SHENJAT E MEDHA TE KIAMETIT (9)

Zjarri që do të dyndë njerëzit në vendin e ringjalljes

 

Nga libri me titull

SHENJAT E KIAMETIT

Prof. Dr. Abdullah Sulejman El Gafili

Profesor në Universitetin Islamik në Medinen e Ndritshme


 

Shenja e fundit nga shenjat e mëdha të Kiametit, dhe e para që i hap rrugën ndodhjes së Kiametit, është dalja e një Zjarri që do i dyndë njerëzit drejt tokës së Ringjalljes se tyre. Shqyrtimi i kësaj teme do të përfshijë çështjet e mëposhtme:

Çështja e parë: Argumentet për daljen e Zjarrit

Disa transmetime thonë se ky zjarr do të dalë nga Jemeni, nga pjesa më e ulët e Adenit, kurse transmetime të tjera thonë se do dalë nga deti i Hadrameutit (po në Jemen). Nga hadithet që e sqarojnë këtë përmendim:

  1. Hadithi i transmetuar nga Hudhejfe ibën Usejd, ku përmend shenjat e Kiametit, dhe në fund të tyre i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) thotë: “… E fundit e këtyre shenjave është një zjarr që do të dalë nga Jemeni, i cili do i dyndë njerëzit drejt vendit të ringjalljes së tyre.”[1] Në një transmetim tjetër thuhet: “një zjarr që do të dalë nga pjesa më e ulët e Adenit.”
  2. Hadithi i transmetuar nga Ibën Umeri (radiallahu anhuma), i cili thotë: I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Do të dalë një zjarr nga Hadrameuti ose nga deti i Hadrameutit, para se të bëhet Kiameti, dhe ky zjarr do i dyndë njerëzit.”[2]
  3. Hadithi i transmetuar nga Enesi (radiallahu anhu), ku thuhet se: “Kur Abdullah ibën Selam pranoi Islamin, e pyeti të Dërguarin (salallahu alejhi ue selem) disa pyetje, ku ndër tjera ishte: “Cila është shenja e parë e Kiametit?” I Dërguari (salallahu alejhi ue selem) tha: “Shenja e parë e Kiametit është një zjarr që do i dyndë njerëzit nga lindja në perëndim.”[3]

Çështja e dytë: Harmonizimi mes haditheve që kanë ardhur në lidhje me vendin e daljes së këtij Zjarri

Harmonizimi mes haditheve ku thuhet se ky Zjarr është shenja e fundit nga shenjat e Kiametit dhe atyre ky thuhet se ai është shenja e parë e tyre, është që të thuhet se: Të qenët e tij shenja e fundit, nëse merret parasysh përmendja e tij bashkë me shenjat e tjera në hadithin e Hudhejfes, kurse konsiderimi i tij si shenja e parë, nëse nisemi nga fakti që pas kësaj shenje nuk do të ketë më asgjë nga çështjet e dynjasë, por pas kësaj do të fryhet në Sur, ndryshe nga shenjat e tjera para kësaj të përmendura në hadithin e Hudhejfes, ku pas secilës prej tyre do të mbesë diçka tjetër nga gjërat e dynjasë.[4]

Sa i përket transmetimeve që thonë se dalja e këtij Zjarri do të jetë në Jemen, kurse në disa tjera thuhet se ai do t’i dyndë njerëzit nga ana e Lindjes drejt Perëndimit, harmonizimi mes këtyre transmetimeve është kështu:

  1. Fakti që Zjarri do të dalë nga thellësia e Adenit (në Jemen) nuk e kundërshton dyndjen që ai i bën njerëzve nga Lindja drejt Perëndimit; kjo sepse fillimi i daljes së tij është nga thellësia e Adenit, kurse më pas do të përhapet në të gjithë tokën.
  2. Kur të përhapet Zjarri, ai do të dyndë së pari vendet e Lindjes, dhe këtë e mbështet fakti se të gjitha sprovat e mëdha vijnë zakonisht nga ana e Lindjes. Kurse drejtimi drejt Perëndimit është për qëllim drejt Levantit (Siria), sepse për vendet e Lindjes (Iraku, Irani) Levanti është në Perëndim të tyre.
  3. Ka mundësi që Zjarri i përmendur në hadithin e Enesit të ketë për qëllim sprovat e përhapura që shkaktuan të keqen e madhe dhe përpinë çfarë gjetën para ashtu si përpin zjarri, dhe fillimi i tyre ka qenë nga Lindja, deri sa e shkatërruan pjesën më të madhe të saj, kështu që njerëzit do të dynden nga Lindja drejt Levantit dhe Egjiptit, të cilat gjenden në drejtim të Perëndimit; gjë e cila në realitet ka ndodhur disa herë në kohën kur këto vende u sulmuan nga Tatarët, Mogolët, e të tjerë. Kurse Zjarri i përmendur në dy hadithet e Hudhejfe ibën Usejd dhe Ibën Umerit (radiallahu anhuma) është zjarr i vërtetë. E Allahu e di më mirë.[5]

Çështja e tretë: Vendi i dyndjes

Vendi ku do të dynden njerëzit në fund të botës është Levanti, siç ka ardhur në hadithe të sakta, prej të cilave përmendim:

  1. Hadithi i përcjellë nga Behz ibën Hakim; ky nga babai i tij; ky nga gjyshi i tij, i cili ka thënë: Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem) të thotë: “Ju do të dyndeni duke ecur në këmbë dhe kaluar (mbi kafshë apo mjete), dhe do të tërhiqeni në këtë drejtim – duke bërë me dorë nga Levanti.”[6]
  2. Hadithi i përcjellë nga Ebu Dherri (radiallahu anhu), se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Levanti është toka e dyndjes dhe e shpërndarjes.[7]

Ibën Haxheri (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Në Tefsirin e Ibën Ujejne përmendet se Ibën Abasi (radiallahu anhuma) ka thënë: “Kush dyshon se dyndja e njerëzve do të jetë këtu, d.m.th. në Levant (Sham), le të lexojë fillimin e sures El Hashr. I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) i tha shokëve: “Atë ditë njerëzit do të nxirren.” Për ku? – thanë ata. “Për në tokën e dyndjes” – tha ai (salallahu alejhi ue selem).[8]

Shkaku pse është pikërisht Levanti toka e dyndjes së njerëzve kur të ndodhin sprovat e mëdha në fund të jetës në tokë, është fakti se në këtë vend do të ketë Siguri dhe Besim. I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) është lutur kështu për Levantin: “O Zot! Na e begato Levantin (Sham-in) tonë! O Zot! Na e begato Jemenin tonë!”[9]

Kanë ardhur hadithe të shumta që flasin për vlerat e Shamit dhe nxisin për të jetuar në të, që nuk mund t’i përmendim këtu, por kujtojmë se kemi përmendur më parë zbritjen e Isait (alejhis selam) në fund të botës, që do të zbresë në Sham, dhe atje do të grumbullohen besimtarët për të luftuar Dexhalin. Atje do ta vrasë Isai (alejhis selam) Dexhalin, në derën Lud (në Kuds). Shto këtu që toka e Shamit (kryesisht Palestina) është toka ku kanë dalë Profetët dhe ku ka qëndruar i Dërguari ynë (salallahu alejhi ue selem) natën e Israsë.

Çështja e katërt: Koha kur do të ndodhë dyndja e madhe

Dijetarët kanë disa mendime në lidhje me kohën kur do të ndodhë dyndja e madhe. Disa prej tyre, si Bejhakiu, Gazali dhe të tjerë, thonë se kjo dyndje nuk do të jetë në këtë botë por në botën tjetër, kur njerëzit të dalin nga varret.[10]

Kurse shumica e dijetarëve janë të mendimit se kjo dyndje do të ndodhë në dynja para se të bëhet Kiameti, dhe njerëzit do të dynden të gjallë drejt Shamit, kurse dyndja nga varret në tokën e Mahsherit është ndryshe nga kjo e dyndjes së njerëzve drejt Shamit, të cilën i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem), në hadithin e përcjellë nga Ebu Hurejra (radiallahu anhu) e ka përshkruar kështu dyndjen e dynjasë: “Njerëzit do të dynden në tre rrugë: me dëshirë apo me pahir, dy mbi një deve, tre mbi një deve, katër mbi një deve, dhjetë mbi një deve. Kurse të tjerë do i dyndë Zjarri i cili do të shkojë me ta kudo që shkojnë, do të flejë me ta kudo që të flenë, do të zgjohet me ta kudo që të zgjohen dhe do të ngryset me ta kudo që të ndrysen.”[11]

Si dhe shumë hadithe të tjera që flasin për dyndjen që do të ndodhë në fund të kësaj bote nga të gjitha vendet drejt vendit të dyndjes në tokën e Shamit. Në këtë hadith, dhe në hadithe të tjera të ngjashme, është përmendur udhëtimi mbi deve, ngrënia, fjetja dhe djegia nga zjarri e atij që mbetet mbrapa. Nëse kjo gjë do të ndodhte pas ringjalljes së njerëzve në botën tjetër, nuk do të kishte më vdekje, apo deve që i hipet dhe që blihet, apo ngrënie e veshje në ditën e Ringjalljes!

Përveç kësaj, hadithet që flasin për dyndjen në botën tjetër, e përshkruajnë atë me fjalët se njerëzit atje, qoftë besimtarët apo mohuesit, do të dynden të zbathur dhe të zhveshur (lakuriq), pa asnjë të metë fizike tek të gjithë ata pa përjashtim (edhe ata që kanë qenë me të meta fizike në dynja).

Në një hadith të saktë të përcjellë nga Ibën Abasi (radiallahu anhuma) thuhet: “I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) u ngrit për të na thënë një këshillë, ku ndër tjera tha: “O njerëz! Ju do të dyndeni tek Allahu të zbathur, të zhveshur (lakuriq) dhe të pa bërë synet. “Ashtu siç e filluam krijimin e parë, do ta përsërisim atë. Ky është premtimi Ynë. Ne do ta bëjmë këtë me të vërtetë.” [El Enbija, 104]. Vërtet, krijesa e parë që do të vishet në ditën e Kiametit është Ibrahimi (alejhis selam).[12]

Me këtë bëhet e qartë se dyndja e përmendur në hadithet e mësipërme do të jetë në këtë botë para se të bëhet Kiameti, kurse dyndjen në botën tjetër e ka sqaruar hadithi i Ibën Abasit (radiallahu anhuma) i përmendur më sipër, dhe kushdo që thotë të kundërtën e kesaj, ka gabuar dhe është larguar nga e vërteta, e Allahu është i Gjithëdijshmi.

Ibën Raxhebi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Sa i përket njeërzve më të këqinj të tokës, në fund të jetës në botë do të dalë një zjarr që do i dyndë ata me forcë drejt Shamit, deri sat ë grumbullohen të gjithë atje, para se të ndodhë Kiameti.”[13]

 


[1] Muslimi (2901), Ebu Daudi (4311), Tirmidhiu (2183), Ibën Maxheh (4055), Ahmedi (4/6).

[2] Hadith Sahih; Ahmedi (5146), Tirmidhiu (2217), Sahihul Xhami (3/203).

[3] Buhariu (3151).

[4] Fet’hul Bari, 13/86.

[5] Fet’hul Bari, 13/86.

[6] Hadith Sahih(Albani); Ahmedi (5/3), Tirmidhiu (2424).

[7] Hadith Sahih (Albani); Ahmedi (6/463), Ibën Maxheh (1407).

[8] Fet’hul Bari (11/380), Tefsiri i Ibën Kethirit (4/330).

[9] Buhariu (990), Tirmidhiu (3953), Ahmedi (2/118).

[10] El Minhaxh fi Shuabil Ijman (1/442), Fet’hul Bari (11/387).

[11] Buhariu (6158), Muslimi (2861), Nesai (2085).

[12] Buhariu (7/194) dhe Muslimi (4/2194).

[13] Letaiful Mearif, i Ibën Raxhebit, (f.90).


Shenjat e mëdha të Kiametit (9)

Shenjat e mëdha të Kiametit (8)

Shenjat e mëdha të Kiametit (7)

Shenjat e mëdha të Kiametit (6)

Shenjat e mëdha të Kiametit (5)

Shenjat e mëdha të Kiametit (4)

Shenjat e mëdha të Kiametit (3)

Shenjat e mëdha të Kiametit (2)

Shenjat e mëdha të Kiametit (1)