Tema e dytë

Sprova e Dexhalit

nga Shenjat e Medha te Kiametit

 

Fjala “Dexhal” ka kuptimin mbulues i të vërtetës, pështjellues dhe ngatërrues, dhe Dexhali e ka marrë këtë emër sepse ai e mbulon të vërtetën me të pavërtetën e tij, dhe ua mbulon njerëzve mohimin e vet me gënjeshtrën e tij, maskimin dhe turbullimin e tij.

Këtu është fjala për Dexhalin e madh që do të dalë pak para Kiametit në kohën e Mehdiut dhe Isait (alejhis selam).

Dalja e Dexhalit është nga shenjat e mëdha që paralajmërojnë për afrimin e Kiametit, dhe sprova e tij do të jetë nga sprovat më të mëdha që do kalojë njerëzimi. Ai quhet “mesih” sepse njëri nga dy sytë e tij është i fshirë (i verbuar), ose sepse ai e fshin Tokën duke e shkelur atë për 40 ditët e tij.

Fjala “mesih” është përdorur për të sinqertin, Isanë (alejhis selam), dhe po ashtu për humbësin dhe gënjeshtarin e verbër në njërin sy, Dexhalin.

Kurtubiu thotë: “Në lidhje me domethënien e fjalës “Mesih” ka 23 mendime, të cilat i ka përmendur që të gjitha Hafiz Ebul Hatab në librin “Mexhmeul Bahrajn”.

Këtu është për qëllim mesihu i humbjes, me të cilin njerëzit do të mashtrohen për shkak të gjërave të jashtëzakonshme që do të ketë në dorë si: rënia e shiut, ringjallja e tokës me bimë etj; kurse mesihu i udhëzuar është Isai, i biri i Merjemes (alejhis selam), për të cilin do të flasim më pas.

Për Dexhalin kanë ardhur hadithe të shumta të përcjella në masë (mutevetira) nga brezat e parë të muslimanëve, në të cilat thuhet se ai do të dalë në fund të botës dhe se duhet pasur kujdes nga sprova e tij. I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) e ka përshkruar atë në mënyrë precise dhe të detajuar, në atë mënyrë që do e dallojë çdo musliman i udhëzuar. Për të kanë paralajmëruar edhe pejgamberët e mëparshëm popujt e tyre dhe i kanë treguar cilësitë e tij.

Prej haditheve që kanë ardhur në lidhje me Dexhalin përmendim:

1. Ibën Umeri (radiallahu anhu) transmeton se: “I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) u ngrit para njerëzve, lavdëroi Allahun ashtu si i takon, pastaj përmendi Dexhalin, dhe tha: “Unë ju paralamëroj prej tij; dhe në fakt nuk ka profet para meje që të mos e ketë paralajmëruar popullin e vet prej tij, por unë do ju them për të diçka që nuk asnjë profet nuk ia ka thënë popullit të vet; ai është i verbër në njërin sy, kurse Allahu nuk është i verbër (prandaj mos u mashtroni kur ai të vijë e të thotë se është Zoti).” [Buhariu dhe Muslimi].

2. Ebu Hurejra (radiallahu anhu) thotë: “I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “A t’ju tregoj për Dexhalin diçka që nuk e ka treguar asnjë profet para meje? Ai është i verbër në njërin sy, dhe prej gjërave të mbinatyrshme që do të ketë ai është një zjarr dhe një parajsë; zjarri që thotë ai është parajsë kurse ajo që ai i thotë parajsë është zjarr. Unë po ju paralajmëroj prej tij ashtu si e paralajmëroi edhe Nuhu popullin e vet.” [Buhariu dhe Muslimi].

3. Transmetohet nga Abdullah ibën Umer (radiallahu anhu) se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) përmendi një ditë Dexhalin në mesin e njerëzve dhe tha: “Allahu i Madhëruar nuk është i verbër, kurse mesihu – i prekuri Dexhal është i verbër në syrin e djathtë, sikur të ishte kokërr rrushi që pluskon mbi kokrrat e tjera.” [Buhariu dhe Muslimi].

4. Ebu Seid el Hudri (radiallahu anhu) thotë: “Një ditë, i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) na foli gjatë për Dexhalin, dhe ndër të tjera, ai tha: “Kur të vijë Dexhali, do ta ketë të ndaluar të hyjë në Medine, kështu që do të ndalojë te një tokë e kripur afër Medines. Atë ditë do të dalë tek ai një burrë nga njerëzit më të mirë dhe do i thotë atij: “Unë dëshmoj se ti je Dexhali për të cilin na ka treguar i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem).” Kurse Dexhali do të thotë: “Si thoni nëse unë e vras këtë njeri pastaj e ringjall atë, a do të dyshoni tek unë?” Të pranishmit do të thonë: “Jo!” Atëherë ai do e vrasë atë dhe pastaj do e ringjallë, kurse ai burri do të thotë: “Pasha Allahun! Unë të shoh më qartë se tani se kush je në të vërtetë!” Atëherë Dexhali do të tentojë ta vrasë, por nuk do të mundet.” [Buhariu dhe Muslimi].

5. Enes ibën Maliku (radiallahu anhu) transmeton se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Nuk është dërguar ndonjë Pejgamber që të mos e ketë paralajmëruar popullin e vet nga gënjeshtari mashtrues; ai është i verbër në njërin sy, kurse Zoti juaj nuk është i verbër. Mes dy syve të tij është shkruar “K.F.R” (Kefera, ose Kufër).” [Buhariu dhe Muslimi]. Neveviu thotë se ky është shkrim i vërtetë, me këto gërma, dhe atë do e shohë dhe do e lexojë qartë çdo musliman i ditur apo analfabet.

6. En Nevas ibën Sem’an (radiallahu anhu) thotë: “Një ditë paradite, i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) përmendi Dexhalin dhe gjatë fjalës, ai e ngrinte zërin dhe e ulte atë, sa që menduam se ai ishte pas pyllit të palmave. Kur shkuan tek ai mbasdite, ai e vëreu që ishim të frikësuar dhe na tha: “Çfarë keni?” Ne i thamë: “Përmende Dexhalin sot paradite dhe herë e ngrije zërin e herë e ulje, sa që menduam se ai është pas pyllit të palmave!” Ai (salallahu alejhi ue selem) tha: “Diçka tjetër përveç Dexhalit ia kam frikën për ju, sepse nëse ai del sa jam unë në mesin tuaj, unë do përballem me të dhe jo ju, por nëse ai del kur unë të mos jem më, atëherë çdokush të ruhet vetë, e Allahu është Trashëguesi im për çdo musliman; Dexhali është një burrë i ri me flokë kaçurrela dhe njëri sy i tij pluskon. Unë mund ta krahasoj atë me AbdulUza ibën Kutn. Kush e ndesh atë prej jush, të lexojë ajetet e para të sures El Kehf. Ai do të dalë në një rrugë mes Levantit (Sirisë) dhe Irakut, dhe do të bëjë shkatërrime të mëdha djathtas e majtas. O robër të Allahut! Bëhuni të qëndrueshëm në fenë tuaj!” Ne i thamë: “O i Dërguari i Allahut! Sa do të qëndrojë ai në Tokë?” Ai tha: “Dyzet ditë; një ditë sa një vit, një ditë sa një muaj dhe një ditë sa një javë, kurse ditët e tjera njësoj si ditët tuaja.” I thamë: “O i Dërguari i Allahut! Atë ditë që do të jetë sa një vit, a do të na mjaftojë namazi i një dite?” Ai (salallahu alejhi ue selem) tha: “Jo! Por përcaktojeni vetë aq sa i takon.” I thamë: “O i Dërguari i Allahut! Me çfarë shpejtësie do të lëvizë ai në Tokë?” Ai tha: “Si shiu i ndjekur nga furtuna. Në çdo vend që shkon, do i ftojë njerëzit që ta besojnë atë dhe ata do i besojnë dhe do i përgjigjen; ai do të urdhërojë qiellin të zbresë shi dhe do të bierë shi, toka do të mbijë bimët, bagëtitë e tyre do të kthehen në mbrëmje nga kullota me gunga më të larta, me gji më të mbushura, me ije më të fryra (nga ngopja); pastaj do të shkojë te një popull dhe do i ftojë që t’i besojnë atij, por ata do ia kthejnë fjalën; atëherë ai do të largohet prej tyre, dhe në mëngjes ata do të gdhihen të skamur, nuk do të zotërojnë asgjë. Pastaj, ai do të kalojë pranë një rrënoje dhe do i thotë: “Nxirri thesaret e tua!” Dhe thesaret e saj do dalin dhe do e ndjekin atë sikur të ishin bletë që mblidhen rreth bletës mashkull. Pastaj do thërrasë një djalë të ri në moshë, do e godasë me shpatë dhe do e ndajë në dy pjesë mes të cilave kalon shpata, pastaj do e thërrasë dhe ai do ecë, do të thotë “La ilahe il-la Allah” dhe do të qeshë. Ndërkaq, Allahu do të dërgojë Mesihun, birin e Merjemes (alejhi selam), i cili do të zbresë te Minarja e Bardhë në lindje të Damaskut, i veshur me dy rrobe të ngjyrosura me shafran, me duart të vendosura mbi krahët e dy engjëjve; kur tund kokën, ajo i kullon (ujë) dhe kur e ngre atë, prej saj zbresin kokrra uji si perla. Çdo mohues (jomusliman) që e ndjen aromën e frymës së tij, vdes në vend; e fryma e tij arrin atje ku i arrin shikimi. Ai do të ndjekë Dexhalin deri sa ta arrijë te porta e “Luddit” (fshat mes Palestinës dhe Jordanisë) dhe do e vrasë atë. Pastaj, Isa ibën Merjem do të shkojë te një grup njerëzish të cilët Allahu i ruajti nga Dexhali, do iu fshijë fytyrat dhe do iu tregojë gradat e tyre në Xhenet. Ndërkaq, Allahu do i shpallë Isait, birit të Merjemes: “Unë kam nxjerrë disa robër të Mi, të cilëve nuk mund t’i dalë askush para që t’i luftojë, prandaj ruaji robët e Mi prej tyre te mali i Turit. Atëherë Allahu dërgon Jexhuxhët dhe Maxhuxhët, të cilët dalin nga çdo kodër; të parët e tyre do të kalojnë te liqeni i Tabarijas (Deti i Galileut në Palestinë) dhe do të pijnë prej tij, pastaj kalojnë të fundit dhe thonë: “Dikur këtu ka pasur ujë!” Profeti i Allahut, Isai dhe shokët e tij do të rrethohen prej tyre, sa që koka e viçit do të jetë më e mirë për ta se 100 dinar ari (nga uria dhe gjendja e vështirë), atëherë Profeti i Allahut, Isai dhe shokët e tij do i drejtohen Allahut, dhe Allahu do të dërgojë krimba në qafat e tyre e ata do të vdesin të gjithë njëherësh sikur të ishin një trup i vetëm. Pastaj Allahu do e zbresi profetin e Tij, Isën dhe shokët e tij në tokë (zbresin nga mali i Turit), por ata nuk do të gjejnë asnjë pëllëmb vend pa u mbushur me kufomat dhe kërmat e tyre, kështu që profeti i Allahut Isai dhe shokët e tij i drejtohen Allahut (me lutje), pastaj Allahu dërgon një shi që nuk e ndalon asnjë shtëpi prej guri apo balte (hyn në çdo vend) dhe e lan Tokën duke e lënë atë si pasqyrë që shkëlqen. Pastaj do i thuhet Tokës: “Mbij frytet e tua dhe ktheje bereqetin tënd. Atë ditë një grup njerëzisht do të mjaftohen me një kokërr shege dhe do të bëjnë hije me lëkurat e saj. Do i jepet bereqet qumështit, sa që kulloshtra e një deveje që sapo ka lindur, i mjafton një grupi të madh njerëzisht, kurse kulloshtra e lopës do i mjaftojë një fisi dhe ajo e deles do i mjaftojë një familje. Ndërkaq, Allahu dërgon një aroma të mirë, e cila i prek ata poshtë sqetullave të tyre dhe i merr shpirtin çdo besimtari dhe muslimani. Atëherë do të mbesin në Tokë njerëzit më të këqinj të cilët kryejnë marrëdhënie seksuale në publik ashtu si bëjnë gomerët; mbi ta do të bëhet Kiameti.” [Muslimi].

A ESHTE ÇESHTJA E DEXHALIT NGA BESIMI?

El Hatabi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Këto hadtihe që i ka përmendur Muslimi e të tjerë në lidhje me Dexhalin, janë provë e prerë e ndjekësve të vërtetës për vërtetësinë e ekzistencës së Dexhalit, dhe se ai është një personazh real me të cilin Allahu do të sprovojë njerëzit. Allahu do i japë fuqi atij të bëjë disa nga gjërat që mund t’i bëjë vetëm Allahu, siç është ngjallja e të vdekurit pas vrasjes së tij, shfaqja e stolive të dynjasë dhe bollëku që ai do ketë, parajsa dhe zjarri që ai do ketë, ndjekja që do i bëjnë atij thesaret e Tokës, urdhrimi i qiellit për të rënë shi dhe i Tokës për të mbirë bimët; gjëra të cilat do të ndodhin në duart e tij me fuqinë e Allahut dhe vullnetin e Tij. Më pas, Allahu do ia marrë fuqitë atij dhe ai nuk do të mund ta vrasë atë burrin që e ringjalli dhe as të tjerët, do i mbarojnë fuqitë dhe Isai do e vrasë atë. Gjatë sprovës së tij, Allahu do i bëjë të patundur besimtarët. Kjo është rruga dhe besimi i Ehli Sunetit dhe Xhematit, i dijetarëve të Hadithit, të Fikhut dhe studiuesve, në kundërshtim me ata që e mohojnë atë dhe çështjen e tij prej Havarixhëve[1], Xhehmive[2] dhe disa Mutezilive[3]; dhe në kundërshtim me Buhariun mutezili (është person tjetër nga Buhariu i Sahihut) dhe ata që thonë si ai prej Xhehmive e të tjerë, se Dexhali ekziston, por pretendimi se ai do të ketë fuqi të mbinatyrshme është i pavërtetë, sepse sikur të ishte i vërtetë, nuk mund të lidhet me mrekullitë e Profetëve.

Të gjitha këto supozime janë gabim nga ana e tyre, sepse Dexhali nuk do të thotë se është profet, që ato fuqi të mbinatyrshme që do të ketë të vërtetojnë fjalën e tij, por ai do të thotë se është zot, megjithëse edhe në këtë rast është gënjeshtar gjithësesi për shkak se gjendja dhe fiziologjia e tij e kundërshton këtë pretendim; provat e krijimit të tij, mangësitë në krijimin e tij, defekti në syrin e tij të cilin ai nuk mund ta heqë nga vetja, po kështu parullën me shkrimin “KEFERA” në ballin e tij nuk mund ta heqë. Me gjithë këto prova e të tjera, nuk mashtrohet prej tij veçse disa njerëz të varfër, për të larguar urinë dhe varfërinë, në kërkim të mbushjes së barkut apo nga frika se ai do i bëjë keq; sepse sprova e tij do të jetë vërtetë e madhe; ta merr mendjen dhe i pështjellon njerëzit me logjikë, sidomos me shpejtësinë që ai do të lëvizë nëpër Tokë, sa që të dobtit nuk do të kenë kohë të mendohen dy herë rreth vërtetësise dhe gjendjes së tij. Prandaj, profetët kanë paralajmëruar prej sprovës së tij dhe kanë vënë theksin mbi mangësitë fiziologjike të tij dhe te provat që e rrëzojnë pretendimin e tij.

Sa i përket besimtarëve dhe atyre që Allahu i jep sukses, ata kurrë nuk mashtrohen nga ai dhe nga veprat e tij të mbinatyrshme që në realitet janë mashtrime të syve dhe jo-reale, sepse ata e dinë që më parë të vërtetën rreth tij, prandaj ai që vritet nga Dexhali pastaj ringjallet, do të thotë: “Tani mu shtua edhe më shumë shikimi i të vërtetës rreth teje.” [Sqaruesi i Sahihut të Muslimit, i Neveviut, 18/58-59].

Hadithet tregojnë se Dexhali do të hyjë në çdo vend, me përjashtimt ë Mekes dhe Medines; siç e tranmeton Enesi (radiallahu anhu), se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Nuk do të ketë vend që Dexhali të mos e shkelë, me përjashtim të Mekes dhe Medines. Ai nuk do të ketë asnjë shteg prej shtegjeve të atyre dyjave, sepse në çdo shteg ka engjëj të rreshtuar që i mbrojnë ato. Pastaj Medina do të dridhet dhe tundet bashkë me banorët e saj tre herë, dhe Allahu do të nxjerrë prej saj të gjithë mohuesit dhe hiporitët.” [Buhariu dhe Muslimi].

Ibën Haxheri (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Fjala e të Dërguarit (salallahu alejhi ue selem): “Nuk ka vend që Dexhali të mos e shkelë” merret ashtu si është, me kuptim të drejtpërdrejtë, tek shumica e dijetarëve, me përjashtim të Ibën Hazmit, i cili thotë: “Veçse do të hyjnë në to të dërguarit e Dexhalit dhe ushtria e tij.” Sikur ai e quan të pamundur hyrjen e vetë Dexhalit në të gjitha vendet e botës brenda një kohe të shkurtër që do të qëndrojë në tokë, duke i shpëtuar fjala e të Dërguarit (salallahu alejhi ue selem), që e ka nxjerrë Muslimi në Sahihun e tij, se një prej ditëve të tij do të jetë sa një vit..” [Fet’hul bari, 4/96].

I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) e ka sqaruar edhe kohën e qëndrimit të tij në tokë pas daljes së tij, dhe se vrasja e tij do të jetë në duart e Isait, birit të Merjemes, siç e pamë në hadithin e mësipërm.

Pra, dalja e Dexhalit dhe sprova e madhe e tij, tmerrimi i njerëzve nga ai dhe sjellja e fatkeqësive atyre, si dhe gjërat e mbinatyrshme për sytë që do të zotërojë ai, këto janë nga shenjat e mëdha të Kiametit.

I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) i kërkonte mbrojtje Allahut nga sprova e Dexhalit në çdo namaz dhe jashtë namazit, dhe e urdhëroi popullin e vet që ta bëjnë të njëjtën gjë.

Transmetohet nga Zejd ibën Thabit (radiallahu anhu) se ai ka thënë: “Ndërkohë që i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ishte pranë kufirit rrethues të pronës së fisit Nexhar, i hipur mbi një mushkë, dhe ne ishim bashkë me të, veç kur mushka dredhëroi dhe për pak sa e rrëzoi; aty ishin varret e gjashtë, pesë ose katër njerëzve. I Dërguari tha: “Kush i njeh të vdekurit që janë në këto varre?” Njëri nga ne tha: “Unë.” I Dërguari tha:

– Kur kanë vdekur?

– Kanë vdekur duke qenë idhujtarë, -tha ai.

– Ky popull sprovohet në varret e tyre. Sikur të mos varroseshit, do lusja Allahut t’ju bënte të dëgjonit dënimin e varrit.

Të gjithë ata që ishin aty thanë: “Allahu na ruajtë nga Zjarri!

Kurse i Dërguari (salallahu alejhi ue selem) tha: “I kërkoni mbrojtje Allahut nga dënimi i varrit!”

– I kërkojmë mbrojtje Allahut nga dënimi i varrit, -thanë ata.

– I kërkoni mbrojtje Allahut nga sprovat, ato të shfaqura dhe ato të fshehta, – tha i Dërguari (salallahu alejhi ue selem).

– I kërkojmë mbrojtje Allahut nga sprovat e shfaqura dhe të fshehta, – thanë ata.

– I kërkoni mbrojtje Allahut nga sprova e mesihit Dexhal, -tha ai.

– I kërkojmë mbrojtje Allahut nga sprova e mesihit Dexhal, -thanë ata.” [Muslimi].

I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) i udhëzoi besimtarët në gjëra që i mbrojnë ata nga sprova e Dexhalit, siç ka ardhur në hadithin e Ebu Darda, se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Kush mëson dhjetë ajete nga fillimi i sures el Kehf, është i mbrojtur nga Dexhali.” [Muslimi, Ebu Daudi, Tirmidhiu].

Muslimi thotë: “Shu’beh thotë: “Nga fundi i sures el Kehf”, kurse Hemami thotë: “Nga fillimi i sures el Kehf”. [Muslimi].

Kurse, el Menavi sqaron shkakun e mbrojtjes nga Dexhali me leximin e këtyre ajeteve të sures el Kehf: “Kjo sepse në suren el Kehf përmendet historia e banorëve të shpellës si një prej provave dhe gjërave të mbinatyrshme, dhe ai që i njeh këto gjëra dhe e di se Allahu ka bërë gjëra të tilla si prova për njerëzit në Tokë, nuk habitet nga çështja e Dexhalit dhe nuk mashtrohet nga ai; ose sepse kush mediton rreth këtyre ajeteve dhe domethënies së tyre, ato i tërheqin vërejtjen dhe e paralajmërojnë atë, kështu që ai sigurohet nga Dexhali; ose sepse kjo veti është veçori që Allahu e ka vendosur te kjo sure.” [Fejdul Kadir, 6/118].

Surja el Kehf ka rëndësi të madhe, dhe në të përmenden gjëra të mbinatyrshme, mrekulli e prova të cilat kush i mediton, mbrohet nga sprova e Dexhalit. Prandaj ka ardhur edhe nxitje për leximin e saj veçanërisht në ditën e Xhuma, si në hadithin e transmetuar nga Ebu Seid el Hudri (radiallahu anhu) se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Kush e lexon suren el Kehf në ditën e Xhuma, ndriçohet nga drita sa mes dy të xhumave.” [Sahih; e ka nxjerrë Hakimi në Mustedrak; Hadithi gjendet në el Irva me nr. 626].

 

_____________________________________

[1] Havarixhët janë ata që dolën kundër prijësit të besimtarëve, Ali ibën Ebi Talibit, në vitin 37 AH; dhe që i bashkon mohimi i pushtetit të Uthmanit dhe Aliut (radiallahu anhuma); dhe që me përjashtim të Nexhdive prej tyre, i bashkon gjithashtu konsiderimi kafir i çdokujt që bën një gjynah të madh dhe se ai do të jetë përgjithmonë në Zjarr nëse do të vdesë duke e bërë atë gjynah, sipas tyre. Për sharjen e tyre dhe nxitjen për luftimin e tyre kanë ardhur shumë hadithe të sakta. Ata janë ndarë në rreth 20 grupe, dhe nga emrat e tyre është edhe emri “Harurije”. Shih: Telbis Iblis (f.9), “El Milel ue Nihal” (1/114), dhe librin tonë “Metoda e Selefëve në Trajtimin e Fitneve”.

[2] Xhehmijet janë ndjekësit e el Xhehm ibën Safvan i cili ka thënë se njerëzit janë të detyruar për kryerjen e veprave dhe nuk kanë asgjë në dorë, dhe se besimi është thjesht njohja e Allahut kurse kufri është mos-njohja e Tij. Këta thonë gjithashtu se Xheneti dhe Xhehenemi do të mbarojnë dhe do të shuhen. Shih: El Ferku bejnel Firak (f.211), El Milel uen Nihal (1.76).

[3] Janë quajtur mu’tezile (të veçuar nga të tjerët) për shkak të veçimit të Vasil ibën Ata dhe Amër ibën Abid –dy prej kokave të tyre- nga mexhlisi (tubimi, mësimi) i el Hasen el Basri, për shkak se këta thonin se personi që bën gjynah të madh nuk është as besimtar as kafir. Thuhet gjithashtu se janë quajtur mutezile për shkak të ndarjes nga menhexhi dhe rruga e Ehli Sunetit dhe Xhematit. Nga besimet e tyre është mohimi i të gjitha Cilësive dhe Atributeve të Allahut të Madhëruar, se Kurani është i krijuar, se Allahu nuk do të shihet në botën tjetër, etj. Grupet e tyre arrijnë në gati 20 grupacione. Shih: Mekalatul Islamijin (1/235), el Ferku bejnel firak (f.11), el Burhan fi mearifeti akaidi ehlil edjan (f 49).