Shkenca e Hadithit (1)

Autor: Dijetari i madh
Muhamed ibën Salih el Uthejmin
(Allahu e mëshiroftë!)

Parathënie

Falënderuar qoftë Allahu! Vetëm Atë lavdërojmë, Atij i kërkojmë ndihmë, falje të gjymaheve tona dhe tek Ai pendohemi! Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej të keqes së veteve dhe punëve tona!
Atë të cilin e udhëzon Allahu nuk ka kush ta humbë dhe atë të cilin e humb Allahu, nuk ka kush e udhëzon.

Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër (me të drejtë) përveç Allahut, Një e të Pashoq dhe dëshmoj se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin për të, për familjen e tij, për shokët e tij dhe për të gjithë ata që ndjekin rrugën e tyre me besnikëri deri në ditën e Gjykimit!

Allahu i Madhëruar e dërgoi Muhamedin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) me Udhëzimin dhe Fenë e Vërtetë, me qëllim që ta bëjë atë triumfatore mbi të gjitha fetë e tjera dhe i zbriti atij Librin dhe Urtësinë; Libri është Kurani, ndërsa Urtësia është Suneti, me qëllim që t’i sqarojë njerëzve atë që iu zbrit atyre dhe se ndoshta ata meditojnë dhe udhëzohen e shpëtojnë.

Kurani dhe Suneti janë dy bazat mbi të cilat është ngritur argumenti dhe prova e Allahut mbi robët e Tij, dhe mbi të cilat janë ndërtuar dispozitat e besimit dhe punës, në aprovim apo refuzim.

Ai i cili argumenton për diçka me vargje nga Kurani, atij i nevojitet vetëm një studim: të përputhurit e domethënies së vargut argumentues me ngjarjen e caktuar dhe nuk i nevojitet të vështruarit në transmetimin e tij, pasi që Kurani është aprovuar prerë me përcjellje mutevetira – unanime, me shprehjen dhe domethënien e tij: “Ne e kemi zbritur Përkujtimin (Kuranin) dhe Ne jemi Ruajtës të tij.” [El Hixhr: 9].

Ndërsa ai i cili argumenton me Sunet, ai ka nevojë për dy vështrime:
I pari: Të vështruarit në saktësinë se ai është vërtet nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), pasi që jot ë gjitha ato hadithe që janë adresuar tek ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) janë të vërteta.
I dyti: Të vështruarit në përputhjen e domethënies së hadithit me çështjen në fjalë.
Për shkak të vështrimit të parë tek Hadithi ka qenë e nevojshme vendosja e bazave me të cilat dallohen hadithet e pranuara nga ato të refuzuara, gjë të cilën e kanë bërë dijetarët e hadithit dhe e kanë emërtuar: “Terminologjia e Hadithit”.

Në këtë fushë ne kemi përmbledhur një libër me përmasa mesatare, i cili përmbledh pikat më të rëndësishme të kësaj shkence -sipas programit të caktuar për vitin e parë dhe të dytë të shkollave të mesme, dhe e kemi titulluar: “Terminologjia e Hadithit”.

Këtë libër e kemi ndarë në dy pjesë: Pjesa e parë përmban planin mësimor të kësaj lënde për vitin e parë, ndërsa pjesa e dytë përmban planin mësimor për vitin e dytë.

Lus Allahun e Madhëruar që ta bëjë këtë punë të sinqertë për Fytyrën e Tij, në përputhje me kënaqësinë e Tij dhe të dobishme për robët e Tij! Ai është Bujari më i Madh, më Fisniku.

Autori

 

Njohje me terminologjinë e Hadithit dhe dobia e saj

* Terminologjia e Hadithit është shkenca me të cilën njihet gjendja e transmetuesit dhe tekstit së transmetuar për nga pranimi apo refuzimi i tyre.
* Dobia e kësaj shkence është të njohurit e atyre që pranohen dhe atyre që refuzohen prej transmetuesëve dhe teksteve të transmetuara.

Hadithi, Haberi, Etheri dhe Hadithi Kudsi

Hadith quhet: “Ajo gjë e cila adresohet tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) prej fjalëve, veprave, aprovimeve apo përshkrimeve.”
Haberi ka të njëjtin kuptim me Hadithin dhe përkufizimi i tij është i njëjtë me atë të Hadithit.

Por thuhet gjithashtu se Haberi është ajo që dresohet tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe tek ndokush tjetër. Në këtë rast Haberi është më përgjithësues dhe më përfshirës se Hadithi.

Ether quhet: “Ajo gjë e cila adresohet tek sahabiu apo tabiiu. Por mund të jetë për qëllim me këtë term edhe ajo që adresohet tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), por e kushtëzuar, duke thënë: “Thuhet në një Ether të përcjellë nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)…”

Hadithi Kudsi është: “Ajo që transmeton i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nga Zoti i tij i Lartësuar.” Ky quhet gjithashtu “Hadith Rabani” dhe “Hadith Ilahi”.

Shembull për këtë lloj hadithi është fjala e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të cilën e transmeton nga Zoti i tij se Ai ka thënë: “Unë jam (veproj) ashtu si mendon robi im për Mua dhe Unë jam me të kur ai më përmend Mua. Nëse ai më përmend në veten e tij, Unë e përmend atë në Veten Time dhe nëse më përmend në një grup njerëzish, Unë e përmend atë në një grup më të mirë se ai.”

Grada e Hadithit Kudsi është ndërmjet Kuranit dhe hadithit të Pejgamberit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Kurani i Nderëshëm i adresohet Allahut të Madhëruar me shprehjen dhe kuptimin e tij, hadithi profetik i adresohet të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) me shprehjen dhe kuptimin e tij, ndërsa Hadithi Kudsi i adresohet Allahut të Lartësuar me domethënien e tij dhe jo me shprehjen e tij.

Për këtë arsye, nuk mund të adhurohet Allahu me të lexuarit e shprehjes së tij dhe as nuk lexohet me të në namaz, as nuk është kërkuar me të sfida (si me Kuranin) dhe as nuk është përcjellë tek ne me transmetim unanim si transmetimi i Kuranit, por prej tij ka hadithe të sakta, ka të dobëta, ka edhe të shpikura.

Llojet e Hadithit në varësi të rrugëve
të përcjelljes së tij tek ne

Vijon …