Ç’është dhurimi

Dhurimi është falja e një plaçke dikujt tjetër pa pagesë dhe duke qenë dhuruesi gjallë.

Nxitja në të

Ebu Hurejra (radiallahu anhu) transmeton se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Dhuroni që të duheni!”[5]

Pranimi i dhuratës edhe nëse është pak

Ebu Hurejra (radiallahu anhu) transmeton se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Nëse do të më ftonin për të ngrënë shpatullën[6] e një kafshe apo kyçin e këmbës së saj, do t’i përgjigjesha ftesës dhe nëse do të më dhuronin një shpatull apo një kyç të këmbës së kafshës, do t’a pranoja dhuratën.”[7]

Dhurata që nuk kthehen mbrapsht

Azra bin Thabit El-Ensari thotë: Më ka treguar Themameh bin Abdullah pasi hyra te ai dhe më dha të hidhja parfum, se Enesi (radiallahu anhu) nuk e kthente mbrapsht parfumin dhe thoshte se i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) nuk e kthente parfumin mbrapsht.”[8]

Ibën Umeri (radiallahu anhu) transmeton se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Tre gjëra nuk kthehen mbrapsht: jastëkët mbështetës, gjalpi dhe kosi.”[9]

Kush ka më shumë të drejtë për t’i dhuruar atij

Aisha (radiallahu anha) tregon se i ka thënë të Dërguarit (sal-lallahu alejhi ue sel-lem): Unë kam dy komshije, cilës prej atyre t’i bëj një dhuratë? Tha: “Asaj që e ka derën e shtëpisë më afër derës tënde.”[10]

Ndalimi nga bërja dallim mes fëmijëve në dhuratë

Neuman bin Beshir thotë: Babai im më dhuroi një pjesë të pasurisë së tij dhe nëna ime, Amrah bintu Ravaha i tha: Nuk jam dakord me këtë gjë pa folur me të Dërguarin e Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem). Atëherë ai shkoi te i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) dhe ai i tha atij:

“A e bërë këtë gjë me të gjithë fëmijët e tu?” Tha: Jo. Tha i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem):

“Kini frikë Allahun dhe mbani drejtësi mes fëmijëve tuaj!”

U kthye babai im dhe e ktheu mbrapsht atë që më dhuroi.

Në një transmitim tjetër thuhet se i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) i tha atij: “Atëherë nuk dëshmoj për këtë sepse unë nuk bëhem dëshmitar për padrejtësi.”

Ndërsa në një transmetim të tretë thuhet: Pastaj tha (i Dërguari):

“A dëshiron që të të binden të gjithë njëlloj? Tha: Po. Tha: “Atëherë mos e bëj atë gjë!”[11]

Nuk lejohet që ndokush të kërkojë atë që dhuroi dhe as t’a blejë atë

Ibën Abasi (radiallahu anhuma) tregon se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Nuk na shkon për shtat shembulli i keq; ai që kthehet te dhurata e tij është si qeni që kthehet te e vjella e tij.”[12]

Zejd bin Eslem tregon se i ati i tij ka dëgjuar Umer bin Hatabin (radiallahu anhu) të thotë: Dhashë një kal për në Rrugë të Allahut dhe atij që ja dhashë i humbi. Atëherë doja t’a bleja prej atij që e kishte gjetur duke menduar se do të ma shesë lirë dhe pyeta për këtë të Dërguarin (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) e ai më tha:

“Mos e blij atë edhe sikur t’a japë me një dirhem të vetëm sepse ai që kthehet te lëmosha e tij është si qeni që kthehet te e vjella e tij.”[13]

Përjashtohet nga kjo prindi që i jep diçka fëmijës së tij:

Ibën Umeri dhe Ibën Abasi (radiallahu anhuma) tregojnë se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Nuk i lejohet askujt që jep ndonjë dhuratë, të kthehet tek ajo, përveç prindit në atë që i jep fëmijës së tij (atij i lejohet).”[14]

Por nëse ai të cilit i bëhet dhurata e kthen atë mbrapsht, atëherë nuk ka gjë që dhuruesi t’a marrë atë.

Aisha (radiallahu anha) tregon se i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) u fal dhe kishte veshur një rrobe të lëmuar me shënime në të. Gjatë faljes i tërhoqën vëmendjen shenjat e saj dhe pasi mbaroi faljen tha:

“Kthejani këtë këmishë Ebu Xhehmit dhe më sillni një tjetër të ashpër, sepse ajo ma tërhoqi vëmendjen në namaz pak më parë.”[15]

Gjykimi për atë që bën një dhuratë dhe më pas e trashëgon atë

Abdullah bin Burejdeh thotë se babai i tij ka thënë: Një grua erdhi te i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) dhe tha: O i Dërguari i Allahut! Unë i dhashë si dhuratë nënës sime një robëreshë dhe ajo tani vdiq. I Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) tha: “Allahu ty të shkruajti sevape dhe t’a ktheu trashëgiminë.”[16]

Dhurata që marrin nënpunësit është diçka e pamerituar

Ebu Hamid Es-Saidi (radiallahu anhu) thotë: I Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ngarkoi për mbledhjen e zekatit një burrë prej fisit Ezd që e quanin Ibnu Letbijeh. Kur u kthye nga puna tha: Kjo është e juaja, kurse kjo m’u dhurua mua. I dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) hipi në minber dhe pasi falenderoi Allahun tha:

“Si është puna me punëtorin që e ngarkojmë me një punë dhe ai vjen e thotë: kjo është e jotja e kjo është e imja? A nuk ulet në shtëpinë e të jatit e të ëmës së tij dhe të shohë nëse do t’i dhurohet gjë apo jo?

Betohem në Atë që ka në Dorë shpirtin tim! Nuk merr ndonjë gjë prej saj vetëm se do t’i ngarkohet mbi qafë në Ditën e Kijametit…”

Pastaj ngriti duart deri sa pamë të bardhën e sqetullave të tij dhe tha: “A nuk e përcolla lajmin!” tre herë.”[17]

 

MARRJA E DICKAJE ME FORCE

 

Kjo është që dikush të marrë diçka që i përket dikujt tjetër me pa të drejtë.

Gjykimi për të:

Kjo gjë është padrejtësi dhe padrejtësia është errësirë e madhe në Ditën e Kijametit. Allahu i Lartësuar thotë:

(وَ لا تَحْسَبَنَّ اللهَ غافِلاً عَمَّا يَعمَلُ الظالِمُونَ إنَّما يُؤَخِّرُهُمْ لِيَوْمٍ تَشْخَصُ فيهِ الأَبْصارُ، مُهْطِعينَ مُقْنِعي رُءُوسِهِمْ لا يَرْتَدُّ إليهِمْ طَرْفُهُمْ وَ أفْئِدَتُهُمْ هَواءٌ)

“Mos mendoni se Allahu është i paditur e i pavëmendshëm për atë që bëjnë të padrejtët, por Ai u jep atyre kohë deri në një Ditë kur sytë do të zgurdullohen prej tmerrit. Atë Ditë ata do të vrapojnë me qafë të ngritur dhe sytë do t’i ngelin nga qielli, ndërsa zemrat e tyre janë bosh dhe nuk mendojnë nga hutimi e paniku.”[18]

(وَ لا تَأكُلُ أمْوالَكُمْ بَينَكُمْ بِالْباطِلِ)

“Mos hani nga pasuria e njëri-tjetrit padrejtësisht (me çdo lloj rruge të paligjhme)!”[19]

I Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë në Hutben e lamtumirës:

“Gjaku juaj, pasuria juaj dhe nderi juaj është i ndaluar për ju mes njëri-tjetrit siç është e ndaluar kjo ditë e sotme e shenjtë, në këtë muaj të shenjtë dhe në këtë vend të shenjtë.”[20]

Ebu Hurejra (radiallahu anhu) tregon se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Nuk është besimtar ai që bën imoralitet kur e bën atë punë. Nuk është besimtar ai që pi alkool kur e pi atë. Nuk është besimtar ai që vjedh kur vjedh dhe nuk është besimtar ai që merr diçka me dhunë dhe njerëzit ngrenë kokën nga ai për t’a parë.”[21]

Ndalimi nga përfitimi prej të marrurës me dhunë

Eshtë haram për atë që merr diçka me forcë t’a shfrytëzojë atë dhe e ka për detyrë që t’a kthejë atë.

I Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Askush prej jush mos të marrë plaçkën e vëllait të tij, as duke luajtur dhe as me seriozitet dhe ai që merr shkopin e vëllait të tij, le t’ia kthejë atë atij!”[22]

Ebu Hurejra (radiallahu anhu) tregon se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Kush i ka hyrë në hak vëllait të tij (musliman), në nder apo diçka tjetër, le të kërkojë prej tij që t’ia bëjë hallall (t’ia falë) sot, para se mos të ketë dinar e as dirhem. Nëse ai ka punë të mira, do të merret prej tij aq sa të kompensohet padrejtësia e tij dhe nëse nuk ka punë të mira, do të merret prej të këqiave të atij tjetrit dhe do të hidhen mbi të.”[23]

Kush vritet duke ruajtur pasurinë e tij është dëshmor

Eshtë e lejuar që muslimani të mbrojë veten dhe pasurinë e tij nëse ndokush ka për qëllim vrasjen apo marrjen e pasurisë së tij.

Ebu Hurejra (radiallahu anhu) thotë: Një burrë erdhi te i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) dhe i tha: O i Dërguari i Allahut! C’farë të bëj nëse një njeri vjen për të marrë pasurinë time? Ai tha:

“Mos ia jep pasurinë tënde atij!” Tha: Po sikur të më sulmojë? Tha: “Atëherë sulmoje edhe ti!” Tha: Po nëse më vret? Tha (sal-lallahu alejhi ue sel-lem): “Atëherë ti je dëshmor.” Tha: Po nëse e vras unë atë? Tha: “Atëherë ai është në Zjarr.”[24]

Rrëmbimi i tokës

Seid bin Zejd (radiallahu anhu) thotë se ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) të thotë:

“Kush merr padrejtësisht një copë tokë (nga vëllai i tij), do t’i vihet në qafë (Ditën e Kijametit) prej shtatë tokave.”[25]

Transmeton Salimi nga babai i tij se i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Kush merr një copë tokë me pa të drejtë, do të fundoset deri në shtatë toka në Ditën e Kijametit.”[26]

Kush rrëmben një pjesë toke dhe e mbjell apo ndërton mbi të, urdhërohet që t’i shkulë të mbjellat dhe t’a prishë ndërtesën, sepse i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) thotë:

“Nuk ka asnjë të drejtë për atë që rrëmben padrejtësisht.”[27]

Nëse ai e ka mbjellur, atëherë i jepen shpenzimet dhe të mbjellat i kalojnë pronarit të tokës.

Rafi’ bin Hadixh (radiallahu anhu) tregon se i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Kush mbjell në tokën e dikujt tjetër pa lejen e tij, atëherë atij nuk i takon asgjë nga të mbjellat dhe i jepen ato që ka shpenzuar.”[28]

 

ESH-SHUF’AH – E DREJTA E KOMSHIUT NE BLERJEN E PRONES

 

Ç’është esh-shuf’ah

Shuf’ah në kuptimin gjuhësor është çiftëzimi, ndërsa në kuptimin legjislativ ajo është: kalimi i pjesës së ortakut ose komshiut te ortaku ose komshiu tjetër ndërkohë që kishte kaluar tek një i tretë që nuk ka qenë komshi i të parëve, duke i paguar komshiut që shet pjesën e vet shumën që ka kërkuar prej atij të tretit.

Gjërat në të cilat pranohet Shuf’ah

Xhabir bin Abdullah (radiallahu anhu) thotë: “I Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka gjykuar me shuf’ah në çdo gjë që nuk është ndarë, por nëse vihen kufijtë dhe ndahen rrugët atëherë nuk ka shuf’ah.”[29]

Kështu, nëse dikush ka ortak (komshi) në një pjesë toke, apo në ndonjë mur, shtëpi e tjera si këto, nuk duhet t’a shesë pjesën e tij para se t’ia paraqesë komshiut të tij dhe nëse e shet para se t’ia paraqesë atij, ai ka të drejtë që t’a prishë aktin e parë dhe t’a blejë vetë atë pjesë.

Xhabiri (radiallahu anhu) tregon se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Kush ka një pemë hurme apo një copë toke, mos t’a shesë atë para se t’ia paraqesë komshiut të tij!”[30]

Ebu Rafi’ (radiallahu anhu) tregon se i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Komshiu më i afërt ka të drejtë më shumë për të blerë shtëpinë e komshiut të tij.”[31]

Shuf’ah e komshive që kanë diçka të përbashkët

Nëse dy komshinj kanë një rrugë apo diçka tjetër të përbashkët në mes tyre, nuk i lejohet asnjërit prej tyre që të shesë pjesën e tij pa marrë leje nga komshiu i tij. Nëse ai e shet pa lejen e tij, atëherë ai ka të drejtë që t’a prishë aktin e parë dhe t’a blejë vetë atë.

Xhabiri (radiallahu anhu) transmeton se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Komshiu ka më shumë të drejtë në pjesën e komshiut të tij, kështu që duhet të pritet edhe nëse nuk është prezent. Kjo nëse rruga e atyre të dyve është e përbashkët.”[32]

Ebu Rafi’ (radiallahu anhu) tregon se i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Komshiu më i afërt ka të drejtë më shumë për të blerë shtëpinë e komshiut të tij.”[33]

 

AUTORIZIMI

Ç’është autorizimi (El-Uekale)

El-Uekale është të ngarkosh dikë tjetër në vendin tënd për çdo gjë apo për gjëra të caktuara.

Gjykimi për të

Autorizimi është i lejuar me Kur’an, Sunet dhe Ixhma’:

Allahu i Lartësuar thotë:

“Kësisoj, Ne i zgjuam ata (nga gjumi i gjatë) që ta pyetnin njëri-tjetrin. Njëri prej tyre tha: Sa kohë keni qëndruar (këtu në gjumë)? Ata iu përgjigjën: Kemi ndenjur ndoshta një ditë apo një pjesë të saj. Pastaj thanë: Zoti juaj, vetëm Ai e di më mirë se sa kohë keni qëndruar. Tani, dërgoni njërin prej jush me këtë monedhë argjendi në qytet dhe të gjejë ushqim të pastër e të ligjshëm për të ngrënë dhe t’iu sjellë edhe juve të tjerëve këtu dhe të ruhet që askush mos të marrë vesh gjë për ju!”[34]

Ebu Rafi’ (radiallahu anhu) thotë: “I Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) u martua me Mejmuneh duke qënë hallall (jo me rroben e bardhë të haxhit apo umras, por e kishte kryer atë) dhe hyri te ajo duke qënë hallall, kurse unë isha ndërmjetësi i atyre dyve.”[35]

Ai (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka pas autorizuar njerëz në kthimin e borxheve, ekzekutimin e ligjeve etj.

Muslimanët janë bashkuar në mendimin se autorizimi është i lejuar, madje i pëlqyeshëm, sepse ai është një lloj bashkëpunimi në të mira e devotshmëri kur dihet që jo çdo njeri është i mundur që t’i bëjë vetë punët e tij, kështu që ka nevojë për dikënd tjetër që t’i bëjë ato në vend të tij me autorizimin e tij.

Gjërat në të cilat lejohet autorizimi

C’do gjë që i lejohet njeriut t’a bëjë me dorën e tij, është e lejuar që ai të autorizojë dikënd tjetër në të.

I autorizuari duhet të jetë besnik:

I autorizuari duhet të jetë besnik në atë që merr dhe që kryen dhe nuk kompenson gjë vetëm nëse prish diçka me qëllim.

I Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) thotë:

“Nuk kompenson gjë ai që është mirëbesuar.”[36]

Lutja jonë e fundit është

El-hamdu lilahi rabbil-alemin!

« Faqja e Mëparshme

________________________________________

[1] El-Maide:2.

[2] Malik, Bejhaki (Sahih).

[3] Muttefekun alejhi.

[4] Bejhakiu (Sahih).

[5] Bejhakiu (Hasen).

[6] Shpatulla e kafshës ka qenë pjesa më e preferuar e mishit të kafshës te i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem), ndërsa kyçi i këmbës është diçka pa vlerë që nuk ka mish. I ka përmendur këto të dyja për të thënë që do i përgjigjesh ftesës dhe do e pranonte dhuratën njëlloj, nëse ishte diçka e preferuar apo diçka pa ndonjë vlerë të konsiderueshme.

[7] Buhariu.

[8] Buhariu, Tirmidhiu.

[9] Tirmidhiu (Hasen).

[10] Buhariu, Ebu Daudi.

[11] Muttefekun alejhi.

[12] Muttefekun alejhi.

[13] Muttefekun alejhi.

[14] Ebu Daud, Tirmidhi, Nesai (Sahih).

[15] Muttefekun alejhi.

[16] Muslim, Tirmidhi, Ebu Daud.

[17] Muttefekun alejhi.

[18] Ibrahim:42-43.

[19] Bekare:188.

[20] Sahihul-Xhamiu i Albanit Allahu e mëshiroftë.

[21] Muttefekun alejhi.

[22] Ebu Daud, Tirmidhi (Hasen).

[23] Buhariu, Tirmidhiu (Sahih).

[24] Muslim, Nesai (Sahih).

[25] Muttefekun alejhi.

[26] Buhariu (Sahih).

[27] Tirmidhiu, Bejhakiu (Sahih).

[28] Tirmidhiu, Ibën Maxheh (Sahih).

[29] Buhariu, Ebu Daudi, Ibën Maxheh, Tirmidhiu.

[30] Ibën Maxheh, Nesai (Sahih).

[31] Ibën Maxheh (Sahih).

[32] Ebu Daud, Tirmidhi, Ibën Maxheh (Sahih).

[33] Ibën Maxheh (Sahih).

[34] El-Kehf:19.

[35] Darimi, Ahmed (Sahih).

[36] Sahihul-Xhamiu (Hasen).