Vendet e përcaktuara për veshjen e Ihramit dhe bërjen e nijetit

për haxh apo umra, dhe lejimi i kësaj

para se të arrish në ato vende

  1. Transmetohet nga Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) përcaktoi vendin e quajtur “Dhul Hulejfe” për banorët e Medines. Ndërsa për banorët e Shamit caktoi “El Xhuhfe”, për banorët e Nexhdit, “El Menazil”, për ata të Jemenit, “Jelemlem”. Këto vende janë për këta banorë dhe për të tjerët që kalojnë nga ato kur shkojnë për haxh apo për umra. Ndërsa për ata që banojnë më pranë Mekës se këto vende, atëherë vendi i ihramit të tyre është shtëpia e tyre. Po kështu edhe banorët e Mekës e bëjnë nijetin dhe veshin ihramin nga shtëpitë e tyre.” Muttefekun alejhi.
  2. Transmetohet nga Ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Banorët e Medines e veshin Ihramin në “Dhul Hulejfe”, banorët e Shamit në “El Xhuhfe” dhe banorët e Nexhdit në “Karn”. Ibën Umeri thotë: Më kanë treguar të tjerët dhe nuk e kam dëgjuar nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) se ai ka thënë: Vendi i Ihramit të banorëve të Jemenit është “Jelemlem”. Muttefekun alejhi.

Ndërsa Ahmedi, në një transmetim tjetër shton: “Atëherë njerëzit e krahasuan vendin “Dhatu Irk”, me “Karn”. [Sahih – Musned Ahmed 4455; Ahmed Shakir].

  1. Transmetohet nga Ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ka thënë: “Kur u çliruan këto dy vende, banorët e tyre erdhën tek Umer ibën el Hatabi dhe i thanë: O prijësi i besimtarëve! I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) caktoi “Karnin” për banorët e Nexhdit, por ai anon (largon) nga rruga jonë (për në haxh) dhe ne e kemi disi të vështirë që të shkojmë deri atje (pastaj të vazhdojmë rrugën). – Atëherë shihni ndonjë vend që është paralel me të në rrugën tuaj. Thotë: Dhe u caktoi atyre vendin “Dhatu Irk”. E transmeton Buhariu.
  2. Transmetohet nga Aisha se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) caktoi vendin “Dhatu Irk” si mikat për banorët e Irakut.” E transmeton Ebu Daudi dhe Nesai. [Sahih – Ebu Daudi 1739, Irvaul Galil 999].
  3. Transmetohet nga Ebu Zubejr se: “Ai ka dëgjuar Xhabirin të pyetet për mikatet e Ihramit dhe ai tha: Kam dëgjuar dhe besoj se është fjalë e të Dërguarit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) se ai ka thënë: Mikati i banorëve të Medines është Dhil Hulejfe, ndërsa nga rruga tjetër është “El Xhuhfe”. Mikati i banorëve të Irakut është “Dhatu Irk”, ai i banorëve të Nexhdit “Karni” dhe ai i banorëve të Jemenit “Jelemlem”. E transmeton Muslimi.

E transmeton gjithashtu Ahmedi dhe Ibën Maxheh të ngritur tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe pa dyshuar për këtë.

Teksti për mikatin “Dhatu Irk” nuk është i fortë sa të tjerët. Nëse ai aprovohet, atëherë s’ka çudi që mendimi i Umerit të jetë në përputhje me të, pasi ai ia qëllonte gjithnjë të vërtetës.

  1. Transmetohet nga Enesi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) bëri katër Umra në muajin “Dhil Keade” (në katër vite të ndryshme), përveç asaj që bëri bashkë me haxhin e tij; umra e tij që bëri nga Hudejbija, një tjetër në vitin pas saj, pastaj nga Xhirane (vend ndërmjet Mekes dhe Taifit) kur ai ndau plaçkën e luftës së Hunejnit dhe umrën që bëri me haxhin e tij.” Muttefekun alejhi.
  2. Transmetohet nga Aisha se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) zbriti në Muhasab dhe thirri Abdurrahman ibën Ebi Bekrin e i tha: Dil bashkë me motrën tënde (Aishen) nga haremi i Mekës, me qëllim që atje të bëjë nijetin e Ihramit dhe pastaj të bëjë tavaf në Qabe, ndërsa unë po ju pres këtu. – Aisha thotë: Dolëm dhe e bëra nijetin e Ihramit, pastaj bëra tavaf rreth Qabes dhe nga Safa në Merva, pastaj shkuam te i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!), i cili ishte në shtëpinë (apo çadrën) e tij, në mes të natës. Ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: A mbarove? – Po, i thashë. – Atëherë i lajmëroi shokët për nisjen, doli dhe bëri tavaf rreth Qabes para namazit të sabahut, pastaj u nis për në Medine.” Muttefekun alejhi.
  3. Transmetohet nga Umu Seleme se ka thënë: Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të thotë: “Kush e bën nijetin për haxh apo umra dhe e vesh Ihramin në xhaminë e Kudsit, atij i falen të gjitha gjynahet që ka bërë.” E transmeton Ahmedi dhe Ebu Daudi të ngjashëm me të. [Daif – Ettealikat elhisan 3693, Eddaife 211].

E transmeton gjithashtu Ibën Maxheh, por duke përmendur vetëm umran dhe jo haxhin.

Tema

Hyrja në Mekë pa Ihram me arsye

  1. Transmetohet nga Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) hyri në Mekë, ditën e çlirimit të saj, me një imame (çallmë të lidhur në kokë) me ngjyrë të zezë, pa Ihram.” E transmeton Muslimi dhe Nesai.
  2. Transmetohet nga Maliku; nga Ibën Shihabi; nga Enesi, se: “i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) hyri në Mekë në ditën e çlirimit të saj dhe në kokën e tij kishte pazmoren. Kur ai e hoqi atë, erdhi një burrë dhe i tha: Ibën Hatali është ngjitur në mbulesën e Kabes. Ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: Vriteni atë. – Maliku thotë: Atë ditë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk ishte muhrim.” E transmeton Ahmedi dhe Buhariu.

Tema

Çfarë ka ardhur për muajt e haxhit dhe mospëlqimi i bërjes së Ihramit

për haxh para këtyre muajve

  1. Transmetohet nga Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ka thënë: “Prej sunetit është që të mos vishet ihrami për haxh veçse në muajt e haxhit.” E transmeton Buhariu.

Ndërsa në një transmetim tjetër të tij nga Ibën Umeri thuhet: Muajt e haxhit janë: Shevali, Dhul Kaade dhe dhjetë ditë nga Dhul Hixhe.”

Ndërsa Darakutni transmeton hadith të ngjashëm me të, nga Ibën Mesudi, Ibën Abasi dhe Ibën Zubejri.

  1. Transmetohet nga Ebi Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ka thënë: “Më dërgoi Ebu Bekri bashkë me ata që thërrisnin në Mina: Pas këtij viti nuk ka për të bërë haxh asnjë idhujtar, nuk ka për të bërë tavaf askush lakuriq dhe dita e haxhit të madh është dita e therjes së kurbaneve.” E transmeton Buhariu.
  2. Transmetohet nga Ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) qëndroi midis Xhemerateve në ditën e kurban Bajramit, në haxhin që ai bëri, e tha: Cila ditë është kjo? – Dita e kurbanit, thanë njerëzit. – Kjo është dita e haxhit të madh, tha ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!).” E transmeton Buhariu, Ebu Daudi dhe Ibën Maxheh.