ADHURIMI I NJE ZOTI TE VETEM

NJESIMI I ALLAHUT NE ADHURIM

 

 

Teuhidi el Uluhije, apo siç i thuhet ndryshe edhe Teuhidi i adhurimit; vështruar nga dy këndvështrime; nëse do të vështronim nga të adresuarit e tij tek Allahut, quhet Teuhidi el Uluhije –Njësimi i Allahut në Hyjninë e Tij, dhe nëse do të vështronim nga të adresuarit e tij tek krijesat, quhet Teuhidi i el Ibade –Njësimi i Allahut në adhurim.

Domethënia e këtij Teuhidi është të njësuarit dhe të veçuarit e Allahut të Madhëruar me adhurim.

Ai i Cili meriton të adhurohet është vetëm Allahu i Lartësuar. Allahu i Lartësuar thotë: “Kjo sepse Allahu është i Vërteti, ndërsa ato që lusin përveç Allahut janë të kotë e të pavërtetë.” [Lukman: 30].

Termi “adhurim” përdoret për dy gjëra:

E para: Adhurim me kuptimin e të nënshtruarit Allahut të Madhëruar duke kryer urdhërat e Tij dhe duke iu larguar ndalesave të Tij, nga dashuria dhe madhërimi për Të.

E dyta: Adhurim me kuptimin e veprës e cila konsiderohet adhurim. Këtë të dytën e ka sqaruar Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) me përkufizimin: “Adhurimi është term përmbledhës për çdo gjë të cilën Allahu e do dhe është i kënaqur për të, prej veprave të dukshme dhe të padukshme.”

Shembull për këtë është namazi; kryerja e tij është adhurim ndërsa vetë ai është të adhuruarit. Namazi është adhurim dhe ne adhurojmë Allahun me namaz.

Prej këtu, Njësimi i Allahut me këtë lloj të teuhidit realizohet duke qenë rob vetëm i Allahut dhe t’i nënshtrohesh vetëm Atij me dashuri e madhërim dhe sipas asaj që Ai ka ligjëruar.

Allahu i Lartësuar thotë: “Mos vër përkrah me Allahun të adhuruar tjetër, përndryshe do të ulesh i përçmuar, i braktisur (në Zjarr).” [El Isra: 22].

Allahu i Madhëruar thotë: “Falenderimi i takon vetëm Allahut, Zotit të botëve.” [El Fatiha: 2]. Ky cilësim i Allahut me “Zoti i botëve” është pikërisht për aprovimin e të adhuruarit vetëm Allahut; Ai është i Adhuruari sepse Ai është Zoti i botëve.

Allahu i Madhëruar thotë: “O njerëz! Adhurojeni Zotin tuaj i Cili iu ka krijuar ju dhe ata të cilët kanë qenë para jush.” [El Bekare: 21].

Pra, Ai i Cili është i Vetmi Krijues, Ai është i Vetmi që meriton të adhurohet.

Përndryshe do të ishte budallik që krijesën e krijuar dhe me fund të sigurtë ta marrësh për zot që e adhuron! Në të vërtetë ajo krijesë nuk ka për të të bërë dobi as me ngjallje, as me shtim të pasurisë dhe as me shtim të jetës, kështu që është mendjelehtësi të shkosh te varri i një njeriu i cili është tretur dhe bërë pluhur dhe t’i lutesh e ta adhurosh atë, kur në fakt është ai i cili ka nevojë për lutjen tënde, ndërsa ti nuk ke nevojë t’i lutesh atij. Ai nuk ka në dorë t’i bëjë dobi apo dëm vetes së tij, e si do ta ketë në dorë diçka të atillë për ty?!

Këtë pjesë të Teuhidit e ka mohuar shumica e krijesave dhe për shkak të tij Allahu i ka dërguar Pejgamberët dhe ka zbritur Librat e Tij. Allahut i Lartësuar thotë: “Ne nuk kemi dërguar para teje ndonjë të dërguar veçse i kemi shpallur atij se nuk ka të adhuruar tjetër (me të drejtë) përveç Meje, ndaj më adhuroni vetëm Mua!” [El Enbija: 25].

Megjithë këtë, pasuesit e të Dërguarve të Allahut kanë qenë të pakët. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “…Unë pashë atje të kishte Pejgamber me një grup të vogël njerëzish (pauses të tij), një tjetër me një apo dy burra dhe një tjetër pa njeri tjetër bashkë me të.”[1]

 

Vërejtje:

Është për t’u habitur fakti që shumica e atyre të cilët shkruajnë rreth Teuhidit, në këto kohët e fundit, e përqendrojnë vështrimin e tyre në Teuhidin er Rububije, sikur të polemizojnë me njerëz të cilët e mohojnë ekzistencën e Zotit –edhe pse ekzistojnë njerëz të atillë-, por fakti është se shumica e muslimanëve sot kanë rrëshqitur në shirkun (shokvënien Allahut) në adhurim!!

Për këtë shkak kërkohet që përqendrimi të jetë në këtë pjesë të Teuhidit, me qëllim që t’i nxjerrim për tek ai ata muslimanë të cilët thonë se janë muslimanë, por të cilët në fak janë idhujtarë dhe nuk e dinë këtë.

 

Shkëputur nga libri “El Kaulu el Mufid ala Kitabi et Teuhid”, i Ibën Uthejminit (Allahu e mëshiroftë!)


[1] Shkëputur nga hadithi i Ibën Abasit të cilin e transmeton Buhariu (10/155) dhe Muslimi (1/199).