Shkëputur nga libri “El Vexhiz fi fikhis sunneh uel kitabil aziz”

Autor: Abduladhim ibën Bedevi el Halefi
Përktheu: Bledar Albani

 

Ç’është shitblerja

Shitja është kalimi i diçkaje që ke në pronësi tek dikush tjetër kudrejt një vlere. Ndërsa blerja është pranimi i asaj pronësie.

 

Gjykimi për shitblerjen

Allahu i Lartësuar thotë:

“Allahu e ka bërë të lejuar tregtinë (shitblerjen) dhe e ka bërë të ndaluar kamatën”[1]

“O ju që keni besuar! Mos e hani pasurinë tuaj me pa të drejtë ndërmjet jush vetëm nëse bëni tregti me pëlqimin e njëri-tjetrit.”[2]

Transmeton Hakim bin Hizam (radiallahu anhu) se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Shitësi dhe blerësi janë të lirë në zgjedhje deri sa të ndahen nga njëri-tjetri.”[3]

Të gjithë muslimanët janë bashkuar (ixhma’) në mendimin se shitblerja është e lejuar. Edhe urtësia e përmban këtë sepse nevojat e njerëzve shpesh lidhen me diçka që është në duart e dikujt tjetër që ndoshta nuk ia përkushton atë atij, kështu që me lejimin e shitblerjes arrihet nevoja pa ndonjë problem.

Nxitja për të arritur jetesën me djersë

Transmeton Mikdami (radiallahu anhu) se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Askush nuk ka ngrënë ushqim më të mirë se ai i duarve të tij dhe Pejgamberi i Allahut, Daudi alejhi selam hante prej punës së duarve të tij.”[4]

Ebu Hurejra (radiallahu anhu) transmeton se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Që ndonjë prej jush të mbartë dru mbi shpinën e tij (për t’i shitur) është më mirë për të se t’i kërkojë njerëzve që mund t’i japin apo mos t’i japin.”[5]

Nuk ka ndalim të pasurohesh nëse i frikësohesh Allahut në të

Muadh bin Abdullah bin Hubejb transmeton nga babai i tij dhe ky nga xhaxhai i tij se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Nuk ka ndalim të kesh pasuri nëse i frikësohesh Allahut në të dhe shëndeti për të devotshmin është më i mirë se pasuria…”[6]

Nxitja për të qënë ekonomik në kërkimin e rrizkut

Xhabir bin Abdullah (radiallahu anhu) transmeton se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“O ju njerëz! Kini frikë Allahun dhe kërkojeni rrizkun në hallall sepse nuk do të vdesë ndonjë trup pa plotësuar rrizkun e tij edhe nëse i vonohet ai! Kini frikë Allahun dhe kërkojeni rrizkun mirë! Merrni atë që është hallall dhe lini atë që është haram!”[7]

Nxitja për të qënë i sinqertë dhe ndalimi nga gënjeshtra

Hakim bin Hizam transmeton se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Shitësi dhe blerësi janë të lirë në zgjedhje deri sa të ndahen. Nëse ata janë të sinqertë dhe të qartë (në tregtinë e tyre), atëherë tregtia e tyre ka bereqet dhe nëse i fshehin dhe mashtrojnë njëri-tjetrin, atëherë tregtia e tyre zhvishet nga bereqeti.”[8]

Ukbetu bin Amir (radiallahu anhu) thotë se e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) të thotë:

“Muslimani është vëlla i muslimanit dhe nuk i lejohet muslimanit që t’i shesi vëllait të tij diçka që ka ndonjë të metë vetëm nëse ia bën atë të qartë atij.”[9]

Nxitja për lehtësim dhe falje në shitblerje

Xhabir bin Abdullah (radiallahu anhu) transmeton se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Allahu e mëshiroftë atë burr që është falës kur shet, falës kur blen dhe falës në gjykatë!”[10]

Dobia në konsiderimin e atij që është ngusht

Ebu Hurejra (radiallahu anhu) transmeton se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Një tregtar u jepte borxh njerëzve dhe nëse shihte ndonjë që nuk kishte të paguante i thoshte punëtorëve të tij: Faljani atij se ndoshta Allahu na fal neve! Atëherë Allahu e fail atë.”[11]

Ndalimi nga të mashtruarit

Ebu Hurejra (radiallahu anhu) ka thënë:

“I Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) kaloi pranë një burri që shiste një lloj ushqimi. Futi dorën e tij në të dhe pa që ai ishte i përzierë (lartë i mirë dhe brenda i keq), atëherë tha:

“Nuk është presh nesh ai që mashtron.”[12]

Nxitja për t’u ngritur herët në kërkimin e rrizkut

Sahr El-Gamidi (radiallahu anhu) transmeton se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) thënë:

“O Zoti im! Jepi bereqet popullit tim në mëngjesin e herët të tij (në punën që fillojnë që herët në mëngjes).”[13]

C’farë thuhet kur hyn në treg

Salim bin Abdullah bin Umer (radiallahu anhum) transmeton nga babai i tij, nga gjyshi i tij, se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Kush thotë kur hynë në treg: La ilahe il-lallah vahdehu la sherike lehu, lehul-mulku ue lehul-hamdu, juhji ue jumijtu, ue huve hajun la jemutu, bijedihi el-hajru kul-luhu, ue huve ala kul-li shej’in kadijr (Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut të Pashoq, i Tij është sundimi dhe Atij i takon falenderimi, Ai jep jetë dhe vdekje, Ai është i Gjallë dhe nuk vdes, në Dorën e Tij është e gjithë e mira dhe Ai është i mundshëm për çdo gjë), atij Allahu i shkruan një miljon të mira, if shin një miljon të këqia dhe i ndërton një shtëpi në xhennet.”[14]

Allahu e ka lejuar shitblerjen

Shitblerja në origjinë, e çdo lloji qoftë ajo është e lejuar nëse dy palët janë dakord dhe të kënaqur me të dhe nëse nuk ka gjë të ndaluar nga sheriati.

Llojet e shitblerjes të cilat i ka ndaluar sheriati

1. Bej’ul-garar

E cila është çdo shitblerje që përmban mosnjohuri (të fshehta që nuk i di njëra palë apo të dyja) ose që përmban rrezikshmëri apo kumar.

Ebu Hurejra (radiallahu anhu) ka thënë:

“I Dërguari i Allahut ka ndaluar nga shitja me guraleca[15] dhe nga shitja e gararit (mosnjohjes së plotë të mallit).”[16]

Thotë imam Neveviu (Allahu e mëshiroftë) në komentimin e tij të Sahihi të Muslimit:

Shitja e gararit është një bazë e madhe prej bazave të kapitullit të shitblerjeve dhe për këtë shkak Muslimi e filloi këtë kapitull me të. Në këtë lloj shitblerje hynë shumë çështje të pakufizuara, siç është shitja e të arratisurit, shitja e asaj që nuk ekziston, shitja e asaj që nuk e njeh, asaj që nuk ke mundësi ta dorëzosh te blerësi, asaj që nuk e ke akoma në pronësi, shitja e peshkut që është në ujin e detit apo lumit, e qumeshtit në gji, e asaj që ndodhet në barkun e kafshës barsë, e një rrobeje prej rrobeve (e papërcaktuar), një dashi prej deshëve e të tjera si këto shitblerja e të cilave është batil-e kotë, e papranueshme, e palejuar, sepse është gabim (verbëri) i panevojshëm.

Por nëse nevoja kërkon ndonjëherë që të kryhet ndonjë lloj garari (gabimi verbërisht) dhe nuk është e mundur të ruhesh prej tij vetëm se me stërmundime, dhe nëse gabimi është i arsyetueshëm, atëherë lejohet shitblerja.

Duke u nisur prej këtu, muslimanët janë bashkuar në mendimin se shitblerja e xhybes së mbushur (me pambuk a diçka tjetër) është e lejuar edhe nëse ata nuk e hapin për ta parë çka Brenda. Por nëse shitet vetëm mbushja e saj, atëherë kjo shitblerje nuk lejohet.

Dije se shitja e të prekurit (nëse prek mallin atëherë duhet t’a blesh atë që preke), shitja e litarit (ato që kap litari që zgjat je i detyruar t’i blesh), shitja e guralecave, e të tjera si këto, janë prej shitblerjeve për të cilat kanë ardhur tekste të veçanta (në ndalimin e tyre) dhe të gjitha ato hyjnë në ndalimin e shitjes së gararit (verbërisë), por ato janë përmendur të veçuara për shkak se kanë qenë prej shitblerjeve të njohura në kohën e injorancës, para Islamit dhe Allahu e di më së miri. Mbaroi fjala e Imam Neveviut (Allahu e mëshiroftë).

Shitja me të prekur dhe me të hedhur

Transmetohet nga Ebu Hurejra (radiallahu anhu) se ka thënë:

“Jemi ndaluar prej dy shitblerjeve: shitja me të prekur (el-mulamese) dhe shitja me të hedhur (el-munabedhe): El-mulamese është prekja e çdonjërit prej të dyve rroben (plaçkën) e tjetrit pa dashje, kurse el-munabedhe është hedhja e çdonjërit prej atyre dyve rroben e tij tek tjetri pa parë njëri prej tyre rroben e tjetrit.”[17]

Ebu Seid El-Hudri (radiallahu anhu) thotë:

“Na ka ndaluar i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) nga dy shitblerje dhe dy veshmbathje: Na ka ndaluar nga shitblerja me të prekur dhe me të hedhur:

të prekurit (el-mulamese) është të prekë një burr rroben e një tjetri me dorën e tij, natën apo ditën dhe është i detyruar ta blejë atë, kurse të hedhurit (el-munabedhe) është të hedhë një burr rroben e tij tek një tjetër dhe ai tjetri të hedhë rroben e tij tek ky i pari duke qenë kjo shitblerja e tyre pa marrë parasysh pranimin apo pëlqimin.”[18]

Shitja e këlyshit te këlyshit të barsës

Ibnu Umeri (radiallahu anhuma) ka thënë:

“Njerëzit në kohën e injorancës kryenin shitblerjen e mishit të këlyshëve deri në këlyshin e këlyshit të barsës, dhe këlyshi i barsës është që të pjellë deveja dhe pastaj të mbarset këlyshi i saj që ajo polli. I Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) i ndaloi ata nga kjo shitblerje.”[19]

Shitja me guraleca

Ebu Hurejra (radiallahu anhu) ka thënë:

“I Dërguari i Allahut ka ndaluar nga shitja me guraleca dhe nga shitja e gararit (mosnjohjes plotësisht të mallit).”[20]

Thotë imam Neveviu (Allahu e mëshiroftë) në komentimin e Sahihut të Muslimit:

“Përsa i përket shitjes me guraleca, në domethënien e saj ka tre mendime:

I pari: Që të thotë shitësi: të kam shitur ato rroba mbi të cilat do të bjenë këto gurë që do të hedh, ose të kam shitur pjesën e tokës prej këtu e deri atje ku do të shkojë ky guri.

I dyti: Që të thotë shitësi: Të kam shitur atë që do zgjedhësh deri sa të hedh gurin.

I treti: Që ta quajnë hedhjen e gurit shitje dhe të thotë: Nëse e godet këtë rrobë me gurë, atëherë e ke blerë me kaq lek.”

2. Shitja e diçkaje që nuk e posedon në të vërtetë

Hakim bin Hizam (radiallahu anhu) thotë: I thashë të Dërguarit të Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem): Nëse dikush më kërkon t’i shes diçka që nuk më ndodhet, a t’ia shes atij? Ai tha:

“Mos shit atë që nuk ndodhet tek ti!”[21]

 

3. Shitja e mallit që ke blerë para se ta marrësh në dorë

Ibnu Abasi (radiallahu anhu) transmeton se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Kush blen një ushqim, most a shesë atë para se t’i dorëzohet në dorë!”

Thotë Ibnu Abasi: “Dhe çdo gjë tjetër llogaritet si ushqimi.”[22]

Transmeton Tausi nga Ibnu Abasi se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Kush blen një ushqim, mos t’a shesë atë deri sa t’a peshojë!”

I thashë Ibnu Abasit: Përse kështu? Ai tha: A nuk i sheh disa që shesin e blejnë me arë (flori) kurse ushqimi vonohet?”[23]

 

4. Shitja mbi shitjen e vëllait tënd (tregtarit tjetër)

Ibnu Umeri (radiallahu anhuma) transmeton se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Askush prej jush mos të shesë mbi shitjen e vëllait të tij![24] (duke i thënë blerësit që është tek tregtari tjetër duke bërë pazar, hajde blije tek unë me kaq lek, më pak se sa i tha i pari).

 

5- Shitja e Ijnes (me hile)

Kjo është ajo shitje që bëhet duke i shitur një mall dikujt dhe lekët me të pritur deri në një afat të caktuar, pastaj blerësi ia shet të njëjtin mall atij që ia bleu por me lekët në dorë dhe më pak se sa e bleu. Kjo është një lloj kamate me hile, sepse në fakt ai nuk donte mallin por lekët borxh.

Ibnu Umeri (radiallahu anhuma) transmeton se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Në kohën kur të blini e shisni me hile (ijneh), të shkoni pas bishtit të lopës (pasurirë së kësaj bote), të pëlqeni të mbjellat dhe të lini xhihadin, atëherë Allahu do hedhë mbi ju përçmim e përulje dhe nuk do ta heqë atë prej jush deri sa t’i ktheheni fesë tuaj.”[25]

6- Shitja me afat duke rritur çmimim (shitja me këste):

Eshtë përhapur këto kohë shitja me afatizim dhe me rritje të çmimit origjinal të mallit e cila njihet me emrin: shitja me këste. Siç është e njohur, kjo shitje bëhet duke shitur mallin me këste dhe duke shtuar në çmimin e tij kudrejt kohës së shtyrë si p.sh. të jetë çmimi i mallit një mijë $ dhe të shitet me këste një mijë e dyqind $. Kjo lloj shitje është e ndaluar.

Ebu Hurejra (radiallahu anhu) transmeton se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Kush bën dy shitje në një shitje, ose t’a prishë njërën, ose ka ngrënë kamatën.”[26]

Gjërat të cilat nuk lejohet të shiten

1- Alkooli:

Aisha (radiallahu anha) thotë: Kur zbritën disa ajete nga fundi i sures Bekare doli i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) dhe tha:

“U ndalua tregtia e alkoolit.”[27]

2- E ngordhura, derri dhe idhujt:

Transmetohet nga Xhabir bin Abdullah se ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) në çlirimin e Mekës të thotë:

“Allahu dhe i Dërguari i Tij e ka bërë haram shitjen e alkoolit, të ngordhurën, derrin dhe idhujt.” I thanë: O i Dërguari i Allahut! Po dhjamin e të ngordhurës, sepse me të lyhen anijet, fërkohen lëkurat e kofshëve dhe e hanë njerëzit në mëngjes? Ai tha:

“Jo, ai është haram” Dhe tha i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) në atë cast: “Allahu i vraftë çifutët! Kur Allahu ua ndaloi atyre dhjamin e të ngordhurës ata e zbukuruan atë, pastaj e shitën dhe hëngrën çmimin e tij!”[28]

3- Qeni:

Transmetohet nga Ibnu Mes’ud el-ensari (radiallahu anhu) se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) e ka bërë të ndaluar shitjen e qenit, paret e imorales dhe të fallxhorit.”[29]

4- Pikturat që përmajnë gjëra me shpirt:

Seid bin ebi Hasen thotë: Isha te Ibën Abasi (radiallahu anhuma) dhe tek ai erdhi një burrë e i tha: O Ibën Abas! Unë jam një njeri që e ha bukën me punën e duarve të mia dhe unë pikturoj këto piktura.

Ibën Abasi tha: Nuk të them ty vetëm se atë që kam dëgjuar nga i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) dhe ai ka thënë:

“Kush pikturon ndonjë pikturë, Allahu do t’a dënojë atë deri sa t’i japë asaj shpirt dhe ai nuk do të mund t’i japë kurrë shpirt asaj.”

U mërzit ai burri shumë dhe iu zverdh fytyra. Atëherë Ibën Abasi i tha: Nëse do patjetër të pikturosh, atëherë pikturo këto pemë dhe çdo gjë që nuk ka shpirt.”[30]

5- Frutat e pemëve para se të dalin kokrrat apo të piqen:

Enes ibën Maliku (radiallahu anhu) transmeton se i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka ndaluar nga shitja e fryteve të pemëve para se të piqen dhe nga shitja e hurmave (temër, hurmat arabe) para kohe. Dikush i tha: Kur është koha e tyre? Ai (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) tha: Kurt ë skuqen apo të zverdhen.”[31]

Transmetuan Enesi gjithashtu se I Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka ndaluar nga shitja e pemëve para pjekjes. I thanë: Kur piqen ato? Tha: Kur të skuqen. Pastaj tha: ç’farë thoni nëse Allahu i ndalon frutat të dalin e të piqen, atëherë ç’farë do t’i japë ai që ka marrë lekët e vëllait të tij?”[32]

6- Të mbjellat para forcimit të kokrrës:

Ibën Umeri (radiallahu anhuma) transmeton se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka ndaluar nga shitja e temrit para kuqjes dhe nga agrumet para se të focohet kokrra dhe të sigurohet se nuk është prekur me ndonjë sëmundje. Ka ndaluar edhe shitësin edhe blerësin.”[33]

 

ZGJEDHJA

Ç’është zgjedhja

Zgjedhja është të kërkosh më të mirën për vete prej dy gjërave: ose të zgjedhësh plotësimin e aktit të shitblerjes (t’a përfundosh atë), ose t’a prishësh atë (aktin) dhe të tërhiqesh.

Llojet e zgjedhjes

1- Zgjedhja në vend:

Kjo e drejtë për të zgjedhur është për të dyja palët që nga fillimi i aktit deri sa të ndahen nga njëri-tjetri, me kusht që të mos kenë rënë dakord për rrëzimin e zgjedhjes (d.m.th. nëse vënë kusht që në fillim që askush nuk ka të drejtë të tërhiqet nga akti edhe nëse vazhdojnë të jenë bashkë), ose t’a rrëzojnë atë pas aktit apo ta rrëzojë vetëm njëri, atëherë rrëzohet e drejta e tij në zgjedhje dhe ngel e drejta e tjetrit.

Ibnu Umeri (radiallahu anhuma) transmeton se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Kur bëjnë akt shiblerjeje dy vetë, ç’donjëri nga ata të dy ka të drejtën të zgjedhë deri sa të jenë bashkë dhe mos të jenë ndarë, apo njëri nga ata ta ketë lënë tjetrin për të zgjedhur. Nëse njëri ia lë në dorë tjetrit për të zgjedhur dhe pastaj bienë dakord, atëherë është kryer akti i shitblerjes (dhe detyrohet blerësi të marë mallin dhe shitësi vlerën) e nëse ndahen pas aktit por njëri nuk e ka mbaruar aktin, atëherë është kryer akti në ç’do rast.”[1]

Eshtë haram largimi nga vendi i aktit nga ndrojta se pala tjetër ndërron mendje.

Transmeton Amër bin Shuajb nga babai i tij, nga gjyshi i tij se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Dy palët në tregti kanë të drejtën e zgjedhjes deri sa të ndahen, vetëm nëse kanë vënë ndonjë kusht zgjedhjeje, dhe nuk i lejohet askujt që të ndahet nga shoku i tij nga frika e kthimit nga ai akt.”[2]

2- Zgjedhja e vënies së kushteve:

Kjo zgjedhje është që të vënë kusht të dyja palët ose njëra që: të ketë të drejtën e zgjedhjes deri në një afat të caktuar sado i gjatë qoftë ai. Ky akt dhe ky kusht ëhtë i saktë.

Ibnu Umer (radiallahu anhuma) transmeton se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Dy palët në tregti kanë të drejtën e zgjedhjes deri sa të ndahen ose të jetë akti me kushte (të vëna nga të dyja palët ose njëra).”[3]

3- Zgjedhja në mallin me defekt:

Përmendëm më parë ndalimin e fshehjes së defektit të mallit dhe nëse ndokush blen një mall me defekt të cilin nuk e ka parë para se të ndaheshin nga akti, atëherë ai ka të drejtën e kthimit të mallit tek shitësi prej të cilit e bleu.

Ebu Hurejra (radiallahu anhu) transmeton se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Kush blen një dele të pamjelë (për shumë kohë që të duket sikur jep shumë qumësht) dhe e mjel atë, atëherë nëse e pëlqen ashtu le ta mbajë dhe nëse nuk e pëlqen atëherë ta kthejë te i zoti dhe bashkë me të të japë një tas me temër për qumështin që i mori.”[4]

Ebu Hurejra (radiallahu anhu) transmeton se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Nuk lejohet lënia e deles dhe devesë pa mjelë që ti fryhen gjitë dhe nëse ndokush e blen një të tillë, ai ka të drejtën e zgjedhjes pas mjeljes së saj: ose t’a mbajë nëse do, ose ta kthejë bashkë me një tas temër.”[5]

KAMATA

Vijon …

Faqja Tjetër »

 

_____________________________________

[1] Suretu El-Bekare:275.

[2] Suretu En-Nisa:29.

[3] Muttefekun alejhi.

[4] Buhariu.

[5] Buhariu, Tirmidhiu, Nesaiu.

[6] Ibnu Maxheh (Sahih).

[7] Ibnu Maxheh (Sahih).

[8] Muttefekun alejhi.

[9] Ibnu Maxheh (Sahih).

[10] Buhariu.

[11] Buhariu.

[12] Ibnu Maxheh Ebu Daud, Tirmidhi, Muslim (Sahih).

[13] Ibnu Maxheh, Tirmidhi, Ebu Daud (Sahih).

[14] Ibnu Maxheh (Hasen)

[15] Shitja me guraleca është një lloj tregtie e cila praktikohej në kohën e injorancës dhe kryhej duke hedhur disa guraleca mbi mall dhe malli ku binin guralecat bëhej i detyrueshëm të blihej.

[16] Muslim, Tirmidhi, Ebu Daud, Ibnu Maxheh, Nesai (Sahih).

[17] Muslim (Sahih).

[18] Muttefekun alejhi.

[19] Muttefekun alejhi.

[20] Muslim, Tirmidhi, Ebu Daud, Ibnu Maxheh, Nesai (Sahih).

[21] Ibnu Maxheh, Tirmidhi, Ebu Daud (Sahih).

[22] Muttefekun alejhi.

[23] Muttefekun alejhi.

[24] Muttefekun alejhi.

[25] Ebu Daud (Sahih).

[26] Ebu Daud (Hasen).

[27] Muttefekun alejhi.

[28] Muttefekun alejhi.

[29] Muttefekun alejhi.

[30] Muttefekun alejhi.

[31] Buhariu.

[32] Muttefekun alejhi.

[33] Muslimi, Ebu Daudi, Tirmidhiu (Sahih).