TEJEMUMI

 

Shkëputur nga libri “Fikhu Suneh”

Autor: Sejjid Sabik
Përkthyer nga një grup përkthyesish
Nxjerrja e Haditheve: Bledar Albani

Përkufizimi i tij

 Nga ana etimologjike tejemum do të thotë “qëllim, synim”. Në legjislacionin islam, ai i referohet “të synuarit apo të kërkuarit e dheut nga ana e njeriut për të fshirë me të fytyrën dhe duart, me qëllimin e përgatitjes së vetes për namaz”.

 

Argumenti për ligjshmërinë e tij

Ligjshmëria e tejemumit vërtetohet nga Kurani, Suneti dhe konsensusi i dijetarëve (ixhma). Në Kuran thuhet:

وَإِنْ كُنتُمْ مَرْضَى أَوْ عَلَى سَفَرٍ أَوْ جَاءَ أَحَدٌ مِنْكُمْ مِنْ الْغَائِطِ أَوْ لامَسْتُمْ النِّسَاءَ فَلَمْ تَجِدُوا مَاءً فَتَيَمَّمُوا صَعِيدًا طَيِّبًا فَامْسَحُوا بِوُجُوهِكُمْ وَأَيْدِيكُمْ إِنَّ اللَّهَ كَانَ عَفُوًّا غَفُورًا

“Dhe nëse jeni të sëmurë apo udhëtarë, apo nëse ndonjëri prej jush vjen nga banja, apo nëse keni prekur gratë tuaja dhe nuk gjeni ujë, atëherë drejtohuni për tek dheu dhe fërkoni me të fytyrën dhe duart tuaja. Allahu është Falës i Madh”. (En-Nisa, 43)

Nga Suneti (Tradita e Profetit) kemi si argument hadithin e transmetuar nga Ebu Umame, në të cilin Profeti (a.s.) ka thënë: “Tërë toka është vend i pastër për t’u falur, për mua dhe umetin tim. Kurdo që një njeri nga umeti im dëshiron të falet, ai ka me ç’ka ta pastrojë veten e tij. Kjo gjë është dheu”.[1] Transmeton Ahmedi.

Gjithashtu ekziston një konsensus midis dijetarëve se tejemumi është një pjesë e ligjshme e Sheriatit, sepse në rrethana të caktuara, ai zëvendëson abdesin apo guslin.

Dhuratë nga Allahu

Tejemumi është një dhuratë që Allahu i ka dhënë këtij umeti. Xhabiri thotë se Profeti (a.s.) ka thënë: “Më janë dhënë pesë gjëra që nuk i janë dhënë askujt para meje: Kam dalë fitimtar për shkak se e kam frikësuar (armikun) për një largësi një muaj udhëtimi; toka më është bërë vend faljeje dhe e pastër: kurdo dhe kushdo nga umeti që e arrin koha e namazit, le të falet; plaçka e luftës më është bërë e ligjshme, gjë e cila nuk ishte e tillë për askënd para meje si dhe më është dhënë leja për ndërmjetësim. Profetët e tjerë janë dërguar vetëm për popujt e tyre, ndërsa unë jam dërguar për të gjithë njerëzimin”.[2] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

 

Arsyeja e ligjshmërisë së tij

Aishja (r.a.) tregon: “Dolëm njëherë me të Dërguarin e Allahut, në njërin prej udhëtimeve të tij, derisa arritëm në Beida. Në këtë vend, një varëse e imja u këput dhe ra. I Dërguri i Allahut dhe të tjerët filluan ta kërkojnë atë. Në atë vend nuk kishte ujë dhe po ashtu asnjëri prej nesh nuk kishte ujë me vete. Njerëzit shkuan tek Ebu Bekri dhe i thanë: “A e sheh se ç’bëri Aishja?” Ebu Bekri erdhi tek unë, ndërkohë që Profeti (a.s.) po flinte në kofshën time. Ai më qortoi dhe më tha fjalë të ashpra. Gjithashtu, ai filloi të më godisë në ije. Nuk mund të lëvizja, sepse Profeti (a.s.) po flinte në kofshën time. Ai fjeti deri në mëngjesin e së nesërmes dhe u zgjua, ndërkohë që nuk kishim fare ujë. Pastaj, Allahu zbriti ajetin për tejemumin. Usejd ibën Hudejr tha: “Epo, kjo nuk ishte dhurata e parë o familja e Ebu Bekrit. E çuam devenë, në të cilën kisha hipur unë dhe e gjetëm varësen nën të”.[3] Transmeton “Grupi”, përveç Tirmidhiut.

 

 

Rastet në të cilat lejohet marrja e tejemumit:

 

 

1- Kur një njeri nuk gjen ujë, apo sasia e ujit që gjen nuk është e mjaftueshme për abdes

Imran ibën Husein tregon: “Ishim me të Dërguarin e Allahut gjatë një udhëtimi. Kur Pejgamberi (a.s.) i priu njerëzve në namaz, një burrë qëndroi mënjanë. Profeti (a.s.) e pyeti: “Çfarë të pengoi ty që nuk u fale?” Ai iu përgjigj: “Jam i papastër (xhunub) dhe nuk ka ujë.” Profeti (a.s.) i tha: “Përdor dheun, sepse ai të mjafton!” Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Ebu Dherri transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Dheu është pastrues për muslimanin, edhe nëse ai nuk gjen ujë për 10 vjet me radhë”.[4] Transmeton grupi i “të katërve”. Tirmidhiu e klasifikon këtë hadith si hasen sahih.

Por, përpara se një njeri të marrë tejemum, ai duhet të kërkojë për ujë nga çdo burim i mundshëm. Nëse ai sigurohet se uji nuk gjendet apo burimi i tij është shumë larg, atëherë ky njeri nuk duhet të kërkojë për të.

 

 

2- Kur një njeri është i sëmurë apo i dëmtuar

Nëse një njeri është në kushte ku frikësohet se uji do ta përkeqësojë sëmundjen apo do ta vonojë shërimin (nuk është se duhet të jetë absolutisht i sigurt, por mund ta bazojë mendimin e tij në eksperiencat e mëparshme apo nga këshilla që mjeku i besueshëm i ka dhënë atij), atëherë ai mund të marrë tejemum.

Xhabiri ka thënë: “Ne ishim në udhëtim dhe njërin prej nesh e goditi një gurm i cili e goditi në kokë. Më vonë ai u bë xhunub. Ai i pyeti shokët e tij: “A mund të marr tejemum?” Ata i thanë: “Jo, jo pasi ke ujë”. Pas kësaj, ai u la dhe vdiq. Kur e lajmëruan Profetin (a.s.) në lidhje me këtë ngjarje, ai tha: “E vranë, i vraftë Allahu! Pse nuk pyetën për atë që nuk e dinin? Pyetja është shërim i paditurisë. Do të kishte qenë e mjaftueshme për të që të merrte tejemum dhe të hidhte pak ujë në plagën e tij apo ta fshinte atë, dhe pastaj të lante pjesën tjetër të trupit”.[5] Transmeton Ebu Daudi, Ibën Maxhe, Darakutni dhe Ibën Es-Sekeni, i cili thotë se ky hadith është i vërtetë.

 

3- Nëse uji është aq i ftohtë sa të dëmtojë fizikisht përdoruesin e tij

Kjo lejohet vetëm nëse personi nuk mund ta ngrohë ujin, qoftë edhe me pagesë apo nuk është në gjendje të përdorë banjë. Amër ibën El-As tregon në lidhje me dërgimin e tij në ekspeditën e njohur si “Dhatu Es-Selasil” e thotë: “U bëra i papastër në një natë shumë të ftohtë dhe u frikësova se po të lahesha do të vdisja. Prandaj mora tejemum dhe e fala me shokët e mi namazin e sabahut (si imam). Kur u kthyem te Pejgamberi (a.s.), shokët i treguan atij për këtë gjë e ai tha: “O Amër, a u fale si imam me shokët e tu, duke qenë i papastër (xhunub)?” I thashë: “E kujtova thënien e Allahut:

وَلاَ تَقْتُلُوا أَنفُسَكُمْ إِنَّ اللَّهَ كَانَ بِكُمْ رَحِيمًا

“…dhe mos i vritni vetet tuaja. Allahu është i Mëshirshëm me ju”, prandaj mora tejemum dhe u fala. Profeti (a.s.) qeshi dhe nuk tha asgjë.[6]

Transmeton Ahmedi, Ebu Daudi, Hakimi, Darakutni, Ibën Hibani dhe Buhariu në formën e tij mualak.

Në këtë ngjarje kemi të bëjmë me aprovim nga Pejgamberi (a.s.), i cili është i vlefshëm për argumentim, mbase ai nuk bën një gjë të tillë për diçka të pabazë.

 

4- Kur uji ndodhet afër, por njeriu nuk e merr dot për shkak të frikës

Nëse një njeri ka frikë për jetën, nderin, familjen apo pasurinë e tij (për shembull, nëse një armik është aty afër – njeri ose kafshë – apo nëse personi në fjalë është i burgosur etj), ai mund të marrë tejemum. Një gjë e tillë është e lejuar edhe nëse gjendet ujë, por personi në fjalë nuk i ka mjetet për ta marrë atë, apo ka frikë se mund të ngrihen akuza[7] kundër tij nëse e merr atë.

 

5- Nëse njeriu e ruan ujin e tij për një përdorim të mëvonshëm

Kjo ruajtje e ujit mund të jetë edhe për qenin, për bërjen e brumit, për të gatuar apo për të hequr ndonjë papastërti tjetër. Pra, ai mund të marrë tejemum dhe ta ruajë ujin.

Imam Ahmedi thotë: “Shumë prej sahabëve kanë marrë tejemum në mënyrë që ta ruanin ujin e tyre për të pirë”. Aliu (r.a.) ka thënë se një njeri i cili është duke udhëtuar dhe bëhet i papastër (xhunub), mund të marrë tejemum, nëse ai ka frikë se do të ndihet i etur: “Ai duhet të marrë tejemum dhe jo gusël”. Transmeton Darakutni 1/202.

Ibn Tejmije thotë: “Nëse një njeri dëshiron të kryejë nevojat e tij personale, por ka vetëm një sasi të vogël uji, atëherë është më mirë për të që të falet me tejemum dhe të kryejë nevojat e tij, sesa të marrë abdes me ujë dhe të falet përpara kryerjes së nevojave personale”.

 

 

6- Nëse një njeri e gjen ujin, por ka frikë se koha e namazit do të mbarojë derisa ai ta sigurojë ujin për abdes apo gusël

Ky njeri mund të marrë tejemum e të falet dhe nuk ka nevojë ta përsërisë namazin e tij (pasi ta ketë marrë ujin).

Dheu që përdoret për marrjen e tejemumit

Dheu për tejemum duhet të jetë dhé i pastër: Kjo mund të jetë rërë, gur, gips etj. Allahu i Madhëruar thotë:

فَتَيَمَّمُوا صَعِيدًا طَيِّبًا

“Merrni tejemum me dhé të pastër”. Të gjithë dijetarët e gjuhës arabe janë të mendimit se “dheu” është gjithçka që është në sipërfaqen e tokës.

 

Mënyra e marrjes së tejemumit

Së pari, personi i cili dëshiron të marrë tejemum duhet të ketë nijetin (qëllimin) e duhur (shiko kapitullin e abdesit). [8]  Pastaj, ai përmend emrin e Allahut, e godet dheun me duart e tij, fshin fytyrën dhe duart deri tek kyçi i dorës. Asgjë nuk është më autentike dhe e qartë në lidhje me këtë çështje, sesa ajo çka ka treguar Amari. Ai ka thënë: “Njëherë u bëra xhunub dhe nuk kisha ujë, kështu që u rrokullisa përtokë e pastaj u fala. Këtë gjë iu tregova Profetit (a.s.) e ai tha: “Kjo do të kishte qenë e mjaftueshme.” Pastaj e goditi tokën me shuplakat e duarve, u fryu atyre pastaj fërkoi fytyrën dhe duart e tij.[9] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Në një transmetim tjetër thuhet: “Do të kishte qenë e mjaftueshme që të goditje tokën me duart e tua, të fryje në to dhe pastaj të fërkoje fytyrën e duart deri në kyçe”.[10]

Ky hadith tregon se një goditje e tokës me duar është e mjaftueshme dhe personi që merr tejemum vetëm se i fërkon duart deri në kyçe. Është nga suneti që personi i cili merr tejemum me dhé duhet të fryjë tek duart e tij dhe të mos e bëjë fytyrën e tij me pluhur apo të ndotur.

 

Veprimet që lejohen pas marrjes së tejemumit

Pasi të ketë vepruar në mënyrën e mësipërme, personi që ka marrë tejemum është i pastër dhe mund të bëjë secilin nga veprimet që kërkojnë pastrimin paraprak, si psh: namazin apo prekjen e Kuranit. Personi në fjalë nuk e ka të nevojshme të marrë tejemum kur të hyjë koha e faljes dhe gjithashtu ai mund të falë aq namaze sa të dojë, farze apo nafile (derisa ta prishë tejemumin), ashtu sikurse mund të falet pas marrjes së abdesit të rregullt. Ebu Dherri transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: Dheu është pastrues për muslimanin, edhe nëse ai nuk gjen ujë për 10 vjet me radhë. Pastaj, nëse ai gjen ujë (pra merr abdes), le ta përdorë atë. Kjo është më e mirë për të”.[11]

Çfarë e prish tejemumin?

Përveç prezencës së ujit, nëse nuk ka pasur më parë, krijimi i mundësisë për ta përdorur tejemumin e prish gjithçka tjetër që prish edhe abdesin. Nëse një njeri falet pasi ka marrë tejemum dhe pastaj ai gjen ujë, nuk duhet ta përsërisë namazin e tij, edhe nëse ka kohë për ta bërë një gjë të tillë. Ebu Seid El Hudri ka thënë: “Njëherë, dy burra shkuan për një udhëtim. Koha e faljes erdhi dhe meqë ata nuk kishin ujë, morën tejemum. Pastaj ata gjetën pak ujë brenda kohës së të njëjtit namaz. Njëri prej tyre e përsëriti namazin me abdes, ndërsa tjetri jo. Kur takuan të Dërguarin e Allahut, ata e pyetën në lidhje me procedurën e saktë që mund të zbatohet në një rast të tillë. Personit që nuk e kishte përsëritur namazin e tij, Profeti (a.s.) i tha: “Ke vepruar në përputhje me sunnetin dhe namazi yt është i mjaftueshëm”. Ndërsa tjetrit i tha: “Ti do të marrësh shpërblim dyfish”.[12] Transmeton Ebu Daudi dhe Nesaiu.

Nëse gjendet uji gjatë faljes së namazit dhe para përfundimit të tij e personi në fjalë ka mundësi ta përdorë atë, atëherë abdesi me tejemum llogaritet i pavlefshëm dhe në këtë rast personi është i detyruar të marrë abdes me ujë. Nëse një person nuk është i pastër, d.m.th. është xhunub, apo nëse një grua është në periudhën e menstruacioneve të saj dhe falet pas marrjes së tejemumit, atëherë ai (ajo) nuk ka nevojë ta përsërisë namazin e tij (e saj), pasi të ketë gjetur ujë, por duhet të marrë gusël me ujë kur të ketë mundësi për përdorimin e ujit.

Imrani tregon: “Profeti (a.s.) i priu njerëzit në namaz dhe pastaj pa një njeri që nuk ishte falur. Ai e pyeti: “Pse nuk u fale me ne”? Burri iu përgjigj: “Isha xhunub dhe nuk kisha ujë për t’u pastruar”. Profeti (a.s.) i tha atij: “Përdor dheun dhe do të jetë e mjaftueshme për ty”. Pastaj, Imrani thotë se më vonë ata gjetën ujë. Profeti (a.s.) i dha një enë me ujë për burrin dhe i tha: “Shko dhe hidhe mbi vete”.[13]

 

Mes’hi mbi allçi, fasho dhe mbi sende të ngjashme me to

Është e lejuar të merret mes’h mbi një pjesë të trupit që është e lidhur me fasho, që mund të jetë e sëmurë apo e dëmtuar. Ka shumë hadithe në lidhje me këtë çështje dhe, edhe pse ata janë të gjithë të dobët, zinxhirët e tyre të shumtë e forcojnë njëri-tjetrin, duke i bërë ata të vlefshëm. Xhabiri ka thënë: “Ne ishim në udhëtim dhe njërin prej nesh e goditi një gurm i cili e goditi në kokë. Më vonë ai u bë xhunub. Ai i pyeti shokët e tij: “A mund të marr tejemum?” Ata i thanë: “Jo, jo pasi ke ujë”. Pas kësaj, ai u la dhe vdiq. Kur e lajmëruan Profetin (a.s.) në lidhje me këtë ngjarje, ai tha: “E vranë, i vraftë Allahu! Pse nuk pyetni për atë që nuk e dini? Pyetja është shërim i paditurisë. Do të kishte qenë e mjaftueshme për të që të merrte tejemum dhe të hidhte pak ujë në plagën e tij apo ta fshinte atë, dhe pastaj të lante pjesën tjetër të trupit”.[14]

Vërtetohet se Ibën Umeri e kishte zakon t’i jepte mes’h fashës mbi kokë.[15]

Në fakt është detyrë të merret mes’h mbi allçi apo fashot gjatë marrjes së abdesit apo të guslit, si zëvendësim për moslarjen e pjesës së dëmtuar. Kjo gjë duhet bërë edhe nëse personi në fjalë duhet të ngrohë ujin. Por, nëse ai beson se një veprim i tillë mund ta dëmtojë pjesën e lënduar, se gjendja e kësaj pjese mund të përkeqësohet, apo që dhimbja e tij mund të rritet, atëherë ai mund ta fshijë pjesën e dëmtuar të trupit me ujë.

Nëse ai ka frikë se edhe një një e tillë do të ishte e dëmshme për të, atëherë duhet ta mbulojë këtë pjesë dhe pastaj të marrë mes’h lehtazi sipër saj. Nuk është e nevojshme që ky person të jetë në gjendje pastërtie, ndërkohë që fshin allçinë apo fashon. Gjithashtu, nuk ka ndonjë limit kohor për fshirje të tilla, sepse ai mund të veprojë kështu për sa kohë që të zgjasë gjendja e tij. Heqja e allçisë apo e fashos e bën të pavlefshëm mes’hin e po kështu edhe nëse ajo bie.

 

Namazi i njeriut që nuk gjen ujë apo dhé për t’u pastruar

Personi që nuk mund të gjejë ujë apo dhé, mund të falet në çfarëdo gjendje që ndodhet dhe nuk ka nevojë për përsëritjen e namazit të tij më vonë. Kjo bazohet në atë që ka transmetuar Muslimi nga Aishja (r.a.). Ajo kishte marrë hua një varëse nga Esma dhe ajo u këput (e ra në tokë). I Dërguari i Allahut dërgoi disa njerëz për të kërkuar për të. Erdhi koha e namazit dhe atyre iu desh të faleshin pa abdes. Kur ata erdhën tek Profeti (a.s.) iu ankuan dhe në këtë kohë u shpallën edhe ajetet në lidhje me tejemumin. Usejd ibën Hudeir tha: “Zoti të shpërbleftë me të mira! Allahu gjithmonë të dërgon ndonjë urdhër me të cilin heq vështirësitë dhe që është në dobi të muslimanëve!”. Shokët e Profetit (a.s.) u falën ndërkohë që ishin në gjendje pa abdes (pa ujë apo dhé), por Profeti (a.s.) nuk i qortoi ata dhe as i urdhëroi që ta përsërisnin namazin.[16] Neveviu thotë: “Ky është argumenti më i fortë (në lidhje me këtë çështje)”.

 



[1] Hadith Sahih. “El Irva” 152,258. E ka nxjerrë Ahmedi 5/248 .

[2] Buhariu 335,438, Muslimi 1163, Nesai 430, 735.

[3] Buhariu 334, Muslimi 814, Ebu Daudi 317, Nesai 309, Ibën Maxheh, Ahmedi.

[4] Hadith Sahih. “El Irva” 153, “Sahihul Xhami” 3860. E ka nxjerrë Ebu Daudi 332,333, Nesai 311, Tirmidhiu, Ahmedi 5/180, Darakutni 1/187.

[5] Hadith Hasen pa shprehjen “dhe të hidhte pak ujë …” deri në fund, e cila është e dobët. “Tamamul Mineh” 131, “El Irva” 105. E ka nxjerrë Ebu Daudi 239, Ibën Maxheh 572, Darakutni 1/190, Ahmedi 1/330.

[6] Hadith Sahih. ‘Irvaul Galil” 154. E ka nxjerrë Ahmedi 4/203-204, Ebu Daudi 334, Darakutni 1/177, Bejhakiu 1/225.

[7] Si rasti kur dikush fle në shtëpinë e një miku të tij të martuar dhe zgjohet xhunub.

[8] Nijeti në tejemum është detyrë (farz).

[9] Buhariu 345,346,347, Muslimi 816, Ebu Daudi 321, Nesai 319.

[10] Transmeton Darakutni 1/183.

[11] Hadith Sahih. Nxjerrja e tij është përmendur më parë.

[12] Hadith Sahih. “El Mishkat” 533. E ka nxjerrë Ebu Daudi 338, Nesai , Darakutni 1/189, Ed Darimi 1/155, Bejhakiu 1/231.

[13] Buhariu 344.

[14] Hadith Hasen pa shprehjen “dhe të hidhte pak ujë …” deri në fund, e cila është e dobët dhe e refuzuar. Nxjerrja e tij u përmend më sipër.

[15] Ether Sahih nga Ibën Umeri. “Tamamul mineh” 34-35. E ka nxjerrë Bejhakiu 1/228.

[16] Nxjerrja e tij është përmendur më parë.