Nga libri me titull

SHENJAT E KIAMETIT

Prof. Dr. Abdullah Sulejman El Gafili

Profesor në Universitetin Islamik në Medinen e Ndritshme

 

Përgatiti

Dr. BLEDAR KARAJ EL ALBANI

 

 

Parathënie

 

Lavdërimi i takon vetëm Allahut. Vetëm Atë falenderojmë, Atij i kërkojmë ndihmë dhe falje të gjynaheve tona. I kërkojmë mbrojtje Allahut prej të keqes së veteve (shpirtrave) dhe punëve tona.

Atë të cilin e udhëzon Allahu, nuk ka kush e humb dhe atë të cilin humb Allahu, nuk ka kush e udhëzon.

Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, Një e i Pashok dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij.

“O ju që keni besuar! Kini frikë Allahun me një devotshmëri të vërtetë dhe mos vdisni ndryshe, vetëm se duke qenë muslimanë!”

“O ju njerëz! Kini frikë Zotin tuaj i Cili ju ka krijuar prej një njeriu të vetëm dhe pastaj krijoi prej tij shoqen e tij e prej atyre të dyve shtoi burra e gra të shumtë! Kini frikë Allahun me të Cilin ju kërkoni të drejtat tuaja dhe ruajeni farefisin! Allahu është Mbikëqyrës mbi ju.”

“O ju që keni besuar! Kini frikë Allahun dhe flisni fjalë të drejta e të vërteta! Kështu, Ai jua rregullon juve punët tuaja dhe jua fal gjynahet tuaja. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, ai ka arritur fitoren më të madhe.”

Thënia më e mirë është Fjala e Allahut, ndërsa udhëzimi më i drejtë është ai i Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Punët më të këqija janë shpikjet në to, çdo shpikje është bidat (e panjohur më parë në fe) dhe çdo bidat është humbje (nga Rruga e Drejtë), ndërsa çdo humbje e ka vendin në zjarr.

 

Dita e Kiametit është nga çështjet e fshehta dhe të paditura për njeriun, dhe përderisa është kështu, Allahu i Madhëruar e ka ndihmuar krijesën e Vet që ta besojë ditën e Kiametit me shumë argumente, nga të cilat edhe lidhja e kësaj të fshehte me gjëra materiale të arritura nga shqisat, gjë e cila e bën më të lehtë besimin për njeriun; dhe prej këtyre gjërave materiale që ndihmojnë për të besuar në Ditën e Kiametit janë edhe SHENJAT E KIAMETIT.

Rëndësia e njohjes së këtyre shenjave kuptohet nga rëndësia e besimit në Ditën e Kiametit, kështu që besimi në shenjat e vërteta të Kiametit është pjesë e pandashme e vetë besimit në Ditën e Fundit, kurse vetë ky i fundit është pjesë e pandashme e besimit në të fshehtën që ka thënë Allahu.

Të folurit rreth shenjave të Kiametit është i rëndësishëm, veçanërisht kur njerëzit largohen nga kujtimi dhe përmendja e botës tjetër dhe preokupohen me këtë botë dhe angazhimet e saj. Duke kujtuar shenjat e Kiametit, të cilat do të dalin hapur dhe njerëzit do i shohin me sytë e tyre ashtu si ka njoftuar i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem), njerëzit do të kthehen te Zoti i tyre dhe do të zgjohen nga harresa dhe pavëmendësia e tyre.

Imam Kurtubiu thotë: “Dijetarët thonë: Urtësia në paraprirjen e shenjave të Kiametit dhe paralajmërimin e njerëzve me to, qëndron në zgjimin e njerëzve nga gjumi i tyre, dhe nxitja e tyre që të përgatiten për veten e tyre me pendim dhe kthim të sinqertë te Allahu, që të mos befasohen me ato dhe t’i zërë e keqja e tyre. Prandaj, njerëzit duhet që pasi t’i shohin shenjat e Kiametit të shfaqen, të rishohin veten e tyre, të shkëputen nga dynjaja dhe të përgatiten për Kiametin e paralajmëruar.” [Et Tedhkira, 2/732].

Libri në origjinal shqyrton Shenjat e Kiametit të vogla dhe të mëdha, por përqendrimi ynë do të jetë në shenjat e Mëdha të Kiametit, për shkak të ngjarjeve që po ndodhin sot në botë dhe pështjellimit që mund të ndodhë te muslimanët e sinqertë rreth këtyre ngjarjeve dhe lidhjes së tyre me shenjat e Kiametit, me qëllim që të bëhet e qartë se çfarë duhet të besojë muslimani sot dhe me çfarë ta përgatisë veten e tij për çdo rast. E Allahu e ka në Dorë suksesin, e Ai udhëzon në Rrugën e Drejtë.

 

 

Domethënia e Shenjave të Kiametit

dhe ndarja e tyre në të vogla e të mëdha

 

Shenjat janë treguesit, paralajmëruesit e diçkaje, gjërat që ndodhin para diçkaje dhe që tregojnë se ajo do të ndodhë apo po vjen.

Kiameti është koha në të cilën do të ndodhë apokalipsi, fundi i kësaj bote, befasuesi i njerëzve dhe shkatërruesi i gjithçkaje me një të fryrë në Sur.

Shenjat e Kiametit janë ato shenja dhe tregues që i paraprijnë ditës së Kiametit dhe që tregojnë se Kiameti erdhi.

Koha se kur do të ndodhë Kiameti është nga të fshehtat që Allahu nuk ia ka treguar askujt; “Ata të pyesin ty (Muhamed) rreth Orës (së Kiametit). Thuaju: “Atë e di vetëm Zoti im. Kohën kur do të ndodhë ajo, do ta tregojë vetëm Ai. Do të jetë e rëndë për qiejt dhe Tokën, do t’u vijë krejtësisht papritmas”. Ata të pyesin, a thua se ti di diçka për të. Thuaj: “Këtë e di vetëm Allahu, ndërsa shumica e njerëzve nuk e dinë (pse kjo gjë është e fshehtë).” [El A’raf, 187].

Por, meqenëse Allahu ia fshehu njerëzve kohën e ndodhjes së Kiametit, Ai vendosi disa shenja treguese për afrimin e ardhjes së tij, dhe nga argumentet që tregojnë përmendjen e shenjave të Kiametit, është edhe Fjala e Allahut: “A mos vallë mohuesit presin, që t’u vijë befasisht vetëm Ora (e Kiametit)? Ndërkohë, shenjat e saj kanë ardhur. Po për çfarë do t’u shërbejnë atyre këshillat, kur t’iu ketë ardhur Kiameti?!” [Muhamed, 18].

Kurani ka përmendur disa ajete në të cilat përmenden disa nga shenjat e Kiametit, si: dalja e Jexhuxheve dhe Maxhuxheve, zbritja e Isait birit të Merjemes, e të tjera, siç do e shohim më pas.

Po kështu nga i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) janë përcjellë shumë hadithe që tregojnë për shenjat e Kiametit, disa prej tyre për shenjat e largëta e disa për më të afërta nga Kiameti; të parat dijetarët i kanë quajtur shenja të vogla kurse të dytat shenja të mëdha.

Shenjat e vogla të Kiametit janë ato shenja që shfaqen para ardhjes së Kiametit me shumë kohë, siç është ardhja e Pejgamberit të fundit, Muhamedit (salallahu alejhi ue selem), çarja e hënës, fitnet dhe përçarjet, shfaqja e gënjeshtarëve që pretendojnë se janë profetë, ngritja e dijes dhe përhapja e injorancës, garimi në ndërtesa të larta, të folurit e kafshëve dhe sendeve me njerëzit, shkëputja e lidhjeve të gjakut dhe të barkut, moshkuarja me komshiun, shfaqja e prishjes morale, tërmetet e shumta, goditjet dhe shndërrimi i fytyrave të disa prej njerëzve mëkatarët të ymetit, etj.

Shenjat e mëdha janë ato shenja të mëdha e të hapura, që tregojnë se Kiameti afroi, si: Shfaqja e Dexhalit (Antikrishtit), zbritja e Isait (alejhis selam), shfaqja e Mehdiut, dalja e Jexhuxheve dhe Maxhuxheve, e shenja të tjera që do i shohim hollësisht në këto fletë inshaAllah.

 


SHENJAT E MËDHA TË KIAMETIT

Tema e parë

Shfaqja e Mehdiut

Nga shenjat e mëdha të Kiametit është shfaqja e Mehdiut, i cili do të dalë nga fundi i kësaj bote, do të udhëheqë popullin musliman dhe do të ripërtërijë fenë e tij. Ai është një burrë që do të gjykojë sipas Ligjit Islam, do ta mbushë tokën me drejtësi pasi ka qenë mbushur me padrejtësi dhe krime. Në kohën e tij, populli do të gëzojë të mira e begati që nuk i ka gëzuar kurrë më parë. Ibën Kethiri thotë: “Në kohën e tij do të ketë fruta të shumta, të lashta me bollëk, pasuri të pallogaritshme, udhëheqësi do të jetë me pushtet të plotë dhe do ta duan të gjithë, feja do të praktikohet dhe zbatohet në masë, armiku do të jetë i nënshtruar, begatitë e ditëve të tij janë të pandërprera.” [En Nihajetu fil Fiteni uel Melahim, 1/31].

Për Mehdiun kanë ardhur hadithe të shumta, të sakta dhe të pasakta, gjë të cilën dijetarët e hadithit e kanë shqyrtuar më së miri, dhe detyra jonë është besimi dhe zbatimi i haditheve të sakta.

  1. Emri dhe prejardhja e Mehdiut: Mehdiu është nga pasardhësit e Muhamedit (salallahu aljhi ue selem), nga bijtë e Fatimes (radiallahu anha); dhe në faqe do të ketë një nishan si yll ndriçues.

Mehdi do të thotë: i udhëzuari nga Allahu në rrugën e drejtë.

Emri i tij është Muhamed, kurse emri i babait të tij është Abdullah. Këtë e transmeton Ibën Mesudi, se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Sikur të mos mbesi nga dynjaja veçse një ditë e vetme, Allahu do e zgjaste atë ditë deri sa të dërgonte një burrë prej meje –apo prej familjes sime- emri i të cilit do të jetë njësoj si emri im dhe emri i babait të tij si emri i babait tim. Ai do ta mbushë tokën me drejtësi…” [Hasen-Sahih; Ebu Daudi 4282, Tirmidhiu 2231].

Në një transmetim tjetër thuhet: “Nuk do të shuhet kjo botë deri sa arabët t’i sundojë një burrë nga familja ime, emri i të cilit do të jetë njësoj si emri im.” [Hasen-Sahih; Ebu Daudi 4282, Tirmidhiu 2230].

Mehdiu do të jetë nga fëmijët e Fatimes (radiallahu anha), bijës së Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem). Umu Seleme tregon se ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem) të thotë: “Mehdiu do të jetë nga pasardhësit e mi, nga fëmijët e Fatimes.” [Sahih; Ebu Daudi, Ibën Maxheh].

Ibën Kethiri thotë për Mehdiun: “Ai është Muhamed ibën Abdullah el Alavi el Fatimi el Haseni.” [En Nihaje, 1/31].

  1. Cilësitë e Mehdiut: Nga cilësitë e Mehdiut që kanë ardhur në sunet janë ato që i përmbledh hadithi i Ebu Seid el Hudri (radiallahu anhu) i cili thotë: “Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem) të thotë: “Mehdiu është prej meje, me ball të zbuluar (me flokë të rënë në pjesën e përparme të kokës), hundë pak të kërrusur e të hollë. Ai do e mbushë tokën me drejtësi e mirësi, pasi ishte mbushur me padrejtësi e tirani. Ai do të sundojë shtatë vjet.” [Sahih; Ahmedi në Musned, Ebu Daudi (4285), El Hakim; El Mishkat (5454)].

Nga shenjat e afrimit të daljes së tij është se ai do të dalë në një kohë kur në botë do të sundojë padrejtësia dhe tirania, kurse ai do të vendosë drejtësinë me urdhrin e Allahut dhe do të ndalojë padrejtësinë dhe tiraninë. Allahu do të përhapë me të flamurin e të mirës në mesin e popullit musliman; sepse Allahu do i japë atij shi të shumtë dhe të pakursimtë, toka do të japë prodhime të bollshme dhe nuk do të kursejë asgjë nga bimët e saj, bagëtitë do të shtohen e shumohen për shkak të begatisë dhe pasuria do të jetë e bollshme, e ai do e ndajë atë mes njerëzve në mënyrë të barabartë e të drejtë.

Ebu Seid el Hudri (radiallahu anhu) transmeton se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Nga fundi i popullit tim do të dalë Mehdiu, të cilit Allahu do i zbresë shi, toka do të nxjerrë bimët e saj, do i jepet pasuri e madhe, do të shumohen bagëtitë, do të respektohet e madhërohet populli musliman. Ai do të jetojë kështu shtatë apo tetë vite.” [Sahih; El Hakim (4/557-558); Es Sahiha (2/336).

  1. Vendi dhe koha e daljes së Mehdiut:

Nuk ekzistojnë transmetime të sakta të qartë që tregojnë se në cilin vend do të dalë Mehdiu apo në cilën kohë, përveç asaj që kanë kuptuar dijetarët në mënyrë të tërthortë nga disa transmetime të sakta, edhe pse ato përfundime nuk mund të jenë të prera.

Transmetohet nga Theubani (radiallahu anhu) se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Tre grupe do të luftojnë me njëri-tjetrin te thesari juaj (që gjendet poshtë Kabes); që të tre ata do të jenë bijë udhëheqësish, por në fund nuk do e marrë asnjë nga ata të tre. Pastaj do të shfaqen flamurët e zinj nga ana e lindjes (Iraku) dhe do tju vrasin në atë mënyrë që nuk ka vrarë më parë asnjë popull tjetër.” –Pastaj përmendi diçka që nuk më kujtohet, pastaj tha: “Kur ta shihni atë (Mehdiun), i jepni besën atij, qoftë edhe nëse shkoni tek ai këmba-dorës mbi dëborë, sepse ai është trashëgimtari i Allahut i udhëzuar, el Mehdi.” [Hadithi është i dobët, madje shtesa e fundit “ai është trashëgimtari i Allahut i udhëzuar” është e refuzuar; por kuptimi i hadithit është i saktë dhe atë e forcon hadithi tjetër i Ibën Maxhes, por pa shtesën e fundit e cila nuk qëndron assesi; Ed Daife, 85].

Ibën Kethiri thotë: “Bëhet fjalë për thesarin e Kabes, tek i cili do të luftojnë tre princa për ta marrë; kurse më pas do të afrohet fundi i botës dhe do të dalë Mehdiu, shfaqja e të cilit do të jetë në vendet e lindjes dhe jo nga qilari i Samura-së siç pretendojnë injorantët prej rafidive shiit që thonë se ai tani qëndron në atë qilar dhe se ata janë në pritje të daljes së tij kur t’i vijë fundi botës.[1] Padyshim se kjo është lajthitje, rrëshqitje e madhe dhe humbje nga shejtani, sepse për këtë nuk asnjë lloj argumenti apo prove, as nga Kurani as nga Suneti, as nga logjika e shëndoshë…” Më pas thotë: “Mehdiu i lavdëruar dhe i premtuar që do të shfaqet me afrimin e fundit të botës, në fillim do të dalë nga ana e Lindjes (Irak), kurse besa do i jepet në Kabe, siç argumentojnë hadithet.” [En Nihaje, 1/55-56].

__________________________

[1] Në fakt Mehdiu që ata presin është Dexhali, sepse të gjitha hadithet e sakta përputhen pikërisht me gjendjen e tyre, siç do e shohim më pas, që Dexhali është i lidhur në zinxhirë në një ishull të Detit Arab, deri sa të afrohet koha e daljes së tij ku do të ndodhë në një vend mes Irakut dhe Damaskut; dhe ata që do e pasojnë të parët Dexhalin, do të jenë pikërisht shiitët.

__________________________

Umu Seleme (radiallahu anha) transmeton se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Dikush do të kërkojë mbrojtje në Shtëpinë e Shenjtë (Kabe), dhe atij do i çojnë një ushtri (që ta vrasin), por kur ata të jenë në një fushë të sheshtë, do i përpijë toka.” I thashë: “O i Dërguari i Allahut! Po ai që do jetë marrë me forcë në atë ushtri?” Ai tha: “Edhe atë do e përpijë toka bashkë me ta, por në Ditën e Llogarisë ai do të ringjallet sipas nijetit që ka pasur.” [Muslimi].

Hafsa (radiallahu anha) tregon se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Në këtë Shtëpi –Kabe- do të kërkojë mbrojtje një grup njerëzish që nuk kanë fuqi, as numër të madh as armë. Atyre do ju dërgojnë një ushtri (për t’i vrarë), por kur ajo ushtri të mbërrijë në një fushë të sheshtë, do e përpijë toka të gjithën.” [Muslimi].

Aisha (radiallahu anha) thotë: “Një natë i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) po lëvizte në gjumë, dhe unë i thashë: “O i Dërguari i Allahut! Bëre diçka që nuk e ke bërë ndonjëherë më parë?!” Ai tha: “Është për t’u habitur se disa njerëz nga populli im, të cilët do i prijë në namaz në Kabe një burrë nga Kurejshët, i cili u strehua aty (në Kabe, për t’i shpëtuar armikut); por kur ata (që kërkojnë ta vrasin) të mbërrijnë në një fushë të gjerë, do t’i përpijë toka.” I thashë: “O i Dërguari i Allahut! Por rruga mund të bashkojë shumë njerëz në atë vend?!” Ai tha: “Po, e vërtetë, në mesin e tyre do të ketë njerëz që e dinë të vërtetën (dhe shkojnë me dëshirë) dhe të tjerë që janë marrë me forcë, si dhe udhëtarë të rastit, por që të gjithë ata që gjenden aty do përpihen nga toka njëherësh, por ringjallja e tyre do të jetë e ndryshme (dikush në xhenet e dikush në zjarr); Allahu do i ringjallë ata sipas qëllimeve që kanë pasur.” [Muslimi].

Të tre këto transmetime nga nënat e besimtarëve (Allahu qoftë i kënaqur me to!) tregojnë qartë se ai që do të kërkojë strehim dhe mbrojtje në Kabe është një burrë nga Kurejshët, dhe se ai do të ndihmohet nga Allahu, duke i shkatërruar armiqtë e tij me përpirje nga toka.

Kanë ardhur gjithashtu hadithe të shumta që flasin për një udhëheqës të muslimanëve, në kohën e të cilit do të shtohen të mirat sa që do e shpërndajë pasurinë me tufa dhe jo me numërim, por përsëri këto transmetime nuk e përmendin emrin e atij udhëheqësi.

Transmetohet nga Ebu Seid el Hudri (radiallah anhu) se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Nga fundi i botës do të vijë një udhëheqës i cili do ta ndajë pasurinë pa e numëruar atë.” [Muslimi, Ahmedi].

Transmetohet nga Umu Seleme (radiallahu anha) se ajo ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem) të thotë: “Do të ketë mosmarrëveshje kur të vdesë një udhëheqës, dhe në atë kohë dikush nga Beni Hashim do të dalë e do të shkojë në Meke. Njerëzit do e nxjerrin nga shtëpia dhe do i japin besën mes Ruknit dhe Mekamit (në Kabe). Një burrë nga Kurejshët, dajet e të cilit janë nga Kelabët, do përgatisë një ushtri për vrasjen e tij, por Allahu do i shkatërrojë ata dhe do i vrasë me njëri-tjetrin. Ajo do të jetë dita e Kelabit. Do të humbasë shumë ai që humbet nga plaçka e Kelabit. Ai (udhëheqësi i drejtë) do të hapë thesaret dhe do të ndajë pasuritë, si dhe do të praktikojë Islamin në tokë. Do të jetojnë kështu për shtatë, ose nëntë vite.” [Hadithi është me zinxhir transmetimi të dobët; Ed Daife, 1965].

Në një transmetim tjetër të Ebu Daudit, thuhet: “Do të dalë një burrë nga banorët e Medinës për t’u strehuar në Meke. Disa njerëz nga banorët e Mekes do shkojnë te ai dhe do e nxjerrin me forcë që t’i japin besën mes Ruknit dhe Mekamit. Atij do i dërgojnë një ushtri nga Levanti (Shami) për ta vrarë …” [Transmetim i dobët; Ebu Daudi (4286); Ed Daife, 1965].

Në vend të këtyre transmetimeve të dobëta që ka përmendur autori, po përmendim një transmetim të saktë me anë të cilit arrihet qëllimi i asaj që kërkohet të argumentohet në lidhje me udhëheqësin e papërmendur me emër, por që kuptohet se ai është Mehdiu; shejh Albani ka përmendur në Vargun e Haditheve të sakta (579), një hadith që e ka nxjerrë Imam Ahmedi në Musned, ku thuhet: “Ebu Hurejra po i tregonte Ebu Katades se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Do i jepet besëlidhja një burri mes Ruknit dhe Mekamit (në Kabe); dhe nuk kanë për ta shkelur ndalimin e Shtëpisë së Shenjtë veçse vetë njerëzit e saj; dhe kur ata ta bëjnë këtë (të derrdhin gjak në Kabe), mos pyet se çfarë shkatërrimi do i zërë arabët. Pastaj do të shkojnë në Abisini dhe do e shkatërrojnë atë, aq sa më pas ajo nuk do të banohet më kurrë; janë ata që do ta nxjerrin pasurinë e saj (Kabes).”

Pra, Mehdiu është një njeri i mirë që do të shfaqet nga fundi i botës, do të strehohet në Meke duke u arratisur nga Medina për shkak se kërkojnë ta vrasin. Në Meke i jepet besa mes Ruknit dhe Mekamit, në Kaben e Nderuar; në kërkim të tij dërgohet një ushtri të cilën e përpin toka; Allahu e ndihmon dhe e përkrah Mehdiun, dhe ai do të gjykojë me Islam, do të vendosë drejtësi mes njerëzve dhe në kohën e tij do të zotërojë e mira dhe bollëku. Ai do të takojë me të dërguarin e Allahut, Isanë (alejhi selam) dhe do të prijë muslimanët në namaz, ku pas tij do të falet edhe Isai (alejhis selam). Isai do të dalë bashkë me të dhe do e ndihmojë për të vrarë Dexhalin. Ai do të jetojë në këtë mënyrë shtatë ose nëntë vite, pastaj do të vdesë dhe muslimanët do i falin namazin e xhenazesë.

  1. Hadithet që flasin për Mehdiun në përgjithësi janë Mutevetira – të pranuara nga të gjithë muslimanët në çdo kohë, dhe ekzistencën e tij nuk e mohon askush nga muslimanët. Këtë e ka theksuar një numër i madh dijetarësh në librat e tyre, si El Aberi (dijetar hadithi), Ibën Tejmije, Ibën Kethiri, Es Sefarini, El Berzenxhi, Sheukani, e të tjerë.

Shejh Ibën Bazi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Çështja e Mehdiut është e njohur, hadithet që flasin për të janë të shumta, madje janë mutevatira, përkrahëse të njëra-tjetrës, dhe këtë e kanë thënë shumë dijetarë; tevaturi i këtyre haditheve është në kuptimin e tyre, për shkak se kanë ardhur me rrugë të shumta transmetimi (të sakta e të pasakta), me shprehje të ndryshme; por të gjitha ato padyshim që tregojnë se çështja e këtij njeriu të premtuar është e aprovuar dhe shfaqja e tij është e vërtetë; emri i tij është Muhamed ibën Abdullah el Alavij (nga Aliu) el Haseni nga pasardhësit e Hasen ibën Ali ibën Ebi Talib. Ky imam është mëshirë nga Allahu për popullin musliman nga fundi i botës; ai do të dalë dhe do të vendosë drejtësi në tokë, do të ndalojë të keqen dhe padrejtësinë, dhe me anë të tij Allahu do të përhapë flamurin e të mirës në popull, me drejtësi, udhëzim, sukses dhe drejtim të njerëzve. Unë i kam kërkuar dhe lexuar të gjitha hadithet që flasin për Mehdiun dhe i kam gjetur ato ashtu si ka thënë Sheukani e të tjerë, apo si ka thënë Ibën Kajimi e të tjerë: Në mesin e tyre ka të saktë, të mirë, të dobët që mund të forcohen, por edhe të trilluara; por neve na mjaftojnë hadithet e qëndrueshëm, qofshin të saktë në vetvete apo që forcohen me të tjerë, qofshin të mirë në vetvete apo që bëhen të tillë me të tjerë, apo qofshin të dobët që mund të forcohen me njëri-tjetrin; të gjitha këto janë argument te dijetarët… E vërteta është se dijetarët, të gjithë janë dakord për vërtetësinë e çështjes së Mehdiut, dhe se ai do të vijë vërtetë nga fundi i botës. Kurse ndonjë nga njerëzit me dije që i ndahet grupit të dijetarëve në këtë temë, nuk i hidhen sytë dhe nuk i dëgjohet fjala në këtë çështje.” [Nga libri: Kundërpërgjigja ndaj atij që i përgënjeshtron hadithet e sakta që flasin për Mehdiun, e shejh Abdulmuhsin el Abad, faqe 157-159].

  1. Grupet e njerëzve në lidhje me Mehdiun:

Në lidhje me Mehdiun, njerëzit janë ndarë në dy grupe të skajshme dhe një të mesëm:

Grupi i mesëm: ata që ndjekin besimin e Ehli Sunetit dhe Xhematit, të cilët e aprovojnë daljen e Mehdiut ashtu si kanë treguar tekstet e sakta e të qëndrueshme, siç i përmendëm më sipër.

Grupi i njërit skaj: ata e mohojnë daljen e Mehdiut, të cilët nuk kanë përvojë në kuptimin e haditheve dhe të fjalëve të dijetarëve, duke ndjekur rrugën e tyre të gabuar për mohimin e gjërave të fshehta që nuk i percepton mendja e tyre dhe nuk i shkon përshtat dëshirave të tyre; këta thonë: “Mehdiu është legjendë dhe trillium i futur te Ndjekësit e Sunetit dhe Xhematit nga Shijat.” Gjithashtu thonë: “Hadithet e ardhura për Mehdiun janë ose të pavërteta ose në kundërthënie me njëri-tjetrin.”

Sigurisht që dijetarët i janë përgjigjur këtyre dhe e kanë sqaruar pavërtetësinë e fjalës së tyre dhe kundërshtimin e saj të teksteve të sakta të Sunetit.

Grupi i skajit tjetër: janë ata që e teprojnë dhe i kalojnë kufijtë në çështjen e Mehdiut, prej grupeve të humbura, shumë prej të cilave thonë se themeluesi i grupit të secilit prej tyre është Mehdiu i pritur. Ibnul Kajjim i ka përmendur këta në fjalën e tij: “Rafiditë Imamijë prej shijave thonë një fjalë të katërt: sikur Mehdiu është Muhamed ibën el Hasen el Askeri që ata presin; prej bijëve të el Husejn ibën Ali dhe jo nga bijtë e Hasenit, i cili është prezent dhe lëviz nëpër qytete por që nuk e shohin sytë e njerëzve. Ai trashëgon bastunin dhe vulos hapësirën; hyri në qilarin e Samira-së që fëmijë i vogël para më shumë se 500 vjetësh, dhe pas asaj dite nuk e ka parë më asnjë sy dhe për të nuk dihet asnjë lajm apo gjurmë. Ata e presin atë dita-ditës!! Qëndrojnë me kuaj para derës së qilarit dhe i thërrasin që të dalë: “Dil, o zotëriu ynë! Dil, o zotëriu ynë!” Pastaj kthehen të zhgënjyer dhe të brengosur. Ky është besimi i tyre në lidhje me Mehdiun. Këta janë bërë turp për njerëzimin dhe me ta qesh e tallet çdokush që ka logjikë.” [El Menar el Menif, f. 152].

 

 

Tema e dytë

Sprova e Dexhalit