Veprime që i përshtaten natyrës njerëzore

SUNENU EL FITRA

 

“Shkëputur nga libri “Fikhu Suneh

Autor: Sejjid Sabik
Përkthyer nga një grup përkthyesish
Nxjerrja e Haditheve: Bledar Albani


Allahu ka përcaktuar disa veprime, që kanë qenë traditë e të dërguarve të Tij e ne jemi urdhëruar që t’i ndjekim ata. Veprime të tilla Allahu i ka klasifikuar në kategorinë e ritualeve që janë të shpeshta, në mënyrë që të njihen pasuesit e tyre e të dallohen nga të tjerët. Këto veçori njihen si veprime që i përshtaten besimit të natyrshëm. Në vazhdim do të bëjmë sqarimin e tyre.

1- Rreth-prerja (Synetllëku)

Synetllëku është prerje e lafshës së organit mashkullor, që aty të mos grumbullohet papastërti, që më lehtë të ruhet prej urinimit dhe që të mos ndikoj negativisht gjatë marrëdhënieve seksuale.

 Ebu Hurejra ka transmetuar se i Dërguari i Allahut ka thënë: Ibrahimi u bë synet në moshën 80 vjeçare. Ai u bë synet në Kaddum”.[1]

Shumica e dijetarëve thonë se synetllëku është një veprim i detyrueshëm. Shafitë janë të mendimit se një gjë e tillë është e pëlqyeshme që të bëhet në ditën e shtatë pas lindjes.

Ndërsa Sheukani thotë: “Nuk ka ndonjë argument që tregon në mënyrë të qartë se kur është koha e tij dhe nëse është i detyrueshëm”.

 

2.3- Rruajtja e qimeve në pjesët intime të trupit dhe shkulja e qimeve të sqetullave

Të dyja këto janë veprime sunet[2]. Gjithashtu, mjafton që ato të priten apo të shkulen.

 

4.5- Prerja e thonjve, shkurtimi i mustaqeve

Në lidhje me këtë transmetohen hadithe të vërteta.

Ibn Umeri transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Dallohuni prej

idhujtarëve, rritni mjekrat dhe shkurtoni mustaqet!”[3]

Kurse Ebu Hurejra tregon se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Pesë gjëra janë pjesë e fitres, (besimit të natyrshëm): pastrimi i qimeve në pjesët intime, bërja synet, shkurtimi i mustaqeve, shkulja e qimeve nën sqetulla si dhe prerja e thonjve”.[4] Transmeton Grupi.

Muslimani duhet të sigurohet që mustaqet e tij nuk janë aq të gjata sa në to të mblidhen thërrmija ushqimi, bulëza pijesh apo papastërti.

Zejd ibën Erkam transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Ai i cili nuk i shkurton mustaqet e tij, nuk është prej nesh”.[5] Transmeton Ahmedi dhe Nesaiu. Tirmidhiu e ka klasifikuar këtë hadith si të vërtetë.

Është e pëlqyeshme që të rruhen qimet në organet gjenitale, të shkulen qimet e nën-sqetullës, të priten thonjtë dhe të shkurtohen mustaqet çdo javë, praktikë e cila është tepër higjenike. Nëse lihet ndonjë qime e tepërt në trup për një periudhë më të gjatë kohe, ato mund ta bezdisin njeriun. Është e lejueshme që ato të lihen pa u hequr deri në dyzet ditë, por jo më gjatë.

Enesi ka thënë: “Periudha e caktuar kohore brenda së cilës ne duhet të shkurtonim mustaqet, të prisnim thonjtë, të shkulnim qimet e nën-sqetullës dhe të prisnim qimet në organet gjenitale, ishte dyzet net”.[6]Transmeton Ahmedi, Ebu Daudi dhe të tjerë.

 

 

6- Rritja e mjekrës

Ky veprim është tipar dinjiteti. Mjekra nuk duhet të pritet aq e shkurtër sa të duket si një mjekër e rruajtur, dhe as nuk duhet të lihet aq e gjatë sa të bëhet e çrregullt. Është mirë që ajo të jetë mesatare. Ajo gjithashtu konsiderohet pjesë e burrërisë dhe është karakteristikë e posaçme e mashkullit. Transmetohet nga Ibën Umeri se Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Dallohuni prej idhujtarëve, rritni[7] mjekrat dhe shkurtoni mustaqet!”.[8] Muttefekun alejhi.

Buhariu thotë: “Sa herë që Ibën Umeri kryente haxhin apo umren, ai e kapte mjekrën e tij me grusht dhe e priste pjesën që dilte jashtë grushtit të tij”.

 

7- Vajosja dhe krehja e flokëve

 Ebu Hurejra transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë:

 “Ai që ka flokë, duhet t’i respektojë (të përkujdeset për) ato”.[9] Transmeton Ebu Daudi.

Atau ibën Jesar ka thënë: “Një burrë shkoi tek Profeti me flokë dhe mjekër të pakrehur. Profeti iu drejtua atij duke e urdhëruar të rregullonte flokët dhe mjekrën. Ai veproi sikurse i tha i Dërguari i Allahut dhe pastaj u kthye përsëri tek ai. Pas kësaj, Profeti tha: “A nuk është më mirë kështu se sa të vijë ndonjëri nga ju me flokë të pakrehur si të ishte shejtan?!”[10] E transmeton Maliku.

Transmetohet nga Ebu Katade, i cili thotë se ka pasur flokë të gjata deri në shpatulla dhe për këtë pyeti Profetin e ai e urdhëroi që t’i mirëmbante ato e t’i krehte çdo ditë.[11] E transmeton Nesai.

Të rruarit e flokëve është i lejuar dhe po ashtu edhe rritja e tyre, nëse personi që i rrit, kujdeset për to.

Ibn Umeri ka treguar se Profeti (a.s.) ka thënë: “Rruaji të gjithë ose lëri të gjithë”.[12] Transmeton Ahmedi, Muslimi, Ebu Daudi dhe Nesaiu.

Rruarja e një pjese të flokëve dhe lënia e një pjese të tyre është diçka e urryer në Islam.

Nafiu ka treguar nga Ibën Umeri se i Dërguari i Allahut e ka ndaluar Kaza-në. Nafiu e ka pyetur: “Çfarë është Kaza-ja?” Ai është përgjigjur: “Rruarja e një pjese të flokëve dhe lënia e pjesës tjetër”[13]. Muttefekun alejhi.

 

8- Lënia e qimeve të thinjura qofshin në mjekër apo në kokë

Kjo zbatohet si tek burrat ashtu edhe tek gratë. Amr ibën Shuajbi ka treguar nga babai i tij e ai nga gjyshi i tij, se i Dërguari i Allahut ka thënë:

“Mos i shkulni qimet e thinjura pasi ato janë drita e muslimanit. Nuk ka ndonjë musliman që thinjet në Islam e që Allahu me këtë të mos ia shkruajë të mira, ta ngrejë atë në shkallën e shpërblimit dhe t’i fshijë gabimet”.[14] Transmeton Ahmedi, Ebu Daudi, Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ibën Maxhe.

Po ashtu, Enesi ka thënë: “Ne e urrenim veprimin e njeriut, i cili shkulte qimet e bardha nga koka apo nga mjekra e tij”.[15]

 

9- Ndryshimi ngjyrës së qimeve të thinjura, duke përdorur këná, bojë të kuqe, të verdhë etj.

Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Hebrenjtë dhe të krishterët nuk i ngjyrosin flokët, pra, ju dallohuni prej tyre!”.[16] (Pra, ngjyrosini). E transmeton “Grupi”.

Ebu Dherri tregon se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Mënyra më e mirë për ta larguar ngjyrën e thinjur tek flokët tuaj është përdorimi i kënasë dhe ketmit[17].”[18] (Transmetojnë të gjithë autorët e suneve)[19].

Ekzistojnë disa transmetime, të cilat tregojnë se lyerja e flokëve është një vepër e papëlqyeshme,[20]por me sa duket kjo varet nga mosha, tradita dhe zakoni.

Transmetohet nga disa prej sahabëve se është më mirë të mos lyhen flokët, ndërkohë që të tjerët thonë se është më mirë të bëhet një gjë e tillë. Disa përdornin bojë të verdhë, ndërsa të tjerët përdornin kënanë ose ketmin. Disa të

tjerë përdornin shafranin dhe një grup prej tyre përdornin ngjyrën e zezë.

Ibn Haxheri ka përmendur në “Fet’h El Bari” se Zuhri ka thënë: “Ne i lyenim flokët me të zezë nëse fytyra jonë ishte e re, por nëse ajo ishte me rrudha dhe nuk kishim më dhëmbë, nuk i lyenim”.[21]

Kur e sollën Ebu Kuhafen (babain e Ebu Bekrit) para Profetit (a.s.), ky i fundit e vuri re kokën e tij të bardhë dhe tha: “Çojeni atë tek njëra nga gratë e tij dhe le t’ia ndërrojë këtë ngjyrë, por të largohet nga e zeza”.[22] Transmeton “Grupi”, përveç Buhariut dhe Tirmidhiut.

Kjo ka të bëjë me një ngjarje të caktuar dhe nuk mund të përgjithësohet. Për më tepër, e zeza nuk do të ishte ngjyra e përshtatshme për dikë në moshën e Ebu Kuhafes.

 

10- Përdorimi i miskut dhe i llojeve të tjera të parfumeve

Ato janë kënaqësi për shpirtin dhe e aromatizojnë ajrin. Enesi transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Midis gjërave të kësaj bote, dua më shumë gratë dhe parfumet, ndërsa qetësia ime është në namaz”.[23] Transmeton Ahmedi dhe Nesaiu.

Ebu Hurejra transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë:

Nëse ndokush të ofron parfum, mos e refuzo atë, pasi ai është i lehtë për t’u mbajtur dhe ka një erë të mirë”.[24] E transmeton Muslimi, Nesai dhe Ebu Daudi.

Ebu Seidi ka transmetuar se Profeti (a.s.) në lidhje me miskun, ka thënë: “Ai është parfumi më i mirë”.[25] Transmeton “Grupi”, përveç Buhariut dhe Ibën Maxhes.

Nefei ka treguar se Ibën Umeri e kishte zakon të tymoste dhe t’i merrte erë një dege të quajtur “el-elueh” e cila ka një aromë të këndshme, duke mos e përzier me aromat e tjera. Ai përdorte gjithashtu edhe kamfurin së bashku me el-elueh. e Ai thoshte: “Kjo është mënyra se si i Dërguari i Allahut u merrte erë parfumeve të tilla (duke i djegur ata)”.[26] E Transmeton Muslimi dhe Nesai.

 

 

[1] Buhariu 3356, Muslimi 6093, Ahmedi 2/322. Kaddum mund të jetë ndonjë teh a mjet pune që përdor zdrukthtari apo edhe ndonjë emër vendi në Sham.

[2] Me fjalën sunet kuptojmë se ajo punë është traditë e Profetit (a.s.). – Shënim i redaktorit.

[3] Transmeton Buhariu 5892 dhe Muslimi 601.

[4] Buhariu 5889,5891,6297, Muslimi 596, Ebu Daudi 4198, Tirmidhiu 2756, Nesai 11, Ibën Maxheh 292.

[5] Hadith Sahih. “El Mishkat” 4438, “Sahihul Xhami” 6533. E ka nxjerrë Tirmidhiu 2761, Nesai 13, Ahmedi 4/368

[6] Muslimi 598, Ebu Daudi 4200, Tirmidhiu 2758,2759, Nesai 14, Ibën Maxheh 295, Ahmedi 3/122.

[7] Këtë formë urdhërore të foljes, dijetarët i japin shpjegimin e obligimit me këtë urdhër, prandaj thonë që rruajtja e mjekrës është haram.

[8] Hadith Sahih. Nxjerrja e tij u përmend më sipër.

[9] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 500, “Sahihul Xhami” 6493. E ka nxjerrë Ebu Daudi 4163.

[10] Hadith Mursel Daif. “Tamamul Mineh” 69. E ka nxjerrë Maliku 2/949. Por ai ka ardhur me zinxhir të lidhur në hadithin e Xhabirit me shprehje më të plotë se kjo dhe pa përmendjen e mjekrës. Shih “Es Sahiha” 493. 

[11] Hadith Daif. “Tamamul Mineh” 70-73, “Es Sahiha” nën hadithin 2252. E ka nxjerrë Nesai 5237.

[12] Hadith Sahih. “Es sahiha” 1123, “El Mishkat” 4427, “Sahihul Xhami” 212. E ka nxjerrë Ebu Daudi 4195, Ahmedi 5358.

[13] Buhariu 5920, Muslimi 5524, Ebu Daudi 4193, Nesai 5065,5245, Ibën Maxheh 3637.

[14] Hadith Hasen Sahih – me sened të mirë dhe tekst të saktë. “Es Sahiha” 1243, “El Mishkat” 4458, “Sahihu et Targib” 2091. E ka nxjerrë Ahmedi 2/210, Tirmidhiu 2821, Ebu Daudi 4202, Nesai 5067, Ibën Maxheh 3721.

[15] Muslimi 6031, Nesai 5102, Bejhakiu 7/310.

[16] Buhariu 5899, Muslimi 5477, Ebu Daudi 4203, Nesai 5241, Ibën Maxheh 3621, Ahmedi, Ibën Ebi Shejbe 6/49, Bejhakiu 7/309.

[17] Kënaja përmban ngjyrë të kuqërreme, kurse ketmi është bimë që rritet në Jemen dhe që përmban ngjyrë të zezë në të kuqe.

[18] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 1509, “Gajetul Meram” 107. E ka nxjerrë Ebu Daudi 4205, Tirmidhiu 1753, Nesai 5077,5078,5079, Ibën Maxheh 3622, Ahmedi 5/147.

[19] Bëhet fjalë për autorët e katër veprave: 1- Suneni i Ebu Daudit. 2- Xhamiu i Tirmidhiut. 3- Suneni i Nesaiut. 4- Suneni i Ibën Maxhes. – Shënim i redaktorit.

[20] Nuk e ka thënë këtë fjalë dikush tjetër më parë dhe ajo përmban gabim në vetvete. Shih “Tamamul Mineh” 74-83.

[21] Nëse kjo fjalë është e saktë nga Zuhriu, ajo mbetet si fjalë e tij dhe në të nuk ka argument asesi. “Tamamul Mineh” 84.

[22] Muslimi 5476, Ebu Daudi 4204, Nesai 5091, Ibën Maxheh 3624.

[23] Hadith Sahih. “El Mishkat” 5261, “Sahihul Xhami” 3124. E ka nxjerrë Ahmedi 3/285, Nesai 3939.

[24] Muslimi 5844, Ebu Daudi 4172, Nesai 5274.

[25] Muslimi 5842,5843, Ebu Daudi 3158, Tirmidhiu 991,992, Nesai 1904,5134, Ahmedi 3/31.

[26] Muslimi 5845, Nesai 5135, Bejhakiu 3/244.