Vendi i Sunetit në Islam (3)

Dhe sqarimi se nuk mund të mjaftohemi
me Kuranin pa Sunetin

Dijetari i madh dhe muhadithi i kohës
Muhamed Nasirudin el Albani
Përktheu: Bledar Albani

… Vijon

Humbja e atyre të cilët mjaftohen
me Kuranin pa sunetin

Për të ardhur keq, janë gjendur disa prej komentatorëve të Kuranit dhe disa shkrimtarë bashkëkohorë që kanë shkuar në mendimin se lejohet ajo që përmendëm në dy shembujt e fundit prej lejimit të ngrënies së kafshëve grabitqare dhe të veshjes së arit dhe të mëndafshit, duke u bazuar vetëm në Kuran.

Madje në kohën tonë është gjendur edhe një grup i cili quhet “Kuranijun” dhe e komentojnë Kuranin sipas dëshirave dhe mendjeve të tyre, pa u mbështetur për këtë gjë në sunetin e saktë. Madje suneti tek ata vjeën pas dëshirave të tyre; ai sunet që u përputhet atyre, bëjnë sikur e marrin atë dhe atë që nuk u përputhet atyre, e hedhin pas shpine.

Sikur Pejgamberi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) të ketë pasur për qëllim këta me fjalën e tij në hadithin e saktë: “Të mos e gjej ndokënd prej jush të mbështetur mbi kolltukun e tij dhe kur t’i vijë ndonjë nga çështjet e mia për të cilat kam ardhëruar apo ato që kam ndaluar, e të thotë: “Nuk e di! Cfarë gjejmë në Librin e Allahut e pasojmë.” [E transmeton Tirmidhiu]. Në një transmetim tjetër jo të Timirdhiut, thuhet: “Cfarë gjejmë në të (në Kuran) haram, e bëjmë haram.’ Por mua më është dhënë Kurani dhe një tjetër si ai bashkë me të.”

Dhe në një transmetim tjetër thuhet: “Vërtetë që ajo që ka ndaluar i Dërguari i Allahut është njësoj si ajo që ka ndaluar Allahu.”

Madje për të ardhur keq është se një prej shkrimtarëve të respektuar ka shkruar një libër për legjislacionin e Islamit dhe akiden (bindjen) e tij dhe në fjalën hyrëse të tij thotë se e ka shkruar atë libër pa pasur asnjë burim apo referim tjetër përveç Kuranit!

Ky hadith i saktë argumenton prerë se sheriati Islam nuk është vetëm Kuran, por ai është Kuran dhe Sunet, dhe kushdo që kapet për njërin prej tyre dhe e lë tjetrin, ai nuk është kapur për asnjërin prej tyre, pasi që secili prej tyre urdhëron për të kapurit për tjetrin, siç thotë Allahu i Madhëruar: “Kushdo që i bindet Pejgamberit, ai i është bindur Allahut.” [En Nisa, 80].

“Por jo, për Zotin tënd! Ata nuk janë besimtarë derisa të mos zgjedhin ty për të gjykuar në të gjitha mosmarrëveshjet mes tyre, derisa të mos mbetet në veten e tyre asnjë pikë kundërshtimi ndaj vendimeve të tua dhe derisa t’i pranojnë ato (vendimet e tua) plotësisht të nënshtruar.” [En Nisa, 65].

“Kur Allahu dhe i Dërguari i Tij kanë vendosur për një çështje, nuk i takon asnjë besimtari dhe asnjë besimtareje që në vendimin e tyre të bëjnë ndonjë zgjidhje tjetër. Dhe kushdo që nuk i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, padyshim që ka humbur në gabim të qartë.” [El Ahzab, 36].

“Dhe çfarëdo që t’ju japë juve i Dërguari, atë merreni dhe çfarëdo që ai ua ndalon juve, hiqni dorë (prej saj).” [El hashr, 7].

Me rastin e përmendjes së këtij ajeti, më ka bërë përshtypje ajo që është transmetuar nga Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “Një grua erdhi tek ai dhe i tha: “Ti je ai që thua: “Allahu i mallkoftë ato që heqin vetullat e veta dhe ato që ua heqin ato të tjerave, ato që bëjnë tatuazhe dhe ato që ua bëjnë të tjerave…” Ibën Abasi tha: “Po”. Ajo tha: “Por unë e kam lexuar Librin e Allahut nga fillimi në fund dhe nuk e kam gjetur këtë që thua ti!” Ai i tha: “Sikur ta kishe lexuar, do ta kishe gjetur. A nuk ke lexuar: “Dhe çfarëdo që t’ju japë juve i Dërguari, atë merreni dhe çfarëdo që ai ua ndalon juve, hiqni dorë (prej saj).” Ajo tha: “Po!” Ai tha: “Epo unë e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) të thotë: “Allahu i mallkoftë ato që heqin vetullat …” [Ky hadith është muttefekun alejhi].

 

Mosmjaftimi i gjuhës për kuptimin e Kuranit

Nga ajo që kaloi bëhet e qartë se askush, sado i ditur të jetë në gjuhën arabe dhe stilet e saj, nuk ka rrugëdalje për kuptimin e Kuranit të Lartë pa u ndihmuar për këtë me sunetin e Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), të folur apo të vepruar. Ai nuk ka për të qenë më i ditur në gjuhë se sa shokët e Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) me gjuhën e të cilëve ka zbritur Kurani, duke qenë se ende nuk ishte prekur nga ndotja e gjuhëve të huaja, gjuha popullore dhe dialektet e ndryshme. Megjithë këtë, edhe ata gabuan në kuptimin e ajeteve të mëparshme kur u mbështetën vetëm në gjuhën e tyre.

Prej këtu, është e pakundërshtueshme se sa më shumë i ditur të jetë njeriu me sunetin e Pejgamberi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), aq më i aftë është ai për të kuptuar Kuranin dhe për nxjerrë ligjet nga ai, ndryshe nga ai i cili e injoron sunetin, e si mund të jetë me atë që nuk e konsideron fare atë dhe as nuk ia hedh vështrimin atij?

Prandaj, prej rregullave bazë për të cilat kanë rënë dakord dijetarët është që Kurani të komentohet me vetë Kuranin dhe me Sunetin [1], pastaj me fjalët e sahabeve …

Prej këtu na bëhet i qartë shkaku i humbjes së dijetarëve të fjalës (skolastkët, mutekelimunët) e hershëm e të rinj, si dhe të kundërshtuarit e selefëve nga ata, në bindjet e tyre dhe aq më tepër në lidhje me rregullat e fikhut dhe sheriatit; ai shkak është largimi i tyre nga suneti dhe njohja e tij, dhe të gjykuarit e tyre sipas mendjes dhe dëshirave të tyre në ajetet e cilësive të Allahut dhe të tjera. Nuk ka më të bukur këtu se fjala që thuhet në “Sherhu el Akide et Tahavije”, botimi i katërt, f.212:

“Si mund të flasë për bazat e fesë ai i cili nuk e ka marrë atë nga Kurani dhe Suneti, por e ka marrë nga fjala e filanit dhe fistekut? Nëse ai pretendon se e ka marrë atë nga Libri i Allahut, dhe tefsirin (komentimin dhe shpjegimin) e Librit të Allahut nuk e ka marrë nga hadithet e Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), as nuk vështron në to (në hadithe) dhe as në atë që kanë thënë sahabet dhe tabiinët, të cilat janë përcjellë tek ne nga transmetuesit e besueshëm të cilët i kanë analizuar dijetarët kritikë; e këta nuk kanë përcjellë vetëm tekstin e Kuranit, por tekstin dhe domethënien e tij, dhe nuk e mësonin Kuranin ashtu si e mësojnë fëmijët, por e mësonin atë bashkë me kuptimet e tij. Kushdo që nuk e ndjek rrugën e tyre, ai flet nga mendja e tij dhe kushdo që flet nga mendja e tij duke menduar se ajo është feja e Allahut, pa e marrë atë nga Kurani, ai është mëkatar edhe nëse ia qëllon të vërtetës, ndërsa ai që merr nga Kurani dhe Suneti, është i shpërblyer edhe nëse gabon, e nëse ia qëllon të vërtetës, atij i shumëfishohet shpërblimi.”

Më pas, në faqen 217, ai thotë:

“Pra, ajo që është obligim është dorëzimi tek Pejgamberi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dhe nënshtrimi para urdhërit të tij. Ta presim njoftimin e tij me pranim dhe besim, pa e kundërshtuar atë me supozime të kota të cilat i quajmë “logjikë”, dhe pa i mveshur atij mëdyshje dhe dyshime, apo duke privilegjuar idetë e burrave dhe plehrat e mendjeve të tyre para urdhërit të tij (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!). Ne duhet ta njësojmë atë (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) në të marrurin për gjykues, në dorëzimin para tij, në nënshtrimin dhe përuljen para urdhrit të tij, njësoj siç njësojmë Dërguesin e tij, Allahun e Lartësuar me adhurim, nënshtrim, përulje, kthim me pendim dhe mbështetje.”

Fjala përmbledhëse është se: të gjithë muslimanët e kanë obligim që të mos bëjnë dallim dhe të mos ndajnë mes Kuranit dhe Sunetit për nga obligueshmëria e të marrurit prej të dyve atyre dhe për ngritjen e sheriatit mbi të dy ato. Kjo është garancia e tyre që të mos anojnë djathtas e majtas dhe të mos kthehen të zmbrapsur e të humbur, siç e ka thënë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) me fjalën e tij: “Kam lënë në mesin tuaj dy gjëra, me të cilat nuk keni për të humbur nëse kapeni për to: Librin e Allahut dhe Sunetin tim. Ato dy nuk kanë për t’u ndarë kurrë nga njëri-tjetri deri sa të vijnë tek Hauzi (në botën tjetër).” [E transmeton Maliku por jo me xinxhir të lidhur dhe El Hakim me zinxhir të lidhur dhe të mirë (Hasen)].

Vërejtje e rëndëshishme:

Eshtë mëse e natyrshme që pas kësaj të them:
Suneti, i cili ka gjithë këtë rëndësi në nxjerrjen e ligjeve, është Suneti i vërtetuar dhe i saktë nga Pejgamberi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), sipas rrugëve shkencore dhe zinxhirëve të saktë të transmetimit, të njohura tek ata që kanë dije rreth hadithit dhe dijetarët e tij, dhe nuk janë ato hadithe që gjenden brenda librave të ndryshëm të Tefsirit e Fikhut, përgëzimit dhe kërcënimit, prekjes shpirtërore dhe këshillimit, etj, pasi që në këto libra gjenden shumë hadithe të dobëta, të panjohura dhe të shpikura, madje nga disa prej tyre Islami shfajësohet; siç është për shembull: hadithi i Harutit dhe Marutit, historia e Garanikëve (idhujve të krahasuar me zogjtë e bardhë), për të cilat kam shkruar një libërth të veçantë, i cili është botuar[2], ndërsa një numër të madhe të tyre e kam nxjerrë në librin e madh “Vargu i haditheve të dobëta e të shpikura, dhe influenca e keqe e tyre në popull”, numri i haditheve të të cilit kanë arritur deri tani në katër mij hadithe mes haditheve të dobëta e të shpikura. Deri tani janë botuar vetëm pesëqind hadithe prej tyre.[3]

Pra, detyra e dijetarëve, dhe veçanërisht e atyre që u përhapin njerëzve fikhun dhe fetvatë e tyre, është që të mos guxojnë të argumentojnë me një hadith të caktuar deri sa të sigurohen për vërtetësinë e tij, pasi që librat e fkhut tek të cilat ata kthehen, zakonisht janë të mbushura me hadithe të dobëta, të papranueshme dhe të pabaza, siç është e njohur tek dijetarët.

Kisha filluar një projekt të rëndësishëm për mendimin tim dhe shumë të dobishëm për ata që merren me fikhun, të cilin e titullova: “Hadithet e dobëta dhe të trilluara në librat nënë të fikhut”, duke pasur për qëllim me këto libra:

1. “El Hidaje”, i Marginani-t, në fikhun hanefi.
2. “El Mudevene”, i Ibën el Kasim, në fikhun maliki.
3. “Sherhul Vexhiz”, i Er Rafii, në fikhun shafii.
4. “El Mugni”, i Ibën Kudames, në fikhun hanbeli.
5. “Bidajetul Muxhtehid”, i Ibën Rushd el Andalusi, në fikhun krahasues mes medhhebeve.

Por nuk m’u mundësua plotësimi i tij, me keqardhje e them, pasi që revista kuvajtjane “Ndjeshmëria Islame”, e cila premtoi se do ta punlikonte dhe e mirëpriti atë, nuk e bëri këtë gjë kur e pa atë.

Përderisa kjo më iku, shpresoj të kem sukses në ndonjë rast tjetër me lejën e Allahut të Madhëruar, që vëllezërve të cilët angazhohen me fikhun t’u vendos një metodologji shkencore të përpiktë që t’u vijë në ndihmë atyre dhe t’ua lehtësojë rrugën e njohjes së gradës së haditheve duke u kthyer në referencat e domosdoshme prej librave të hadithit, si dhe të sqaroj të veçantat dhe veçoritë e tyre, dhe se ku mund të mbështetesh prej tyre. Allahu është Ai i Cili jep sukses.

 

Dobësia e hadithit të Muadhit i cili flet për mendjen
dhe çfarë kundërshtohet tek ai

Para se ta mbyll këtë fjalë, mendoj se duhet patjetër që të tërheq vëmendjen e vëllezërve që janë prezent, në një hadith të njohur pa përmendjen e të cilit rrallë mund të ketë ndonjë libër nga librat e Usuli Fikhut, për faktin se ai është i dobët nga senedi i transmetimit dhe bie në kundërshtim me përfundimin e arritur nga kjo ligjëratë; për moslejimin e bërjes dallim mes Kuranit dhe Sunetit në nxjerrjen e ligjeve, dhe obligueshmëria e të marrurit e të dyve atyre së bashku.

Eshtë fjala për hadithin e Muadh ibën Xhebel (Allahu qoftë i kënaqur me të!), se gjoja Pejgamberi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) i tha atij kur e dërgoi në Jemen:

-Me çfarë do të gjykosh?
-Me Librin e Allahut.
-Po nëse nuk gjen gjë në të?
-Me Sunetin e të Dërguarit të Allahut.
-Po nëse nuk gjen as në të?
-Përpiqem me mendimin tim dhe nuk neglizhoj.
-Falënderuar qoftë Allahu, i Cili i dha sukses misionerit të të Dërguarit të Allahut për atë që e do i Dërguari i Allahut.”

Dobësia e senedit të këtij hadithi nuk është mundësia të sqarohet tani, por unë e kam sqaruar atë me sqarim të gjerë për të cilin ndoshta nuk jam kaluar nga ndonjë, në vargun e haditheve të dobëta, të përmendur më parë[4], por mjafton këtu të përmend se prijësi i besimtarëve në hadith, imam Buhariu (Allahu e mëshiroftë!), ka thënë për të: “Hadith i refuzuar, i papranueshëm”.

Pas kësaj, mund të filloj me sqarimin e kundërthënies që përmenda më sipër, dhe të them:

Ky hadith i Muadhit i vendos gjykatësit një metodë në gjykim, në tre faza, dhe nuk lejohet që ai të kërkojë për gjykimin e një çështjeve në mendjen e tij veçse pasi të mos e gjejë atë në Sunet, dhe të mos e kërkojë gjykimin në Sunet veçse pasi të mos e ketë gjetur në Kuran.

Për të gjykuarit me mendjen, kjo është një metodologji e saktë tek të gjithë dijetarët, të cilët gjithashtu thonë: “Kur vjen etheri, rrëzohet të gjykuarit me mendje.”

Por në lidhje me Sunetin kjo nuk është e saktë, sepse Suneti dominon mbi Librin e Allahut dhe e sqaron atë, kështu që duhet të kërkojë në Sunet për gjykimin e asaj çështje të caktuar, edhe nëse mendon se ajo gjendet në Kuran, për shkakun që përmendëm.

Pra, Suneti nuk është me Kuranin ashtu si është mendja me Sunetin. Jo, asnjëherë. Kurani dhe Suneti duhet të konsiderohen një burim i vetëm, dhe mes tyre nuk ka kurrë ndarje, siç është përmendur në fjalën e Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!): “Mua më është dhënë Kurani dhe një tjetër si ai bashkë me të.” D.m.th. Suneti. Po kështu edhe në fjalën e tij (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!): “Ato dy nuk kanë për t’u ndarë kurrë nga njëri-tjetri deri sa të vijnë tek Hauzi.”

Kështu që, radhitja e përmendur në ndarjen e tyre nuk është e saktë, pasi që kjo do të thotë se ata ndahen nga njëri-tjetri, gjë e cila është e pavërtetë, siç e sqaruam më parë.

Kjo ishte ajo për të cilën doja të tërhiqja vëmendjen, e nëse ia kam qëlluar, ajo është prej Allahut, e nëse gaboj, kjo është prej meje. Lus Allahun e Lartësuar të na ruajën ne dhe ju nga rrëshqitjet dhe nga çdo gjë që Ai nuk e pëlqen!

Lutja jonë e fundit është:
Falënderuar qoftë Allahu, Zoti i botëve!


[1] Dhe nuk themi ashtu si është hapur tek shumë prej njerëzve me dije se: “Kurani komentohet me Kuran dhe nëse nuk ekziston Sunet, pastaj komentohet me Sunet”, për arsyen që do e shohim më pas në fund të kësaj brochure, në fjalën për hadithin e Muadh ibën Xhebel (Allahu qoftë i kënaqur me të!).

[2] Titulli i saj është “Hedhja e katapultave për rrëzimin e historisë së garanikëve”, botim i “Mektebul Islami”.

[3] Numri i tyre tashmë i ka kaluar pesë mij hadithe dhe janë botuar të gjitha.

[4] Ai gjendet me nr. 885 në vargun e përmendur.