Muslimani i aprovon të drejtat reciproke ndërmjet dy bashkëshortëve, të cilat janë të drejtat e secilit prej tyre kundrejt tjetrit. Kjo sepse Allahu i Madhëruar thotë: “Edhe ato kanë të drejta të barabarta (me burrat) mbi ta (burrat) në atë shkallë që është e arsyeshme, por burrat kanë një shkallë më tepër (përgjegjësie) mbi to.” [El Bekare: 228].

Ky ajet fisnik ka aprovuar për secilin nga dy bashkëshortët të drejta mbi tjetrin dhe i ka veçuar burrat me një shkallë më tepër për konsiderime të tjera të posaçme.

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), në Haxhin e Lamtumirës ka thënë: “Vërtet që ju keni të drejta kundrejt grave tuaja dhe ato kanë të drejta kundrejt jush.”[1]

Por disa nga këto të drejta janë të përbashkëta mes të dy bashkëshortëve dhe disa janë të posaçme për secilin prej tyre më vete.

 

Të drejtat e përbashkëta të bashkëshorteve

1. Besnikëria: Secili nga dy bashkëshortët duhet të jetë besnik me partnerin e tij dhe të mos e tradhëtojë atë as në gjëra të vogla e as në të mëdha, pasi që dy bashkëshortët janë si dy ortakë. Kështu që është e detyrueshme plotësimi i besnikërisë, i këshillimit, sinqeritetit dhe çiltërsisë mes atyre dyve, në çdo çështje prej çështjeve të jetës së tyre, qoftë ajo çështje e përgjithshme apo e veçantë.

2. Përzemrësia dhe mëshira: Secili prej bashkëshortëve duhet të ketë sasinë më të madhe të mundshme prej përzemërsisë së sinqertë dhe mëshirës gjithpërfshirëse për partnerin e tij. Kjo duhet t’i shoqërojë ata të dy gjatë gjithë jetës së tyre, në zbatim të Fjalës së Allahut të Madhëruar: “Dhe nga Shenjat e Tij është se Ai krijoi për ju gra nga vetë ju, që të mund të gjeni prehje tek ato dhe Ai vendosi mes jush dhëmbshuri e mëshirë.” [Er Rrum: 21].

Si dhe në praktikim të fjalës së të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Kushdo që nuk mëshiron, nuk mëshirohet.”[2]

3. Besimi reciprok ndaj njëri-tjetrit: Secili prej bashkëshortëve duhet të ketë besim tek partneri i tij dhe të mos i hyjë asnjë pikë dyshimi në sinqeritetin dhe çiltërsinë e tjetrit, sepse Allahu i Madhëruar thotë: “Vërtet që besimtarët janë vëllezër.” [El Huxhurat: 10]. Dhe i Dërguari i Tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Askush prej jush nuk ka për të besuar (plotësisht) deri sa të dojë për vëllanë e tij atë që do edhe për vete.”[3]

Lidhja bashkëshortore veçse e forcon edhe më shumë vëllazërinë në besim. Secili nga dy bashkëshortët e ndjen se ai është vetë tjetri, vetja e tij, kështu që sit ë mos ketë besim njeriu te vetja e tij dhe të mos e dëgjojë atë?! Apo si mund ta mashtrojë njeriu veten e tij dhe ta tradhëtojë atë?!

4. Sjelljet e përgjithshme: si butësia në bashkëpunim, çelja e fytyrës, fjala e bukur, respekti dhe konsiderata. Këto janë familjariteti i ndershëm dhe konform sheriatit, për të cilin Allahu i Madhëruar ka urdhëruar në Fjalën e Tij: “Dhe jetoni me to në mënyrë të ndershme (brenda normave).” [En Nisa: 19].

Kjo është edhe sjellja e mirë dhe përkujdesja ndaj grave, për të cilën ka urdhëruar i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në fjalën e tij: “Kujdesuni për gratë dhe mbajini mirë ato!”[4]

Këto ishin disa prej të drejtave të përbashkëta mes dy bashkëshortëve, të cilat ata duhet t’i zbatojnë ato kundrejt njëri-tjetrit, duke vepruar kështu sipas besës së fortë të përmendur në Fjalën e Allahut të Madhëruar: “Dhe si do t’ia merrni asaj prapë atë (që i keni dhënë), ndërkohë që ju aq shumë keni hyrë në njëri-tjetrin, aq shumë i keni hapur gjoksin njëri-tjetrit dhe në të njëjtën kohë ato kanë marrë prej jush besë të fortë e të shenjtë?!” [En Nisa: 21].

Si dhe duke ju bindur Allahut të Madhëruar i Cili thotë: “Dhe mos e harroni bujarinë mes jush. Vërtet Allahu është Gjithëvëzhgues për gjithçka që ju bëni.” [El Bekare: 237].

 

Të drejtat e gruas mbi burrin e saj

Burri ka për detyrë që bashkëshortes së tij t’i përmbushë të drejtat e mëposhtme:

1. Të jetojë dhe të sillet me të me ndershmëri dhe konform normave, sepse Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe jetoni me to në mënyrë të ndershme (brenda normave).” [En Nisa: 19].

Ai duhet ta ushqejë atë kur ha edhe vetë, ta veshë atë kur vishet edhe vetë, ta edukojë atë nëse ka frikë ndonjë mosbindje dhe rrëshqitje të saj, me atë që ka urdhëruar Allahu i madhëruar që të edukohen grate; duke filluar me këshillimin e saj pa sharje e ofendime. Nëse ajo nuk i bindet, atëherë ndahet prej saj nga shtrati, e nëse përsëri nuk i bindet, atëherë e godet lehtë atë, pa e goditur në fytyrë dhe pa lënë shenja, pa derdhur gjak, pa hapur plagë dhe pa nxjerë ndonjë prej gjymtyrëve nga funksioni i tyre. Allahu i Madhëruar thotë: “Sa për ato gra për të cilat ju shihni sjellje të dobët, në fillim i qortoni, pastaj mos pranoni të flini me to, dhe në fund i rrihni ato (lehtë nëse kjo ndikon te ato), por në qoftë se ato kthehen përsëri te bindja, atëherë mos kërkoni kundër tyre mjete (përçmuese e mërzitëse). Vërtet Allahu është kurdoherë më i Larti, më i Madhi.” [En Nisa: 34].

Dikush i tha të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Cila është e drejta e grave tona mbi ne?” -Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Ta ushqesh atë nëse ha edhe vetë, ta veshësh atë nëse vishesh vetë, të mos e godasësh në fytyrë dhe as t’i lësh shenja (në trup) dhe të mos e braktisësh atë veçse në shtëpi (duke u larguar nga shtrati).”[5]

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) gjithashtu ka thënë: “Vërtet që e drejta e tyre (grave) mbi ju është që të bëni bamirësi ndaj tyre në veshje dhe në ushqim.”

Dhe thotë: “Besimtari nuk e urren besimtaren; edhe nëse ai nuk pëlqen një sjellje të saj, pëlqen një sjellje tjetër.”[6]

2. T’i mësojë asaj gjërat e domosdoshme për fenë e saj, nëse ajo nuk i di ato, ose t’i japë lejë të prezentojë tubimet e dijes që t’i mësojë ato. Kjo sepse nevoja e saj për fenë e saj dhe për pastrimin e shpirtit të saj nuk është më e vogël se nevoja e saj për ngrënie e pirje. Allahu i Madhëruar thotë: “O ju që keni besuar! Ruajeni veten tuaj dhe familjen tuaj nga një zjarr, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët!” [Et Tahrim: 6].

Gruaja është prej familjes tënde dhe ruajtja e saj nga zjarri bëhet me besim dhe punë të mirë, por puna e mirë duhet të paraprihet nga dija dhe njohja, që më pas të mund të praktikohet dhe të kryhet ashtu si është e kërkuar në sheriat.

Ndërsa i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kujdesuni për gratë dhe mbajini mirë ato, sepse ato janë robëresha tek ju!”[7]

Dhe prej kujdesjes për to është që ajo të mësojë atë që i bën dobi asaj në fenë e saj dhe të edukohet me atë që i siguron asaj qëndrueshmërinë dhe virtytet e larta.

3. T’a ngarkojë atë me mësimet e Islamit dhe edukatën e tij. T’i kërkojë llogari për këto; ta ndalojë atë nga të zhveshurit në rrugë apo që të dalë e zbukuruar, si dhe ta ndalojë atë nga të përzierit me burra të huaj që nuk janë të afërm të saj me të cilët i ndalohet martesa (babai, vëllai, etj). Ashtu si dhe ka për detyrë (burri) që t’i sigurojë asaj mbrojtje dhe kujdes të plotë. Të mos e lejojë atë që të prishet në moral apo fe dhe as të mos i japë rast asaj që të dalë nga urdhërat e Allahut dhe të Dërguarit të Tij, apo të shthuret. Kjo sepse burri është bariu i saj, përgjegjësi për të dhe i ngarkuari me ruajtjen dhe mbrojtjen e saj. Allahu i Madhëruar thotë: “Burrat janë mbrojtësit dhe mbajtësit e grave, sepse Allahu e ka krijuar njërën palë prej tyre të shquhet mbi tjetrën dhe sepse ata shpenzojnë nga pasuritë e tyre.” [En Nisa: 34].

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Dhe burri është bari në familjen e tij dhe ai është përgjegjës për tufën e tij.”[8]

4. Të mbajë drejtësi mes saj dhe shemrës të saj nëse ka. Ai duhet të mbajë drejtësi mes tyre në ushqim, veshje, banesë dhe në të fjetur në shtrat. Të mos anojë në asgjë prej këtyre, apo të bëjë padrejtësi e zullum, sepse Allahu i Madhëruar e ka ndaluar këtë gjë, në Fjalën e Tij: “…por në qoftë se keni frikë se nuk jeni në gjendje që të mbani drejtësi (mes grave), atëherë (mjaftohuni) vetëm me një.” [En Nisa: 3].

Ndërsa i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka porositur që ato të mbahen mirë dhe ka thënë: “Më i miri ndër ju është ai i cili është më i mirë për familjen (gruan) e tij dhe unë jam më i miri nga të gjithë ju për familjen time.”[9]

5. Të mos e përhapë të fshehtën e saj dhe as të mos përmend ndonjë mangësi të saj. Sepse ai është besniku i saj dhe ai nga i cili kërkohet përkujdesja për të dhe mbrojtja e saj, sepse i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Njeriu më i keq dhe me vend më të ulët te Allahu në Ditën e Kijametit është ai burrë i cili shkon me gruan e tij dhe ajo shkon me të (kryejnë marrëdhënie intime), pastaj përhap të fshehtën e saj.”[10]

 

Të drejtat e burrit mbi gruan e tij

Gruaja ka për detyrë që kundrejt burrit të saj të ruajë këto të drejta dhe të sillet me këto morale:

1. T’i bindet atij, jo në kundërshtim të Allahut. Allahu i Madhëruar thotë: “E nëse ato i kthehen përsëri bindjes, atëherë mos kërkoni kundër tyre mjete (përçmuese e mërzitëse).” [En Nisa: 34].

Ndërsa i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Nëse burri e thërret gruan e tij për në shtrat dhe ajo nuk i shkon e ai fle i zemëruar me të, atë (grua) e mallokjnë engjëjt deri sa të gdhijë.”[11]

Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) gjithashtu ka thënë: “Sikur të urdhëroja ndokënd që t’i bënte sexhde ndokujt tjetër, do të kasha urdhëruar gruan që t’i bënte sexhde burrit të saj.”[12]

2. Ruajtja e nderit të burrit dhe e dëlirësisë së saj. Po kështu ruajtja e pasurisë së tij, e fëmijëve të tij dhe e të gjitha çështjeve të shtëpisë së tij. Allahu i Madhëruar thotë: “Kështu, gratë e mira janë të bindura me çiltërsi (ndaj Allahut dhe ndaj burrave të tyre) dhe ruajnë në mungesë të bashkëshortëve të tyre ato që Allahu i ka urdhëruar t’i ruajnë (dëlirësinë, ndershmërinë, pasurinë e burrit, etj).” [En Nisa: 34].

Ndërsa i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Ndërsa gruaja është bareshë në shtëpinë e bashkëshortit të saj dhe e fëmijëve të tij.”[13]

Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) gjithashtu ka thënë: “E drejta juaj mbi to është që të mos sjellin në shtratin tuaj atë që urreni dhe të mos fusë në shtëpinë tuaj atë që nuk pëlqeni.”

3. Të qëndruarit në shtëpinë e burrit të saj. Të mos dalë nga shtëpia e burrit të saj veçse me lejen dhe pëlqimin e tij, të ulë shikimin e saj dhe zërin e saj. Të mos e zgjasë dorën për gjëra të këqia dhe as gjuhën e saj për fjalë të ulëta. Të sillet mirë me të afërmit e të burrit, ashtu si vetë ai, pasi që nuk mund të sillet mirë me burrin e saj, nëse ajo sillet keq me prindërit apo të afërmit e tij. Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe qëndroni në shtëpitë tuaja (u drejtohet grave) dhe mos e shfaqni veten siç bënin më parë në kohën e injorancës.” [El Ahzab: 33].

Dhe thotë: “…atëherë mos flisni me zë të ëmbël, se mos ndonjë me sëmundje në zemër shtyhet nga dëshira e ligë, por flisni të folur të ndershëm e të drejtë.” [El Ahzab: 32].

“Allahut nuk i pëlqen që e keqja të thuhet hapur faqe të gjithëve, përveç atij të cilit i është bërë padrejtësi.” [En Nisa: 148].

“Thuaju edhe besimtareve të ulin prej shikimeve të tyre (nga të vështruarit e gjërave të ndaluara) dhe t’i mbrojnë vendet e turpit, si dhe të mos i nxjerin hapur zbukurimet e tyre përveç asaj që është e dukshme, dhe të zgjasin vello mbi rroben e tyre (që mbulon gjithë trupin nga koka deri në fund të këmbëve, flokët, qafën e gjoksin)…” [En Nur: 31].

Ndërsa i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Gruaja më e mirë është ajo e cila kur sheh tek ajo, të gëzon. Kur e urdhëron, të bindet. Dhe kur je në mungesë (në udhëtim), ajo të ruan ty në veten e saj dhe në pasurinë tënde.”[14]

Dhe thotë: “Mos i ndaloni robëreshat e Allahut nga (të shkuarit në) xhamitë e Allahut dhe kur ndokujt nga ju i kërkon leje gruaja e tij që të shkojë në xhami, të mos e ndalojë atë!”[15]

Gjithashtu, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Jepuni leje grave që të shkojnë të falen natën në xhami.”[16] [D.m.th: për faljen e namazeve farze që falen me errësirë, sepse në këtë kohë ato nuk u shfaqen burrave dhe nuk duken nga errësira. (Sh.P)]

[1] E transmeton Tirmidhiu (1163). Shejh Albani e ka konsideruar Hasen-të mirë.

[2] E transmeton Buhariu, Muslimi, etj.

[3] E transmeton Buhariu, Muslimi, etj.

[4] E transmeton Buhariu.

[5] E transmeton Ebu Daudi. Shejh Albani e ka konsideruar Hasen Sahih.

[6] E transmeton Muslimi (18).

[7] E transmeton Buhariu.

[8] E transmeton Buhariu dhe Tirmidhiu.

[9] E transmeton Tirmidhiu (3895), Ibën Maxheh (1977), etj. Shejh Albani e ka konsideruar Sahih-të saktë.

[10] E transmeton Muslimi (21), “Kapitulli i martesës”.

[11] E transmeton Muslimi (122), “Kapitulli i martesës”.

[12] E transmeton Tirmidhiu (1159), Ebu Daudi, etj. Shejh Albani e ka konsideruar Hasen Sahih.

[13] E transmeton Buhariu dhe Tirmidhiu.

[14] E transmeton Kurtubiu (5/170) dhe Taberiu (5/39).

[15] E transmeton Muslimi (30), “Kapitulli i namazit”.

[16] E transmeton Muslimi (139), “Kapitulli i namazit”.