Njësimi i Allahut me Emrat dhe Atributet e Tij

 

Kjo pjesë e Teuhidit është të njësuarit e Allahut me ato emra dhe atribute që Ai ka, dhe kjo përmban dy gjëra:

E para: Pohimi; që të pohojmë të gjithë emrat dhe atributet e Allahut të Lartësuar të cilat Ai i ka pohuar për Veten e Tij në Librin e Tij apo në Sunetin e të Dërguarit të Tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

E dyta: Mohimi i ngjasimit; që të mos i mveshim Allahut të ngjashëm me Të në emrat dhe atributet e Tij; siç thotë Allahu i Lartësuar: “Asgjë nuk i përngjet Atij dhe Ai është Gjithëdëgjuesi, Gjithëshikuesi.” [Esh Shura: 11].

Ky ajet argumenton se Allahut nuk i përngjet asnjë prej krijesave në atributet e Tij. Edhe nëse ato përputhen në domethënie, por në realitet dhe në esencë ato ndryshojnë.

Kështu, kushdo që mohon atë që Allahu ka pohuar për Veten e Tij, ai është gjymtues dhe ky gjymtim i tij i përngjan gjymtimit të Faraonit.

Ndërsa ai i cili i pohon ato dhe i ngjason me të krijesave, ai është bërë i ngjashëm me idhujtarët të cilët adhurojnë bashkë me Allahun edhe të tjerë prej krijesave të Tij.

Dhe vetëm ai i cili i pohon ato emra dhe atribute pa i ngjasuar me ato të krijesave, vetëm ai është prej njësuesve të Allahut.

Në këtë pjesë të Teuhidit ka humbur një pjesë e popullit musliman dhe janë ndarë në grupe të shumta; dikush ka ndjekur rrugën e gjymtimit të tyre dhe i mohon ato atribute të Allahut duke thënë se ai kështu e pastron Allahun nga të metat, por në fakt ai ka humbur rrugë, pasi që në të vërtetë i pastruar është Ai nga i cili mohohen atributet e mangëta e të meta dhe Fjalët e të Cilit pastrohen nga të qenurit verbuese dhe çorientuese.

Nëse dikush thotë: Allahu nuk ka shqisë të dëgjuari, as të shikuari, as dije dhe as Fuqi absolute; ai nuk e ka pastruar e lartësuar Allahun, por e ka mveshur atë me të metat më të mëdha dhe Fjalën e Tij me të qenurit verbuese dhe çorientuese, pasi që Allahu e përsërit shpesh dhe e pohon këtë në Fjalën e Tij ku thotë: “Gjithëdëgjues, Gjithëshikues”, “I Gjithëfuqishëm, më i Drejti në gjykim”, “Falësi i Madh, Mëshirëploti”; sikur Allahu t’i pohonte këto në Fjalët e Tij dhe të ishte i zhveshur nga ato, kjo do të ishte kulmi i verbimit, çorientimit dhe shpifje për Fjalën e Allahut të Madhëruar.

Disa të tjerë kanë ndjekur rrugën e ngjasimit duke pretenduar se atributet e Allahut janë si ato të krijesave, por këta kanë humbur rrugë sepse ata nuk e kanë vlerësuar Allahun ashtu si i takon Atij. Kjo sepse këta i kanë mveshur Allahut mangësi dhe të meta, pasi që këta e kanë konsideruar të Plotin dhe Absolutin në çdo aspect me të mangëtin në çdo aspect.

Përderisa krahasimi i më të plotit me atë më të mangëtin ul nga vlera e të parit, siç thuhet:

A nuk e di ti se shpatës i ulet vlera

Nëse thuhet se shpata është më mprehtë se shkopi

Atëherë si është puna me ngjasimin e Absolutit me të mangëtin?!

Ky është krimi më i madh që mund të bëhet kundrejt Allahut të Madhëruar, megjithëse krimi i gjymtuesëve është edhe më i madh, por që të gjithë ata nuk e kanë vlerësuar Allahun ashtu si i takon Atij.

Kështu që është obligim të besojmë në atë me të cilën Allahu ka Cilësuar dhe ka quajtur Veten e Tij në Librin e Tij dhe në gjuhën e të Dërguarit të Tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), pa shtrembërim, pa gjymtim, pa formësim dhe pa ngjasim.

Kështu ka thënë edhe dijetari i madh Ibën Tejmije dhe të tjerë prej dijetarëve të mëdhenj.

Kështu, shtrembërimi bëhet në tekste, gjymtimi në bindje dhe akide, formësimi në cilësi dhe ngjasimi gjithashtu në cilësi e atribute, por ky i dyti është më i veçantë se formësimi; pasi çdokush që bën ngjasim të Allahut me Krijesat, ai ka bërë edhe formësim, dhe jo e anasjellta.

Kështu që duhet ta pastrojmë akiden dhe bindjen tonë nga këto katër gjëra.

Kemi për qëllim me “shtrembërimin” këtu: interpretimin që kanë ndjekur shtrembëruesit e teksteve të atributeve të Allahut, pasi ata e kanë quajtur veten e tyre “interpretuesit”, me qëllim që të zbusin në sy të njerëzve rrugën që kanë ndjekur; për shkak se natyra njerëzore nuk e pranon fjalën shtrembërim (në tekstet Hyjnore), por kjo nuk është veçse zbukurim i fjalës para njerëzve me qëllim që ata të mos largohen nga ajo.

Por në të vërtetë, interpretimi i tyre është shtrembërim; devijim i shprehjes nga domethënia e saj e drejtpërdrejtë. Ne themi: Nëse argumenton ndonjë provë për këtë devijim, atëherë ai është i saktë dhe nuk është interpretim në atë kuptim që thoni ju, por komentim (tefsir).

E nëse nuk argumenton asnjë provë për të, atëherë ai është shtrembërim dhe ndryshim i fjalës nga vendi i saj.

Këta njerëz të atillë të cilët kanë ndjekur këtë rrugë, këta kanë humbur. Ata i pohojnë atributet e Allahut por të shtrembëruara. Këta kanë humbur dhe janë vendosur në një rrugë të kundërt nga ajo e Pasuesëve të Sunetit dhe Xhematit.

Kështu që këta nuk mund të cilësohen prej Pasuesve të Sunetit dhe Xhematit, pasi që mveshja me diçka përmban adresimin tek ajo; pasuesit e Sunetit i adresohen Sunetit pasi që ata janë të kapur për të, ndërsa këta nuk janë të kapur për Sunetin në shtrembërimet e tyre.

Po kështu edhe Xhemati, në origjinë vjen prej të bashkuarit dhe të grumbulluarit, ndërsa ata nuk janë të bashkuar në mendimet e tyre, pasi që në librat e tyre gjen ngatërrim, kundërshtim dhe kundërthënie, saqë ata akuzojnë edhe njëri-tjetrin për humbje e devijim, si dhe bienë në kundërthënie me vetveten e tyre.

Sqaruesi i librit “El Akidetu et Tahavije” ka përcjellë nga El Gazali, i cili arriti majat në shkencën e skolastikës (Ilmul Kelam), ka përcjellë fjalë të cilat nëse dikush i lexon, i bëhet e qartë se ata njerëz janë në rrugë të gabuar, të rrezikshme dhe kanë rrëshqitur, dhe se ata nuk janë të qartë në vetveten e tyre.

Ata janë të hutuar dhe në mëdyshje, nuk janë të bindur në çështjen e tyre, ndërsa atë të cilin e ka udhëzuar Allahu në Rrugën e Drejtë e gjen të sigurtë dhe të qetë. Ai lexon në Librin e Allahut dhe në Sunetin e të Dërguarit të Tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ato që Allahu i ka pohuar për Veten e Tij prej Emrave dhe Atributeve të Tij, dhe ky i pohon ato.

Si do të ishte ndryshe kur askush nuk di për Allahun ashtu siç di Allahu për Veten e Tij, askush nuk thotë ndonjë njoftim më të vërtetë se Allahu dhe askush nuk është më i saktë në sqarim se sa Allahu; ashtu siç thotë Allahu i Lartësuar: “Allahu dëshiron që t’ua sqarojë juve.” [En Nisa: 26]. “Allahu u sqaron ju me qëllim që të të mos humbni rrugë.” [En Nisa: 176]. “Ne ta kemi zbritur ty Librin, sqarues për gjithçka.” [En Nahl: 89]. “Dhe kush mund thotë fjalë më të vërtetë se Allahu.” [En Nisa: 122].

Këto ajete e të tjera si këto argumentojnë se Allahu ia ka sqaruar krijesave të Tij me sqarim mëse të plotë rrugën që të shpie tek Ai dhe gjëja më e madhe për të cilën kanë nevojë krijesat që t’u sqarohet është njohuria për Allahun e Lartësuar me Emrat dhe Atributet e Tij, me qëllim që ta adhurojnë Allahun me dije dhe vendosshmëri. Përndryshe, adhurimi i dikujt të cilit nuk ia njohim atributet, apo i cili nuk ka atribute, është diçka që nuk mund të realizohet kurrë.

Kështu që është e domosdoshme që të njohësh atributet e të Adhuruarit tënd me qëllim që të drejtohesh tek Ai dhe ta adhurosh Atë ashtu si duhet dhe si e meriton Ai.

Njeriu nuk duhet t’i kalojë kufijtë e tij dhe të shkojë në formësim apo ngjasim, pasi që nëse ai është i paaftë për të përfytyruar shpirtin e tij që ka me vete, atëherë është edhe më i paaftë për të përshkruar realitetin e atyre atributeve me të cilat Allahu i Lartësuar ka cilësuar Veten e Tij.

Ndaj është detyrë e njeriut që ai ta ndalojë veten e tij nga të pyeturit “Përse?” e “Si?”, në lidhje me Emrat e Allahut të Madhëruar dhe Atributet e Tij.

ARTIKULL I NGJASHEM

NJESIMI ALLAHUT NE ADHURIM

Njeriu gjithashtu duhet ta ndalojë veten e tij nga të menduarit për formën e atyre atributeve.

Nëse njeriu e ndjek këtë rrugë, ai ka për të qenë i qetë dhe pikërisht kjo është edhe rruga që kanë ndjekur selefët (të parët tanë) –Allahu i mëshiroftë!-

Për këtë shkak, kur një burrë erdhi tek imam Maliku –Allahu e mëshiroftë!- dhe i tha: “O Ebu Abdullah! “I Gjithëmëshirshmi mbi Arsh qëndroi.”; Si qëndroi? –Ai tundi kokën pastaj tha: “Qëndrimi mbi diçka nuk është i panjohur, ndërsa forma e tij (në lidhje me Allahun) nuk është e kapur nga mendja njerëzore. Besimi në të është vaxhib (obligim), ndërsa pyetja për të është bidat (risi). Dhe unë nuk të shoh ty veçse një bidatçi.”

Ndërsa në këtë kohën tonë gjejmë njerëz të thonë: Allahu zbret në qiellin e kësaj bote në një të tretën e çdo nate, por nga kjo rrjedh që Ai të qëndrojë në qiellin e kësaj bote gjatë gjithë natës, pasi që nata lëviz nëpër të gjithë tokën dhe një e treat e saj lëviz nga njëri vend në tjetrin!

Kjo sigurisht që është diçka të cilën nuk e kanë thënë shokët e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), dhe nëse kjo do të ishte diçka që shkon në zemrën e besimtarit, Allahu do t’a kishte sqaruar atë që në fillim, apo në gjuhën e të Dërguarit të Tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), apo të nxirte dikë që të pyeste për të dhe pastaj të zbriste përgjigjen, ashtu siç kanë pyetur sahabet të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): Ku ka qenë Allahu para se të krijonte qiejtë dhe tokën? Dhe ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) iu përgjigj atyre.[1]

Kjo pyetje e madhe argumenton se çdo gjë që i nevojitet njerëzve, Allahu ua sqaron atyre me anë të njërës prej tre mënyrave të mësipërme.

Ndërsa në përgjigje të problemit të shfaqur në hadithin e Zbritjes së Allahut, thuhet: Përderisa një e treta e natës në këtë zonë vazhdon të qëndrojë, atëherë zbritja e Allahut në të është realizuar. Ndërsa në zonat e tjera në të cilat nuk ka hyrë një e treta e natës, nuk është realizuar zbritja; dhe Allahut nuk i përngjet asgjë, ndërsa hadithi argumenton se koha e zbritjes mbaron me hyrjen e agimit.

Detyra jonë është të dorëzohemi dhe të themi: Dëgjuam, u bindëm, pasuam dhe besuam.

Kjo është detyra jonë: të mos dalim nga Kurani dhe Hadithi.

Shkëputur nga libri “El Kaulu el Mufid ala Kitabi et Teuhid”, Ibën Uthejmin (Allahu e mëshiroftë!)


[1] Shkëputur nga hadithi i Imran ibën Husajn (Allahu qoftë i kënaqur me të!). Në të gjithashtu thuhet: “Erdhëm të të pyesim për këtë gjë, dhe ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: Ka qenë Allahu dhe nuk ka pas ekzistuar asgjë tjetër përveç Tij, ndërsa Arshi i Tij ka qenë mbi ujë.”

E transmeton Buhariu (1/418).

Ndërsa në hadithin e transmetuar nga Ebu Razin thuhet: “Thashë: O i Dërguari i Allahut! Ku ishte Zoti ynë para se të krijonte krijesat e Tij? -Ai ishte në re të dendura, poshtë tyre kishte boshllëk dhe sipër tyre boshllëk, pastaj krijoi Arshin e Tij mbi ujë.” [E transmeton Tirmidhiu (3108), Ibën Maxheh (13) dhe Ahmedi (4/11,12)].