Tema te rendesishme rreth Xhihadit

Së pari: Rëndësia e Xhihadit në Islam

Së dyti: Përkufizimi dhe domethënia e Xhihadit

Së treti: Kushtet e obligueshmërisë së Xhihadit

Së katërti: Dispozitat dhe rregullat e Xhihadit

Së pesti: Vërejtje rreth Xhihadit në ditët e sotme

Së gjashti: Shenja dhe orientime për pasuesit e Sunetit që i mungojnë shumë prej të rinjve të ymetit

Së katërti: Rregullat e Xhihadit

Xhihadi është farz kifaje – detyrim mbi një pjesë të shoqërisë muslimane që mjafton për kryerjen e tij. Ibën Atije thotë: “Unanimiteti i dijetarëve të Islamit ka vazhduar të qëndrojë në fjalën se xhihadi është detyrim kolektiv sipas nevojës (farz kifaje) i popullit të Muhamedit (salallahu alejhi ue selem) në përgjithësi.” [El Xhamiu Li Ahkamil Kuran, i Kurtubit, 3/38].

Kurse në “El Hashije” të Ibën Abidin el Hanefi, thuhet: “Nëse hyn armiku në troje, xhihadi bëhet i detyrueshëm për çdo musliman që është pranë armikut, kurse për ata që janë më larg armikut, xhihadi është farz kifaje (kolektiv, sipas nevojës) që mund ta lënë nëse nuk është nevoja për ta.” [Hashije Ibën Abidin, 4/124].

Ibën Kudama thotë në librin “El Mukniu”: “Xhihadi është farz kifaje.” Pastaj thotë: “Kushdo që gjendet në llogore apo në rresht të parë me armikun prej atyre që i plotësojnë kushtet e xhihadit, ose vendi i të cilëve është rrethuar nga armiku, e kanë detyrim individual (farz ajn) xhihadin.” [El Mukniu, 10/6,14].

Pra, kjo është origjina e gjykimit të xhihadit, që ai është farz kifaje, por që mund të bëhet edhe farz ajn. Ibën Kudama, i bën sqarim fjalës së tij të mësipërme në librin “Esh Sherhul Kebir uel Insaf” të librit “El Mukniu”, me fjalët: “Përmbjedhja e çështjes është se xhihadi bëhet detyrim individual (farz ajn) në tre raste:

Rasti i parë: Kur përplasen dy ushtritë me njëra-tjetrën në fushëbetejë; në këtë rast është e ndaluar rreptësisht për ata që ndodhen atje që të largohen nga beteja apo të dezertojnë, por e kanë detyrim të qëndrojnë e të luftojnë.

Rasti i dytë: Kur jobesimtarët hyjnë në një vend të muslimanëve, të gjithë muslimanët e atij vendi e kanë detyrim luftimin dhe nxjerrjen e tyre nga vendi i tyre.

Rasti i tretë: Kur prijësi i muslimanëve dërgon një grup të caktuar në luftë, ata e kanë detyrim që të shkojnë.” [Esh Sherhul Kebir, 10/9-11].

Neveviu thotë: “Shokët tanë (dijetarët e medhhebit Shafii) thonë: “Xhihadi sot është farz kifaje, përveç nëse ndonjë armik zbret në ndonjë prej vendeve të muslimanëve, atëherë të gjitha banorët e atij vendi e kanë farz ajn xhihadin; dhe nëse banorët e atij vendi nuk janë të mjaftueshëm për nxjerrjen e armikut, atëherë detyrimi zgjerohet tek ata që janë më pranë tyre deri sa të plotësohet nevoja.” [Sherh Sahih Muslim, 8/63, 64].

Shejhu i Islamit, Ibën Tejmije thotë: “Nëse armiku futet në tokat muslimane, nuk ka dyshim se luftimi dhe nxjerrja e tij është detyrë për atë që janë më pranë e më pranë, sepse të gjitha tokat Islame janë si një tokë e vetme.” [Mexhmuul Fetava, 4/609].

Dijetarët e fikhut kanë përmendur se Xhihadi mund të jetë edhe i ndaluar. Për shembull, Imam Shafiu, në librin e tij “El Umm”, thotë: “Nuk i lejohet xhihadi atij që ka borxh për të larë, përveç nëse i jep lejë borxhliu, qoftë ai që i ke marrë borxhin musliman apo jomusliman.” [El Umm, 4/163].

Në librin “El Minhaxh” dhe në komentarin e tij “Mugnil Muhtaxh” (të medhhebit Shafii), thuhet: “Është haram për një burrë që të shkojë në xhihad jashtë vendit të vet pa i marrë lejen prindërve të tij.” [Mugnil Muhtaxh, 4/217].

Sheukani thotë: “Marrja e lejës nga prindërit për të shkuar në xhihad është e detyrueshme; kjo është fjala e shumicës dërmuese të dijetarëve, madje ata e ndalojnë rreptësisht xhihadin nëse prindërit apo njëri prej tyre e ndalon djalin e tij që të shkojë në xhihad; dhe bindja ndaj prindit është farz ajn (detyrim individual), kurse xhihadi është farz kifaje (detyrim kolektiv sipas nevojës).” [Nejlul Eutar, 7/231].

Rasti që përmend Sheukani ka të bëjë me xhihadin që është farz kifaje, sepse kur është farz ajn, nuk merret lejë nga prindërit në këtë rast.

Nga rastet dhe gjendjet në të cilat ndalohet xhihadi, siç thonë dijetarët e jurisprudencës Islame, është edhe kur numri i armikut është shumëfish më i madh se numri i muslimanëve dhe të gjithë mendojnë se nuk ka shpresë për fitore, madje mund të kenë humbje të mëdha, atëherë bëhet e detyrueshmë largimi nga beteja, në zbatim të Fjalës së Allahut: “Mos e çoni veten drejt vdekjes me duart tuaja!” [El Bekare, 195]. [Mugni el Muhtaxh, 4/226].

Në librin “El Kauanin el fikhije”, f. 165, Ibnu Xhezij thotë: “Nëse muslimanët e shohin se do të vriten të gjithë, atëherë largimi nga beteja është më parësor; po ashtu nëse e shohin se nuk do e dëmtojnë aspak armikun, e kanë detyrim të largohen. Ebu El Meali thotë: “Për këtë nuk ka kundërshtim mes dijetarëve.”

Sheukani thotë: “Nëse e shohin me shenja të forta se armiqtë janë më shumë dhe do të fitojnë mbi ta, atëherë duhet të largohen dhe të shtojnë numrin e luftëtarëve e t’i kërkojnë ndihmë muslimanëve të vendeve të tjera. Argumenti për këtë është Fjala e Allahut: “Mos e çoni veten drejt vdekjes me duart tuaja!” [El Bekare, 195]. Kuptimi i përgjithshëm i ajetit e përfshin këtë gjykim, edhe pse shkaku i zbritjes së ajetit është për një ngjarje të posaçme; kur ensarët – banorët e Medinës iu drejtuan kultivimit të fushave dhe pasurive të tyre, dhe lanë xhihadin; atëherë Allahu zbriti këtë ajet për ata, (duke ju thënë se lënia e xhihadit është vetëvrasje, sepse në këtë mënyrë armiku do ju vijë në shtëpi). Këtë e ka nxjerrë Ebu Daudi, Nesai dhe Tirmidhiu, i cili e konsideron të saktë bashke me el Hakim.

Por siç është aprovuar në bazat e fikhut Islam: Në konsideratë merret domethënia e përgjithshme e tekstit dhe jo shkaku i posaçëm i ardhjes së tij. Është e ditur gjithashtu se kush shkon në luftë dhe e di me siguri se do të vritet ose do të zihet rob, ai e ka çuar veten drejt vdekjes me duart e veta.” [Essejlul Xherar, 4/529].

Në librin “Essijer el Kebir”, thuhet: “Por nëse e sheh se nuk i bën asnjë lloj dëmi armikut, atëherë nuk lejohet që ta luftojë atë, sepse tek e fundit nuk do të arrijë asgjë që mund t’i japë gritje e krenari fesë, por vetëm sa do të vritet, kurse Allahu thotë: “Mos e vrisni veten tuaj!” [En Nisa, 29].

Prandaj, Alusi në Tefsirin e tij, në lidhje me fjalën e Allahut: “Mos e çoni veten drejt vdekjes me duart tuaja!” [El Bekare, 195], thotë: “D.m.th. duke u futur në mes të luftës pa u menduar dhe duke e futur veten në rrezik.” [Tefsiri i Alusit, 2/77].

Ibën Haxheri, në çështjen e përballjes së një luftëtari musliman me disa prej ushtarëve të armikut, thotë: “Nëse kjo është thjesht shfaqje trimërie, atëherë është e ndaluar, veçanërisht nëse do të çonte në dobësim të muslimanëve.”

Shejhu i Islamit, Ibën Tejmije thotë: “Nëse dikush prej muslimanëve gjendet në një vend ku ndjehet i dobët, apo në një kohë kur ndjehet i dobët, atëherë të zbatojë ajetin e durimit dhe të faljes ndaj atyre që fyejnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij prej Ithtarëve të Librit dhe idhujtarëve; kurse ata që kanë fuqi, duhet të zbatojnë ajetin e luftimit të prijësve të kufrit, të cilët cënojnë fenë, dhe me ajetin e luftimit të ithtarëve të Librit deri sa të japin xhizen në dorë dhe të poshtëruar.” [Es Sarim el Meslul, 2/413-414].

Nga rregullat bazë është se: “Largimi i të keqes paraprihet ndaj kërkimit të së mirës.”

El Merdavi përcjell në librin “El Insaf”:

“Xhihadi është farz ajn në dy raste:

Rasti i parë: Kur dy ushtritë përballen me njëra-tjetrën dhe ti je në rradhët e ushtrisë muslimane.

Rasti i dytë: Kur kufarët të kenë hyrë në vendin e muslimanëve, të gjithë banorët e atij vendi e kanë detyrim që të luftojnë, me përjashtim të dy personave: ai që duhet të ruajë familjen, vendin dhe pasurinë; dhe ai që ndalohet nga prijësi i muslimanëve nga shkuarja në betejë.

Këto raste kanë të bëjnë me banorët e zonave kufitare dhe ata që janë pranë tyre, kurse muslimanët e vendeve më të largëta që e kalojnë largësinë e shkurtimit të namazeve, nuk e kanë detyrim që të shkojnë në betejë, përveç nëse muslimanët që luftojnë atje nuk janë të mjaftueshëm.”

El Merdavi thotë: “Po kështu ai që është larg dhe nuk ka mundësi të shkojë te armiku, ose është afër por nuk ka mundësi të shkojë te armiku për shkak të ndonjë sëmundje apo diçka tjetër, apo që e ka ndaluar prijësi i muslimanëve të shkojë atje.” [El Insaf, 10/15].

Nga fjala e dijetarëve të jurisprudencës Islame u bë qartë se xhihadi nuk është gjithnjë në të njëjtën formë apo gjykim, por ai ka kushte, rregulla dhe baza që duhet të plotësohen, njësoj si detyrimet e tjera të Islamit; dhe se origjina e gjykimit për të është se xhihadi është farz kifaje (detyrim kolektiv sipas nevojës), kurse në disa raste është farz ajn (detyrim individual), dhe në raste të tjera i ndaluar totalisht (haram). Përderisa është kështu, muslimanët nuk duhet t’i binden asnjë teorie të kujtdo që e thotë, por duhet të kthehen te dijetarët e thelluar në dije, të cilët i kthejnë argumentet e dyshimta te ato të sigurta e të qëndrueshme.

Vërejtje:

Një musliman që hyn në një vend jomusliman me vizë hyrje, nuk vret e nuk prish në atë vend; dijetarët për këtë thonë: “Siguria që ata i japin muslimanit që hyn atje, është edhe siguri e tyre nga ai musliman.” D.m.th. që jomuslimanët të jenë të sigurtë nga muslimani që hyn në vendet e tyre, patjetër që do të marrin një deklaratë nga muslimani se ata do të jenë të sigurtë prej tij gjithashtu, duke i dhënë atë që quhet vizë hyrje; në këtë rast muslimani e ka haram që t’u shkaktojë dëme atyre.

Është e njohur botërisht tashmë se kush hyn në një vend të huaj me sigurim (vizë hyrje), edhe ai vend ku hyn është i siguruar prej teje; dhe në bazat e sheriatit Islam thuhet: “Ajo që njihet nga zakoni, është njësoj si ajo që vendoset me kusht.”

Imam Shafiu thotë: “Nëse një grup nga muslimanët hyjnë me sigurim e garanci në një vend me të cilin janë në luftë, edhe armiqtë janë të siguruar prej tyre deri sa të dalin nga vendi i tyre, ose të përmbushin afatin e garancisë; gjatë kësaj kohe, nuk i lejohet këtyre muslimanëve që t’u bëjnë padrejtësi e t’i tradhtojnë jomuslimanët e atij vendi.” [El Umm, 4/263].

Ibën Kudameh thotë: “Kushdo që hyn në tokat e armikut me siguri e garanci prej tyre, nuk i lehohet që t’i tradhëtojë ata në pasuritë e tyre, as të punojë me ta me kamatë; sa për tradhtinë e tyre, kjo është haram sepse ata i kanë dhënë sigurinë atij me kusht që ai të mos i tradhëtojë ata dhe ata të jenë të sigurtë nga ai, edhe nëse kjo gjë nuk është përmendur me gojë, sepse kjo dihet dhe është e kuptuar.” [El Mugni, 13/152; Shih gjithashtu librin “Tebjijnul Hakaik Sherh Kenzie d Dakaik”, i Ez Zejlai el hanefi, për të parë edhe fjalët e dijetarëve hanefi në këtë çështje, 3/266].