Vlera e Dijetarëve

Shkëputur nga libri “Përmbledhësi sqarues i dijes dhe vlerës së saj”

Autor: Jusuf ibën Abdulberr

Përktheu: Bledar Albani


1. Transmetohet nga Salim: Nga babai i tij –Ibën Umeri (radiallahu anhu), ka thënë: I Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Zilia nuk lejohet veçse në dy gjëra: Një burr, të cilit Allahu i ka dhënë Kur’anin dhe ai ngrihet me të gjatë natës dhe gjatë ditës, dhe një burr të cilit Allahu i ka dhënë pasuri dhe ai e shpenzon atë gjatë natës dhe gjatë ditës.”[1]

 

2. Transmetohet nga Abdullah ibën Mes’udi (radiallahu anhu) se ka thënë: I Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Zilia nuk lejohet veçse në dy gjëra: Një burr, të cilit Allahu i ka dhënë pasuri dhe ai e shpenzon atë në të drejtë, dhe një burr të cilit Allahu i ka dhënë urtësi me të cilën ai gjykon drejt dhe ua mëson atë të tjerëve.”[2]

3. Transmetohet nga Katade , për Fjalën e Allahut të Madhëruar:

“وَاذْكُرْنَ مَا يُتْلَى فِي بُيُوتِكُنَّ مِنْ آيَاتِ اللَّهِ وَالْحِكْمَةِ” (الأحزاب : 34)

“Dhe kujtoni (O ju pjesëtarë të familjes së pejgamberit) atë që recitohet në shtëpitë tuaja nga Ajetet e Allahut dhe Urtësia.” [El-Ahzab: 34]. Ai tha: Nga Kur’ani dhe Suneti (rruga e të Dërguarit sal-lallahu alejhi ue sel-lem).”[3]

Ebu Umer thotë: Kështu e ka përcjellë atë edhe Muhamed ibën Theur dhe Ibën El-Mubarek: Nga Meamar: Nga Katade.

4. Transmetohet gjithashtu nga Katade, për Fjalën e Allahut të Madhëruar:

“وَاذْكُرْنَ مَا يُتْلَى فِي بُيُوتِكُنَّ مِنْ آيَاتِ اللَّهِ وَالْحِكْمَةِ” (الأحزاب : 34)

“Dhe kujtoni (O ju pjesëtarë të familjes së pejgamberit) atë që recitohet në shtëpitë tuaja nga Ajetet e Allahut dhe Urtësia.” [El-Ahzab: 34]. Ai tha: Është për qëllim Suneti, ai konsiderohet mirësi për to.”[4]

5. Është përcjellë nga Ibën Uehb se ka thënë: Maliku më tha kur lexoi Fjalën e Allahut të Madhëruar për Jahjan (alejhis-selam):

 “وَآتَيْنَاهُ الْحُكْمَ صَبِيّاً” (مريم : 12 )

“Dhe Ne ia dhamë urtësinë atij duke qënë ende fëmijë.” [Merjem: 12].

Dhe Fjalën e Allahut për Isain (alejhis-selam):

“قَدْ جِئْتُكُم بِالْحِكْمَةِ” (الزخرف : 63 )

“Unë kam ardhur tek ju me urtësinë.” [Ez-Zuhruf: 63].

Dhe Fjalën e Allahut të Madhëruar:

“وَاذْكُرْنَ مَا يُتْلَى فِي بُيُوتِكُنَّ مِنْ آيَاتِ اللَّهِ وَالْحِكْمَةِ” (الأحزاب : 34)

“Dhe kujtoni (O ju pjesëtarë të familjes së pejgamberit) atë që recitohet në shtëpitë tuaja nga Ajetet e Allahut dhe Urtësia.” [El-Ahzab: 34].

Imam Maliku tha: Urtësia në të gjitha këto ajete është bindja ndaj Allahut, pasimi i urdhërave të Tij, të kuptuarit dhe të perceptuarit e Fesë së Allahut dhe të punuarit me të.”

Ibën Uehb thotë: Kam dëgjuar Malikun një herë tjetër të thotë: “Ajo që ndjej në zemër është se Urtësia që përmendet në këto ajete është njohja dhe kuptimi i Fesë së Allahut. Thotë: Këtë e sqaron edhe fakti se një njeri mund t’a gjesh të zgjuar në çështjet e dynjasë, të njohur me to dhe largpamës, por për Fenë e tij ai mund të mos ketë asnjë lloj njohurie. Ashtu si edhe mund të gjesh një tjetër të dobët në çështjet e dynjasë, por të ditur me çështjet e Fesë së tij dhe të mirënjohur me to. Allahu i jep këto e i ka penguar ato të tjerat. Kështuqë urtësia është të kuptuarit e Fesë së Allahut.”[5]

6. Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ka thënë: I Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Dynjaja është e mallkuar dhe e mallkuar është gjithçka që gjendet në të përveç përmendjes së Allahut dhe gjërave që Ai do (pëlqen), apo ndonjë dijetari a kërkuesi të dijes.”[6]

7. Amër ibën Abdullah thotë: I tregova Umer ibën Abdul-Azizit se thuhej (nga të parët): “Nëse ke mundësi të bëhesh dijetar, bëhu dhe nëse nuk ke mundësi, atëherë bëhu kërkues i dijes. Nëse as këtë nuk ke mundësi ta bësh, atëherë duaji ata (dijetarët dhe nxënësit e dijes) dhe nëse përsëri nuk mundesh, atëherë mos i urre ata!”

Umer ibën Abdul-Azizi tha: “Allahu ka bërë rrugë në çdo rast, nëse pranon.”[7]

 

8. Një burrë nga Muradi, të cilin e quanin Safvan ibën Assal erdhi tek i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ndërsa ai ishte në xhami i mbështetur mbi një xhybe të kuqe të tijën. Thotë: Thashë: O i Dërguari i Allahut, unë kam ardhur për të kërkuar dituri. I Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) tha: “Mirëse vjen, o kërkuesi i dijes! Me të vërtetë, kërkuesin e dijes e rrethojnë engjëjt dhe i bëjnë hije me krahët e tyre. Ata hipin mbi njëri-tjetrin derisa arrijnë në qiellin e dynjasë, nga dashuria për atë që ai kërkon. Çfarë erdhe të kërkosh?

Ai tha: O i Dërguari i Allahut, unë udhëtoj vazhdimisht nga Meka në Medine, prandaj më trego për fshirjen mbi meste. Pastaj përmendi hadithin.[8]

9. Xhemil ibën Kajs transmeton se një burrë erdhi nga Medina tek Ebu Ed-Darda në Damask (në Siri) dhe e pyeti për një hadith. Ebu Darda i tha atij: A nuk ke ardhur nga larg për ndonjë tregti, por vetëm për kërkimin e hadithit? Ai burri tha: Po. Ebu Darda i tha atij: Atëherë të përgëzoj ty se unë kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) të thotë: “Çdo rob (njeri) që del për të kërkuar një dije, engjëjt i shtrinë atij krahët e tyre dhe atij i hapet një rrugë për xhenet. Për dijetarin kërkojnë falje çdo gjë që gjendet në qiell dhe çdo gjë që gjendet në tokë, madje edhe peshqit në ujë dhe vlera e dijetarit mbi adhuruesin është si vlera e hënës pesëmbëdhjeçe mbi të gjitha yjet. Dijetarët janë trashëgimtarë të pejgamberëve dhe pejgamberët nuk kanë lënë trashëgim dinarë apo dirhemë (ar apo argjend), por ata kanë lënë trashëgim dijen dhe ai që e merr atë, ka kapur një fat të madh.”[9]

10. Është përcjellë nga Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ai ka thënë: “Për atë që u mëson njerëzve të mirën kërkon falje –apo ndërmjetëson- çdo gjë, madje edhe peshqit në det.”[10]

Dhe në një transmetim tjetër thuhet: ” Për atë që u mëson njerëzve të mirën kërkojnë falje të gjitha krijesat që ecin në tokë, madje edhe peshqit në det.”

11. Transmetohet nga Ebu Umame (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ka thënë: I Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Allahu, engjëjt e tij, banorët e qiellit dhe të tokës, madje edhe milingona në folenë e saj dhe peshku në det, kërkojnë falje për atë që u mëson njerëzve hajrin (të mirën).”[11]

12. Zejd ibën Thabit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) transmeton se i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Allahu e ndriçoftë atë njeri që dëgjon një hadith prej nesh, e mëson atë dhe ua komunikon atë të tjerëve, sepse ndodh që mbartësi i një urtësie të mos jetë i urtë (i ditur, i zgjuar). Tri gjëra nuk e lënë ligësinë e zilinë të hyjnë në zemrën e muslimanit: Kryerja e punës me sinqeritet për Allahun, këshillimi i pushtetarëve dhe të kapurit për xhematin  e muslimanëve.”[12]

I Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), vazhdon dhe thotë (në një transmetim tjetër të këtij hadithi): “Kush ka për synim botën tjetër, Allahu e bën të qëndrueshme dhe unike çështjen e tij dhe i ngop zemrën, kështu atij i vjen dynjaja pas e përgjunjur. Ndërsa kush ka për synim këtë botë, Allahu e bën të paqëndryeshme çështjen e tij dhe fut pangopshmërinë e varfërinë në zemrën e tij, dhe atij nuk i vjen prej dynjasë veçse ajo që i është caktuar.”

 

13. Abdurrahman ibën Eban ibën Uthman transmeton nga babai i tij se ai ka thënë: Zejd ibën Thabit doli nga Mervani aty afër mesditës. Unë shkova tek ai dhe i thashë: Për çfarë të pyeti prijësi (i muslimanëve)? Ai tha: Më pyeti për disa çështje të cilat i kam dëgjuar nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Unë e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të thotë: “Allahu e ndriçoftë atë njeri që dëgjon një hadith prej nesh, e mëson atë dhe ua komunikon atë të tjerëve, sepse ndodh që mbartësi i një urtësie të mos jetë i urtë (i ditur, i zgjuar) dhe ndodh që mbartësi i një urtësie t’a transportojë atë tek dikush që është më i urtë se ai!”[13]

 

14. Ebu Bekrah thotë: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Ai që është prezent t’ia komunikojë atij që nuk është prezent –dy herë-, sepse ndoshta ai që i komunikohet e kupton më mirë se dëgjuesi (prej meje)!”[14]

15. Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!)  thotë: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Ju tani dëgjoni dhe të tjerë do të dëgjojnë prej jush, pastaj do të dëgjohet prej atyre që dëgjuan prej jush.”[15]

Në këtë hadith ka argument për komunikimin e dijes dhe përhapjen e saj.


[1] Hadith Sahih. Atë e ka nxjerë Buhariu (7529), Muslimi (815), Tirmidhiu (1936), Ibën Maxheh (4209), En-Nesai, Ahmedi etj.

[2] Senedi i këtij hadithi është Sahih. Atë e ka nxjerë Buhariu (1409, 7141, 7316), Muslimi (816), Nesai, Ahmedi etj.

[3] Senedi i këtij etheri (thënie të Katades) është Sahih.

[4] Senedi i këtij etheri është Hasen. Atë e ka nxjerë Ibën Xherir Et-Taberi.

[5] Ky ether është Sahih, megjithëse në senedin e tij ka dobësi.

[6] Hadith Hasen. E ka nxjerë Tirmidhiu, Ibën Maxheh etj. Imam Albani e ka quajtur Hasen.

[7] Me sened Sahih dhe transmetues të besueshëm. Atë e ka nxjerë Jakub ibën Sufjan në “Njohuria dhe Historia” dhe Ebu Hajtheme në “Dija”.

[8] Hadith me sened Hasen dhe transmetues të besueshëm. Atë e ka nxjerë El-Hakim në “El-Mustedrak”, Et-Taberani në “El-Kebir” dhe El-Axhurri në “Morali i dijetarëve”.

[9] Hadith Hasen. E ka nxjerë Ahmedi, Bejhakiu, Tirmidhiu etj. Ky hadith ka ardhur me disa shprehje të përafërta dhe në transmetimin e Tirmidhiut, imam Albani thotë se ky hadith është Sahih.

[10] Transmetimi i parë është Hasen ndërsa i dyti është Sahih. E ka nxjerë Ed-Darimi.

[11] Hadith Sahih. E ka nxjerë Tirmidhiu (2685), Taberani në “El-Kebir”.

[12] Hadith me sened Sahih. E ka nxjerë Et Taberani, Tirmidhiu (2658), Ebu Daudi (3660), Ahmedi (5/183), Ibën Hibani, Ed Darimi etj.

[13] Hadith me sened Hasen. Shih hadithin para tij.

[14] Hadith Sahih. Atë e transmeton Buhariu, Muslimi, Nesai etj, por në transmetimin e tyre thuhet se Ebu Bekrah ka thënë: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) na mbajti një fjalim (hutbe) dhe pastaj tha: …hadithi.

[15] Hadith me sened Sahih. E ka nxjerë Ebu Daudi (3659), Ahmedi, Ibën Hiban, El Hakim etj.