Vendi i Sunetit në Islam (1)

Dhe sqarimi se nuk mund të mjaftohemi
me Kuranin pa Sunetin

Dijetari i madh dhe muhadithi i kohës
Muhamed Nasirudin el Albani
Përkthimi: Rrugetepaqes.net

Falënderimi i takon vetëm Allahut. Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që e pasojnë atë!

Kjo është një ligjëratë të cilën e kam mbajtur në qytetin Ed Deuha, kryeqytetin e Katarit, në muajin e Ramazanit të Begatë, në vitin 1392 h. Më pas disa vëllezër më kërkuan botimin e saj, për shkak të dobive të shumta që ajo përmban dhe për nevojën e madhe të muslimanëve për ligjërata të tilla.

Në përgjigje të kërkesës së tyre, për t’u përhapur dobia e saj dhe për historinë, e botoj këtë broshurë, në të cilën kam shtuar disa tema të hollësishme (mbi ato të ligjëratës) me qëllim që të ndihmoj lexuesin e nderuar në perceptimin e ideve kryesore të saj.

Shpresoj nga Allahu i Madhëruar që të më shkruajë në grupin e atyre që mbrojnë Fenë e Tij, përkrahës të Sheriatit të Tij dhe të më shpërblejë për të! Allahu është Bujari më i Madh me atë që i kërkon Atij.

Damask / 22 / Muharrem / 1394 h.

 

Vendi i Sunetit në Islam
Dhe sqarimi se nuk mund të mjaftohemi me Kuranin pa Sunetin

Falënderimi i takon vetëm Allahut. Vetëm Atë falenderojmë, Atij i kërkojmë ndihmë dhe falje të gjynaheve tona. I kërkojmë mbrojtje Allahut prej të keqes së veteve (shpirtrave) dhe punëve tona.

Atë të cilin e udhëzon Allahu, nuk ka kush e humb dhe atë të cilin humb Allahu, nuk ka kush e udhëzon.

Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, Një e i Pashok dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij.

“O ju që keni besuar! Kini frikë Allahun me një devotshmëri të vërtetë dhe mos vdisni ndryshe, vetëm se duke qenë muslimanë!”

“O ju njerëz! Kini frikë Zotin tuaj i Cili ju ka krijuar prej një njeriu të vetëm dhe pastaj krijoi prej tij shoqen e tij e prej atyre të dyve shtoi burra e gra të shumtë! Kini frikë Allahun me të Cilin ju kërkoni të drejtat tuaja dhe ruajeni farefisin! Allahu është Mbikëqyrës mbi ju.”

“O ju që keni besuar! Kini frikë Allahun dhe flisni fjalë të drejta e të vërteta! Kështu, Ai jua rregullon juve punët tuaja dhe jua fal gjynahet tuaja. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, ai ka arritur fitoren më të madhe.”

Thënia më e mirë është Fjala e Allahut, ndërsa udhëzimi më i drejtë është ai i Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Punët më të këqija janë shpikjet në to, çdo shpikje është bidat (e panjohur më parë në fe) dhe çdo bidat është humbje (nga Rruga e Drejtë), ndërsa çdo humbje e ka vendin në zjarr.

Unë mendoj se nuk do të mundem që në këtë takim bujar -veçanërisht kur në të marrin pjesë dijetarë të nderuar dhe profesora të mëdhenj -, të paraqes ndonjë dije të panjohur nga ata, dhe nëse mendimi im është i vërtetë, atëherë mjafton që me këtë fjalë të jem përkujtues dhe ndjekës i Fjalës së Allahut të Madhëruar: “Dhe përkujto, sepse përkujtimi bën dobi.” [Edh Dharijat: 55].

Fjala ime në këtë natë të begatë nga netët e muajit të begatë të Ramazanit, nuk mendoj që të jetë për sqarimin e ndonjë prej dobive e dispozitave të tij, apo dobinë e namazit të natës (namazi i teravive) në të e të ngjashme me këto, gjëra të cilat i përsërisin zakonisht këshilluesit dhe përmirësuesit, me gjëra të cilat i bëjnë dobi agjëruesve dhe të cilat i kthehen atyre me hajër dhe bereqet. Por unë zgjodha që fjala ime të ishte rreth një çështjeje shumë të rëndësishme, pasi që ajo është prej bazave të sheriatit të respektuar. Eshtë fjala për rëndësinë e Sunetit në Sheriatin Islam.

Misioni i Sunetit në lidhje me Kuranin

Të gjithë ju e dini se Allahu i Madhëruar e zgjodhi Muhamedin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për Shpalljen e Tij dhe e veçoi atë me dërgesën e tij. Allahu i zbriti atij Kuranin e ndershëm dhe e urdhëroi atë, në mesin e urdhërimeve të tjera, që t’ia sqarojë atë njerëzve. Allahu i Madhëruar thotë: “Ne të kemi zbritur ty këshillën (sunetin) me qëllim që ti t’ua sqarosh njerëzve atë që u është zbritur atyre.” [En Nahl: 44].

Ajo që mendoj, është se ky sqarim i përmendur në këtë ajet të ndershëm, përmban dy lloje të sqarimit:

I pari: Sqarim të shprehjes dhe ndërtimit të saj, dhe ky është publikimi i Kuranit dhe mosfshehja e tij, përcjellja e tij popullit ashtu si e ka zbritur Allahu i Madhëruar në zemrën e Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem). Kjo është edhe për qëllim në Fjalën e Allahut të Madhëruar: “O i Dërguar! Shpalle atë (Mesazhin) i cili të është zbritur ty nga Zoti yt…” [El Maide, 67].

Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!), në një hadith të saj ka thënë: “Kushdo që ju thotë se Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) ka fshehur diç nga ajo për të cilën është urdhëruar ta shpallë, ai ka bërë shpifjen më të madhe ndaj Allahut.” Pastaj lexoi ajeti e përmendur më sipër.
Këtë hadith e kanë nxjerrë dy shejhat (Buhariu dhe Muslimi).

Ndërsa në një transmetim tjetër të Muslimit thuhet: “Sikur i Dërguari i Allahut të kishte fshehur diç nga ajo për të cilën është urdhëruar ta shpallë, do të kishte fshehur Fjalën e Allahut: “Dhe (kujto) kur ti i the atij (Zejd bin Harithah, skllavi i liruar i Pejgamberit) mbi të cilin Allahu ka dhuruar Begati (duke e udhëzuar në Islam) e edhe ti (O Muhammed) i ke bërë mirësi (duke e liruar atë): “Mbaje bashkëshorten tënde me ty në martesë dhe ki frikë Allahun.” Por ti e mbaje fshehtë në veten tënde atë që Allahu do ta bënte të njohur, ti kishe frikë prej njerëzve (se Muhammedi u martua me gruan e ndarë të skllavit të tij të liruar), ndërkohë që Allahu ka të drejtë më të madhe për ta pasur frikë…” [El Ahzab, 37].

Sqarimi i dytë: Sqarimi i domethënies së shprehjes, fjalisë apo ajetit për të cilin populli ka nevojë që të sqarohet, dhe në shumicën e rasteve kjo ndodh në ajetet e përmbledhura, të përgjithshme dhe të pakufizuara. Kështu që vjen suneti dhe e sqaron të përmbledhurën, veçon të përgjithshmen dhe kufizon të pakufizuarën. Dhe kjo gjë bëhet me fjalën e Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem), ashtu si dhe me veprën dhe aprovimin e tij.

Domosdoshmëria e Sunetit për kuptimin e Kuranit
si dhe disa shembuj për këtë

Vijon …