Lutjet që bëhen pas dhenies selam ne namazet farz

 

Shkëputur nga libri “Fikhu Suneh”

Autor: Sejjid Sabik
Përkthyer nga një grup përkthyesish
Nxjerrja e Haditheve: Bledar Albani

 

Është sunet që personi që falet të përdorë një sërë fjalësh për përmendjen e Allahut dhe të bëjë lutje të cilat janë transmetuar nga Profeti (a.s.). Ndër transmetimet e shumta dallohen të mëposhtmet:

1. Theubani ka transmetuar: “Kur Profeti (a.s.) e mbaronte namazin, ai i kërkonte falje Allahut tre herë dhe pastaj thoshte: “O Allah! Ti je Paqedhënësi dhe prej Teje është paqja. Ti je plot të mira, O i Madhëruar e i Nderuar!”.[1]Transmeton “Grupi”, përveç Buhariut. Muslimi e transmeton këtë hadith me fjalët e shtuara: “Ualidi tregon se e ka pyetur Auzain: “Si kërkonte (Profeti a.s.) falje nga Allahu?” Ai tha: “Duke thënë: “Kërkoj falje nga Allahu, kërkoj falje nga Allahu, kërkoj falje nga Allahu”.

2. Një ditë, Profeti (a.s.) e kapi për dore Muadh ibën Xhebelin dhe i tha: “O Muadh, të dua shumë”. Muadhi iu përgjigj: “Edhe unë të dua ty, o i Dërguar i Allahut.” Pastaj Profeti (a.s.) i tha: “Të këshilloj që në fund të namazit të thuash: O Allah, më ndihmo të të përmend e të të falënderoj dhe më dhe më mundëso të të adhuroj sa më mirë!”[2]

Transmeton Ahmedi, Ebu Daudi, Nesaiu, Ibën Huzejme, Ibën Hibani dhe Hakimi, i cili ka thënë se ky hadith është sahih, në përputhje me kriteret e vendosura nga Buhariu dhe Muslimi.

Ebu Hurejra (r.a.) ka transmetuar se i Dërguari i Allahut ka thënë: “A përpiqeni maksimalisht për të bërë lutje?” Atëherë thoni: “O Allah! Më ndihmo të të përmend e të të falënderoj dhe më mundëso të të adhuroj sa më mirë!”.[3]Transmeton Ahmedi me sened të mirë.

3. Abdullah ibën Zubejri ka transmetuar: “Pas teslimit, Profeti (a.s.) thoshte: “Nuk ka zot tjetër përveç Allahut, Një dhe i Pashoq. Atij i takon sundimi dhe lavdërimi dhe Ai është i Plotëfuqishëm mbi çdo send. S’ka ndryshim e as fuqi pa ndihmën e Allahut. Nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe nuk adhurojmë askënd tjetër përveç Tij. Dhuntitë dhe mirësitë janë prej Tij dhe vetëm Atij i takon lavdërimi më i mirë. Nuk ka zot tjetër përveç Allahut. Ne i besojmë me sinqeritet Atij dhe i nështrohemi, edhe pse këtë e urrejnë jobesimtarët”.[4]Transmeton Ahmedi, Muslimi, Ebu Daudi dhe Nesaiu.

4. El Mugire ibën Shuabe ka transmetuar se, në fund të çdo namazi farz, Profeti (a.s.) thoshte: “Nuk ka zot tjetër përveç Allahut, të Vetmit! Ai nuk ka shok! Atij i takon sundimi dhe lavdërimi dhe ai është i Plotfuqishëm mbi çdo send. O Zoti im, nuk ka kush e pengon atë që Ti e ke dhënë dhe nuk ka kush e jep atë që Ti e ke ndaluar. Tek Ti nuk ka vlerë dobia e askujt, sepse çdo dobi vjen prej Teje”.[5]Transmeton Ahmedi, Buhariu dhe Muslimi.

Ukbe ibën Amir thotë: “Më ka urdhëruar Pejgamberi (a.s.) që pas çdo namazi t’i lexoj dy suret e fundit (Kul eudhu birabil-felek, kul eudhu birabin-nas).” Sipas një transmetimi të Ahmedit dhe Ebu Daudit nënkuptohet se së bashku me to duhet të lexohet edhe surja “Kul hu-Allahu ehad”.[6] Transmeton Ahmedi, Buhariu dhe Muslimi.

5. Ebu Umame ka transmetuar se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kush e lexon ajetin kursij[7] në fund të çdo namazi, nuk do ta ndalojë asgjë për të hyrë në xhenet, përveç vdekjes”.[8]Transmeton Nesaiu dhe Tabaraniu.

Aliu (r.a.) ka transmetuar se Profeti (a.s.) ka thënë: “Ai që e këndon ajetin Kursij në fund të çdo namazi farz do të jetë nën mbrojtjen e Allahut deri në namazin tjetër”.[9]Transmeton Tabaraniu me zinxhir hasen.

6. Ebu Hurejra (r.a.) ka transmetuar se Profeti (a.s.) ka thënë: “Ai që e lartëson Allahun pas çdo namazi tridhjetë e tre herë, e falënderon Allahun tridhjetë e tre herë dhe e përmend Madhështinë e Tij tridhjetë e tre herë dhe pastaj thotë: “Nuk ka zot tjetër përveç Allahut, të Vetmit, Ai nuk ka shok, Atij i takon sundimi dhe falënderimi dhe Ai është i plotfuqishëm për çdo gjë, është i falur madje, edhe nëse mëkatet [10] e tij janë sa shkuma e detit”.[11]Transmeton Ahmedi, Buhariu, Muslimi dhe Ebu Daudi.

7. Keab ibën Uxhre ka transmetuar se Profeti (a.s.) ka thënë: “Janë disa gjëra që nëse muslimani do t’i thoshte ato në fund të çdo namazi farz, nuk do të zhgënjehej. Ato janë lartësimi i Allahut (33 herë), falënderimi i Allahut (33 herë) dhe përmendja e madhështisë së Allahut (34 herë)”.[12]Transmeton Muslimi.

8. Sumeje ka transmetuar nga Ebu Salih e ky nga Ebu Hurejra se, njëherë, muhaxhirët e varfër shkuan tek Profeti (a.s.) dhe i thanë: “Të pasurit kanë fituar pozitat e larta dhe kanë marrë dhurata të përhershme”. Profeti (a.s.) u tha: “Pse ka ndodhur kjo?” Ata i thanë: “Ata falen sikurse falemi edhe ne dhe agjërojnë sikurse agjërojmë edhe ne. Por ata japin lëmoshë, ndërsa ne nuk e bëjmë këtë gjë. Ata i lirojnë skllevërit ndërsa ne jo”. I Dërguari i Allahut u tha: “A t’ju tregoj diçka me anë të së cilës ju do t’ua kaloni atyre dhe të tjerëve që vijnë pas jush dhe askush nuk do të jetë më mirë sesa ju, vetëm nëse vepron ashtu si ju?” Ata i thanë: “Patjetër, o i Dërguar i Allahut”. Ai u tregoi: “Lartësojeni Allahun tridhjetë e tre herë, falënderojeni Atë tridhjetë e tre herë dhe përmendni Madhështinë e Tij tridhjetë e katër herë”.

Më pas muhaxhirët e varfër u kthyen te Pejgamberi (a.s.) dhe i thanë: “Vëllezërtit tanë të pasur dëgjuan për atë që bëmë ne dhe bënë të njëjtën gjë. Pejgamberi (a.s.) u tha: “Kjo është mirësi e Allahut dhe ia jep kujt të dojë”.

Pastaj, unë u ktheva tek Ebu Salih dhe i tregova atij se çfarë kishin thënë ata. Ai më mori dorën dhe tha: “Allahu Ekber, Subhanallah, Elhamdulilah, Allahu Ekber, Subhanallah, Elhamdulilah…” derisa i tha ato nga tridhjetë e tre herë.[13] Muttefekun alejhi.

9. Transmetohet se Profeti (a.s.) i thoshte nga njëzet e pesë herë këto fjalë: “Subhane Allah, Elhamdulilah, Allahu Ekber dhe La ilahe il-Allah, uahdehu la sherike leh, lehul mulk ue lehul hamd ue hue ala kuli shejin kadiir (Nuk ka zot tjetër përveç Allahut, të Vetmit e të Pashoqit. Atij i takon sundimi dhe falënderimi dhe Ai është i Plotfuqishëm mbi çdo gjë).[14]

10. Abdullah ibën Amë r ka transmetuar se Profeti (a.s.) ka thënë: “Ekzistojnë dy gjëra të cilat, nëse dikush i zbaton, ato do t’i mundësojnë atij që të hyjë në xhenet. Ato janë veprime shumë të lehta por shumë pak njerëz i kryejnë”. Njerëzit i thanë: “Cilat janë ato, o i Dërguar i Allahut?” Ai u përgjigj: “Lartësimi i Allahut, falënderimi i Tij dhe përmendja e Madhështisë së Allahut në fund të çdo namazi farz (nga dhjetë herë secilën). Kur ndonjëri prej jush shkon për të fjetur, ai duhet ta lartësojë Allahun, ta falënderojë Atë dhe të përmendë madhështinë e Tij (100 herë secilën). Në total, numri i tyre shkon në 250 veprime të gjuhës, të cilat janë të barabarta me 2500 të tilla (e kanë vlerën e 2500 veprave në peshore, në Ditën e Gjykimit)[15]. A i bën ndonjëri prej jush 2500 mëkate gjatë një dite dhe një nate?” Ata e pyetën: “Si ka mundësi që këto veprime kryhen nga kaq pak njerëz?” Ai tha: “Shejtani vjen tek njeriu gjatë namazit të tij dhe i kujton këtë e atë nevojë dhe si rrjedhojë ai harron t’i kryejë veprimet e mësipërme. Shejtani i vjen atij tek shtrati dhe e vë atë në gjumë në mënyrë që ai të mos mund t’i thotë frazat përkatëse”. Abdullahu tregon se ka parë të Dërguarin e Allahut duke i numëruar frazat e dhikrit me gishtërintë e tij.[16]Transmetojnë Ebu Daudi dhe Tirmidhiu, i cili e ka klasfikuar këtë hadith si hasen sahih.

11. Është transmetuar nga Aliu (r.a.) se ai dhe Fatima ishin duke kërkuar një shërbyes në mënyrë që të lehtësoheshin pak nga punët. Profeti (a.s.) nuk pranoi dhe u tha: “A t’u tregoj diçka më të mirë se ajo që kërkuat?” Ata i thanë: “Patjetër!” Profeti (a.s.) tha: “Ato janë fjalët që m’i ka mësuar Xhibrili: Lartësojeni Allahun në fund të çdo namazi farz dhjetë herë, falënderojeni Atë dhjetë herë dhe përmendni madhështinë e Allahut dhjetë herë. Kur të shkoni për të fjetur lartësojeni Allahun tridhjetë e tre herë, falënderojeni Atë tridhjetë e tre herë dhe përmendni madhështinë e Tij tridhjetë e katër herë”. Aliu ka thënë: “Pasha Allahun, asnjëherë nuk kam vepruar ndryshe që kur më ka mësuar Profeti (a.s.) për të vepruar”.[17]

12. Abdurahman ibën Ganim ka transmetuar se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Ai që thotë: “Nuk ka zot tjetër përveç Allahut, të Vetmit. Ai nuk ka shok. Atij i takon sundimi dhe falënderimi. Në dorën e Tij janë të gjitha të mirat. Ai jep jetë dhe vdekje dhe ai është i Plotfuqishëm mbi çdo gjë”dhjetë herë pas namazit të sabahut dhe atij të akshamit, do të shkruhen për të për çdo përsëritje dhjetë vepra të mira dhe do të fshihen për të dhjetë vepra të këqija. Ai do të ngjitet dhjetë shkallë më lart, do të jetë i mbrojtur nga çdo e keqe dhe do të jetë i mbrojtur nga shejtani i mallkuar. Asnjë mëkat nuk do ta shkatërrojë atë, përveç idhujtarisë dhe ai do të jetë njeriu me veprat më të mira, të cilit ia kalon vetëm ai që thotë më shumë herë se sa ajo që ka thënë ai”.[18]Transmetojnë Ahmedi dhe Tirmidhiu, por pa fjalinë: “Në dorën e Tij janë të gjitha të mirat”.

13. Muslim ibën El Harithi ka transmetuar se babai i tij ka thënë: “I Dërguari i Allahut më ka thënë: “Kur të falësh namazin e sabahut, përpara se të flasësh me ndokënd, thuaj: “O Allah, kërkoj mbrojtjen Tënde nga xhehenemi (shtatë herë). Nëse vdes atë ditë, Allahu do ta regjistrojë për ty mbrojtjen nga xhehenemi. Kur të falësh namazin e akshamit, përpara se të flasësh me ndokënd, thuaj: “O Allah, të kërkoj xhenetin. O Allah, kërkoj mbrojtjen Tënde nga xhehenemi (shtatë herë). Nëse vdes gjatë asaj nate, Allahu do ta regjistrojë për ty mbrojtjen nga xhehenemi”.[19]Transmetojnë Ahmedi dhe Ebu Daudi.

14. Buhariu dhe Tirmidhiu kanë transmetuar se Sead ibën Ebu Uekasi u mësonte këto fjalë fëmijëve të tij: “I Dërguari i Allahut i kërkonte mbrojtje Allahut në fund të çdo namazi farz duke thënë: “O Allah! Kërkoj mbrojtjen Tënde nga kopracia. Kërkoj mbrojtjen Tënde nga ligështia dhe nga pleqëria. Kërkoj mbrojtjen Tënde nga sprovat e jetës dhe të vdekjes si dhe nga dënimi i varrit”.[20]

15. Ebu Hatimi ka transmetuar se Profeti (a.s.) kur mbaronte namazin thoshte: “O Allah, bëje fenë time të mirë që t’i rrethojë të gjitha punët e mia! O Allah, bëje të mirë këtë botë në të cilën jetoj. O Allah, kërkoj mbrojtjen Tënde nga zemërimi Yt. Kërkoj mbrojtjen Tënde prej Teje. Askush nuk mund ta ndalojë atë që Ti e ke dhënë dhe askush nuk mund ta japë atë që Ti e ke ndaluar”.[21]

16. Ebu Daudi dhe Hakimi[22] kanë regjistruar se në fund të çdo namazi farz, Profeti (a.s.) thoshte: “O Allah, më jep shëndet në trupin tim! O Allah, më jep shëndet në dëgjimin tim! O Allah, më jep shëndet në shikimin tim! O Allah, kërkoj mbrojtjen Tënde nga mosbesimi dhe nga varfëria. O Allah, kërkoj mbrojtjen Tënde prej dënimit të varrit! Nuk ka zot tjetër përveç Teje”.[23]

17. Ahmedi, Ebu Daudi dhe Nesaiu kanë regjistruar me një zinxhir në të cilin ndodhet Daud Et-Tafaui, i cili është një transmetues i dobët, nga Zejd ibën Erkami se, në fund të namazit, Profeti (a.s.) thoshte: “O Allah, Zoti ynë dhe Zot i çdo gjëje! Dëshmoj se Ti je Zot, Je i Vetmi, Ti nuk ke shok. O Allah, Zoti ynë, Zot i gjithçkaje! Dëshmoj se Muhamedi është robi dhe i Dërguari yt. O Allah, Zoti ynë, Zoti i gjithçkaje! Dëshmoj se të gjithë adhuruesit e tu janë vëllezër. O Allah, Zoti ynë, Zoti i gjithçkaje! Më bëj mua dhe familjen time të sinqertë ndaj Teje gjatë çdo momenti të kësaj jete dhe tjetrës. Allahu është më i Madhi i të mëdhenjve, Drita e qiejve dhe e tokës. Allahu është më i Madhi i të mëdhenjve. Allahu më mjafton mua dhe ai është Mbrojtësi më i mirë. Allahu është më i Madhi, më i Madhi”.[24]

18. Ahmedi, Ibën Ebi Shejbe dhe Ibën Maxhe kanë regjistruar me një zinxhir ku ndodhet një transmetues i panjohur, nga Umu Seleme se, pas teslimit të namazit të sabahut, Profeti (a.s.) thoshte: “O Allah, të lutem më jep dituri të dobishme, furnizim të mirë dhe të lutem m’i prano veprat e mia!”[25]

 

_________________________________________

[1] Muslimi 1333, Ebu Daudi 1513, Tirmidhiu 300, Nesai 1336, Ibën Maxheh 928, Ahmedi 5/275.

[2] Hadith Sahih. “Sahihu et Targib” 1596, “Sahihul Xhami” 7969. E ka nxjerrë Ahmedi 5/247, Ibën Huzejme 1/369, Ebu Daudi 1522, El Hakim 1/273.

[3] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 844. E ka nxjerrë Ahmedi 2/299, Ebu Nuajmi në “El hilje” 9/223.

[4] Muslimi 1342, Ebu Daudi 1506, Nesai 1338,1339, Ahmedi 4/66.

[5] Buhariu 844,6330, 6472,6615,7292, Muslimi1337, Ebu Daudi 1505, Nesai 1340,1341,1342.

[6] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 1514, “El Mishkat” 969. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1523, Tirmidhiu 2903, Nesai 1336, Ahmedi 4/70.

[7] Ajetin e Arshit, El Bekare, 255.

[8] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 972, “Sahihu et Targib” 1595, “Sahihul Xhami” 6464. E ka nxjerrë Ibën es Sini, Nesai dhe Taberani.

[9] Hadith Daif. “Ed Daife” 5135, “Daifu et Targib” 985.

[10] Mëkatet e vogla.

[11] Ahmedi 2/483, Muslimi 1351, Bejhakiu 2/187, Ibën Huzejme 750. Ndërsa Buhariu nuk e ka nxjerrë këtë hadith.

[12] Muslimi 1348, Tirmidhiu 3412, Nesai 1348.

[13] Buhariu 843,6329, Muslimi 1346.

[14] Hadith Sahih. “Tamamul Mineh” 227-228. E ka nxjerrë Nesai 1351, Tirmidhiu 3410, Ibën Huzejme 752.

[15] Sepse çdo mirësi vlerësohet dhjetëfish.

[16] Hadith Sahih. ” E ka nxjerrë Ebu Daudi 5065, Nesai 1348, Tirmidhiu 3410.

[17] Buhariu 3113, 3705, 5360, Muslimi 6853, Ebu Daudi 5062.

[18] Hadith Hasen Ligajrihi. “Sahih et Targib” 477, “Es Sahiha” 2563, “Tamamul Mineh” 228-229. E ka nxjerrë Ahmedi 4/227, 6/298, Tirmidhiu 3474, Nesai në librin “Punët e ditës dhe të natës” 12.

[19] Hadith Daif. “Ed Daife” 1624. E ka nxjerrë Ahmedi 4/234, Ebu Daudi 5079, Ibën Hibani 2346.

[20] Buhariu 6365, Tirmidhiu 3567.

[21] Hadith Daif; vërtet që hadithi na ka mbërritur si lutje e përgjithshme në hadithin e transmetuar prej Ebi Hurejres, deri te shprehja “në të cilën jetoj” në regjistrimin e Muslimit, ndërsa fragmenti “O Allah, kërkoj mbrojtjen Tënde….” është prej lutjeve të sexhdes që e përmendëm më parë. Pjesa tjetër i përket lutjeve të rukusë, qëndrimit pas saj dhe lutjeve pas namazit; Temamul Minneh 229-231.

[22] Nuk gjendet tek Hakimi asnjë hadith tjetër veç atij ku bëhet fjalë për kërkimin e mbrojtjes nga mohimi, varfëria dhe nga dënimi i varrit. Këto të trija i thoshte Profeti (a.s.) pas namazit, në ndryshim nga lutja ku kërkohet shërim, të cilën e ka transmetuar Ebu Daudi dhe të tjerë dhe që nuk është specifike për namazin; Temamul Minneh 232.

[23] Hadith me sened Hasen. E ka nxjerrë Ebu Daudi 5090, Nesai 22,572, Ahmedi 5/42.

[24] Hadith Daif. E ka nxjerrë Ahmedi 4/369, Ebu Daudi 1508.

[25] Hadith Sahih. “Er Raudu en Nadir” 1199. Ibën Maxheh 925, Ahmedi 6/294.