Fetua në lidhje me rregullat e shkurtimit të namazit dhe bashkimit mes dy namazeve

Dijetari i madh dhe shejhu i nderuar Abdulaziz bin Bazi (Allahu e mëshiroftë!)

Përktheu: Ebu Duxhanah, Shuajb Rexha

 

Parathënia e botuesit (të librit në arabisht)

Hamdi (falënderimi) i përket vetëm Allahut. Salavatet dhe selamet qofshin për atë pas të cilit nuk ka më profet, mbi familjen dhe shokët e tij.

Me të vërtetë dijetarët janë trashëgimtarët e profetëve, sepse profetët nuk kanë lënë trashëgim pasurinë, por kanë lënë diturinë të cilën kush e merr ka marrë diçka shumë të vlefshme. Këtë fakt e përforcon më shumë hadithi ku Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kur njeriu vdes i ndërpriten veprat e tij, përveç se tre gjërave: Sadakaja e rrjedhshme, dituria prej së cilës përfitohet ose pasardhës i devotshëm që lutet për të (prindin)”[1].

Ky libërth që përmban fetua të shejhut të nderuar Abdulaziz bin Baz (Allahu e mëshiroftë!). Eshtë gjëja e fundit që shejhu ka kërkuar të botohet para vdekjes së tij, duke na dërguar kërkesë me shkrim që mban datën 9 Muharrem 1420 h. në të cilën thuhej:

“Po ju paraqesim disa çështje në lidhje me rregullat e shkurtimit dhe bashkimit të namazeve, në mënyrë që të botohen në një broshurë të veçantë me fonde bamirësie duke shpresuar që Allahu të bëjë dobi me to. Këto fetua janë shkëputur nga libri ynë “Mexhmua fetaua” nga vëll. XII, fq. 257 deri në 314″.

Drejtoria e Përgjithshme e kontrollit të botimeve fetare nën drejtimin e “Kryesisë së departamentit të fetuave dhe studimeve akademike” është e lumtur që po paraqet këtë libërth, i cili përmban fetua të rëndësishme që kanë të bëjnë me rregullat e shkurtimit dhe bashkimit të namazeve për të cilat ka nevojë çdo musliman dhe muslimane, pasi ndeshet me këto çështje si në qëndrim ashtu edhe në udhëtim, të shkëputura nga fetuatë e shejhut të nderuar (Allahu e mëshiroftë!). Drejtoria e cila mori përsipër botimin ka vendosur titull të veçantë për çdo fetua që të bëhet më e lehtë gjetja e çështjes të cilën e dëshiron. E lusim Allahun të bëjë dobi me këtë libërth e të tjerë të ngjashëm si ky dhe të jetë ndihmesë për muslimanin, që të shtojë dijen e tij fetare dhe kuptimin në fe, me të vërtetë Allahu është Dëgjues, Përgjigjës i lutjes.

Namazi i udhëtarit pas atij që është vendas (mukim) ose e kundërta

Pyetje: Nëse dikush është në udhëtim dhe do që të falë namazin e drekës me xhemat dhe gjen një person vendas që e ka falur drekën, a i lejohet vendasit të falet me udhëtarin. Dhe a duhet ta shkurtojë vendasi namazin apo ta plotësojë?

Përgjigje: Nëse vendasi falet pas udhëtarit në mënyrë që të shërbejë si xhemat për udhëtarin pasi që vendasi e ka falur farzin e tij, atëherë falet ashtu siç falet udhëtari, dy rekate sepse ky namaz për vendasin konsiderohet nafile. Ndërsa n.q.s. vendasi fal farzin pas një imami udhëtar duhet të falë katër rekate (nëse është namaz dreke, ikindie apo jacie). Pra e ka detyrë ta plotësojë namazin pasi që imami udhëtar jep selam pas dy rekateve. Nëse falet musafiri pas vendasit dhe që të dy po falin farzin, atëherë musafiri e ka detyrë ta plotësojë namazin katër rekatë, sipas mendimit më të saktë nga dy mendimet që kanë dijetarët në këtë çështje. Argumenti i kësaj është ajo që imam Ahmedi ka transmetuar në Musnedin e tij (vëll. I/216, 226-227, 290, 370) dhe Muslimi në Sahihun e tij (me nr. 688) se ibn Abbasi është pyetur në lidhje me musafirin: “Pse kur robi falet pas imamit vendas fal katër rekatë kurse me musafirët fal dy rekate?” Tha: “Kështu është suneti”.

Po ashtu si argument shërben përgjithësimi në fjalën e Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Me të vërtetë imami është bërë që të pasohet, prandaj mos e kundërshtoni atë (duke i paraprirë në veprime apo duke u vonuar shumë pas tij)” Mutefekun alejhi[2].

Nëse një udhëtar e zë namazi farz në një xhemat që janë vendas dhe udhëtari bëhet
imam i këtij xhemati, a duhet të falet si udhëtar apo si vendas?

Pyetje: Nëse një udhëtar e zë namazi farz në një xhemat vendas dhe ky udhëtar është më i meritueshmi për të qenë imam, a duhet të falet si udhëtar apo si vendas?

Përgjigje: Suneti është të falet si udhëtar, pasi ai të japë selam xhemati ngrihen dhe e plotësojnë namazin, secili për veten e tij. Kjo sepse kur Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u fal me banorët e Mekes në vitin e çlirimit, u fal si udhëtar dhe i urdhëroi vendasit që ta plotësojnë namazin. Nëse udhëtari e fal namazin të plotë (pa e shkurtuar) ka lënë më të mirën që duhet të bënte por namazi i tij është i saktë. Eshtë saktësuar se Uthmani e ka plotësuar namazin gjatë haxhit në vitet e fundit të khalifatit të tij, po ashtu është saktësuar se Aishja e plotësonte namazin në udhëtim dhe thoshte: “Plotësimi i namazit nuk më sjell vështirësi”, por më e mira është ajo që Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka vepruar, sepse ai është që i vendos dhe na i mëson ligjet e sheriatit, salavatet dhe selamet qofshin mbi të.

Allahu është që jep sukses.

Gjykimi i faljes së atij që shkurton namazin pas dikujt që e plotëson

Pyetje: Cili është gjykimi i faljes së atij që e shkurton namazin pas dikujt që e plotëson atë, apo e kundërta dhe si veprohet?

Përgjigje: Nëse bëhet imam dikush që e shkurton namazin, atëherë pasi që imami të japë selam pas dy rekateve, vendasi duhet të ngrihet dhe t’i plotësojë katër rekate. Pra imami musafir fal dy rekate dhe jep selam, pastaj xhemati vendas ngrihen pas tij dhe i plotësojnë rekatet derisa të bëhen katër rekate, kurse nëse ka në xhemat musafirë ata japin selam me imamin musafir. Nëse vendasi bëhet imam dhe musafirët falen pas tij, atëherë ata e plotësojnë namazin me imamin dhe nuk u lejohet shkurtimi, por duhet të falin katër rekate, sepse është vërtetuar në hadithin e saktë se ibn Abbasi është pyetur për musafirin që falet pas imamit: “O ibn Abbas, pse ne kur falemi pas imamit vendas falim katër rekate ndërsa kur falemi vetëm ne udhëtarët falim dy rekate?” Tha: “Kështu është Suneti”.

Këtë e ka transmetuar imam Ahmedi në “Musnedin” e tij me zinxhir të mirë dhe origjina e tij gjendet tek Muslimi.
Kjo tregon se është detyrë të plotësohet namazi i udhëtarit i cili falet pas vendasit.
Allahu është që jep sukses.

Nuk ka problem për musafirin që ta falë ikindinë të shkurtuar pasi jep
selam nga namazi i drekës të cilën e fali me imamin

Pyetje: Një person udhëtar e kishte bërë nijet që ti shkurtonte dhe t’i bashkonte namazet pasi ta falte drekën me xhemat. A e ka detyrë të ngrihet menjëherë pasi të japë selam dhe ta fal ikindinë të shkurtuar apo lejohet të vonohet pak? A ka ndonjë përcaktim se sa mund të vonohet?

Përgjigje: Nëse musafiri falet pas vendasit duhet ta plotësojë namazin sepse është saktësuar nga ibn Abbasi se Suneti është që musafiri i cili falet pas vendasit duhet ta plotësojë namazin. Për sa i përketë bashkimit ai është i lejuar, nuk ka asnjëlloj problemi që ta falë ikindinë të shkurtuar pasi që jep selam me imamin nga namazi i drekës. Nëse do që ta vonojë ikindinë për ta falur në kohën e saj nuk ka problem, përkundrazi kjo është më e mira nëse udhëtari nuk është në ecje e sipër, sepse Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) bashkonte në mes dy namazeve në udhëtim, në kohën e njërës prej atyre dyjave nëse ishte në ecje e sipër. Ndërsa kur ishte në qëndrim e falte çdo namaz në kohen e tij, kjo është vepra e Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në shumicën e rasteve, kështu veproi dhe në Mina në haxhin e lamtumirës: E falte çdo namaz në kohën e tij duke e shkurtuar por pa e bashkuar. Allahu na dhëntë sukses të gjithëve që ta pasojmë sunetin dhe t’i përmbahemi atij.

 

Gjykimi për namazin e vendasit pas musafirit dhe a e shkurton musafiri
namazinnëse është imam apo xhematli

Pyetje: Cili është gjykimi për namazin e vendasit pas musafirit ose e kundërta? A i lejohet musafirit shkurtimi në të dyja rastet (imam ose xhematli)?

Përgjigje: Namazi i musafirit pas vendasit ose namazi i vendasit pas musafirit, është i lejuar dhe i saktë, pa asnjëlloj problemi por nëse vendasi është imam dhe musafiri xhematli, atëherë musafiri e ka detyrë ta plotësojë namazin në pasim të imamit. Sepse është saktësuar në “Musnedin” e imam Ahmedit dhe “Sahihun” e Muslimit se kur ibn Abbasi u pyet për plotësimin e namazit të musafirit kur falet pas vendasit, tha: “Kështu është suneti”. Nëse vendasi falet pas musafirit në namazet me katër rekate atëherë duhet të ngrihet pas selamit të imamit dhe ta plotësojë namazin.

 

Musafiri e ka detyrë ta falë namazin katër rekatë nëse falet
pas një imami vendas

Pyetje: Isha udhëtar dhe më zuri namazi i drekës aty ku ndalova të pushoj dhe u fala në xhaminë e vendpushimit. Xhemati dhe imami të gjithë ishin vendas. Hyra në namaz kur imami ishte në teshehudin e parë dhe kur imami dha selam edhe une dhashë selam bashkë me të, a është i saktë veprimi im? Nëse jo, a duhet ta përsëris namazin?

Përgjigje: Duhet ta përsërisësh atë namaz. Musafiri e ka detyrë të falë katër rekatë nëse falet pas një imami vendas sepse kështu është vërtetuar suneti nga Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).
Allahu është që jep sukses.

 

Gjykimi i sheriatit për shkurtimin dhe bashkimin e namazeve, si dhe
për mosagjërimin në ditët e Ramazanit për udhëtarin

Pyetje: I drejtohemi shejhut të nderuar Abdulaziz bin Bazit, muftiut të përgjithshëm të Saudisë. Es selamu alejkum ue rahmetullahi ue beraketuhu.

Unë dhe vëllezërit e mi posedojmë një fermë që është në një largësi rreth 60 km nga qyteti i Harxhit dhe rreth 140 km nga qyteti i Rijadit. Ne nuk jetojmë në atë fermë, jemi banorë të Rijadit por shkojmë atje shumë shpesh për të mbikqyrur mbarëvajtjen e punës. Shpresojmë nga hirësia juaj të na tregoni gjykimin e sheriatit në lidhje me bashkimin dhe shkurtimin e namazeve, si dhe mosagjërimin në ditët e Ramazanit, në varësi të situatave që do i përmendim mëposhtë. Allahu u dhëntë sukses.

1. Nëse qëndrojmë atje një ditë të plotë apo një pjesë të ditës për të mbikqyrur punën.

2. Nëse shkojmë atje për të kaluar pushimet e fundjavës, për qejf dhe për të mbikqyrur punën njëkohësisht.

3. Nëse shkojmë atje për të kaluar pushimet ndërmjet dy semestreve shkollorë, duke ditur se këto pushime zakonisht zgjasin dy javë.

4. Nëse shkojmë atje gjatë ditës në Ramazan a na lejohet mosagjërimi, duke ditur se agjërimi nuk na sjell vështirësi apo mundim, sepse në fermë kemi banesa të pajisura me të gjitha mjetet e përshtatshme për një jetesë të rehatshme?

5. Ka raste që marrim me vete të afërm ose shokë, a vlejnë për ta të njëjtat gjykime si për ne?
Allahu u dhëntë sukses për atë që Ai e do dhe e pëlqen.

Përgjigje: Ue alejkumus selamu ue rahmetullahi ue beraketuhu.
Nuk ka problem që t’i shkurtoni dhe bashkoni namazet, si dhe të mos agjëroni në Ramazan, si për ju ashtu dhe për ata që ju shoqërojnë përderisa realiteti është ashtu siç e përshkruat. Përveç në një rast: Nëse ju e vendosni që të qëndroni atje më shumë se katër ditë atëherë as nuk i shkurtoni, as nuk i bashkoni namazet e as nuk e prishni agjërimin në Ramazan.
Allahu na dhëntë sukses të gjithëve!

Shkurtimi i namazit në udhëtim

Pyetje: Dëshirojmë të na shpjegoni shkurtimin e namazit në udhëtim. A është saktësuar se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ka plotësuar namazin në udhëtim? A përcaktohet udhëtimi me distancë apo kohë të caktuar? Shpresojmë sqarimin e këtyre çështjeve me argumentet përkatëse nga Kurani dhe Suneti. Allahu u shpërbleftë me të mira.

Përgjigje: Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e kishte zakon që kur udhëtonte e falte drekën dy rekate, ikindinë dy rekate dhe jacinë dy rekate, kështu vepronte derisa kthehej nga udhëtimi i tij, kjo është që dihet nga Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) .

Transmetohet se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) herë e shkurtonte namazin në udhëtim dhe herë e plotësonte por kjo nuk është e saktë, përkundrazi ajo që dihet dhe që është vërtetuar nga Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në hadithe të sakta është se ai e shkurtonte namazin në udhëtim derisa të kthehej. Kurse akshamin e falte gjithmonë tre rekate si në qëndrim ashtu dhe në udhëtim, po ashtu sabahun e falte gjithmonë dy rekate, bile falte edhe sunetin e sabahut, si në qëndrim ashtu dhe në udhëtim, dy rekate të shkurtra, ndërsa sunetet e drekës, ikindisë, akshamit dhe jacisë nuk i falte kur ishte në udhëtim. Kërkohet nga muslimani që të veprojë ashtu siç ka vepruar Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në udhëtim.

Udhëtim, tek dijetarët, konsiderohet ajo distancë që përshkohet për një ditë-natë (e më shumë), e cila përafërsisht përcaktohet me 80 km. Qoftë ky udhëtim me makinë, avion, anije apo vapor, etj. Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve. Kjo largësi apo e përafërt me të konsiderohet udhëtim, sepse kjo është që njihet në zakonin e muslimanëve si udhëtim. Pra, nëse dikush udhëton këtë lloj largësie apo më shumë konsiderohet udhëtar, qoftë që udhëton në këmbë, me deve, me makinë, me avion apo me mjete detare, etj.

Disa dijetarë kanë thënë se udhëtimi përcaktohet sipas zakonit të banorëve të zonës dhe nuk përcaktohet me distancë të caktuar me kilometra, përkundrazi çdo distancë që në zakonin e atij populli quhet udhëtim do e konsiderojmë udhëtim dhe e kundërta. Më i saktë është mendimi i shumicës së dijetarëve, d.m.th. përcaktimi i distancës me kilometra siç e përmenda më lart, shumica e dijetarëve këtë kanë zgjedhur ndaj është mirë t’i përmbahemi kësaj sepse kjo është e transmetuar dhe nga sahabët të cilët e njihnin fenë dhe sunetin e Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) më mirë se çdokush tjetër.

Shkurtimi i namazit katër rekatësh në udhëtim

Pyetje: I drejtohem muftiut të përgjithshëm të Saudisë (Allahu e ruajtë!).
Es selamu alejkum ue rahmetullahi ue beraketuhu!
E lusim Allahun e Lartësuar që hirësia juaj të jetë shëndoshë e mirë dhe do dëshiroja të dija gjykimin e sheriatit në çështjen time. Unë jam punonjës në një stacion treni si kontrollor biletash dhe ndonjëherë më ndodh që të udhëtoj me tren rreth 200 km ose 450 km. A më lejohet që t’i shkurtoj namazet katër rekatëshe gjatë këtij udhëtimi?

Përgjigje: Ue alejkumus selamu ue rahmetullahi ue beraketuhu!

Duke u bazuar në çfarë përmendët: të lejohet që t’i shkurtosh namazet në distancat e lartpërmendura, sepse ne jemi të bindur pas studimit që i kemi bërë kësaj çështjeje se distanca e udhëtimit përcaktohet me përafërsisht 80 km e më shumë.
Allahu i dhëntë sukses të gjithëve. Ues selamu alejkum ue rahmetullahi ue beraketuhu.

Shkurtimi dhe bashkimi i namazeve për atë person që natyra e punës
e bën atë të jetë në udhëtim vazhdimisht

Nga Abdulaziz bin Baz drejtuar vëllaut të nderuar M.A. gjykatës në qytetin e Hajberit. Es selamu alejkum ue rahmetullahi ue beraketuhu!
Më mbërriti letra juaj që mban datën 3/4/1389 h. dhe që kishte si përmbajtje pyetjen rreth lejimit të shkurtimit dhe bashkimit të namazeve për atë person që natyra e punës së tij e bën atë të jetë në udhëtim vazhdimisht, qoftë ai udhëtim jashtë Saudisë apo ndërmjet qyteteve të saj në distanca në të cilat lejohet bashkimi dhe shkurtimi i namazeve. Si p.sh. shoferat e kamionave ose tregëtarët, etj.

Përgjigjia: Ata që u përmendën konsiderohen udhëtarë dhe e kanë të lejuar shkurtimin e namazeve dhe bashkimin e tyre ashtu siç u është lejuar të gjithë musafirëve, sipas mendimit të shumicës së dijetarëve. Kjo duke u bazuar në argumentet e përgjithshme të sheriatit në lidhje me këtë çështje dhe nuk dimë të ketë argument që e kundërshton këtë gjë. Ndërsa përsa i përket mendimit të disa fukahave se ai i cili endet sa andej këndej dhe ka me vete familjen e tij dhe që nuk e vendos të qëndrojë në një vend të caktuar nuk i lejohet që të praktikojë lehtësirat e udhëtimit, ky mendim është i dobët, nuk dimë të jetë i bazuar në ndonjë argument nga sheriati, siç e ka bërë të qartë këtë Ebu Muhamed ibn Kudameh në librin e tij “el Mugnij”.

Cila është distanca e udhëtimit që e bën të lejuar shkurtimin
dhe nëse dikush e vendos që të qëndrojë diku më shumë
se katër ditë a i lejohet shurtimi i namazit

Pyetje: Cfarë mendimi ka hirësia juaj në lidhje me udhëtimin që e bën të lejuar shkurtimin, a është i përcaktuar me distancë të caktuar? Cfarë mendoni për atë i cili e vendos të qëndrojë në një vend më shumë se katër ditë, a i lejohet ta shkurtojë namazin?

Përgjigje: Shumica e dijetarëve (xhumhuri) thonë se udhëtimi është i përcaktuar me atë distancë që përshkohet për një ditë-natë nga devetë dhe këmbësorët me ecje normale, e cila përafërsisht është 80 km. Kjo është distanca e cila konsiderohet udhëtim në zakonin e njerëzve ndryshe nga distancat e tjera që janë më pak se kaq. Gjithashtu xhumhuri thonë se: kush e vendos që të qëndrojë diku më shumë se katër ditë, e ka detyrë t’i plotësojë namazet dhe ta agjërojë Ramazanin. Ndërsa nëse qëndron më pak se katër ditë i lejohet shkurtimi dhe bashkimi i namazeve, si dhe mos agjërimi sepse origjina është që vendasi e ka detyrë ta plotësojë namazin dhe i lejohet shkurtimi kur fillon udhëtimin.

Eshtë saktësuar se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) qëndroi në haxhin e lamtumirës katër ditë duke e shkurtuar namazin pastaj u zhvendos në Mina dhe Arafat. Kjo tregon lejimin e shkurtimit të namazit për atë që vendos të qëndrojë katër ditë ose më pak. Kurse përsa i përket qëndrimit të Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) 19 ditë në Meke në vitin e çlirimit apo 20 ditë në Tebuk, kjo ka ndodhur sepse ndoshta Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk e kishte vendosur që të qëndronte aq gjatë por qëlloi që qëndroi aq ditë për një arsye që nuk dihej se kur do përfundonte. Kjo është përgjigja e xhumhurit në lidhje me qëndrimin e tij në Meke në vitin e çlirimit dhe qëndrimin në Tebuk në betejën e Tebukut.

Ky mendim është më i sigurtë për fenë e muslimanit dhe është në përputhje me origjinën: obligueshmëria e faljes së namazit të drekës ikindisë dhe jacisë katër rekate për vendasit. Nëse nuk e ka vendosur që të qëndrojë por nuk e di se kur do kryejë punë dhe të udhëtojë atëherë i lejohet t’i shkurtojë dhe bashkojë namazet, si dhe të mos agjërojë Ramazanin, për sa kohë që nuk e vendos të qëndrojë më shumë se katër ditë apo të kthehet në vendin e tij.
Allahu është që jep sukses.

Shkurtimi dhe bashkimi i namazeve në udhëtim sado që ai të zgjasë

Pyetje: Dëshiroj që t’i parashtroj hirësisë tuaj një çështje për të cilën u kam pyetur dhe njëherë tjetër para shumë kohësh, bëhet fjalë për bashkimin dhe shkurtimin e namazeve në udhëtim sado që ai të zgjasë. Duke parë se ka mendime të shumta rreth kësaj çështjeje shpresoj nga hirësia juaj të më sqaroni dy gjëra:

1. Nëse udhëtoj jashtë Saudisë, a më lejohet bashkimi dhe shkurtimi sado që të zgjasë ai udhëtim, saqë nganjëherë zgjat mbi dy muaj? U bëj me dije se unë nuk falem dot me rrobat “alla frange” që vesh atje, ndaj detyrohem që të kthehem tek banesa ku qëndroj që të falem, kështu që shkurtimi dhe bashkimi më lehtëson shumë, pra a më lejohet të bashkoj dhe shkurtoj apo jo?

2. Udhëtoj shpesh për në Xhide dhe atje kam shtëpi timen por vendbanimi im është Rijadi. Nganjëherë më ndodh të qëndroj në Xhide mbi një muaj, a më lejohet shkurtimi dhe bashkimi?

Përgjigje: Udhëtimi në të cilin i lejohet udhëtarit të praktikojë lehtësirat e udhëtimit është ai udhëtim që konsiderohet në zakon udhëtim dhe i cili përcaktohet përafërsisht me 80 km. Kush udhëton një distancë të tillë apo më shumë i lejohen lehtësirat e udhëtimit: mes-hi mbi meste tre ditë e netë, shkurtimi i namazit katër rekatësh, bashkimi i drekës me ikindinë në kohën e njërës prej tyre dhe i akshamit me jacinë, mos agjërimi i Ramazanit. Pasi të mbërrijë musafiri tek vendi që kishte për qëllim dhe e vendos që të rrijë atje më shumë se katër ditë atëherë nuk i lejohen lehtësirat e udhëtimit.

Ndërsa nëqoftëse vendos të rrijë katër ditë ose më pak i lejohen lehtësirat e udhëtimit. Musafiri i cili ka shkuar diku për të kryer një punë të tijën por që nuk e di se kur do mbarojë dhe nuk i ka caktuar vetes që do të rrijë mbi katër ditë, atëherë i lejohet që të praktikojë lehtësirat e udhëtimit edhe nëse zgjat qëndrimi i tij mbi katër ditë. Fakti që t’i vesh rroba “alla frange” nuk është justifikim për ta vonuar namazin nga koha e tij dhe as nuk është arsye që ta lejon bashkimin mes dy namazeve. Nuk është mirë që musafiri t’i lerë namazet me xhemat nëse ka mundësi për diçka të tillë, sepse namazi me xhemat është vaxhib kurse shkurtimi dhe bashkimi i namazeve është lehtësim (diçka e lejuar).

Allahu i dhëntë sukses të gjithëve për atë që Ai e do dhe na ndihmoftë në kryerjen e çdo vepre të mirë.Ues selamu alejkum ue rahmetullahi ue beraketuhu.

Gjykimi i shkurtimit të namazit sado që të zgjasë koha e udhëtimit, si dhe
shkurtimi i namazit për atë person që udhëton për studime derisa të kthehet

Pyetje: A është e vërtetë që musafirit i lejohet ta shkurtojë namazin sado që të zgjasë koha e udhëtimit edhe nëse zgjat me vite? Apo ka një kufi kohor për shkurtimin e namazit në udhëtim? Cili është gjykimi për atë person që udhëton jashtë vendit të tij për studime apo për të punuar, a i shkurton namazet derisa të kthehet?

Përgjigje: Suneti është që musafiri ta shkurtojë namazin në udhëtim duke marrë si shembull Profetin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe duke zbatuar Sunetin e tij, kjo nëse distanca që përshkon në udhëtim është përafërsisht 80 km e më tepër. P.sh. nëse udhëton nga Saudia për në Amerikë, e shkurton namazin gjatë rrugës, ose p.sh. udhëton nga Egjipti për në Meke, e shkurton namazin gjatë rrugës. Po kështu e shkurton namazin pasi të mbërrijë aty ku dëshiron nëse e vendos të qëndrojë katër ditë ose më pak, siç bëri Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) kur qëndroi në Meke në haxhin e lamtumirës: mbërriti në Meke mëngjesin e ditës së katërt të muajit Dhul Hixheh dhe i shkurtoi namazet derisa u nis për Mina në ditën e tetë të Dhul Hixhes.

I lejohet t’i shkurtojë namazet nëse e vendos të qëndrojë për një kohë që nuk e di se kur do të mbarojë, a do zgjasë katër ditë apo më shumë, i shkurton namazet derisa ta kryejë punën që ka aty. Po kështu nëse e vendos të qëndrojë më shumë se katër ditë por që nuk e di se kur do mbarojë punë (sipas mendimit të shumicës së dijetarëve). Si p.sh.: qëndron në një vend për të kërkuar një person që i ka borxh ose me të cilin ka çështje në gjykatë etj. dhe nuk e di se kur do kryejë punë, në këtë rast e shkurton namazin sepse qëndrimi i tij në atë vend nuk është i kufizuar, nuk i dihet fundi, pra konsiderohet udhëtar dhe i lejohet shkurtimi i namazit, mosagjërimi në Ramazan edhe nëse kalojnë vite duke qenë në këtë gjendje.

Ndërsa kush e vendos të qëndrojë, për studime apo diçka tjetër, e ka detyrë t’i plotësojë namazet. Ky është mendimi i saktë dhe të cilin e kanë zgjedhur shumica e dijetarëve, prej tyre katër imamët e mëdhenj e të tjerë, sepse origjina është se ai i cili është mukim duhet t’i plotësojë namazet. Prandaj kush e vendos të qëndrojë diku mbi katër ditë (qoftë për studime apo diçka tjetër) e ka detyrë t’i plotësojë namazet. Ibn Abasi ka mendimin se nëse musafiri qëndron 19 ditë apo më pak, i lejohet shkurtimi i namazit, ndërsa nëse e vendos të qëndrojë më shumë se kaq e ka detyrë t’i plotësojë duke u argumentuar me qëndrimin e Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) 19 ditë në Meke në vitin e çlirimit duke e shkurtuar namazin. Por mendimi më i zgjedhur në këtë çështje është mendimi i shumicës së dijetarëve, që nëse qëndron katër ditë ose më pak i lejohet shkurtimi. Ky është mendimi më i sigurtë për fenë e muslimanit dhe për këtë ibadet madhështor i cili është njëkohësisht shtylla e islamit. Mund t’i jepet përgjigje argumentit të Ibn Abasit duke thënë:

Ndoshta Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk e kishte vendosur të qëndronte në Meke kohë të gjatë por qëlloi që qëndroi aq ditë derisa të forconte bazat e islamit në Meke dhe të zhdukte çdo lloj gjurme të shirkut, duke mos e bërë nijet të qëndronte kohë të caktuar. Dhe musafirit i lejohet t’i shkurtojë namazet nëse nuk e ka vendosur të qëndrojë një kohë të caktuar edhe nëse kjo kohë zgjatet pa dëshirën e tij, siç e sqaruam më lart. Këshilla ime për vëllezërit të cilët udhëtojnë për studime etj. është që t’i plotësojnë namazet dhe mos t’i shkurtojnë, si dhe ta agjërojnë Ramazanin përveç nëse qëndrimi i tyre zgjat katër ditë ose më pak, ose është qëndrim që nuk i dihet se kur mbaron. E sapo ta kryejë punën që ka do kthehet por që nuk e di se kur do e kryejë atë dhe ky konsiderohet musafir. Ky është mendimi më i mirë në lidhje me këtë çështje dhe këtë kanë zgjedhur shumica e dijetarëve dhe ky është më i sigurtë për fenë e muslimanit, sepse Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Largoju të dyshimtave dhe përmbaju asaj që nuk është e dyshimtë”[3] dhe: “Kush u largohet të dyshimtave e ka siguruar fenë dhe nderin e tij”[4]

Qëndrimi i Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në Meke mund të ketë qenë pasi nuk e kishte bërë nijet të qëndronte aq ditë por qëlloi që qëndroi aq për të përmirësuar çështjet e fesë dhe forcuar bazat e teuhidit në Meke dhe për t’u mësuar muslimanëve detyrat që u takojnë. Pra ndoshta nuk e kishte vendosur të qëndronte aq gjatë por ashtu erdhën punët njëra pas tjetrës dhe rrodhën ditët. Nuk ka argument në këtë ndodhi që tregon se caku kohor i udhëtimit është 19 ditë siç thotë Ibn Abasi, sepse nuk ka diçka që të na bëjë me dije se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e kishte bërë nijet të qëndronte aq ditë. Po kështu themi dhe për qëndrmin e Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në Tebuk 20 ditë, nuk ka diçka që na vërteton se e kishte bërë nijet të qëndronte aq ditë. Përkundrazi Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) qëndroi atje duke studiuar çështjen e luftës dhe nuk kishte diçka të caktuar në lidhje me faktin se sa do qëndronte sepse ishte udhëtar që kishte dalur për xhihad dhe për të luftuar romakët dhe u ndal në Tebuk gjatë kësaj kohe që të studionte situatën e luftës dhe që të merrte vendim se a duhej të vazhdonte të përparonte më tej në drejtim të bizantëve apo të kthehej. Pasi qëndrojë aty ato ditë Allahu zgjodhi për të që të kthehej në Medine.

Përfundimi nga e gjithë kjo është: se nuk ka ndonjë argument që na vërteton se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e kishte vendosur të qëndronte në Meke 19 ditë apo në Tebuk 20 ditë, ashtu që pastaj të themi se ky është caku kohor minimal apo maksimal i udhëtimit, kjo ngelet hipotezë, shumica e dijetarëve kështu kanë thënë.

Ndërsa caktimi i qëndrimit me katër ditë ashtu që nëse vendos të qëndrojë më shumë se kaq duhet t’i plotësojë, është i bazuar në qëndrimin e Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në Meke në haxhin e lamtumirës para se të fillonte haxhi, ku qëndroi katër ditë dhe padyshim që e kishte bërë nijet të qëndronte aty që nga dita e katërt deri në ditën e tetë të muajit Dhul hixheh duke pritur që të fillonte haxhin, pastaj ditën e tetë doli për në Mina.

Një grup dijetarësh kanë thënë: Caku kohor i qëndrimit në udhëtim është dhjetë ditë sepse Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) qëndroi në Meke në haxhin e lamtumirës dhjetë ditë, duke i llogaritur dhe ditët që ndenji në Mina dhe Arafat dhe e konsideruan si qëndrim që e kishte bërë nijet që më parë se sa do qëndronte. Pra sipas tyre lejohet shkurtimi i namazit nëse qëndron dhjetë ditë ose më pak. Ky mendim është i konsiderueshëm dhe me peshë por megjithatë xhumhuri e konsideruan lëvizjen e Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nga Meka për në Mina si udhëtim më vete, sepse pas kryerjes së riteve të haxhit do udhëtonte drejt Medines.

Pra siç shihet dijetarët kanë mendime të ndryshme në këtë çështje por mendimi më i mirë dhe më i sigurtë është mendimi i shumicës së dijetarëve se nëse e vendos të qëndrojë diku më shumë se katër ditë duhet t’i plotësojë namazet, kurse nëse qëndron katër ditë ose më pak i shkurton namazet. Po ashtu i shkurton namazet nëse nuk ka vendosur diçka të caktuar, thotë në vete: do udhëtoj nesër, do udhëtoj pasnesër, pra sapo ta kryejë punën të cilën nuk e di se kur do ta mbarojë, ky person konsiderohet musafir sado që të zgjasë kohë qëndrimi i tij.
Allahu është që jep sukses.

Shkurtimi i namazit për ata që punojnë në mjetet detare

Pyetje: Unë punoj në forcat detare në anije ushtarake. Dalim me anije nga porti për në det ku qëndrojmë tre katër ditë. A na lejohet t’i shkurtojmë dhe bashkojmë namazet duke pasur parasysh se ne nuk largohemi në distanca të largëta nga porti?

Përgjigje: Ai i cili udhëton me mjete detare është njësoj si ai që udhëton me mjete tokësore si p.sh. makinë, tren etj. Nëse distanca që përshkon është distancë udhëtimi të lejohet bashkimi dhe shkurtimi, përndryshe nuk i lejohet. Nëse anija sillet rreth portit apo rreth bregut p.sh. në largësi 10 km ose 20 km nuk i shkurton namazet. Ndërsa nëse largohet në distancë që konsiderohet udhëtim si p.sh. 70 km, 80 km, 100 km ose më tepër, ky quhet udhëtim dhe i lejohet t’i shkurtojë dhe bashkojë namazet sepse është udhëtar, njësoj si ai person që del në terren tokësor për piknik në largësi prej 80 km, 70 km, 90 km, 100 km ose më tepër.

Shkurtimi i namazit për ata që dalin për piknik

Pyetje: Nëse dalim për piknik a na lejohet që t’i shkurtojmë dhe bashkojmë namazet?

Përgjigje: Nëse vendi ku do shkoni është larg vendbanimit tuaj dhe shkuarja atje konsiderohet udhëtim atëherë u lejohet që t’i shkurtoni namazet nëse distanca është përafërsisht 80 km. Shkurtimi i namazit gjatë udhëtimit është më mirë se plotësimi i tij, pra e fal drekën dy rekate, ikindinë dy rekate dhe jacinë dy rekate. Po ashtu lejohet që të bashkojë mes drekës dhe ikindisë, si edhe mes akshamit dhe jacisë.

Mos bashkimi mes namazeve është më i pëlqyeshëm nëse udhëtari nuk është në ecje e sipër, sepse Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në haxhin e lamtumirës gjatë kohës së qëndrimit të tij në Mina i shkurtonte namazet por nuk i bashkonte, kurse në Arafat dhe Muzdelifeh i bashkoi sepse bashkimi ishte më i dobishëm. Nëse musafiri e vendos të qëndrojë diku më shumë se katër ditë e ka detyrë t’i plotësojë namazet. Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve, ndërsa nëse qëndron katër ditë ose më pak është e pëqyeshme që t’i shkurtojë namazet.
Allahu është që jep sukses.

Nëse bashkon drekën me ikindinë, a është mirë që bashkimi të bëhet
menjëherë pas ezanit të drekës apo ta vonojë

Pyetje: Nëse i shkurtoj dhe i bashkoj drekën me ikindinë, a është më mirë t’i fal menjëherë pas ezanit të drekës apo t’i vonoj deri në mesin e dy kohëve?

Përgjigje: Nëse musafiri e fillon udhëtimin para hyrjes së kohës së drekës, është e pëlqyeshme që ta falë drekën me ikindinë bashkim të vonuar (pra në kohën e ikindisë). Ndërsa nëse do udhëtojë pas hyrjes së kohës së drekës atëherë më e mira është ta falë drekën me ikindinë bashkim të parakohshëm (pra në kohën e drekës). Po kështu vepron me akshamin dhe jacinë, nëse udhëton para perëndimit të diellit e vonon akshamin që ta falë së bashku me jacinë bashkim të vonuar. Ndërsa nëse do udhëtojë pas perëndimit të diellit atëherë e fal jacinë së bashku me akshamin në kohë të akshamit bashkim të parakohshëm. Ky është suneti i Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

Nëse udhëtari nuk është në lëvizje e sipër por është në qëndrim, atëherë është i lirë të zgjedhë. Nëse do i bashkon me bashkim të parakohshëm ose i bashkon bashkim të vonuar, por më e mira është që ta falë çdo namaz në kohën e tij, siç veproi Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në Mina në haxhin e lamtumirës duke falur çdo namaz në kohën e tij sepse nuk ishte në lëvizje e sipër. Nëse udhëtari i cili është në qëndrim e ka të nevojshme t’i bashkojë namazet, nuk ka asnjë problem, lejohet sepse Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i ka bashkuar namazet në betejën e Tebukut megjithëse nuk ishte në ecje e sipër. Po kështu vepron i sëmuri nëse i vjen më e lehtë që t’i bashkojë bashkim të parakohshëm e bën diçka të tillë ose nëse e lehtëson më shumë që t’i bashkojë bashkim të vonuar e bën diçka të tillë. Nëse nuk ka vështirësi apo mundim që ia bën të nevojshme t’i bashkojë namazet, atëherë e fal çdo namaz në kohën e tij sepse kjo është më e mirë por megjithatë i lejohet që t’i bashkojë namazet.

Koha e bashkimit mes dy namazeve
dhe koha e namazit të vitrit

Pyetje: Cila është koha në të cilën bashkohen dy namazet? Cila është koha e namazit të vitrit?

Përgjigje: Bashkimi mes dy namazeve mund të bëhet në fillim të kohës ose në fund të tij, ka hapësirë të gjerë në këtë aspekt. Sheriati na ka treguar se lejohet bashkimi mes dy namazeve në kohën e namazit të parë, ose në kohën e namazit të dytë, ose ndërmjet dy kohëve sepse dy kohët janë shndërruar si një e vetme për atë person që ka justifikim për t’i bashkuar siç është musafiri dhe i sëmuri.

Lejohet që të flitet ndërmjet dy namazeve të bashkuara nëse kjo e folur është e nevojshme. Koha e namazit të vitrit fillon që nga mbarimi i namazit të jacisë (edhe nëse e fal jacinë të bashkuar me akshamin bashkim të parakohshëm) dhe mbaron me agimin e sabahut. E lusim Allahun të na japë ne dhe ju të kuptuarit e fesë dhe të na bëjë të qëndrueshëm në të deri në Ditën kur do ta takojmë Atë. Me të vërtetë Ai është Bujar që jep shumë.

Bashkimi i namazit kur udhëtojmë për piknik

Pyetje: Ishim një grup shokësh që kishim dalur në udhëtim dhe mbërritëm tek vendi që kishim për qëllim rreth një orë pas namazit të akshamit. Unë u kërkova atyre të merrnin abdes që të falnim akshamin dhe jacinë të bashkuara e të shkurtuara. Njëri nga vëllezërit më tha: “Nuk lejohet të falemi në këtë kohë por duhet të presim derisa të hyjë koha e jacisë, sepse mes dy kohëve të namazit ka një interval kohor që nuk lejohet të falesh në të”. Unë i thashë: “Kur i bashkon namazet mund t’i falësh në njërën nga të dy kohët dhe se kur del koha e akshamit hyn menjëherë pas tij koha e jacisë (duke mos pasur boshllëk kohor mes tyre)”. Kërkojmë nga ju o shejh i nderuar, të na sqaroni gjykimin e sheriatit në këtë çështje. Po ashtu në lidhje me kohën e bashkimit mes drekës dhe ikindisë. Allahu u shpërbleftë me të mira.

Përgjigje: E vërteta është ashtu siç ke thënë ti. Sepse mes kohës së akshamit dhe kohës së jacisë nuk ka ndonjë inerval kohor në të cilin nuk lejohet të falesh, po kështu në lidhje me drekën dhe ikindinë, nuk ka mes tyre interval kohor në të cilin ndalohet të falesh, përkundrazi sapo del koha e njërit namaz menjëherë hyn koha e namazit pasardhës, pa pasur ndarje mes tyre. Musafirit dhe të sëmurit u lejohet t’i bashkojnë dy namaze në kohën e njërit prej tyre, sepse kohët e këtyre dy namazeve bëhen si një e vetme.

Nëse musafiri është në udhëtim e sipër dhe e ka filluar udhëtimin para se të hynte koha e namazit të parë, më e mira për të është që ta vonojë atë namaz deri në kohën e namazit pasardhës në mënyrë që t’i bashkojë bashkim të vonuar. Ndërsa nëse e fillon udhëtimin pas hyrjes së kohës së namazit atëherë është e pëlqyeshme që ta falë namazin pasardhës sëbashku me namazin aktual, bashkim të parakohshëm, duke marrë si shembull në këtë Profetin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

Përsa i përket musafirit që nuk është në ecje e sipër, më e mira për të është që të mos i bashkojë namazet por ta falë çdo namaz në kohën e tij duke e shkurtuar por pa e bashkuar (kjo nëse qëndrimi i tij zgjat katër ditë ose më pak). Sepse Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) qëndroi në Mina në haxhin e lamtumirës ditën e Bajramit dhe dy ditë pas tij nga ditët e Teshrikut duke e falur çdo namaz në kohën e tij pa i bashkuar. Nëse musafiri e vendos të qëndrojë më shumë se katër ditë atëherë më e sigurta për të është që ta falë çdo namaz të plotë në kohën e tij, pa e shkurtuar. Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve. Allahu na dhëntë sukses të gjithëve.

Si duhet të veprojë udhëtari nëse i qëllon që ta falë namazin
në një xhami gjatë rrugës

Pyetje: Nëse jemi udhëtarë dhe kalojmë pranë një xhamie në kohë namazi p.sh. në namaz të drekës, cila është më e pëlqyeshme për ne: ta falim namazin me xhematin e xhamisë dhe pastaj ta falim ikindinë të shkurtuar apo të falemi ne udhëtarët xhemat më vete? Nëse e falim drekën me xhematin dhe duam të bashkojmë me të ikindinë, a duhet të ngrihemi për t’u falur menjëherë pas selamit në mënyrë që të jenë namazet të njëpasnjëshme apo mund t’i bëjmë dhikret dhe tespihet e pastaj ta falim ikindinë?

Përgjigje: Më e mira është që të faleni xhemat më vete që ta falni namazin të shkurtuar sepse Suneti në lidhje me musafirin është që ta shkurtojë namazin katër rekatësh, kurse nëse faleni me vendasit e keni detyrë që ta plotësoni namazin, siç është vërtetuar kjo në Sunet. Nëse doni t’i bashkoni namazet është e pëlqyeshme që ta bëni bashkimin sa më shpejt duke zbatuar Sunetin ashtu siç e qartësuam në përgjigjen e pyetjes së mëparshme[5], pasi të bëni tre herë estagfirullah dhe të thoni: Allahume entes selamu ue minkes selamu tebarakte ja dhel xhelali uel ikrami.

Nëse është vetëm një musafir atëherë e ka detyrë që të falet me xhematin vendas dhe ta plotësojë namazin, sepse falja me xhemat është vaxhib (detyrë) kurse shkurtimi i namazit është mustehab (i pëlqyeshëm), kështu që e ka detyrë t’i japë përparësi kryerjes së vaxhibit ndaj mustehabit.

Mbërriti në aeroport pas namazit të jacisë dhe akoma nuk ka falur
as akshamin dhe as jacinë, a duhet t’i bashkojë dhe shkurtojë

Pyetje: Unë jam nga qyteti Baha i Arabisë Saudite. Nëse mbërrij në aeroportin e Rijadit pas namazit të jacisë dhe nuk kam falur akoma as akshamin dhe as jacinë, a t’i bashkoj dhe shkurtoj?

Përgjigje: Eshtë e pëlqyeshme që musafiri gjatë udhëtimit t’i shkurtojë namazet, ndërsa bashkimi i namazeve ka nevojë për sqarim. Nëse është në ecje e sipër atëherë më e mira është që t’i bashkojë namazet (qoftë bashkim të parakohshëm apo bashkim të vonuar si të jetë më e mirë për të në varësi të gjendjes), sepse Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) kështu ka vepruar. Pra nëse ishte në ecje e sipër bashkonte mes drekës e ikindisë dhe mes akshamit e jacisë.

Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) kur nisej nga shtëpia e tij para kohës së drekës e vononte namazin e drekës që ta bashkonte me ikindinë bashkim të vonuar, kurse nëse nisej pas hyrjes së kohës së drekës atëherë e falte drekën dhe ikindinë bashkim të parakohshëm, kështu vepronte me akshamin dhe jacinë. Nëse nisej para perëndimit të diellit e vononte akshamin që ta falte me jacinë, bashkim të vonuar, ndërsa nëse nisej pas perëndimit të diellit atëherë e falte akshamin dhe jacinë bashkim të parakohshëm.

Nëse udhëtari nuk është në ecje e sipër atëherë më e mira për të është që të mos i bashkojë, sepse Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në haxhin e lamtumirës nuk i bashkonte namazet gjatë kohës që qëndroi në Mina. Përsa i përket atij personit që ka mbërritur në aeroportin e Rijadit dhe akoma nuk e ka falur as akshamin dhe as jacinë, është e pëlqyeshme për të që t’i bashkojë këto dy namaze dhe ta falë jacinë të shkurtuar, sepse aeroporti është jashtë qytetit. Nëse ai do që ta vonojë jacinë në mënyrë që ta falë me njerëzit në xhami të plotë pa e shkurtuar, nuk ka problem, diçka e tillë lejohet. Allahu është që jep sukses.

A i lejohet musafirit i cili do nisej pasi kishte hyrë koha e drekës dhe para
se të hynte koha e ikindisë, që t’i bashkojë këto dy namaze në kohën e drekës

Pyetje: Një person vendosi që të nisej pas hyrjes së kohës së drekës dhe para se të hynte koha e ikindisë, a i lejohet që të bashkojë mes drekës dhe ikindisë në kohën e drekës?

Përgjigje: Nuk i lejohet bashkimi mes dy namazeve derisa të dalë jashtë ndërtesave të vendbanimit të tij (fshat qoftë apo qytet) dhe të jetë në shkretëtirë (ose hapësirë jashtë qytetit). Sepse Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në haxhin e lamtumirës e fali drekën në Medine katër rekate pastaj u nis dhe e fali ikindinë dy rekate në Dhul Hulejfeh [6] .
Allahu është që jep sukses.

Musafiri i cili është vetëm e ka detyrë të falet me imamin
në xhami dhe ta plotësojë namazin

Pyetje: Nëse jam musafir dhe qëndroj atje ku kam udhëtuar disa ditë, p.sh: tre, katër ose më pak, ose më shumë dhe hyj në xhami në kohë të drekës dhe falem me xhematin katër rekate, pastaj ngrihem vetëm dhe e fal ikindinë të shkurtuar, a është i saktë veprimi im? A më lejohet mua si musafir që jam që t’i bashkoj dhe shkurtoj namazet në banesën ku unë qëndroj atje, duke ditur se unë jam në qendër të një qyteti me xhami të shumta dhe e dëgjoj ezanin?

Përgjigje: Nëse musafiri e vendos që të qëndrojë diku më shumë se katër ditë, e ka detyrë t’i plotësojë namazet, sipas mendimit të shumicës së dijetarëve. Ndërsa nëse do rrijë më pak se katër ditë më e mira është që t’i shkurtojë namazet por nëse i plotëson nuk ka problem, lejohet. Nëse është vetëm nuk e shkurton namazin por e ka detyrë që të falet me xhematin në xhami dhe e plotëson namazin si xhemati, duke u bazuar në argumentet të cilat e bëjnë detyrë faljen e namazit me xhemat, si dhe në hadithin e saktë që transmetohet në “Musnedin” e imam Ahmedit dhe “Sahihun” e Muslimit nga Ibn Abasi i cili tha se Suneti në lidhje me musafirin i cili falet pas imamit vendas është që të falë katër rekate si imami. Gjithashtu duke u bazuar në përgjithësimin e hadithit: “Imami është bërë që të pasohet prandaj mos e kundërshtoni atë (duke i paraprirë në veprime apo duke u vonuar shumë pas tij). ” Mutefekun alejhi.

Udhëtari i cili është vetëm e ka detyrë të falet me xhematin e muslimanëve
dhe ta plotësojë namazin

Pyetje: A i lejohet udhëtarit që ka ardhur për Umre që ta bashkojë drekën me ikindinë dhe t’i shkurtojë, duke pasur parasysh se ai do qëndrojë në Meke dy ose tre ditë dhe banon në një hotel shumë pranë Qabes?

Përgjigje: Nuk i lejohet musafirit i cili është vetëm që ta shkurtojë namazin. Përkundrazi, e ka detyrë të falet me xhematin e muslimanëve dhe ta plotësojë namazin, sepse shkurtimi i namazit është mustehab (e pëlqyeshme) kurse falja me xhemat është vaxhib (detyrë), por nëse janë më shumë se një udhëtar lejohet që ta falin namazin të shkurtuar nëse qëndrimi i tyre zgjat katër ditë ose më pak.

Cfarë është më e mira për musafirin: t’i shkurtojë namazet pa i bashkuar
apo t’i bashkojë dhe shkurtojë

Pyetje: Disa njerëzve u është krijuar ideja se shkurtimi dhe bashkimi i namazit janë dy gjëra të pandashme nga njëra-tjetra, d.m.th. nuk mund të ketë bashkim pa shkurtim dhe nuk ka shkurtim pa bashkim. Cili është mendimi juaj në lidhje me këtë? Cfarë është më e mira për musafirin: t’i shkurtojë namazet pa i bashkuar apo t’i shkurtojë dhe bashkojë?

Përgjigje: Musafirit Allahu ia ka ligjëruar shkurtimin e namazit po ashtu ia ka lejuar dhe bashkimin por nuk janë dy gjëra të pandashme nga njëra-tjetra, mund t’i shkurtojë namazet pa i bashkuar. Mosbashkimi mes namazeve është më i mirë nëse musafiri nuk është në ecje e sipër, siç veproi Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në Mina në haxhin e lamtumirës ku i shkurtonte namazet pa i bashkuar. Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i shkurtoi dhe i bashkoi namazet në betejën e Tebukut (megjithëse nuk ishte në ecje e sipër) gjë e cila tregon se të dyja lejohen.

Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) kur ishte në ecje e sipër i shkurtonte dhe i bashkonte namazet. Cështja e bashkimit të namazeve është më e gjerë se sa shkurtimi, sepse bashkimi i lejohet të sëmurit dhe u lejohet muslimanëve vendas nëpër xhamia në rast shiu apo kur ka rrezik rrëshqitjeje (nga lluca apo akulli). Pra u lejohet që të bashkojnë mes akshamit e jacisë dhe mes drekës e ikindisë por nuk u lejohet shkurtimi, sepse shkurtimi i namazit është i veçantë vetëm për udhëtarin. Allahu është që jep sukses.

Shkurtimi dhe bashkimi i namazeve për atë person që e ka zënë
koha e namazit në vendin e tij pa u nisur akoma

Pyetje: Nëse hyn koha e namazit duke qenë personi akoma në vendin e tij pastaj niset para se ta falë atë namaz, a i lejohet shkurtimi dhe bashkimi? Po nëse fal drekën dhe ikindinë të shkurtuara dhe të bashkuara në udhëtim pastaj mbërrin në vendin e tij në kohë të ikindisë, a janë të sakta namazet e tij që i ka falur në udhëtim, duke pasur parasysh se ai e dinte që do mbërrinte në vendin e tij në kohën e namazit të dytë?

Përgjigje: Nëse koha e namazit e zë musafirin duke qenë akoma në vendin e tij pastaj ai niset pa e falur namazin i lejohet që t’i shkurtojë namazet pasi të dalë jashtë banesave të qytetit, sipas mendimit më të saktë nga dy mendimet që kanë dijetarët në këtë çështje, i cili njëkohësisht është edhe mendimi i shumicës së dijetarëve. Nëse i shkurton dhe i bashkon në udhëtim pastaj mbërrin në vendin e tij para se të hyjë koha e namazit të dytë ose pasi ka hyrë, nuk ka përse ta përsërisë namazin sepse e ka kryer atë në përputhje me sheriatin. Por nëse do që ta falë namazin e dytë me njerëzit në xhami kjo do të jetë nafile për të. Allahu është që jep sukses.

Bashkimi i namazit të akshamit dhe jacisë në qytete për shkak të shiut

Pyetje: Cfarë mendimi ka hirësia juaj në lidhje me bashkimin mes akshamit dhe jacisë për shkak të shiut në kohën e sotme në qytete kur dihet se rrugët janë të shtruara e të asfaltuara, me trotuare dhe të ndriçuara, duke bërë që të mos ketë vështirësi apo llucë?

Përgjigje: Lejohet bashkimi mes akshamit e jacisë dhe mes drekës e ikindisë për shkak të shiut nëse ai i sjell vështirësi njerëzve kur dalin për në xhami. I njëjti gjykim është nëse ka llucë dhe baltë në të cilën mund të rrëshqasin njerëzit ose nëse rrjedh uji nëpër rrugë dhe tregje, sepse kjo u sjell veshtirësi njerëzve. Ky është mendimi më i saktë nga dy mendimet që kanë dijetarët në këtë çështje. Argumenti i kësaj është hadithi i transmetuar në dy “Sahihet” nga ibn Abbasi se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka bashkuar në Medine mes namazit të drekës e ikindisë dhe mes namazit të akshamit e jacisë [7].

Muslimi ka transmetuar një shtojcë në transmetimin e tij ku thuhet: “E bëri këtë pa ekzistuar ndonjë frikë apo shi apo udhëtim” [8]. Ky hadith tregon se tek sahabët dihej se frika dhe shiu janë arsye justifikuese që e bëjnë të lejueshme bashkimin e namazit njësoj si udhëtimi, por në këto raste nuk lejohet shkurtimi, sepse xhemati janë vendas dhe jo udhëtar dhe shkurtimi është i lejuar vetëm në udhëtim, prandaj atyre u lejohet vetëm bashkimi. Allahu është që jep sukses.

Kriteri me të cilin përcaktojmë bashkimin mes dy namazeve në kohë shiu

Pyetje: Cili është kriteri në bazë të së cilit arrijmë ta përcaktojmë se kur mund të bashkojmë mes dy namazeve për shkak të shiut?

Përgjigje: Nëse ekziston arsyeja justifikuese atëherë lejohet bashkimi mes dy namazeve: mes drekës dhe ikindisë apo akshamit dhe jacisë. Arsye justifikuese për bashkim mund të jetë: sëmundja, udhëtimi, si dhe shiu i madh sipas mendimit më të saktë nga dy mendimet që kanë dijetarët në këtë çështje. Disa dijetarë e konsiderojnë të ndaluar bashkimin mes drekës dhe ikindisë për shkak të shiut që sjell veshtirësi ose llucës në të cilën mund të rrëshqasin njerëzit, nëse je vendas brenda në qytet. E sakta në këtë çështje është se lejohet bashkimi mes akshamit dhe jacisë apo mes drekës dhe ikindisë nëse shiu është i rrëmbyeshëm apo ka llucë që mund të shkaktojë rrëshqitje, sepse këto u sjellin vështirësi njerëzve.

Lejohet që t’i bashkojnë bashkim të parakohshëm (qoftë në fillim të kohës apo edhe më vonë), i rëndësishëm është fakti që nëse shiu u sjell veshtirësi atëherë u lejohet bashkimi. P.sh. janë brenda në xhami dhe filloi të binte shi i madh duke e bërë të vështirë ecjen nëpër rrugë e tregje (për shkak të ujit dhe baltës), atëherë i bashkojnë namazet pa asnjë lloj problemi. Por nëse nuk duan t’i bashkojnë u lejohet që ta falin namazin në shtëpitë e tyre për shkak të shiut dhe baltës.

Nuk lejohet bashkimi mes dy namazeve veçse me arsye
justifikuese të vërtetuar me sheriat

Pyetje: Në ditët e kaluara disa imamë të xhamive bashkuan mes akshamit e jacisë sepse ra një shi i lehtë i cili nuk sillte asnjë llojë mundimi. Cili është gjykimi për këtë veprim dhe a është i saktë namazi i tyre apo duhet ta përserisin atë?

Përgjigje: Nuk lejohet bashkimi mes dy namazeve veçse me arsye justifikuese të pranuar me sheriat siç është udhëtimi, sëmundja apo shiu i cili të lag (qull) rrobat dhe të sjell ndonjë lloj veshtirësie duke krijuar llucë nëpër rrugë etj. Ndërsa kush bashkon mes akshamit dhe jacisë apo drekës dhe ikindisë pa arsye ka kryer një vepër që nuk lejohet dhe e ka detyrë ta përsërisë atë namaz që e ka falur para kohe sepse Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kush punon një vepër e cila bie në kundershtim me fenë tonë ajo vepër është e refuzuar” transmeton Muslimi (me nr 1718) dhe në dy “Sahihet” nga Aishja nga Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) se ai ka thënë: “Kush shpik në fenë tonë çfarë nuk është prej saj ajo është e refuzuar” [9].

Në bazë të kësaj që thamë bëhet e ditur se çdo musliman e ka detyrë që t’i kushtojë kujdes dhe rëndësi adhurimeve të tij në mënyrë që të jenë në përputhje me sheriatin dhe t’i largohet gjërave që bien në kundërshtim me të. Allahu u dhëntë sukses të gjithë muslimanëve që t’i përmbahen fesë dhe ta kuptojnë atë.

A është nijeti kusht për lejimin e bashkimit

Pyetje: A është nijeti kusht për lejimin e bashkimit? Sepse shpesh herë falet akshami pa pasur xhemati nijet për bashkim dhe pas namazit konsultohen mes tyre dhe e vendosin ta bashkojnë me jacinë dhe falen.

Përgjigje: Dijetarët kanë rënë në mospajtim mes tyre në këtë çështje. Por mendimi më i saktë është se nijeti për bashkim nuk është kusht që të ekzistojë që në faljen e namazit të parë, përkundrazi lejohet që ta bashkojnë edhe nëse e vendosin pas faljes së namazit të parë, kuptohet nëse ekziston arsyeja që e bën të lejuar bashkimin siç është frika, sëmundja apo shiu.

A është kusht për bashkimin e namazeve që të falen të njëpasnjëshme

Pyetje: Ndodh që ata të cilët i bashkojnë namazet vonohen pak në faljen e namazit të dytë duke bërë që të ketë një lloj shkëputjeje në mes dy namazeve. Cili është gjykimi për këtë, pra a është kusht që namazet të falen të njëpasnjëshme?

Përgjigje: Nëse është bashkim i parakohshëm atëherë është detyrë që namazet të falen të njëpasnjëshme (sapo mbaron të parin fillon të dytin) dhe nuk ka problem nëse shkëputen nga njëra-tjetra për një kohë shumë të shkurtër, sepse kjo është saktësuar nga Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe ai është që ka thënë: “Faluni ashtu siç më keni parë mua duke u falur” [10].

Gjithashtu mendimi më i saktë është se nijeti nuk është kusht për bashkimin e namazeve siç e sqaruam në përgjigjen e pyetjes së mëparshme. Ndërsa nëse është bashkim i vonuar atëherë çështja ka hapësirë më të gjerë, sepse namazi i dytë është brenda kohës së tij por megjithatë më e mira është që namazet të falen të njëpasnjëshme duke marrë si shembull Profetin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në këtë gjë. Allahu është që jep sukses.

Gjykimi i bashkimit i të gjitha namazeve së bashku në fund të ditës

Pyetje: A i lejohet muslimanit i cili është udhëtar në një udhëtim të gjatë që t’i bashkojë të gjitha namazet në fund të ditës?

Përgjigje: Kjo është diçka shumë e shëmtuar, gjynah i madh dhe askush nga dijetarët nuk e ka thënë këtë. Ajo që i lejohet musafirit është që të bashkojë mes drekës dhe ikindisë në kohën e njërës prej tyre deri para zbehjes së diellit (rënia e kuqërrimës në horizont para perëndimit të diellit) si dhe të bashkojë mes akshamit dhe jacisë në kohën e njërës prej tyre deri para mesit të natës. Kurse namazi i sabahut nuk bashkohet me asnjë por duhet të falet gjithmonë në kohën e tij të caktuar deri para lindjes së diellit, si në qëndrim ashtu edhe në udhëtim. Allahu është që jep sukses.

Shkurtimi dhe bashkimi i namazit për udhëtarin që ndodhet
brenda qytetit ku ka udhëtuar

Pyetje: Ne jemi tre persona që kemi udhëtuar nga qyteti i Rijadit për në Kasim për të kaluar atje ditën e enjte dhe të premte. A t’i shkurtojmë dhe bashkojmë namazet dhe a e kemi detyrë ta falim namazin me xhemat në xhami?

Përgjigje: Eshtë e pëlqyeshme që ta shkurtoni namazin katër rekatësh (në dy rekate), ndërsa sabahu dhe akshami nuk shkurtohen. Nuk e keni detyrë ta falni namazin në xhami me vendasit por nëse faleni me ta atëherë do e falni namazin të plotë, katër rekatë. Eshtë vërtetuar në Sunetin e saktë nga Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) se musafiri nëse falet pas vendasit duhet ta plotësojë namazin. Kurse namazin e sabahut dhe të akshamit duhet ta falni në xhami me vendasit duke u bazuar në përgjithësimin e fjalës së Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Kush e dëgjon ezanin dhe nuk vjen (për t’u falur në xhami me xhematin) nuk ka namaz për atë person, përveç nëse ka arsye justifikuese” [11].

Po ashtu fjala e Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) kur Ibn Umi Mektumi e pyeti:
-O i Dërguari i Allahut, nuk kam asnjë që të më sjellë në xhami. A kam leje që të falem në shtëpinë time?
-A e dëgjon thirrjen (ezanin)? – i tha Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).
– Po.- u përgjigjë
– Atëherë përgjigjiu thirrjes, – tha Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Tran. Muslimi në “Sahihun” e tij (me nr 653).

U lejohet që të bashkoni mes dy namazeve: drekës dhe ikindisë, si dhe mes akshamit dhe jacisë sepse jeni udhëtarë, por më e mira është që të mos i bashkoni sepse nuk jeni në ecje e sipër. Nëse faleni me xhematin në xhami kjo do jetë më e mirë dhe me më shumë shpërblim. Allahu është që jep sukses.

Personi që mbërrin tek qyteti që kishte për qëllim duhet të falet
me njerëzit dhe ta plotësojë namazin

Pyetje: Nëse një person udhëton për në qytetin e Xhides, a i lejohet që t’i shkurtojë namazet apo patjetër duhet të falet me xhematin në xhami?

Përgjigje: Gjatë rrugës e shkurton namazin pa asnjë problem ndërsa kur të arrijë në qytet mos të falet vetëm por duhet të falet me njerëzit në xhami dhe e plotëson namazin. Kurse gjatë rrugës edhe nëse është vetëm falet dhe e shkurton namazin katër rekatësh në dy rekate.

Musafiri ka të drejtë ta falë namazin si udhëtar pasi të shkëputet nga vendbanimi i tij
dhe t’i lerë pas shpine ndërtesat e fundit të vendbanimit (fshat qoftë apo qytet)

Pyetje: Cfarë gjykimi ka për atë person që udhëton pas hyrjes së kohës së drekës pasi që ka udhëtuar 10 km ndaloi që të falet. A e shkurton namazin apo e fal të plotë?

Përgjigje: Shumica e dijetarëve janë të mendimit se i lejohet musafirit që ta falë namazin si udhëtar sapo të shkëputet nga vendbanimi i tij (fshat apo qytet), sepse Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk i shkurtonte namazet në udhëtimet e tij veçse pasi të shkëputej nga Medineja, atëherë falte dy rekatë. Ajo që merret në konsideratë është gjendja e personit në kohën e kryerjes së veprimit. P.sh. nëse thërritet ezani i drekës ose i ikindisë dhe musafiri niset për udhëtim, i lejohet që ta shkurtojë namazin pasi të dalë jashtë banesave të vendbanimit, sepse nuk merret në konsideratë gjendja në kohën e nisjes por gjendja e tij në kohën e kryerjes së veprimit dhe duke qenë se ai është udhëtar i lejohet shkurtimi.

Nëse udhëton diku ku ka një të afërm dhe distanca është largësi
udhëtimi konsiderohet udhëtar

Pyetje: Një person u nis për të udhëtuar nga Rijadi për në Meke dhe gjatë rrugës ndaloi në Kasim tek disa të afërmit e tij dhe qëndroi aty dy ditë. A konsiderohet udhëtar në këtë rast?

Përgjigje: Po, ky person konsiderohet udhëtar për sa kohë që nuk është në vendbanimin e tij edhe pse mund të ketë atje ndonjë të afërm, si p.sh. vëlla ose motër etj, por nuk falet vetëm, përkundrazi duhet të falet me xhematin dhe e plotëson namazin me ta sepse është detyrë të falet namazi me xhemat.

Ndërsa nëse ka me vete persona të tjerë udhëtarë (qoftë një apo më shumë), atëherë u lejohet të falen duke shkurtuar namazin, por u lejohet edhe që të falen me xhematin në xhami duke e plotësuar namazin. Nëse e vendos që të qëndrojë më shumë se katër ditë atëherë e ka detyrë ta falë të plotë namazin katër rekatësh, qoftë vetëm një person apo më shumë.

Një musafir pasi që fali namazin e xhumasë me xhematin,
u ngrit dhe bashkoi me të ikindinë

Pyetje: Udhëtova drejt Mekes për të kryer Umre dhe më zuri namazi i xhumasë në rrugë pranë një qyteti. Pasi që fala xhumanë me muslimanët në xhaminë kryesore të atij qyteti, bëra ikamet dhe fala ikindinë duke u bazuar në faktin që jam udhëtar. A është e lejuar kjo që unë kam bërë?

Përgjigje: Nuk ka asnjë argument me aq sa dimë që e bën të lejuar bashkimin e ikindisë me namazin e xhumasë, kjo gjë nuk është transmetuar nga Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e as nga ndonjë sahabij, prandaj është detyrë që të mos veprohet ky lloj veprimi. Kush e ka bërë diçka të tillë e ka detyrë që ta përsërisë namazin e ikindisë kur t’i hyjë koha.
Allahu i dhëntë sukses të gjithëve.

Nëse musafiri e fal namazin e xhumasë me vendasit, a mund të falë
pas saj ikindinë të bashkuar

Pyetje: A i lejohet musafirit që pasi ta falë namazin e xhumasë me vendasit, ta falë dhe ikindinë menjëherë pas saj?

Përgjigje: Nuk i lejohet kjo gjë sepse namazi i xhumasë nuk bashkohet me asgjë tjetër dhe e ka detyrë që ta falë ikindinë në kohën e saj. Ndërsa nëse musafiri nuk e fal xhumanë me vendasit por fal namazin e drekës, atëherë s’ka problem që ta bashkojë me ikindinë sepse musafiri nuk e ka detyrë namazin e xhumasë dhe sepse Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka bashkuar drekën me ikindinë në Arafat në haxhin e lamtumirës, me një ezan dhe dy ikamete, pra nuk fali namaz xhumaje (megjithëse ishte e premte). Allahu është që jep sukses.

Namazi i ikindisë nuk mund të bashkohet me namazin e xhumasë,
as në udhëtim e as në qëndrim

Pyetje: Kam falur namazin e xhumasë në xhaminë e Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe e kisha bërë nijet që ta bashkoja me ikindinë duke u nisur nga fakti që jam udhëtar. Sapo u bëra gati që të bëja tekbir për të filluar ikindinë, muezini lajmëroi se do falej namazi i xhenazes. E fala namazin e xhenazes me xhematin pastaj fala ikindinë të shkurtuar. A kam vepruar saktë? Nëse jo, si duhej të kisha vepruar? Më jepni përgjigje, Allahu ju shpërbleftë me të mira dhe ua zgjatë jetën në bindje ndaj Tij.

Përgjigje: Namazi i ikindisë nuk bashkohet me namazin e xhumasë, as në udhëtim e as në qëndrim, sipas mendimit më të saktë nga dy mendimet që kanë dijetarët në këtë çështje. E ke detyrë që ta përsërisësh namazin sepse e ke falur para se t’i hynte koha dhe në një formë të palejuar bashkimi. Kurse përsa i përket ndarjes mes dy namazeve të bashkuara sa për të falur namaz xhenazeje nuk ka problem, ngase është e pëlqyeshme të shpejtohet xhenazeja për t’u varrosur sa më parë sepse Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Shpejtoni me xhenazen sepse nëse është e mirë po e çoni drejt mirësisë, ndërsa nëse nuk është i tillë atëherë i lironi supet tuaja sa më shpejt nga ajo e keqe” Mutefekun alejhi[12].

Ndarja që ndodh me faljen e namazit të xhenazesë mes dy namazeve që do bashkohen është diçka e shkurtër që nuk e pengon bashkimin mes dy namazeve, qoftë edhe sipas atij mendimi të dijetarëve që e bëjnë kusht të menjëhershëm faljen e dy namazeve të bashkuara.
Allahu është që jep sukses.

Bashkimi mes xhumasë dhe ikindisë nëse bie shi i madh

Pyetje: Shejhu i nderuar. Ndodhi një debat mes disa vëllezërve në lidhje me bashkimin mes xhumasë dhe ikindisë nëse bie shi i madh që shkakton vështirësi dhe mundim. Dëshirojmë të na jepni fetva rreth kësaj.

Përgjigje: Nuk lejohet bashkimi mes namazit të xhumasë dhe ikindisë, as për shkak të shiut e as për ndonjë shkak tjetër, sepse diçka e tillë nuk është transmetuar nga Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e as nga ndonjë sahabi me aq sa dimë. Namazi i xhumasë nuk krahasohet me drekën ngaqë e xhumaja është ibadet më vete dhe siç dihet ibadetet bazohen mbi argumente të transmetuara ndaj nuk lejohet shpikja e diçkaje në ibadete me logjikë. Allahu u dhëntë sukses të gjithëve për të kuptuar fenë dhe për t’iu përmbajtur asaj. Me të vërtetë Ai është Afër dhe Dëgjues.

Gjykimi i bashkimit të namazeve për vendasin

Pyetje: Cili është gjykimi i Allahut dhe të Dërguarit të Tij për një grup njerëzish të cilët e bashkojnë drekën me ikindinë dhe akshamin me jacinë në mënyrë të vazhdueshme megjithëse janë vendas?

Përgjigje: Hadithet e sakta të transmetuara nga Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nga fjalët dhe nga veprat e tij na kanë treguar se është detyrë që të falen pesë namazet, secili në kohën e tij dhe se nuk lejohet që të bashkohet mes drekës dhe ikindisë apo mes akshamit dhe jacisë përveçse nëse ekziston ndonjë arsye justifikuese për diçka të tillë.

P.sh: sëmundja, udhëtimi, shiu, e situata të ngjashme në të cilat është e vështirë ardhja në xhami për çdo namaz në kohën e tij (bëhet fjalë për katër namazet e lartpërmendura). Xhibrili ia mësoi Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) kohët e pesë namazeve duke u falur me të në ditën e parë në fillim të kohës së çdo namazi dhe u fal me të në ditën e dytë në fund të kohës së çdo namazi dhe pasi që falën drekën në dy skajet e kohës së saj i tha: “Namazi falet ndërmjet këtyre dy kohëve”. Të njëjtën gjë i tha pas çdo namazi që falën.

Eshtë saktësuar se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u pyet për kohët e namazeve dhe iu përgjigj pyetësit me veprime duke i falur të pesë namazet në fillim të kohës së çdo namazi në ditën e parë pasuese të asaj pyetjeje, ndërsa në ditën e dytë i fali të pesë namazet në fund të kohës së çdo namazi, pastaj tha: “Namazi falet ndërmjet këtyre dy kohëve”[13].

Përsa i përket hadithit që është transmetuar në dy “Sahihet” se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) fali në Medine tetë (rekate) të bashkuara dhe shtatë (rekate) të bashkuara”[14], në transmetimin e Muslimit bëhet e qartë se qëllimi është: bashkimi mes drekës dhe ikindisë dhe bashkimi mes akshamit dhe jacisë. Në transmetimin e Muslimit thuhet: “E bëri këtë megjithëse nuk kishte ndonjë arsye frike apo shiu” [15] dhe në një transmetim tjetër: “Pa pasur shkak frike apo udhëtim” [16].
Përgjigje ndaj kësaj është të themi ashtu siç tha Ibn Abasi kur u pyet për këtë: “Nuk donte që t’ia vështirësonte umetit të tij”.

Ky bashkim që bëri Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në Medine mes drekës dhe ikindisë, si dhe mes akshamit dhe jacisë, mund të ketë qenë për ndonjë shkak apo arsye që e bënte të nevojshme lehtësimin ndaj sahabëve në atë ditë, ndoshta kishte rënë ndonjë sëmundje e përgjithshme (epidemi) ose kishte llucë dhe baltë ose ndonjë gjë tjetër e cila tjetër e cila u sillte vështirësi sahabëve në atë ditë.

Disa dijetarë kanë thënë: ky lloj bashkimi ka qenë bashkim vetëm në pamje të jashtme, d.m.th. e ka falur drekën në fund fare të kohës së saj dhe e ka falur ikindinë menjëherë sapo i ka hyrë koha, po ashtu ka vepruar me akshamin duke e falur në fund fare të kohës së tij dhe e ka falur jacinë menjëherë sapo i ka hyrë koha.

Sheukani ka thënë në librin e tij “Nejlul Eutar” se imam Nesaiu e ka transmetuar këtë mendim nga Ibn Abasi, transmetuesi i hadithit. Ky mendim ngelet si alternativë e mundshme në shpjegimin e këtij hadithi. Ibn Abasi nuk e ka cekur faktin që Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ta ketë përsëritur këtë veprim herë tjetër por ajo që kuptohet qartë nga transmetimi është se ka ndodhur vetëm një herë të vetme. Imam Ebu Isa Tirmidhiu ka thënë (përafërsisht kuptimi i fjalës së tij): Nuk ka hadith në librin e tij për të cilin të kenë rënë dakort të gjithë dijetarët se nuk punohet me atë hadith përveç këtij hadithi dhe hadithit që flet për vrasjen e pirësit të alkolit nëse sillet për herë të katërt që ti zbatohet dënimi.

Pra, qëllimi i Tirmidhiut është se dijetarët kanë rënë dakort që nuk lejohet të bashkohen dy namaze veçse me arsye të justifikuar me sheriat dhe se dijetarët kanë rënë dakort që bashkimi i Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i përmendur në këtë hadith ka qenë me arsye, duke bërë kështu përputhje mes këtij hadithi dhe haditheve të tjera të shumta dhe të sakta që tregojnë se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e falte çdo namaz në kohën e tij dhe se nuk bashkonte mes dy namazeve veçse nëse kishte arsye për diçka të tillë. Kështu kanë vepruar halifet e drejtë pas tij dhe të gjithë sahabët si dhe dijetarët pas tyre, të gjithë ndoqën këtë rrugë dhe e konsideruan të ndaluar bashkimin veçse nëse ka arsye.

Autori i librit “Nejlul Eutar” ka përmendur një grup dijetarësh që e konsiderojnë të lejuar bashkimin pa arsye nëse kjo ndodh rrallë dhe nuk bëhet zakon, por ky mendim është i refuzuar në bazë të argumenteve të mëparshme dhe ixhmaut të dijetarëve që kanë qenë para tyre. Duke u bazuar në çfarë thamë, i bëhet e qartë pyetësit se ky hadith nuk bie aspak në kundërshtim me hadithet e tjera të sakta që tregojnë qartë ndalimin e bashkimit mes dy namazeve pa patur arsye të vërtetuar me sheriat.

Pra, ky hadith kuptohet në atë mënyrë që e bën të përputhet me hadithet e tjera dhe nuk i kundërshton ato, sepse sunetet e transmetuara nga Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) –fjalë qofshin apo vepra- vërtetojnë njëra tjetrën dhe sqarojnë (komentojnë) njëra tjetrën. Ai sunet që diku transmetohet në mënyrë të përgjithshme kuptohet sipas atij transmetimi në të cilin është përmendur i detajuar (me hollësi), po ashtu nëse transmetohet një sunet në mënyrë të përgjithshme pastaj përjashtohet një rast i veçantë nga ky rregull i përgjithshëm.

E njëjta gjë thuhet edhe për librin e Allahut, ajetet e tij vërtetojnë njëri tjetrin dhe sqarojnë njëri tjetrin. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Elif Lam Ra. Ky është Libër, ajetet e të cilit janë përsosur dhe pastaj janë shpjeguar me imtësi nga më i Urti, i Mirënjohuri në hollësi për çdo gjë” (Hud 1) dhe: “Allahu zbriti fjalën më të mirë, një Libër ajetet e të cilit i përngjasojnë njëri tjetrit në mirësi dhe vërtetësi, të përsëritura herë pas here” (Zumer 23), d.m.th.: ashtu siç është i përsosur dhe i sqaruar po ashtu ka ajete të ngjashme, ajete që vërtetojnë njëri tjetrin. Tekstualisht e njëjta gjë thuhet dhe për Sunetin e Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Allahu është që jep sukses.

Vendasit nuk i lejohet ta shkurtojë namazin apo të mos agjërojë në Ramazan,
përveçse nëse është i sëmurë dhe agjërimi e mundon
ose nëse është udhëtar

Pyetje: Nëse dikush udhëton larg vendbanimit të tij rreth një orë me avion, a i lejohet që t’i bashkojë dhe shkurtojë namazet gjatë qëndrimit të tij në hotel? A i lejohet mosagjërimi në Ramazan?

Përgjigje: Nuk i lejohet askujt që është vendas ta shkurtojë namazin përveç nëse është i sëmurë dhe agjërimi e mundon ose është udhëtar. Ai që ka vendosur të udhëtojë por është akoma në vendbanimin e tij (fshat apo qytet) nuk i lejohet që ta shkurtojë namazin pa e filluar udhëtimin dhe pa u shkëputur nga banesat e fundit të atij vendbanimi, sepse Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) kur e vendoste që të udhëtonte nuk e shkurtonte namazin derisa të shkëputej nga Medineja.

Nuk i lejohet askujt që të falet i vetëm (qoftë ai vendas apo udhëtar) nëse ai ndodhet në një vend ku falet namazi me xhemat. Pra, e ka detyrë të falet me muslimanët dhe ta plotësojë namazin si ata, duke u bazuar në fjalën e Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Kush e dëgjon thirrjen (ezanin) dhe nuk vjen tek ai (për t’u falur në xhemat) nuk ka namaz për të, përveçse nëse ka arsye justifikuese”. E transmeton Ibn Maxheh, Darakutni, Ibn Hibani dhe Hakimi sipas kushtit të Muslimit.
U pyet Ibn Abasi:
-Kush konsiderohet arsye justifikuese?
– Frika dhe sëmundja. – u përgjigjë.

Një i verbër e pyeti Profetin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe i tha: “O Rasulallah, unë nuk kam dikë që të më udhëheqë për në xhami, a më lejohet mua që të falem në shtëpinë time?” Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i tha: “A e dëgjon thirrjen për në namaz?” Tha: “Po”. “Atëherë pra përgjigjiu thirrjes”. Transmeton Muslimi në “Sahihun” e tij. Gjithashtu Profeti ka thënë: “Më shkoi në mendje që të urdhëroj të bëhet ikameti dhe të caktoj dikë që t’u prijë njerëzve në namaz ndërkohë unë së bashku me një grup burrash që bartin me vete barrë me dru të shkojmë tek ata njerëz që nuk janë të pranishëm në namazin me xhemat dhe tua djeg shtëpitë me zjarr” Mutefekun alejhi [17].

Ibn Mesudi ka thënë: “Kush dëshiron ta takojë Allahun nesër duke qenë musliman, le t’i ruajë namazet (t’u kushtojë rëndësi dhe përkujdesje) dhe t’u përgjigjet aty ku thirren, sepse Allahu i ka ligjëruar Profetit tuaj sunetet e udhëzimit dhe me të vërtetë këto namaze janë nga sunetet e udhëzimit. Nëse ju do faleni në shtëpitë tuaja ashtu siç falet ai person që nuk vjen në xhemat atëherë e keni lënë sunetin e Profetit tuaj dhe nëse e lini sunetin e Profetit tuaj do humbisni. Cdo person që merr abdes dhe e plotëson atë në formën më të mirë pastaj niset për në xhami, Allahu ia shkruan për çdo hap nga një të mirë dhe e ngre një gradë më lart dhe ia shlyen një gjynah. Në kohën tonë nuk e linte namazin me xhemat veçse ai person që ishte munafik i mirënjohur ose ndonjë person i sëmurë. Kishte person që e sillnin për krahësh në mënyrë që të ishte i pranishëm në saf”. Tran. Muslimi në “Sahihun” e tij (me nr 654,’256′).

Hadithet që flasin për këtë janë të shumta. Cdo musliman e ka detyrë (qoftë vendas apo udhëtar) që të falet me xhemat dhe të mos falet vetëm përderisa e dëgjon ezanin. Allahu është që jep sukses.

Bashkimi mes dy namazeve pa pasur arsye

Pyetje: Ne punojmë në një vend pune dhe shumë punëtorë e falin së bashku namazin me xhemat por unë nuk falem me ta për shkak të arsyeve të mëposhtme:
Së pari: Ata e bashkojnë drekën me ikindinë në mënyrë të vazhdueshme, po ashtu veprojnë me akshamin dhe jacinë.
Së dyti: Nuk i vendosin duart në pjesën e poshtme të kraharorit. A është i saktë namazi im nësë falem me ta? Na orientoni drejt së vërtetës, Allahu u shperbleftë me të mira.

Përgjigje: Nuk i lejohet muslimanit vendas që të bashkojë mes dy namazeve pa pasur arsye justifikuese, si p.sh. sëmundja ose istihada për gratë, përkundrazi e ka detyrë që ta falë çdo namaz në kohën e tij, drekën në kohën e saj, ikindinë në kohën e saj, akshamin në kohën e tij, jacinë në kohën e saj dhe nuk lejohet të bashkohet mes dy namazeve pa pasur arsye justifikuese të vërtetuar me sheriat. Kurse përsa i përket asaj që është transmetuar se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i ka bashkuar tetë së bashku dhe shtatë së bashku, d.m.th. drekën me ikindinë dhe akshamin me jacinë, kjo tek dijetarët është konsideruar si bashkim që ka pasur arsye.

Disa nga dijetarët kanë thënë: E bëri këtë për shkak të një sëmundjeje epidemike që i kishte përfshirë muslimanët dhe i kishte munduar ndaj edhe Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i bashkoi namazet. Ky lloj bashkimi ka ndodhur vetëm një herë nga Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për shkak të arsyes që u përmend dhe nuk dihet që kjo gjë të jetë përsëritur herë tjetër apo të jetë bërë në mënyrë të vazhdueshme.

Disa të tjerë kanë thenë: Ai bashkim nuk ka qenë real por ishte bashkim vetëm në pamje të jashtme pra e ka falur drekën në fund fare të kohës së saj dhe e ka falur ikindinë menjëherë sapo i ka hyrë koha. Po ashtu ka falur akshamin në fund fare të kohës së tij dhe e ka falur jacinë menjëherë sapo i ka hyrë koha, këtë mendim e ka transmetuar Nesaiu nga ibn Abbasi me zinxhir të saktë [18] pra u quajt bashkim edhe pse në realitet çdo namaz u fal në kohën e tij.

Shpjegimi në këtë lloj mënyre në lidhje me këtë bashkim është transmetuar nga ibn Abbasi me transmetim të saktë ndaj nuk ngelet hapësirë për të thënë diçka tjetër veç kësaj. Pra ky lloj bashkimi ishte i tillë vetëm në pamje të jashtme, kështu që nuk i takon askujt që ta përdorë këtë ndodhi si argument për të lejuar bashkimin pa arsye.

Përsa të përket ty o pyetës të lejohet që të falesh me grupin e punëtorëve drekën në kohën e saj dhe nuk e fal ikindinë kur ata e bashkojnë, po ashtu e fal akshamin me ta në kohën e tij dhe nuk e fal jacinë kur ata e bashkojnë por e fal më vonë kur ti hyjë koha e saj.

Bashkimi dhe shkurtimi i namazit për njësitë ushtarake
që gjenden në vijat e para

Nga Abdulaziz bin Baz drejtuar vëllaut të nderuar drejtorit të “Drejtorisë për çështjet fetare pranë forcave të armatosura tokësore”.
Selamun alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu.

Duke iu përgjigjur letrës tuaj në të cilën kërkohej sqarimi i gjykimit të sheriatit në lidhje me formën e namazit që duhet të falin njësitë ushtarake që gjenden në vijat e para, them: Nëse ata persona janë pranë vendbanimit të tyre dhe nuk janë udhëtarë atëherë e kanë detyrë namazin e xhumasë dhe plotësimin e namazeve katër rekatëshe, ndërsa nëse janë udhëtarë dhe qëndrojnë në pozicionet apo pikat që duhet t’i ruajnë, atëherë nuk e kanë detyrë namazin e xhumasë, u lejohet bashkimi dhe shkurtimi i namazit sepse ata nuk e dinë kur do mbarojë detyra që u është ngarkuar.

Allahu i dhëntë sukses të gjithëve për të berë
ato vepra që Ai i do dhe është i kënaqur me to!
Ues selamu alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu.
Drejtori i përgjithshëm i drejtorisë së kërkimeve studimore,
fetvave dhe davetit.

Shkurtimi i namazit për banorët e Mekes gjatë kohës që gjenden në vendet
e kryerjes së riteve të haxhit (Arafat, Muzdelife, Mina). A i përfshin edhe shitësit
e mallrave atje të cilët nuk bëjnë haxh

Pyetje: Shkurtimi i namazit për banorët e Mekes që gjenden në vendet e kryerjes së riteve të haxhit a ka të bëjë vetëm me ata që bëjnë haxh apo i përfshin edhe shitësit e mallrave apo të tjerë që nuk bëjnë haxh por që gjenden në ato vende për punë të ndryshme (si p.sh. policët, mjekët etj)?

Përgjigje: Ajo që dihet nga dijetarët është se ky shkurtim është i veçantë për ata banorë të Mekes që janë haxhinj, gjithmonë nëse ecim sipas mendimit të atyre dijetarëve që e bëjnë të lejuar për banorët e Mekes shkurtimin në ato vende. Shumica e dijetarëve kanë mendimin se banorët e Mekes as nuk i shkurtojnë dhe as nuk i bashkojnë namazet sepse nuk janë udhëtarë prandaj e kanë detyre ta falin çdo namaz të plotë në kohën e tij.

Mendimi më i saktë është i atyre që e lejojnë diçka të tillë për ata banorë të Mekes që janë haxhinj sepse Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk i urdhëroi mekasit që ishin me të në haxh që t’i plotësonin namazet. Kurse për sa i përket tregtarëve apo të tjerëve të cilët nuk janë gjendur atje për të kryer haxhin por për punë e kanë detyrë t’i plotësojnë namazet dhe nuk u lejohet t’i bashkojnë.

A e kanë detyrë haxhinjtë shkurtimin dhe bashkimin e namazeve në Arafat

Pyetje: A është detyrë bashkimi mes drekës dhe ikindisë dhe shkurtimi i tyre në Arafat, apo lejohet të falet secila e plotë në kohën e saj?

Përgjigje: Falja e namazit të drekës dhe ikindisë në ditën e Arafatit të shkurtuara dhe të bashkuara, në luginën Uraneh (në perëndim të Arafatit) me një ezan dhe dy ikamete është sunet i përforcuar të cilin Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e veproi në haxhin e lamtumirës. Nuk duhet që muslimani ta lerë pa e vepruar sunetin por megjithatë shkurtimi dhe bashkimi në Arafat nuk është vaxhib, nëse do e plotësonte namazin ai do ishte namaz i saktë, ky është mendimi i dijetarëve. Shkurtimi është sunet i përforcuar, sepse Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ka vepruar diçka të tillë dhe ka thënë: “Merrni nga unë mënyrën e kryerjes së riteve të haxhit”. [19]

Pra nuk duhet që muslimani ta kundërshtojë sunetin, përkundrazi duhet të falet me njerëzit të cilët i shkurtojnë dhe i bashkojnë namazet në Arafat, bashkim të parakohshëm pastaj drejtohet për tek vendi i tij ku do bëjë dhikër dhe dua. Nëse nuk i fal dot namazet në luginën Uraneh atëherë le të falet ku të mundet brenda Arafatit, sepse në këto kohë është e nevojshme që njerëzit t’i shmangen rrëmujës dhe tollovisë me sa të kenë mundësi.

Gjykimi i bashkimit mes namazeve për haxhinjtë në Mina në ditën e Tervijes
dhe ditët e teshrikut

Pyetje: A u lejohet haxhinjve në Mina ditën e Tervijes dhe në ditët e teshrikut bashkimi mes namazeve ashtu siç u lejohet shkurtimi? Ai që i ka bashkuar namazet a i konsiderohen si të sakta?

Përgjigje: Nuk di të ketë ndonjë pengesë që e ndalon bashkimin mes namazeve atje. Përderisa u lejua shkurtimi i namazit atëherë lejimi i bashkimit është më parësor, sepse shkaqet që e bëjnë të lejuar bashkimin e namazeve janë të shumta ndryshe nga shkurtimi i cili lejohet vetëm për një arsye: udhëtimi.

Më e mira është mos bashkimi i namazeve në Mina, sepse Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk i ka bashkuar namazet gjatë qëndrimit të tij në Mina as në ditën e Tervijes e as në ditët e teshrikut dhe muslimanët duhet ta kenë Profetin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) shembullin më të mirë.

A është saktësuar se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)
i ka bashkuar namazet në udhëtim kur nuk ishte në ecje e sipër

Pyetje: A është vërtetuar se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka bashkuar mes drekës dhe ikindisë apo mes akshamit dhe jacisë në udhëtim gjatë kohës që nuk ishte në ecje e sipër. Si p.sh. gjatë qëndrimit të tij në Meke në çlirimin e saj ose gjatë qëndrimit të tij në Tebuk, ose gjatë qëndrimit të tij në Meke në haxhin e lamtumirës?

Përgjigje: Eshtë saktësuar se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i ka bashkuar namazet në betejën e Tebukut edhe pse nuk ishte në ecje e sipër, siç e ka transmetuar Muslimi (me nr 706). Kurse sa i përket qëndrimit të tij në Meke në çlirimin e saj dhe në haxhin e lamtumirës nuk kam gjetur diçka që tregon qartë se i ka bashkuar namazet. Por disa hadithe lënë të kuptohet se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i bashkonte namazet gjatë qëndrimit të tij në Ebtah në haxhin e lamtumirës, mirëpo siç e thamë kjo gjë nuk shprehet qartë në hadithe, kështu që mos bashkimi është më i mirë duke u bazuar në veprën e Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në Mina. Allahu është që jep sukses.

Ue salAllahu ala nebijina Muhamed ue alihi ve sahbihi.
Ue selamu alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu

_________________________________________________

[1] Transmeton Ahmedi vell.II/372 dhe teksti është sipas transmetimit të tij dhe Muslimi me nr 1631.
[2] El Fet-h vëll. I, f.176-177 dhe Muslim me nr. 1151, 1154.
[3] Transmeton Ahmedi 1/200 dhe 3/153,Tirmidhiu me nr 2518,Nesaiu me nr 5811 dhe Darimiu me nr 2535.
[4] Transmeton Ahmedi 4/269,Buhariu 1/19,Muslimi me nr 1599,Ebu Daudi me nr 3329 dhe Ibn Maxheh me nr 3984).

[5] Kjo fetva do vijë më vonë në renditjen e këtij libërthi
[6] Vend rreth 10 km larg Medines
[7] Transmeton Buhariu 1/137 dhe Muslimi me nr. 705.
[8] Transmeton Muslimi me nr. 705.
[9] Transmeton Buhari 3/167 dhe Muslimi me nr. 1718
[10] Transmeton Buhariu 1/155.
[11] Transmeton Ibn Maxheh me nr. 793, Darakutni me nr. 4 , Ibn Hibani dhe Hakimi dhe zinxhiri i këtij hadithi është sipas kushtit të Muslimit
[12] Buhariu 2/87, 88 dhe Muslimi me nr 944
[13] Transmeton Ahmedi vëll III/30, Taberani në el Kebir me nr 5443 dhe Tahaui në Sherhu meanil athar vëll I/147
[14] Transmeton Buhariu vëll I/137 dhe II/53 dhe Muslim nr 705,55
[15] Transmeton Muslimi me nr 705,54
[16] Transmeton Muslimi me nr 705,50
[17] Buhariu 1/158,160 dhe 3/91 dhe 8/127 dhe Muslimi me nr 651,’252′
[18] Transmeton Nesaiu në Muxhteba me nr 589
[19] transmeton Bejhekiu me nr 9307, Ahmedi vell.III/337, Muslimi me nr.1297, 1970 dhe Nesaiu me nr 3062 dhe 14459