SHENJAT E MEDHA TE KIAMETIT (6)

Dalja e Kafshës së Tokës

 

Nga libri me titull

SHENJAT E KIAMETIT

Prof. Dr. Abdullah Sulejman El Gafili

Profesor në Universitetin Islamik në Medinen e Ndritshme


 

Nga shenjat e mëdha të Kiametit është edhe dalja e një kafshe nga toka në fund të jetës në tokë, e cila do i flasë njerëzve dhe do i cilësojë me “besimtar” dhe “jobesimtar”. Kjo do të ndodhë kur njerëzit të prishen dhe të lënë urdhrat e Allahut të Madhëruar.

Sqarimi i kësaj teme përfshin çështjet e mëposhtme:

Çështja e parë: Argumentet nga Kurani dhe Suneti për daljen e Kafshës së Tokës

Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe, kur të përmbushet Fjala Jonë kundër tyre, Ne do të bëjmë që nga Toka të dalë një kafshë, e cila do t’u flasë atyre, se njerëzit nuk u janë bindur shpalljeve Tona.” [En Neml, 82].

Transmetohet nga Ibën Abasi (radiallahu anhuma), se kuptimi i fjalës “Tukelimuhum – do t’u flasë atyre”, d.m.th. do i gërvishë ata, me kuptimin që do të shkruajë në ballet e tyre si në tatuazhe; në ballet e jobesimtarëve do të shkruajë “jobesimtar”, dhe në ballet e besimtarëve do të shkruajë “besimtar”. Nga Ibën Abasi është përcjellë gjithashtu se kjo fjalë ka edhe kuptimin “do t’u flasë atyre me gojë”.

Ibën Kethiri (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Kjo kafshë do të dalë në fund të kohës në këtë botë, kur njerëzit të jenë prishur dhe të kenë lënë urdhrat e Allahut dhe do ta kenë ndërruar fenë e vërtetë, atëherë Allahu do iu nxjerrë atyre një kafshë nga toka, dhe do iu flasë njerëzve për këtë gjë.”[1]

El Alusi[2] thotë: “D.m.th. do iu flasë njerëzve duke iu thënë se ata nuk po binden me provat e Allahut që tregojnë qartë ardhjen e Kiametit dhe fillimet e tij, apo të gjitha provat e Allahut në përgjithësi, ku mes tyre edhe ato të ndodhjes së Kiametit.”[3]

Kurse prej argumenteve nga Suneti, është hadithi i përcjellë nga Ebu Umameh, se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Pastaj do të dalë Kafsha, e cila do t’i vulosë njerëzit në ballet e tyre. Pastaj, njerëzit me vulë në ballë do të jetojnë mes jush dhe dikush do të blejë deve prej tyre, dhe do ta pyesin: “Nga kush e bleve këtë deve?” Ai do të thotë: “E bleva nga njëri prej të vulosurve.”[4]

Po kështu hadithi i transmetuar nga Ebu Hurejra (radiallahu anhu), i cili thotë se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Nxitoni në vepra të mira para se të shfaqen gjashtë gjëra: Dexhali, tymi, Kafsha e Tokës, lindja e Diellit nga perëndimi, Kiameti i të gjithë njerëzve dhe kiameti i vogël i secilit prej jush (vdekja).”[5]

Po kështu hadithi i transmetuar nga Hudhejfe ibën Usejd (radiallahu anhu), i cili thotë: “I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) erdhi tek ne (në xhami) ndërsa ishim duke përkujtuar, dhe tha: “Çfarë po përkujtoni?” – Ditën e Kiametit, thanë ata. Ai tha: “Kiameti nuk ka për të ndodhur para se të shihni dhjetë shenja… dhe përmendi: Tymin, Dexhalin, Kafshën e Tokës, lindjen e Diellit nga perëndimi, zbritjen e Isait birit të Merjemes, Jexhuxhët dhe Maxhuxhët, tre çarje të tokës: një në Lindje, një në Perëndim dhe një në Gadishullin Arabik. E fundit e shenjave do të jetë një zjarr gjingand që do të dalë nga Jemeni dhe do i ndjekë njerëzit drejt ringjalljes së tyre.”[6]

Po kështu hadithi i transmetuar nga Abdullah ibën Amër (radiallahu anhuma), i cili thotë: “Kam mësuar nga i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) një hadith që nuk e kam harruar. E dëgjova të Dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem) të thotë: “Shenja e parë që do të shfaqet është lindja e Diellit nga perëndimi dhe dalja e kafshës para njerëzve në kohën e mëngjesit; cilado prej këtyre dyjave që të dalë më parë, do të pasohet nga tjetra shumë shpejt.”[7]

Çështja e dytë: Cilësitë e Kafshës së Tokës

Dijetarët kanë disa mendime në lidhje me cilësitë e Kafshës së Tokës:

Mendimi parë: Kjo kafshë është bija apo biri i Devesë së Profetit Salih (alejhis selam).

Imam Kurtubiu thotë: “Mendimi më i saktë është se kjo Kafshë është bija e devesë së Salihut (alejhi selam), e Allahu e di më mirë.”[8] Më pas sjell për argument hadithin e nxjerrë nga Ebu Daud et Tajalisi, në “Musned”, nga Hudhejfe (radiallahu anhu), i cili thotë: “I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) përmendi Kafshën e Tokës dhe tha: “Ajo do të dalë 3 herë në kohë të ndryshme; Në fillim do të dalë në shkretëtirën e largët dhe nuk do të përmendet fare në Qytet – Meke. Pastaj do të qëndrojë e fshehur për një kohë të gjatë deri sa të shfaqet përsëri dhe të përhapet lajmi i saj në fshatra dhe në Qytet (Meke).” Pastaj i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) tha: “Dhe, kur njerëzit të ndodhen në xhaminë më të shenjtë të Allahut, më të mirën dhe më të shtrenjtën tek Allahu, në xhaminë el Haram (Kabe), do i shfaqet atyre duke hungëruar mes Këndit (Rukn el Jemani) dhe Mekamit (të Ibrahimit) dhe duke shkundur kokën nga pluhuri. Atëherë njerëzit do të vrapojnë duke u shpërndarë në grupe dhe të ndarë, përveç një grupi besimtarësh që e ditën se nuk mund t’i shpëtonin Allahut, dhe ajo filloi me ta, duke i shkëlqyer fytyrat e tyre sikur të ishin yll i shndritshëm. Pastaj do të ecë nëpër tokë aq shpejt, sa nuk mund ta arrijë dikush që e ndjek dhe nuk mund të shpëtojë prej saj dikush që i largohet. Madje, dikush do të kërkojë mbrojtje prej saj duke u falur, por ajo do i shkojë nga mbrapa dhe do i thotë: “O filan! Tani u kujtove të falesh?!” Pastaj i del nga para, dhe i vëndos një vulë në ballin e tij…”[9]

Pika e argumentimit me këtë hadith është fjala “duke hungëruar” (targu), fjalë e cila përdoret për hungërimin e devesë.

Kurtubiu, në librin “Et Tadhkira”, thotë: “Thuhet se Kafsha që do të dalë nga Toka është i vogli që lindi deveja e Salihut (alejhis selam); kur u vra deveja nënë, i vogli iku me vrap dhe para tij u hap një shkemb tek i cili u fut dhe pastaj shkëmbi u mbyll me atë brenda tij. Ai do të qëndrojë brenda atij shkëmbi deri sa t’i vijë koha e daljes, me vullnetin e Allahut të Madhëruar, dhe për këtë argumenton edhe hadithi i Hudhejfes (i mësipërm)…” Shumë mirë e ka thënë edhe poeti:

Kujto daljen e birit të devesë së Salihut

Kur do t’i vulosë njerëzit me vulën e mohimit dhe të besimit![10]

Mendimi i dytë: Ajo është një kafshë që ka bashkuar mes cilësive të të gjitha kafshëve.

Mendimi i tretë: Bëhet fjalë për një njeri që flet dhe që do të polemizojë me pasuesit e bidatit dhe mohimit deri sa të vërtetohet i sinqerti nga gënjeshtari, dhe të jetojë ai që do të jetojë me provë të qartë, e të shkatërrohet ai që do të shkatërrohet me provë të qartë.

Kurtubiu e ka kundërshtuar këtë mendim dhe ka sqaruar se ky është mendim krejtësisht i gabuar dhe në kundërshtim me tekstin Kuranor dhe hadithet e sakta. Ai thotë: “Ky mendim ka dashur t’i afrohet Fjalës së Allahut “që iu flet njerëzve…” [En Neml, 82], por nëse do të bëhej fjalë për “njeri” që flet, atëherë nuk do të kishte ndonjë “mrekulli” të veçantë në këtë gjë, dhe nuk do të ishte nga dhjetë shenjat e mëdha të Kiametit që përmenden në hadith; dhe sepse numri i atyre që polemizojnë dhe e nxjerrin në dritë të vërtetën kundër mohuesve dhe pasuesve të bidatit janë shumtë, kështu që nuk do të kishte ndonjë veçori që të bëhej fjalë për njeri që flet. Po kështu, emërtimi i këtij njeriu polemizues dhe dijetari të nderuar të cilin banorët e tokës e quajnë “njeri” apo dijetar, apo imam, në vend që të quhet “kafshë”, është dalje nga gjuha letrare dhe nga respekti dhe vendi që gëzojnë dijetarët, dhe kjo nuk është rruga e njerëzve të urtë, prandaj më i saktë është mendimi që kanë zgjedhur dijetarët e Tefsirit, e Allahu e di më mirë realitetin e gjërave!”[11]

Mendimi i katërt: Bëhet fjalë për gjarbrin që do të dalë në murin e Kabes, të cilin e kapi dhe e mori shqiponja kur kurejshët donin të ndërtonin Kaben.[12]

Mendimi i pestë: Është një kafshë me pendë e qime dhe këmbë me lartësi 60 pashë, dhe thuhet se është kafsha e quajtur “El Xhessase” – Përcjellësja e lajmeve, që përmendet në hadithin e transmetuar nga Temim ed Dari, të nxjerrë nga Muslimi në Sahihun e tij; nga Fatime bintu Kajs (radiallahu anha), nga i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem). Fatimja tregon historinë e saj gjatë zisë që mbajti pas vdekjes së burrit të saj, Ibnul Mugira, në shtëpinë e djalit të xhaxhait të saj Abdullah ibën Amër ibën Umi Mektum: “Kur mbaroi zija ime e pritjes, dëgjova thirrësin – e të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem) – të thërriste me zë të lartë: “Ejani për faljen e namazit në xhami!” Dhe unë shkova e u fala pas të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem), në rreshtin e grave që ishte menjëherë pas rreshtit të fundit të burrave. Pasi e mbaroi faljen, i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) u ul mbi minber duke qeshur dhe tha: “Qëndroni në vendet tuaja!” Pastaj tha:

– “A e dini përse ju kam thirrur?”

– Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë, thanë të pranishmit.

– Për Allahun! Nuk ju kam thirrur për ndonjë përgëzim apo paralajmërim, por ju thirra për tju thënë se Temim Ed Dari ishte një burrë i krishterë, por ai erdhi tek ne për të na dhënë besën dhe për t’u bërë musliman. Ai më tregoi një histori që vërteton atë që ju kam thënë më parë në lidhje me Mesihun Dexhal. Ai më tregoi se kishte hipur në një anije bashkë me tridhjetë burra nga fiset Lakhm dhe Xhudham, dhe se dallgët i kishin sjellur nëpër det për një muaj rresht, deri sa më në fund anija qëndroi në një ishull, në perëndim të diellit. Pastaj hynë në ishull dhe aty iu doli para një kafshë me shumë qime në trup, sa që nuk e dallonin kokën nga bishti për shkak të qimeve të gjata e të shumta.

– Çfarë je ti?! – thanë ata.

– Unë jam El Xhesase – tha ajo.

– Çfarë do të thotë “Xhesase”- thanë ata.

– O njerëz! Shkoni te ai burri në atë shpellën atje, sepse do t’ju tregojë gjëra interesante! – tha ajo.

Kur na tregoi emrin e tij, menduam se ajo kafshë është ndonjë shejtan. Shpejtuam deri sa u futëm në shpellë, dhe aty pamë burrin me trupin më të madh që kishim parë ndonjëherë, të lidhur në zinxhirë të fortë prej hekuri në të dyja duart deri në fyt dhe të dyja këmbët.

– Mjerë ti! Çfarë je ti? – i thamë ne.

– Do ju tregoj për veten, por së pari më tregoni ju se kush jeni dhe si erdhët këtu? – tha ai.

– Ne jemi disa njerëz nga arabët. Hipën në një anije dhe dallgët e detit e stuhia na solli nëpër det një muaj rresht, deri sa anija qëndroi në këtë ishullin tënd dhe ne hymë në ishull, pastaj takuam një kafshë me qime të gjata e të shumta që nuk i dallohej koka nga bishti për shkak të qimeve, dhe i thamë:

– Mjerë ti! Çfarë je ti?

– Unë jam El Xhesase, – tha ajo.

– E çfarë është Xhesase? – i thamë ne.

– Shkoni te ai burri në shpellë sepse do ju tregojë gjëra interesante, – tha ajo.

– Dhe ne erdhëm me nxitim tek ti nga frika prej saj se mos ishte shenjtane, – thanë ata.

– Më tregoni për Palmat (hurmat) e Sejdanit[13] – tha ai.

– Çfarë të tregojmë për to? – i thamë ne.

– Ju pyes për palmat, a prodhojnë fruta (hurma arabe)? -tha ai.

– Po, i thamë ne.

– Së shpejti nuk do të prodhojnë më, – tha ai.

– Më tregoni për Detin Tiberian, -tha ai.

– Çfarë të tregojmë për të, – i thamë.

– A ka ujë në të, -tha ai.

– Ka shumë ujë, i thamë ne.

– Uji i tij së shpejti do të thahet, – tha ai.

– Më tregoni për burimin e Zugerit[14], – tha ai.

– Çfarë të tregojmë për të, – i thamë.

– A ka ujë në atë burim, dhe a vadisin njerëzit të mbjellat e tyre me ujin e burimit? – tha ai.

– Po, i thamë ne, burimi ka shumë ujë dhe njerëzit i vadisin të mbjellat e tyre me ujin e tij.

– Më tregoni për profetin e alfabetëve, çfarë ka ndodhur me të? – tha ai.

– Ka dalë nga Meka dhe ka shkuar në Jethrib (Medine), – thamë ne.

– A e luftuan arabët atë? – tha ai.

– Po, – i thamë ne.

– Çfarë bëri me ta? – tha ai.

Ne i treguam se ai i priu ata që i besuan prej arabëve dhe ata iu bindën atij.

– A ka ndodhur kjo gjë? – tha ai.

– Po, – i thamë ne.

– Epo më e mira për ta ka qenë që t’i binden atij, – tha ai. Pastaj vazhdoi: Tani do ju tregoj për veten time: Unë jam Mesihu (Dexhal) dhe së shpejti pritet që të më jepet leja për të dalë. Kur të dal, do të eci nëpër tokë dhe nuk do të lë qytet pa shkelur, për 40 netë rresht, përveç Mekes dhe Tajibes (Medines), të cilat janë të ndaluara për mua, që të dyja; sa herë që provoj të hyj në ndonjërën prej tyre, më pret një engjëll me një shpatë të zhveshur në dorë, me të cilën ma pret rrugën. Në çdo hyrje të saj (Medines) ka engjëj që e ruajnë atë.”

Fatimja që tregon hadithin thotë: “Atëherë i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) goditi lehtë bastunin e tij në minber duke thënë: “Kjo është Tajibe! Kjo është Tajibe! Kjo është Tajibe!” – D.m.th. Medina.

– A nuk jua kam thënë këtë gjë?

– Po, – thanë njerëzit, – na ke thënë.

– Më pëlqeu që historia e Temimit vërtetoi atë që ju pata thënë për Dexhalin, për Meken dhe për Medinen. Ai (Dexhali) gjendet në detin e Abisinisë, ose në detin e Jemenit. Jo jo, ai gjendet nga ana e Lindjes (Irani)…”[15]

Kjo kafshë është quajtur “Xhessase” sepse i përcjell lajmet Dexhalit.[16]

Mendimi i gjashtë: Ajo është një krijesë që ecën mbi tokë dhe nuk është një kafshë e caktuar që vjen me gjëra të çuditshme e të pazakonta. Kjo mund të jetë për qëllim nga fjala e disa dijetarëve të mëvonshëm, që Dabbe është një lloj insekti që ekziston sot dhe që shumohet me çdo lloj mënyre, dhe që do të sulmojë njerëzit e do t’i dëmtojë ata pavarësisht përmasës së vogël, kurse njerëzit nuk do të munden t’i bëjnë ballë atyre megjithë dijen dhe teknologjinë që kanë, për shkakun se ajo është një mrekulli nga Allahu. Madje disa thonë se janë për qëllim bakteriet e rrezikshme që vrasin njeriun. Por që të gjitha këto janë interpretime të gabuara dhe të pavërteta, sepse janë përgënjeshtrim i të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem)në atë që ka njoftuar në lidhje me këtë kafshë.

Ahmed Shakir (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Ajeti është i qartë në gjuhën arabe, dhe fjala “Dabbe” (Kafshë) është e mirënjohur në gjuhën arabe pa qenë nevoja të interpretohet, dhe hadithet i kanë treguar disa nga veprat e saj. Kanë ardhur hadithe të shumta në dy Sahihat e Buhariut dhe Muslimit, dhe në librat e tjerë të Hadithit, që flasin për daljen e kësaj kafshe “mrekulli”, e cila do të dalë nga fundi i botës. Kanë ardhur gjithashtu fjalë të Sahabëve dhe Tabiinëve që flasin për cilësitë dhe veçoritë e saj, por që nuk i adresohen të Dërguarit (salallahu alejhi ue selem) i cili flet atë që i thotë Zoti i tij dhe që sqaron Librin e Tij, kështu që nuk duhet t’i lëmë mënjanë ato. Por megjithatë, disa njerëz të kohës sonë, të cilët i adresohen Islamit (thonë që janë muslimanë), në mesin e të cilëve kanë zënë vend fjalët e pavërteta dhe mendimet e shtrembëruara, të cilët nuk duan të besojnë në të panjohurën, por duan të qëndrojnë vetëm në kufijtë e materies që ua kanë skicuar mësuesit dhe ata që i marrin për shembuj prej ateistëve evropianë, politeistëve dhe të shthururve, të cilët marrin nga çdo krijesë e fe. Këta nuk munden të besojnë atë që e besojmë ne, por as nuk munden ta mohojnë me mohim të hapur e të drejëpërdrejtë, kështu që llapatisin, diskutojnë e vërdallisen, pastaj bëjnë interpretime për të nxjerrë fjalët nga kuptimi i tyre i vërtetë në gjuhën arabe, duke i bërë sikur të ishin simbole, dhe e gjitha kjo për shkak të mohimit që ata fshehin brenda tyre!…[17]

Pra, është detyrë e çdo besimtari që të besojë se Allahu i Madhëruar do të nxjerrë një kafshë tek njerëzit, të ndryshme nga kafshët që ata njohin zakonisht, e cila do iu flaës atyre dhe do të vendosë vulën e kufrit mbi ballin e mohuesve dhe të besimit mbi ballin e besimtarëve. Ky është nga besimi në të panjohurën, me të cilin besim Allahu i ka lavdëruar besimtarët.

Dijetari i nderuar Abdurrahman ibën Seadi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Kjo kafshë është ajo kafsha e shquar që do të dalë nga fundi i botës dhe që do të jetë nga shenjat e Kiametit, siç kanë ardhur hadithe të shumta që flasin për këtë. Por Allahu dhe i Dërguari i Tij nuk e kanë përshkruar formën e kësaj kafshe, por kanë përshkruar gjurmët e saj dhe qëllimin nga dërgimi i saj. Ajo do të jetë nga Shenjat e Allahut dhe do i flaës njerëzve me fjalë në mënyrë të pazakontë, në kohën kur njerëzve do iu vijë caktimi dhe do të jenë në dyshim për shenjat e Allahut, kurse për besimtarët do të jetë provë e qartë, dritë dhe argument kundër kundërshtuesve.”[18]

Çështja e tretë: Vendi i daljes së Kafshës së Tokës

Dijetarët kanë disa mendime në lidhje me vendin ku do të shfaqet kafsha e tokës:

Mendimi i parë: Kjo kafshë do të dalë nga mali i Safa-s ose nga Xhamia Haram (Kabja) në Meken e Shenjtë. Kurtubiu thotë: “Këta dijetarë kanë mospajtim në lidhje me vendin ekzakt nga ku do të dalë kafsha; Abdullah ibën Umeri (radiallahu anhuma) thotë se do të dalë nga Mali Safa në Meke, ku mali do të çahet dhe ajo do të dalë prej tij. Abdullah ibën Amër (radiallahu anhu) ka të njëjtin mendim, madje ka thënë: “Nëse dëshironi, unë mund ta vendos këmbën pikërisht në vendin ku do të dalë kafsha e tokës.”[19]

Daljen e saj nga Xhamia më Madhështore e argumenton gjithashtu hadithi i nxjerrë nga Taberani në El Eusat, nga Hudhejfe ibën Usejd – që mendoj se e ka adresuar te i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem), i cili thotë: “Kafsha e Tokës do të dalë nga Xhamia më Madhështore. Ajo do të dalë mes njerëzve dhe do të çajë tokën kur të dalë.” Ibën Ujejne thotë: “Do të dalë kur imami të urdhërojë për drejtimin e rreshtave për namaz.”[20]

Mendimi i dytë: Ajo do të dalë nga disa vende dhe jo nga një vend i vetëm; në fillim do të dalë në shkretëtirat e largëta, pastaj do të zhduket. Pastaj do të dalë përsëri nga luginat e Tuhames, që është pas Mekes. Pastaj do të dalë për herë të tretë në Meke. Ky mendim i përmbledh mendimet e tjera në lidhje me vendin e daljes së saj.

Es Sekhavi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Sipas disa haditheve të adresuara te i Dërguari (salallahu alejhi ue selem) dhe të tjerave që kanë ardhur si fjalë të Sahabeve, Kafsha e Tokës do të dalë tre herë gjithsej; herën e parë do të dalë në shkretëtirat e largëta dhe lajmi i saj nuk do të arrijë në Meke, pastaj do të fshihet për një kohë të gjatë, pastaj do të dalë për herë të dytë dhe lajmi i saj do të përhapet në mesin e beduinëve dhe do të arrijë deri në Meke.”[21]

Çështja e katërt: Misioni i Kafshës së Tokës

Misioni i kësaj kafshe, siç e kanë përmendur hadithet e sakta, është vulosja e njerëzve me vulën e besimit ose të mosbesimit. Në disa transmetime thuhet se ajo do t’i vijë besimtarit dhe do e vulosë ne fytyrën (apo ballin) e tij, dhe kur njerëzit të bashkohen nëpër vendet publike, do ta njohin besimtarin dhe jobesimtarin nga vula që do të ketë secili në fytyrë.

Ibën Kethiri thotë: “Është përcjellë nga Ibën Abasi (radiallahu anhu), se fjala e Allahut “që do iu flasë atyre”, d.m.th. që do i gërvishë, apo do shënojë mbi ballin e jobesimtarit “Jobesimtar-Kafir”, dhe mbi ballin e besimtarit “Besimtar”. Kjo fjalë bashkon mes dy mendimeve dhe është fjalë e fortë dhe përmbledhëse, e Allahu e di më mirë.”[22]

Misioni i Kafshës së Tokës përmblidhet në çëshjet e mëposhtme:

  1. Ajo kafshë do i flaës njerëzve.
  2. Do të vulosë ballin e besimtarëve me një shenjë që ndriçon dhe i zbardh fytyrën.
  3. Do të vulosë ballin e jobesimtarëve me një shenjë që thuhet se është si hunda e kafshëve (derri, qeni, etj). Ibën Ethiri thotë: “D.m.th. do i vulosë dhe do i lërë një shenjë që i ngjan hundëve të kafshëve.”[23]

[1] Tefsiri Ibën Kethirit, (3/351).

[2] Dijetari Mahmud ibën Abdullah el Alusi, Shehabudin Ebu Thena, lindur në Bagdad, në vitin 1217 Hixhri, një nga interpretuesit e mëdhenj të Kuranit.

[3] “Ruhul Meani”, (6/314).

[4] Ahmedi në Musned, 5/268.

[5] Muslimi.

[6] Muslimi (2901), Ebu Daudi (4311), Tirmidhiu (2183), Ibën Maxheh (4055), Ahmedi (4/7).

[7] Muslimi (2941), Ebu Daudi (4310), Ibën Maxheh (4069), Ahmedi (2/201).

[8] Tefsiri i Kurtubiut (13/235).

[9] Hadithi është i dobët. “Minhatul Meabud Tertib Musned et Tajalisi”, (2/220); E ka nxjerrë gjithashtu El Hakim (4/484), dhe thotë: “Ky është hadith me sened të saktë dhe është hadithi më i qartë që flet për Kafshën e Tokës, megjithëse dy shejhat (Buhariu dhe Muslimi) nuk e kanë përmendur.” Në kundërshtim të fjalës së tij, Dhehebiu thotë: “Ahmedi e ka lënë hadithin e tij – ka për qëllim Talha ibën Amër el Hadrami, një transmetues i dobët në zinxhirin e Tajalisit dhe Hakimit, për të cilin Ibën Muin thotë: “Nuk është gjë! Është i dobët.” Tehdhib et Tehdhib”, (5/23, 54).

[10] Et Tedhkira, (2/822).

[11] Tefsiri i Kurtubiut (13/236), Et Tedhkira (2/818).

[12] “Et Tedhkira” e Kurtubiut (2/236), “Fet’hul Kadir” i Sheukanit (4/151).

[13] Një vend mes Jordanisë dhe Palestinës, të cilin sot e kanë prishur çifutët dhe kanë ndërtuar koloni të tyre.

[14] Zugeri është një fshat në periferi të Damaskut. Thuhet se Zuger ka qenë emri i njërës nga vajzat e Lutit (alejhis selam), e cila qëndroi në këtë vend dhe më pas mori emrin e saj. Burimi i Zugerit do të gurgurojë nga fundi i botës dhe është një nga shenjat e Kiametit. “Mu’xhem el buldan” (4/143).

[15] Muslimi, Kapitulli i Sprovave dhe Masakrave (4/2261-2262).

[16] En Nihaje fi Garibil Hadith (1/272).

[17] Musnedi i Imam Ahmedit, me Verifikimin e Ahmed Muhamed Shakir (15/82).

[18] Tefsiri i Ibën Seadit, (5/603).

[19] Tefsiri i Kurtubiut (13, 263).

[20] Taberani në El Eusat (2/176). El Hejthemi, në El Mexhmea (8/8), thotë: “E ka nxjerrë Taberani në el Eusat, dhe transmetuesit e tij janë të gjithë të besueshëm.”

[21] “El Kanaah…”, Es Sekhavi (f.40).

[22] En Nihajetu fil Fiteni uel Melahim (1/208).

[23] En Nihajetu fi Garijbil Hadith (2/50).