Tedlisi – Fshehja

Përkufizimi i tij, llojet e tij, disa prej mudelisinëve

dhe gjykimi për hadithin Mudeles

Autor: Dijetari i madh Muhamed ibën Salih el Uthejmin (Allahu e mëshiroftë!)

Përktheu: Dr. Bledar Albani


a)         Përkufizimi i tij: “Tedlisi është përmendja e një hadithi me një sened i cili të jep përshtypjen se është në gradë më të lartë se ç’është në realitet.”

b)        Llojet e Tedlisit:

Tedlisi është dy llojesh:

Tedlis i senedit: që dikush të transmetojë nga dikush tjetër të cilin e ka takuar, diçka të cilën nuk e ka dëgjuar nga fjala e tij dhe as nuk e ka parë nga vepra e tij, me shprehje të atillë e cila të lë përshtypjen se e ka dëgjuar apo parë nga ai, si p.sh. të thotë: “ka thënë”, “ka bërë”, “nga filani”, “se filani ka thënë” apo “ka bërë”, e ngjashëm me këto.

Tedlis i shujuhëve: që transmetuesi ta emërtojë shejhun e tij apo ta cilësojë atë me diçka tjetër nga ajo që është i njohur duke lënë përshtypjen se ai është dikush tjetër; dhe kjo për shkak se ai mund të jetë më i vogël se ky në moshë, dhe ai nuk pëlqen që të shfaqë transmetimin e dikujt që është më i vogël se ai, ose që njerëzit të mendojnë se ai ka shumë shejha (mësues), apo për shkaqe dhe qëllime të tjera përveç këtyre.

c)         Transmetuesit mudelisunë (që fshehin diçka në transmetim) janë të shumtë. Në mesin e tyre ka edhe të dobët edhe të besueshëm siç është Hasen el Basri, Hamid et Tavil, Sulejam ibën Mehran el Eamesh, Muhamed ibën Is-hak, Velid ibën Muslim, etj. Hafif Ibën Haxheri i ka radhitur këta në pesë shkallë:

Shkalla e parë: Transmetuesi i cili nuk cilësohet me fshehje veçse rrallë, si Jahja ibën Seid.

E dyta: Transmetuesi, fshehjen e të cilit dijetarët e mëdhenj të hadithit e kanë mbajtur dhe kanë nxjerrë në “Es Sahih” nga hadithet e tij për shkak të vendit të tij në dije dhe fshehjes së paktë përkrah asaj që transmeton, si Sufjan eth Theuri, ose që nuk fsheh veçse nga transmetimi i ndonjë të besueshmi, siç bën Sufjan ibën Ujejne.

E treta: Ata transmetues të cilët kanë përcjellë shumë transmetime me fshehje dhe mbulime në to, të pakufizuara me të besueshmit, si Ebu Zubejr el Meki.

E katërta: Transmetuesit të cilët i kanë fshehjet më të shumta nga transmetues të dobët dhe të panjohur, si Bakije ibën Velid.

E pesta: Transmetuesit të u bashkohet edhe dobësi me diçka tjetër (prej tedlisit), siç është Abdullah ibën Lehijah.

d)        Hadithi i mudelisit nuk pranohet vetëm në rast se është i besueshëm dhe e shpreh qartë se ka marrë drejtpërdrejt nga ai nga i cili transmeton, duke thënë: “Kam dëgjuar filanin të thotë”, apo “e kam parë të bëjë”, ose “më ka treguar mua”, e ngjashëm me këto. Por duhet pasur parasysh se hadithet që kanë ardhur në dy Sahihat e Buhariut dhe Muslimit, me shprehjen e tedlisit nga mudelisinët e besueshëm, për shkak se ymeti mysliman i ka pranuar hadithet e ardhura në ato dy pa diskutim.

 

Hadithi në të cilin ka kundërthënie

(el mudtarib)

 

Përkufizimi i tij: “Ai hadith ku transmetuesit janë kundërshtuar në senedin apo në metnin (tekstin) e tij dhe bashkimi mes tyre apo dhënia epërsi njërit prej tyre mbi tjetrin është e pamundur.”

Shembulli për këtë: Hadithi i transmetuar nga Ebu Bekri ط se ky i ka thënë Pejgamberit غ: “Po shoh që je thinjur.” Ai غ tha: “Më ka thinjur surja Hud dhe motrat e saj.”[1]

Për këtë hadith ka kundërshtime në rreth dhjetë mendime; aiështë përcjellë me zinxhir të lidhur dhe si mursel gjithashtu. Është përcjellë si hadith nga hadithet e Ebu Bekrit, të Aishes dhe të Seadit gjithashtu, si dhe kundërshtime të tjera rreth tij, të cilat nuk mund të bashkohen me njëra-tjetrën dhe as të zgjidhet njëri transmetim mbi një tjetër.

Por në qoftë se bashkimi mes tyre është i mundëshëm, ai është obligim që të bëhet dhe në këtë rast rrëzohet kundërthënia.

Shembulli për këtë: Transmetimet e ndryshme që kanë ardhur në lidhje me bërjen e Ihramit nga Pejgamberi غ në Haxhin e Lamtumirës; disa transmetime thonë se ai bëri Ihram vetëm për haxh, disa thonë për umra të pasuar nga haxhi (temetu) dhe disa thonë për haxh dhe umra së bashku (kiran). Shejhu i Islamit, Ibën Tejmije thotë: “Mes këtyre nuk ka kundërthënie pasi që ai غ bëri haxh temetu në formën e haxhit kiran, veprat e haxhit i bëri të ndara dhe bashkoi mes dy riteve të umras dhe haxhit. Pra ai غ quhet se bëri haxh kiran për atë se bashkoi mes dy riteve, quhet se ka bërë vetëm haxh për atë se u mjaftua vetëm me një prej dy tavafeve dhe dy seajeve (nga Safa në Merva), dhe quhet se ka bërë haxh temetu për atë se ai غ e la njërin prej dy udhëtimeve.”[2]

E në qoftë se zgjedhja e njërit si më i saktë është i mundshëm, atëherë punohet sipas tij dhe rrëzohet kundërthënia.

Shembulli për këtë: Transmetimet e ndryshme që kanë ardhur në lidhje me hadithin e Burejdes ك kur ajo u lirua nga skllavëria dhe Pejgamberi غ e la atë që të zgjidhte nëse donte të qëndronte me burrin e saj apo të ndahej prej tij; a ishte burri i saj njeri i lirë apo skllav?[3]

El Esvedi ka përcjellë nga Aisha ك se ai ka qenë i lirë, ndërsa Urveh ibën Zubejr dhe El Kasim ibën Muhamed ibën Ebi Bekër kanë përcjellë po nga Aisha ك se ai ka qenë skllav. Transmetimi i këtyre të dyve është më dominues për shkak të afërsisë së atyre të dyve nga Aisha ك, pasi që ajo ishte tezja e Urves dhe halla e El Kasim, ndërsa Esvedi është i huaj nga ajo, shto këtu që në transmetimin e Esvedit ka ndërprerje.

Gjykimi për të:

Hadithi Mudtarib është Daif – i dobët, pasi që kundërthënia që gjendet në të tergon për mospërpikmërinë e transmetuesve të tij, përjashto rastin kur kundërthënia nuk ka të bëjë me origjinën e hadithit, ku në këtë rast nuk ka dëm.

Shembulli për këtë: Transmetimet e ndryshme që kanë ardhur në lidhje me hadithin e Fudale ibën Ubejd ط se ai bleu një varëse me 12 dinar në luftën e Hajberit, dhe ajo përmbante ar dhe rruaza. Thotë: E ndava arin nga rruazat dhe gjeta që ajo të kishte më shumë se 12 dinar ar, kështu që ja përmenda këtë të Dërguarit të Allahut غ dhe ai tha: “Nuk duhet të shiten para se të ndahet (ari nga lëndët e tjera)”.[4]

Në një transmetim thuhet se Fudale e bleu atë, në një tjetër thuhet se dikush tjetër e pyeti atë për blerjen e saj, dhe në një transmetim të tretë thuhet se ajo përmbante ar dhe rruaza, në një tjetër thuhet se ajo përmbante ar dhe gurë të çmuar, dhe në një tjetër rruaza të lidhura me ar. Në një transmetim thuhet me 12 dinar, në një tjetër me nëntë dhe në një tjetër me shtatë dinar.[5]

Ibën Haxheri thotë: “Kjo gjë nuk e dobëson hadithin, pasi që ajo që është për qëllim me këtë argumentim është e ruajtur dhe për të nuk ka kundërshtim; është fjala për ndalimin nga shitja e diçkaje pa e ndarë nga përzierjet e tjera, ndërsa lloji i asaj plaçke apo sasia e vlerës së saj në këtë rast nuk sjell kundërthënie.”

Po kështu nuk shkakton kundërthënie as kundërshtimi në emrin e një transmetuesi apo në kunjën e tij e ngjashëm me këto, përderisa ka pajtim në identifikimin e tij, siç e gjejmë shpesh në hadithe të sakta.

 

Shtesa në tekstin e hadithit

Ose “El Idraxh”

 

Përkufizimi i tij: Shtesa (el Idraxh) në tekstin e hadithit është: Fjala e futur në tekstin e hadithit nga njëri prej transmetuesve të tij pa e sqaruar këtë gjë; ose si shpjegim të ndonjë fjale të hadithit, ose si nxjerrje të ndonjë gjykimi prej tij, ose si sqarim të ndonjë urtësie të tij.”

Vendi i tij dhe shembulli për këtë:

Shtesa (el idraxh) mund të jetë në fillim të hadithit, në mes ose në fund të tij.

Shembulli i shtesës në fillim të hadithit: Hadithi i Ebu Hurejrës (radiallahu anhu): “Plotësojeni mirë abdesin!”[6] “Mjerë për thembërat nga zjarri i xhehenemit.” Fjala: “Plotësojeni mirë abdesin!” është fjalë e Ebu Hurejrës, gjë të cilën e sqaron transmetimi i Buhariut ku thuhet se Ebu Hurejra ka thënë: “Plotësojeni mirë abdesin, sepse Ebu el Kasim (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Mjerë për thembërat nga zjarri.”

Shembulli i shtesës në mes të hadithit: Hadithi i Aishes (radiallahu anha) që flet për fillimin e shpalljes së Pejgamberit (salallahu aljehi ue selem), ku thuhet: “Veçohej në shpellën Hira dhe bënte tehanuth atje – d.m.th. adhurim- disa netë të numëruara.” Fjala “d.m.th. adhurim” është idraxh (shtesë) nga fjala e Zuhriut, gjë të cilën e ka sqaruar transmetimi i Buhariut me tekst: “Shkonte te shpella Hira dhe bënte tehanuth atje – thotë (Zuhriu): tehanuth do të thotë adhurim-, disa netë të numëruara.”

Shembulli i shtesës në fund të hadithit: Hadithi i Ebu Hurejrës (radiallahu anhu), i cili thotë se i dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Populli im do të thirret në ditëne  Kiametit nga shenjat që shkëlqejnë në ball dhe këmbë prej gjurmëve të abdesit”, prandaj kushdo që mundet ta zgjasë shenjën e ballit të tij (duke e larë fytyrën më lart kufijve të saj), le ta bëjë!”

Fjala “prandaj kushdo që mundet ta zgjasë shenjën e ballit të tij (duke e larë fytyrën më lart kufijve të saj), le ta bëjë!” është shtesë e Ebu Hurejrës, me të cilën është veçuar transmetuesi prej tij Nuajm ibën el Mexhmar, prandaj edhe në Musned (të Imam Ahmedit), ai thotë: “Nuk e di nëse kjo shtesë është fjalë e Pejgamberit apo e Ebu Hurejrës. Por këtë e kanë sëqaruar shumë dijetarë të mëdhenj dhe hafiza të hadithit se ajo është shtesë. Shejhu i Islamit, Ibën Tejmije thotë: “Kjo nuk mund të jetë nga fjala e Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem).”

Kur gjykohet për një fjalë apo shprehje të metnit të hadithit se ajo është shtesë (idraxh): Nuk gjykohet me idraxh për një fjalë apo shprehje veçse me argument, qoftë nga fjala e vetë transmetuesit, apo nga fjala e ndonjë prej dijetareve të konsideruar, ose nga vetë fjala e shtuar që nuk mund të jetë assesi fjalë e Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem).

 

Shtesa në hadith

 

Përkufizimi: Shtesa në hadith është që një prej transmetuesve të shtojë në hadith diçka që nuk është prej tij.

Llojet: shtesa në hadith është dy llojesh:

a) Shtesë në formën e Idraxhit, siç u përmend më sipër, e që është shtesë e transmetuesit nga vetja e tij, dhe jo që të thotë se është prej hadithit.

b) Shtesë e futur nga ndonjë prej transmetuesve sikur të ishte prej hadithit. Në këtë rast, nëse kjo shtesë bëhet nga një person i pabesueshëm (që nuk është thikah), nuk pranohet, sepse veçimi i tij me diçka, nuk është i pranueshëm, kështu që ajo që shton ky transmetues mbi atë që kanë transmetuar të tjerët kthehet akoma më shumë. Nëse transmetimi i këtij mohon diçka që e ka transmetuar dikush tjetër më i besueshëm se ky, përsëri nuk pranohet, sepse në këtë rast ajo shtesë është “shadhe” (jonormale, ndryshe nga të tjerat).

Shembull: Një transmetim i Malikut në “Muata”, ku thuhet se kur Ibën Umeri (radiallahu anhuma) e fillonte namazin, i ngrinte duart deri përbri supeve, kurse kur ngrihej nga rukuja i ngrinte duart më poshtë supeve.” Ebu Daudi thotë: “Askush nuk e ka përmendur fjalën “më poshtë supeve” përveç Malikut, me sa di unë.”

Ndërkohë që ka ardhur hadith i saktë nga Ibën Umeri (radiallahu anhuma), i ngritur te i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem), se ai i ngrinte duart deri përbri supeve kur e hapte namazin me tekbirin fillestar, kur binte në ruku dhe kur binte nga rukuja, pa dallim te të gjitha.”

Por nëse shtesa e dikujt të besueshëm nuk mohon atë që kanë transmetuar të tjerët, atëherë pranohet, sepse në këtë rast ky pohon diçka që di më shumë se ata.

Shembulli për këtë: Hadithi i Umerit (radiallahu anhu), i cili kishte dëgjuar të Dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem) të thoshte: “Çdokush prej jush që merr abdes mirë, ose ekzagjeron në abdes, pastaj thotë: “Eshhedu en la ilahe il-la Allah ue enne Muhameden abdullahi ue rasuluhu, veçse i hapen atij të teta dyert e xhenetit dhe hyn në të nga cila derë të dëshirojë.” Këtë hadith e ka nxjerrë Muslimi me dy rrugë transmetimi, ku në njërën prej tyre shtohet: “uahdehu la sherike leh”, pas fjalën “il-la Allah”. Kjo shtesë në këtë rast është e pranueshme.

 

Shkurtimi i Hadithit

 

Përkufizimi: Heqja e një pjese të hadithit nga transmetuesi apo përmendësi i tij.

Ky shkurtim nuk lejohet veçse me plotësimin e pesë kushteve:

1. Të mos i prishë kuptimin hadithit, siç është për shembull shkurtimi në fjalinë kushtore, përjashtuese, qëllimore, etj.

Për shembull: Fjala e të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem): “Mos e shisni arin me ar veçse në sasi të barabarta.”

“Mos i shisni frutat deri sa të dallohet pjekja e tyre!”

“Asnjë gjykatës të mos gjykojë mes dy palëve duke qenë i nxehur!”

“Po, nëse ajo sheh lëngun.” Përgjigje që i dërguari (salallahu alejhi ue selem) ia dha Umu Sulejmit kur ajo e pyeti: “A duhet të marrë gusël gruaja kur sheh ëndërr sikur kryen marrënie intime?”

“Askush të mos thotë: “O Zot! Më fal mua, nëse dëshiron!”

“Haxhi i pranuar (mebrur), nuk mund të shpërblehet veçse me xhenet.”

Në këto hadithe nuk lejohet të hiqen fjalët:

“veçse në sasi të barabarta”

“deri sa të dallohet pjekja e tyre”

“duke qenë i nxehur”

“nëse ajo sheh lëngun”

nëse dëshiron”

i pranuar (mebrur)”, sepse heqja e këtyre fjalëve i prish kuptimin hadithit.

2. Të mos hiqet pjesa kryesore për të cilën ka ardhur hadithi.

Për shembull: Hadithi i Ebu Hurejrës (radillahu anhu), ku thuhet se një burrë erdhi tek i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) dhe i tha: “Ne udhëtojmë mbi det, dhe marrim me vete pak ujë, që nëse marrim abdes me të, do të etemi për ujë. A të marrim abdes me ujin e detit?” I Dërguari (salallahu alejhi ue selem) tha: “Uji i tij (detit) është i pastër dhe e ngordhta e tij është hallall.” Nuk lejohet të heqësh fjalën “Uji i tij është i pastër”, sepse hadithi ka ardhur për këtë pikësëpari.

3. Të mos jetë hadith që ka ardhur për sqarimin e ndonjë adhurimi të shprehur apo të vepruar.

Për shembull: Hadithi i Ibën Mesudit (radiallahu anhu) ku thuhet se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Kur dikush prej jush të ulet në namaz (në teshehud), të thotë: “Ettehiajtu lilahi, ues salavatu, uet tajibatu, esselamu alejke ejjuhen nebiju ue rahmetullahi ue berekatuhu, esselamu alejna ue ala ibadil-lahi es salihin, eshhedu en la ilahe ila Allah, ue eshhedu enne Muhameden abduhu ue rasuluhu.” Nuk lejohet heqja e asnjë fjale nga ky hadith, sepse përndryshe do të prishte formën e ligjëruar të tij, përveç në rast se e tregon se nga hadithi nuk është përmendur një pjesë.

4. Shkurtimi i hadithit mund të bëhet vetëm nga dikush me dije, që e di mirë gjuhën dhe e di kuptimin e fjalisë dhe të fjalëve, dhe se çfarë fjalësh e prishin kuptimin e çfarë jo, në mënyrë që të mos heqë diçka që do  eprishte kuptimin, dhe ai nuk e ndien këtë gjë.

5. Nuk duhet që transmetuesi të jetë objekt dyshimi, d.m.th. që të mos dyshohet se ai nuk mban mend prandaj edhe e shkurton, sepse shkurtimi në këtë rast do të shkaktonte mëdyshje në pranimin e tij, dhe kjo do e dobësonte hadithin.

Ky kusht në fakt ndeshet jashtë librave të shkruar e të njohur të hadithit, pasi që në çdo rast, kthimi tek këto libra është i mundshëm dhe e heq dyshimin.

Nëse plotësohen këto pesë kushte, lejohet shkurtimi i hadithit, e veçanërisht ndërprerja e tij për argumentim me çdo pjesë të tij në vendin e posaçëm, gjë të cilën e kanë bërë shumë dijetarë të hadithit dhe të fikhut.

Por më parësore është që kur e shkurton hadithin, ta përmendësh që e ke shkurtuar dhe të thuash për shembull “deri në fund të hadithit”, e kështu.

 

Transmetimi i hadithit me kuptimin e tij

(jo me tekstin origjinal)

 

Përkufizim: Transmetimi i hadithit me tekst tjetër të ndryshëm nga ai që ka ardhur.

Ky lloj transmetimi nuk lejohet veçse nëse plotësohen tre kushte:

1. Personi që bën këtë gjë të jetë i vetëdijshëm me kuptimin e hadithit nga ana gjuhësore dhe për nga qëllimi i atij nga i cili e transmeton.

2. Shkak për këtë lloj transmetimi të jetë diçka e domosdoshme apo detyruese, në rastin kur ai që e tregon hadithin të mos e kujtojë tekstin e tij në çast, por që e mban mend kuptimin e hadithit, e nëse e mban mend tekstin, nuk i lejohet ta ndryshojë atë, përveç nëse e kërkon nevoja për ta bërë të kuptueshëm për njerëzit sipas gjuhës që kuptojnë.

3. Të mos jetë teksti i hadithit diçka që përdoret si adhurim, siç janë hadithet e dhikrit (mëngjes e mbrëmje dhe pas namazeve), etj.

Nëse dikush e përmend një hadith me kuptimin dhe jo me tekstin e tij, duhet që të shprehë diçka që të bëjë të kuptohet se ky është kuptimi i hadithit dhe jo teksti i tij origjinal, si për shembull të thotë në fund të hadithit: “apo siç ka thënë i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem)”, ose “apo ngjashëm me këto fjalë”, etj. Për shembull, në hadithin e Enesit (radiallahu anhu), i cili flet për ngjarjen e atij beduinit qe urinoi ne xhami, Enesi thotë: “Pastaj i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) e thirri dhe i tha: “Këto xhami nuk janë për gjëra të tilla si urina dhe gjërat e ndyta, por ato janë për përmendjen e Allahut, për t’u falur dhe për të lexuar Kuran.” –Apo siç ka thënë i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ue selem – shton Enesi.

Po kështu në hadithin e Muavije ibën el Hakem, radiallahu anhu, i cili foli në namaz pa e ditur, dhe pas namazit, i Dërguari (salallahu alejhi ue selem) i tha: “Në namaz nuk bën të fliten fjalë të njerëzve, por vetëm tesbih, tekbir dhe lexim Kurani.” –apo siç ka thënë i Dërguari, salallahu alejhi ue selem.

 

Hadithi i trilluar – el meudu

 

Përkufizim: Hadithi i trilluar është ai hadith që i hidhet Pejgamberit në mënyrë të rrejshme.

Gjykimi i tij: Ky lloj hadithi nuk pranohet por kthehet mbrapsht, dhe nuk lejohet të përmendet veçse duke sqaruar gjendjen e tij, me qëllim që të paralajmërosh njerëzit që të kenë kujdes, sepse i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Kushdo që tregon një hadith nga unë, duke e ditur se ai hadith është i rrejshëm, ai është një prej gënjeshtarëve.” [Muslimi].

Hadithi i trilluar njihet me anë të disa rrugëve:

1. Pohimi i vetë atij që e ka trilluar.

2. Kundërshtimi i logjikës së shëndoshë nga hadithi, si për shembull: të bashkojë mes dy të kundërtave, apo të pohojë ekzistencën e diçkaje të pamundur dhe absurde, ose të mohojë diçka të detyrueshme, e kështu.

3. Kundërshtimi i diçkaje që njihet domosdoshmërisht nga feja Islame, si p.sh. të përmbajë anullimin e një prej shtyllave të Islamit, apo të lejojë kamatën, ose të caktojë kohën se kur do të bëhet kiameti, ose të lejojë dërgimin e ndonjë pejgamberi tjetër pas Muhamedit (salallahu alejhi ue selem), e kështu.

Hadithet e trilluara janë të shumta dhe në fusha të ndryshme. Prej tyre përmendim për shembull:

1. Disa hadithe që flasin për vizitën e varrit të Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem).

2. Disa hadithe që flasin për veçoritë e muajit Raxheb dhe të namazit në këtë muaj.

3. Disa hadithe për jetën e Hidrit –shoqëruesit të Musait alejhis selam-, se gjoja ky ka ardhur edhe tek i dërguari ynë, salallahu alejhi ue selem, dhe ishte prezent në varrimin e tij.

4. Disa hadithe në tema të ndryshme, disa prej të cilave po i përmendim në vijim:

– “Duajini arabët për tre arsye: sepse unë jam arab, Kurani është në gjuhën arabe dhe gjuha e banorëve të xhenetit është arabishtja.”

– “Mospajtimi i ymetit tim mes veti është mëshirë.”

– “Puno për jetën tënde në këtë botë sikur do të jetosh përgjithmonë, dhe puno për botën tjetër, sikur të vdisje nesër.”

– “Dashuria për dynjanë është koka e çdo mëkati.”

– “Dashuria e vatanit është nga besimi.”

– “Emrat më të mirë janë ato që përmbajnë lavdërim dhe adhurim.”

– “Është e ndaluar shitja me kusht.”

– “Dita e agjërimit tuaj është njëkohësisht dita e kurbanit tuaj.”

 

Shumë dijetarë të hadithit kanë shkruar libra të veçantë për sqarimin e haditheve të trilluara, me qëllim që të mbrojnë sunetin dhe të paralajmërojnë popullin. Prej këtyre librave përmendim:

1. “Trillimet e mëdha”, i Abdurrahman ibën el Xheuzi, i cili ka vdekur në vitin 597 Hixhri, por ai nuk i ka përmendur të gjitha këto hadithe, si dhe ka futur aty hadithe që nuk janë prej tyre.

2. “Dobitë e mbledhura nga hadithet e trilluara”, i Sheukanit (1250 H), por edhe në këtë libër ka lëshime, për shkak se janë futur edhe hadithe që nuk janë të trilluara.

3. “Pastrimi i sheriatit të lartë nga hadithet e shëmtuara të trilluara”, i Ibën Irak (963 H), i cili është edhe prej  librave më përmbledhës në këtë temë.

 

Trilluesit e haditheve janë të shumtë, por prej më të mëdhenjve prej tyre përmendim: Is’hak ibën Nexhih el Melati, Ma’mun ibën Ahmed el Heravi, Muhamed ibën es Saib el Kelbi, El Mugira ibën Seid el Kufi, Mukatil ibën Sulejman, El Vakidi ibën Ebi Jahja.

Trilluesit janë disa lloje njerëzish:

1. Disa prej tyre janë dezertorë të fesë (zenadika), që kërkojnë të prishin besimin e muslimanëve dhe të deformojnë Islamin e vërtetë apo të ndryshojnë ligjet e tij. Prej këtyre ka qenë: Muhamed ibën Seid el Maslub, të cilin e vrau Xheafer el Mensuri. Ky trilloi një hadith gjoja të transmetuar nga Enesi, sikur pejgamberi paska thënë: “Unë jam vula e pejgamberëve dhe pas meje nuk do të ketë asnjë të dërguar, përveç nëse dëshiron Allahu.”

Prej këtyre ka qenë gjithashtu Abdulkerim ibën Ebi el Auxha, të cilin e ka vrarë një prej prijësve abasit të Basras. Në kohën kur do ekzekutohej, ai tha: “Unë ju kam trilluar katër mijë hadithe, ku kam ndaluar hallallin dhe kam lejuar haramin.”

Thuhet se këta zindikë kanë trilluar rreth 14 mijë hadithe.

 

2. Disa të tjerë janë lajkatarë dhe servilë të prijësve dhe udhëheqësve, si: Gijath ibën Ibrahim, i cili hyri te el Mehdi ndërkohë që ky po luante me pëllumba, e i thanë: Tregoi ndonjë hadith prijësit të besimtarëve (Mehdiut). Atëherë ky formoi nga mendja një zinxhir transmetuesish dhe trilloi një hadith se gjoja pejgamberi kishte thënë: “Nuk lejohet garimi me tjetër gjë, veçse me pandofël (ecje apo vrap), gjuajtje me hark, me kafshë (kuaj) ose me krahë.” Atëherë Mehdiu tha: “Unë e detyrova për këtë gjë.” Pastaj e la pëllumbin dhe urdhëroi që ta therrnin atë (pëllumbin).

 

3. Dhe të tjerë janë lajkatarë të popullit të thjeshtë, duke i përmendur gjëra të çuditshme, përgëzime apo frikësime, mbushje me shpresa të kota, etj, si p.sh. ata që tregojnë histori nëpër xhamia, për të tërhequr vëmendjen me gjëra të rralla e të paqena.

Është përcjellë nga Imam Ahmed ibën Hanbel dhe Jahja ibën Main, se këta të dy u falën te xhamia er Risafe, ku një tregues historish u ngrit dhe filloi të tregonte një histori, ku ndër tjera tha: “Na ka treguar Ahmed ibën Hanbel dhe Jahja ibën Main, -pastaj përmendi disa emra transmetuesish deri te pejgamberi (salallahu alejhi ue selem), sikur ai ka thënë: “Kush thotë “la ilahe ila Allah”, për çdo fjalë që thotë, Allahu krijon një zog me sqep prej ari dhe pupla prej merxhani…” dhe përmendi një histori të gjatë. Pasi mbaroi nga historitë e tij dhe mori dhuratat që i jepshin njerëzit, Jahja i bëri shenjë me dorë. Ai erdhi duke menduar se do i jepte ndonjë dhuratë, por Jahja i tha: “Kush ta ka treguar këtë hadith?” –Ahmed ibën Hanbel dhe Jahja ibën Main” – tha ai. –Unë jam Jahja ibën Main dhe ky është Ahmed ibën Hanbel, dhe ne nuk kemi dëgjuar kurrë diçka të tillë nga hadithet e të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem)!” Atëherë ai tha: “Gjithnjë kam dëgjuar se Jahja ibën Main është budalla, por nuk e kam vërtetuar këtë gjë veçse tani. Sikur të mos kishte Jahja ibën Main dhe Ahmed ibën Hanbel të tjerë përveç jush! Unë kam shkruar hadithe nga 17 Ahmedë ibën Hanbela dhe Jahja ibën Main.” Atëherë Ahmedi vuri mëngën e tij mbi fytyrën e tij dhe tha: “Lëre të ngrihet!” –Ai u ngrit dhe u largua sikur tallej me ta.

 

4. Disa prej tyre janë entuziastë për fenë dhe kështu trillojnë hadithe për veçoritë dhe virtytet e Islamit, për asketizmin, e ngjashëm me këto, me qëllim që të tërheqin njerëzit te feja dhe t’i largojnë nga dynjaja, siç ka qenë: Ebu Ismet Nuh ibën Ebi Merjem, gjykatësi i Mervës, i cili ka trilluar një hadith në lidhje me veçritë e sureve të Kuranit një e nga një, pastaj ka thënë: “Pashë se njerëzit ishin larguar nga Kurani dhe ishin angazhuar vetëm me fikhun e Ebu Hanifes dhe historitë e luftërave të Ibën Is’hakut, prandaj e bëra këtë.”

 

5.  Fanatikët e një medhhebi të caktuar, apo të një tarikati, vendi, fisi, etj, trillojnë hadithe për fanatizmin e tyre duke e lavdëruar atë që ndjekin. P.sh: Mejsera ibën Abdurabih, i cili e pohoi vetë se kishte trilluar 70 hadithe për veçoritë e Ali ibën Ebi Talib, radiallahu anhu.

 

 


[1] E ka nxjerrë dhe ka përmendur rrugët e transmetimit të tij bashkë me analizimin e hollësishëm të tyre, imam Darakutni në librin “El Ilel eluaride fil ehadith en nebevije” 1/193-211.

[2] E ka përmendur Ibnul Kajim në “Zadul Miad” 2/121.

[3] Njëri transmetim thotë se ai ishte rob. Këtë e transmeton Muslimi 1504. Një transmetim tjetër thotë se ai ishte i lirë, siç e transmeton Buhariu 6751, 6754. Buhariu thotë: El Esved thotë se burri i saj ishte i lirë, por fjala e tij është përcjellë me zinxhir të ndërprerë, ndërsa fjala e Ibën Abasit që thotë: “E kam parë burrin e saj të ishte skllav”, kjo është më e saktë.

[4] E transmeton Muslimi 1591.

[5] Këto transmetime i ka përmendur Ibën Haxheri në librin “Et Talhisul Habir” 3/9.

[6] Buhariu: (165) Kapitulli i Abdesit, tema “Larja e thembrave”, dhe Muslimi: (242) Kapitulli i pastërtisë, tema (9), ku fjala e Ebu Hurejrës është ndarë me shenjë dalluese nga fjala e Pejgamberit (sallallahu alejhi ue selem).

Xherhu dhe Teadili

« Faqa e Mëparshme   Vijon … »