ALLAHU ËSHTË KRIJUESI, ZOTËRUESI, MBAJTËSI I GJITHÇKAJE QË EKZISTON

Nga libri “El Kaulu el Mufid ala Kitabi et Teuhid”

Autor: Muhamed ibën Salih el Uthejmin –Allahu e mëshiroftë!

Perktheu: Bledar Albani

 

Teuhidi er Rububije është të njësuarit e Allahut të Madhëruar në të qenët Krijues, Zotërues dhe Rregullues e Sistemues i gjithçkaje që ekziston.

  • Të njësuarit e Allahut në të qenët i Vetmi Krijues realizohet duke besuar se nuk ka krijues tjetër përveç Allahut.

Allahu i Lartësuar thotë: “Padyshim që i Tij është krijimi dhe komandimi.” [1]

Nga kjo fjali kuptohet veçimi dhe kufizimi i gjërave të përmendura vetëm për Allahun, pasi në të është paraprirë kallëzuesi para kryefjalës, gjë e cila në gjuhën arabe të jep të kuptosh që ky kallëzues është i posaçëm dhe i veçantë për atë kryefjalë.

Allahu i Lartësuar thotë: “A ka krijues tjetër përveç Allahut që iu furnizon nga qielli dhe toka?!”[2]

Nga ky ajet përfitohet gjithashtu se krijimi i përket vetëm Allahut dhe ai është i posaçëm vetëm për Të, pasi që pyetja që drejtohet në të është pyetje sfiduese.

Ndërsa përsa i përket pohimit të ndonjë krijuesi tjetër përveç Allahut, si në Fjalën e Allahut: “I Lartësuar me Madhështi qoftë Allahu, më i Miri i krijuesve!”[3]

Apo si në fjalën e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) rreth piktorët, të cilëve do t’u thuhet: “Jepuni jetë atyre që keni krijuar.”[4]

Këto në fakt nuk janë krijim në të vërtetë dhe as futje në ekzistencë pas mosekzistencës së tyre, por ato janë shndërrim i diçkaje nga një gjendje në një gjendje tjetër [Asgjë nuk krijohet nga asgjëja në këtë botë (nga njerëzit) dhe asgjë nuk zhduket (pasi është krijuar), por ajo kthehet nga një gjendje në një gjendje tjetër; Allahu është Krijuesi i gjithçkaje dhe tek Allahu është kthimi i çdo gjëje. Sh.P].

Vepra e njerëzve gjithashtu nuk është gjithpërfshirëse, por ajo kufizohet me mundësinë e njeriut dhe në një rreth shumë të ngushtë, kështu që kjo nuk e kundërshton fjalën tonë: Të njësuarit e Allahut në të qenurit Krijues.

 

  • Të njësuarit e Allahut në të qenët i Vetmi Zotërues

Kjo realizohet duke besuar dhe pasur bindjen se krijesat nuk i sundon veçse Krijuesi i tyre, siç thotë Allahu i Madhëruar: “I Allahut është sundimi i qiejve dhe tokës.”[5]

Dhe thotë: “Thuaj: Në dorë të kujt është mbisundimi i gjithçkaje?!”[6]

Ndërsa përsa i përket pohimit të sundimit dhe zotërimit të dikujt tjetër përveç Allahut, si në Fjalën e Allahut: “Përveç me bashkëshortet ose me ato të cilat janë nën zotërimin e tyre (robëreshat), në këtë rast ata nuk ngarkohen me faj.”[7]

Dhe në Fjalën e Allahut: “Ose në shtëpinë të cilës ju i zotëroni çelësat.”[8]

Ky në fakt është zotërim i kufizuar dhe nuk përfshin veçse diçka të pakët prej të gjitha këtyre krijesave. Njeriu zotëron atë që ka në dorën e tij dhe nuk e zotëron atë që gjendet në dorën e tjetrit.

Po ashtu, zotërimi i tij është i mangët për nga përshkrimi; njeriu nuk e zotëron plotësisht atë që zotëron, për këtë shkak ai nuk vepron në të veçse konform ligjeve të vendosura në Sheriat.

P.sh: Sikur ai të dëshironte të digjte pasurinë e tij, apo të rrihte kafshën e tij, ne do të thoshim: Kjo nuk lejohet. Ndërsa Allahu i Madhëruar e zotëron gjithçka me zotërim e sundim të plotë e gjithpërfshirës.

 

  • Të njësuarit e Allahut në të qenurit i Vetmi Rregullues e Mbajtës i gjithçkaje

Kjo realizohet duke besuar se nuk ka rregullues e sistemues tjetër përveç Allahut të Vetëm. Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: Kush iu furnizon nga qielli dhe toka dhe kush është Zotëruesi i të dëgjuarit dhe të shikuarit? Kush e nxjerr të gjallën nga e vdekura dhe të vdekurën nga e gjalla dhe kush është rregulluesi dhe sunduesi i të gjitha çështjeve? Do të thonë të gjithë: ‘Allahu’. Ndërsa ti thuaju: A nuk keni frikë atëherë nga ndëshkimi i Allahut?! Ky është Allahu, Zoti juaj i Vërtetë dhe pas të vërttetës ç’gjë tjetër mund të ketë përveç errësirës dhe humbjes? Si atëherë ndërroni rrugë?!”[9]

Ndërsa rregullimi i njeriut është i kufizuar në atë që posedon dhe sipas ligjeve të Sheriatit.

  • Këtë lloj të Teuhidit nuk e kanë kundërshtuar as idhujtarët në mesin e të cilëve u dërgua Muhamedi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), por ata e pohonin atë. Allahu i Madhëruar thotë: “Sikur t’i pyesje ata se kush i krijoi qiejtë dhe tokën, ata do të thonë: Ato i ka krijuar i Gjithëfuqishmi, i Gjithëdituri.”[10]

Këta e pohojnë se Allahu është Ai i Cili i rregullon e sistemon gjërat dhe se i Tij është zotërimi i qiejve dhe tokës.

Këtë nuk dihet ta ketë mohuar askush prej bijve të Ademit; askush nuk ka thënë: Gjithësia ka dy krijues të barabartë!

Pra askush nuk e ka mohuar Teuhidin er Rububije, as me refuzim të tij dhe as me shokvënie Allahut në të. Me përjshtim të asaj që ka ndodhur me Faraonin i cili e mohoi atë me refuzim nga kryeneçësia. Ai e zhveshi Allahun nga të qenurit Zot dhe Krijues i gjithçkaje, madje e mohoi ekzistencën e Tij. Allahu i Lartësuar tregon për të: “Ai tha: ‘Unë jam zoti juaj më i lartë!”[11], “Unë nuk di që ju të keni zot tjetër përveç meje!”[12]

Kjo ishte një kryeneçësi dhe arrogancë e tij, pasi ai e dinte shumë mirë se Zoti ishte dikush tjetër dhe jo ai, siç thotë Allahu i Lartësuar: “Dhe ata i përgënjeshtruan ato (Ajetet Tona) padrejtësisht dhe me kryeneçësi.”[13]

Dhe thotë Allahu duke treguar për Musën –alejhis selam- kur ai polemizonte me Faraonin: “Në të vërtetë ti tashmë e more vesh se këto shenja nuk i ka zbritur veçse Zoti i qiejve dhe tokës.”[14]

Ai në fakt, në vetvete e pohonte se Zoti ishte Allahu i Madhëruar.

  • Ndërsa me shokvënie Allahut, këtë lloj të Teuhidit e kanë mohuar mexhuset (adhuruesit e zjarrit), të cilët thanë: Gjithësia ka dy krijues; krijuesi i dritës dhe krijuesi i errësirës. Por megjithatë, këta nuk i kanë konsideruar të barabartë këta dy krijues.

Ata thonë: Drita është më e mirë se errësira, pasi që ajo krijon të mirën, ndërsa errësira krijon të keqen, e ai që krijon të mirën është më i mirë se ai që krijon të keqen.

Gjithashtu, sipas tyre errësira është asgjë dhe nuk ndriçon, ndërsa drita është ekzistencë që ndriçon, kështu që ajo është më e plotë në vetvete.

Ata gjithashtu përmendin një dallues të tretë; drita është e vjetër (ka qenë gjithmonë, pa fillim), sipas terminologjisë së filozofëve, por kanë rënë në kundërshtim për errësirën; a është e vjetër apo aksidentale?!

 

  • Argumentimi logjik për të qenët e Krijuesit të gjithësisë vetëm Një

Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu nuk ka marrë ndonjë fëmijë dhe as nuk ka ndonjë zot tjetër bashkë me Të. Përndryshe, secili prej zotave do të veçohej me atë që kishte krijuar dhe do të luftonin njëri-tjetrin.”[15]

Sikur të pohonim se bota ka dy krijues, atëherë secili prej zotave do të veçohej me atë që kishte krijuar dhe do të bëhej i pavarur, ashtu siç e kanë zakon mbretërit, pasi që ai nuk dëshiron ta shoqërojë kush në sundim.

Dhe nëse do të bëhej i pavarur, ai do të kërkonte edhe diçka tjetër; që i gjithë pushteti e sundimi të jetë vetëm i tij dhe të mos e shoqërojë askush në të.

E në këtë rast, kur secili prej tyre të kërkonte pushtetin e plotë, atëherë ose të dorëzohen që të dy nga pamundësia për të arritur këtë gjë, ose të triumfojë njëri prej tyre mbi tjetrin. E nëse do të ndodhte kjo e dyta, atëherë të qenurit zot do të aprovohej për këtë. Në të kundërt, nëse do të ishte e para, asnjëri prej tyre nuk është zot, pasi që ai që është i pamundur dhe i pafuqishëm, ai nuk mund të jetë zot.

 


[1] Suretu el Araf: 54.

[2] Suretu Fatir: 3.

[3] Suretu el Muminun: 14.

[4] Pjesë nga hadithi i Ibën Umerit (Allahu qoftë i kënaqur me të!) të cilin e ka nxjerë Buhariu (10/283) dhe Muslimi (3/1670).

[5] Suretu Al Imran: 189.

[6] Suretu Muminun: 88.

[7] Suretu Muminun: 6.

[8] Suretu: En Nur: 61.

[9] Suretu Junus: 31-32.

[10] Suretu Ez Zuhruf: 9.

[11] Suretu En Naziat: 24.

[12] Suretu El Kasas: 38.

[13] Suretu En Neml: 14.

[14] Suretu: El Isra: 102.

[15] Suretu El Muminun: 91.