SISTEMI FAMILJAR NE ISLAM

 

Autor: Muhamed ibën Ali el Xhami
Përktheu: Unejs Shuajb Murati
Recensoi: Bledar Albani


Këtu do të gjeni:

Qëllimet e martesës në Islam

Kush e udhëheq institucionin familjar

Përgjegjësia e gruas në familje

Islami nuk i ka bërë padrejtësi gruas

Gruaja gëzon të njëjtat të drejta civile si edhe burri

Të drejtat fetare të gruas muslimane

Liria e gruas muslimane në martesë

Trashëgimia e gruas në Islam

Udhëtimi i gruas në Islam

Qëndrimi Islamit në lidhje me zbukurimin e gruas, përzierjen dhe të veçuarit e saj menjë mashkull të huaj

Qëndrimi i Islamit në lidhje me punësimin e gruas

Dhënia fund jetës bashkëshortore

Përse Islami e ka lënë shkurorëzimin vetëm në dorën e burrit


Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirëshmit, Mëshirëplotit

Falënderimi i takon Allahut. Paqja, bekimi dhe begatitë e Allahut qofshin mbi Muhamedin, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që pasojnë rrugën e tij!

Universiteti Islamik në Medinen e Ndritshme mori një ftesë bujare nga Këshilli i Lartë i muslimanve të Kenias në Najrobi, për pjesëmarrjen në një simpozium Islam të begatë, inshaAllahu![1]

Universiteti u ngrit menjëherë për përgjigjjen e kësaj ftese dhe kërkoi nga unë që të merrja pjesë në këtë simpozium si përfaqësues i tij, me një studim të posaçëm me këtë rast.

Unë e pranova kërkesën, pasi që sigurisht se kërkesë si kjo nuk refuzohet, sepse pranimi i kësaj kërkese është kontribut në një nga fushëbetejat e thirjes për te Allahu, e cila është nga synimet kryesore të Universitetit, ku edhe për atë është themeluar.

Ja, unë po paraqes këtë studim të thjeshtë e simbolik, të titulluar: “Sistemi Familjar në Islam”.

Lus Allahun e Madhëruar që t’i bëjë veprat tona vetëm për Fytyrën e Tij të Ndershme! Ai është Dhuruesi më Bujar.

I mbështetur në Allahun e Madhëruar, them:

Thirrja Islame bëhet në kahje të shumta dhe forma të ndryshme. Nga format e kësaj thirrjeje është edhe organizimi i seminareve dhe konferencave në të cilat takohen burrat e mendimit Islam dhe dijetarët-fukahat e muslimanve për zgjedhjen e problemeve të kohës, duke iu kundërvënë dyshimeve të cilat ngrehin pluhur rreth Islamit dhe besimit të muslimanve dhe duke ua qartësuar njerzëve dispozitat e fesë Islame në të gjitha kahjet e jetës, gjëra të cilat kanë nevojë për shqarime (e sa janë të shumta këto gjera) me qëllim që njerëzit të kenë të qartë çështjet e fesë dhe dunjasë së tyre. E të gjitha këto të jenë në frymë të Kuranit dhe Sunetit, që njerëzit të dalin nga errësira në dritë, dhe nuk ka rrugë tjetër për dalje nga errësira e injorancës dhe injoranca, veçse duke kuptuar Kuranin dhe Sunetin, gjë kjo e cila ka qenë edhe detyra e të gjithë Pejgamberëve (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi ta!), nga i pari i tyre Nuhu (alejhi selam) e deri tek vula dhe imami i tyre, Muhamedi (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të!).

Allahu i Madhëruar i drejtohet të Dërguarit të Tij të ndershëm, Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), duke ia qartësuar atij dhe pasuesve të tij detyrën e tyre: “O ti Pejgamber! Me të vërtetë që Ne të kemi dërguar ty dëshmues, përgëzues e këshillues. Dhe me Vullnetin e Allahut, thirrës për në Rrugën e Tij dhe pishtar ndriçues. E përgëzoi besimtarëve prej Allahut mirësi të madhe”. [El Ahzab: 45-47].

Këto tre ajete të sures el Ahzab qartësuan detyrën e të dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe gjithashtu edhe detyrën e pasuesve të tij.

E ajo detyrë është thirrja tek Allahu me Lejën e Tij, me Urdhërin e Tij dhe me dije të sigurtë. Allahu në Kuran thotë: “Thuaj: “Kjo është rruga ime. Unë iu ftoj drejt Allahut me dije të sigurt, unë dhe kushdo që më ndjek mua.” [Jusuf: 108]

Të ngarkuarit e Allahut të Dërguarin e Tij me këtë thirrje të përgjithëshme e që është e posaçme për popullin e tij e jo të tjerët, siç ka qenë edhe çështja e thirrjeve të Pejgamberëve para tij, por kjo është për njerëzit në përgjithësi: “Ne nuk të kemi dërguar ty veçse përgëzues dhe këshillues për gjithë njerëzimin, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” [Sebe: 28]

E ky obligim për të dhe për pasuesit e tij, i konfirmohet atij e pastaj edhe pasuesve të tij, që të jenë dëshmitarë për njerëzit në përgjithësi.

Kjo do të thotë se mesazhi Muhamedan është dominues mbi të gjitha fetë. Feja e tij është programi i fundit e që nuk ka mundësi robi të zgjedhë diçka tjetër përveç tij dhe as nuk lejohet kundërshtimi i tij.

Ai është program i plotë Hyjnor, sepse Allahu i Cili e krijoi këtë krijesë të shkëlqyeshme, “njeriun”, nuk mund ta lerë atë në harresë, pa e urdhëruar dhe ndaluar apo drejtuar, apo ta lerë atë ta marrë era e ta flakërojë vend e pa vend; që pastaj të lejojë apo të ndalojë sipas tekeve të veta, të afrojë apo të largojë kë të dojë. Përkundrazi, Ai ia programoi jetën atij si dhe marrëdhëniet e ndryshme dhe dërgoi të dërguar për këtë qëllim të posaçëm, u zbriti atyre Librat e Tij dhe u dërgoi atyre vulën e të Dërguarve të tij, Muhamedin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), pas të cilit nuk ka të dërguar tjetër. Edhe libri i Tij i fundit është Kurani, pas të cilit nuk ka libër tjetër qiellor. Sqarim për këtë është Kurani, shpjegimi i të cilit gjendet në sunetin e pastër. Allahu i Madhëruar thotë: “…ndërsa edhe ty (O Muhamed) të kemi zbritur përkujtuesin me këshilla, që ti t’u shpjegosh njerëzve qartë atë që u është zbritur atyre.” [Nahl: 44]

Me të gjitha këto, Islami ka sistemuar marrëdhëniet mes robit dhe Zotit të tij, Krijuesit të tij, në mënyrë që të bëhet rob vetëm i Atij, ta adhurojë vetëm Atë e askënd tjetër. Që ta adhurojë Atë me adhurime të përcaktuara e konform dispozitave të Sheriatit Islam.

Këtë gjë e ka sistemuar Kurani në mënyrë të përsosur, në vija të përgjithshme dhe të hollësishme, dhe atë e ka sqaruar Suneti i pastër edhe më shumë duke ia shtuar atij qartësinë, me gjithë degëzimet dhe gradët e tyre të shumta. I Dërguari ynë (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: “Besimi është gjashtëdhjetë e disa gradë. Më e larta e tyre është fjala “La ilahe il lAllah”, dhe më e vogla është largimi i pengesës nga rruga. Edhe turpi është degë nga degët e besimit.”[2]

E këto degë të gjitha janë adhurime dhe bindje, pavarësisht nga dallimi dhe diferenca mes tyre.

Të gjitha adhurimet duhet të jenë të caktuara nga legjimiteti i Allahut të Madhëruar. Të merren direkt nga Libri i Allahut dhe nga Suneti i të Dërguarit të Tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Bindja dhe sjellja e robit duhet të jetë pikërisht mbi këtë rrugë në të gjitha adhurimet, marrëdhëniet dhe të gjitha veprimet e tij, gjë e cila është pikërisht ajo që kemi për qëllim me lidhjen mes robit dhe Zotit të tij. E ajo është “adhurimi i pastër”, e verteta e të cilit është që Zoti ta gjejë robin e Tij aty ku e ka urdhëruar dhe të mos e gjejë atë aty nga e ka ndaluar. E nëse ndonjëherë rrëshqet dhe e kundërshton Urdhërin e Allahut, ai shpejton në pendim dhe kthehet në të mirën, që të pastrojë gjurmët e kundërshtimit të Allahut dhe bërjes mëkat ndaj Tij, me pendim dhe përgjërim, pasiqë pendimi e fshin atë që është bërë para tij: “Dhe që të gjithë ju lutni Allahun që t’ju falë të gjithëve, o besimtarë, që të mund të jeni të fituar.” [En Nur: 31]

Shkurtimisht, kështu e ka sistemuar Islami lidhjen mes robit dhe Zotit e Krijuesit të tij.

E po kështu siç ka sistemuar këtë lidhje, në mënyrën që përmendem, Islami i ka dhënë një rëndësi të veçantë edhe sistemit familjar.

Islami ka nxitur në formimin e institucionit familjar me legjitimitetin e martesës, duke kurajuar për të dhe duke qartësuar se martesa është qetësim për të dy palët, prehje, qetësim trupëror, qetësim shpirtëror dhe zgjatje e jetës në tokë deri në momentin e fundit.

Të dëgjojmë tani disa ajete kuranore në këtë kuptim, ku Allahu i Madhëruar i nxit robët e Tij për martesë duke u thënë: “…atëherë zgjidhni gra të tjera për martesë, dy ose tri ose edhe katër”. [Nisa: 3]

“Dhe nga Treguesit e Tij është se Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë) në mesin tuaj, që ju të mund të gjeni prehje tek ato dhe Ai vendosi mes jush dhëmbshuri e mëshirë. Vërtet që në të ka tregues të qartë për popullin që e vret mendjen.” [Er Rum: 21]

“Ato janë Libas (mbështellje, mbështetje, vend prehje -Sakan- d.m.th., ju ndjeni kënaqësi të jetoni bashkë, ndjeni qetësim e kënaqësi në bashkëjetesën tuaj. Tefsir AtTabari) për ju, ashtu siç jeni edhe ju Libas për ato.” [Bekare: 187]

“Gratë tuaja janë burim i vazhdimësisë suaj, kështu që afrojuni këtij burimi kur dhe si të doni dhe dërgoni (vepra të mira, lutjuni Allahut t’ju dhurojë juve pasardhës të përkushtuar) para jush për veten tuaj. Dhe kini frikë Allahun dhe dijeni se do ta takoni Atë (në Botën e Përtejme). Dhe përgëzoi besimtarët.” [Bekare: 223]

Kështu flet Kurani për institucionin familjar në ajete të shumta dhe në forma të ndryshme siç e vërejtëm, ashtu siç do të shohim përsëri në Suren Nisa, e cila do të na qartësojë se të dyja palët e këtij institucioni janë krijuar nga i njëjti trup, kështu që nuk ka privilegjim të njërës palë mbi shoqen e saj për nga origjina e krijimit apo nga prejardhja, megjithëse kjo vërehet në çështjet e jashtme dhe elemente të tjera apo cilësi të fituara. Në lidhje me këtë, Allahu i Madhëruar thotë: “O njerëz! Jini të bindur (dhe mbushni detyrimet) ndaj Zotit tuaj, i Cili ju krijoi ju prej një veteje (Ademit) dhe nga ajo Ai krijoi palën (bashkëshorten) e saj, dhe nga ata të dy Ai krijoi burra dhe gra të shumtë.” [Nisa: 1]

Kështu nxit Islami për formimin e familjes, që ajo të jetë jetëgjatë dhe lumturi për të dy anët.

 

Qëllimet e martesës në Islam

 

Legjitimiteti Islam është legjitimitet i urtësisë i cili ka qëllimet dhe synimet e tij.

Nga Emrat e Allahut të Lartëmadhëruar është edhe emri “Më i Urti”, për këtë jemi të obliguar të besojmë se Allahu është Më i Urti në legjitimitetin e Tij ashtu siç është edhe Më i Urti në krijimin dhe veprën e Tij.

Prej këtu, legjitimiteti i martesës përmban në vetvete shumë gjëra prej të cilave janë edhe këto në vijim:

a) Ulja e shikimit nga të dyja palët:

Islami, në Kuranin e tij dhe në sunetin e Pejgamberit të ndershëm (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), ka treguar kujdes të veçantë për këtë çështje. Allahu i Madhëruar, duke urdhëruar burrat dhe gratë së bashku për uljen e shikimeve, thotë: “Thuaju besimtarëve që të ulin shikimin (nga të vështruarit e gjërave të ndaluara) dhe t’i ruajnë vendet e trupit (nga shikimi, veprimet e paligjshme imorale). Kjo është më e pastër për ta. Vërtet që Allahu është i Mirënjohur për çfarë veprojnë ata. Thuaju edhe besimtareve të ulin shikimin (nga të vështruarit e gjërave të ndaluara) dhe t’i mbrojnë vendet e trupit të tyre.” [En Nur: 30-31]

Sigurisht që nënvlerësimi i çështjes së uljes së shikimeve shpie në prishjen e moralit, siç po e shohim në shumë qytete dhe kryeqytete tona, me keqardhje të madhe.

b) Ruajtja e vendeve të turpshme:

Ajetet që përmendëm më sipër trajtuan pikërisht këtë gjë, ruajten e vendeve të turpshme me urdhërin për ulje të shikimeve, se ndoshta e dyta është rezultat i të parës. Ulja e shikimeve rezulton në ruajtjen e vendeve të turpshme në shumicën e rasteve, sepse atij që i mundësohet mbikqyrja e Allahut, atëherë ulja e shikimit nga të ndaluarat duke pasur frikën e Allahut dhe duke pasur turp nga Ai, do të shpjerë detyrimisht në ruajtjen e vendeve të turpëshme nga ajo që Allahu ka ndaluar dhe në mosrënien në gjynahe.

Është përcjellë nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) fjala e tij: “Sytë bëjnë zina dhe zinaja e tyre është të shikuarit (e haramit). Edhe veshët bëjnë zina dhe zinaja e tyre është të dëgjuarit (e haramit)…” derisa tha: “Ndërsa organi gjenital e vërteton ose e përgjënjeshtron këtë…”[3]

c) Mundësimi i shtimit të pasardhësve:

Padyshim që kjo është lënda e parë në ndërtimin e shoqërisë dhe shkak i shumimit të pasuesve të vulës së të dërguarve (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) .

Këtë gjë e qartëson edhe më shumë hadithi të cilin e transmeton Buhariu në “Sahihin” e tij, nga Abdullah ibën Mesudi, ku i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i drejtohet rinisë muslimane me këtë metodë të butë duke i drejtuar në atë që është e dobishme dhe shpëtimtare, duke thenë: “O ju të rinj! kush ka mundësi nga ju, le të martohet, sepse ajo të largon më shumë nga shikimet (e ndaluara) dhe të ruan më shumë vendet e turpshme, e kush nuk ka mundësi (për martesë), le të agjërojë, sepse ky është mburojë për të.”[4]

Ndërsa Bejhakiu transmeton nga hadithi i Ebi Umames, se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Martohuni, sepse unë do të krenohem me numrin tuaj para popujve të tjerë!”[5]

Dhe përmendëm pak më parë disa nga kuptimet që mund të llogariten prej qëllimeve të martesës, si qetësimi, shlodhja, qetësimi shpirtëror, etj.

Ndërsa ata të cilët mendojnë se qëllimi i martesës është arritja e kënaqësisë epshore në çfarëdo mënyre, dhe se pas kësaj nuk fshihet asnjë qëllim tjetër, ky është një përfytyrim dhe supozim i gabuar i cili ka shkaktuar dërgimin drejt shkatërrimit të shumë të rinjëve dhe të rënies së tyre në moral (të prishur) e në ultësira, gjë e cila e ka bërë jetën e shumë prej tyre, në shumë vende, të ngjashme me jetën e shtazëve, të cilat nuk janë të ngarkuara me obligime, madje këta janë më të humbur se ato.

¤¤¤

 

Kush e udhëheq institucionin familjar

Islami nuk e ka lënë në neglizhencë udhëheqjen e këtij institucioni, kryetarin e tij apo se kush ka privilegj në përgjegjësinë për të.

Ajo që del në pah nga të studiuarit e Islamit është se këto të drejta dhe veçori i janë ngarkuar të dyja palëve dhe detyrat e secilës palë janë të caktuara me hollësi. Secili prej bashkëshortëve është i ngarkuar me detyra të posaçme dhe është përgjegjës për to:

Burri është veçuar me disa gjëra të posaçme në të cilat gruaja nuk e shoqëron atë në to dhe as që mundet t’i bëj ballë atyre dhe as t’i manaxhojë ato. Po kështu edhe gruaja është veçuar me disa gjëra të posaçme të cilat burri nuk mundet dhe as nuk i shkon për shtat që t’i kryejë ato.

Kështu që të ndërhyrit e njërës palë në punët që nuk i përkasin, çon në prishjen dhe shkapërderdhjen e këtij institucioni dhe shkaktimin e turbullirave.

Të dëgjojmë disa nga ajetet kuranore të cilat sistemojnë jetën familjare dhe përcaktojnë përgjegjësitë e secilit prej bashkëshortëve. Ato i japin burrit të drejtën e udhëheqjes dhe drejtimit. Allahu i Madhëruar thotë: “Burrat janë mbrojtësit dhe mbajtësit e grave, sepse Allahu e ka krijuar njërën palë prej tyre të shquhet mbi tjetrën, e edhe sepse ata shpenzojnë (për t’i mbajtur ato) nga mjetet e tyre të jetesës. Kështu, gratë e drejta janë të bindura me çiltërsi (ndaj Allahut dhe ndaj burrave të tyre) dhe në mungesë të bashkëshortëve të tyre, ruajnë çfarë Allahu i ka urdhëruar ato të ruajnë (dëlirësinë, ndershmërinë dhe pasurinë e bashkëshortëve të tyre etj).” (Nisa: 34)

Në ajet shihet qartë se udhëheqja e këtij institucioni dhe mbrojtja e tij i është ngarkuar burrit. Por ajeti nuk e ka harruar edhe sqarimin e shkakut të kësaj gjëje, por thotë: “sepse Allahu e ka krijuar njërën palë prej tyre të shquhet mbi tjetrën, e edhe sepse ata shpenzojnë (për t’i mbajtur ato) nga mjetet e tyre të jetesës.”

Përveç kësaj, nuk ka kundërshtim se për drejtimin dhe manaxhimin e çdo institucioni apo ndërmarrjeje, nuk caktohet veçse kuadri i përshtatshëm dhe i aftë për drejtimin e saj. Ai person i cili ka përvojë, fuqi për të drejtuar, durim në punë dhe eksperiencë në manaxhimin e saj.

Po kështu edhe institucioni familjar i cili është nga institucionet më të rëndësishme dhe më delikate, pasi që me rregullimin e tij rregullohet shoqëria dhe me prishjen e tij prishet edhe ajo. Kjo sepse ky institucion i siguron shoqërisë individë të cilët janë gurët e ndërtesës shoqërore dhe sigurisht që ndërtesa i përfiton cilësitë e saj nga lënda me të cilën është ndërtuar.

E për këto të gjitha, Islami e ngarkoi burrin me këtë përgjegjësi, e cila është amanet shumë i rëndë, sepse ai është më i përshtatshëm për të dhe më i fortë në kryerjen e saj, gjë të cilën një grua e drejtë nuk do ta mohonte kurrë.

Profesor Muhamed el Gazali, në librin “Të drejtat e njeriut në Islam”, thotë: “Përderisa burri është larg të përmuajshmeve (d.m.th. nuk ekzistojnë fare tek ai), e as shtatzania apo lindja, ai është më i fortë që të ballafaqohet me vështërsi të ndryshme dhe me peripecitë e punëve të ndryshme, apo që të sillet nëpër tokë në kërkim të rizkut. Të gjitha këto janë më të përshtatshme për të dhe për këtë shkak Islami e ka ngarkuar atë që të shpenzojë për gruan e tij apo edhe për të afërmit e tij nga femrat e varfëra.”

Kjo që ka thënë profesor El Gazali është diçka me rendësi dhe e logjikshme në zgjedhjen e burrit për këtë detyrë dhe obligim shumë të rëndësishëm.

Me meditim do të gjejmë shumë arsye të tjera në lidhje me këtë pikë, por ne po mjaftohemi me këto që përmendëm për arsye të kursimit të kohës.

¤¤¤

 

Përgjegjësia e gruas në familje

Përderisa është burri ai i cili është ngarkuar me manaxhimin e jashtëm ekonomik të familjes, siç e sqaruam më sipër, në anën tjetër është gruaja ajo e cila është përgjegjëse për manaxhimin e brendshëm të familjes; që ruan shtëpinë e burrit të saj në mungesë dhe në prezencë të tij, ruan pasurinë e tij, fëmijët e tij. Po kështu ajo kryen edhe punët e tjera të shtëpisë.

Për gjithë këtë, gruaja gëzon respekt dhe vend të lartë te të gjithë pjesëtarët e familjes, përderisa ajo e ka ruajtur përgjegjësinë e saj të brendshme, megjithëse nuk e ka kaluar këtë cak për të bërë ato punë që i përkasin burrit dhe të cilat janë të rënda dhe jashtë natyrës së saj.

¤¤¤

 

Islami nuk i ka bërë padrejtësi gruas

 

 

Dëgjojmë zëra të shumtë të urryer të cilët thërrasin se Islami i ka rrënuar të drejtat e gruas, i ka bërë padrejtësi asaj, nuk i ka dhënë liri të plotë dhe nuk ka barazuar mes saj dhe burrit, e shumë shprehje të tilla të përkthyera nga ato që shkruajnë armiqtë e Islamit kundër Islamit.

Në realitet, thënësit e këtyre hipotezave janë një prej dy burrave:

Njëri prej tyre është një injorant i madh i cili ka dëgjuar njerëzit duke thënë këtë shprehje dhe ka pasuar atë saqë është bërë edhe mik i tyre, madje edhe tellall i tyre që përciell idetë e tyre, dhe sigurisht që nuk posedon dije që të bazohet tek ajo për atë që thotë, por vetëm bërtet e bën tellallin, flet atë që nuk e di.

Ndërsa me këtë janë mashtruar shumë nga njerëzit të cilët nuk kanë njohuri Islame aspak, e sidomos disa gra të cilat kanë marrë kulturë jo Islame apo disa injorante të cilat pasojnë verbërisht pa udhëzime.

Ky lloj i njerzëve humbin, e i humbin edhe të tjerët se ai në vete është injorant, por në të njëjtën kohë injoron se është injorant, ashtu siç thotë edhe poeti:

Nëse ti injoron se je injorant,

atëherë kjo është injorancë mbi injorancë!

Ndërsa i dyti është një intrigant i cili mundohet me përgatitë kurthe për Islamin dhe muslimanët, i cili dëshiron t’ua prishë atyre fenë dhe moralin e tyre, duke hyrë nga rrënimi i familjes, i ndikuar nga armiqtë e Islamit dhe zbatues i hartimeve të tyre në luftimin e Islamit.

Si ky edhe ai i pari janë ata të cilët e ngrenë këtë zë të urryer në çdo vend duke u munduar të mashtrojnë, dhe prej atyre janë ndikuar shumë nga muslimanët injorantë duke menduar se kjo thirrje është në dobi të tyre, kështu që zërave të tyre iu bashkuan edhe zëra të tjerë.

E me këtë gjë, ajo grua muslimane e ndikuar nga ato thirrje bëhet e padrejtë ndaj fesë dhe Islamit të saj duke e akuzuar atë se ai ka bërë padrejtësi asaj. Dhe kush? Ai Islam i cili e ngriti atë në vendin më të lartë, veç sikur ta dinte e ta perceptonte këtë, por ku është perceptimi te gratë tona, me përjashtim të atyre që dëshiron Allahu, dhe te Allahu ankohemi e Atij i kërkojmë ndihmë!

Andaj për çdo grua muslimane të kulturuar duhet që të mësojë fenë e saj dhe të njohë vendin dhe nderin që Islami i ka dhënë asaj, jo të pasojë çdo lloj tellalli mendjelehtë.

E në të njejtën kohë duhet që ajo të shikojë edhe ligjet e të huajve si ato Franceze dhe të tjera, që të mësojë qëndrimet e atyre ligjeve ndaj gruas. Pastaj të mësojë se si ka qenë pozita e gruas para Islamit, kur ajo konsiderohej prej gjërave të ulëta, të pavlera dhe pa asnjë lloj respekti e vendi. Dhe ka për të gjetur se atë nuk e ka ngritur dhe nderuar veçse Islami.

 

Gruaja gëzon të njëjtat të drejta civile si edhe burri

Gruaja muslimane gëzon liri të plotë në të drejtat civile dhe shoqërore. Në këto të drejta, ajo është njësoj si edhe burri.

Gruaja muslimane ka drejtë të blejë, të shesë, të dhurojë dhe të pranojë dhurata, të marrë apo të japë borxh dhe të veprojë si të dojë me pasurinë e saj. Ajo gëzon të gjitha të drejtat ekonomike që gëzon edhe burri.

Të drejtat fetare të gruas muslimane

Gruas muslimane i janë bërë legjitime të gjitha adhurimet sikurse edhe burrit. Ajo falet, agjëron, jep zekat nga pasuria e saj, shkon në haxh dhe shpërblehet për adhurimet dhe bindjet e saj ndaj Allahut, ashtu siç shpërblehet edhe burri, pa pasur dallim shpërblimi i saj nga ai i burrit. Përveç se Islami ia ka lehtësuar gruas disa adhurime duke marrë parasysh gjendjet e saj të ndryshueshme, siç i lejon asaj p.sh.: mosfaljen e namazit kur është me të përmuajshmet dhe as nuk e obligon kompesimin e tij pasi ajo të pastrohet, ngase kjo gjë ka vështirësi dhe mundime.

Allahu i Madhëruar thotë: “…dhe nuk ka vënë mbi ju ndonjë mundim në fe.” [Haxh: 78]

Gjithashto ajo lirohet nga agjërimi në ato ditë që gjendet me të përmuajshmet, porse i plotëson ato sepse në to nuk gjenë vështërsi, ndryshe nga namazi. Po kështu edhe për gratë lehone janë të njëjtat rregulla.

 

Liria e gruas muslimane në martesë

 

 

Islami i ka dhënë gruas liri të plotë në martesë. Është ajo e cila e zgjedh vetë martesën me një burrë të mirë para se ta obligojë atë përgjegjësi i saj në atë që ai zgjedh. Madje atij nuk i lejohet ta martojë atë vetëm se me lejën e saj të qartë duke u shprehur, nëse eshte e vejë, për atë se ajo i ka provuar burrat dhe nuk ka turp të thotë po apo jo.

Ndërsa për beqaren e virgjër mjafton si leje nga ajo heshtja e saj kur të pyetet, porse pa tjetër duhet të pyetet. Edhe nëse babai i saj e marton atë kur ajo është e vogël, d.m.th. para rritjes (kohës së pjekjes seksuale), ajo ka të drejtë zgjedhjen kur të rritet; ta pranojë apo ta refuzojë atë martesë.

Ky është ligji i Islamit në martesë, sa që i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: “Nuk martohet e veja derisa të merret urdhër nga ajo dhe nuk martohet e virgjëra derisa të kërkohet leje nga ajo, dhe leja e saj është heshtja e saj.”[6] E transmeton Buhariu nga hadithi i Ebu Hurejrës.

 

Trashëgimia e gruas në Islam

Thirrësat e barazisë ndërmjet burrit dhe gruas janë përqendruar shumë në këtë pikë dhe kanë mundur që me anë të saj t’i humbin shumë nga muslimanet e pavëmendshme, duke ua zbukuruar atyre se Islami i privilegjon burrat mbi gratë duke ju dhënë nga trashëgimia më shumë se sa grave, duke i dhënë një burri sa dy grave!!!

Në përgjigje të kësaj hipoteze ka disa variante:

Është e vërtetë se Islami i jep burrit sa hisja e dy grave, por ky dallim në trashëgimi nuk tregon se burri ka privilegj mbi gruan në çdo gjë tjetër, siç do ta shohim në vazhdim me Lejen e Allahut.

Pikë së pari, këtu nuk ka ndonjë ulje të gruas, porse kjo është një ndarje e drejtë.

Qartësimi i kësaj është në atë që kemi përmedur më herët se Islami e obligon burrin për furnizimin e familjes, e cila përbëhet nga gruaja dhe fëmijët, madje edhe nga të gjithë ata nevojtarë prej të afërmve të tij, ndërsa gruan nuk e ka obliguar që të shpenzoj as për veten e saj dhe as shpenzimet për burrin e vet, edhe nëse ajo është më e pasur se burri i saj. Ndërsa para martesës, gruaja i ka shpenzimet nga familja e saj.

Atëherë, a është e drejtë që gruas për të cilën shpenzon burri, t’i jepet njësoj (në trashëgimi) sikur atij i cili shpenzon për të??!!

Besoj se gruaja muslimane e drejtë do të shpejtojë në përgjigje për këtë pyetje para burrave duke thënë: Kjo nuk do të ishte kurrë e drejtë!

Por e drejta është ajo që ka vendosur Islami i cili i ka dhënë secilit të drejtën e vet, dhe lavdëruar qoftë vetëm Allahu!

 

Udhëtimi i gruas në Islam

 

Pika e dytë në të cilën mbështeten thirrësat për lirinë e gruas dhe barazinë e saj me burrin, është problemi i udhëtimit të gruas. Ata thonë: Islami nuk i lejon asaj të udhëtojë ashtu siç ia lejon burrit, madje as udhëtimin për kryerjen e obligimit të Haxhit. Përse kështu?!

Çudia me këta lloj njerëzish është se shumë herë ata e përmbysin realitetin e gjërave me qëllim që të nxjerrin njerëzit gabimtarë, duke e konsideruar përçmimin nder dhe nderin përçmim, ashtu si kanë bërë edhe në këtë pikë.

Dhe për të ardhur keq, gruaja muslimane injorante dëgjon lloj-lloj tellalli për shkak të injorancës së saj në çështjet e fesë së saj, duke iu përgjigjur edhe ndjenjave të veta disa herë.

Në të vërtetë Islami nuk e ka ndaluar gruan nga të udhëtuarit në vende të lejuara, por ai e ka kushtëzuar udhëtimin e saj me një kusht të vetëm, e ky kusht në realitetitin e tij është nderim për të dhe mbrojtje e nderit të saj, po sikur ta dinin!

Islami ka vënë kusht që gjatë udhëtimit gruaja të jetë e shoqëruar nga një i afërm i saj, nga ata me të cilët asaj i ndalohet martesa përjetësisht, si babai apo vëllai i saj, pasi që këta janë të gatshëm të flijojnë veten për mbrojtjen e saj, për të ruajtur nderin e saj, që mos t’i afrohen ujqit asaj veçse mbi kufomat e tyre.

Gjithashtu ata janë në shërbimin e saj gjatë udhëtimit në momentet kur ajo ka nevojë për shërbim.

A thua kushtëzimi i Islamit për gruan gjatë udhëtimit me këtë kusht llogaritet si nënçmim për gruan apo nderim për të?! Vërtet që kjo është një prej katastrofave të mëdha!!

Kështu që gruaja muslimane duhet ta perceptojë mirë përgjigjejen për këtë dilemë!

Ndërsa udhëtimin në esencën e tij, Islami nuk e ndalon.

Gruaja mund të udhëtojë për në Haxh, për tregti, për të vizituar familjen dhe farefisin e saj, për kërkimin e dijes, e për qëllime tjera, përderisa kushti është prezent, i cili është prezenca e burrit apo dikujt që është nga gjaku i saj dhe që ndalohet martesa me të.

Ky është vendimi Islam për udhëtimin e gruas, o ju muslimanë, siç thotë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Nuk i lejohet asaj gruaje e cila beson në Allahun dhe ditën e Gjykimit, që të udhëtojë sa distanca e një dite (ecje), vetëm nëse ka me vete një burrë mahram (burrin e vet ose një të afërm me të cilin i ndalohet martesa).”[7]

Ky hadith është përcjellë me shprehje dhe rrugë transmetimi të ndryshme, por të gjitha argumentojnë se Islami kushtëzon në udhëtimin e gruas prezencën e burrit të saj ose të një personi me të cilin asaj i ndalohet martesa përgjithmonë.

E kjo konsiderohet respekt dhe nder për gruan muslimane, sikur ajo ta dinte, dhe Allahu është Ai i Cili jep sukses.

 

Qëndrimi Islamit në lidhje me zbukurimin e gruas,

përzierjen dhe të veçuarit e saj me një mashkull të huaj

Qëndrimi i Islamit kundrejt këtyre injorancave është i qartë. Ai është qëndrim i natyrshëm dhe i logjikshëm, madje i pranuar edhe tek shijet e natyrshme.

Islami i kundërshton rrepësisht këto injoranca e posaçërisht injorancën e të vetmuarit, për të cilën i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Nuk vetmohet një burrë me një grua vetem se shejtani është i treti i tyre.”[8]

“Të mos vetmohet askush me një grua, vetëm se të shoqëruar me një mahram.”[9]

Kështu thoshte i dërguari i Islamit, o ju muslimanë!

Ndërsa për ndalesën nga të zbukuruarit (në sy të të huajve), Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe qëndroni në shtëpitë tuaja dhe mos e shfaqni veten siç bënin në kohën e xhahilisë (periudha e injorancës para Islamit).” [El Ahzab: 33]

Dhe thotë duke iu drejtuar të Dërguarit dhe të dashurit të Tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “O Pejgamber! Thuaju bashkëshorteve të tua dhe bijave të tua edhe bashkëshorteve të besimtarëve të lëshojnë vellon (mbulesën) e tyre mbi gjithë trupin e tyre. Kjo do të ishte më e mirë që ato të mund të dallohen (si gra të ndershme) që të mos i shqetësojë (e ngacmojë) askush. Dhe Allahu është gjithnjë Falës i Madh, gjithnjë Mëshirëplotë.” [El Ahzab: 59]

Kështu e urdhëron Islami gruan muslimane duke filluar nga nënat e besimtarëve të pastërat e deri në ditët tona, e do të vazhdoj deri kur Allahu të shkatërrojë tokën dhe çka ka në të.

Ai e urdhëron atë për dlirësi, druajtje (të jetë e turpshme) dhe mos përzierje, pasi që turpi (droja) është prej degëve të imanit. Dhe e ndalon atë nga këto ultësira me një ndalim të rreptë, pasi që ato janë rrugë të fesadit (prishjes) së moralit, me të cilat nëse preken shoqëritë, atëherë humbin dhe shkojnë. Një poet e ka thënë të vërtetën në fjalën e tij:

“Popujt qëndrojnë aq sa qëndron morali i tyre,

e nëse ai shkon, kjo është edhe shkuarja e tyre!”

 

Qëndrimi i Islamit në lidhje me punësimin e gruas

 

Ne nuk themi, siç mund të mendohet, se gruaja nuk duhet të dalë nga shtëpia për t’u ballafaquar me punën. Kurrësesi, por gruaja muslimane punon dhe ka variante të shumta pune.

Thënja se Islami e ndalon gruan nga të punuarit është njollosje për Islamin dhe emrin e tij, gjithashtu edhe fjala se vendet e punës së saj janë të pakta nuk është fjalë e mirëanalizuar. Gruaja muslimane është e lirë që të ballafaqohet me punën e saj duke mos qenë në vende ku ka burra, apo të përziehet a të vetmohet me ta.

Gruaja mundet të jetë mësuese, drejtoreshë apo të punojë në zyrat e shkollave për femra. Ajo mundet të punojë gjithashtu si doktoreshë, infermjere, zyrtare apo çdo punë që i përshtatet në spitalet e posaçme për gra, si dhe punë të tjera që i përshtaten natyrës së saj.

Ndërsa ajo grua e cila del nga shtëpia e saj, me qëllim kërkimi pune, e zbukuruar me zbukurimet e saj dhe e parfumosur në gjendje të urryer e duke u përdredhur sikur po reklamon veten e saj kur kalon mes burrave, sigurisht që qëndrimi i Islamit për të është të ngjasuarit e saj me prostitutën, ashtu siç është vërtetuar nga Tirmidhiu në hadithin e Ebu Musa el Eshariut, se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Nëse gruaja parfymoset dhe kalon pranë burrave, ajo është kështu e kështu! D.m.th: prostitutë.”[10]

Tirmidhiu thotë: Ky është hadith i saktë.

Hadith të ngjashëm me këtë ka transmetuar edhe Ebu Daudi nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!). Ajo që duket nga shprehja: “prostitutë”, është se ajo është fjalë e Ebu Musa el Eshariut si sqarim nga ai për fjalën “kështu e kështu”, e Allahu e din më së miri.

Shembulli i gruas është sikur shembulli i një njeriu i cili ka përgatitur një llojë ushqimi të shijshëm me mundime të shumta, pastaj e merr me vete në qosh të rrugës afër një moçali dhe ia heq mbulesën. Pastaj atij i vërsulen insektet nga çdo vend nga aroma e tij. Mizat sillen rrotull enës dhe disa prej tyre bjenë në të, ndërsa njerëzit e vështrojnë atë ushqim me pështirësi dhe fytyra të vrenjtura. Ndërsa në mbrëmje ai ushqim bëhet darka e qenëve, pasi atë e kanë mbuluar insektet.

Kështu është shembulli i atyre që shëtisin të zbukuruara nëpër rrugë, kështu që le ta pastrojë veten e saj muslimania dhe të ruajë nderin dhe virtytin e saj nga kjo ultësi, dhe të veshë mbulesën e drojtjes në trupin e saj, ashtu si e ka urdhëruar Zoti i saj. Kjo është më e mirë për të tek Allahu si dhe në mesin e shoqërisë.

Pas gjithë kësaj, Islami dëshiron që të ruajë familjen muslimane, sepse rregullimi i saj është rregullimi i të gjithë shoqërisë, ashtu siç është edhe prishja e saj prishje e masës së gjerë.

Islami është kujdesur me një kujdesje të veçantë për këtë kuptim e që nuk mungon kjo kujdesje as gjatë kohës së kryerjes së disa adhurimeve që janë të përbashkëta mes burrave dhe grave, në një vend të përbashkët si namazi i të xhumasë dhe i dy bajrameve, edhe këtu Islami e ka programuar si të kryhen edhe këto grumbullime gjatë adhurimeve.

I Dërguari me Udhëzimin e drejtë (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), duke i rregulluar safat (rreshtat)për namaz, ka thënë: “Rreshti më i mirë për burra është ai i pari dhe më i keqi ai i fundit, ndërsa për gratë rreshti më i keqi është ai i pari.”[11]

Dhe nga njohja e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për atë që ndikon gruaja e parfumosur në gjokset e burrave, ai ka urdhëruar duke thënë: “Nëse gruaja del për në xhami, të lahet nga parfymi ashtu siç lahet nga xhunubllaku”.[12]

Them: Hadithi i fundit dhe ai para këtij llogariten nga shembujt më të fortë për parandalimin e së keqes, siç e vëren këtë, Allahu na mundësoftë të mirën!

 

Dhënia fund jetës bashkëshortore

 

 

 

Jeta bashkëshortore merr fund me njërën nga këto dy ndarje:

1. Ndarje me vdekjen e njërit prej tyre, shpejtimin apo vonimin e së cilës nuk e zotëron asnjëri nga bashkëshortët, e për këtë nuk do të thellohemi më shumë në këtë pikë.

2. Ndarje me shkurorëzim, e kjo është tema e jonë:

Shkurorzimi në Islam llogaritet si rrugëdalje nga ajo që ndodh mes dy bashkëshortëve nga përçarjet, problemet e që është pika e fundit në zgjidhjen e problemeve bashkëshortore.

Zgjidhja e problemeve bashkëshortore fillon dhe kalon nëpër këto faza:

a) Këshilla. Ajo këshillë e cila përmban këshillim, mësim dhe sqarim gruas se cilat janë obligimet e saj kundrejt burrit të saj, ashtu si dhe sqarimi i obligimeve të burrit kundrejt gruas së tij. Këtu duhet theksuar mirë qartësimi i pasojave që rrjedhin nga kundërshtimi i burrit si dhe nga mosruajtja e të drejtave të tij.

b) Largimi nga shtrati. Një largim që i shkakton asaj të ndjehet e vetmuar dhe e pashoqëruar, e që aludon në pendim dhe kthyerje në respekt dhe kryerje të detyrave të saj.

c) Rrahja, por me kusht që të jetë rrahje edukimi dhe frikësimi e jo rrahje hakmarrjeje, me plagosje të lëkurës apo thyrje të eshtrave.

d) Mbledhja për pajtim dhe diskutim në të cilën merr pjesë një nga familja e saj dhe një nga familja e tij.

E nëse pas gjithë kësaj që kaloi nuk ka mundësi me u zgjidh ky problem, dhe secilit prej tyre i është ngushtuar jeta bashkëshortore, në këtë rast vjen shkurorëzimi duke i dhënë fund kësaj jete bashkëshortore e cila është shëndrruar në ferr pasi që duhej të ishte lumturi, mëshirë, qetësim dhe rehati.

Këto faza që i bëjnë pritë shkurorëzimit, apo që ndoshta e ndalin atë, i ka qartësuar sureja en Nisa në dy ajetet në vijim, ku Allahu i Madhëruar thotë:

“Burrat janë mbrojtësit dhe mbajtësit e grave, sepse Allahu e ka krijuar njërën palë prej tyre të shquhet mbi tjetrën, e edhe sepse ata shpenzojnë (për t’i mbajtur ato) nga mjetet e tyre të jetesës. Kështu, gratë e drejta janë të bindura me çiltërsi (ndaj Allahut dhe ndaj burrave të tyre) dhe në mungesë të bashkëshortëve të tyre, ruajnë çfarë Allahu i ka urdhëruar ato të ruajnë (dëlirësinë, ndershmërinë dhe pasurinë e bashkëshortëve të tyre etj). Sa për ato gra për të cilat ju shihni sjellje të dobët, në fillim i qortoni, (pastaj) mos pranoni të flini me to, (dhe më në fund) i rrihni ato (lehtë nëse kjo ndikon tek ato), por në qoftë se ato kthehen përsëri te bindja, atëherë mos kërkoni kundër tyre mjete (përçmuese e mërzitëse). Vërtet Allahu është kurdoherë më i Larti, më i Madhi. Në qoftë se keni frikë se prishen marrëdhëniet mes atyre dyve (burrit e gruas), caktoni dy gjykatës, një nga familja e tij dhe një nga familja e saj. Në qoftë se ata të dy dëshirojnë pajtimin, Allahu do të bëjë të mundur pajtimin e tyre. Vërtet Allahu është kurdoherë i Gjithëdituri, gjithnjë në Dijeni të plotë.” [en Nisa: 34-35].

 

Përse Islami e ka lënë shkurorëziminvetëm në dorën e burrit

 

 

 

Nga ajo që kaloi më parë na u bë e qartë se legjitimiteti i shkurorzimit kishte vend të rendësishëm, nëse vërtetohet se kjo është shërimi i fundit për zgjedhje të problemeve bashkëshortore.

Por ka mbetur në këtë pikë edhe një pyetje e cila ka peshën e vetë nëse përgjigjja e saj kuptohet ashtu si duhet. Ajo pyetje është: Përse Islami e ka lënë shkurorëzimin vetëm në dorën e burrit??

Në fakt gruaja ka diçka në dorë, gjë e cila as nuk përmendet dhe bëhet fjalë për “El Hul’u”, i cili është një ndarje ku bashkohet edhe gjyqi dhe nuk veçohet vetëm gruaja në të, siç është e ditur.

Kështu, në përgjigje të kësaj pyetje thuhet:

Përderisa ishte burri ai i cili pagoi prikën (mehrin) dhe të gjitha shpenzimet e tjera në jetën bashkëshortore, po kështu edhe shkurorëzimi është lënë në dorën e tij, pasi që ai nuk do të kursejë në ruajtjen e jetës bashkëshortore e që për formimin e saj ka shpenzuar, por do të jetë më i kujdesëshëm që formimi i kësaj baze familjare të vazhdojë të gëzojë qetësi dhe lumturi sa të ketë mundësi për këtë.

E sikur shkurorëzimi të ishte në dorën e gruas, do të shihnim gjëra si në vijim:

Shohim një burrë të ndërtojë pastaj e plotëson me orendi e kujdeset për rezultatet e pritura nga kjo shoqëri-shoqatë, pastaj shohim që gruaja, e cila është e mangët në logjikë dhe mendim, e shkatërron atë organizatë dhe i shkapërdis orenditë e saj për arsye nga më të kotat. Përse? Sepse nuk ka shpenzuar kur është formuar ajo organizatë, e ndoshta edhe ka pas dëshirë të largohet nga ajo që të provojë të tjera.

Jam i bindur se gruaja muslimane e drejtë në gjykim më beson mua para se të më besojë vetë burri, pasi që gjendja aktuale dhe gjestet e disa grave argumentojnë atë që folëm më herët, në kohën kur gruaja nuk e ka në dorë shkurorëzimin. E Allahu e di më së miri.

Dhe në mbyllje, o ju vëllezër muslimanë! Të përfaqësojmë Islamin tonë me veprat tona, aq sa të kemi mundësi për këtë dhe jo vetëm me fjalë, sepse Islami është fe e punës dhe praktikës dhe musliman është ai i cili i nënshtrohet me përkushtim urdhërave të Zotit të tij, Krijuesit të tij, duke i zbatuar ligjet e Tij.

Qëllimi i mirë, nijeti i sinqertë, vepra e mirë dhe mundimi i praktikimit të ligjit të Allahut, këto parime janë objekt i shikimit të Allahut robin e tij, siç ka thënë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Allahu nuk vështron në fizionomitë tuaja e as në pasuritë tuaja, por vështron në zemrat tuaja dhe në veprat tuaja.”[13]

O Vëllezër! Ju keni rastin të punoni për fenë dhe Islamin tuaj, pasi që ligji i vendit tuaj ua lejon juve të jeni shërbëtorë të fesë suaj me të gjithë lirinë. Ju duhet ta kuptoni se kjo liri është mirësi nga Allahu për juve, andaj ju porosis që ta shfrytëzoni këtë me punë serioze për përhapjen e mësimeve të islamit tuaj.

E Allahu pa dyshim se do të jetë me ju, nëse jeni të sinqertë në punët tuaja, sepse Allahu i Madhëruar është me ata të cilët punojnë dhe janë të sinqertë. Atyre u jep sukses dhe i udhëzon në të Drejtën.

[1] Vërejtje: Nxjerrja e haditheve të përmendura në libër nuk janë nga puna e autorit (Allahu e mëshiroftë!).

[2] Trans. Muslimi (35), nga hadithi i Ebu Hurejres.

[3] Trans. Buhariu (6612) dhe Muslimi (2657), nga hadithi i Ebu Hurejrës.

[4] Trans. Buhariu (5065) dhe Muslimi (1400), nga hadithi i Ibën Mesudit.

[5] Trans. El Bejhakiu në Suneni el Kubra (vëll.VII, f. 78), nga hadithi i Ebu Humam, e ka vërtetuar Albani në “Sahih el Xhami” (2941).

[6] Trans. Buhariu (5136) dhe Muslimi (1419), nga hadithi i Ebu Hurejrës.

[7] Trans. Buhariu (1088) dhe Muslimi (1339), nga hadithi i Ebu Hurejrës.

[8] Trans. Tirmidhiu (2165), nga hadithi i Umerit. Shejh Albani (Allahu e mëshiroftë!) e ka konsideruar të saktë në “Sahih el Xhami” (2546).

[9] Trans. Buhariu (5233) dhe Muslimi (1341), nga hadithi i Ibën Abasit.

[10] Trans. Ebu Davudi (4173), Tirmidhiu (2786), Nesai (5126) nga hadithi i Ebu Musa el Eshari. Shejh el Albani (Allahu e mëshiroftë!) e ka konsideruar të saktë në “Sahih el Xhami” (323).

[11] Trans. Muslimi (440), nga hadithi i Ebi Hurejres.

[12] Trans. Nesai (5127), nga hadithi i Ebi Hurejres. Shejh Albani e ka konsideruar të saktë në “Sahih el Xhami” (503).

[13] Trans. Muslimi (2563), nga hadithi i Ebi Hurejres.

Autor: Muhamed ibën Ali el Xhami
Përktheu: Unejs Shuajb Murati
Recensoi: Bledar Karaj el Albani