaqë kundërshtonin dhe vazhdonin t’i tejkalonin kufijtë.

-9-

___________________________

[127] Kujtoni gjithashtu mirësinë Time ndaj jush, kur…

[128] Është fjala për Jerusalemin, Kudsin.

[129] Në sexhde apo në ruku.

[130] Hyrja jonë të përkulur në këtë portë është falje për gjynahet tona, apo: me qëllim që të na falen gjynahet.

[131] Do t’i mbulojmë gjynahet tuaja me mëshirë, do t’ua mbulojmë ato juve dhe nuk do t’i publikojmë as nuk do t’ju dënojmë për to.

[132] Kush ka qenë mirëbërës, do t’i shtohet shpërblimi tek Allahu dhe kush ka qenë gabimtar, do t’i falen gabimet. [Taberiu nga Ibën Abasi].

[133] Thanë fjalë tjetër nga ajo të cilën u urdhëruan të thonin. Ebu Hurejra transmeton se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Bijve të Israilit iu tha: “tek porta (e Jerusalemit) hyni të përkulur dhe thoni: “Falje!”, ndërsa ata e ndryshuan fjalën dhe hynë duke u zvarritur me të ndenjurat e tyre dhe thanë: “farë në elb”, -apo: “farë në qime.” [Buhariu 3403, 4641 dhe Muslimi 7439]. Në një transmetim tjetër thuhet se: “ata filluan të hyjnë me prapanicat e tyre nga një derë e vogël (me qëllim që të përuleshin të detyruar nga dera dhe jo nga urdhri) dhe thonin: “Grurë”, duke u tallur.” [Taberiu nga Ibën Abasi].

[134] Në kohën kur ishin në shkretëtirë, Musai i kërkoi Allahut që të zbriste ujë për popullin e tij, Bijtë e Israilit.

[135] Një gur apo shkëmb nga mali i Turit, të cilin ata e mbartnin me vete.

[136] Bijtë e Israilit apo të Jakubit ishin dymbëdhjetë vëllezër ku secili prej tyre kishte familjen dhe pasardhësit e tij, duke formuar kështu dymbëdhjetë grupe njerëzish.

[137] Secili grup kishte burimin e tij të posaçëm në këtë gur dhe nuk i lejohej të pinte në burimin e grupit tjetër, ndërsa në burime të tjera, në kodra e fusha, ata mund të pinin lirisht së bashku.

[138] Kujtoni gjithashtu kohën kur të parët tuaj ishin në shkretëtirë dhe iu vinte ushqim i zgjedhur e i gatshëm nga qielli, ndërsa ata thanë…

Madina0010

62. Vërtet që ata të cilët kanë besuar[139]; ata të cilët kanë qenë jehudi[140], të krishterë[141] apo sabiunë[142], kushdo prej tyre që e ka pas besuar Allahun dhe ditën e fundit, dhe ka vepruar vepra të mira[143], ata e kanë shpërblimin te Zoti i tyre, për ta nuk do të ketë frikë dhe as nuk kanë për t’u pikëlluar.

63. Edhe kur[144] patëm marrë besën tuaj[145] dhe mbi ju ngritëm malin Tur[146]: “Merreni me seriozitet atë që iu dhamë[147] dhe përmendni ato që gjenden në të[148], në mënyrë që të ruheni[149].”

64. Pas kësaj ju kthyet shpinën[150] dhe sikur të mos ishte mirësia[151] e Allahut mbi ju dhe mëshira e Tij, padyshim që ju do të ishit prej të humburve.

65. Ju tashmë i njihni ata nga mesi juaj, të cilët e tejkaluan kufirin në ditën e shtunë[152] dhe Ne u thamë: “Bëhuni majmunë të përbuzur!”

66. Ne e bëmë këtë[153] si ndëshkim për të mëparshmet[154] dhe për të mëvonshmet[155], si dhe këshillë për të devotshmit.[156]

67. Edhe kur[157] Musai i tha popullit të vet: “Allahu ju urdhëron të therni një lopë”[158], ata thanë: “A tallesh me ne?” Ai tha: “Allahu më ruajt nga të qenët prej injorantëve[159]!”

68. Ata thanë [160]: “Lutu Zotit tënd të na sqarojë se cila është ajo?” Ai tha: “Ai (Allahu) thotë se ajo është një lopë jo shumë e vjetër dhe as mështjerrë, por e mesme. Zbatoni pra atë që ju urdhërohet.[161]”

69. Ata thanë[162]: “Lutu Zotit tënd të na sqarojë se çfarë ngjyre ka ajo?” Ai tha: “Ai thotë se ajo është një lopë e verdhë me ngjyrë të ndezur, e cila i kënaq shikuesit.”

-10-

___________________________

[139] Kanë besuar të dërguarin e Allahut, Muhamedin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe atë me të cilën ai ka ardhur nga Allahu.

[140] Besimi i jehudëve ka qenë duke besuar në Musain (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe në ndjekjen e rrugës së tij, deri sa erdhi Isa (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Kur erdhi Isai, kushdo që kapej për Teuratin dhe rrugën e Musait, por nuk e ndiqte Isain, ai ishte i humbur.

[141] Besimi i të krishterëve ka qenë duke besuar në Isain (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe në ndjekjen e rrugës së tij, deri sa erdhi Muhamedi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Kur erdhi Muhamedi, kushdo që kapej për Inxhilin dhe rrugën e Isait, por nuk e ndiqte Muhamedin, ai ishte i humbur.

[142] Popull pa ndonjë fe, as çifutë dhe as të krishterë. Thuhet se adhuronin engjëjt.

[143] Ata jehudi, të krishterë e sabiunë, të cilët e kanë arritur Muhamedin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), nuk përfshihen në këtë ajet vetëm në rast se e besojnë Muhamedin dhe atë me të cilën ai është dërguar nga Allahu, besojnë botën tjetër dhe veprojnë vepra të mira, pastaj nuk ndryshojnë nga kjo dhe nuk ndërrojnë rrugë deri sa vdesin, këta do ta kenë shpërblimin te Zoti i tyre, siç përmendet në ajet.

[144] Kujtoni gjithashtu kur…

[145] Besa e marrë nga bijtë e Israilit do të përmendet më pas në ajetet 83-85, të kësaj sureje.

[146] Malin e Turit. Ata ishin në rrëzën e malit dhe ai iu ngrit atyre mbi kokë, si kërcënim.

[147] Veproni me përpjekje dhe pa neglizhim sipas asaj që thuhet në Teurat prej urdhrave dhe ndalesave të Allahut.

[148] Prej premtimit dhe kërcënimit të ashpër.

[149] T’i ruheni dhe të keni frikë dënimin Tim, duke u kthyer nga kundërshtimi në bindje.

[150] E latë të vepruarit sipas asaj për të cilën morëm besën tuaj, se do të punonit me përpjekje dhe seriozitet.

[151] Sikur Allahu të mos ua pranonte pendimin pas shkeljes së besës nga ana juaj…

[152] Ata ishin ndaluar që të peshkonin në ditën e shtunë, ndërsa një grup prej tyre i hodhën rrjetat që ditën e xhuma dhe i mblodhën në ditën e djelë, gjë e cila tregon për shtrembërimin dhe arrogancën e tyre, duke menduar se do të talleshin me Allahun dhe do t’ja hidhnin Atij! Ndaj kujdes, o bijë të Israilit, që të mos bëni ashtu si bënë ata, dhe t’ju ndodhë ashtu si u ndodhi atyre!

[153] Dënimin dhe shndërrimin e tyre në majmunë, apo historinë e tyre…

[154] Gjynahet dhe veprat e këqia të atyre njerëzve.

[155] Këtë dënim do të kenë edhe ata të cilët veprojnë si vepra e tyre pas tyre.

[156] Pas tyre.

[157] Kujtoni gjithashtu kohën kur…

[158] Shkaku që Musai u tha atyre këtë fjalë ishte se ata shkuan për gjykim tek ai për çështjen e një të vrari të cilit nuk i dihej vrasësi.

[159] Mendjelehtët të cilët i atribuojnë Allahut gënjeshtër dhe të pavërtetë.

[160] Pasi u bindën se Musai e kishte seriozisht atë që tha dhe se ajo ishte urdhër nga Zoti, ata thanë…

[161] Në mënyrë që duke ju bindur Allahut, të arrini te njohja e vrasësit që kërkoni.

[162] Për të mos u mjaftuar me urdhrin e parë që të therrnin një lopë prej lopëve, nga natyra e tyre e keqe, nga morali i tyre i ulët, nga mendimi i tyre i cekët dhe nga kokëfortësia e tyre ndaj të dërguarit të Allahut, Musait (alejhi selam), ata kërkuan t’u përshkruhej lopa edhe më hollësisht. Atëherë Allahu i ndëshkoi ata duke e kufizuar urdhrin në therjen e një lope të veçantë, të cilën e gjetën me vështirësi dhe u kushtoi shumë.

Madina0011

70. Ata thanë[1]: “Lutu Zotit tënd të na sqarojë se cila është ajo, sepse të gjitha lopët po na duken njësoj, dhe ne, në dashtë Allahu, kemi për t’u udhëzuar[2].”

71. Ai tha: “Ai thotë se ajo është një lopë e pashtruar me lërimin e tokës dhe as me ujitjen e të mbjellave, por pa të meta dhe pa lara.” Ata thanë: “Tani na e solle të vërtetën[3].” Dhe e therën atë, megjithëse për pak e lanë pa bërë[4].

72. Edhe kur[5] vratë një njeri dhe u grindët me njëri-tjetrin për të, sigurisht që Allahu do e nxirrte (zbulonte) atë që ju mbanit fshehtë.

73. Aëherë u thamë: “Goditeni atë (të vdekurin) me një pjesë të saj[6].” Kështu i ngjall Allahu të vdekurit dhe u tregon juve[7] shenjat e Tij, në mënyrë që të kuptoni[8].

74. Por pas kësaj, zemrat tuaja[9] u ngurtësuan dhe u bënë si gurët apo edhe më të forta, pasi që ka prej gurëve nga të cilët burojnë lumenjtë. Ka prej tyre edhe që çahen e prej tyre del ujë, edhe të tjerë që rrokullisen poshtë[10] nga frika prej Allahut. E Allahu nuk është i pavëmendshëm ndaj asaj që ju punoni.

75. A shpresoni[11] që t’iu besojnë[12] juve, ndërkohë që një grup prej tyre[13] e dëgjonin Fjalën e Allahut[14] pastaj e ndryshonin[15] atë pasi e kishin kuptuar[16], duke qenë se e dinin mirë[17]?

76. Dhe kur takonin ata të cilët kishin besuar, thonin: “Ne besojmë[18]”, ndërsa kur veçoheshin tek njëri-tjetri, thonin: “A u tregoni atyre për atë që Allahu u ka shpallur juve[19], që pastaj ta përdorin si argument kundër jush tek Zoti juaj? A nuk kuptoni?”

-11-

______________________________

[1] Për herë të tretë, kështu që kufizimi dhe vështirësia ju shtua edhe më shumë për shkak të pyetjeve të tyre të pavend. Ndaj Pejgamberi ynë, Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Mos më pyesni për atë që ua kam lënë në heshtje, sepse ata që kanë qenë para jush nuk janë shkatërruar veçse nga pyetjet e tyre të shumta dhe kundërshtimi i pejgamberëve të tyre. Kur ju urdhëroj për diçka, kryeni prej saj sa të mundni, dhe kur ju ndaloj nga diçka, lëreni atë.” [Muslimi 3244, Nesai 2618].

[2] Kemi për ta gjetur lopën që duhet të therim.

[3] Tani na e sqarove mirë dhe saktë dhe ne e mësuam se cilën lopë duhet të therim.

[4] E therën lopën e përshkruar nga Allahu, dhe për pak e lanë pa therur për shkak të çmimit të lartë të saj dhe për shkak të zbulimit të turpit të tyre me zbulimin e vrasësit.

[5] Kujtoni gjithashtu kur…

[6] Me një copë mishi nga lopa e therur.

[7] O mohues dhe përgënjeshtrues të Muhamedit dhe asaj me të cilën ai ka ardhur.

[8] Të kuptoni se Muhamedi ka të drejtë dhe thotë të vërtetën, kështu që ta besoni dhe ta pasoni atë.

[9] U drejtohet bijve të Israilit, bijve të vëllait të të vrarit, pasi u ngjalli të vdekurin dhe u zbuloi atë që mbanin fshehur.

[10] Nga maja e malit në fushë.

[11] O besimtarë që keni besuar Muhamedin dhe atë me të cilën ai ka ardhur nga Zoti i tij.

[12] Çifutët prej bijve të Israilit.

[13] Prej të parëve të tyre.

[14] Teuratin. E dëgjonin nga Musai alejhi selam.

[15] Ndryshonin kuptimin dhe interpretimin e tij duke i dhënë kuptim tjetër nga ai që kishte për synim.

[16] Domethënien, interpretimin dhe qëllimin e tij.

[17] Se ishin duke mashtruar në ndryshimin që i bënin Teuratit.

[18] Ashtu si edhe ju; besojmë Muhamedin dhe atë me të cilën ai ka ardhur nga Zoti i tij. Gjithnjë vazhdon të bëhet fjalë për çifutët prej bijve të Israilit, të cilët gjendeshin në Medine në kohën e Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), por këtu janë për qëllim hipokritët prej tyre.

Madina0012

77. Po a nuk e dinë ata se Allahu di çfarë ata fshehin[20] dhe çfarë publikojnë[21]?

78. Madje ka prej tyre që janë analfabetë dhe nuk e njohin Librin[22], por trillojnë disa shpifje dhe flasin vetëm nga hamendja.

79. Mjerë[23] ata të cilët e shkruajnë librin me duart e tyre[24], pastaj thonë: “Ky është prej Allahut”, me qëllim që të fitojnë me të diçka të pakët! Mjerë ata për shkak të asaj që shkruajtën duart e tyre dhe mjerë ata për shkak të asaj që fitojnë!

80. Dhe thanë: “Nuk ka për të na prekur zjarri veçse për disa ditë të numëruara[25].” Thuaju[26]: “A mos vallë keni marrë nga Allahu ndonjë premtim[27], e Allahu nuk e thyen premtimin e Tij, apo jeni duke thënë për Allahun diçka që nuk e dini?”

81. Përkundrazi, kushdo që fiton të keqe[28] dhe rrethohet nga gabimet e veta[29], ata janë banorët e zjarrit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.

82. Ndërsa ata të cilët besojnë[30] dhe bëjnë vepra të mira, ata janë banorët e xhenetit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.

83. Edhe kur[31] morëm besën e bijve të Israilit: “Të mos adhuroni tjetër përveç Allahut, të silleni mirë me prindërit, me të afërmit, me jetimët dhe me të varfrit. Njerëzve t’u thoni fjalë të mira, të kryeni faljen dhe të jepni zekatin.” Por ju u shmangët, me përjashtim të një pakice prej jush, dhe i keni kthyer shpinën[32].

-12-

_____________________________

[19] Në Teurat për profetësinë dhe cilësitë e Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!). Paria çifute kritikonte ata çifutë të cilët u tregonin besimtarëve se çfarë shkruhej në Teurat për dërgimin e Pejgamberit të fundit, Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), duke zbuluar kështu atë që fshihte paria e tyre fetare.

[20] Prej mohimit dhe përgënjeshtrimit të Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), kur veçoheshin me njëri-tjetrin.

[21] Kur takojnë pasuesit e Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), dhe u thonë: “Ne besojmë”.

[22] Nuk dinë çfarë thuhet në Teurat.

[23] Dënim me pirje të qelbit të mbetur nga djegia e banorëve të xhehenemit, i cili do të jetë për çifutët të cilët e shkruajnë të pavërtetën me duart e tyre pastaj thonë se ajo është prej Allahut.

[24] Janë për qëllim ata çifutë prej bijve të Israilit, të cilët e ndryshuan Teuratin dhe shkruajtën një libër sipas interpretimeve dhe komenteve të tyre, ndryshe nga ai që Allahu i kishte shpallur të dërguarit të Tij, Musait (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), pastaj ua shisnin disa njerëzve të cilët nuk kishin njohuri rreth tij dhe as se çfarë thuhej në Teurat.

[25] Ata pretendonin se do të qëndrojnë në xhehenem vetëm dyzet net apo ditë, periudhën gjatë së cilës adhuruan viçin, por Allahu i përgënjeshtroi ata dhe ata kanë për të qëndruar përgjithmonë në xhehenem.

[26] O Muhamed!

[27] Për këtë që thoni, se nuk do të dënoheni në zjarr veçse për pak ditë.

[28] Vepron keq dhe si rezultat fiton shpërblim të keq. E keqja që është për qëllim këtu është: “idhujtaria” dhe “mohimi”, pasi që idhujtarët dhe mohuesit janë banorët e zjarrit të cilët do të qëndrojnë përgjithmonë në të. Por do të ketë edhe prej besimtarëve mëkatarë të cilët do të dënohen për gjynahet e tyre, por më pas do të dalin nga zjarri dhe do të hyjnë në xhenet, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.

[29] I grumbullohen gabimet dhe gjynahet dhe vdes pa u penduar dhe pa u kthyer prej tyre. Kuptimi i ajetit është kështu: Kushdo që vepron si vepra juaj (e çifutëve) dhe mohon ashtu si ju, deri sa mohimi t’i rrethojë të gjitha të mirat e tij, ata janë banorët e zjarrit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.

[30] Atë me të cilën ka ardhur Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).

[31] Kujtoni gjithashtu, o bijtë e Israilit, kur morëm besën tuaj…

[32] Besës së dhënë dhe të gjithave këtyre që përmenden në ajet.

Madina0013

84. Edhe kur morëm besën tuaj se nuk do ta derdhni gjakun tuaj[33] dhe as nuk do ta nxirrni njëri-tjetrin nga shtëpitë tuaja, pastaj ju e pranuat këtë dhe ishit dëshmues[34].

85. Por më pas, ja! Ju jeni ata të cilët vrisni vetet tuaja (njëri-tjetrin) dhe disa prej jush i nxirrni prej shtëpive të tyre duke u ndihmuar me të tjerë[35] kundër tyre, në mëkat dhe padrejtësi. E nëse ata u sillen të kapur rob, ju paguani për lirimin e tyre, ndërkohë që nxjerrja e tyre ka qenë e ndaluar për ju. A besoni një pjesë të Librit[36] dhe pjesën tjetër e mohoni? E çfarë dënimi mund të ketë ai i cili e bën këtë gjë[37] prej jush, veçse poshtërim në jetën e kësaj bote, ndërsa në ditën e Kiametit do të kthehen në dënimin më të rëndë. Allahu nuk është i pavëmendshëm ndaj asaj që ju veproni.

86. Këta janë ata të cilët e kanë blerë jetën e kësaj bote me botën tjetër, ndaj atyre nuk ka për t’ju lehtësuar dënimi dhe as nuk do të ndihmohen[38].

87. Ne i patëm dhënë Librin Musait dhe pas tij i dërgonim pejgamberët njëri pas tjetrit[39]. Edhe Isait, birit të Merjemes, Ne i dhamë provat e qarta[40] dhe e fuqizuam[41] atë me shpirtin e shenjtë[42]. Por sa herë që u vinte një i dërguar me atë që nuk u pëlqente juve[43], ju bëheshit kryelartë dhe disa prej tyre i përgënjeshtruat e disa të tjerë i vratë.

88. Ata thonë: “Zemrat tona janë me kapak[44]!” Përkundrazi, ata i ka mallkuar[45] Allahu për shkak të mohimit të tyre dhe ata besojnë shumë pak[46].

-13-

___________________________

[33] Duke vrarë njëri-tjetrin.

[34] Se kjo është e vërteta e besës që u kam marrë të parëve tuaj, në kohën e Musait (alejhi selam) dhe më pas edhe juve, që jeni bashkëkohës të Muhamedit, pasi që ju e gjeni këtë në Teurat.

[35] Me idhujtarë të fiseve el Eus dhe el Hazraxh. Çifutët, bashkëkohës të Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), ishin ndarë në dy grupe: fisi el Kajnuka të cilët kishin bërë aleancë me fisin idhujtar el Hazraxh, dhe fiset en Nadir dhe Kurajdha, aleatë me fisin idhujtar el Eus. Kur kishte luftë mes fisit el Hazraxh dhe el Eus, këta dilnin në luftë me aleatët e tyre dhe kështu luftonin njëri-tjetrin, gjë e cila u ishte ndaluar në Teurat. Pastaj paguanin për lirimin e njerëzve të tyre të rënë rob në kampin kundërshtar, sipas ligjit të Teuratit, dhe nga ana tjetër i vrisnin me duart e tyre ndërkohë që ligji i Teuratit ishte që të mos e bënin këtë gjë dhe të mos e nxirnin njëri-tjetrin nga shtëpitë e tyre, as të mos bëheshin aleatë me njerëz të cilët i bënin shok Allahut dhe adhuronin idhujt në vend të Tij, duke shpresuar ndonjë përfitim të pakët nga gjërat e dynjasë. Prandaj, në vijim të ajetit, Allahu thotë: “A besoni një pjesë të librit dhe pjesën tjetër e mohoni?” [Taberiu; nga Ibën Abasi].

[36] Teuratit. Besimi i tyre ishte kur paguanin për lirimin e robërve të tyre, ndërsa mohimi ishte kur i vrisnin me duart e tyre, duke qenë në kampe kundërshtare, gjë nga e cila ishin ndaluar.

[37] Me të cilën ai ka thyer besën e dhënë më parë në Teurat, të cilën e ka pranuar dhe për të cilën ka dëshmuar.

[38] Në ditën e gjykimit nga askush, as me fuqi, as me ndërmjetësim dhe as me gjë tjetër.

[39] Pas Musait, Allahu dërgoi shumë pejgamberë njëri pas tjetrit te bijtë e Israilit. Të gjithë ata pejgamberë kishin të njëjtën rrugë dhe të njëjtin ligj, atë të Musait në Teurat, deri sa u dërgua Isai (alejhi selam), të cilit iu dha Inxhili.

[40] Mrekullitë dhe argumentet e gjalla që vërtetonin për profetësinë e tij, si ngjallja e të vdekurve me Lejen e Allahut, shërimi i të sëmurëve, etj.

[41] E forcuam dhe e ndihmuan me engjëllin Xhibril kur e dërguam tek ju, o bijtë e Israilit!

[42] Me engjëllin Xhibril, i cili është quajtur “shpirti i shenjtë” për arsye se Allahu e ka krijuar atë duke ia dhënë vetë shpirtin, pa e lindur atë ndonjë prind, dhe kështu e quajti “shpirt”. Po për këtë arsye është quajtur edhe Isai “shpirt”, ngaqë Allahu e krijoi atë duke ia dhënë vetë shpirtin atij, pa pasur baba. Ndërsa fjala “i shenjtë” (el kudus), ka kuptimin “i pastër”.

[43] I drejtohet çifutëve prej bijve të Israilit.

[44] Të mbyllura me kapak, të mbështjella me këllëf; d.m.th. ata thonë: “nuk kuptojmë, nuk na arrin deri në zemër ajo që thua, o Muhamed!”.

[45] I ka larguar, i ka dëbuar, i ka turpëruar e poshtëruar, i ka shkatërruar për shkak të mohimit të tyre dhe përgënjeshtrimit të provave të Allahut dhe pejgamberëve të Tij.

[46] Besimi i tyre është i pakët, i përciptë, i mangët. Ata besonin një pjesë të Teuratit dhe mohonin pjesën tjetër të tij, e mohuan profetësinë e Muhamedit, të cilin e gjenin të shënuar në Teurat dhe ishin urdhëruar ta besonin atë, etj.

Madina0014

89. Dhe kur atyre u erdhi nga Allahu një Libër[47], i cili është vërtetues i atij që kishin ata[48], dhe duke qenë se më parë ata luteshin për ndihmë[49] kundër mosbesimtarëve, kur u erdhi ajo[50] që tashmë e njihnin, ata e mohuan atë. Pra, mallkimi i Allahut qoftë mbi mohuesit!

90. Nuk ka më të keqe se ajo me të cilën e shitën vetveten: që të mohojnë atë që ka zbritur Allahu, nga zilia se Allahu i zbret prej Mirësisë[51] së Tij kujt të dëshirojë prej robërve[52] të Tij! Prandaj merituan zemërim mbi zemërim [53], dhe për mohuesit[54] ka dënim poshtërues[55].

91. Kur atyre u thuhet: “Besoni në atë që ka zbritur[56] Allahu!” -ata thonë: “Ne besojmë në atë që na është zbritur neve[57].” Ndërsa atë pas tij[58], ata e mohojnë, ndërkohë që ajo[59] është e vërteta dhe vërtetues[60] i asaj që kanë ata. Thuaju: “Nëse jeni vërtet besimtarë, atëherë përse më parë i vrisnit lajmëtarët e Allahut?”

92. Juve u erdhi Musai me prova të qarta, por pas tij[61] ju adhuruat viçin dhe ishit të padrejtë.[62]

93. Edhe kur[63] morëm besën tuaj[64] dhe ngritëm mbi ju malin e Turit, (u thamë): “Merreni seriozisht atë që ju kemi dhënë dhe dëgjoni (binduni)!” Ata thanë: “Dëgjuam dhe kundërshtuam[65]!” Dhe për shkak të mohimit të tyre, zemrat e tyre u mbushën me viçin[66]. Thuaju: “Nuk ka më të keqe se ajo me të cilën ju urdhëron besimi juaj[67], nëse jeni besimtarë[68]!”

-14-

____________________________

[47] Kurani, i cili iu shpall Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

[48] Teurati dhe Inxhili.

[49] I luteshin Allahut të dërgonte Pejgamberin e pritur, Muhamedin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), që të fuqizoheshin dhe të triumfonin me ndihmën e tij. Çifutët i kërcënonin armiqtë e tyre prej idhujtarëve e mohuesve arabë duke u thënë se “Allahu do të na forcojë ne me një pejgamber, të cilin do ta dërgojë tek ne, dhe tashmë ka ardhur koha e dërgimit të tij. Dhe kur të vijë ai, ka për t’ju shkatërruar si shkatërrimi i popullit të Adit dhe Iremit.” Por kur Allahu e dërgoi pejgamberin nga mesi i arabëve kurashit, çifutët e mohuan atë, dhe ishin armiqtë e tyre ata të cilët e ndoqën dhe e besuan, edhe pse më parë kishin qenë idhujtarë. [Taberiu]

[50] Shpallja e pejgamberit Muhamed (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), apo Kurani dhe Muhamedi.

[51] Shpallja, urtësia, profetësia, provat, etj.

[52] Njerëzve të tjerë përveç tyre, d.m.th. përveç çifutëve prej bijve të Israilit.

[53] Çifutët kishin merituar zemërime të mëparshme nga Allahu, si me adhurimin e viçit, mohimin e Isait, birit të Merjemes, etj.

[54] E profetësisë së Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), prej të gjithë njerëzve në çdo vend dhe në çdo kohë.

[55] Në botën tjetër, ose në këtë botë dhe në botën tjetër. Dënim poshtërues është ai dënim i cili i trashëgon njeriut poshtërim dhe përçmim të përhershëm, i cili nuk del kurrë nga poshtërimi në nderim e respekt. Me këtë lloj dënimi Allahu ka veçuar mohuesit e Tij dhe të Pejgamberëve të Tij. Ndërsa dënim jo poshtërues është dënimi pastrues dhe filtrues i njeriut që e merr atë dënim, siç është dënimi i vjedhësit musliman të cilit i pritet dora, apo si dënimi i atij që bën imoralitet prej muslimanëve, e të tjera dënime të cilat Allahu i ka bërë falje të gjynaheve për personin që i merr ato (dënime).

[56] Kuranin të cilin Allahu ia zbriti Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

[57] Teuratin të cilin Allahu ia zbriti Musait (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

[58] Ato libra që janë zbritur nga Allahu pas Teuratit.

[59] Kurani, të cilin Allahu ia zbriti Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

[60] Të gjithë librat e zbritur nga Allahu tek pejgamberët e Tij janë vërtetues të njëri-tjetrit, dhe Kurani përputhet me Teuratin në atë që çifutët përgënjeshtrojnë. Pra, në të vërtetë çifutët përgënjeshtrojnë edhe Teuratin ashtu si përgënjeshtrojnë Inxhilin dhe Kuranin, duke i bërë kryeneçësi Allahut, duke thyer urdhrin e Tij dhe në kundërvënie ndaj të Dërguarve të Tij.

[61] Pas largimit të tij për takimin me Zotin e tij.

[62] Sepse adhuruat atë që nuk duhet dhe nuk meriton të adhurohet.

[63] Kujtoni gjithashtu, o bijtë e Israilit, kohën kur…

[64] Besën e të parëve tuaj.

[65] E dëgjuam fjalën tënde dhe e kundërshtuam urdhrin tënd.

[66] Me dashurinë për viçin.

[67] Nëse besimi juaj ju urdhëron të vrisni të dërguarit e Allahut, të përgënjeshtroni librat e Tij dhe të mohoni atë me të cilën ata kanë ardhur, atëherë nuk ka besim më të keq se ky i juaji.

[68] Në fakt ata nuk janë besimtarë, sepse Teurati ua ndalon këto gjëra ndërsa ata i veprojnë.

Madina0015

94. Thuaju: “Nëse banesa e botës tjetër[69] tek Allahu është vetëm për ju, dhe për askënd tjetër prej njerëzve, atëherë dëshironi vdekjen, nëse jeni të sinqertë.”[70]

95. Por ata nuk kanë për ta dëshiruar kurrë atë (vdekjen) për shkak të asaj që kanë vepruar duart e tyre, e Allahu është më se i Dijshëm për të padrejtët[71].

96. Madje, ke për t’i gjetur ata (çifutët) njerëzit më dëshirues për jetën, madje edhe më shumë se ata të cilët i bëjnë shok Allahut[72], çdonjëri prej të cilëve[73] dëshiron të jetojë një mijë vjet. Por edhe sikur të jetojë aq, kjo nuk e largon atë nga dënimi[74]. Allahu është Shikues i gjithçkaje që ata veprojnë.

97. Thuaju[75]: “Kushdo që është armik i Xhibrilit, dhe padyshim se ai (xhibrili) e zbriti atë (Kuranin) në zemrën tënde (o Muhamed) me lejen e Allahut, vërtetues të atyre (librave) para tij, udhëzues dhe përgëzues për besimtarët,

98. kushdo që është armik i Allahut, i engjëjve të Tij, i të dërguarve të Tij, i Xhibrilit dhe Mikailit, atëherë padyshim se Allahu është armik i mohuesve.”

99. Ne të kemi zbritur ty prova të qarta[76], të cilat nuk i mohojnë veçse të pabindurit.

100. A nuk është e vërtetë se sa herë që lidhin një besë[77], një grup prej tyre e thyejnë atë? Madje shumica e tyre nuk e besojnë[78].

101. Dhe kur atyre u erdhi një i dërguar[79] nga Allahu, vërtetues i asaj që kishin ata[80], një grup prej atyre të cilëve u është dhënë libri[81] e hodhi librin e Allahut[82] pas shpine, sikur të mos e dinin[83].

-15-

____________________

[69] Xheneti.

[70] Nëse jeni të sinqertë në pretendimin tuaj. Me këtë ajet, Allahu i Madhëruar përforcon të dërguarin e Tij me prova kundër çifutëve bashkëkohës të tij dhe nxjerr në shesh të fshehtat e rabinëve dhe dijetarëve të tyre, të cilët pretendonin se ishin bijtë e Allahut dhe të dashurit e Tij. Me këtë ajet, atyre që ishin në dyshim për çështjen e çifutëve iu bë e qartë gënjeshtra, mashtrimi dhe armiqësia e tyre ndaj të Dërguarit të Allahut, dhe triumfoi fjala e të Dërguarit të Allahut dhe shokëve të tij, e cila vazhdon të triumfojë kundër ithtarëve të çdo feje tjetër. “Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton: “Sikur çifutët ta kishin dëshiruar vdekjen, do të kishin vdekur menjëherë.” [Taberiu].

[71] Dhe çfarë veprojnë ata.

[72] Dhe kjo për shkak të vetëdijes së tyre se në botën tjetër do të kenë përçmim dhe poshtërim të përhershëm, sepse ata besojnë në ringjalljen në botën tjetër, ndërsa idhujtarët nuk besojnë se do të ringjallen dhe as se do të dënohen.

[73] Idhujtarët, të cilët e uronin njëri-tjetrin duke u thënë: “Rrofsh dhjetë mij vjet!” [Taberiu; nga Ibën Abasi].

[74] Sepse në fund kthimi do të jetë përsëri tek Allahu, sado gjatë të jetojnë.

[75] Ibën Abasi thotë: “Kur çifutët e pyetën të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për shumë gjëra dhe ai iu përgjigj për to ashtu siç ishte edhe tek ata, me përjashtim të “Xhibrilit”, i cili tek çifutët ishte sjellës dënimi dhe ndëshkimi, dhe jo sjelljës i shpalljes dhe mëshirës. Kur i Dërguari i Allahut i njoftoi ata se Xhibrili ishte sjellësi i shpalljes së Allahut, i ndëshkimit të Tij dhe i mëshirës së Tij, ata thanë: “Ai nuk është sjellës i shpalljes dhe as i mëshirës. Ai është armiku ynë!” Atëherë, Allahu e zbriti këtë ajet për t’i përgënjeshtruar ata.” [Taberiu].

[76] Prova, shenja, argumente dhe mrekulli argumentuese për profetësinë e Muhamedit dhe se ajo me të cilën ai ka ardhur është nga Allahu.

[77] Është fjala për besën që bijtë e Israilit i kanë dhënë Allahut herë pas here për zbatimin e asaj që thuhet në Teurat, por më pas, disa prej tyre e thyenin atë herë pas herë. Allahu i qorton pasardhësit e bijve të Israilit dhe tregon se ata ndjekin rrugën e të parëve të tyre në thyerjen e besës së dhënë, se do ta besonin Muhamedin kur ai të vinte, por ata e mohuan atë që thuhej në Teurat prej cilësive dhe përshkrimit të tij.

[78] Dhe jo vetëm një grup, i cili mund të jetë i vogël, por shumica e tyre nuk besojnë.

[79] Muhamedi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

[80] Muhamedi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ishte vërtetues i Teuratit dhe Teurati vërtetues i tij se ai është i dërguar nga Allahu te i gjithë njerëzimi.

[81] Rabinët dhe dijetarët çifutë.

[82] Teuratin, kur e panë se ai përputhej me Kuranin dhe tregonte për profetësinë e Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

[83] Se çfarë thuhet në Teurat prej urdhrit për të besuar Muhamedin dhe për ta ndjekur atë.

Madina0016

102. Dhe ndoqën atë që thoshin[84] shejtanët në kohën e sundimit të Sulejmanit. Dhe nuk mohoi Sulejmani[85], por ishin shejtanët ata që mohuan; u mësonin njerëzve magjinë dhe atë që iu zbrit në Babil[86] dy engjëjve, Harutit dhe Marutit. Por ata të dy[87] nuk mësonin askënd pa u thënë: “Ne jemi vetëm sprovë, ndaj mos bëj mohim (mosbesim)!” Megjithëkëtë[88], ata mësonin prej këtyre të dyve gjëra me të cilat ndanin burrin nga gruaja, por nuk mund të dëmtonin me të (magjinë) askënd, veçse me lejen (dijeninë) e Allahut[89]. Ata (njerëzit) mësonin diçka që i dëmtonte dhe nuk u bënte dobi, madje e dinin mirë se ai i cili e bleu atë[90] (magjinë), nuk do të ketë pjesë[91] në botën tjetër. Nuk ka më të keqe se ajo për të cilën e shitën vetveten, veç sikur ta dinin[92]!

103. Sikur ata të kishin besuar[93] dhe të ishin ruajtur[94], atëherë shpërblimi nga Allahu do të ishte shumë më i mirë, veç sikur ta dinin[95]!

104. O ju që keni besuar! Mos thoni: “Raina”[96], por thoni: “Undhurna”[97] dhe dëgjoni[98]! E për mohuesit do të ketë dënim të dhimbshëm.

105. As ata të cilët kanë mohuar prej ithtarëve të Librit dhe as idhujtarët nuk duan që juve t’ju zbresë ndonjë e mirë[99] nga Zoti juaj, por Allahu veçon me Mëshirën[100] e Vet atë që dëshiron, e Allahu është Zotëruesi i mirësisë së madhe.

-16-

__________________________

[84] Që flisnin, tregonin, transmetonin, ndiqnin dhe mësonin prej magjisë. Taberiu transmeton nga Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ky ka thënë: “Në kohën kur Sulejani u sprovua, shejtanët shkuan dhe shkruajtën libra me përmbajtje magjie dhe mosbesimi, -i vulosën me vulën e Sulejmanit të cilën mundën me e marrë tinësisht- pastaj i groposën nën karrigen e Sulejmanit. Më pas (pas vdekjes së Sulejmanit), i nxorën ato dhe ua lexonin njerëzve.” Kur njerëzit i dëgjuan ato, e fajësuan Sulejmanin dhe thanë që ai ka qenë mohues. Kështu mbeti çështja e Sulejmanit (alejhi selam) deri sa Allahu dërgoi të Dërguarin e Tij, Muhamedin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe e pastroi Sulejmanin nga shpifja dhe padrejtësia që i ishte bërë, kur zbriti ajetin “Dhe ndoqën atë që thoshin shejtanët në kohën e Sulejmanit … [Taberiu].

[85] Çifutët, ndjekës të asaj që thoshin shejtanët prej magjisë dhe mosbesimit pretendonin se ishte Sulejmani ai i cili mohoi dhe bëri kufër, duke thënë se këto libra magjie ishin nga dija dhe transmetimi i tij dhe se ai i kishte nën sundim ata njerëz, xhinë e krijesa të tjera të Allahut si rezultat i magjisë. Dhe kështu e bënë veten të mirë para njerëzve injorantë dhe të paditur me atë që thuhej në Teurat, duke lejuar atë që Allahu e kishte ndaluar prej magjisë, pastaj justifikoheshin duke ja atribuar këtë gjë Sulejmanit (alejhi selam), pejgamberit të Allahut, i cili ishte njeri si edhe ata. Ata e mohuan që ai të kishte qenë pejgamber, dhe thanë se ka qenë magjistar. Atëherë Allahu e pastroi Sulejmanin, të birin e Daudit (Paqja e Allahut qoftë mbi të dy ata!) nga magjia dhe mosbesimi. [Taberiu].

[86] Emër vendi; mund të jetë për qëllim Babil në Irak ose Babilonia.

[87] Këta dy engjëj ishin dërguar sprovë për njerëzit, ashtu si edhe shejtani është sprovë për njeriun, ashtu si edhe e mira dhe e keqja janë sprovë për njeriun në këtë botë, dhe kështu që nuk i lejohet kujt të arsyetohet me këtë fakt për të bërë të lejuar mësimin e magjisë dhe praktikimin e saj. Madje edhe vetë vazhdimi i ajetit e sqaron këtë nga vetë fjala e atyre dy engjëjve.

[88] Njerëzit e refuzonin paralajmërimin e tyre dhe kështu, mësonin gjëra me të cilat ndanin burrin nga gruaja…

[89] Magjistarët nuk mund t’i bëjnë dëm askujt veçse me lejen dhe dijeninë e Allahut; vetëm nëse Allahu e ka caktuar që ajo magji do t’i bëjë dëm dikujt, asgjë nuk del nga mbikqyrja e Allahut dhe Vullneti i Tij.

[90] Magjinë duke shitur dhe hedhur Librin e Allahut. Janë për qëllim çifutët që e bënë këtë gjë, dijetarët dhe rabinët çifutë, qoftë në kohën e Musait (alejhi selam) kur zbriti Teurati, apo në kohën e pejgamberit Muhamed (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

[91] Nuk do të ketë pjesë dhe as shpërblim me të mira në xhenet, por pjesa dhe shpërblimi i tij do të jetë e keqja dhe zjarri.

[92] Përfundimin e tyre të keq, dënimin e rëndë për veprën e tyre.

[93] Allahun dhe të dërguarin e Tij bashkë me shpalljen.

[94] T’i ruheshin Allahut duke iu bindur urdhrave të Tij dhe duke iu larguar ndalesave të Tij.

[95] Që shpërblimi i Allahut për ta, për besimin dhe devotshmërinë e tyre, është më i mirë se magjia dhe ajo që fituan prej saj nga dynjaja.

[96] Për domethënien e kësaj fjale ka disa mendime tek dijetarët e tefsirit. Disa thonë se ajo do të thotë “kundërshtim”, të tjerë thonë “na dëgjo dhe të dëgjojmë”, apo “na vër veshin”. Të tjerë thonë se kjo ishte një fjalë të cilën e përdornin çifutët për tallje dhe përqeshje.Të tjerë thonë se kjo fjalë në arabisht përputhej në të shqiptuar me një fjalë të çifutëve me domethënie të keqe dhe sharje, etj. Më e sakta është të thuhet se Allahu i ka ndaluar besimtarët që të përdorin këtë fjalë me Pejgamberin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), si respekt ndaj tij. Allahu urrente që kjo fjalë t’i thuhej Pejgamberit të Tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), dhe besimtarët ishin urdhëruar që ta respektonin dhe ta madhëronin Pejgamberin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). [Taberiu].

[97] Na prit dhe na vëzhgo në mënyrë që të kuptojmë dhe të na bëhet e qartë ajo që na thua, o i Dërguari i Allahut!

[98] Dëgjoni atë që ju thuhet dhe ju lexohet nga Libri i Zotit tuaj dhe kuptojeni e perceptojeni mirë atë.

[99] Me këtë të mirë është për qëllim Kurani dhe ajo që Allahu i shpalli Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) prej urtësisë dhe provave të Tij.

[100] Me shpalljen dhe profetësinë e Tij.

Madina0017

106. Ne nuk shfuqizojmë[101] një ajet apo ta lëmë të harrohet[102] atë, veçse sjellim një tjetër më të mirë se ai ose njësoj si ai[103]. A nuk e ke ditur se Allahu është i Gjithëfuqishëm për gjithçka?

107. A nuk e ke ditur se vetëm Allahut i përket sundimi i qiejve dhe i tokës, dhe përveç Allahut ju nuk keni as mbrojtës dhe as ndihmës?

108. Apo mos doni të pyesni të Dërguarin tuaj[104] ashtu siç është pyetur Musai më parë[105]? Por kushdo që e ndërron besimin me mohim[106], padyshim që e ka humbur rrugën e drejtë[107].

109. Shumë prej ithtarëve të Librit[108] duan që pas besimit tuaj t’ju kthejnë në mosbesimtarë, nga zilia që kanë në vetvete, edhe pse e vërteta[109] u është bërë e qartë. Por ju falni[110] dhe bëni lëshim deri sa Allahu të sjellë urdhrin e Tij.[111] Padyshim se Allahu është i Gjithëfuqishëm për gjithçka.

110. Kryeni faljen dhe jepni zekatin, e çfarëdo të mire që përgatisni për veten tuaj[112], keni për ta gjetur tek Allahu. Vërtet që Allahu është Shikues i asaj që ju veproni.[113]

111. Ata[114] thonë: “Nuk ka për të hyrë në xhenet askush përveç atyre që janë jehudi ose të krishterë.” Këto janë vetëm dëshirat e tyre[115]. Thuaju: “Sillni provën tuaj, nëse jeni të drejtë[116].”

112. Përkundrazi[117], kushdo që ia ka dorëzuar fytyrën e tij Allahut[118] dhe është mirëbërës[119], ai e ka shpërblimin e vet te Zoti i tij, për ta nuk do të ketë frikë dhe as nuk kanë për t’u pikëlluar.[120]

-17-

___________________________

[101] Është për qëllim dryshimi i ligjit të një ajeti me një tjetër të mëvonshëm, si lejimi i diçkaje të ndaluar më parë apo ndalimi i diçkaje të lejuar më parë, etj. Por ky shfuqizim dhe ndryshim nuk ka ndodhur veçse në ajete që flasin për ligje dhe dispozita, jo për njoftime dhe gjëra që kanë lidhje me besimin dhe akiden, sepse njoftimet dhe besimi nuk pranon ndryshim, përndryshe nuk do të ishte i vërtetë. Çifutët e mohonin shfuqizimin (en neskh) dhe pretendonin se ai nuk lejohet që të ndodhë në Librin e Allahut, por në të vërtetë ai (shfuqizimi) përmendet edhe tek ata në Teurat, kështu që mohimi i tyre atë është mosbesim dhe devijim i tyre.

[102] Të harrohet nga njerëzit, të fshihet nga kujtesa e tyre, ose të lihet pa u ndryshuar.

[103] Kjo tregon se ndryshimi i një ligji nuk është më pak i dobishëm se i pari, por më i mirë se ai ose si ai, pasi që mirësia e Allahut vjen gjithnjë e në rritje veçanërisht ndaj popullit mysliman, të cilit Ai ia ka lehtësuar më së shumti fenë dhe ua ka bërë të lehtë atë.

[104] Muhamedin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Është për qëllim ndalimi nga pyetjet e kokëfortësisë dhe kundërshtimit dhe jo pyetjet e të mësuarit dhe udhëzuarit.

[105] Që t’i bënte të shihnin Allahun drejtpërdrejtë.

[106] Duke bërë pyetje të ndaluara të cilat arrijnë deri në mohim.

[107] Ajo rrugë e drejtë është rruga për të cilën jemi urdhëruar që t’i lutemi Allahut të na udhëzojë në të, në suren el Fatiha, Ajetet 6 dhe 7.

[108] Çifutët dhe të krishterët.

[109] Për çështjen e Muhamedit (Pqaja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe profetësinë e tij.

[110] Fyerjet dhe gabimet e bërë nga ata ndaj jush në lidhje me fenë tuaj.

[111] Më pas Allahu solli urdhrin e Tij dhe ky ajet u shfuqizua nga ajeti 29 në suren et Teube: “Luftoni ata të cilët nuk besojnë Allahun dhe as ditën e fundit…”

[112] Në jetën e kësaj bote.

[113] Sheh gjithçka dhe nuk i shpëton asgjë nga ato që ju veproni, pastaj shpërblen secilin sipas veprës së vet.

[114] Çifutët dhe të krishterët, secili për ithtarët e fesë së tij.

[115] Boshe, të padrejta dhe pa pasur argument për to.

[116] Në thënien tuaj se në xhenet nuk do të hyjë askush përveç atij që është jehudi ose i krishterë. Këtu në fakt nuk kërkohet vërtetë prova e tyre, pasi që ata nuk mund të sjellin asnjë provë për këtë, por është për qëllim përgënjeshtrimi i tyre nga Allahu.

[117] Nuk është ashtu si thonë ata, por…

[118] I është përulur Allahut me bindje dhe i është nënshtruar urdhrit të Tij me sinqeritet. Është përmendur fytyra dhe jo ndonjë pjesë tjetër e trupit të njeriut, për shkak se fytyra është pjesa më e nderuar për njeriun dhe me më shumë paprekshmëri e të drejta se pjesët e tjera të trupit.

[119] E bën adhurimin saktë dhe ashtu si e ka ligjëruar Allahu.

[120] Do të shpëtojnë nga ajo që i kishin frikën dhe do të arrijnë atë që dëshironin. [Es Seadi].

Madina0018

113. Jehuditë thonë: “Të krishterët nuk janë në asgjë[121].” Ndërsa të krishterët thonë: “Jehuditë nuk janë në asgjë[122].” Ndërkohë që të dyja palët lexojnë Librin[123]. Kështu kanë thënë edhe ata të cilët nuk kanë dije[124], njësoj si fjala e këtyre. Por Allahu do të gjykojë mes tyre në ditën e Kiametit[125] për atë që ata kundërshtoheshin.

114. E kush është më i padrejtë se ai i cili ndalon që në xhamitë[126] e Allahut të përmendet Emri i Tij dhe përpiqet për shkatërrimin e tyre?! Atyre nuk u lejohej të hynin në to veçse me frikë.[127] Për ta ka poshtërim në këtë botë, ndërsa në botën tjetër do të kenë dënim të madh.

115. Të Allahut janë edhe lindja edhe perëndimi[128], ndaj ngado që të ktheheni[129], andej është Fytyra e Allahut[130]. Vërtet që Allahu është Bujar i Madh[131], i Dijshëm[132].

116. Ata[133] thonë: “Allahu ka fëmijë!” I Pastër është Ai nga kjo! Përkundrazi, Atij i përket gjithçka në qiell e tokë, që të gjithë Atij i nënshtrohen.

117. Shpikësi i qiejve e i tokës[134] dhe, kur vendos për diçka, mjafton të thotë “Bëhu!” e ajo bëhet[135].

118. Ata të cilët nuk kanë dije[136] thonë: “Përse nuk na flet neve Allahu, ose të na vijë ndonjë provë[137]!” Kështu kanë thënë edhe ata para tyre si fjala e këtyre. Zemrat e tyre janë të ngjashme. Ne tashmë i kemi sqaruar provat për njerëzit që besojnë binshëm.

119. Padyshim që Ne të kemi dërguar ty (o Muhamed!) me të vërtetën[138] si përgëzues[139] dhe paralajmërues[140], dhe ti nuk ke për t’u pyetur[141] për banorët e zjarrit flakërues.

-18-

______________________________

[121] Nuk janë në fe të vërtetë.

[122] Nuk janë në fe të vërtetë. Allahu u tregon besimtarëve se asnjëri prej dy grupeve, jehudi dhe të krishterë, nuk i janë përmbajtur gjykimit të Librit për të cilin ata shfaqin pohimin e saktësisë së tij dhe se ai është nga Allahu, por e mohojnë atë që Allahu thotë në të. Inxhili në të cilin besojnë të krishterët vërteton atë që thuhet në Teurat për profetësinë e Musait, për detyrimet që iu ngarkuan bijve të Israilit, etj. Po kështu edhe Teurati, për të cilin jehuditë besojnë se është i saktë dhe i vërtetë, vërteton dhe aprovon profetësinë e Isait (alejhi selam), si dhe ato që ai ka sjellë nga Allahu prej ligjeve dhe rregullave. Por megjithatë, secili grup iu drejtua tjetrit me fjalët që përmenden në ajet.

[123] Teuratin dhe Inxhilin, të cilët që të dy dëshmojnë për mohimin e jehudive dhe të krishterëve, dhe kundërshtimin e tyre urdhrin e Allahut me të cilin Ai i ka urdhëruar.

[124] Mund të jenë për qëllim idhujtarët arabë në fillim të Islamit, ose ndonjë popull tjetër para çifutëve dhe të krishterëve. Por megjithatë ajeti përfshin të gjithë ata që thonë si fjala e tyre në çdo kohë dhe vend.

[125] Kiameti është dita e ngritjes së krijesave nga varret e tyre për t’u ringjallur dhe për të dhënë llogari.

[126] Mendohet të jetë për qëllim xhamia e Kudsit në Jeruzalem, dhe ata që e bënin këtë gjë ishin të kreshterët në kohën e Buhtenasarit babilonas. Por megjithatë domethënia e ajetit është e përgjithshme dhe ai përfshin çdokënd që e bën këtë vepër të padrejtë dhe që i ka kaluar të gjitha kufijtë.

[127] Atyre që përpiqen për shkatërrimin e xhamive, Allahu ua ndaloi hyrjen në to veçse me frikë dhe drojtje nga ndëshkimi nëse hyjnë në to. Dhe kjo ka ndodhur vërtetë, siç transmetohet nga Katade se ka thënë: “Ata janë të krishterët, të cilët nuk hyjnë në xhami veçse vjedhurazi, e nëse kapen, ndëshkohen.” [Taberiu].

[128] Janë përmendur veçanërisht lindja dhe perëndimi për shkak se ato janë subjekt i provave të mëdha, dhe përderisa Allahu zotëron ato, Ai i zotëron të gjitha anët e tjera.

[129] Ngado që t’i ktheni fytyrat në namaz, qoftë nëse drejtimi i tyre është me urdhër nga Allahu, si në të drejtuarit nga Kabja pasi drejtoheshit nga xhamia e Kudsit, ose kur urdhëroheni për të falur namaz vullnetar mbi kafshë në udhëtim dhe ajo kthehet me ju në anë të ndryshme, ose kur dikush gjendet në vend të huaj dhe nuk e di drejtimin e Kibles, nëse drejtohesh gabimisht apo me urdhër jo në drejtim të Kibles, atëherë në çdo rast, nga cilado anë që të drejtohesh, ajo nuk del nga zotërimi i Allahut. [Es Seadi].

[130] Në këtë ajet pohohet Fytyra e Allahut në atë mënyrë që i përshtatet madhështisë së Tij, dhe se Fytyra e Allahut nuk i përngjan asnjë fytyre nga fytyrat e krijesave. [Es Seadi].

[131] Allahu është Bujar i Madh dhe atributet e Tij janë madhështore dhe absolute. Nga bujaria dhe dija e Tij është edhe se Ai ua ka zgjeruar urdhrin, që të mund të kryeni ç’të mundni prej tij, dhe ua pranon atë që kryeni nga urdhri i Tij. Pra vetëm Allahut i takon lavdërimi dhe falënderimi.

[132] Për gjithçka që ju mbani fshehtë apo që veproni.

[133] Ithtarët e Librit..

[134] Pa shembull të mëparshëm.

[135] Ashtu si e ka dashur dhe dëshiruar Ai. Po kështu ka qenë edhe krijimi i Mesihut, Isait kur Allahu dëshiroi ta krijonte atë pa babë; duke i thënë “Bëhu!”

[136] Prej idhujtarëve arabë, ithtarëve të Librit,etj.

[137] Provë e supozuar nga ata me logjikën e tyre të prishur dhe mendjen e tyre të mangët. Provë kokëfortësie dhe jo provë udhëzimi.

[138] Me Kuranin dhe Sunetin.

[139] Me lumturi në të dyja botët për ata që të binden ty.

[140] Me shkatërrim dhe mjerim në të dyja botët për ata që të kundështojnë ty.

[141] Nuk je përgjegjës për ta, por detyra jote është vetëm përcjellja e thirrjes, ndërsa llogaria e tyre është tek Ne.

Madina0019

120. As jehuditë dhe as të krishterët nuk kanë për t’u kënaqur me ty deri sa të ndjekësh fenë e tyre. Thuaju: “Udhëzimi i Allahut është udhëzimi i vërtetë.[142]” E nëse ti (o Muhamed) ndjek dëshirat e tyre pas asaj që të ka ardhur nga dija[143], atëherë nuk do të kesh mbrojtës që të mbrojë nga Allahu dhe as ndihmues.

121. Ata të cilëve u kemi dhënë Librin[144] dhe e lexojnë atë ashtu si është në të vërtetë[145], ata besojnë vërtet në të[146]. Ndërsa ata të cilët e mohojnë atë[147], ata janë të humburit.

122. O bijtë e Israilit! Kujtoni mirësinë Time ndaj jush, kur iu favorizova ndaj të gjitha krijesave[148].

123. Dhe kini frikë atë ditë kur askush nuk mund t’i shlyejë askujt asgjë[149], as nuk pranohet kompensim, as nuk bën dobi ndonjë ndërmjetësim dhe as nuk do të ndihmohen.

124. Kujto edhe kur Ibrahimin e provoi Zoti i tij me disa fjalë[150] dhe ai i përmbushi ato[151]. Ai (Allahu) i tha: “Unë do të të bëj ty prijës[152] të njerëzve.” Ai (Ibrahimi) tha: “Po nga pasardhësit e mi[153]?” Ai tha: “Premtimi[154] Im nuk i përfshin të padrejtët.[155]”

125. Edhe kur[156] Shtëpinë (Kaben) e bëmë vend kthimi[157] dhe sigurie[158] për njerëzit dhe, (u thamë) “Vendqëndrimin e Ibrahimit[159] merreni për vend falje!” Pastaj e urdhëruam[160] Ibrahimin dhe Ismailin: “Pastrojeni shtëpinë Time[161] për ata që bëjnë tavaf, që qëndrojnë aty për adhurim dhe që përkulen në ruku e në sexhde[162].”

126. Edhe kur[163] Ibrahimi tha: “Zoti im! Bëje këtë (Mekën) një vend të sigurtë[164] dhe banorët e tij, ata të cilët besojnë Allahun dhe ditën e fundit prej tyre, furnizoji prej fryteve të ndryshme!” Ai (Allahu) tha: “Edhe atë që mohon do ta bëj të shijojë[165] për pak kohë[166], pastaj do ta shtyj atë për në dënimin e zjarrit, dhe nuk ka përfundim më të keq se ky!”

-19-

___________________________

[142] Sqarimi i Allahut është sqarimi bindës dhe gjykues mes nesh.

[143] Për humbjen dhe mohimin e tyre Zotin e tyre.

[144] Prej popujve të mëparshëm, d.m.th. prej ithtarëve të Librit.

[145] E zbatojnë dhe e ndjekin në mënyrën e saktë dhe të vërtetë, ashtu si është shpallur.

[146] Besojnë Teuratin dhe besojnë gjithashtu Muhamedin, pasi që Teurati i urdhëron ata që të besojnë Muhamedin.

[147] Mohojnë ligjet e Teuratit dhe profetësinë e Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) që përmendet në të.

[148] Të asaj kohe, kur u dërgonte pejgamberë, libra dhe u dha pushtet.

[149] Askush nuk shlyen borxhin e dikujt tjetër as nuk i bën dobi me asgjë, as prindi fëmijës dhe as fëmija prindit, pasi që kthimi i të drejtave në ditën e gjykimit do të jetë prej veprave të mira e të këqia.

[150] Urdhra e ndalesa.

[151] I kreu të gjitha, i plotësoi.

[152] Shembull për të gjithë besimtarët që do të vijnë pas teje.

[153] A do të bësh prijësa edhe nga pasardhësit e mi? Kjo është një kërkesë e Ibrahimit (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) në formë të pyetjes.

[154] Profetësia dhe të qenët prijës dhe shembull në fe.

[155] Nga pasardhësit e Ibrahimit do të ketë edhe të padrejtë, e të padrejtët nuk mund ta zënë këtë vend; të qenët shembull në fe.

[156] Kujtoni gjithashtu kur…

[157] Ku shkohet çdo vit për të bërë Haxhin, pelegrinazhin, nga të gjitha anët e botës.

[158] Kushdo që hyn në të ndjehet i sigurtë dhe nuk ka frikë nga asgjë, përveç Allahut, për shkak të shenjtërisë së saj.

[159] Mund të jetë për qëllim Mekami i Ibrahimit i mirënjohur, në Kabe, përballë derës së saj, dhe në këtë rast është për qëllim falja e dy rekateve të Tavafit, të cilat është e preferuar të falen pas vendqëndrimit të Ibrahimit. Ky është edhe mendimi i shumicës së dijetarëve të tefsirit. Ose mund të jetë për qëllim të gjitha vendet ku ka qëndruar Ibrahimi (alejhi selam) gjatë kryerjes së haxhit, si tavafi, seaji, qëndrimi në Arafat e në Muzdelife, etj. Kjo fjalë është më përfshirëse se e para pasi që e përfshin edhe atë. [Es Seadi].

[160] Dhe i shpallëm.

[161] Pastrojeni Kaben nga idhujtaria, mohimi, gjynahet, papastrëtitë e ndytësitë. Atribuimi i shtëpisë tek Allahu tregon për rëndësinë e saj tek Allahu, për vendin dhe madhështinë e saj. Kabja është shtëpia e Allahut, ndaj edhe ky emër i tërheq zemrat e njerëzve kah ajo. [Taberiu, Es Seadi].

[162] Që falin namaz.

[163] Kujtoni gjithashtu kur…

[164] Meka ka qenë e siguruar nga Allahu prej tiranëve e kryelartëve, që kur janë krijuar qiejtë dhe toka, siç ka ardhur në thënien e Pejgamberit (alejhi selam). Ajo ka qenë e siguruar nga Allahu edhe pse ndalimi i saj nuk i ka qenë shpallur ndonjë pejgamberi më parë, por iu shpall Ibrahimit (alejhi selam).

[165] Prej fryteve të tij, ashtu si edhe besimtarët.

[166] Deri sa të vdesë, pasi që jeta në këtë botë është shumë e shkurtër në krahasim me jetën në botën tjetër, e cila është e pafund.

Madina0020

127. Edhe kur[167] Ibrahimi bashkë me Ismailin ngritnin themelet e shtëpisë (Kabes, luteshin): “Zoti ynë! Pranoje prej nesh[168]! Me të vërtetë, Ti je Gjithëdëgjuesi, i Gjithëdijshmi.

128. Zoti ynë! Na bëj ne dy të nënshtruar[169] ndaj Teje! Edhe prej pasardhësve tanë bëj një grup[170] të nënshtruar Ty! Na i trego ritet tona[171] dhe na e prano pendimin[172]! Me të vërtetë, Ti je Pranuesi i pendimit, Mëshirëploti.

129. Zoti ynë! Dërgo tek ata një të dërguar[173] nga mesi i tyre, që t’u lexojë atyre ajetet e Tua, t’u mësojë Librin[174] dhe urtësinë[175], dhe t’i pastrojë[176]! Me të vërtetë, Ti je i Plotfuqishmi, më i Urti.”

130. E kush mund të largohet nga feja e Ibrahimit përveç atij që injoron[177] vetveten! Ne e kemi zgjedhur[178] atë (Ibrahimin) në këtë botë, ndërsa në botën tjetër padyshim që ai do të jetë ndër të mirët[179].

131. Kur Zoti i tij i tha: “Nënshtrohu!” –ai u përgjigj: “Iu nënshtrova Zotit të botëve.”

132. Pastaj Ibrahimi ua dha këtë porosi[180] bijve të tij, po ashtu edhe Jakubi: “O bijtë e mi! Allahu ua zgjodhi juve fenë[181], ndaj mos vdisni ndryshe veçse duke qenë muslimanë[182]!”

133. A ishit dëshmitarë[183] kur Jakubit iu afrua vdekja dhe u tha bijve të tij: “Çfarë do të adhuroni pas meje?” Ata thanë: “Do të adhurojmë Zotin tënd dhe të etërve të tu: Ibrahimit, Ismailit dhe Is’hakut, një Zot të vetëm. Ne vetëm Atij i jemi nënshtruar.”[184]

134. Ai është një popull që tashmë ka kaluar. Ai do të ketë atë që ka fituar ndërsa ju[185] atë që fitoni[186], dhe nuk keni për t’u pyetur për atë që vepronin ata.

-20-

___________________________

[167] Kujtoni gjithashtu kur…

[168] Këtë vepër, bindjen tonë ndaj Teje, adhurimin që ne të bëjmë Ty.

[169] Dy muslimanë të dorëzuar dhe të nënshtruar Ty, të bindur ndaj urdhrit Tënd, që nuk të bëjmë shok në bindjen ndaj Teje dhe as në adhurimin Tënd.

[170] Është veçuar vetëm një grup për shkak se Allahu i tregoi më parë Ibrahimit se nga pasardhësit e tij do të ketë njerëz të cilët nuk i përfshin premtimi i Tij për shkak të padrejtësisë që bëjnë dhe shthurjes së tyre.

[171] Na i trego ritet e Haxhit me hollësi dhe na bëj që t’i shohim me sytë tanë. Mund të jetë për qëllim gjithashtu edhe të gjitha ritet e fesë, gjë e cila është më përfshirëse, por zakonisht fjala “Menasik” përdoret posaçërisht për ritet e Haxhit. [Es Seadi].

[172] Na e prano kthimin tek Ti të penduar për gjynahet e bëra, duke na i falur ato.

[173] Muhamedin (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!). Kjo është lutja që ka bërë Ibrahimi dhe Ismaili (Paqja e Allahut qoftë mbi ata të dy!) për Pejgamberin tonë, Muhamedin (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), dhe kjo është lutja të cilën ka pasur për qëllim Pejgamberi ynë në fjalën e tij: “Unë jam lutja e babait tim, Ibrahimit dhe përgëzimi i Isait.” [Taberiu].

[174] Kuranin.

[175] Sunetin, traditën e Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), apo dijen për ligjet e Allahut e cila nuk mund të arrihet veçse me sqarimin e Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).

[176] T’i pastrojë nga idhujtaria dhe mohimi, dhe t’i kultivojë bindjen ndaj Allahut dhe njësimin e Tij.

[177] D.m.th. nuk largohet nga feja e pastër e Ibrahimit askush përveç ndonjë mendjelehti i cili nuk e di se ç’është e mirë për veten e tij dhe as se çfarë e dëmton atë në të ardhmen.

[178] E kemi bërë prej të zgjedhurve. E kemi zgjedhur për të qenë miku dhe i dashuri i Allahut, dhe për ta bërë prijës të besimtarëve pas tij në dynja.

[179] Prej atyre të cilët i kanë plotësuar detyrimet ndaj Allahut.

[180] Që të jenë muslimanë, t’i nënshtrohen Allahut me bindje ndaj Tij, të adhurojnë vetëm Atë dhe të mos i bëjnë shok.

[181] Islamin, të nënshtruarit vetëm Allahut.

[182] Dhe kjo arrihet vetëm duke qenë gjithnjë në Islam dhe duke mos iu ndarë atij për asnjë cast, përndryshe askush nuk e di se kur mund t’i vijë vdekja.

[183] I drejtohet çifutëve dhe të krishterëve, të cilët pretendonin se ishin në fenë e Ibrahimit dhe të Jakubit pas tij.

[184] Ata sigurisht që nuk kanë qenë prezent në atë kohë, sepse nuk kanë pas ekzistuar, por me këtë Allahu tregon se Ibrahimi dhe Jakubi i porositën bijtë e tyre për të qëndruar në fenë e pastër Islame dhe jo në atë çifute.

[185] U drejtohet çifutëve dhe të krishterëve, për t’u treguar se pretendimet e tyre se gjoja janë në fenë e Ibrahimit, nuk u bëjnë dobi tek Allahu, por secili do të marrë shpërblimin e veprës së vet.

[186] Secili do të shpërblehet për veprën e vet dhe askush nuk dënohet për gjynahun e tjetrit.

Madina0021

135. Ata gjithashtu thonë: “Bëhuni jehudi ose të krishterë që të udhëzoheni drejtë[187]!” Thuaju: “Përkundrazi, (ne ndjekim) vetëm fenë e drejtë të Ibrahimit, i cili nuk ka qenë prej idhujtarëve.”

136. Thoni: “Ne besojmë në Allahun[188], në atë që na është zbritur neve[189], në atë që i është zbritur Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit dhe Esbatëve[190], në atë që i është dhënë Musait dhe Isait, dhe në atë që u është dhënë pejgamberëve[191] nga Zoti i tyre. Ne nuk bëjmë dallim mes tyre[192] dhe vetëm Atij (Allahut) i jemi nënshtruar[193].

137. Në qoftë se ata besojnë kështu si besoni edhe ju, atëherë janë udhëzuar[194], e nëse kthejnë shpinën, atëherë vërtet që ata janë në armiqësi[195]. Por Allahu do të të sigurojë prej tyre[196], e Ai është Gjithëdëgjuesi[197], i Gjithëdijshmi[198].

138. Ngjyrimin[199] e Allahut! E ku ka ngjyrim më të bukur se ai i Allahut! Ne vetëm Atë adhurojmë[200].

139. Thuaju: “A polemizoni me ne për Allahun[201], e Ai është Zoti ynë dhe Zoti juaj dhe ne kemi veprat tona e ju veprat tuaja? Ne jemi besnikë ndaj Tij.[202]

140. Apo mos thoni se Ibrahimi, Ismaili, Is’haku, Jakubi dhe Esbatët kanë qenë jehudi apo të krishterë? Thuaju: “Ju e dini më mirë[203] apo Allahu?” E kush është më i padrejtë se ai i cili e fsheh dëshminë[204] që ai ka nga Allahu?” Allahu nuk është i pavëmendshëm ndaj asaj që veproni ju.

141. Ai është një popull që tashmë ka kaluar. Ai do të ketë atë që ka fituar ndërsa ju atë që fitoni[205], dhe nuk keni për t’u pyetur për atë që vepronin ata.

-21-

__________________________________

[187] Çifutët i thanë Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe shokëve të tij besimtarë: “Bëhuni jehudi që të udhëzoheni drejt!”, ndërsa të krishterët thanë: “Bëhuni të krishterë që të udhëzoheni drejt!”

[188] Se Ai është Një Zot i vetëm, Zotërues i atributeve absolute dhe i pastër nga çdo mangësi, i Vetmi i Cili meriton të adhurohet.

[189] Atë që i është shpallur Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nga Allahu: Kurani dhe Suneti.

[190] Ata pasardhës të Jakubit (alejhi selam), të cilët kanë qenë pejgamberë.

[191] Besojmë gjithashtu në të gjitha Librat që Allahu u ka shpallur pejgamberëve të Tij të ndryshëm.

[192] Nuk besojmë disa dhe i mohojmë disa të tjerë, por i besojmë të gjithë, ashtu si na ka njoftuar dhe urdhëruar Allahu, dhe jo ashtu si bënë çifutët të cilët e mohuan Isain dhe Muhamedin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të dy ata!), dhe as ashtu si bënë të krishterët të cilët e mohuan Muhamedin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

[193] Me bindje dhe adhurim; jemi muslimanë.

[194] Njësoj si ju dhe atëherë do të jenë prej jush.

[195] Në kundërshtim, në ndarje dhe në luftë me Allahun, me të dërguarin e Tij dhe me ju, o besimtarë.

[196] Dhe e bëri këtë gjë së shpejti, duke i dhënë pejgamberit të Tij pushtet mbi çifutët, sa që disa prej tyre i vrau, disa i dëboi dhe disa i poshtëroi duke u marrë xhizjen me përçmim.

[197] Dhe e dëgjon se çfarë të thonë ty me gjuhët e tyre.

[198] Dhe e di se çfarë fshehin nga ti dhe nga muslimanët prej zilisë dhe urrejtjes.

[199] Ne ndjekim fenë e Ibrahimit, e cila është ngjyrimi i Allahut, feja e Allahut, Islami. Është përdorur fjala “ngjyrim” për të treguar se besimi Islam dhe praktikimi i tij është si ngjyrim i besimtarit, natyrë dhe cilësi e tij, me të cilën arrin lumturinë në të dyja botët. Pra, përmbajuni ngjyrimit të Allahut duke ju bindur atij, duke besuar dhe duke praktikuar dispozitat e fesë së Tij, deri sa feja të bëhet natyrë e juaj, njësoj si ajo rrobja që ngjyroset dhe ngjyra bëhet cilësi e saj. [Taberiu, Es Seadi].

[200] Ne jemi popull i nënshtruar vetëm Allahut dhe të bindur ndaj Tij në ndjekjen e fesë së Ibrahimit dhe të përvetësuarit e kësaj feje, dhe nuk bëjmë mëndjemadhësi në ndjekjen e urdhrit të Tij dhe as në mohimin e të dërguarve të Tij ashtu si kanë bërë çifutët dhe të krishterët të cilët e mohuan Muhamedin nga mendjemadhësia, padrejtësia dhe zilia e tyre.

[201] Me pretendimin se feja juaj është më e mirë se feja jonë dhe se Libri juaj është më i mirë se Libri ynë për shkak se ka zbritur më parë se Libri ynë! Por ky është një pretendim bosh dhe i pavend, pasi që Allahu është Zot i të gjitha krijesave dhe ato që merren në konsideratë janë veprat e secilit njeri dhe bindja e nënshtrimi i Tij ndaj Allahut.

[202] Vetëm Allahun adhurojmë dhe Atij i bindemi, pa i bërë shok Atij dhe pa adhuruar asgjë tjetër përveç Tij.

[203] Se çfarë feje kanë pasur ata.

[204] Se këta pejgamberë kanë qenë muslimanë.

[205] Secili do të shpërblehet për veprën e vet dhe askush nuk dënohet për gjynahun e tjetrit.

Xhuzi 2 »»