RREGULLAT E SHITBLERJES (3)

 

Shkëputur nga libri “El Vexhiz fi fikhis sunneh uel kitabil aziz”

Autor: Abduladhim ibën Bedevi el Halefi 


SHOQERITE  TREGTARE

C’është shoqëria tregtare:

Shoqëria tregtare është një marrëveshje që bëhet ndërmjet dy personave apo më shumë që të bashkohen me qëllim që të arrijnë të fitojnë në tregti. Kjo shoqëri mund të ndodh edhe pa ndonjë marrëveshje siç është rasti me trashëgiminë.

Gjykimi për shoqërinë tregtare:

Allahu i Lartësuar thotë:

(و إنَّ كَثيراً مِنَ الخُلطاءِ لَيَبْغي بَعْضُهُمْ على بَعْضٍ إلاَّ الذينَ آمَنُوا و عَمِلُوا الصالِحاتِ و قَليلٌ ما هُمْ)

“Dhe me të vërtetë, shumë bashkëpjesëtarë i bëjnë padrejtësi njëri-tjetrit përveç atyre të cilët besojnë dhe punojnë mirësi e drejtësi. E sa pak janë këta!”[1]

(وَ إنْ كانَ رَجُلٌ يُورَثُ كَلالَةً أوِ مْرَأةٌ و لَهُ أخٌ أوْ أُخْتٌ فَلِكُلِّ واحدٍ منهُما السُّدُسُ فإنْ كانوا أكْثَرَ مِنْ ذلِكَ فَهُمْ شُرَكاءُ في الثُّلُثِ)

“Nëse ndonjë burrë apo grua nuk lë pas as paraardhës dhe as pasardhës, por ka vëlla ose motër, secili prej tyre merr një të gjashtën (e trashëgimisë), por nëse lë më shumë se dy, atëherë ata janë pjesëmarrës (ortakë) në një të tretën e trashëgimisë.”[2]

Es-Saib (radiallahu anhu) transmeton se i ka thënë të Dërguarit (sal-lallahu alejhi ue sel-lem): “Ke pas qënë ortaku im në kohën e injorancës dhe ishe ortaku më i mirë (që gjendej)…”[3]

Shoqëria tregtare sipas sheriatit:

Thotë imam Sheukani në “Sejli el-xhirar”, 3/246,248:

“Shoqëria e rregullt në sheriat është ajo shoqëri që gjendet si rrjedhojë e pëlqimit të dy palëve apo më shumë në mënyrë që ç’donjëri prej tyre të fusë një sasi të caktuar parashë dhe pastaj t’i fusin ato në tregti me qëllim që të arrijnë të fitojnë dhe në fund t’a ndajnë fitimin në atë mënyrë që secili të marrë në raport me të hollat që futi në atë aktivitet biznesi.

Nëse ata bienë dakord që t’a ndajnë fitimin në mënyrë të barabartë pa marrë parasysh se nga sa lekë kanë futur, atëherë kjo është e lejuar meqë ata e kanë pëlqyer një gjë të tillë qoftë edhe sikur të jetë pasuria që ka futur ndonjëri prej tyre shumë e vogël dhe pasuria e tjetrit e madhe. Nuk ka problem në sheriat për një gjë të tillë përderisa ajo tregti të jetë me pëlqimin e të gjithë ortakëve dhe me dëshirën e tyre.

AZHIOTAZHI  (EL-MUDARABE)

C’është azhiotazhi:

Azhiotazhi (el-mudarabe) është marrë prej bredhjes nëpër tokë që do të thotë udhëtimi me qëllim tregtie.

Allahu i Lartësuar thotë:

(و آخَرُونَ يَضْرِبُونَ في الأرْضِ يَبْتَغُونَ مِنْ فَضْلِِ اللهِ)

“…Dhe të tjerë udhëtojnë nëpër tokë duke kërkuar Begatitë e Allahut…”[4]

Quhet gjithashtu në arabisht Kirad-ndarje, shkëputje, sepse i zoti i pasurisë ndan një pjesë të pasurisë së tij për t’a futur në tregti si dhe ndan gjithashtu një pjesë të fitimit me ortakun që bëri tregti me pasurinë e tij.

Eshtë për qëllim me azhiotazhin këtu: “Marrëveshja ndërmjet dy palëve për të paguar njëra palë shumën që duhet për aktivitetin e caktuar palës tjetër e cila do t’i punojë ato në atë aktivitet dhe fitimin do t’a ndajnë sipas asaj që bienë dakord që në fillim (njëra palë ka të hollat kurse tjetra përvojën dhe lodhjen)”

Gjykimi për azhiotazhin:

Ibën Mundhir thotë në librin (radiallahu anhu) tij “El-Mexhmu'”, f.124:

“Dijetarët janë bashkuar në mendimin se azhiotazhi me ar e argjend (të holla, para) është i lejuar, si dhe janë bashkuar gjithashtu në fjalën se punëtori ka të drejtë t’i vërë kusht financuesit për të marrë një të tretën e fitimit, gjysmën e tij, ose aq sa bienë dakord që në fillim të marrëveshjes dhe me kusht që të jetë e ditur nga të dyja palët që në fillim.”

Edhe shokët e të të Dërguarit (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) kanë punuar me azhiotazh:

Zejd ibën Eslem transmeton nga babai i tij se ka thënë: Doli Abdullahi dhe Ubejdilahi, dy bijtë e Umer bin Hatabit (radiallahu anhum) me një ushtri për në Irak. Kur mbërritën kaluan nga Ebu Musa El-Esh’ari që ishte kryetar i Basras. Ai u uroi mirëseardhjen dhe pastaj tha: Nëse do të mund të bëja diçka për ju, do ta bëja. Pastaj tha: Ah! Po, këtu kam prej pasurisë së Allahut (lekët e zekatit të banorëve të Basras) të cilën desha t’ia dërgoj prijësit të besimtarëve. Unë po ua jap juve që të bleni prej mallit të Irakut dhe pastaj t’a shisni në Medine. Pasi t’a shisni mallin, jepini origjinën e të hollave prijësit të besimtarëve, ndërsa fitimin e keni ju të dy. Ata thanë: Do t’a donim një gjë të tillë.

Ashtu bëri dhe i shkruajti Umer bin Hatabit (radiallahu anhu) që të marrë të hollat (e zekatit) prej tyre.

Pasi që erdhën në Medine dhe fituan prej tregtisë, shkuan te Umeri (radiallahu anhu) për të paguar lekët e zekatit që u dha Ebu Musa.

Ai (Umeri) tha: A i dha të gjithë ushtrisë kështu si juve? Thanë: Jo. Atëherë Umeri (radiallahu anhu) tha: Domethënë ju dha meqë jeni bijtë e prijësit të besimtarëve! Dorëzojeni pasurinë e zekatit bashkë me fitimin!

Abdullahi nuk foli, kurse Ubejdilahi tha: Nuk duhet t’a bësh këtë o prijësi i besimtarëve, sepse nëse kjo pasuri do të ishte pakësuar në tregti apo do të kishte humbur e gjitha, atëherë ne do t’a kompensonim atë!

Umeri tha: Dorëzojeni!

Abdullahi përsëri heshti, kurse Ubejdilahi tha të njëjtën gjë.

Atëherë dikush prej të pranishmëve tek Umeri (radiallahu anhu) tha: O prijësi i besimtarëve! Përse nuk e llogarit si azhiotazh? Tha: Po e llogaris si të tillë. Atëherë Umeri (radiallahu anhu) mori origjinën e pasurisë (lekët e zekatit) dhe gjysmën e të gjithë fitimit (për t’i vënë në arkën e pasurisë së muslimanëve) dhe mori Abdullahi me Ubejdilahin, dy bijtë e Umer bin Hatabit, gjysmën tjetër të fitimit.”[5]

Besnikëria e punëtorit:

Azhiotazhi është i lejuar në ç’do formë qoftë; i kufizuar (nga i pasuri, si p.sh. të thotë që bëj këtë lloj tregtie, apo mos e ngarko mallin në anije etj.) apo i pakufizuar (si p.sh. të thotë që bëj ç’do lloj tregtie që do) dhe punëtori nuk kompenson asgjë vetëm në rast se e prish diçka me dashje apo duke bërë diçka që ia ka ndaluar i zoti i pasurisë.

Ibën Mundhiri thotë: Dijetarët janë bashkuar në mendimin se nëse i zoti i pasurisë e ndalon punëtorin të shesë mall pa lekë në dorë dhe ai shet, atëherë punëtori duhet t’a kompesojë atë (nëse nuk ia kthejnë borxhin).

Hakim ibën Hizami (radiallahu anhu), shok i të Dërguarit të Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) kur i jepte dikujt pasuri me qëllim azhiotazhi, i vinte kusht që mos t’a fuste atë para në mëlçi të njoma (ushqime që prishen), mos t’ë kalonte me të detin dhe mos të kalonte nëpër barqet e luginave. Nëse bën ndonjë prej këtyre, atëherë do të kompesosh mallin tim.”[6]

PARAPAGIMI

 

C’është parapagimi (es-selem):

Es-Selem është shitja e diçkaje të përshkruar e të përcaktuar e cila nuk është prezent por që pritet të vijë duke paguar çmimin para dorëzimit të mallit.

Gjykimi për të:

Allahu i Lartësuar thotë:

(يا أيُّها الذينَ آمَنُوا إذا تَدايَنْتُمْ بِدَيْنٍ إلى أجَلٍ مُسَمًّى فاكْتُبُوهُ)

“O ju që keni besuar! Kur të lidheni për një borxh për një kohë të caktuar, shkruajeni atë!”[7]

Thotë Inën Abasi (radiallahu anhu): “Betohem se parapagimin e siguruar për në një kohë të caktuar, Allahu e ka bërë hallall në Librin e Tij dhe e ka lejuar atë. Pastaj lexoi Ajetin e mësipërm.”[8]

Gjithashtu, ibën Abasi (radiallahu anhu) thotë:

“Kur i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) erdhi në Medine, ata shisnin hurmat me paradhënie dy apo tre vjet para. Ai (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) tha:

“Kush parapaguan për diçka, atëherë të jetë pesha e caktuar, masa e caktuar dhe koha e caktuar!”[9]

Parapagimi atij që nuk e posedon bazën e mallit (farën):

Nuk është kusht në es-selem që i parapaguari për një mall të caktuar t’a posedojë atë në çast:

Muhamed iben ebi Muxhalid thotë: Më dërgoi Abdullah ibën Shidad dhe Ebu Burde tek Abdullah ibën ebi Auf (radiallahu anhuma) dhe më thanë: Pyete atë nëse parapaguanin shokët e të Dërguarit (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) në kohën e tij (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) për grurin? Abdullahi tha:

“Parapaguanim fise të Shamit për grur, elb dhe vaj, për sasi të caktuar dhe kohë të caktuar.” I thashë: A i paguanit vetëm atij që e kishte farën? Tha: Nuk pyesnim fare për këtë gjë.

Pastaj më dërguan te Abdurrahman ibën Ebza dhe pasi e pyeta më tha: “Shokët e të të Dërguarit (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) parapaguanin në kohën e tij (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) dhe nuk i pyesnim nëse kishin farë apo jo.”[10]

BORXHI

Dobia e borxhit:

Ebu Hurejra (radiallahu anhu) transmeton se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Kush i heq muslimanit një ankth e brengë në këtë botë, atij Allahu do t’i heqi një nga ankthet e Ditës së Gjykimit dhe kush ia lehtëson atij që është ngushtë (duke ia falur borxhin ose duke ia larë atë, apo duke ia shtyrë afatin), Allahu do t’ia lehtësojë atij në dunja dhe ahiret. Allahu është në ndihmën e robit të Tij derisa ai të jetë në ndihmën e vëllait të tij.”[11]

Ibën Mes’udi (radiallahu anhu) transmeton se i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“C’do musliman që i jep borxh vëllait të tij dy herë, i shkruhet sikur ka dhënë sadaka sa vlera e njërës herë.”[12]

Shtrëngimi në të:

Theubani, shërbëtori i të Dërguarit të Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) transmeton se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Atij që i ndahet shpirti nga trupi dhe është i pastër nga tre gjëra, do të hyjë në Xhenet: nga mendjemadhësia, fshehja e plaçkës së luftës dhe borxhi.”[13]

Ebu Hurejra (radiallahu anhu) transmeton se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Shpirti i besimtarit qëndron i lidhur me borxhin e tij deri sa t’i shlyhet.”[14]

Ibën Umeri (radiallahu anhuma) transmeton se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Kush vdes duke pasur borxh një dinar apo një dirhem, do t’i shlyhet nga punët e tij të mira. Nuk do të ketë atje as dinar e as dirhem.”[15]

Transmeton Ebu Katade (radiallahu anhu) se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) u ngrit dhe foli. U përmendi atyre se xhihadi në Rrugën e Allahut dhe besimi në Allahun, janë punët më të mira. Një burrë u ngrit dhe tha: O i Dërguari i Allahut! Nëse unë vritem në Rrugën e Allahut, a më fshihen gjynahet? I Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) i tha atij:

“Po, nëse ti vritesh në Rrugën e Allahut duke qënë se ke duruar dhe ke kërkuar shpërblimin e Allahut, në ball dhe jo në shpinë (nuk ke qenë duke dezertuar dhe kthyer shpinën armikut).” Pastaj tha i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem): Si the? Tha: Thashë se nëse vritem në Rrugën e Allahut, a më fshihen gjynahet? I Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) tha:

“Po, nëse vritesh në Rrugë të Allahut duke qenë se ke duruar dhe ke kërkuar shpërblimin nga Allahu, në ball dhe jo në shpinë, përveç borxhit (d.m.th. borxhi nuk të falet). Xhibrili ma tha këtë gjë (tani).”[16]

 

Ai që merr paret e njerëzve dhe ka për qëllim t’i kthejë ato, apo t’i prishë:

Ebu Hurejra (radiallahu anhu) transmeton se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Ai që merr paret e njerëzve dhe ka për qëllim që t’i kthejë ato, Allahu ia shleftë ato (e ndihmoftë në kthimin e borxhit) dhe ai që i merr duke pasur për qëllim shpërdorimin e tyre, Allahu e shpërdëroftë atë!”[17]

Shuajb ibën Amër thotë: Na ka treguar Suhejb el-Hajër se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Ai burrë që merr një borxh dhe ka për qëllim që mos t’a kthejë atë, do t’a takojë Allahun duke qënë hajdut.”[18]

Urdhëri për shlyerjen e borxhit:

Allahu i Lartësuar thotë:

(إنَّ اللهَ يَأمُرُكُمْ أنْ تُؤدُوا الأماناتِ إلى أهْلِها و إذا حَكَمْتُمْ بينَ الناسِ أنْ تَحْكُمُوا بالعَدْلِ إنًَّ اللهَ نِعِماً يَعِظُكُمْ بِهِ إنَّ اللهَ كانَ سَمِيْعاً بَصِيراً)

“Sigurisht që Allahu iu urdhëron t’ua ktheni prapë atyre që u takojnë gjërat e dhëna juve amanet për ruajtje në besim dhe që kur të gjykoni mes njerëzve, të gjykoni me drejtësi. Vërtet sa i shkëlqyer është mësimi që Allahu jua jep juve! Vërtet Allahu është gjithnjë Gjithëdëgjues, Gjithëshikues.”[19]

 

Mirësjellja në kërkimin e kthimit të borxhit:

Ibën Umeri dhe Aisha (radiallahu anhuma) transmetojnë se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Kush kërkon një të drejtë të tij (borxhin) t’a kërkojë atë me butësi…”[20]

 

Shtyrja e afatit të atij që është ngushtë:

Allahu i Lartësuar thotë:

(وَ إنْ كانَ ذُو عُسْرَةٍ فَنَظِرَةٌ إلى مَيْسَرَةٍ وَ أنْ تَصَدَّقُوا خَيرٌ لَكُمْ إنْ كُنْتُمْ تَعْلَمُونَ)

“Dhe në qoftë se borxhliu është në vështirësi, atëherë i lini kohë atij derisa t’i lehtësohet mundësia për t’i kthyer detyrimet, por nëse ju ia falni në shenjë mirësie, kjo është shumë më mirë për ju, vetëm sikur t’a dinit.”[21]

Ebu Hurejra (radiallahu anhu) tregon se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Një njeri gjithmonë u jepte borxh njerëzve dhe i thoshte shërbyesit të tij sa herë që e çonte për këtë punë te njerëzit: “Nëse borxhliu është i varfër, falja atij, që kështu të mund të na falë Allahu neve.” Kështu që kur ai shkoi te Allahu (ndërroi jetë), Allahu e fali atë.”[22]

Ebu El-Jusr (radiallahu anhu) transmeton se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Kush dëshiron që Allahu t’a fusë në Hijen e Tij (në Ditën e Kijametit), atëherë le t’ia shtyjë afatin borxhliut që është ngushtë ose t’ia falë borxhin atij!”[23]

Mosshlyrja e borxhit prej atij që ka mundësi është padrejtësi:

Ebu Hurejra (radiallahu anhu) transmeton se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Shtyrja e shlyerjes së borxhit prej atij që ka mundësi është padrejtësi.”[24]

 

Izolimi i atij që ka mundësi të shlyejë borxhin dhe nuk e bën:

Transmeton Amër bin Sherijd nga babai i tij se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Shtyrja e shlyerjes së borxhit prej atij që ka mundësi e bën të lejuar hapjen e fjalës se ai ka bërë padrejtësi dhe dënimin e tij me izolim e kërcënim.”[25]

C’do borxh që sjell fitim është kamatë:

Ebu Burdeh thotë: Shkova në Medine dhe takova Abdullah bin Selam. Ai më tha: Eja me mua në shtëpinë time që të të jap të pish me kupën në të cilën ka pirë i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) dhe të falesh në një xhami në të cilën ai është falur. Shkova me të dhe më dha të pija dhe hurma për të ngrënë pastaj u fala në xhaminë e tij. Më tha: Ti je në një tokë në të cilën është shfaqur kamata. Prej llojeve të kamatës është që  njëri prej jush të marrë borxh për një afat të caktuar dhe kur të vijë afati, të shlyejë borxhin dhe të sjellë bashkë me të një torbe në të cilën ka një dhuratë. Ruaju asaj torbeje dhe asaj që ka në të!”[26]

PENGU

C’është pengu:

Pengu në kuptimin gjuhësor është izolimi. Prej kësaj është edhe Fjala e Allahut:

(كُلُّ نَفْسٍ بِما كَسَبَتْ رَهينَةٌ)

“Secili është peng për atë që ai ka fituar.”[27]

Ndërsa në koptimin legjislativ, pengu është të lësh një plaçkë (peng) të lidhur me borxhin, në mënyrë që borxhdhënësi të marrë prej asaj plaçkeje hakun e tij nëse borxhliu nuk e shlyen dot borxhin.

Gjykimi për pengun:

 

Allahu i Lartësuar thotë:

(وَ إنْ كُنْتُمْ على سَفَرٍ وَ لَمْ تَجِدُوا كاتِباً فَرِهانٌ مَّقْبُوضَةٌ)

“Dhe nëse jeni në udhëtim dhe nuk mundeni të gjeni dot shkrues (të borxhit), atëherë merrni ose lini peng diçka!”[28]

Përkufizimi i lënies së pengut me udhëtimin në këtë ajet është përmendur se në udhëtim ndodh më shpesh kjo gjë, por kjo nuk do të thotë që në raste normale dhe joudhëtimi, kjo gjë (pengu) të jetë i ndaluar, sepse hadithet e të Dërguarit (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) tregojnë lejueshmërinë e kësaj.

Tregon Aisha (radiallahu anha) se:

“I Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) bleu ca drith te një çifut me qëllim që t’ia paguajë në një afat të caktuar dhe i la atij peng mburojën e tij të luftës.”[29]

A lejohet përdorimi i pengut?

 

Nuk i lejohet atij që e merr pengun t’a përdorë dhe të përfitojë prej tij, për arsyen që thamë tek borxhi: çdo borxh që sjell fitim është kamatë.

Por në rast se pengu është kafshë ngarkese apo kafshë që i merret qumështi, atëherë i lejohet pengëmbajtësit që t’i hipë asaj apo t’a mjelë atë tjetrën nëse ai i ushqen ato.

Ebu Hurejra (radiallahu anhu) tregon se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Kafsha e ngarkesës mund të përdoret për t’i hipur nëse është lënë peng dhe nëse shpenzohet për të. Qumështi i kafshës mund të pihet nëse është lënë peng dhe nëse shpenzohet për të. Dhe ai që i hipën asaj apo i merr qumështin ka për detyrë t’a ushqejë atë.”[30]

 

TRANSFERIMI I PARAVE

 

C’është transferimi i parave:

Transferimi i parave është kalimi i borxhit prej dikujt tek dikush tjetër.

Nëse dikush i ka marrë dikujt para borxh dhe atij i ka marrë borxh një i tretë, dhe ky e transferon borxhin që i ka dhënë të tretit tek i pari (d.m.th. që borxhin që i ka marrë këtij ai i treti mos t’ia kthejë këtij, por atij të parit të që ky i ka marrë borxh), atëherë borxhdhënësi i parë ka për detyrë që t’i drejtohet borxhliut të tretë nëse ai ka mundësi t’a shlyejë borxhin.

I Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) thotë:

“Shtyrja e kthimit të borxhit nga ai që ka mundësi është padrejtësi dhe nëse ndokush nga ju transferohet tek ndonjë që ka mundësi financiare, atëherë le të transferohet!”[31]

DEPOZITIMI (AMANETI)

 

C’është depozitimi:

Depozitimi apo amaneti është lënia e diçkaje për t’a ruajtur tek dikush tjetër.

Gjykimi për të:

Nëse dikush i lë vëllait të tij për të ruajtur një plaçkë (amanet), atëherë është e pëlqyeshme që ai t’a pranojë atë nëse është i sigurtë te vetja se mund t’a ruajë atë amanet. Shkaku i të qënurit e pëlqyeshme pranimi i amanetit është duke u nisur nga rregulli i të ndihmuarit njëri-tjetrin në punë të mira e të devotshme.

Pastaj është detyrë për mbajtësin e amanetit që t’ia kthejë atë të zotit të tij kur ai t’a kërkojë atë.

Allahu i Lartësuar thotë:

(إنَّ اللهَ يأمُرُكُمْ أنْ تُؤدُّوا الأماناتِ إلى أهلِها)

“Sigurisht që Allahu ju urdhëron që t’ua ktheni prapë atyre që u takojnë gjërat e dhëna juve amanet për ruajtje në besim.”[32]

I Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) thotë:

“Ktheja amanetin atij që t’a ka lënë atë në besim!”[33]

Kompensimi i amanetit nëse prishet në dorën e mbajtësit:

Nuk kompenson gjë mbajtësi i amanetit vetëm në rast se nuk kujdeset ashtu si duhet për të.

Tregon Amër bin Shuajb nga babai i tij, nga gjyshi i tij se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Atij që i lihet një amanet, nuk kompeson gjë nëse ai prishet tek ai.”[34]

Tregon gjithashtu (Amri) se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Nuk ka kompesim mbi atë që i është besuar diçka.”[35]

Enes bin Malik (radiallahu anhu) tregon se Umer bin Hatabi (radiallahu anhu) i ngarkoi atij që të kompensonte një plaçkë që i ishtë lënë amanet dhe u vodh.”

Thotë Bejhakiu: Kjo ka ndodhur se ai nu është kujdesur për të ashtu si duhet, kështu që e kompensoi atë për shkak të moskujdesit.[36]

 

HUADHENIA

C’është huadhënia:

 

Dijetarët e fikhut thonë: Huadhënia është lejimi që bën i zoti i një plaçke një tjetri për të përdorur plaçkën e tij pa paguar gjë kudrejt atij përdorimi.

Gjykimi për të:

Të japësh hua është diç;a e pëlqyer duke u nisur nga Fjala e Allahut të Lartësuar që thotë:

(و تَعاوَنوا على البِرِّ و التَّقْوى)

“Ndihmojeni njëri-tjetrin në punë të mira e të devotshme!”[37]

 

I Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) thotë:

“Allahu është në ndihmë të robit deri sa të jetë ai në ndihmë të vëllait të tij.”[38]

Allahu i Lartësuar ka folur rëndë për ata që nuk japin hua:

(فَوَيلٌ لِّلْمُصَلِّينَ الذين هُمْ عَنْ صَلاتِهِمْ ساهُون, الذين هُمْ يُراءُونَ وَ يَمْنَعُونَ الماعُونَ)

“Mjerë për ata që falen (për sy e faqe) të cilët janë të pakujdesshëm për namazin e tyre. Ata të cilët bëjnë vepra të mira vetëm për t’u dukur në sy të njerëzve dhe ata të cilët nuk japin as hua (fqinjit).”[39]

Urdhëri për kthimin e huasë:

Allahu i Lartësuar thotë:

(إنَّ اللهَ يأمُرُكُمْ أنْ تُؤَ دُّوا الأماناتِ إلى أهلِها)

“Sigurisht që Allahu ju urdhëron që t’ua ktheni prapë atyre që u takojnë gjërat e dhëna juve amanet për ruajtje në besim.”[40]

 

Kompensimi i saj nëse prishet:

Huamarrësi është i besueshëm dhe nuk e kompenson huanë e prishur vetëm nëse nuk kujdeset për të ose i vë kusht huadhënësi që nëse e prish plaçkën, atëherë do t’a kompensojë.

Tregon Saf’uan bin Ja’la se babai i tij ka thënë: Më ka thënë i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem):

“Kur të të vijnë të dërguarit e mi, jepu atyre tridhjetë mburoja (lufte) dhe tridhjetë deve.”

Thashë: O i Dërguari i Allahut! A t’ua jap si hua të garantuar apo për të më kthyer të njëjtën plaçkë? Tha: “Për të të kthyer të njëjtën plaçkë.”[41]

Thotë Emir Es-Saneani në librin “Subulus-Selam”:3/69:

“Huaja e garantuar është ajo e cila kompensohet me vlerën e saj nëse prishet, ndërsa huaja që duhet kthyer po e njëjta është ajo që nuk konpensohet me vlerë. Thotë: Dhe hadithi është argument për moskompensimin e huasë vetëm në rast kushtëzimi.”

GJEJA E GJETUR

C’është gjëja e gjetur:

E gjetura është çdo lloj pasurie që respektohet nga sheriati (që është e lejuar) e cila gjendet e humbur dhe nuk i dihet pronari.

Detyra e atij që gjen diçka të humbur:

Kush gjen të holla që i kanë humbur dikujt, ka për detyrë të mësojë llojin dhe sasinë e tyre, pastaj t’ë marrë një besimtar të drejtë për të dëshmuar dhe ti ruajë ato dhe të pyesë se kujt i kanë humbur për një vit rresht. Nëse dikush vjen dhe pasi e provon për shenjat del se janë të atij, atëherë ia dorëzon ato të zotit qoftë edhe pas një viti. Në të kundërt, nëse nuk i del i zoti, atëherë i lejohet t’i përdorë ato për vete.

Suejd bin Gafle thotë: Takova Ubej bin Keab dhe më tha: Gjeta një qese me njëqind dinarë në të dhe shkova të pyesja të Dërguarin (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) se ç’të bëja me to? Ai tha: “Pyet për të një vit rresht!”

Pyeta një vit dhe nuk e gjeta të zotin e saj, pastaj shkova te i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) dhe ai më tha: “Pyet për të edhe një vit tjetër!”

Pyeta edhe një vit tjetër por përsëri nuk e gjeta pronarin e saj, kështu që shkova te i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) për të tretën herë dhe ai më tha: “Ruaje qesen e tyre (copën ku ishin futur), numëroji të hollat dhe përdori ato për vete. Nëse vjen i zoti i tyre ktheja ato e në të kundërt shpenzoi për vete!”

Thotë Ubej: Atëherë i shpenzova ato për vete.

Thotë Suejdi: Më pas e takova Ubejin në Meke dhe më tha: Nuk e di nëse duhet pyetur tre vjet rresht apo vetëm një vit!”[42]

Ijad bin Himari transmeton se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Kush gjen diçka të humbur, le të marrë të dëshmojë një apo dy dëshmitarë dhe mos të ndërrojë as mos të fshehë diçka prej saj. Nëse vjen i zoti i saj, atëherë ka të drejtë ta marrë atë e nëse jo, atëherë ajo është pasuria e Allahut të cilën ia jep kujt të dojë (d.m.th. t’a shfrytëzojë ai që e gjen).[43]

Delet dhe devetë e humbura:

Kush gjen një dele të humbur, duhet t’a marrë atë dhe të pyesë për të zotin e saj. Nëse e gjen ia kthen atij e nëse nuk e gjen, bëhet pronë e tij.

Ndërsa ai që gjen një deve të humbur, nuk lejohet që t’a marrë atë sepse nuk është frikë se atë mund t’a hajë ndonjë kafshë.

Zejd bin Halid El-Xhuheni (radiallahu anhu) thotë: Erdhi një beduin te i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) dhe e pyeti për gjënë e gjetur. Ai (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) tha:

“Pyet për të zotin e saj një vit rresht dhe pyet nëse ndokush e njeh qesen dhe rripin e tyre. Nëse vjen i zoti i tyre, ia kthen ato atij dhe në të kundërt i përdor për vete.”

Tha (beduini): O i Dërguari i Allahut! Po me delen e gjetur ç’të bëj?

Tha (sal-lallahu alejhi ue sel-lem): “Ajo është e jotja, ose e vëllait tënd, ose e ujkut.” Tha (beduini): Po me devenë e humbur?

Atëherë ndryshoi fytyra e të Dërguarit (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) dhe tha:

“C’të duhet ty me të! Ajo e ka me vete ushqimin dhe ujin e saj, pastaj mund të shkojë te uji dhe mund të hajë prej pemëve (pa pasur frikë se mund t’a hajë ujku apo ndonjë kafshë tjetër).”[44]

Gjetja e gjërave që hahen dhe atyre pa vlerë të konsiderueshme:

 

Kush gjen në rrugë diçka që hahet, i lejohet atij që t’a hajë atë dhe kush gjen diçka pa vlerë të konsiderueshme, i lejohet t’a përvetësojë atë.

Tregon Enesi (radiallahu anhu) se i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) kaloi pranë një kokrre hurme të rënë në tokë dhe tha:

“Nëse nuk do të kisha frikë se mund të jetë prej sadakasë, do t’a haja atë.”[45]

Gjëja e gjetur në Harem (në territorin e Kabes):

Nuk lejohet marrja e gjësë së humbur në Harem, vetëm në rast se pyet për të zotin e saj përgjithmonë dhe nuk lejohet shpenzimi i saj pas një viti siç është për të gjeturat në vend tjetër.

Ibën Abasi (radiallahu anhuma) transmeton se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Allahu i Lartësuar e ka bërë të ndaluar (të shenjtë) Mekën dhe ajo nuk është lejuar për ndokënd para meje dhe nuk do të bëhet e lejuar për ndokënd pas meje, ndërsa mua më është lejuar vetëm në një orë të një dite. Nuk lejohet në të prerja (lufta), thyerja e pemëve, trembja e gjahut (kafshëve) dhe nuk merret gjëja e humbur në të vetëm për atë që pyet për të zotin e saj.”[46]

 

FEMIJA  I  GJETUR

Vijon …

 


[1] Suretu Sad:24.

[2] Suretu Nisa’:12. Ajeti është argument për pohimin e ortakësisë dhe shoqërive të ndryshme përgjithësisht.

[3] Ibën Maxheh (Sahih).

[4] Muzzemil:2

[5] Malik, Bejhaki (Sahih).

[6] Darakutni, Bejhaki (Sahih).

[7] El-Bekare:282.

[8] El-Hakim, Bejhaki (Sahih).

[9] Muttefekun alejhi.

[10] Buhariu, Ebu Daudi, Nesai, ibën Maxheh.

[11] Muslim, Tirmidhi, Ebu Daud (Sahih).

[12] Ibën Maxheh (Hasen).

[13] Ibën Maxheh, Tirmidhi (Sahih).

[14] Turmidhi (Sahih).

[15] Ibën Maxheh (Sahih).

[16] Muslim, Tirmidhi, Nesai (Sahih).

[17] Buhariu.

[18] Ibën Maxheh (Hasen Sahih).

[19] En-Nisa’:58.

[20] Ibën Maxheh (Sahih).

[21] El-Bekare:280.

[22] Buhariu.

[23] Ibën Maxheh (Sahih).

[24] Muttefekun alejhi.

[25] Nesai, Ibën Maxheh, Ebu Daud (Hasen).

[26] Buhariu, Bejhakiu (Sahih).

[27] Muddethir:38.

[28] El-Bekare:283.

[29] Muttefekun alejhi.

[30] Buhariu, Ebu Daudi, Tirmidhiu, ibën Maxheh.

[31] Ibën Maxheh, Ahmed (Sahih).

[32] Nisa’:58.

[33] Tirmidhiu, Ebu Daudi (Sahih).

[34] Ibën Maxheh (Hasen).

[35] Darakutni, Bejhakiu (Hasen).

[36] Bejhakiu:6/289.

[37] El-Maide:2.

[38] Tirmidhiu, Ibën Maxheh (Sahih).

[39] El-Maun:4-7.

[40] Nisa’:58.

[41] Ebu Daud (Sahih).

[42] Muttefekun alejhi.

[43] Ibën Maxheh, Ebu Daud (Sahih).

[44] Muttefekun alejhi.

[45] Muttefekun alejhi.

[46] Buhariu.