Pjesa e dytë

Shkaqet e zbritjes së Kuranit

Nga Libri: Njohuri Elementare Në Shkencat E Kuranit

Autor: Abdullah ibën Jusuf el Xhudej


Tema e parë

Për nga zbritja, Kurani është dy llojesh

Lloji i parë: Ato tekste Kuranore të cilat nuk kanë ndonjë shkak zbritjeje të veçantë.
Nën këtë lloj përfshihet shumica e teksteve të Kuranit, duke zbritur direkt me bindjet (besimet) dhe ligjet pa qëndruar në ndonjë shkak që kërkonte përgjigje për ndonjë ngjarje apo pyetje. Kjo sepse këtë Kuran e ka zbritur Ai i Cili e di krijimin dhe natyrën e njeriut dhe e di se çfarë i siguron atij dobinë dhe interesin, kështu që fillon me dijen dhe ligjet në atë formë që Ai e di se njeriu ka nevojë.

Lloji i dytë: Tekstet e zbritura për shkak të ndonjë ngjarje të veçantë apo si përgjigje e ndonjë pyetje.
Ky lloj është si në vend të fetvave në rast të papriturash e fatkeqësish, të cilat janë raste të veçanta që u ndodhin muslimanëve apo disave prej tyre, dhe Allahu ia shpall përgjigjen për to të Dërguarit të Tij me qëllim që të gjykoj me të.

Nën këtë lloj të teksteve Kuranore përfshihen edhe “Shkaqet e zbritjes së Kuranit”, siç e shohim në shembujt e mëposhtëm:

1. Xhundub ibën Sufjan (radiallahu anhu) transmeton dhe thotë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u sëmurë dhe nuk u ngrit (nga shtrati) për dy apo tre netë. Një grua erdhi dhe tha: “O Muhamed! Shpresoj që shejtani yt të të ketë lënë, sepse nuk e kam parë pranë teje që prej dy apo tre netësh.” Atëherë Allahu shpalli: “(Betohem) për paraditën! Për natën kur shtrinë errësirën! Jo, nuk të ka braktisur ty (O Muhammed) Zoti yt dhe as nuk është i pakënaqur me ty!”[1] [Ed Duha, 1-3].

2. Aisha (radiallahu anha) transmeton dhe thotë: “Falënderuar qoftë Allahu i Dëgjimi i të Cilit i ka përfshirë të gjitha zërat. Debatuesja erdhi tek Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për të folur me të, ndërsa unë isha në një cep të dhomës dhe nuk dëgjoja asgjë. Atëherë Allahu shpalli: “Vërtet që tashmë Allahu e dëgjoi fjalën e saj e cila fjaloset me ty (O Muhammed) lidhur me bashkëshortin e saj…”[2] El [Muxhadele, 1].

3. Transmetohet nga Abdullah ibënj Umer (radiallahu anhuma) se: “Kur vdiq Abdullah ibën Ubej, i biri i tij erdhi tek Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe I tha: “O i Dërguari i Allahut! Më jep këmishën tënde që ta qefinos në të, dhe bëj lutje e kërko falje për të!” Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ia dha këmishën e vet dhe tha: “Më lër tani që të lutem për të.” Ai e la, dhe kur Pejgamberi deshi të lutej për të, Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) e tërhoqi dhe i tha: “A nuk të ka ndaluar Allahu që të lutesh për hipokritët?” Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Unë jam i lirë të zgjedh mes dy gjërash: “Edhe nëse ti kërkon falje për ta (hipokritët) ose nuk kërkon falje për ta; bile edhe sikur të kërkosh shtatëdhjetë herë faljen e tyre, (prapë) Allahu nuk do t’i falë ata…” [Et Teube, 80]. Dhe kështu bëri lutje për të, atëherë zbriti ajeti: “Dhe asnjërit prej tyre kur të vdesin, mos ia fal namazin (Xhenazen) kurrë…” [Et Teube, 84].[3]

Dije se që të dy llojet e shpalljes, qofshin ato tekste të shpallura me shkak apo pa shkak zbritje, që të dyja ato bashkohen se kanë zbritur për nevojat e njerëzve, pasi që i gjithë Kurani është për udhëzimin e njerëzve dhe drejtimin e tyre në më të mirën e dynjasë dhe të ahiretit, gjë e cila nuk arrihet veçse me anë të tij (Kuranit), siç thotë Allahu i Madhëruar: “Thuaj (O Muhammed): “(Edhe) në qoftë se unë gaboj, do të gaboj vetëm për humbjen time, por në qoftë se unë mbetem i udhëzuar, kjo është nga Frymëzimi i Zotit tim ndaj meje. Vërtet që Ai është Gjithëdëgjues, kurdoherë i Afërt.” [Sebe, 50].

Tema e dytë

Rruga për njohjen e shkakut të zbritjes

Shkaku i zbritjes së një ajeti njihet me anë të njoftimit nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe shokët e tij.

Dije gjithashtu, se fjala e sahabiut ku thotë: “Ky ajet ka zbritur për këtë gjë”, është në vend të hadithit të ngritur tek Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) edhe nëse nuk e përmend Pejgamberin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Shembull për këtë është hadithi i Ebu Mesud el Ensarit (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili thotë: “Kur u urdhëruam të jepnim sadaka, ne sforcoheshim (ngushtoheshim nga mospasja). Ebu Ukajl erdhi dhe solli gjysëm tasi, pastaj një tjetër solli pak më shumë se ai. Atehërë hipokritët thanë: “Allahu nuk ka nevojë për sadakanë (lëmoshën) e këtij, ndërsa ajo që bëri ky tjetri ishte syefaqësi.” Atëherë u zbrit ajeti: “Ata të cilët marrin nëpër gojë dhe tallen me besimtarë të atillë që japin Sadaka me vullnetin e tyre dhe (me) ata të cilët nuk munden që të gjejnë për të dhënë Sadaka përveçse çfarë kanë në dorë…” [Teube, 79].

Por duhet pasur parasysh se:

Kur një sahabi thotë: “Ky ajet ka zbritur për këtë”, ndërsa një tjetër thotë: “Ka zbritur për këtë gjë”, duke përmendur arsye tjetër për të njëjtin ajet, atëherë shkaku i zbritjes së atij ajeti është ai që është më pranë tekstit të ajetit në kuptimin e tij pa përdorur interpretim, ndërsa tjetri ka për qëllim thjesht komentimin dhe shpjegimin se ajo gjë e përmendur përfshihet në gjykimin e atij ajeti.

Shembull për këtë është hadithi i Abdullah ibën Mesudit (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili thotë: “Pyeta –apo: u pyet- Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Cili është gjynahu më i madh tek Allahu? Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Që t’i bësh shok Allahut, ndërsa Ai të ka krijuar ty.” Pastaj tha: “Dhe të vrasësh fëmijën tënd nga frika se ha me ty (dhe të pakëson ushqimin).” Thashë: “Po tjetër?” Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Të bësh imoralitet me gruan e komshiut tënd.” Thotë: “Dhe ky ajet është zbritur për të vërtetuar fjalën e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Edhe ata të cilët nuk lusin ilah (zot) tjetër me Allahun, që nuk vrasin njeri të atillë që e ka ndaluar Allahu përveç për çështje të drejtë, që nuk kryejnë zina (marrëdhënie të paligjshme imorale)…” [El Furkan, 68].[4]

Po kështu edhe hadithi i Abdullah ibën Abasit (Allahu qoftë i kënaqur me të!) për të njëtin ajet, ku thuhet:
“Disa njerëz prej idhujtarëve të cilët kishin vrarë shumë njerëz, dhe kishin bërë imoralitet shumë, erdhën tek Muhamedi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe thanë: “Ajo që thua dhe tek e cila thërret është e mirë, nëse na tregon se për ato që kemi bërë e vepruar ka falje.” Atëherë u zbrit ajeti: “Edhe ata të cilët nuk lusin ilah (zot) tjetër me Allahun, që nuk vrasin njeri të atillë që e ka ndaluar Allahu përveç për çështje të drejtë, që nuk kryejnë zina (marrëdhënie të paligjshme imorale)…” [El Furkan, 68]. Si dhe ajeti: “Thuaj: “O robët e Mi që i keni tejkaluar caqet kundër vetvetes (duke kryer ligësi e gjynahe)! Mos i humbni shpresat nga Mëshira e Allahut…” [Ez Zumer, 53].[5]

Që të dy këto hadithe janë të sakta për nga transmetimi, dhe në pamje të parë kundërshtohen me njëri-tjetrin për shkakun për të cilin ka zbritur ajeti. Dhe rruga e të bashkuarit mes tyre është: që nëse mediton se cili prej atyre dyve është më pranë kuptimdhënies së shkakut të zbritjes, do të gjeje se hadithi i Ibën Abasit është më pranë kësaj, pasi që ai është i qartë se ajeti ka zbritur si përgjigje e një grupi prej idhujtarëve për faljen e gjynaheve të tyre.

Ndërsa hadithi i Ibën Mesudit (Allahu qoftë i kënaqur me të!) nuk përmban lidhje tjetër mes tekstit të hadithit dhe zbritjes së ajetit veçse përputhjen e Kuranit me fjalën e Pejgamberit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), gjë e cila nuk është e thënë që të jetë shkak për zbritjen e ajetit. Por këtu themi se Ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka gjetur përfshirje të gjykimit të ajetit të pëmendur në hadithin e Pejgamberit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në përgjithësi. Dhe nuk ka dyshim se ajeti ka zbritur me atë domethënie për atë gjykim dhe argument për të, dhe ky është argumentim me të përgjithshmen e ajetit nga ana e Ibën Mesudit (Allahu qoftë i kënaqur me të!).

Tema e tretë

A ka mundësi që të përsëritet shkaku i zbritjes së një ajeti

Nuk ka ndonjë pengesë që një ajet të zbritet për më shumë se një shkak.
Shembulli i kësaj: Ajo që ndodhi në zbritjen e ajeteve të divorcit me mallkim. Siç ka ardhur me transmetim të saktë, ato ajete kanë zbritur në lidhje me historinë e akuzimit të Uvejmir el Axhlani gruan e tij, dhe në lidhje me historinë e akuzimit të Hilal ibën Umejje gruan e tij. Dhe që në të dyja këto histori ka argument se ajetet kanë zbritur për shkak të tyre, megjithëse në historinë e dytë kjo gjë është më e dukshme.

Historia e Uvejmir-it: Transmetohet nga Sehl ibën Sead se: Uvejmir shkoi tek Asim ibën Adij, i cili ishte zotëriu i fisit Axhlan, dhe i tha: “Si thoni për atë burrë i cili e gjen gruan me një burrë tjetër: a ta vrasë atë dhe pastaj ju ta vrisni atë burrë, apo çfarë të bëjë? Pyet të Dërguarin e Allahut për këtë gjë për mua.” Asimi shkoi tek Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut!” Por i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e urrejti gjënë për të cilën u pyet (dhe nuk iu përgjigj). Atëherë Uvejmiri e pyeti atë (Asimin) dhe ai i tha: “I Dërguari i Allahut nuk e pëlqeu pyetjen dhe e qortoi atë.” Atëherë Uvejmiri tha: “Për Allahun! Nuk kam për ta mbyllur me kaq deri sa të pyes të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për këtë gjë.” Dhe kështu shkoi dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Një burrë gjen me gruan e tij një burrë tjetër; a ta vrasë atë dhe pastaj ju ta vrisni, apo çfarë të bëjë?” I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Allahu zbriti Kuran për ty dhe shoqen tënde” dhe e urdhëroi atë që të ndahej me mallkim, ashtu si e ka përmendur Allahu në Librin e Tij, dhe ai u nda nga ajo me mallkim.” –Pastaj përmendi hadithin deri në fund.[6]

Historia e Hilalit: Transmetohet nga Abdullah ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “Hilal ibën Umeje akuzoi gruan e tij tek Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), se kishte bërë imoralitet me Sherik ibën Sehma. Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Sill provën, ose do të marrësh dënimin (e shpifjes) mbi shpinë.” Ai tha: “O i Dërguari i Allahut! Sikur ndonjëri nga ne të shohë një burrë tjetër mbi gruan e tij, a të shkojë të kërkojë dëshmitarë?!” Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) vazhdoi të thoshte: “Sill provën, ose përndryshe do të marrësh dënimin mbi shpinë.” Hilali tha: “Betohem në Atë, i Cili të ka dërguar ty me të vërtetën, se unë them të vërtetën, dhe Allahu ka për të zbritur ç’ka do t’a pastrojë shpinën time nga dënimi.” Atëherë zbriti Xhibrili dhe i shpalli Pejgamberit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Dhe për ata që akuzojnë gratë e tyre, por nuk kanë dëshmitarë tjetër përveç vetes së tyre…” deri sa arriti te: “nëse ai (bashkëshorti i saj) është që flet të vërtetën.” [En Nur, 6-9]. Dhe përmendi hadithin deri në fund.[7]

Këto hadithe dhe të ngjashme me to nuk janë kundërthënie të njëri-tjetrit, por për shkak të zbritjes së një apo disa ajeteve për më shumë se një shkak. Ndoshta të dy këto shkaqe kanë qëlluar në të njëjtën kohë dhe ajeti ka zbritur për të dyja ato, ose është përsëritur zbritja e ajetit kur ngjarja është përsëritur, dhe kjo nuk ndalon që ai ajet të ekzistojë tek Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) më parë, pasi që zbritja herën e parë përmban ngjarjen e parë bashkë me njoftimin e Pejgamberit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për përmbajtjen e ajetit në gjykimin e përgjithshëm të tij për t’a zbatuar atë edhe në ngjarje të ngjashme e të njëjta me të, ndërsa zbritja e dytë bëhet për t’u ditur se ngjarja e re është për qëllim me atë ajet në mënyrë të prerë dhe të sigurtë, pasi që çdo ajet që zbret për një shkak të caktuar, ai shkak është patjetër për qëllim me atë ajet në mënyrë të prerë. Ndryshe nga ato që janë nën vendimin e gjykatësit dhe përpjekjes së tij për njohjen e të vërtetës, i cili kur e vendos një ajet në lidhje me një ngjarje apo ndodhi, ai e bën atë sipas mendimit që anon më shumë dhe jo në mënyrë të prerë. Kjo është një dobi me vlerë në forma të tilla prej shkaqeve të zbritjes së Kuranit.

Tema e katërt

Vendimtare është domethënia e përgjithshme e tekstit

dhe jo shkaku i veçantë i zbritjes së tij

Ajetet që zbresin për një shkak të veçantë; a kufizohet gjykimi i tyre vetëm në shkakun për të cilin janë zbritur?
Ne vëmë re që shprehjet e ajeteve të zbritura për shkaqe të caktuara, të kenë ardhur me shprehje të përgjithshme të cilat përfshijnë atë ngjarje për të cilën ka ardhur hadithi se ajo ka qenë shkak për zbritjen e ajetit, si dhe përfshin gjithashtu çdo ngjarje që radhitet nën të përgjithshmen e asaj shprehje.
Dhe kur neve na janë përcjellë disa prej shkaqeve të zbritjes së disa ajeteve të Kuanit, përcjellësit e tyre nuk kanë pasur për qëllim që me fjalën e tyre për shembull “ky ajet ka zbritur për filanin”, se gjykimi i atij ajeti nuk kalon tek të tjerët.

Kufizimi i shprehjes së përgjithshme në shkakun e veçantë është anullim i domethënies së të përgjithshmes dhe dobisë së saj. Sikur Allahu të kishte për qëllim veçimin e gjykimit të atij ajeti vetëm për të ngjarje për të cilin ai u zbrit, nuk do ta zbriste atë me shprehje të përgjithshme e përgjithësuese. Por kjo do të thotë se me këtë tekst është dashur që ai të jetë ligj i përgjithshëm i cili zbatohet në të gjitha ngjarjet e ngjashme dhe të njëjta me atë ngjarje për të cilën ai ka zbritur.

Prandaj këtu vjen rregulli: “Vendimtare është domethënia e përgjithshme e tekstit dhe jo shkaku i veçantë i zbritjes së tij”

Po marrim një shembull për këtë:
Transmetohet nga Abdullah ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “Një burrë puthi një grua dhe pastaj shkoi tek Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ia përmendi këtë gjë.” Thotë (Ibën Mesudi): “Pastaj u zbrit ajeti:
“Kryeni faljen në dy skajet e ditës dhe në orët e para të natës. Me të vërtetë që veprat e mira i largojnë veprat e këqia. Ky është përkujtim (e këshillë) për ata që përkujtojnë.” [Hud, 114]. Thotë: Atëherë ai burri tha: “A për mua është ky ajet, o i Dërguari i Allahut?” Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Për të gjithë ata që e bëjnë atë prej ymetit tim.”

Ndërsa në një transmetim tjetër thuhet: “Një burrë prej të pranishmëve tha: “O Lajmëtar i Allahut! A është ky veçanërisht për të?” Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Jo, por për njerëzit mbarë.”[8]

Tema e pestë

Dobitë e njohjes së shkaqeve të zbritjes së Kuranit

Njohja e shkaqeve të zbritjes së Kuranit është nga gjërat për të cilat ka nevojë medituesi në Fjalën e Allahut të Madhëruar dhe njohja e tyre ka dobi të mëdha, prej të cilave përmendim:

§ Perceptimi i urtësive të vendosjes së ligjeve dhe njohja e synimeve të sheriatit, dhe se si ligjet e sheriatit vinin në përputhje me aktualitetin, përkrah ngjarjes së ndodhur dhe vërtetuese e plotësuese e nevojave të njerëzve.
Shkaqet e zbritjes së Kuranit të drejton në atë se Kurani nuk ka zbritur për t’u kërkuar bereqeti me leximin e tij, megjithëse në të gjendet bereqeti më i madh, por ai është zbritur që të jetë ligj për jetën, që me të të sistemohen marrëdhëniet mes njerëzve: shitblerja, martesa, divorci, mosmarrëveshjet, trashëgimia, etj. Si dhe të sistemohen adhurimet: pastërtia, namazi, agjërimi, etj. Jo vetëm për individin, por për shoqërinë dhe të gjithë shtetin.

§ Njohja e domethënies që ka për qëllim ajeti.
Kjo do të thotë se njohja e shkakut të zbritjes është bazë në komentimin e ajetit, ndaj edhe komentatorët e Kuranit udhëzohen me të për perceptimin e domethënieve të Kuranit.
Vëreje këtë në hadithin e treguar nga Humejd ibën Abdurrahman ibën Auf se: “Mervani (ibën el Hakem) tha: “O Rafi (portari i tij)! Shko tek Ibën Abasi dhe thuaji: “Sikur çdonjëri prej nesh që kënaqet me atë gjë që i është dhënë dhe do që të lavdërohet për atë që nuk e ka bërë, do të dënohej, atëherë kemi për t’u dënuar që të gjithë!” Ibën Abasi tha: “C’keni ju me këtë ajet? Ky ajet ka zbritur për ithtarët e librave (çifutët dhe të krishterët).” Pastaj Ibën Abasi lexoi ajetin: “(Dhe përkujtoni) kur Allahu mori besë nga ata të cilëve iu dhanë Librat e Parë, për ta bërë të njohur e të qartë lajmin (e ardhjes së Muhammedit a.s.) dhe të mos e fshihnin atë…” [Al Imran, 187]. Pastaj lexoi ajetin: “Mos mendo se janë të shpëtuar nga ndëshkimi ata që kënaqen e gëzohen për atë që e kanë bërë dhe dëshirojnë të jenë të lavdëruar për atë që nuk e bënë, pra mos llogarit shpëtim për ta. Ata do të kenë ndëshkim të dhimbshëm.” [Al Imran, 188]. Pastaj Ibën Abasi tha: “Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i pyeti ata (çifutët) për diçka dhe ata ia fshehën atij duke i treguar gjë tjetër. Pastaj dolën duke i lënë atij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të kujtonte se i treguan për atë që i pyeti dhe u lavdëroheshin për këtë, si dhe u kënaqën me atë që bënë prej fshehjes së asaj për të cilën ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i pyeti.”[9]

Ibën Abasi donte të thoshte se ky ajet me të Mervani u argumentua për atë që tha ishte i lidhur me ajetin para tij: “(Dhe përkujtoni) kur Allahu mori besë nga ata të cilëve iu dhanë Librat e Parë, për ta bërë të njohur e të qartë lajmin (e ardhjes së Muhammedit) dhe të mos e fshihnin atë, por ata e hodhën atë tej pas shpine dhe bënë tregti me të për një fitim të mjerë! Dhe vërtet më e keqja është ajo që ata blenë!”

Pra, këta janë ithtarët e librit dhe shkaku i kritikimit të tyre ishte se ata ia fshehën të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) atë për të cilën ai i pyeti dhe iu përgjigjën për gjë tjetër, duke iu pëlqyer kjo që bënë dhe duke i dhënë përshtypjen Pejgamberit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) se gjoja i dhanë që donte, duke pritur gjithashtu që ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) t’i lëvdonte dhe t’i lavdëronte ata.

Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) nuk ka pasur për qëllim që ta kufizojë ajetin vetëm kundër tyre, pasi që origjina është në të përgjithshmen e shprehjes dhe jo në shkakun e saj të veçantë, por ai i sqaroi Mervanit gabimin e tij në lidhje me argumentimin e domethënies së përgjithshme të ajetit pa e marrë parasysh shkakun e zbritjes së tij në kuptimin e atij përgjithësimi. Ajeti është i përgjithshëm për çdokënd që vepron si vepra e atyre çifutëve, dhe Allahu e ka përmendur ngjarjen e tyre me qëllim të dhënies mësim, por në këtë mësim duhet marrë parasysh shkaku i zbritjes së ajetit për t’u ruajtur nga vendosja e ajetit jo në vendin e vet.

Tema e gjashtë

Obligueshmëria e të siguruarit për vërtetësinë e shkakut të zbritjes

Nisur nga ajo që sqaruam më parë se njohja e shkaqeve të zbritjes së Kuranit luan rol të rëndësishëm në kuptimin e tij në mënyrën më të mirë dhe më të plotë, por duhet që së pari të kërkojmë dhe të sigurohemi për vërtetësinë e atyre shkaqeve.

Dije se gabimi që mund të haset këtu është kur njeriu flet gjithçka që ka dëgjuar, dhe mjafton si gjynah për njeriun që ai të flasë gjithçka që ka dëgjuar pa e vërtetuar saktësinë e tyre.

Shembull për këtë është ajo që ka treguar Jusuf ibën Malik, i cili thotë: “Mervani ishte princ i Hixhazit i emëruar nga Muavija. Ai mbajti hutbe dhe thoshte se pas Muavijes duhet t’i jepej besa birit të tij, Jezidit. Abdurrahmani, biri i Ebu Bekrit i foli atij diçka dhe ai tha: “Merreni!” Por ai hyri në shtëpinë e Aishes dhe ata nuk mundën ta kapnin. Mervani tha: “Ky është ai për të cilin Allahu ka zbritur ajetin: “Por ai që u thotë prindërve: “Uff, të dyve ju! A më premtoni se do të ngrihem (ringjallem përsëri)…” [El Ahkaf, 17]. Atëherë Aisha nga pas murit tha: “Allahu nuk ka zbritur për shkakun tonë (familjes së Ebu Bekrit) gjë prej Kuranit, përveç se Allahu zbriti pafajësinë time.”[10]

Kështu që ka mundësi që Mervanit t’i ketë arritur diçka e tillë nga Abdurrahman ibën Ebi Bekër; se ky ajet ka zbritur për shkak të tij (Abdurrahmanit), dhe gjithashtu ka mundësi që ta ketë thënë nga vetja e tij, por nëna e besimtarëve, Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!) e mohoi këtë gjë duke thënë: “Për ne, familjen e Ebu Bekrit, Allahu nuk ka zbritur asnjë qortim në Kuran”, dhe fjala e saj është fjala e dikujt që ka përjetuar shpalljen dhe që i di shkaqet dhe vendet e zbritjes së saj, ndryshe nga fjala e Mervanit, më e shumta e të cilit është se këtë gjë e ka dëgjuar dhe e ka thënë si e ka dëgjuar, pasi që ai nuk ka qenë prezent në zbritjen e shpalljes, gjë e cila i bashkohet edhe nervozizmit të tij.

Më e madhe se kjo është marrja e atyre që thuhen në librat e tefsirit e libra të tjerë në lidhje me shkaqet e zbritjes pa bërë dallim mes të saktave dhe të pasaktave prej tyre. Madje disa prej autorëve, shkrimtarëve e këshilluesve ndodh që të përmendim diç prej këtyre transmetimeve dhe mbi to të ndërtojnë baza dhe të bëjnë shtjellime, ndërsa më pas bëhet e qartë se ai transmetim ka ardhur nga ndonjë transmetues gënjeshtar apo i lënë.

Prej shembujve të përhapura në lidhje me këtë është ajo që përmendet në librat e tefsirit për shkakun e zbritjes së Fjalës së Allahut: “Dhe prej atyre (hipokritëve) janë disa që bënë marrëveshje me Allahun (duke thënë): “Nëse Ai na dhuron neve Begatinë e Tij, me të vërtetë që ne do të jepnim Sadaka (lëmoshën e detyruar dhe lëmoshë vullnetare e bamirëse në Cështjen e Allahut) dhe padyshim që do të ishim prej të drejtëve.” Pastaj kur Ai u dha atyre nga Begatitë e Tij, ata u bënë koprracë (si të ishin duarthatë dhe nuk pranuan të jepnin asnjë lloj Sadakaje) dhe kthyen shpinën pa dëshirë (për të dhënë gjë). Kështu që Ai i ndëshkoi ata duke u futur hipokrizinë në zemër deri në Ditën në të cilën ata do të takojnë Atë, sepse ata e thyen atë (marrëveshjen me Allahun) të cilën vetë ia kishin premtuar Atij dhe për atë se ata gjithnjë thurnin gënjeshtra.” [Et Teube, 75-77].

Thuhet se kjo ka zbritur për shkak të Thealebe ibën Hatib el Ensari, historia e të cilit është e trilluar. Ky Thealebe në të vërtetë është i pastër nga hipokrizia dhe ai është nga luftëtarët e Bedrit, dhe siç dihet se Allahu ua ka falur çdo gjë pjesëmarrësve në luftën e Bedrit.[11]

Përmbledhje dhe Dispozita

1. Ka prej Kuranit që ka zbritur pa ndonjë shkak dhe ka që ka zbritur për shkak të veçantë.

2. Shkaku i zbritjes së një ajeti apo më shumë njihet me anë të transmetimit të saktë nga Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) apo nga sahabiu.

3. Ajo që thotë sahabiu se është shkak për zbritjen e një ajeti merr gjykimin e hadithit të ngritur tek Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) edhe nëse Pejgamberi nuk përmendet në të.

4. N.q.s. për zbritjen e një ajeti transmetohen më shumë se një shkak zbritjeje, atëherë ndiqet rregulli i mëposhtëm:

§ Nëse njëri prej dy transmetimeve është më i saktë se tjetri për nga zinxhiri i transmetimit, atëherë ai privilegjohet mbi tjetrin.

§ Nëse janë të barabartë në transmetim dhe nuk janë të qartë në të qenurit shkak për zbritjen e ajetit, atëherë ato përfshihen që të dy në gjykimin e përgjithshëm të ajetit.

§ Nëse njëri prej tyre është i qartë në të qenurit shkak për zbritjen e ajetit dhe tjetri jo, ayëherë ai privilegjohet mbi të.

§ Nëse që të dy janë të qartë në të qenurit shkak për zbritjen e ajetit, atëherë ndiqet rruga e të bashkuarit dhe të harmonizuarit mes tyre.

§ Nëse të bashkuarit mes tyre është i pamundur, atëherë nuk ka ndalesë nga të thënurit se zbritja e atij ajeti është përsëritur.

5. Vendimtare është e përgjithshmja e shprehjes dhe jo shkaku i veçantë i thënies së saj.

6. Forma e shkakut përfshihet patjetër në të përgjithshmen e ajetit, d.m.th. se shkaku i zbritjes së ajetit është patjetër për qëllim me zbritjen e atij ajeti, dhe nuk argumentimi i tij për të nuk është sipas mendimit dominues por i sigurtë.

7. Njohja e shkaqeve të zbritjes së Kuranit është nga rregullat e Tefsirit.

PJESA E TRETE

Njohja e Sureve dhe Ajeteve Mekase dhe atyre Medinase

Vijon …

_________________________

[1] Hadith i saktë, muttefekun alejhi. Buhariu 1073,4667,4668,4698, Muslimi 1797.

[2] Hadith i saktë. E ka nxjerrë Ahmedi 6/46, Nesai 3460, Ibën Maxheh 188,2063, El Hakim 3791.

[3] Hadith i saktë; Muttefekun alejhi. E ka nxjerrë Buhariu 1210,4393,4395,5460, Muslimi 2400,2774.

[4] Hadith i saktë; muttefekun alejhi. E ka nxjerrë Buhariu 4483,5655,6468,7049, Muslimi 86.

[5] Hadith i saktë; muttefekun alejhi. E ka nxjerrë Buhariu 4532, Muslimi 122.

[6] Hadith i saktë; muttefekun alejhi. E ka nxjerrë Buhariu 4468,4469,4959,5002,5003,6874, dhe Muslimi 1492.

[7] Hadith i saktë. E ka nxjerrë Buhariu 4470.

[8] Hadith i saktë; muttefekun alejhi. E ka nxjerrë Buhariu 503,4410, Muslimi 2763. Ndësa transmetimi i dytë është vetëm te Muslimi.

[9] Hadith i saktë; muttefekun alejhi. E ka nxjerrë Buhariu 4292, Muslimi 2778.

[10] Hadith i saktë. E ka nxjerrë Buhariu 4550.

[11] Këtë historinë e Thealebes e kanë përmendur shumica e librave të tefsirit dhe të shkaqeve të zbritjes së Kuranit, dhe atë e tregojnë shpesh hatibat dhe këshilluesit, por shumë pak prej tyre kanë tërhequr vëmendjen se ajo histori është e pavërtetë, me gjithë se zinxhiri i transmetimit të saj është i dobët dhe teksti i saj i refuzuar e i huaj nga shumë pikëpamje.

Kam parë se disa prej dijetarëve të respektuar bashkëkohorë e kanë tërhequr vëmendjen dhe kanë shkruar studime të dobishme në lidhje me këtë histori, nga më të mirat e të cilave është ajo që ka shkruar shejhu i nderuar Adab Mahmud el Hamesh, në librin e tij “Thealebetu ibën Hatib për të cilin kanë shpifur”.

Dobësia e transmetimit të tij është si vijon:
Atë e ka nxjerrë Ibën Ebi Asim në “El Ahadu uel Methani” 2253, Taberani në “El Kebir” 8/260, Ibën Ebi Hatim er Razi në “Tefsirin” e tij 10406,10408, Ibën Xheriri 10/189, Ebu Nuajm el Asbehani në “Njohja e Sahabeve” 1375, Bejhakiu në “Delailu en Nubuve” 5/289-292, Ibën Abdulberr në “El Istiab” 2/91, etj; nga disa rrugë transmetimi; nga Muan ibën Riafaah; nga Ali ibën Jezid el Elhani; nga El Kasim Ebu Abdurrahman, nga Ebi Umame, se: “Thealbetu ibën Hatib shkoi tel Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe it ha: “O i Dërguari i Allahut! Lute Allahun që të më furnizojë me pasuri.” Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Mjerë ti, o Thealebe! Pak për të cilën e plotëson falënderimin për të është më mirë se shumë të cilën nuk mund ta mbash.” Pastaj disa përmendin histori të gjatë e disa të tjerë e shkurtojnë, dhe në mes tjerash në të thuhet se ajetet e sures Teube (të përmendura më sipër) kanë zbritur për shkak të tij.
Them (autori): “Transmetuesi i quajtur Muan është nga Shami dhe ai nuk është i fortë në hadith, ndërsa shejhu i tij, Ali ibën Jezid el Elhani është transmetues hadithesh të panjohura dhe është i lënë. Ai tregon gjëra të çuditshme dhe kjo histori sillet rreth transmetimit të tij (nga të gjitha rrugët). Për hadithin e tij Dhehebiu thotë: “Hadithi i tij është tërësisht i panjohur dhe i refuzuar”. Këtë e ka thënë në librin “Texhridu esmai es sahabe” 1/66.

ZBRITJA E KURANIT

Njohuri elementare në shkencat e Kuranit