Falënderuar qoftë Allahu, Zoti i botëve, Krijuesi i gjithckaje, Absoluti në të gjitha atributet e Tij, i Përjetshmi, Mbajtësi dhe Mbrojtësi i gjithçkaje që ekziston, Udhëzuesi në Rrugën e Drejtë dhe të paqes së përhershme!
Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi pejgamberin tonë, të dërguarin mëshirë për të gjitha botët, Muhamedin të birin e Abdullahit, vulën e pejgamberëve, ndërmjetësuesit në ditën e gjykimit!
Vetëm Allahut i takon i gjithë falënderimi për të gjitha mirësitë dhe Atë falënderojmë për mundësimin e aktivizimit të kesaj faqeje elektronike, duke shpresuar që kjo punë të jetë vetëm për Hir të Allahut dhe që Allahu të na japë sukses në të, Ai është i Vetmi që e mundëson suksesin!

Që një vepër të jetë e pranuar nga Allahu, ajo duhet t’i përmbushë dy kushtet e saj: qëllimin e pastër për Allahun dhe kryerjen autentike të saj konform tradites profetike te Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi te!).

Kështu, për arritjen e qëllimit final i cili është fitimi i kënaqësisë së Allahut të Madhëruar dhe shpërblimi vetëm nga Ai dhe tek Ai, ndërmorëm këtë inisiativë për thirrjen e njerëzve në Fenë e Allahut dhe për përhapjen e dijes së saktë autentike Islame, te paktën tek ata të cilët flasin gjuhën shqipe…

Metoda e ndjekur në këtë faqe është ajo akademiko-shkencore, tërheqëse dhe nxitëse, graduale dhe e larmishme, saqë thuajse nuk ka fushë prej fushave të dijes fetare veçse do të shqyrtohet hollësisht nga të gjitha pikëpamjet e saj -me ndihmën dhe lejen e Allahut të Madhëruar.

Dija para veprës, e shoqëruar me moralin dhe virtytet e larta, kjo është motoja e muslimanit dhe këtë skalit kjo faqe e begatë -inshaAllahu!

Le të notojmë së bashku në detin e pafund të dijes dhe të marrim prej saj sa të na mundësojë Allahu.
Ne do të përpiqemi t’u ofrojme gjithcka mundemi, me ndihmën e Allahut, ndërsa ju perpiquni të na ndiqni dhe të qendroni me ne hap pas hapi, deri sa ta ketë caktuar Allahu, se ndoshta arrijmë kënaqësinë e Tij me kerkimin e dijes në Rrugën e Tij.

Sigurisht që gjoksi ynë është i hapur dhe pranon çdo lloj sugjerimi apo vërejtje të qëlluar, ndaj mos nguroni të lidheni me ne.

Lusim Allahun të na japë sukses në fjalë e në vepër dhe të na udhëzojë drejt “Rrugëve të Paqes”, me Mëshirën dhe Bujarinë e Tij, Ai është Zot i kësaj dhe i Gjithëmundshëm për çdo gjë!