Shkëputur nga libri “El Vexhiz fi fikhis sunneh uel kitabil aziz”

Autor: Abduladhim ibën Bedevi el Halefi
Përktheu: Bledar Albani

 

Ç’është kamata

Kamata (apo fajdeja) është shtesa në origjinën e diçkaje si në Fjalën e Allahut:

“…dhe e sheh tokën të vdekur por kur zbresim mbi të ujin tundet, shtohet dhe mbin në të prej çdo çifti bimësh.”[6]

Ose shtesa në shkëmbim si në shkëmbimin e një dirhemi me dy dirhem.

Gjykimi për kamatën:

Kamata është e ndaluar me Kur’an, Sunet dhe ixhma.

Allahu i Lartësuar thotë:

“O ju që keni besuar! Kini frikë Allahun dhe largojuni asaj që ka ngelur prej ribasë (kamatës) nëse jeni besimtarë! Nëse nuk e bëni këtë, atëherë pregatituni për luftë nga Allahu dhe i Dërguari i Tij, e nëse pendoheni, atëherë merrni vetëm origjinën e pareve tuaja! Kështu ju nuk i bëni padrejtësi kujt dhe nuk iu bëhet padrejtësi.”[7]

“Ata që hanë kamatën nuk ngrihën vetëm si ngrihet ai që e ka prekur djalli.”[8]

“Allahu e zhduk kamatën[9] dhe e shton lëmoshën (ia shton atij që jep lëmoshë).”[10]

Ebu Hurejra (radiallahu anhu) transmeton se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Largojuni shtatë shkatërruesëve!” Thanë: Kush janë ato o i Dërguari i Allahut? Tha:

“Vënia shok Allahut, magjia, vrasja e atij që ka ndaluar Allahu vetëm se me të drejtë, ngrënia e kamatës (fajdeve), ngrënia e pasurisë së jetimit, dezertimi kur je përballë armikut dhe shpifja ndaj besimtareve të pastërta e të pafajshme.”[11]

Xhabiri (radiallahu anhu) ka thënë:

“I Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) e ka mallkuar ngrënësin e kamatës, dhënësin e saj, atë që e shkruan (në akt) dhe atë që dëshmon, dhe tha: ata janë njësoj.”[12]

Ibën Mes’udi (radiallahu anhu) transmeton se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Kamata është shtatëdhjetë e tre llojesh dhe më e lehta e tyre është njësoj sikur të martohet dikush me nënën e tij.”[13]

Abdullah bin Handhale (radiallahu anhu) transmeton se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Një dirhem që ha dikush nga kamata është më e rëndë se tridhjetë e gjashtë herë zina (imoralitet).”[14]

Ibën Mes’udi (radiallahu anhu) transmeton se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“C’dokush që vazhdon ta hajë kamatën do të përfundojë në pakësim të pasurisë.”[15]

Llojet e kamatës:

Kamata është dy llojesh: Nesieh dhe fadl:

Kamata nesieh është shtesa e kushtëzuar të cilën e merr borxhdhënësi prej borxhmarrësit kundrejt kohës së borxhit. Kjo lloj kamate është haram me Kur’an, Sunet dhe ixhma.

Kamata e fadlit është shitja e të hollave me të holla, ose shitja e ushqimit me ushqim, duke shtuar në njërin krah (p.sh. të japësh 5 euro dhe të marrësh 6 euro, ose të japësh 1kg. oriz dhe të marrësh 2kg.) Kjo lloj kamate është haram me Sunet dhe ixhma sepse ajo të shpie drejt llojit të parë të kamatës.

Gjërat në të cilat ndalohet kamata:

Kamata ndalohet vetëm në gjashtë llojet të cilat i ka përmendur hadithi i mëposhtëm:

Ubadetu bin Samit (radiallahu anhu) transmeton se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Ari me ar, argjëndi me argjënd, gruri me grur, elbi me elb, temri me temër (hurma arabe) dhe kripa me kripë (shkëmbehen) në të njëjtën sasi, në të njëjtën peshë, dorë më dorë. Nëse ndryshojnë këto lloje, atëherë shisni si të doni me kusht që të jetë dorë më dorë.”[16]

Nëse shitet një nga këto lloje me të njëjtin lloj, si p.sh. ar me ar, apo temër me temër, atëherë është haram shtesa e njërës anë dhe gjithashtu është haram afati.

Duhet patjetër që të jenë të njëjtë në peshë e masë pa marrë parasysh cilësinë, si dhe duhet patjetër që të kryhet shkëmbimi i mallit dorë më dorë në vendin dhe çastin e aktit:

Ebu Seid El-Hudrij (radiallahu anhu) transmeton se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Mos e shisni arin me ar vetëm nëse janë të barabartë dhe mos shtoni në njërën anë! …dhe mos i shisni ato një në dorë e një në mungesë!”[17]

Umer bin Hatabi (radiallahu anhu) transmeton se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Ari me ar është kamatë, vetëm nëse shkëmbehet dorë më dorë, gruri me grur është kamatë, vetëm nëse shkëmbehet dorë më dorë, elbi me elb është kamatë, vetëm nëse shkëmbehet dorë më dorë, temri me temër është kamatë, vetëm nëse shkëmbehet dorë më dorë.”[18]

Ibën Seidi (radiallahu anhu) thotë: Na vinte temër i përzierë në kohën e të të Dërguarit të Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) dhe e shkëmbenim dy tasa me një. Kur e mori vesh i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) këtë gjë tha:

“Jo dy tasa hurma me një, as dy tasa grur me një dhe as një dirhem me dy dirhem!”[19]

Por nëse shitet një nga këto gjashtë lloje me lloj tjetër jo prej të njëjtit lloj si p.sh. të shkëmbesh ar me argjend, ose grur me elb, atëherë lejohet dallimi në peshë apo masë me kusht që të bëhet shkëmbimi i mallit në vend siç thuhet në hadithin e Ubades të lartëpërmendur:

Nëse ndryshojnë këto lloje, atëherë shisni si të doni me kusht që të jetë dorë më dorë.”[20]

Si dhe në hadithin e Ubades i cili ndodhet te Ebu Daudi e të tjerë ku i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) thotë:

“Nuk ka problem nëse shkëmbehet ari me argjënd duke qenë se argjend ka më shumë, por dorë më dorë dhe jo për në një kohë të caktuar. Nuk ka problem nëse shkëmbehet gruri me elb duke qenë se elb ka më shumë, por dorë më dorë dhe jo për në një kohë të caktuar.”[21]

E nëse shkëmbehet një prej këtyre gjashtë llojeve me një lloj tjetër të ndryshëm nga ai si p.sh. ar me grurë, ose argjend me kripë, atëherë lejohet dallimi në masë e peshë si dhe afati i dorëzimit.

Aisha (radiallahu anha) transmeton se: “I Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) bleu ushqim (grurë) prej një çifuti për t’ia paguar pas një afati të caktuar dhe i la peng mburojën e tij të luftës.”[22]

Emir San’ani thotë në librin “Subulus-selam”:

“Dije se dijetarët kanë rënë dakord në lejimin e shkëmbimit të një lloji në të cilin rrjedh kamata me një lloj tjetër në të cilin rrjedh kamata por të cilët nuk janë të të njëjtit lloj, ky shkëmbin lejohet me afatizim apo me dallim në masë e peshë, siç është shkëmbimi i arit me grurë, argjendit me elb, etj.”

Nuk u lejohet shkëmbimi i hurmave të njoma me të thata përveç se të varfërve që nuk zotërojnë pemë hurme. Atyre u lejohet që të blejnë hurma të njoma (rutab) të marra prej pemës, me hurma të thata.

Abdullah bin Umeri (radiallahu anhu) transmeton se:

“I Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka ndaluar nga shitja me kile e fryteve që janë në pemën e hurmës, me hurma të thata si dhe nga shitja me kile e rrushit të njomë, me rrush të thatë.”[23]

Zejd bin Thabit (radiallahu anhu) transmeton se:

“I Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka lehtësuar për të varfërit që kanë hurma të thata, t’i shkëmbejnë ato me hurma të njoma duke i përcaktuar me mendje ata që kanë përvojë.”[24]

Shkaku që i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka ndaluar nga shkëmbimi i hurmave të njoma me të thata është të njomat nëse thahen, atëherë pakësohen:

Seid bin ebi Uekkasi (radiallahu anhu) thotë: U pyet i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) për shkëmbimin e hurmave të njoma me të thata dhe ai tha: “A pakësohen të njomat nëse thahen?” Thanë: Po. “Atëherë ndaloi nga kjo gjë.”[25]

 

MARREVESHJA NE KULTIVIMIN E TOKES

 

Çështë marrëveshja në kultivim

Në kuptimin gjuhësor: kjo është të kultivosh tokën dhe të marrësh një pjesë të fitimit.

Eshtë për qëllim këtu me kultivimin, “El-Muzareah”: Ti japësh tokën dikujt që t’a punojë atë dhe t’a mbjellë me kusht që të ndahet fitimi për gjysëm ose afër saj.

Gjykimi për të

Transmeton Nafi’ se Abdullah bin Umer i ka thënë: “I Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) bëri marrëveshje me çifutët e Hajberit që t’i japin atij gjysmën e prodhimeve bujqësore dhe të pemëve.”[26]

Buhariu thotë: Kajs bin Muslim transmeton nga Ebi Xheafer se ka thënë: Të gjithë muhaxhirinët në Medine kultivonin tokën dhe merrnin gjysmën e fitimit apo një të tretën e tij. E ka bërë këtë Aliu, Sead bin Malik, Abdullah bin Mes’udi, Umer bin AbdulAziz, El-Kasim, Urveh dhe familja e Ebu Bekrit, Umerit dhe e Aliut.”

Kujt i takojnë shpenzimet

Nuk ka problem që shpenzimet e tokës t’i paguajë pronari i tokës ose punëtori, ose të dy së bashku.[27]

Buhariu thotë: “Umeri i merrte në punë njerëzit me kusht që nëse farën e sillte ai, atëherë do të marrë gjysmën e fitimit dhe nëse e sillnin ata, atëherë do të marrin kaq e kaq.” Thotë Buhariu: Ka thënë Haseni (radiallahu anhu): Nuk ka problem që toka të jetë e njërit prej atyre dyve dhe shpenzimet dhe atë që del t’i ndajnë të dy.

C’farë nuk lejohet në këtë lloj tregtie

Nuk lejohet kultivimi me kusht që një pjesë e tokës të jetë për pronarin dhe tjetra për punëtorin.

Gjithashtu nuk lejohet për pronarin e tokës të thotë se unë do të marr nga fitimi një numër të caktuar kujtalësh.

Transmeton Handhaletu bin Kajs nga Rafi’ bin Hadixh se ka thënë: Më kanë treguar dy xhajet e mi se ata punonin tokën në kohën e të Dërguarit (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) dhe merrnin prodhimin e anës së kanalit, apo një pjesë të cilën ua ndante pronari. Atëherë i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) i ndaloi nga kjo gjë. I thashë Rafiut: Po nëse kjo bëhet me dinar e dirhem, a lejohet? Tha: Nuk ka problem të paguhen me dinar e dirhem (të holla).

Lejthi ka thënë: “Ajo që ndalohej prej kësaj lloji tregtie ishte ajo në të cilën po të shihte ai që e kupton hallallin dhe haramin, nuk do t’a lejonte atë për shkak të rrezikshmërisë që ka në të (sepse nuk i dihet nëse do të ketë fitim apo jo, madje mund të ketë humbje nëse prodhimin e zë sëmundja apo ndonjë gjë tjetër).”[28]

Transmetohet gjithashtu nga Handhale se ka thënë: Pyeta Rafi’ bin Hadixh për të punuar në tokën e dikujt me të holla[29]? Ai tha: “Nuk ka problem për këtë, …nëse është diçka e ditur dhe e siguruar (për të cilën kanë rënë dakord) nuk ka problem në të.”[30]

 

MARREVESHJA NE PERKUJDESJEN PER PEMET

 

C’është marrëveshja në përkujdesjen për pemët

Ajo është të ngarkojë një pronar dikë që të kujdeset për një numër të caktuar të pemëve të tij me kusht që t’i japë atij gjysmën e frutave apo afër gjysmës.

Gjykimi për të

Ibën Umeri (radiallahu anhuma) transmeton se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) i vuri kusht çifutëve të Hajberit që t’i paguajnë muslimanëve gjysmën e të korrave dhe gjysmën e frutave të pemëve.”[31]

Ebu Hurejra (radiallahu anhu) transmeton se Ensarët i thanë të Dërguarit (sal-lallahu alejhi ue sel-lem): Ndaji pemët e hurmave mes nesh dhe mes muhaxhirinëve! Ai tha: Jo. Tha (sal-lallahu alejhi ue sel-lem): Atëherë hiqni ju shpenzimet e shërbimit dhe i ndajmë frutat e tyre. Thanë: Dëgjuam dhe u bindën.”[32]

 

NGJALLJA E TOKES SE VDEKUR

 

Ç’është toka e vdekur

Toka e vdekur është ajo tokë e pabanuar (djerrë) dhe është krahasuar banimi me jetën dhe djerra me vdekjen.

Ndërsa ngjallja e e tokës së vdekur është që të ngrihet dikush dhe të shkojë te një copë tokë të cilës nuk i njihet ndonjë pronar dhe t’a ngjallë atë me pastrim, mbjellje, vaditje apo ndërtim, duke u bërë kështu pronë e tij.

Nxitja e Islamit për te ajo

Aisha (radiallahu anha) transmeton se i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Kush ngjall një tokë e cila nuk i përket askujt, atëherë ajo bëhet pronë e tij.”[33]

Urvatu thotë: Kështu gjykoi Umeri në kohën e hilafetit të tij.

Xhabiri (radiallahu anhu) transmeton se i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Kush ngjall një tokë të vdekur, ajo është e tij.”[34]

Transmeton gjithashtu Xhabiri (radiallahu anhu) se i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Kush e rrethon një tokë (me gardh a diçka tjetër), ajo është e tij.”[35]

 

QIRAJA

Ç’është qiraja

Qiraja është sundimi i dobisë (p.sh. strehimi është dobia e banesës) së diçkaje kudrejt një pagese.

Gjykimi për qiranë:

Allahu i Lartësuar thotë:

(فإنْ أرْضَعْنَ لكُمْ فآتُوهُنَّ أجُورَهُنَّ)

“Nëse ato i japin qumësht fëmijëve tuaj, atëherë jepuni atyre shpërblimin (qiranë) e tyre.”[36]

(قالتْ إحْداهُما يا أبَتِ اسْتأجِرْهُ إنَّ خَيْرَ مَنِ استَأجَرْتَ القَوِيُّ الأمِيْنُ)

“Njëra prej atyre dyjave tha: O babai ynë! Punësoje atë me qira sepse ai është më i miri që ke punësuar, është i fortë dhe besnik.”[37]

(فَوَجَدا فيها جِداراً يُريدُ أنْ يَنْقَضَّ فأقامَهُ قال لَوْ شِئْتَ لاَتَّخَذْتَ عليهِ أجراً)

“Ata gjetën aty një mur që donte të rrëzohej dhe ai e ngriti atë. Shoku i tij i tha (Musa alejhi selam i tha Hidrit): Nëse do mund të merrjë shpërblim për të.”[38]

Aisha (radiallahu anha) transmeton se i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) dhe Ebu Bekri morrën me qira një burrë prej fisit Dejl pastaj një prej fisit Abd bin Udej, të cilët ishin udhëzues dhe njohës të mirë të shtegjeve (kjo ka qënë në hixhran e të Dërguarit (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) për në Medine).”[39]

Gjërat në të cilat lejohet qiraja

C’do gjë prej të cilës ka dobi dhe struktura e saj qëndron e pa prekur, lejohet qiraja në të nëse nuk ka ndonjë pengesë nga sheriati në lidhje me të.

Eshtë kusht që gjëja e marrë me qira të jetë e njohur, gjithashtu vlera e qirasë të jetë e njohur, koha e qirasë dhe lloji i punës.

Allahu i Lartësuar tregon për atë të moshuarin e Medjenit që i tha Musës alejhi selam:

(إنِّي أريدُ أنْ أُنْكِحَكَ إحدَى ابْنَتَيَّ هاتَينِ على أنْ تأجُرَني ثَمانِيَ حِجَجٍ فإنْ أتْمَمْتَ عَشْراً فَمِنْ عِندِكَ)

“Unë dëshiroj të të jap njërën nga këto dy bijat e mia (për martesë) dhe (mehri i tyre është) të më shërbesh tetë vjet e nëse i plotëson dhjetë, atëherë do të të isha mirënjohës.”[40]

Transmetohet nga Handhale bin Kajs se ka thënë: Pyeta Rafi’ bin Hadixh për të punuar në tokën e dikujt me të holla[41]? Ai tha: “Nuk ka problem për këtë, …nëse është diçka e ditur dhe e siguruar nuk ka problem në të.”[42]

Qiraja (paga) e punëtorit

Ibën Umeri (radiallahu anhuma) transmeton se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Jepjani hakun punëtorit para se t’i thahet djersa!”[43]

Gjynahi i atij që nuk ja jep hakun punëtorit

Ebu Hurejra (radiallahu anhu) transmeton se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Allahu i Lartësuar thotë: Unë jam armik i tre personave në Ditën e Kiametit: një personi që jep për Hirin Tim pastaj tradhton, një personi që shet një njeri të lirë dhe e ha çmimin e tij dhe një personi që merr në punë një punëtor dhe pasi ai ia kryen punën, ky nuk ia jep hakun e tij.”[44]

Gjërat në të cilat nuk lejohet qiraja

Allahu i Lartësuar thotë:

(وَ لا تُكْرِهُوا فَتَياتِكُمْ على البِغاءِ إنْ أرَدْنَ تَحَصُّناً لِتَبْتَغُوا عَرَضَ الحياةِ الدُّنيا وَ مَنْ يُكْرِههُّنَّ فإنَّ اللهَ مِنْ بَعْدِ إكْراهِهِنَّ غَفُورٌ رَحِيمٌ)

“Dhe mos i detyroni robëreshat për prostitucion nëse ato dëshirojnë dlirësinë, me qëllim që të përfitoni diçka nga pasuritë e kësaj bote. Por nëse ndonjë i detyron ato, atëherë Allahu pas një detyrimi të tillë është Falës i Madh, Mëshirëplotë.”[45]

Xhabiri (radiallahu anhu) transmeton se një robëreshë e Abdullah bin Ubej bin Selul (koka e munafikëve) që quhej Mesikeh dhe një tjetër që quhej Emimeh, ai i detyronte ato për prostitucion dhe ato u ankuan tek i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem). Atëherë Allahu zbriti Fjalën e Tij: Mos i detyroni robëreshat për prostitucion…deri në Fjalën e Tij: Allahu është Falës i Madh, Mëshirëplotë.”[46]

Ebu Mes’ud El-Ensari (radiallahu anhu) transmeton se i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) e ka bërë haram çmimin e qenit, paratë e prostitucionit dhe qiranë e fallxhorit.”[47]

Qiraja në leximin e Kur’anit

Abdurrahman bin Shibël el-ensari thotë: Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) të thotë:

“Lexoni Kur’an dhe mos u ushqeni me të! Mos shtoni pasurinë me të! Mos e harroni atë (duke ndenjur gjatë pa lexuar) dhe mos e teproni në të (duke zbukuruar zërin së tepërmi)!”[48]

Xhabir bin Abdullah thotë: I Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) doli tek ne dhe ne ishim duke lexuar Kur’an e në mesin tonë ndodheshin beduinë dhe joarabë. Ai tha:

“Lexoni se leximi juaj është i saktë! Do të vijnë pas jush njerëz që do t’a teprojnë në leximin e tij (duke zbukuruar zërin dhe duke u përpjekur që të nxjerrin shkronjat në një mënyrë të tepruar ashtu që të mburren e të bëhen të njohur), do të kërkojnë shpërblimin e tij shpejt dhe nuk do t’a vonojnë atë (do të kërkojnë shpërblimin (qiranë) e leximit në këtë botë dhe do i japin përparësi mbi shpërblimin e botës tjetër).”[49]

Ebu Seid El-Hudri (radiallahu anhu) transmeton se ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) të thotë:

“Mësojeni Kur’anin dhe kërkojini Allahut me të xhenetin para se t’a mësojnë atë njerëz që kërkojnë me të (mësimin e tij) dunjanë! Kur’anin e mësojnë tre persona: një person që mburret me të (për të fituar emër), një që ushqehet me të dhe një që e lexon atë për Hir të Allahut.”[50]

 

SHOQERITE TREGTARE

Vijon

« Faqja e Mëparshme  Faqja Tjetër »

_________________________________

[1] Muttefekun alejhi.

[2] Ebu Daud, Tirmidhi, Nesai (Sahih).

[3] Muttefekun alejhi.

[4] Muttefekun alejhi.

[5] Buhariu, Ebu Daudi, Nesai.

[6] Suretu Haxh:5.

[7] Bekare:278-279.

[8] Bekare:275.

[9] E zhduk kamatën duke e hequr plotësisht nga dora e marrësit të saj ose ia bën haram bereqetin e pasurisë së tij, madje ia heq atë në këtë botë dhe e dënon në botën tjetër.

[10]Bekare:276.

[11] Muttefekun alejhi.

[12] Muslim.

[13] El-Hakim (Sahih).

[14] Ahmedi (Sahih).

[15] Ibnu Maxheh (Sahih).

[16] Muslimi.

[17] Muttefekun alejhi.

[18] Muttefekun alejhi.

[19] Muttefekun alejhi.

[20] Muslimi.

[21] Ebu Daud (Sahih).

[22] Buhariu.

[23] Muttefekun alejhi.

[24] Muttefekun alejhi.

[25] Ebu Daud, Ibën Maxheh, Tirmidhi, Nesai (Sahih).

[26] Muttefekun alejhi.

[27] Dhe sigurisht që fitimi do të ndahet pasi të jenë ndarë shpenzimet e tokës dhe t’i jenë dhënë atij që i ka shpenzuar.

[28] Buhariu, Nesai.

[29] Siç ndodh përgjithësisht sot nëpër firmat të cilat kanë blerë toka dhe punësojnë punëtorë me pagesë për mbjelljen dhe kultivimin e tyre

[30] Muslim, Ebu Daud, Nesai (Sahih).

[31] Muttefekun alejhi.

[32] Muttefekun alejhi.

[33] Buhariu.

[34] Tirmidhiu (Sahih).

[35] Ebu Daud (Sahih).

[36] Talak:6.

[37] Kasas:26.

[38] Kehf:77.

[39] Buhariu.

[40] Kasas:27.

[41] Siç ndodh përgjithësisht sot nëpër firmat të cilat kanë blerë toka dhe punësojnë punëtorë me pagesë për mbjelljen dhe kultivimin e tyre

[42] Muslim, Ebu Daud, Nesai.

[43] Ibën Maxhe (Sahih).

[44] Buhariu (Hasen).

[45] Nur:33.

[46] Muslim (Sahih).

[47] Muttefekun alejhi.

[48] Ahmed (Sahih).

[49] Ebu Daud (Sahih).

[50] Ibën Nasër (Sahih).