Rreth vlerës së dijes

Shkëputur nga libri “Përmbledhës sqarues i dijes dhe vlerës së saj”

Autor: Jusuf ibën Abdulberr (Allahu e mëshiroftë!)

Përktheu: Bledar Albani


1. Transmetohet nga Zejd ibën Eslem se në Fjalën e Allahut “Ne i kemi favorizuar disa pejgamberë mbi disa të tjerë.” [El Isra: 55], ai ka thënë: Ky favorizim është në dije.”[1]

 

2. Transmetohet nga Abdurrahman ibën Shurejh se ka thënë: Kam dëgjuar Ubejdullah ibën Ebi Xheafer të thotë: “Dijetarët janë ndriçuesit e vendeve. Prej tyre merret drita me të cilën udhëzohesh.”[2]

3. Transmetohet nga Zuhriu (Allahu e mëshiroftë!) se ka thënë: “Nuk mund të adhurohet Allahu ashtu si mund të adhurohet me dije.”[3]

4. Transmetohet nga El Hasen El Basri (Allahu e mëshiroftë!) se në Fjalën e Allahut: “O Zoti ynë! Na jep të mira në këtë botë!” [El Bekare: 201], ai ka thënë: (është për qëllim) dija dhe adhurimi. “Dhe në botën tjetër” [në të njëjtin ajet], d.m.th: Xhenetin.”[4]

 

5. Ibën Uehbi thotë: Kam dëgjuar Sufjan eth Theuri të thotë: “Të mirat në këtë botë janë rrisku i mirë dhe dija, ndërsa të mirat në botën tjetër janë xheneti.”[5]

6. Transmetohet se i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)  ka thënë: “Nuk është prej nesh ai që nuk e mëshiron të voglin, që nuk e respekton të madhin dhe që nuk e njeh hakun e dijetarit.”[6]

 

7. Transmetohet nga Ebu Anbe el Haulani (Allahu e mëshiroftë!) se ka thënë: “Ndodh që një fjalë të vlejë më shumë se dhënia e pasurisë.”[7]

 

8. Transmetohet nga Ebu Umejr es-Suri Eban ibën Sulejm (Allahu e mëshiroftë!) se ka thënë: “Një fjalë e urtë që t’a thotë vëllai yt është më e mirë për ty se ndonjë pasuri që të jep, sepse pasuria të bën tiran ndërsa fjala të udhëzon.”[8]

9. Transmetohet nga Mejmun –ibën Mehran el Xhezeri- (Allahu e mëshiroftë!) se ka thënë: “Ekzistenca e një dijetari në një vend është njësoj si ekzistenca e një burimi të ftohtë e të kulluar në atë vend.”[9]

10. Është përcjellë nga Abdullah ibën el Mubarek (Allahu e mëshiroftë!) se ka thënë: “Sulejman ibën Daud (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të dy ata!) u la të zgjidhte ndërmjet pushtetit dhe dijes, ndërsa ai zgjodhi dije. Atëherë Allahu i dha atij pushtetin dhe dijen, meqë ai zgjodhi dijen.”

11. Ibën el Mubarek thotë: Sufjan eth Theuri më ka thënë: “Nuk kërkohet kënaqësia e Allahut me gjë më të mirë sesa kërkimi i dijes dhe në asnjë kohë gjendja e kërkimit të dijes nuk ka qënë më e mirë se sot.”[10]

12. Abdurrazaku thotë: Dëgjova Sufjanin t’i thotë një burri prej arabëve: “Mjerë ju! Kërkoni dijen, sepse unë kam frikë se dija do të dalë prej jush dhe do të shkojë tek të tjerë, kështuqë do të përçmoheni! Kërkoni dijen sepse ajo është nder në këtë botë dh ender në botën tjetër.”[11]

13. Halid ibën Khudash thotë: I dhashë lamtumirën Enes ibën Malikut dhe i thashë: Më këshillo (apo më lër ndonjë amanet). Ai tha: “Kije frikë Allahun në fshehtësi (vetmi) e në publik, këshillo (dhe prano këshillën e) çdo musliman-i dhe merre dijen e shkruaje prej të zotëve të saj (dijetarëve).”[12]

14. Transmetohet nga Ibën Shihabi (Allahu e mëshiroftë!) se ka thënë: “Dija është mashkull (në gjuhën arabe) dhe atë e duan burrat meshkuj, ndërsa burrat femra e urrejnë atë.”[13]

15. Transmetohet nga Sufjani (Allahu e mëshiroftë!) se ka thënë: “Nuk ka gjë më të frikshme për mua sesa hadithi dhe nuk ka gjë më të mirë se ai për atë që kërkon me të Fytyrën e Allahut të Madhëruar.”[14]

16. Disa njerëz të urtë kanë thënë: “Prej argumenteve për vlerën e dijetarëve është se njerëzit e duan bindjen ndaj tyre.”

17. Transmetohet nga Enesi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se në kohën e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ishin dy vëllezër, njëri prej të cilëve prezentonte fjalimet e të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe tubimet e tij, ndërsa tjetri ushtronte profesionin e tij. Ky i dyti i tha të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): O i Dërguari i Allahut, vëllai im nuk më ndihmon aspak. I Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)  tha: “Ndoshta ti furnizohesh prej tij (d.m.th. ai mund të jetë shkak për furnizimin tënd).”[15]

 

18. Sufjan ibën Ujejne ka përcjellë nga Ibën Ixhlan se Auni ibën Abdullah ka thënë: “Prej devotshmërisë së plotë është që mbi atë që di të kërkosh atë dije që nuk e di.” Pastaj shtoi: “…dhe dije se të mjaftuarit me atë që di është vetë shkujdesja dhe neglizhenca. Ajo që e shtyn burrin për t’u mjaftuar me atë që di dhe të mos e shtojë atë është të përfituarit e paktë nga ajo që dinë.”[16]

19. Thuhet: “Dijetarët janë si uji; kudo që të bjenë, bëjnë dobi.”

20. Ebu Esved ed Duveli ka thënë: “Mbretërit janë gjykues të njerëzve, ndërsa dijetarët janë gjykues të mbretërve.”

21. Gjtihashtu thuhet: “Dijetarët në tokë janë si yjet në qiell. Dijetarët janë simboli i Islamit. Dijetari është si drita (kandili) nga e cila ndriçohet ai që kalon praën saj. Sikur të mos ishte dija, njerëzit do të kishin qënë si kafshët.”

22. Musab ibën Abdullah –ez Zubejri- ka thënë: Babai im na ka thënë: “Kërkojeni diturinë, sepse nëse ke pasuri, dituria të shton bukurinë dhe nëse nuk ke pasuri, ajo të sjell pasuri.”[17]

 

23. El Munkedir thotë: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Prej dobive më të mira është një thënie e urtë të cilën njeriu e dëgjon dhe pastaj ia tregon atë vëllait të tij.”[18]

 

24. Ibën El Mukaffea thotë: Nëse njerëzit të respektojnë ty për pasurinë apo pushtetin që ke, të të mos kënaqë kjo, sepse respekti ikën me ikjen e tyre. Ajo që të kënaqë duhet të jetë respekti për dijen apo Fenë tënde.”

25. I është thënë Lukmanit të zgjuar: Cili është njeriu më i mirë? Ai tha: “Besimtari i ditur, tek i cili nëse kërkohet ndonjë e mirë, gjindet.”

26. Haxhaxhi i tha Halid ibën Safvanit: “Kush është zotëriu i banorëve të Basras? Ai tha: Haseni. Haxhaxhi tha: Si mund të jetë ai, përderisa ai është një rob?! Ai tha: Njerëzit kishin nevojë për të në Fenë e tyre (në çështjet e saj), ndërsa ai nuk kishte interes në dynjanë e tyre dhe nuk kam parë ndonjë prej fisnikëve të Basras të mos prezentojë tubimet e tij dhe të mos shkruajë dijen e tij. Haxhaxhi tha: Për Zotin! Ky është nderi i vërtetë.”


[1] Senedi i këtij etheri është Sahih.

[2] Senedi i këtij etheri është Sahih.

[3] Senedi i këtij etheri është Sahih.

[4] Ky ether është Sahih.

[5] Senedi i këtij etheri është Sahih.

[6] Hadith Sahih. Ky tekst është prej hadithit të Ibën Abasit të përmendur nga Taberani në “El Kebir”. Ky hadith ka gjithashtu dëshmues nga hadithi i Enesit, Abdullah ibën Amër ibën El Asi, Ebu Umame etj.

[7] Senedi i këtij etheri është Hasen.

[8] Senedi i këtij etheri është i pranueshëm.

[9] Senedi i këtij etheri është Sahih.

[10] Ether Sahih.

[11] Ether Sahih.

[12] Senedi i këtij etheri është Hasen.

[13] Ether Sahih.

[14] Ether Sahih.

[15] Senedi i këtij hadithi është Sahih. Atë e ka nxjerë Tirmidhiu dhe El Hakim.

[16] Ether Sahih.

[17] Senedi i këtij etheri është Hasen.

[18] Senedi i këtij hadithi është mursel-nuk është përmendur sahabiu, Hasen.