SHENJAT E MEDHA TE KIAMETIT (7)

Tymi që do të dalë afër Kiametit

 

Nga libri me titull

SHENJAT E KIAMETIT

Prof. Dr. Abdullah Sulejman El Gafili

Profesor në Universitetin Islamik në Medinen e Ndritshme


 

Nga shenjat e mëdha të Kiametit është edhe shfaqja e një Tymi para se të bëhet Kiameti, dhe sqarimi i kësaj teme do të përfshijë çështjet e mëposhtme:

Çështja e parë: Argumentet nga Kurani dhe Suneti

Allahu i Madhëruar thotë: “10. Andaj ti prite atë (ditë), kur qielli do të lëshojë tym të qartë, 11. që do t’i mbulojë njerëzit, (e do t’u thuhet): “Ky është denim i dhembshëm!” 12. (Mohuesit do të thonë): “O Zoti ynë, lirona prej dënimit! Ne tashmë besojmë!” 13. E si mund të përfitojnë ata nga këshilla, ndërkohë që më parë atyre u pat ardhur një i Dërguar me shpjegime të qarta 14. e ata i kthyen shpinën, duke thënë: “Ai është një i çmendur i mësuar nga të tjerët”?! 15. Edhe sikur t’ju lirojmë nga dënimi pak (kohë), ju me siguri që do të ktheheni (në mosbesim). 16. Ditën, kur do t’i mbërthejmë ata me forcën më të madhe, Ne do të hakmerremi.” [Ed Dukhan, 10-16].

Kurse argumentet nga Suneti janë të shumta, prej të cilave përmendim:

Hadithi i transmetuar nga Hudhejfe ibën Usejd el Gifari, i përmendur më sipër, ku thotë: “I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) hyri tek ne ndërsa ishim duke përmendur Ditën e Kiametit, dhe na tha: “Çfarë po përmendni?” – Po përmendim Kiametin, -i thamë ne. Ai tha: “Nuk ka për të ndodhur Kiameti deri sa të shihni dhjetë shenja para tij…” dhe prej tyre përmendi Tymin, Dexhalin dhe Kafshën e Tokës…”[1]

Po kështu hadithi i transmetuar nga Ebu Hurejra (radiallahu anhu) se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Nxitoni të bëni vepra të mira para se të ndodhin gjashtë gjëra: Lindja e diellit nga perëndimi, Tymi, Dexhali…”[2]

Po kështu fjala e të Dërguari të Allahut (salallahu alejhi ue selem): “Zoti juaj ju ka paralajmëruar për tre gjëra: Tymin që do të marrë çdo besitmar si gripi, kurse çdo jobesimtar do ta fryjë deri sa të dalë nga veshët e tij; E dyta: Kafsha e Tokës, dhe e treat: Dexhali.”[3]

Çështja e dytë: Mendimet e dijetarëve në lidhje me Tymin dhe kohën kur do të ndodhë

Dijetarët janë ndarë në dy grupe në lidhje me domenthënien e Tymit që përmendet në ajetin dhe hadithet e përmendura më sipër:

  1. Disa prej tyre janë të mendimit se ky Tym ka për qëllim vështirësinë dhe urinë që ra mbi kurejshët kur i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) u lut kundër tyre, kur ata nuk iu përgjigjën thirrjes së tij dhe filluan të ngrenë kokat nga qielli, ku nuk shihnin veçse Tym. I këtij mendimi ishte Abdullah ibën Mesudi (radiallahu anhu) dhe atë e pasuan edhe një grup nga selefët, kurse Taberiu e zgjodhi si mendimin më të saktë.

Këta janë argumentuar me hadithin e përcjellë nga Mesruk ibën el Exhdei (Allahu e mëshiroftë!), i cili thotë: “Ishim për vizitë te Abdullah ibën Mesudi, veç kur vjen një burrë dhe i thotë: “O Ebu Abdurrahman! Dikush që tregon histori, tregoi një histori ku pretendon se ajeti qe flet për Tymin (në suren Dukhan), kur të vijë, do të marrë shpirtrat e mohuesve me forcë, kurse shpirtrat e besimtarëve si një grip.” Abdullah u ngrit i zemëruar dhe tha: “O njerëz! Kini frikë Allahun! Kush ka dije për diçka, të flaës me dije, në të kundër, të thotë: Allahu e di! Ai që thotë “Allahu e di!”, për diçka që ky nuk e di, tregon se ky ka dije, sepse Allahu i Madhëruar i thotë të Dërguarit të Tij (salallahu alejhi ue selem): “Thuaj (o Muhamed): “Unë prej jush nuk kërkoj kurrfarë shpërblimi për këtë (Kuran) e as pretendoj të jem diçka që s’jam.” [Sad, 86]. Kur i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) pa që njerëzit i kthyen shpinën, tha: “O Zot! (Zbrit mbi ta) Shtatë vite si vitet e Jusufit!” Atëherë, mbi kurejshët ra një vit urie dhe skamje, sa që filluan të hanë lëkurat dhe kafshët e ngordhura nga uria e madhe, dhe kur shihnin në qiell, qielli ishte si Tym.”[4]

Po kështu Ibën Mesudi (radiallahu anhu) thotë: “Pesë shenja (nga shenjat e Kiametit) kanë dalë: “E Pakthyeshmja (dënimi i kurejshëve në Bedër  – Tefsiri Begaviut dhe Ibën kethirit – në suren El Furkan, ajeti 77), Bizantinët (fillimi sures Er Rum), Mbërthimi me forcë (Ed Dukhan, 16), çarja e Hënës (el Kamer, ajeti 1) dhe Tymi.”[5]

  1. Shumë prej dijetarëve të selefëve dhe të mëvonshmëve janë të mendimit se Tymi është nga shenjat që pritet të ndodhin dhe që nuk kanë ndodhur ende, dhe ai do të shfaqet pak para Kiametit. Ky është mendimi i Ali ibën Ebi Talib, Ibën Abasit, Ebu Seid el Khudri, e shumë prej tabiinëve.

Ibën Kethiri ka zgjedhur këtë mendim si më të saktin, duke u argumentuar me hadithet e përmendura më sipër në fjalën rreth ajetit të Tymit (Dukhan), si dhe me hadithin e nxjerrë nga Taberiu e të tjerë, nga Abdullah ibën ebi Mulejke, i cili thotë: “Shkova një ditë herët te Ibën Abasi (radiallahu anhuma), e ai tha:

– Nuk kam fjetur mbrëmë deri në mëngjes.

– Përse? – i thashë unë.

– Po flitej se kishte dalë planeti me bisht, dhe u frikësova se mos ishte duke u shfaqur edhe Tymi, kështu që nuk fjeta gjithë natën.”[6]

Pas përmendjes së kësaj fjale të Ibën Abasit, Ibën Kethiri thotë: “Zinxhiri i transmetuesve të këtij etheri është i saktë deri te Ibën Abasi, dijetari dhe përkthyesi i Kuranit, dhe po kështu fjala e sahabeve dhe tabiinëve që e kanë pasuar atë me hadithe të sakta e të adresuara te i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem), të cilat argumentojnë qartë dhe fortë se Tymi është nga shenjat që pritet të ndodhin, dhe ky është edhe kuptimi i drejtpërdrejtë i ajetit të Kuranit, ku Allahu thotë: “10. Andaj ti prite atë (ditë), kur qielli do të lëshojë tym të qartë!” [Ed Dukhan, 10], pra do të jetë Tym i qartë dhe i dukshëm që do e shohin të gjihë, kurse historia që tregon Ibën Mesudi (radiallahu anhu) bën fjalë për diçka të imagjinuar që i dukej kurejshëve sikur qielli ishte bërë tym, nga uria e madhe dhe pafuqia që i kishte kaplosur.

  1. Disa dijetarë të tjerë kanë shkuar në mendimin e bashkimit dhe harmonizimit mes këtyre fjalëve të përcjella nga sahabët dhe selefët, dhe thonë se bëhet fjalë për dy Tyme të veçanta, nga të cilat njëri ka dalë kurse i dyti pritet të shfaqet pak para Kiametit. Tymi i parë është ai që i dukej kurejshëve si tym kur shihnin në qiell, por ky nuk është tymi i vërtetë që do të shfaqet kur të ndodhin shenjat e mëdha të Kiametit.

Kurtubiu thotë: “Muxhahidi thotë: “Ibën Mesudi thoshte: “Janë dy tymëra. Njëri ka dal, kurse i dyti do të mbushë mes qiellit dhe tokës, dhe besimtarin do e kap si një grip, kurse jobesimtarit do i çajë veshët.”[7]

Taberiu thotë: “Nuk ka çudi që të ketë ndodhur me mohuesit kurejsh ajo që ndodhi si ndëshkim për ata me diçka që i paralajmëroi i Dërguari (salallahu alejhi ue selem), dhe po ashtu të shfaqet përsëri Tym tjetër me njerëz të tjerë, siç ka ardhur në hadithet e përcjella nga i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem), sepse siç dihet, hadithet që e vërtetojnë shfaqjen e Tymit pak para Ditës së Kiametit janë të qarta, dhe që të dyja këto janë të vërteta dhe të sakta.”[8]

Neveviu (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Mundet që të jenë dy tyme, për të bashkuar mes transmetimeve që kanë ardhur në lidhje me këtë gjë.”[9]

Nuk ka dyshim se bashkimi mes dy transmetimeve është rruga më e mirë në këtë rast, përderisa këto nuk e kundërshtojnë njëri-tjetrin, e Allahu e di më mirë.

 


[1] Muslimi (2901), Ebu Daudi (4311), Tirmidhiu (2183), Ibën Maxheh (4055), Ahmedi (4/7).

[2] Muslimi (2947), Ahmedi (2/324).

[3] Taberiu në Tefsirin e tij, (15/114) nga Ebu Malik el Eshari. E ka përmendur gjithashtu Ibën Kethiri në Tefsirin e tij (4/138), dhe thotë: “E ka transmetuar Taberiu me zinxhir transmetimi të mirë.” Ibën Haxheri ka përmendur gjithashtu transmetimin e Taberiut nga Ebu Maliku dhe nga Ibën Umeri, dhe thotë: “Zinxhiri i tyre është gjithashtu i dobët, por numri i shumtë i këtyre haditheve tregon se ato kanë një bazë.” Fet’hul Bari (8/436).

[4] Buhariu (6/40), Muslimi (4/3156).

[5] Buhariu (6/41), Muslimi (4/2157).

[6] Taberiu në Tefsirin e tij (15/113), dhe Ibën Kethiri në Tefsirin e tij (4/125).

[7] Et Tedhkira (655).

[8] Tefsiri Taberiut (25/114-115).

[9] Sherhu Sahih Muslim, i Neveviut (18/28).


Shenjat e mëdha të Kiametit (9)

Shenjat e mëdha të Kiametit (8)

Shenjat e mëdha të Kiametit (7)

Shenjat e mëdha të Kiametit (6)

Shenjat e mëdha të Kiametit (5)

Shenjat e mëdha të Kiametit (4)

Shenjat e mëdha të Kiametit (3)

Shenjat e mëdha të Kiametit (2)

Shenjat e mëdha të Kiametit (1)