Vendi i Sunetit në Islam (2)

Dhe sqarimi se nuk mund të mjaftohemi
me Kuranin pa Sunetin

Dijetari i madh dhe muhadithi i kohës
Muhamed Nasirudin el Albani

… Vijon

Domosdoshmëria e Sunetit për kuptimin e Kuranit
si dhe disa shembuj për këtë

Fjala e Allahut të Madhëruar: “Vjedhësit dhe vjedhëses pritini dorën e djathtë…” [El Maide, 38], është një shembull i mirë për këtë. Vjedhësi i përmendur është i papërcaktuar ashtu si edhe dora e pakufizuar. Kështu që suneti me fjalë sqaroi të parën dhe e kufizoi atë në vjedhësin i cili vjedh çerek dinari (prej ari), ku thuhet: “Nuk prehet dora veçse për vjedhjen e çereku dinari e më shumë.” (E kanë nxjerrë dy shejhat, Buhariu dhe Muslimi).

Ndërsa të dytën Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) e sqaroi me veprën e tij apo me veprën e shokëve të tij dhe me aprovimin e tij (salallahu alejhi ue selem); ata e pritnin dorën e vjedhësit në kyç, siç është e njohur nëpër librat e Hadithit.

Po kështu edhe suneti i shprehur me gojë nga Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) ka sqaruar se dora e përmendur në ajetin e tejemumit: “…atëherë merrni Tejemum me dhe të pastër duke fërkuar fytyrat tuaja dhe duart.” [El Maide, 6], është për qëllim pëllëmba e dorës; Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) thotë: “Tejemumi merret duke goditur (dheun e pastër) me duar një herë për fytyrën dhe duart.” (E ka nxjerrë Ahmedi, dy shejhat -Buhariu dhe Muslimi- e të tjerë), nga transmetimi i Amar ibën Jasir (radiallahu anhu).

Në vijim po paraqesim disa ajete të tjera të cilat nuk mund të kuptohen me kuptim të saktë ashtu siç ka pasur qëllim Allahu prej tyre, veçse me anë të sunetit.

1. Fjala e Allahut të Madhëruar: “Janë mu ata që besojnë dhe nuk e përziejnë besimin e tyre me padrejtësi, për të cilët ka siguri të plotë. Mu këta janë të udhëzuarit.” [El En’am, 82].

Shokët e Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem) e kuptuan fjalën “me padrejtësi” sipas kuptimit të përgjithshëm i cili përfshin çdo lloj padrejtësie sado e vogël qoftë, ndaj edhe ranë në dilemë për këtë ajet dhe thanë: “O i Dërguari i Allahut! E cili nga ne nuk e ka përzierë besimin e tij me padrejtësi?!” Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) tha: “Nuk është ashtu, por është për qëllim shirku (idhujtaria, vënia shok Allahut). A nuk e keni dëgjuar fjalën e Lukmanit: “Vërtet që shirku është padrejtësi e madhe”? [Lukman, 13].
Këtë hadith e kanë nxjerrë dy shejhat e të tjerë.

2. Fjala e Allahut të Madhëruar: “Dhe kur ju (muslimanë) udhëtoni nëpër botë, nuk është gjynah për ju nëse i shkurtoni faljet tuaja, në qoftë se keni frikë se jobesimtarët mund t’ju sulmojnë.” [En Nisa, 101].

Kuptimi i drejtpërdrejtë i këtij ajeti është se për shkurtimin e namazit në udhëtim është i kushtëzuar me ekzistencën e frikës; ndaj edhe disa prej sahabeve e pyetën të Dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem): “Si është puna jonë që e shkurtojmë namazin (në udhëtim), përderisa tani kemi siguri?!” Ai (salallahu alejhi ue selem) tha: “Kjo është sadaka (lëmoshë) të cilën Allahu ua ka dhënë juve, ndaj pranojeni sadakanë e Tij.” (E transmeton Muslimi).

3. Fjala e Allahut të Madhëruar: “Të ndaluara për ju (për t’i ngrënë) janë: bagëtitë e ngordhura (e të patherura), gjaku …” [El Maide, 3].

Por suneti me fjalë ka sqaruar se peshku dhe karkaleci i ngordhur, si dhe mëlçia dhe shpretka prej gjakut, janë të lejuara që të hahen. Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) thotë: “Neve na janë lejuar dy të ngordhta dhe dy gjakra: karkaleci dhe peshku (me të gjitha llojet e tij), dhe mëëlçia e shpretka.”

(Këtë hadith e ka nxjerrë Bejhakiu e të tjerë, të ngritur te Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) si dhe meukuf (si fjalë e sahabiut) gjithashtu. Zinxhiri i transmetimit meukuf është i saktë, dhe ai merr gjykimin e hadithit merfu, sepse për këtë gjë nuk mund të flitet sipas mendjes.

4. Fjala e Allahut të Madhëruar: “Thuaj (O Muhammed): “Unë nuk gjej në atë që më është shpallur mua ndonjë gjë të ndaluar për ngrënie për atë njeri që dëshiron të hajë prej atyre, përveç kafshëve të ngordhura, gjakut të derdhur (në therjen e tyre) ose mishit të derrit, pasi ky i fundit është vërtet i ndyrë, ose mishin e papërkushtuar Allahut i cili është bërë kurban për të tjerë në vend të Allahut …” [El Maide, 145].

Më pas vjen suneti dhe bën të ndaluara (haram) edhe gjëra të tjera të cilat nuk përmenden në këtë ajet, siç është fjala e Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem): “Cdo kafshë e egër me dhëmbë me majë (mishngrënëse) dhe çdo shpend me kthetra është haram (që t’i hahet mishi).”

Në këtë temë kanë ardhur edhe hadithe të tjera që ndalojnë gjëra të papërmendura në ajet, siç është fjala e Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem) në luftën e Hajberit: “Allahu dhe i Dërguari i Tij ua ndalon (ngrënien e mishit) të gomarit të butë, sepse ai është i ndyrë.” (E kanë nxjerrë dy shejhat, Buhariu dhe Muslimi).

5. Fjala e Allahut të Madhëruar: “Thuaj: “Kush e ka ndaluar veshjen e bukur me rrobat e dhuruara prej Allahut, të cilat Ai i ka krijuar për robët e Tij, si dhe Tajibatet (ushqimet e pastra e të ligjshme për ju nga Allahu) si mirësi për ju?” [El Araf, 32].

Por suneti ka sqaruar se disa prej zbukurimeve janë të ndaluara. Eshtë përcjellë se Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) doli një ditë tek sahabet e tij dhe në një dorë mbante mëndafsh dhe në tjetrën ar, dhe tha: “Këto dyja janë haram për meshkujt nga populli im dhe hallall për gratë e tyre.” (E ka nxjerrë el Hakim dhe e ka konsideruar të saktë.)

Hadithet në këtë kuptim janë të shumta dhe të njohura, në dy sahihat dhe në libra të tjerë të hadithit, si dhe shembujt për këtë temë janë të shumta dhe të njohura për dijetarët që merren me shkencën e hadithit dhe të fikhut.

Nga sa pamë më sipër na bëhet e qartë, o vëllezër, rëndësia e sunetit në sheriatin Islam. Sikur t’i rishikojmë shembujt e përmendur, pa folur për shembujt e tjerë të papërmendur, bindemi plotësisht se nuk ka rrugë tjetër për kuptimin e Kuranit të nderuar me kuptim të saktë veçse të shoqëruar me sunetin (e Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem).

Në shembullin e parë, sahabet e kuptuan “padrejtësinë” e përmendur në ajet sipas kuptimit të drejtpërdrejtë dhe sipërfaqësor, dhe megjithëse ata kanë qenë ashtu si ka thënë Ibën Mesudi: “Më të mirët e këtij ymeti, me zemrat më të pastra, më të thelluarit në dije dhe më pak të shtirurit”, por megjithatë ata gabuan në kuptimin e kësaj fjale, dhe sikur Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) të mos i kthente ata nga gabimi i tyre dhe të mos i udhëzonte ata në domethënien e saktë të fjalës “padrejtësi” në këtë ajet, dhe se ishte për qëllim shirku, ne do t’i kishim pasuar ata në gabimin e tyre, por Allahu i Madhëruar na ruajti ne nga kjo gjë falë udhëzimit dhe sunetit të Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem).

Ndërsa në shembullin e dytë; sikur të mos kishte ardhur hadithi i përmendur, do të kishim mbetur në dilemë të paktën për çështjen e shkurtimit të namazit në udhëtim në rast sigurie, nëse nuk shkojmë në kushtëzimin e frikës për shkurtimin e namazit siç është kuptimi i jashtëm i ajetit, si dhe ashtu siç i shkoi në mendje kjo gjë disa sahabeve, sikur të mos e kishin parë Pejgamberin (salallahu alejhi ue selem) që t’a shkurtonte namazin në udhëtim dhe ata bashkë me të, edhe pse ishin të siguruar nga armiku.

Gjithashtu në shembullin e tretë, sikur të mos ishte hadithi, ne do të kishim bërë të ndaluara për veten shumë gjëra të cilat na janë lejuar për t’i ngrënë: karkaleci dhe peshku, si dhe mëlçia dhe shpretka.

Edhe në shembullin e katërt, sikur të mos ishin hadithet e përmendura dhe ato të papërmendura këtu, ne do të kishim bërë të lejuar ato gjëra që Allahu na i ka ndaluar në gjuhën e Pejgamberit të Tij (salallahu alejhi ue selem), prej kafshëve të egra (mishngrënëse) dhe shpendëve me kthetra (grabitqarë).

Po kështu edhe në shembullin e pestë; sikur të mos kishin ardhur hadithet që lidhen me të, ne do të kishim lejuar gjëra që Allahu na i ka ndaluar në gjuhën e Pejgamberit të Tij (salallahu alejhi ue selem), prej mëndafshi dhe ari.

Ndaj edhe dikush prej selefëve ka thënë: “Suneti gjykon para Kuranit.”

 

Humbja e atyre të cilët mjaftohen
me Kuranin pa sunetin

Vijon …