Lavdëroi: Dijetari i madh Salih ibën Feuzan ibën Abdullah el Feuzan

Autor: Shejh Abdullah ibën Sead ibën Muhamed Eba Husejn

Përktheu: Dr. Bledar Karaj el Albani

Tema te rendesishme rreth Xhihadit

Së pari: Rëndësia e Xhihadit në Islam

Së dyti: Përkufizimi dhe domethënia e Xhihadit

Së treti: Kushtet e obligueshmërisë së Xhihadit

Së katërti: Dispozitat dhe rregullat e Xhihadit

Së pesti: Vërejtje rreth Xhihadit në ditët e sotme

Së gjashti: Shenja dhe orientime për pasuesit e Sunetit që i mungojnë shumë prej të rinjve të ymetit

Fjala e dijetarit të madh, Salih ibën Feuzan el Feuzan

Lavdërimet i përkasin vetëm Allahut, dhe paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi atë pas të cilit nuk ka të dërguar tjetër, Muhamedin dhe familjen e shokët e tij!

Pasi e lexova veprën “Tema të rëndësishme rreth Xhihadit”, të shejh Abdullah ibën Sead Eba Husejn, Allahu i dhëntë sukses, e gjeta atë një vepër me shumë vlerë, shumë të dobishme për temat që trajton, për të cilat nevoja është e madhe në këtë kohë. Allahu na dhëntë sukses të gjithëve për dije të dobishme dhe vepër të mirë! Allahu e shpërbleftë me të mira autorin e kësaj vepre!

Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të Dërguarin tonë, Muhamedin dhe familjen e shokët e tij!

Shkroi: Salih ibën Feuzan ibën Abdullah el Feuzan; Anëtar i Komisionit të Përhershëm të Fetvave në Mbretërinë e Arabisë Saudite.

 

Parathënia e autorit

Falënderimet i takojnë Allahut, që forcon të dashurit e Tij besimtarë dhe që gjunjëzon armiqtë e Tij jobesimtarë, idhujtarë e hipokritë!

Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër të merituar përveç Allahut, Një e të Pashoq, Ndihmuesit të të devotshmëve; dhe dëshmoj se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij, prijësi i muxhahidinëve të durueshëm, i dashuri i Zotit të botëve, i cili e përmbushi misionin, e çoi në vend amanetin, e këshilloi ymetin dhe u përpoq në rrugën e Allahut, deri san a la në rrugë të bardhë, ku nata është njësoj si dita, kështu që nuk devijon prej saj përveç dikujt që është i humbur. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, sa të vazhdojë nata të ndjekë ditën, për atë që ofroi, mësoi dhe sqaroi!

Allahu i Madhëruar i ka bërë njeriut disa detyrime, të cilat i ka sqaruar dhe na ka treguar rrugën se si të zbatohen, rrugë nga e cila ne nuk na lejohet të dalim. Ai na ka vendosur kufij të cilat nuk na lejohet t’i kapërcejmë; të gjitha këto detyrime dhe kufij janë vendosur nga i Urti, i Nderuari; I Urtë në urdhrat dhe ndalesat e Tij, dhe për këtë nderohet dhe falënderohet, I Urtë në paracaktimin dhe caktimin e Tij dhe për këtë nderohet dhe falënderohet; prandaj ne nuk na lejohet veçse nënshtrimi para Ligjit të Tij, pranimi i urtësisë së Tij dhe aprovimi e shprehja e falënderimit dhe lavdërimit të Tij. Madhëruar qoftë Allahu dhe Atij i qoftë falënderimi, i lartësuar qoftë Emri i Tij! Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Tij.

Nga detyrimet që Allahu i ka bërë robëve të Vet është edhe Xhihadi dhe përpjekja me të gjitha mundësitë në Rrugën e Tij, në ndihmë të fesë së Tij dhe në mbrojtje të saj, si dhe në luftimin e kurtheve të armiqve të saj.

Kur Allahu na e bëri të detyrueshme këtë gjë, Ai na sqaroi gjithashtu mënyrën e përmbushjes së saj, dhe asesi nuk e ka lënë atë pa e sqaruar, por na e ka sqaruar mënyrën e saj në Librin e Tij dhe në gjuhën e të Dërguarit të Tij (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!); dhe tashmë rruga është sqaruar dhe prova është ngritur, kështu që nuk na lejohet neve asgjë tjetër veçse të ndjekim rrugën që Allahu na e ka vizuar për ta përmbushur këtë detyrë madhështore.

A nuk e sheh se namazi, me gjithë vlerën dhe vendin e lartë që ka, na është sqaruar fije për pe se si ta kryejmë atë, dhe nuk ka lënë asgjë për logjikën tonë në mënyrën e kryerjes së namazit?

Allahu i Madhëruar thotë: “Falni namazin!” [El Bekare, 43], “Namazi për besimtarët është detyrim në kohë të caktuar.” [En Nisa, 103]. Kurse i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Islami është ndërtuar mbi pesë shtylla…” dhe përmendi prej tyre Namazin, për të cilin ka thënë: “Premtimi mes nesh dhe atyre është namazi, prandaj kushdo që e lë atë, ka mohuar.”

Por nga ana tjetër, ne jemi ndaluar që të shtojmë sikur një rekat të vetëm në numrin e namazeve që janë përmendur në Sheriat, dhe shkaku është se njerëzit janë të urdhëruar ta adhurojnë të Adhuruarin e tyre në mënyrën që Ai dëshiron, konform Ligjit të Tij të urtë, të cilit nuk i afrohet e kota as nga afër as nga larg, sepse ai është shpallur nga i Urti, i Falënderuari.

Po kështu edhe Xhihadi, i cili është maja e kreshtës së Islamit dhe një nga shtyllat e tij, duhet të kryhet ashtu si e ka ligjëruar Allahu në Librin e Tij dhe në sunetin e të Dërguarit të Tij (salallahu alejhi ue selem), si dhe në atë formë që e kanë kuptuar dhe praktikuar shokët e të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem) dhe dijetarët e shquar të Islamit, pa dalë nga ajo rrugë asnjë fije në ndjekje të dëshirave apo epsheve tona, por duke pasur, duke u përulur dhe duke u nënshtruar para Ligjit të Allahut, sepse ne e adhurojmë Allahun ashtu si do Ai dhe jo ashtu si duam ne; dhe ne luftojmë e përpiqemi në Rrugë të Allahut sipas rrugës dhe ligjit të Allahut, dhe jo sipas rrugës së dikujt tjetër, kushdo qoftë.

Lexues i nderuar! Këto fletë që ke para duarve bëjnë fjalë për Xhihadin në Islam, nisur nga pështjellimi dhe ngatërrimi që vërehet sot në moskuptimin e bazave të tij në Islam. Jam përqendruar në disa nga temat kryesore të Xhihadit dhe jo në të gjitha ato, sepse fusha e tij është shumë e madhe dhe kërkon zgjerim dhe zgjatje të saj, por qëllimi i këtyre fletëve është kurimi i disa dyshimeve që vërehen të jenë ngjallur te disa të rinj dhe që i vishen bazave të Ehli Sunetit dhe Xhematit, kështu që aktualiteti e bën të domosdoshëm këtë punë.

Ky studim do të shqyrtohet në këtë mënyrë:

Së pari: Rëndësia e Xhihadit në Islam, ku përfshihet lidhja e xhihadit me udhëheqësit e muslimanëve qofshin të mirë apo të këqinj për nga veprat e tyre. Njëra prej temave të këtij kapitulli bën fjalë për Prijësin e muslimanëve dhe si caktohet ai; nisur nga fakti se xhihadi është i lidhur ngushtë me prijësin e muslimanëve. Prej çështjeve të kësaj teme do të jetë edhe ekzistenca e më shumë se një prijësi dhe marrja e secilit prej tyre titullin e prijësit.

Së dyti: Kufizimi dhe domethënia e Xhihadit.

Së treti: Kushtet e obligueshmërisë së Xhihadit.

Së katërti: Dispozitat dhe rregullat e Xhihadit; ku përfshihet edhe gjykimi sheriatik për xhihadin nëse është detyrim individual për të çdo musliman, apo është detyrim kolektiv për një pjesë të muslimanëve, apo nëse është i ndaluar (haram); këtu do të përmendet edhe një vërejtje rreth muslimanëve që hyjnë në vendet jomuslimane me vizë, dhe se kjo është garanci prej tyre për të, dhe atij nuk i lejohet t’u bëjë padrejtësi njerëzve të atij vendi apo t’i tradhëtojë ata.

Së pesti: Vërejtje rreth Xhihadit në ditët e sotme:

  1. Diskutimi i obligueshmërisë apo jo të tij i përket vetëm njerëzve të veçantë që janë dijetarët e mëdhenj të thelluar në dije. Këtu bëhet paralajmërim ndaj njerëzve injorantë dhe të vegjël në dije, si dhe sqarohen cilësitë e dijetarëve të mëdhenj e të thelluar në dije. Do të ketë edhe një shënim rreth çështjes së kuptimit të qëllimeve madhore të Sheriatit Islam.
  2. Kurrë mos akuzo dijetarët edhe nëse thonë diçka që nuk i përshtatet asaj që mendon apo beson ti.
  3. Xhihadi është prej detyrave dhe të drejtave të prijësit dhe jo të popullit; këtu do të flitet edhe për të drejtën e prijësit në lidhjen e marrëveshjeve të paqes me ata që ai mendon se është për të mirën e muslimanëve; si dhe për hyrjen e shejtanit te shumë prej atyre që i adresohen dijes dhe thirrjes duke i futur mendim të keq për prijësit e vendit prej udhëheqësve dhe dijetarëve.

Së gjashti: Shenja dhe orientime për pasuesit e Sunetit që i mungojnë shumë prej të rinjve të ymetit:

– Ju do e keni një udhëheqës, prandaj përkraheni atë.

– Rregulli “Ruajtja e interesit publik është detyrë për çdo musliman”, nuk mund të përmbushet veçse me respektimin e prijësve, dhe nëse ata përçmohen, humbet interesi i ymetit musliman në tërësi.

– Të jeni të matur.

– Këshillimi i udhëheqësve.

– Feja është kokë kurse mbreti është rojë; ai që nuk ka kokë, është i rrëzuar, kurse ai që nuk ka rojë, është i humbur.

– Përfundim dhe rezultat.

 

Pas kësaj, falënderoj hirësinë e tij, dijetarin e nderuar Dr. Salih ibën Feuzan ibën Abdullah el Feuzan, anëtar i këshillit të përhershëm të fetvave, për nderin që më bëri me leximin e këtij studimi të thjeshtë dhe me shkrimin e parathënies dhe lavdërimit të librit nga ana e tij.

Sikur Allahu të mos ma mundësonte mirësinë e madhe të paraqitjes së këtij studimi një dijetari të urtë si ai, Allahu e ruajtë, nuk do të guxoja t’ia publikoja atë njerëzve; prandaj falënderuar qoftë Allahu në fillim e në fund, në publik e në fshehtësi, dhe vetëm Allahut i përket falënderimi deri sa të kënaqet dhe pasi të kënaqet. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të Dërguarin tonë, Muhamedin dhe familjen e shokët e tij, deri në ditën e Gjykimit.

Shkroi:

Abdullah ibën Sead ibën Muhamed Eba Husejn

Rijad, më 15/01/1424 AH – 18/03/2003 AD

Së pari: Rëndësia e Xhihadit në Islam

Së dyti: Përkufizimi dhe domethënia e Xhihadit

Së treti: Kushtet e obligueshmërisë së Xhihadit

Së katërti: Dispozitat dhe rregullat e Xhihadit

Së pesti: Vërejtje rreth Xhihadit në ditët e sotme

Së gjashti: Shenja dhe orientime për pasuesit e Sunetit që i mungojnë shumë prej të rinjve të ymetit