Terminologjia e Hadithit

 

Autor: Dijetari i madh Muhamed ibën Salih el Uthejmin (Allahu e mëshiroftë!)

Përktheu: Dr. Bledar KARAJ el-Albani

 

Parathënie

 

Falënderuar qoftë Allahu! Vetëm Atë lavdërojmë, Atij i kërkojmë ndihmë, falje të gjymaheve tona dhe tek Ai pendohemi! Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej të keqes së veteve dhe punëve tona!

Atë të cilin e udhëzon Allahu nuk ka kush ta humbë dhe atë të cilin e humb Allahu, nuk ka kush e udhëzon.

Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër (me të drejtë) përveç Allahut, Një e të Pashoq dhe dëshmoj se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin për të, për familjen e tij, për shokët e tij dhe për të gjithë ata që ndjekin rrugën e tyre me besnikëri deri në ditën e Gjykimit!

 

Allahu i Madhëruar e dërgoi Muhamedin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) me Udhëzimin dhe Fenë e Vërtetë, me qëllim që ta bëjë atë triumfatore mbi të gjitha fetë e tjera dhe i zbriti atij Librin dhe Urtësinë; Libri është Kurani, ndërsa Urtësia është Suneti, me qëllim që t’i sqarojë njerëzve atë që iu zbrit atyre dhe se ndoshta ata meditojnë dhe udhëzohen e shpëtojnë.

Kurani dhe Suneti janë dy bazat mbi të cilat është ngritur argumenti dhe prova e Allahut mbi robët e Tij, dhe mbi të cilat janë ndërtuar dispozitat e besimit dhe punës, në aprovim apo refuzim.

Ai i cili argumenton për diçka me vargje nga Kurani, atij i nevojitet vetëm një studim: të përputhurit e domethënies së vargut argumentues me ngjarjen e caktuar dhe nuk i nevojitet të vështruarit në transmetimin e tij, pasi që Kurani është aprovuar prerë me përcjellje mutevetira – unanime, me shprehjen dhe domethënien e tij: “Ne e kemi zbritur Përkujtimin (Kuranin) dhe Ne jemi Ruajtës të tij.” [El Hixhr: 9].

Ndërsa ai i cili argumenton me Sunet, ai ka nevojë për dy vështrime:

I pari: Të vështruarit në saktësinë se ai është vërtet nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), pasi që jot ë gjitha ato hadithe që janë adresuar tek ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) janë të vërteta.

I dyti: Të vështruarit në përputhjen e domethënies së hadithit me çështjen në fjalë.

Për shkak të vështrimit të parë tek Hadithi ka qenë e nevojshme vendosja e bazave me të cilat dallohen hadithet e pranuara nga ato të refuzuara, gjë të cilën e kanë bërë dijetarët e hadithit dhe e kanë emërtuar: “Terminologjia e Hadithit”.

 

Në këtë fushë ne kemi përmbledhur një libër me përmasa mesatare, i cili përmbledh pikat më të rëndësishme të kësaj shkence –sipas programit të caktuar për vitin e parë dhe të dytë të shkollave të mesme, dhe e kemi titulluar: “Terminologjia e Hadithit”.

Këtë libër e kemi ndarë në dy pjesë: Pjesa e parë përmban planin mësimor të kësaj lënde për vitin e parë, ndërsa pjesa e dytë përmban planin mësimor për vitin e dytë.

Lus Allahun e Madhëruar që ta bëjë këtë punë të sinqertë për Fytyrën e Tij, në përputhje me kënaqësinë e Tij dhe të dobishme për robët e Tij! Ai është Bujari më i Madh, më Fisniku.

 

Autori

 

 

Pjesa e parë

 

Terminologjia e Hadithit

 

 

Njohje me terminologjinë e Hadithit dhe dobia e saj

 

  • Terminologjia e Hadithit është shkenca me të cilën njihet gjendja e transmetuesit dhe tekstit së transmetuar për nga pranimi apo refuzimi i tyre.
  • Dobia e kësaj shkence është të njohurit e atyre që pranohen dhe atyre që refuzohen prej transmetuesëve dhe teksteve të transmetuara.

 

Hadithi, Haberi,  Etheri dhe Hadithi Kudsi

 

Hadith quhet: “Ajo gjë e cila adresohet tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) prej fjalëve, veprave, aprovimeve apo përshkrimeve.”

Haberi ka të njëjtin kuptim me Hadithin dhe përkufizimi i tij është i njëjtë me atë të Hadithit.

Por thuhet gjithashtu se Haberi është ajo që dresohet tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe tek ndokush tjetër. Në këtë rast Haberi është më përgjithësues dhe më përfshirës se Hadithi.

Ether quhet: “Ajo gjë e cila adresohet tek sahabiu apo tabiiu. Por mund të jetë për qëllim me këtë term edhe ajo që adresohet tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), por e kushtëzuar, duke thënë: “Thuhet në një Ether të përcjellë nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)…”

Hadithi Kudsi është: “Ajo që transmeton i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nga Zoti i tij i Lartësuar.” Ky quhet gjithashtu “Hadith Rabani” dhe “Hadith Ilahi”.

Shembull për këtë lloj hadithi është fjala e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të cilën e transmeton nga Zoti i tij se Ai ka thënë: “Unë jam (veproj) ashtu si mendon robi im për Mua dhe Unë jam me të kur ai më përmend Mua. Nëse ai më përmend në veten e tij, Unë e përmend atë në Veten Time dhe nëse më përmend në një grup njerëzish, Unë e përmend atë në një grup më të mirë se ai.”[1]

 

Grada e Hadithit Kudsi është ndërmjet Kuranit dhe hadithit të Pejgamberit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Kurani i Nderëshëm i adresohet Allahut të Madhëruar me shprehjen dhe kuptimin e tij, hadithi profetik i adresohet të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) me shprehjen dhe kuptimin e tij[2], ndërsa Hadithi Kudsi i adresohet Allahut të Lartësuar me domethënien e tij dhe jo me shprehjen e tij. për këtë arsye nuk mund të adhurohet Allahu me të lexuarit e shprehjes së tij dhe as nuk lexohet me të në namaz, as nuk është kërkuar me të sfida (si me Kuranin) dhe as nuk është përcjellë tek ne me transmetim unanim si transmetimi i Kuranit, por prej tij ka hadithe të sakta, ka të dobëta, ka edhe të shpikura.

 

 

Llojet e Hadithit në varësi të rrugëve

të përcjelljes së tij tek ne

 

Në varësi të rrugëve të përcjelljes së hadithit deri tek ne, ai është dy lloje: Mutevatir dhe Ehad.

 

  1. 1.      Hadithi Mutevatir

 

a)      Përkufizimi i tij: “Hadithi Mutevatir është ai i cili përcillet nga një grup i konsiderueshëm transmetuesish, të cilët zakonisht është absurde të bashkohen në gënjeshtër dhe të cilin e adresojnë në diçka materiale.”

 

b)     Llojet e tij, ilustruar me shembuj: Hadithet mutevatir janë dy llojesh: Mutevatir në shprehje (tekst) dhe në domethënie (përmbajtje) bashkë, dhe mutevatir vetëm në domethënie.

Hadithi Metevatir në shprehje dhe domethënie është: ai hadith për të cilin transmetuesit përputhen me njëri-tjetrin për shprehjen dhe domethënien e tij.

Shembull për këtë është fjala e Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem): “Kushdo që gënjen ndaj meje me qëllim, të përgatisë karrigen e tij prej zjarri.”[3]

Këtë hadith e ka përcjellë nga Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) më shumë se 60 sahabe, në mesin e të cilëve janë edhe dhjetë të përgëzuarit me xhenet. E prej këtyre e kanë përcjellë shumë e shumë njerëz.

Hadithi Mutevatir vetëm në domethënie është: ai hadith në transmetimin e domethënies së përgjithshme të të cilit janë përputhur të gjithë transmetuesit e tij, por secili veçohet me shprehje dhe tekst të ndryshëm të hadithit.

Shembull për këtë janë hadithet e ndërmjetësimit (në botën tjetër), të mes-hit mbi meste.

 

c)      Çfarë përfitohet prej hadithit mutevatir me të dyja llojet e tij:

Së pari: Dija e sigurtë: vërtetësia e padiskutueshme e adresimit të hadithit te thënësi i tij.

Së dyti: Puna sipas asaj që përmban ai; duke e besuar atë nëse është njoftim për diçka, dhe duke e zbatuar atë nëse kërkon të veprohet.

 

 

  1. 2.      Hadithi El Ahad

 

a)      Përkufizimi i tij: “Ai është hadithi që nuk është Mutevatir.”

b) Llojet e hadithit Ahad në varësi të rrugëve të tij të transmetimit (3 lloje):

 

1. Hadithi Meshhur: “Ai hadith të cilin e transmetojnë tre apo më shumë transmetues, pa arritur kufirin e hadithit Mutevatir.”

Shembull për këtë është fjala e Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem): “Musliman është ai, nga gjuha dhe dora e të cilit muslimanët janë të qetë.”[4]

2. Hadithi el Aziz: “Ai hadith të cilin e transmetojnë vetëm dy transmetues.”

Shembull për këtë është fjala e Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem): “Askush nga ju nuk beson deri sa unë të jem më i dashur tek ai se sa fëmija i tij, prindi i tij dhe të gjithë njerëzit.”[5]

3. Hadithi el Garib: “Ai hadith të cilin e transmeton vetëm një transmetues.”

Shembull për këtë është fjala e Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem): “Vërtetë që veprat janë sipas qëllimit dhe çdo njeri do të marrë atë që ka pasur për qëllim…”[6] Këtë hadith nuk e ka përcjellë nga Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) veçse Umer ibën el Hatab (Allahu qoftë i kënaqur me të!); dhe nga Umeri nuk e ka përcjellë veçse Alkame ibën Vekas; nga Alkame nuk e ka përcjellë veçse Muhamed ibën Ibrahim et Tejmi dhe nga ky i fundit nuk e ka përcjellë veçse Jahja ibën Seid el Ensari. E që të gjithë këta (përveç Umerit) kanë qenë prej Tabiinëve, dhe më pas nga Jahja e ka përcjellë numër shumë i madh njerëzish.

 

c) Llojet e hadithit Ahad në varësi të gradës (5 lloje):

 

1. Sahih Lidhatihi – i saktë në vetvete: “Ai hadith të cilin e transmeton një burrë adël-i drejtë (në fe) dhe dabit-me përpikmëri të plotë (në mendje), me sened (zinxhir) të lidhur, dhe që nuk ka shudhudh (çrregullsi, devijim) dhe as il-leh kadiha (defekt të fshehur që ndikon në gradën e hadithit).”

Shembull për këtë është fjala e Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem): “Atij që Allahu i do të mirën, e bën që ta kuptojë fenë.”[7]

 

Saktësia e hadithit njihet me tre gjëra:

E para: Nëse gjendet në libër i cili ka kushtëzuar mbledhjen e haditheve të sakta dhe libri të jetë i një autori fjala e të cilit është e konsideruar në gjykimet për hadithet, siç janë dy Sahihat e “Buhariut” dhe “Muslimit”.

E dyta: Nëse një imam i konsideruar në gjykimet për hadithet dhe që nuk është i njohur për lehtësim në këtë gjë, thotë se një hadith i caktuar është i saktë.

E treta: Duke analizuar transmetuesit dhe rrugët e transmetimit të hadithit, e nëse përmbushen kushtet e hadithit të saktë, jepet gjykimi se ai është i saktë.

 

2.  Sahih ligajrihi – i saktë nga të tjerët si ai: ky është hadithi Hasen lidhatihi – i mirë në vetvete, kur ai transmetohet nga një numër rrugësh transmetimi.

Shembull për këtë është hadithi i transmetuar nga Abdullah ibën Amër ibën el As (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) e urdhëroi atë të bënte gati një ushtri, por devetë mbaruan dhe Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) tha: “Ble disa deve në llogarinë tonë me plaçkë nga plaçka e zekatit, deri sa të vijë koha e tij.”[8] Dhe ai merrte një deve me dy e me tre deve.

Këtë hadith e ka nxjerrë Ahmedi nga transmetimi i Muhamed ibën Is-hak dhe Bejhakiu nga transmetimi i Amër ibën Shuajb; dhe secili prej dy rrugëve të transmetimit më vete është Hasen, kështu që me të dyja rrugët së bashku hadithi ngrihet në gradën e Sahih ligajrihi.

Është quajtur Sahih Ligajrihi për shkak se sikur të shihej në rrugën e secilit prej tyre më vete, nuk do ta arrinte gradën e hadithit Sahih, dhe kur u bashkuan së bashku, e arriti atë gradë.

 

3. Hasen Lidhatihi – I mirë në vetvete: është ai hadith të cilin e transmeton transmetues i drejtë, jo shumë i përpiktë (në memorje), me sened të lidhur dhe që nuk ka shudhudh dhe as il-leh kadiha. Ndërmjet këtij hadithi dhe hadithit të saktë në vetvete nuk ka dallim veçse në kushtëzimin e përpikmërisë së plotë, ku hadithi hasen është poshtë kësaj.

Shembull për këtë është fjala e Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem): “Çelësi i namazit është të pastruarit, hyrja në të është tekbiri dhe dalja prej tij është dhënia selam.”[9]

 

4. Hasen Ligajrihi – i mirë me të tjerë: është ai hadith i dobët i cili ka disa rrugë transmetimi të cilat e forcojnë njëra-tjetrën, duke mos pasur në mesin e transmetuesve të tij gënjeshtarë dhe as të akuzuar për mashtrim.

Shembull për këtë është hadithi i transmetuar nga Umer ibën el Hatab (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i cili thotë: “Kur Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) ngrinte duart në dua (lutje), nuk i kthente ato deri sa të fërkonte me to fytyrën e tij.”[10]

Autori i librit “Bulugul Meram” thotë: “Ky hadith ka dëshmues (të ngjashëm me të) tek Ebu Daudi e të tjerë, kështu që me bashkimin e atyre rrugëve del që hadithi është Hasen.” [Por nuk është kështu në të vërtetë. Shih shënimin me nr. 3 në fusnota.]

Është quajtur Hasen Ligajrihi sepse sikur të vërehej secila rrugë e trasmetimit të tij më vete, nuk do ta arrinte gradën e hadithit Hasen, dhe kur bashkohen rrugët e tij, ai forcohet dhe e arrin atë gradë.

 

5. Hadithi Daif – i dobët: është ai hadith i cili nuk i përmbush kushtet e hadithit të saktë dhe as atij të mirë.

Shembull për këtë është hadithi: “Ruajuni prej njerëzve duke menduar keq për ta.”

Nga hadithet që zakonisht janë të dobëta, janë hadithet në transmetimet e të cilave veçohet el Ukajli, Ibën Adij, Hatibi i Bagdadit, Ibën Asakir në “Historinë” e tij, Ed Duvejlimi në “Musned el Firdeus”, Tirmidhi el Hakimi në “Nevadir el Usul” –nuk është fjala për autorin e Suneneve të njohura-, El Hakim dhe Ibën Xharudi në “Historitë” e secilit prej tyre.

 

d)     Nga hadithet Ahad, duke përjashtuar hadithin e dobët prej tyre, përfitohet:

Së pari: Edh Dhan – dija e mundshme (por jo e sigurtë): d.m.th. mundësia më e madhe për saktësinë e adresimit të tij tek thënësi i tij se sa mossaktësinë e adresimit, gjë e cila ndryshon në varësi të gradëve të sipërpërmendura. Por nga hadithi Ahad mund të përfitohet edhe dija e sigurtë kur ai shoqërohet nga argumenta dhe kur për të dëshmojnë bazat.

Së dyti: Puna sipas asaj që përmban ai; duke e besuar atë nëse është njoftim për diçka, dhe duke e zbatuar atë nëse kërkon të veprohet.

 

Ndërsa nga hadithi i dobët nuk përfitohet as dije e mundshme dhe as vepër me të. Madje nuk lejohet që ai të konsiderohet argument dhe as të përmendet pa e shoqëruar me sqarimin e dobësisë së tij, përveç në përgëzime dhe kërcënime, gjë të cilën e kanë lejuar disa dijetarë, por me tre kushte:

  1. 1.      Dobësia e tij të mos jetë e fortë.
  2. 2.      Origjina e punës që ai nxit të jetë e aprovuar në sheriat me argument tjetër.
  3. 3.      Të mos besohet se Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) e ka thënë atë.

Sipas kësaj, dobia e përmendjes së tij në përgëzime është nxitja e shpirtit për kryerjen e punëve të mira e të dëshiruara, duke shpresuar arritjen e sevapit të saj, pastaj nëse nuk e arrin atë, kjo përpjekje e tij në adhurim nuk e dëmton atë dhe as nuk e humbet sevapin original në zbatimin e të urdhëruarës në sheriat.

Ndërsa dobia e përmendjes së hadithit të dobët në kërcënime është për të larguar veten nga kryerja e asaj vepre të keqe nga frika e ndëshkimit me atë dënim të përmendur (në hadithin e dobët), dhe kështu nuk të bëhet dëm nëse i ruhesh asaj vepre dhe ajo nuk e ka pasur atë dënimin e përmendur.

 

 

Shpjegimi i përkufizimit të hadithit “Sahih Lidhatihi”

 

Pamë më parë se hadithi sahih lidhatihi është: “Ai hadith të cilin e transmeton një burrë adël-i drejtë (në fe) dhe dabit-me përpikmëri të plotë (në mendje), me sened (zinxhir) të lidhur, dhe që nuk ka shudhudh (çrregullsi, devijim) dhe as il-leh kadiha (defekt të fshehur që ndikon në gradën e hadithit).”

I drejtë: d.m.th. i qëndrueshëm në fe dhe moral; qëndrueshmëria në fe është kryerja e vaxhibeve të fesë dhe largimi nga të ndaluarat të cilat kanë rezultat fiskun (shthurjen e prishjen).

Ndërsa qëndrueshmëria në morale është kryerja e veprave të lavdërueshme nga njerëzit prej sjelljeve dhe moraleve, dhe largimi nga sjelljet dhe veprat të cilat njerëzit i shajnë dhe i quajnë të ulëta.

Të qenurit e transmetuesit i drejtë njihet me përhapjen e emrit të mirë të tij, siç janë imamët e mirënjohur: Maliku, Ahmedi, Buhariu, e të tjerë si ata. Ose njihet me tekstin e dikujt fjala e të cilit është e konsideruar në këtë gjë.

Përpikmëria e plotë: d.m.th. që ta përcjellë atë që ka mbartur prej asaj që ka dëgjuar apo ka parë ashtu siç e ka mbartur, pa shtuar dhe pa hequr asgjë, por megjithatë gabimi i vogël nuk dëmton, pasi që askush nuk shpëton nga ai.

Përpikmëria e transmetuesit njihet me përputhshmërinë e tij me hafizat (e hadithit), të paktën në shumicën e rasteve, ose me tekstin e dikujt fjala e të cilit është e konsideruar në këtë gjë.

Senedi i lidhur: d.m.th. që secili prej transmetuesve ta këtë takuar transmetuesin nga i cili e përcjell hadithin drejtëpërsëdrejti ose kategorikisht.

Drejtëpërsëdrejti: d.m.th. që ta ketë takuar transmetuesin paraardhës dhe të ketë dëgjuar nga ai, ose të ketë parë, dhe të thotë: “Më ka treguar”, ose “kam dëgjuar”, ose “kam parë filanin”, e kështu.

Kategorikisht: d.m.th. që të transmetojë nga një bashkëkohës i tij me përdorimin e një shprehje e cila përmban që ai ta ketë dëgjuar ose parë atë, p.sh. të thotë: “filani ka thënë”, ose “nga filani”, ose “filani ka bërë kështu”, e ngjashëm me këto.

A është kusht që për transmetuesit bashkëkohës të vërtetohet takimi i tyre, apo mjafton mundësia e të takuarit me njëri-tjetrin?

Këtu ka dy mendime: Buhariu ka zgjedhur të parën (e ka bërë kusht vërtetimin e takimit) ndërsa Muslimi ka zgjedhur të dytën (mjaftimin me mundësinë e të takuarit).

Në lidhje me fjalën e Muslimit, Imam Neveviu thotë: “Atë fjalë e kanë mohuar kontrolluesit (dijetarët studiues e kontrollues).” Pastaj tha: “Megjithëse ne nuk gjykojmë (nuk themi) se Muslimi ka ecur sipas kësaj rruge (fjale) në “Sahihun” e tij, për shkak se ai mbledh rrugë të shumta transmetimi me të cilat bëhet e pamundur ekzistenca e këtij gjykimi të cilin ai e ka lejuar, e Allahu e di më mirë.”[11]

Por pranimi i kësaj është nga ai i cili nuk është mudelis (mbulues e mashtrues), ndërsa hadithit të përcjellë nga një mudelis nuk i thuhet i lidhur vetëm në rast se e thotë qartë se ka dëgjuar apo ka parë vetë ai.

Ndërsa të qenurit e senedit i palidhur (i shkëputur) njihet me dy gjëra:

  1. Njohuria se transmetuesi nga i cili është përcjellë hadithin ka pas vdekur para se transmetuesi vijues të ketë mbushur moshën e dallimit të gjërave (7 vjeç).
  2. Që transmetuesi ose ndonjë prej dijetarëve të hadithit të thotë se senedi nuk është lidhur nga transmetuesi paraardhës, ose se transmetuesi vijues nuk e ka dëgjuar apo nuk e ka parë atë që transmeton.

Shudhudh (çrregullsi, devijim): d.m.th. që transmetuesi i besueshëm të kundërshtojë një transmetues tjetër më të fortë se ai: ose në të qenurit më i drejtë, ose në të qenurit më précis (i përpiktë) dhe më i ditur, ose që ka shoqëruar më shumë transmetuesin nga i cili transmeton, e ngjashëm me këto.

Shembull për këtë është hadithi i transmetuar nga Abdullah ibën Zejd[12], në lidhje me formën e abdesit të Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem): se ai i dha mes-h kokës me ujë tjetër nga ai i mbeturi në dorë. Muslimi e ka transmetuar këtë hadith me këtë shprehje, nga Ibën Vehbi, Bejhakiu e ka transmetuar gjithashtu nga ai, por me shprehjen: “ai (salallahu alejhi ue selem) për veshët mori ujë tjetër nga ai që mori për kokën.”

Transmetimi i Bejhakiut është “Shadheh” – i çrregullt; sepse transmetuesi i tij nga Ibën Vehbiu është i besuar (i fortë), por ai ka kundërshtuar atë që është më i fortë se ai dhe më shumë në numër, pasi që atë e ka transmetuar një numër transmetuesish nga Ibën Vehbi me shprehjen e Muslimit,, kështu që transmetimi i Bejhakiut nuk është i saktë, edhe pse transmetuesit e tij janë të besuar, për shkak se ai nuk ka shpëtuar nga çrregullsia.

El Il-letu el kadiha (defekt të fshehur që ndikon në gradën e hadithit): d.m.th. që pas studimit dhe analizimit të hadithit të zbulohet një shkak i cili ndikon për mospranimin e tij, si p.sh. të zbulohet se ai është i ndërprerë, ose meukuf (i mbetur te sahabiu), ose se transmetuesi është fasik (i shthurur në fe), ose me memorje të keqe, ose bidatçi dhe hadithi përforcon bidatin e tij, e kështu. Në këtë rast nuk jepet gjykimi për saktësinë e hadithit, për shkak të mos shpëtimit të tij nga defekti ndikues për mospranimin e tij.

Shembull për këtë është hadithi i transmetuar nga Ibën Umeri (radiallahu anhuma) se Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Gruaja me të përmuajshme dhe xhunubi nuk duhet të lexojnë asgjë nga Kurani.”[13]

Këtë hadith e ka transmetuar Tirmidhiu dhe ka thënë: “Këtë hadith nuk e njohim veçse nga transmetimi i Ismail ibën Ajash: nga Musa ibën Ukbeh…

Në pamje të parë senedi duket i saktë, por ai ka Il-leh (defect) për shkak se transmetimet i Ismailit nga dijetarët e Hixhazit janë të dobëta, dhe ky transmetim është prej tyre, kështu që hadithi nuk është i saktë për shkak të mos shpëtimit të tij nga defekti ndikues në saktësinë e tij.

Nëse defekti nuk është ndikues në saktësinë e hadithit, ai nuk ndalon nga të qenurit e hadithit i saktë apo i mirë:

Shembull për këtë është hadithi i transmetuar nga Ebu Ejub el Ensari (radiallahu anhu) se Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Kushdo që agjëron Ramazanin dhe e pason atë me gjashtë ditë (agjërim) nga muaji Sheval, është njësoj sikur ka agjëruar të gjithë kohën.”[14]

Këtë hadith e ka transmetuar Muslimi nga rruga e Sead ibën Seid dhe për shkak të tij hadithi ka defekt, sepse Imam Ahmedi e ka konsideruar të dobët atë. Por ky defekt nuk është ndikues në saktësinë e hadithit, pasi që disa dijetarë të tjerë e kanë konsideruar të besuar dhe të fortë atë, dhe sepse ai ka ndjekës të tjerë (transmetues të tjerë nga e njëjta rrugë) dhe vendosja e Muslimit këtë hadith në Sahihun e tij tregon se ai është i saktë tek Muslimi, dhe se defekti i tij nuk është ndikues.

Bashkimi mes dy cilësive “i saktë dhe i mirë” në të njëjtin hadith

Pamë më parë se hadithi i saktë ndahet nga hadithi i mirë, kështu që ata janë të ndryshëm nga njëri-tjetri, por ndonjëherë ne hasim ndonjë hadith të cilësuar se është “sahih hasen”. Atëherë, si të bashkojmë mes këtyre dy cilësive dhe ndryshimit të këtyre llojeve të hadithit nga njëri-tjetri?

Themi: Në qoftë se hadithi ka dy rrugë transmetimi, kjo do të thotë se njëra rrugë është e saktë (sahih) dhe tjetra e mirë (hasen). Pra, është bashkuar mes tyre për nga rrugët e transmetimit.

Dhe nëse hadithi ka vetëm një rrugë transmetimi, atëherë kuptimi i kësaj është mëdyshja: a ka arritur hadithi në gradën e hadithit të saktë apo është në gradën e hadithit të mirë?

 

 

 

Hadithi me sened të ndërprerë – Munkati

Përkufizimi i tij, llojet e tij dhe gjykimi për të

 

Hadithi Munkati es sened është: “Ai hadith senedi i të cilit nuk është i lidhur.” Dhe siç e pamë në kushtet e hadith Sahih (të saktë) dhe Hasen (të mirë), prej kushteve të tyre është se senedi (vargu i transmetimit) duhet të jetë i lidhur.

Hadithi Munkati është katër llojesh: Mursel, Mualak, Muadal, Munkati

1. Hadithi Mursel: Hadithi të cilin e ngre tek Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) një sahabi ose tabii i cili nuk e ka dëgjuar atë hadith nga Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem).

2. Hadithi Mualak: “Hadithi të cilit i është fshirë (hequr) fillimi i senedit.” Por mund të jetë për qëllim me këtë lloj të hadithit gjithashtu ai hadith të cilit i është hequr i gjithë senedi, si p.sh. fjala e Buhariut: “Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) e përmendte Allahun në të gjitha gjëndjet që të ishte.”[15]

Ndërsa përcjellja e haditheve nga autorët e librave të ndryshme, duke e adresuar hadithin në burimin e tij pa e përmendur senedin e tij, siç bën p.sh. autori i librit “El Umdeh”, nuk thuhet se ky hadith është Mualak pa vështruar në burimin e përmendur nga autori, pasi që përmendësi i atij hadithi nuk është përcjellës i tij origjinal, por degëzim dhe degëzimi merr gjykimin e origjinalit.

3. Hadith Muadal: “Hadithi nga senedi i të cilit janë hequr dy apo më shumë transmetues njëri pas tjetrit.

4. Hadithi Munkati: “Hadithi nga senedi i të cilit është hequr një transmetues ose dy apo më shumë por jo të njëpasnjëshëm.”

Por mund të jetë për qëllim me këtë emër (munkati): çdo hadith që e ka senedin të ndërprerë, dhe kështu përfshihen të katra llojet e hadithit Munkati.

Shembulli për këtë lloj hadithi: Hadithi i transmetuar nga Buhariu, ku thotë: Na ka treguar El Humejdi Abdullah ibën Zubejri, ka thënë: Na ka treguar Sufjani, ka thënë: Na ka treguar Jahja ibën Seid el Ensari, ka thënë: Më ka treguar Muhamed ibën Ibrahim et Tejmi, se ky ka dëgjuar Alkamete ibën Vekas el Lejthi të thotë: Kam dëgjuar Umer ibën el Hatabin (radiallahu anhu) mbi minber të thotë: Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem) të thotë: “Veprat janë (të vlefshme) sipas qëllimit…”[16] Deri në fund të hadithit.

N.q.s. nga senedi i këtij hadithi hiqet Umer ibën el Hatabi (radiallahu anhu), hadithi quhet Mursel.

N.q.s. hiqet El Humejdi, quhet hadith Mualak.

N.q.s. hiqet Sufjani dhe Jahja ibën Seid, quhet hadith Muadal.

N.q.s. hiqet vetëm Sufjani ose Sufjani dhe Et Tejmi, quhet hadith Munkati.

 

Gjykimi i Hadithit Munkati:

Hadithi Munkati me të gjitha llojet e tij është i kthyer mbrapsht, për shkak të mosnjohjes së gjendjes së transmetuesit të hequr, me përjashtim të rasteve të mëposhtme:

  1. Murseli i Sahabiut (heqja e sahabiut transmetues).
  2. Murseli i tabiinit të madh, sipas mendimit të shumë prej dijetarëve nëse atë e përkrah një mursel tjetër ose vepra e një sahabiu apo ndonjë kijas.
  3. Hadithi Mualak nëse thuhet me shprehje të prerë (të sigurtë) në një libër i cili ka kushtëzuar vetëm transmetimin e haditheve të sakta, siç është “Sahihui Buhariut”.
  4. Hadithi i cili ka ardhur me sened të lidhur në rrugë tjetër transmetimi, dhe tek i cili janë përmbushur kushtet e pranimit.

 

 


[1] E transmeton Buhariu (7405) dhe Muslimi (2675).

[2] Përjashtohet këtu rasti që njihet se ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ka thënë nga shpallja, si të njoftuarit për gjërat e fshehta që do të ndodhin në të ardhshmen, apo si në hadithin e transmetuar nga Jeala ibën Umeje i cili pyeti të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për atë person i cili hedh parfum duke qenë se është ka bërë Ihram për Umra. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) heshti deri sa i zbriti shpallja për këtë gjë. Hadithe të atilla adresohen tek ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) me shprehjen e tyre por jo me domethënien e tyre. [Autori]

[3] E ka nxjerrë Buhariu (110, 1291), Muslimi (3), në parathënien e tij, pastaj krahasoje me fjalën e Ibën Haxherit në “Fet’hu Bari” (1/203).

[4] E ka nxjerrë Buhariu (10, 11) dhe Muslimi (40, 41, 42).

[5] E ka nxjerrë Buhariu (159) dhe Muslimi (44).

[6] E ka nxjerrë Buhariu (1) dhe Muslimi (1907).

[7] E ka nxjerrë Buhariu (71) dhe Muslimi (1037).

[8] E ka nxjerrë Ahmedi (2/171, 6593), Bejhakiu (5/288), Ebu Daudi (3357).

[9] E ka nxjerrë Tirmidhiu (3), Ebu Daudi (61), Ibën Maxheh (275) dhe Ahmedi (1/123).

[10] E ka nxjerrë Tirmidhiu (3386) dhe Ebu Daudi (1485). [Sh.p: Të dyja këto transmetime janë të dobëta dhe të gjitha rrugët e hadithit janë të dobëta dhe ato nuk mund ta forcojnë njëra-tjetrën, por në këtë rast vërtetohet dobësia e hadithit. Shih fjalën e shejh Albanit në verifikimet Suneni et Tirmidhi dhe Suneni Ebi Daud, si dhe vetë fjalën e Ebu Daudit në hadithin e nxjerrë nga ai.]

[11] “Sherhu Sahihi Muslim”, (1/149).

[12] E transmeton Muslimi (236), Bejhakiu (1/65).

[13] E transmeton Tirmidhiu, (131).

[14] Muslimi, (1164).

[15] E ka përmendur Buhariu  pa sened -Mualak, në “Kitabul Hajd”, tema 9, “Kitabul Edhan”, tema 19. Ndërsa Muslimi e ka nxjerrë me sened të lidhur në “Kitabul Hajd”, tema 30.

[16] Nxjerrja e tij është përmendur më parë. Atë e ka nxjerrë Buhariu, “Kapitulli i fillimit të shpalljes”, tema 1, hadithi nr.1, Muslimi 1907.

Tedlisi apo Fshehja

Përkufizimi i tij, llojet e tij, disa prej mudelisinëve

dhe gjykimi për hadithin Mudeles

Faqa Tjetër »