Pjesët e Teuhidit

 

Autor: Abdurrazak el Bedër

Përktheu: Edmond Ajdini

 

 

Parathënie

Falënderimi i takon vetëm Allahut. Atë falënderojmë, Atij i kërkojmë ndihmë dhe falje! I kërkojmë mbrojtje Allahut nga e keqja e veteve tona dhe nga punët tona të këqia! Atë të cilin e udhëzon Allahu, nuk ka kush e humb dhe atë të cilin e humb, nuk ka kush e udhëzon. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër (me të drejtë) përveç Allahut, Një e të Pashoq, dhe dëshmoj se Muhamedi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) është rob i Allahut dhe i Dërguari i Tij.

Vëllezër të nderuar!

Tema e këtij mësimi është: “Pjesët e Teuhidit”. Ky mësim vjen si nëntitull i një vargu mësimesh të dobishme në lidhje me Teuhidin – Njësimin, tema e përgjithshme e të cilave është: “Siguria e Umetit”.

Nuk ka dyshim që themeli i sigurisë së këtij umeti është Teuhidi. Allahu i Madhëruar thotë:

“Ata që besuan dhe besimin e tyre nuk e përzien me besim të kotë…” – Pra, nuk e përzien atë me shirk.

“… atyre u takon të jenë të sigurt dhe ata janë të udhëzuar (në rrugë të drejtë).” {6, 82}.

Kjo ligjeratë e cila si temë kryesore ka “Pjesët e Teuhidit – Njësimit të Allahut” përfshin në vetvete një sërë pikash. Lus Allahun e Madhëruar të na e bëjë të lehtë në këtë takim sqarimin e tyre në formën më të mirë, duke i prekur të gjitha anët e rëndësishme të tyre dhe e lus Atë që ta bëjë atë çka mësojmë në këtë leksion, dije të dobishme e cila na afron për tek Allahu i Madhëruar! Ta bëjë argument për ne dhe jo kundra nesh!

 

Rëndësia e teuhidit

Vëllezër të nderuar!

Gjëja e parë me të cilën po e nisim këtë leksion, është një parathënie e shkurtër rreth rëndësisë së Teuhidit, për pjesët e të cilit edhe do të flasim më gjerësisht në vazhdim.

Teuhidi është detyra më e rëndësishme, qëllimi më madhor dhe nevoja më e domosdoshme në mënyrë absolute. Ai është qëllimi i vetëm për të cilin Allahu i Madhëruar i krijoi krijesat. Pra, i krijoi ata për vënien në jetë të Teuhidit (njësimit të Allahut).

Allahu nuk i krijoi krijesat për t’u shumuar me ta prej pakicës, apo që të krenohej me ta prej përuljes dhe as për t’u pasuruar me ta prej varfërisë.

I Lartësuar, i Pastër dhe i Panevojshëm për të gjitha këto është Allahu i Madhëruar.

“Dhe thuaj: “Falënderuar qoftë Allahu, i Cili nuk ka fëmijë dhe nuk ka për Të shok në sundim, dhe sa i përket aftësisë, nuk ka nevojë për ndihmëtar, dhe madhëroje Atë me madhërinë që i takon”. {17, 111}.

Po ashtu, Allahu i Madhëruar thotë:

“Unë nuk i krijova xhindët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë. Unë nuk kërkoj prej tyre ndonjë furnizim e as dëshiroj të më ushqejnë ata. Vërtet që Allahu, Ai është Gjithëfurnizuesi, Zotëruesi i Fuqisë, më i Forti.” {51, 56 – 58}.

Allahu i Madhëruar është i panevojshëm për krijesat e Tij. Ai është i panevojshëm për bindjen dhe adhurimin e tyre. Me të vërtetë i Lartmadhëruari i krijoi ata që ta njësojnë Atë, të jenë të dëgjueshëm ndaj Tij, ta adhurojnë dhe t’ia përkushtojnë fenë vetëm Atij, të Lartmadhëruarit.

E që të gjitha këto nuk i bëjnë dobi Allahut të Madhëruar, pasi Ai është i Begatshëm, i Falënderuar (nga vetvetiu). Atij nuk i bën dobi dëgjueshmëria e atij që i bindet dhe as nuk e dëmton Atë mosbindja e keqbërësit.

Të Lartmadhëruarit nuk i bën dobi njësimi (Teuhidi) i atij i cili e njëson Atë, ashtu siç edhe nuk i bën dëm mosbesimi i jobesimtarit dhe shokvënia e politeistit. Eshtë i Lartmadhëruari i Cili thotë: “Kush e udhëzon veten në rrugën e drejtë, ai e ka udhëzuar vetëm vetveten e vet, e kush e humb (rrugën), ai e ka bërë humbjen kundër vetvetes së vet…” {17, 15}.

Po ashtu thotë: “… e kush nuk besoi, të keqen e mosbesimit e ka kundër vetes”. {35,39}.

Pra, mosbesimi i jobesimtarit është në dëm të vetë atij, ashtu sikurse besimi i besimtarit, njësimi që ai i bën Allahut dhe bindja që tregon ndaj Tij, është në dobi të vetë atij. Ndërsa për sa i përket Allahut të Madhëruar, Ai është i panevojshëm për robërit e Tij. Eshtë i panevojshëm për bindjen e tyre, për adhurimin e tyre dhe për të gjitha ato vepra të cilat ata i bëjnë për t’u afruar tek Ai.

Teuhidi është qëllimi parësor, pasi që të gjithë profetët u dërguan që të ftonin për tek ai. Allahu i Madhëruar, për ata të cilët e zbatojnë Teuhidin dhe përpiqen për vënien në jetë të tij, përcaktoi për ta lumturi në këtë botë dhe në botën tjetër.

Pra, lumturia në këtë botë dhe në botën tjetër arrihet në varësi të zbatimit dhe vënies në jetë të Teuhidit. Pak më parë përmendëm Fjalën e Allahut të Madhëruar:

“Ata që besuan dhe besimin e tyre nuk e përzien me besim të kotë…” – Pra, nuk e përzien njësimin e tyre me shirk. Ky është kuptimi i këtij ajeti.

“… atyre u takon të jenë të sigurt dhe ata janë të udhëzuar.” {6, 82}.

Atyre u takon siguria dhe udhëzimi i plotë, në dynja dhe ahiret, si shpërblim për njësimin dhe besimin e tyre ndaj Zotit të Lartmadhëruar.

Teuhidi bëhet shkak për shumë sjellje të lavdërueshme, rezultate të kënaqshme dhe dobi frytdhënëse në dynja dhe ahiret, të cilat nuk mund të përmblidhen dhe as të numërohen. Për këtë shkak, Teuhidi është mirësia më madhore dhe supreme në mënyrë absolute.

Nuk ekziston ndonjë mirësi e cila gëzon pozitë më të lartë, më madhore dhe më fisnike se Teuhidi. Për këtë arsye, suren En Nahl (Bleta), të cilën disa prej dijetarëve e emërtojnë “Surja e Mirësive” për shkak të përmendjes që Allahu i Madhëruar i bën shumë prej mirësive të Tij ndaj krijesave; i Lartmadhëruari e ka nisur këtë sure me përmendjen e mirësisë së Teuhidit.

“Erdhi (është afruar) caktimi i Allahut (Kiameti), pra mos kërkoni ngutjen e tij! I Lavdishëm dhe i Madhëruar është Ai mbi gjithçka që ata i shoqëronë (si ortakë). Me urdhërin e Tij ia zbret engjëjt me shpirt (shpallje) atij që Ai dëshiron nga robërit e Vet (duke thënë) “T’ua tërhiqni vërejtjen se nuk ka të adhuruar tjetër të merituar veç Meje. Pra, të më keni frikën.” {16, 1-2}.

Pas kësaj, në këtë sure vazhdohet me përmendjen e shumë prej mirësive dhe begative, madje në të i Lartmadhëruari thotë:

“Po edhe nëse përpiqeni t’i numëroni mirësitë e Allahut, nuk do të mund të arrini t’i përcaktoni ato.” {16, 18}.

Vetëm se mirësia më e madhe është padyshim ajo e cila përmendet në krye të kësaj sureje.

Teuhidi është kreu dhe hapësi i Kuranit, ashtu siç është edhe mbyllësi i tij. Pra, Kurani me Teuhid fillon dhe po me Teuhid mbaron, madje, i gjithë Kurani është ngulitës dhe rrënjosës i Teuhidit, ashtu siç ka thënë edhe dijetari i madh Ibnul Kajim (Allahu e mëshiroftë!) në librin e tij me titull “Mederixh es selikin”, thotë:

“Kurani fund e krye është ngulitës dhe rrënjosës i Teuhidit, pasi ai ose është kallëzim i cili të njeh me Allahun dhe Qënien e Tij i vetmi Zotërues, të njeh me veprat e Tij, me emrat dhe cilësitë e Tij, e ky pra është teuhidi teorik. Apo është urdhër për t’ia përkushtuar fenë vetëm Atij, për të qenë i zellshëm dhe zbatues i urdhëresave të Tij, e ky është teuhidi praktik. Apo është sqarues për atë çka Allahu i Madhëruar ka përgatitur si shpërblim për ata të cilët ia përkushtuan fenë Atij dhe ishin të zellshëm në bindje ndaj Tij, i tillë pra është shpërblimi dhe nderimi i atyre të cilët e posedojnë Teuhidin. Apo është kallëzues për ndëshkimin, qoftë ai herët a vonë, të cilin Allahu i Madhëruar e ka përgatitur për ata të cilët nuk ishin të bindur ndaj Tij, i shoqëronin shok dhe e mohonin Atë. E s’ka dyshim se i tillë është ndëshkimi i atyre të cilët nuk e zbatojnë Teuhidin. Apo në të (Kuran) ka përmendje të xhenetit dhe zjarrit, ku vihen në dukje mrekullitë e xhenetit të cilat janë shpërblimi i atyre të cilët e zbatuan Teuhidin dhe agonitë e zjarrit të cilat i përjetojnë ata të cilët e kundërshtuan atë…”

Kurani fund e krye bën thirrje për njësimin e Allahut dhe vënien në jetë të këtij Njësimi, dhe tërheq vërejtje prej të kundërtës se tij (shokvënies) e cila është në kontrast me të. Prandaj themi se është detyrë për të gjithë ne muslimanët që Teuhidit t’i kushtojmë rëndësi më tepër se çdo gjëje tjetër. Ai për ne duhet të jetë më primari i të gjitha çështjeve, dhe më kryesori ndër të gjitha preokupimet tona të rëndësishme. Për këtë arsye, thirrja e parë me të cilën profetët u drejtoheshin popujve të tyre ishte thirrja e tyre për tek njësimi i Allahut të Madhëruar…

“Adhuroni Allahun, ju nuk keni zot tjetër përveç Tij” {23, 32}.

Të gjithë profetët të cilët Allahu i dërgoi tek popujt e tyre, thirrjen e tyre e nisnin duke ftuar për në njësimin e Allahut të Madhëruar. Veç kësaj, kur i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e nisi Muadhin për në Jemen, atij i tha:

“Le të jetë e para gjë për tek e cila do t’i ftosh ata, dëshmia se “S’ka zot tjetër të vërtetë veç Allahut.”

Ndërsa në një transmetim tjetër thuhet:

“Le të jetë e para gjë për tek e cila do t’i ftosh ata; njësimi i Allahut (me adhurim).”

Teuhidi duhet të jetë pikënisja e të gjitha çështjeve dhe përfundimi i tyre, të dukshme apo të padukshme qofshin ato. Madje ai përbën themelin e lumturisë dhe sekretin e shpëtimit, si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër.

Pjesët e Teuhidit

Pas asaj që përmendëm, kalojmë në një tjetër çështje të temës sonë. Bëhet fjalë për “Pjesët e Teuhidit”, apo “Shtyllat e Teuhidit”, apo “Llojet e Teuhidit”.

Me të vërtetë Njësimi (i Allahut), për zbatimin dhe vënien në jetë të të cilit jemi krijuar ndahet në tre pjesë, sqarimi i të cilave ka ardhur në Librin e Allahut dhe Sunetin e Profetit të Tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Këto tri shtylla, pjesë, apo lloje të Njësimit; në të vërtetë janë shtylla të besimit në Allahun e Madhëruar, besim ky i cili përbën themelin e bazave të besimit.

Ashtu siç e dini vëllezër, besimi ka gjashtë shtylla. Më madhështorja dhe e rëndësishmja prej tyre është të besuarit në Allahun. Ndërsa shtyllat e tjera të besimit janë ndjekëse të këtij themeli.

Ashtu siç i Lartmadhëruari thotë:

“I Dërguari i besoi asaj që iu shpall prej Zotit të tij, e ashtu edhe besimtarët. Gjithësecili prej tyre i besoi Allahut…” – Kjo përbën themelin e bazave të besimit.

“Gjithësecili prej tyre i besoi Allahut, engjëjve të Tij, shpalljeve të Tij, të dërguarve të Tij…”

Që të gjitha këto janë pasuese të këtij themeli.

“Ne nuk bëjmë dallim në asnjërin nga të dërguarit e Tij, dhe thanë: “Iu përgjigjëm thirrjes dhe respektuam urdhërin. Kërkojmë faljen tënde o Zoti ynë! Dhe tek Ti është kthimi i fundit.” {2, 285}.

Pra, besimi në Allahun, i cili përbën edhe themelin e bazave të besimit ngrihet mbi tre parime, e nuk është besimtar ai i cili nuk i beson ato. Ato janë:

Besimi në njësimin e Allahut si i vetmi Zot (Krijues, Sundues), besimi në njësimin e Allahut duke e veçuar atë me emrat dhe cilësitë e Tij dhe besimi në njësimin e Allahut si i vetmi i Adhuruar (i Cili e meriton të adhurohet).

Këto të treja mund t’i quajmë: “Shtyllat e besimit në Allahun e Madhëruar”.

Po ashtu quhen edhe: “Pjesët e Teuhidit”, apo “Llojet e Teuhidit”.

Pra, Teuhidi ndahet në tre lloje, apo tre pjesë: Njësimi i Allahut të Madhëruar në Zotërimin e Tij, njësimi i të Lartmadhëruarit duke e veçuar atë me emrat dhe cilësitë e Tij dhe njësimi i Allahut si i vetmi i Adhuruar i vërtetë. Ai i cili nuk beson në këto tre lloje të Teuhidit, nuk është njësues, madje ai nuk është as besimtar që beson në Allahun e Lartmadhëruar, pasi besimi në Allahun nuk themelohet dhe nuk ngrihet ndryshe, por veçse mbi këto tre shtylla, të cilat ishin:

Besimi në njësimin e Allahut si i vetmi Zot (Krijues, Sundues), në njësimin e emrave dhe cilësive të Tij, si dhe njësimin e Tij si i vetmi i Adhuruar. Madje, arsyeja për të cilën feja islame është quajtur ndryshe “Teuhid – Njësim”, qëndron në faktin se ajo ngrihet mbi të besuarit në njësimin e Allahut si i vetmi Zotërues i vetmi i Adhuruar dhe i vetmi i Cili posedon emrat më të bukur dhe cilësitë më të larta.

 

Teuhidi rububije

(njësimi i Allahut në Zotërim)

Pjesa e parë prej këtyre tre pjesëve është Teuhidi Rububije – Njësimi i Allahut në zotërim. Me të është për qëllim të pohosh me bindje të thellë dhe besim të plotë se vetëm Allahu i Madhëruar është Krijuesi, Furnizuesi, Mirëbërësi, Drejtuesi, Sistemuesi i të gjitha çështjeve të cilat kanë të bëjnë me krijesat e Tij. S’ka krijues tjetër përveç Tij. S’ka zot tjetër përveç Tij. S’ka kush që jep jetë dhe përcakton vdekje përveç Tij dhe askush përveç Allahut nuk komandon në gjithësi.

“Thuaj: “Kush është Zoti i qiejve e i tokës!” Thuaj: “Allahu!” {13, 16}.

I Lartmadhëruari thotë:

“Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve!” {1, 2}.

Po ashtu thotë:

“Ky është Allahu, Zoti juaj…” {35, 13}.

Ajetet që përmbajnë këtë kuptim dhe që sqarojnë këtë lloj të Njësimit janë të shumta. Po ashtu, të gjitha ajetet në Kuran në të cilat përmendet krijimi, dhënia e jetës, përcaktimi i vdekjes, kontrolli mbi gjithësinë, bujaria, sistemimi (i çështjeve), gjykimi dhe përcaktimi etj; që të gjitha këto janë prej besimit në Teuhidin e zotërimit (rububije). Allahu i Madhëruar thotë:

“O njerëz, adhurojeni Zotin tuaj, i Cili ju krijoi juve si dhe ata që ishin para jush ashtu që të jeni të devotshëm (të shpëtuar). Ai, i Cili për ju bëri tokën shtrat (vendbanim) e qiellin kulm, e prej qiellit ju lëshoi shi me të cilin ju siguroi lloje të frutave si ushqim për ju, pra mos i përshkruani Allahut shok, duke qenë se ju e dini (që Ai nuk ka shok). {2, 21 – 22}.

Krijoi, bëri, dhuroi, dha jetë, kontrolloi; që të gjitha këto janë shprehëse të njësimit në zotërim (rububije), si dhe të besuarit në to është prej besimit në Zotërimin e Allahut. Këtë lloj të Njësimit, politeistët (idhujtarët) e pranonin dhe nuk e refuzonin. Në lidhje me këtë, Allahu i Madhëruar thotë:

“Thuaj: “E kujt është toka dhe çdo gjë që ka në të, nëse jeni që e dini?” Ata do të thonë: “E Allahut”. Atëherë thuaju: “Përse pra nuk mendoni?” Thuaj: “Kush është Zoti i shtatë qiejve dhe Zot i Arshit të madh?” Ata do të thonë: “Allahu!”. Thuaju: “E pse nuk frikësoheni pra?” Thuaj: “Në dorën e kujt është i tërë pushteti i çdo sendi, dhe Ai është që mbron (atë që do), e që prej Atij nuk mund të ketë të mbrojtur; nëse jeni që e dini?” Ata do të thonë: “Në Dorë të Allahut!” Thuaj: “E si mashtroheni pra?!” {23, 84 – 89}.

Pra, ata e pohonin Zotërimin e Allahut. E pohonin që Allahu është Zoti i qiejve, Zoti i tokës, Zoti i Arshit, Zoti i gjithçkaje dhe Zotëruesi i saj. Ata e pohonin dhe e aprovonin një gjë të tillë. Madje, aprovimi i këtij Njësimi është i brumosur në zemrën e njeriut dhe Allahu i Madhëruar e ka bërë atë prej natyrshmërisë së krijesave të Tij. Në shumicën e rasteve, këtë Njësim nuk e mohon kush përveç ndonjë mllefqari (inatçiu) dhe kryeneçi. Madje, edhe faraoni i cili tha:

“E cili është ai zot i botëve (që ju dërgoi)?” {26, 23}.

Po ashtu tha: “… unë nuk njoh ndonjë zot tjetër për ju përveç meje” {28, 38}.

Ai në vetveten dhe brendësinë e tij e pohonte se Zoti i botëve është Allahu. Po ashtu e pohonte se ai ishte i nënshtruar dhe krijesë e Allahut të Madhëruar. E pohonte këtë në vetveten dhe brendësinë e tij, ashtu siç edhe përmendet në Fjalën e Allahut:

“Ai (Musai) tha: “Po ti e di se ato (mrekullitë) nuk i zbriti kush tjetër përveç Zotit të qiejve e të tokës, që të shërbenin si argument, e unë besoj se ti o faraon je i shkatërruar”. {17, 102}.

Musai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) faraonit i tha: “Po ti e di …” – Pra, në vetveten dhe thellësinë e zemrës tënde. E ke të qartë se Ai i Cili i zbriti këto mrekulli është Zoti i qiejve e i tokës. I zbriti ato që të shërbenin si argument për njerëzit, e ti e di shumë mirë këtë. Atëherë, çfarë lloj mohimi dhe refuzimi ishte ai i faraonit? Allahu i Madhëruar thotë:

“Dhe, edhe pse ishin të bindur në to (se ishin nga Zoti), i mohuan në mënyrë të padrejtë e me mendjemadhësi” {27, 14}.

Ajo që duhet të kemi parasysh këtu, është fakti se pohimi i këtij Njësimi, i Teuhidit Rububije, pra të pranuarit se vetëm Allahu është Krijuesi, Furnizuesi, Mirëbërësi, Drejtuesi…, kjo nuk mjafton për arritjen e shpëtimit dhe për përmbushjen e Njësimit. Pasi ashtu siç e kemi përmendur edhe pak më parë; personi nuk mund të jetë njësues i Allahut veçse nëse ai…, çfarë?

Veçse nëse ai e veçon Allahun e Madhëruar me të trija llojet e Njësimit. Ndërsa ai i cili e njëson Allahun në Zotërim, mirëpo nuk e veçon Atë me adhurim, ky person (me këtë njësim të mangët) nuk është besimtar dhe as njësues i Allahut. Në lidhje me këtë, Allahu i Madhëruar duke treguar për idhujtarët thotë:

“Dhe shumica e tyre nuk e beson ndryshe Allahun, vetëm se duke i shoqëruar (dikë tjetër).”{12, 106}.

Eshtë e domosdoshme që ta kuptojmë këtë ajet, duke parë se çfarë kanë thënë dijetarët, prej të parëve tanë të mirë (selefëve) në lidhje me shpjegimin dhe qartësimin e kuptimit të tij. Siç është Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur

prej tij!), Muxhahidi, Mukatili, si dhe të tjerë prej dijetarëve të hershëm.

“Dhe shumica e tyre nuk e beson ndryshe Allahun, vetëm se duke i shoqëruar (dikë tjetër).” Si ta kuptojmë këtë ajet?

Të parët tanë të mirë, në komentim të këtij ajeti kanë thënë:

“Dhe shumica e tyre nuk e beson ndryshe Allahun …” – Pra, si Zot, Krijues, Furnizues, Mirëbërës, Drejtues i kësaj gjithësie…, “vetëm se duke i shoqëruar (dikë tjetër).” – D.m.th. i shoqërojnë Atij dikë tjetër në adhurim. Ky pra, është kuptimi i drejtë i këtij ajeti.

E tillë ishte gjendja e idhujtarëve dhe jobesimtarëve kurejshitë në atë kohë. Ata e besonin se Ai i Cili i krijoi ata është Allahu, Ai i Cili i furnizon është Allahu, dhe e aprovonin faktin se idhujt të cilave ata i luteshin dhe statujat të cilat i adhuronin, nuk ishin në gjendje të bënin dobi, apo të sillnin dëm, apo të jepnin, apo të pengonin, apo të jepnin jetë, apo të sillnin vdekje… Për të gjitha këto ata ishin të vetëdijshëm.

Ata po ashtu e pranonin se të gjitha këto janë çështje të cilat i përkasin Allahut të Madhëruar. Mirëpo, në të njëjtën kohë, ata gjatë adhurimit i shoqëronin Atij shok. Dhe nëse atyre u thuhet: “Përse adhuroni çka nuk sjell dobi e as nuk bën dëm, as nuk jep e as nuk pengon, as nuk ngre e as nuk lëshon dhe fuqi aspak nuk posedon, dhe e lini adhurimin e Allahut, të Vetmit, Ngadhënjimtarit?

Si do të ishte përgjigja e tyre? Ata do të thonë: “Ne e dimë që e tillë është gjendja e idhujve, nuk sjellin dobi, nuk japin e as nuk pengojnë, të gjitha këto ne i dimë” – Atëherë përse?! Thonë: “Ne nuk i adhurojmë ata për tjetër, por vetëm që të na afrojnë sa më afër Allahut.”

Këta idhuj, ata i morën për ndërmejtës mes tyre dhe Allahut, pasi sipas pretendimit të tyre, gjoja ata po i afronin më afër Allahut të Lartmadhëruar. Kështu që, ata zgjodhën si mënyrë për t’iu afruar Allahut të Madhëruar, atë vepër e cila më së shumti do t’i largonte prej Tij, pra të shoqëruarit shok Allahut.

Pra, zgjodhën si rrugë për t’iu afruar Allahut të Madhëruar, duke i shoqëruar Atij shok, duke e konsideruar dikë tjetër të barabartë me Të, dhe duke marrë ndërmjetësa dhe ortakë.

Pra, lloji i parë i Teuhidit është Teuhidi i Zotërimit (rububije). Të pohuarit me bindje të thellë se vetëm Allahu është Krijuesi, Furnizuesi, Mirëbërësi, Drejtuesi, Sistemuesi i të gjitha çështjeve të cilat kanë të bëjnë me krijesat e Tij.

 

Teuhidi El Esmau ue sifat

(Njësimi i emrave dhe cilësive)

Lloji i dytë është Teuhidi i Emrave dhe Cilësive (el esmau ue sifat). Me të është për qëllim që të besojmë me besim të paluhatshëm dhe të pohojmë me vendosmëri të plotë emrat dhe cilësitë. Emrat e bukur të Allahut të Madhëruar dhe cilësitë e madhërishme të Tij të cilat përmenden në Librin e Tij dhe në Sunetin e të Dërguarit të Tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

Ne të gjithë e kemi të qartë numrin e madh të emrave dhe cilësive të përmendura në Kuran dhe Sunet. Madje, thuajse nuk gjen ajet në Kuran i cili të mos përfundoj me ndonjë emër apo cilësi prej emrave dhe cilësive të Allahut të Lartmadhëruar.

Allahu i Lartmadhëruar thotë:

“Allahu ka emrat më të mirë, andaj Atë thirreni me ata, e largohuni nga ata që bëjnë shtrembërime me emrat e Tij. Ata kanë për t’u shpërblyer (me dënim) për veprimet e tyre.” {7, 180}.

Po ashtu, i Lartmadhëruari thotë:

“Ai është Allahu, nuk ka zot përveç Tij, Atij i takojnë emrat më të bukur.” {20, 8}.

Po ashtu thotë:

“Thuaj: “Thërrisni: Allah ose thërrisni Er Rrahman. Me cilindo që ta thërrisni (me këta dy emra), emrat e Tij janë më të bukurit.” {17, 110}.

Allahu thotë:

“Allahu është Ai, veç të Cilit s’ka të adhuruar tjetër të merituar, por vetëm Ai, i Gjithëdituri i të fshehtës dhe të dukshmes, Ai është Mëshiruesi, Mëshirëbërësi! Allahu është Ai, veç të Cilit s’ka të adhuruar tjetër të merituar, por vetëm Ai, Sunduesi, i Shenjti, Shpëtimtari, Siguruesi, Mbikëqyrësi, i Plotfuqishmi, Mbizotëruesi, i Madhërishmi. I Lartësuar është Allahu nga çka i shoqërojnë! Ai është Allahu, Krijuesi, Shpikësi, Formësuesi. Të tij janë emrat më të bukur. Atë (Allahun) e madhëron çka ka në qiej e në tokë dhe Ai është Ngadhënjyesi, i Urti! {59, 22-24}.

Në këtë kontekst të begatë, i cili përbën edhe fundin e sures El Hashër janë përmendur një pas një plotë shtatëmbëdhjetë emra prej emrave të Allahut të Lartmadhëruar.

Po ashtu edhe ajeti Kursij, i cili është ajeti më madhështor në Kuran, përmban pesë nga emrat e Allahut të Madhëruar dhe më tepër se njëzetë cilësi prej cilësive të Tij. Për këtë arsye ky ajet është ajeti më madhështor në Kuran. Surja El Ihlas, vlera e së cilës është e barabartë me një të tretën e Kuranit, është quajtur surja El Ihlas (Sinqeriteti) pasi ajo i përkushtohet tërësisht cilësive të Mëshiruesit.

Juve mbase e keni dëgjuar ndodhinë e atij sahabiut të nderuar të cilin Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e dërgoi në një ekspeditë. Ai i printe shokët e tij në namaz dhe në çdo rekat të namazit, pasi që lexonte suren Fatiha e pasonte atë me “Kul huvall llahu Ehad…” – Ky veprim i tij iu duk i pa pranueshëm shokëve të tij dhe për këtë shkuan te Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe i treguan se ç’kishte ngjarë. Profeti (Paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të) tha:

“Pyeteni atë se përse vepron ashtu?”

Sahabët shkuan tek ai dhe e pyetën. Ai u përgjigj: “Pasi në të ka cilësi të Mëshiruesit dhe unë e dua Mëshiruesin” – Ky pra ishte shkaku. “Pasi në të ka cilësi të Mëshiruesit dhe unë e dua Mëshiruesin.”

Sahabët shkuan te Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe ia përmendën përgjigjen e shokut të tyre. Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha:

“Lajmërojeni atë se dashuria që ai ka për Të e futi në xhenet.”

Këtu përftohet një dobi madhështore, pasi kuptojmë se dashuria karshi emrave dhe cilësive, përkujdesi që t’i tregon për to, si dhe përpjekja jote për mësimin dhe kuptimin e tyre, është një mundësi e përsosur për të hyrë në xhenet.

Transmetohet në dy “Sahihat” si dhe në libra të tjerë, prej hadithit të Ebu Hurejras, se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:

“Vërtet, Allahu ka nëntëdhjetë e nëntë emra, njëqindë pa një. Kush i përmbledh ata, ka hyrë në xhenet.”

Përqëndroje vëmendjen në fjalën e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) “Kush i përmbledh ata”. Kjo shprehje “Kush i përmbledh ata” duhet kuptuar drejtë. Disa prej muslimanëve në xhepat e tyre mbajnë një letër ku shkruhen nëntëdhjetë e nëntë emra, dhe ndoshta për disa prej atyre emrave nuk është e sigurt që ata të jenë vërtetuar si emra të Allahut, pastaj ata e nxjerrin letrën nga xhepi dhe e lexojnë në mëngjes e në mbrëmje.

Ai kujton se kjo është ajo përmbledhja e duhur e përmendur në fjalën e tij: “Kush i përmbledh ata, ka hyrë në xhenet.”

Eshtë e nevojshme ta kuptojmë drejtë se çfarë është për qëllim me “përmbledhje”. Dijetarët kanë thënë: “Me fjalën “përmbledh” në hadith është për qëllim zbatimi i tri çështjeve, në mënyrë që njeriu të jetë përmbledhës i tyre ashtu siç duhet:

T’i mësoj përmendësh ata.

Të njohi kuptimin e tyre.

Të plotësoj adhurimin përkatës të secilit prej tyre.

P.sh.: Mëson prej emrave të Allahut “Dëgjuesi”, pas kësaj kupton edhe domethënien e tij. Kuptimi i tij është: “Vërtetimi i Dëgjimit si cilësi e Allahut të Lartmadhëruar, në atë mënyrë e cila i ka hije Madhështisë dhe Krenarisë së Tij, si dhe të besuarit se Allahu i dëgjon njëkohësisht të gjitha zërat, sado të shumëllojshme të jenë kërkesat e njerëzve dhe sado të ndryshme të jenë gjuhët e tyre. Madje, sikur të githë njerëzit, që prej kohës së Ademit e deri kur Allahu ta trashëgoj tokën dhe ç’ka në të; sikur të gjithë ata të bashkohen në të njejtën kohë dhe në të njejtin vend duke e lutur Allahun, secili prej tyre në gjuhen e vet dhe duke përmendur secili nevojën që ka, i Madhëruari i dëgjon që të gjithë ata, pa ju ngatërruar Atij zëri nga zëri, gjuha nga gjuha, apo kërkesa nga kërkesa.

Nisur nga kjo, Aishja, nëna e besimtarëve, pasi zbriti fjala e Allahut të Madhëruar:

“Vërtet, Allahu dëgjoi fjalët e asaj e cila bisedoi me ty lidhur me burrin e vet, e që u ankua te Allahu; prandaj Allahu e dëgjon bisedën tuaj, Allahu dëgjon çdo bisedë dhe sheh çdo punë. {58, 1}.

Pasi zbriti ky ajet, Aishja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) ka thënë:

“I Lartmadhëruar është Ai (Allahu), Dëgjimi i të Cilit i përfshin të gjitha zërat!”

Pra, Allahu i dëgjon të gjitha zërat, kështu që ti, përderisa beson në emrin e Tij “Dëgjuesi” duhet të besosh edhe në të cilësuarit e Tij me dëgjim, e pasi që beson se dëgjimi është prej cilësive të Allahut, gjë e cila është edhe kuptimi i emrit “Dëgjues” atëherë adhuroje Allahun ashtu siç kërkohet prej kësaj. E ajo që kërkohet është që Zoti yt të mos dëgjojë gjë tjetër prej teje, por veçse atë çka ty do të vinte mirë ta dëgjonte nga ti; prej fjalëve me vend, thënieve dobiprurëse, përmendjes së Tij me madhërim dhe të folurit për çështje të dobishme. A e keni parë dikë duke folur me fjalë të këqija, të ulta, të pamoralshme etj?

Nëse ai është musliman, a mendoni vallë se në atë moment ai e ka ndërmend faktin se Allahu po e dëgjon, po e mbikëqyr, po e vështron dhe është më se i ditur për të?

Nisur nga kjo themi se është e domosdoshme që duke besuar në emrat e bukur të Allahut ta plotësojmë edhe adhurimin e duhur për secilin emër. Për këtë arsye dijetarët kanë thënë: “Besimi në emrat e bukur të Allahut bazohet në tre parime:

1. Besimi në vetë emrin.

2. Besimi në cilësinë e cila përftohet prej emrit.

3. Besimi në gjykimin si dhe praktikimi i adhurimit përkatës të atij emri, duke e njohur me madhështi dhe përulje pozitën e Allahut të Madhëruar.

Çdo emër prej emrave të Allahut të Madhëruar përmban edhe adhurimin i cili përftohet prej tij, e që është i domosdoshëm besimi në të. Me njësimin e emrave dhe cilësive është për qëllim të besuarit në emrat e bukur të Allahut dhe cilësitë e madhërishme të Tij të cilat gjenden në Librin e Tij dhe në sunetin e Profetit, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!

Dijetarët, duke i këshilluar dhe duke ua bërë të qartë njerëzve këtë çështje, thonë:

“Duhet që çdo besimtar i cili beson në emrat dhe cilësitë e Allahut, të ruhet prej katër çështjeve, pre e të cilave kanë rënë ndjekësit e së shtrembrës dhe kanë rrëshqitur në to pasuesit e së kotës e, nëse besimtari bie pre e këtyre çështjeve ato e largojnë atë prej besimit të drejtë në emrat dhe cilësitë e Allahut të Madhëruar. Ato çështje janë: Shtrembërimi i kuptimit të emrave dhe cilësive, mohimi i tyre, përshkrimi dhe shëmbëllimi i tyre me ato të krijesave.”

Për këtë arsye ke për të gjetur thuajse në të gjithë librat e të parëve tanë të mirë të cilët si temë kryesore kanë sqarimin e Teuhidit, në to ata thonë:

“Ne besojmë në emrat dhe cilësitë e Allahut pa e shtrembëruar kuptimin e tyre, pa i mohuar, pa pyetur se si janë dhe pa i shëmbëllyer ato me emrat dhe cilësitë e krijesave.”

“Ne besojmë në emrat dhe cilësitë e Allahut pa bërë shtrembërim…” – Pra, pa e shtrembëruar domethënien apo kuptimin e vërtetë të tyre, pasi ai i cili e devijon kuptimin e vërtetë të tyre, ai është shtrembërues. Allahu e ka nënçmuar shtrembërimin dhe e ka bërë atë karakteristikë të çifutëve. Ai thotë:

“Ata i ndryshojnë fjalët (në Teurat) nga domethënia e tyre…” {5, 13}.

Njeriu duhet të ketë kujdes ashtu që të mos i shtrembërojë fjalët e Allahut, e sidomos kur bëhet fjalë për emrat dhe cilësitë e Tij (subhanehu ue teala).

Prej shtrembërimit të emrave dhe cilësive të Allahut është edhe kur një emri apo cilësie i jepet kuptimi i një emri apo cilësie tjetër, pa marrë parasysh nëse cilësia me të cilën e zëvendësuan atë të parën është vërtetuar që është ndër cilësitë e Allahut apo jo. I tillë është shembulli i atyre shtrembëruesve të cilët lidhur me fjalën e Allahut:

“Mëshiruesi mbi Arsh (mbi Fronin e Tij) qëndron” {20, 5}, thonë: “Mëshiruesi Arshin e pushton” e kjo është shtrembërim i Fjalës së Allahut.

Ndërsa disa prej tyre për ajetin: “Dhe kur të vijë Zoti yt…” {89, 22}, thonë: “Dhe kur të vij çështja e Zotit tënd” apo: “Engjëlli i Zotit tënd.” E kjo është shtrembërim i Fjalës së Allahut. Po ashtu, disa prej tyre në lidhje me fjalën e të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Zoti ynë zbret…” Ata thonë: “Zbret mëshira e Tij, apo çështja e Tij, apo engjëlli i Tij…” E gjithë kjo është shtrembërim i Fjalës së Allahut dhe fjalës së të Dërguarit të Tij.

Nëse Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe kur të vijë Zoti yt”, ne çfarë duhet të themi?! Ne duhet të themi ashtu siç Allahu thotë: “Dhe kur të vijë Zoti yt.”

I Dërguari i Allahut në hadith thotë: “Zoti ynë zbret…”, po ne si duhet te themi? Duhet te themi ashtu siç ai ka thënë: “Zoti ynë zbret…” – Ne nuk bëjmë shtrembërim, nuk i tjetërsojmë, nuk i ndryshojmë cilësitë, por i pohojmë ato ashtu siç kanë ardhur dhe i besojmë ashtu siç janë transmetuar. Ky pra është parimi i Ehli Sunetit në lidhje me këtë temë. Ata thonë: “Kalojini ato ashtu siç kanë ardhur dhe pohojini ashtu siç janë transmetuar, pa bërë shtrembërim, pa i ndryshuar dhe pa i tjetërsuar.” Kjo pra ishte çështja e parë.

Çështja e dytë prej së cilës duhet të kemi kujdes në këtë temë është “et ta’tilu”, e me të është për qëllim “mohimi”. Pra, mohimi i emrave dhe cilësive të Allahut, apo mohimi i pjesshëm i tyre. S’ka dyshim se e gjitha kjo gjë është e ndaluar (haram), është punë e shëmtuar dhe lajthitje. Muslimani kurrësesi nuk e mohon diçka të cilën e ka pohuar Allahu apo i Dërguari i Tij.

Të gjithë emrat dhe cilësitë e ardhura në Kuran apo në hadithe të sakta janë të vërtetë dhe të pamohueshëm. Ne besojmë në ato ashtu siç kanë ardhur dhe i pohojmë ashtu siç janë transmetuar; pa e shtrembëruar kuptimin e tyre dhe pa i mohuar.

Çështja e tretë është “et temthil – Shëmbëllimi”.

Mbasi që ne i pohojmë emrat dhe cilësitë e Allahut, duhet të kemi shumë kujdes që ato të mos i shëmbëllejmë me cilësitë e krijesave të Tij apo veçoritë e tyre. Allahu thotë:

“Asgjë nuk është si Ai; Ai është Dëgjuesi, Shikuesi” {42, 11}.

Po ashtu i Lartësuari thotë:

“Pra, mos i përshkruani Allahut shembuj! {16, 76}. Në një ajet tjetër thotë: “A di për Të ndonjë emnak (adash)?!” {19, 65}.

Ajetet të cilat përmbajnë këtë kuptim janë të shumta. Shëmbëllyes është ai i cili thotë: “Dora e Allahut është si duart tona, Dëgjimi i Tij është si dëgjimi ynë, Shikimi i Tij është si shikimi ynë.., cilësitë e Tij janë si cilësitë tona.”

– I Pastër nga kjo është Allahu i Madhëruar! Shëmbëllimi i cilësive të Zotit me cilësitë e krijesave të Tij është kufër (mosbesim). Një veprim i tillë e nxjerr personin jashtë prej miletit islam. Nuk mund të jetë besimtar ai njeri i cili Allahun e Madhëruar e shëmbëllen me krijesat e Tij. Madje, të parët tanë të mirë (selefët) kanë thënë: “Shëmbëllyesi në të vërtetë adhuron idhull.”

Po ashtu kanë thënë: “Mohuesi (i cilësive të Allahut) adhuron asgjënë (dhe jo Allahun).”

Muslimani nuk mund të jetë njësues i Zotit, pëveç se nëse ai i pohon emrat dhe cilësitë, mirëpo pa i shëmbëllyer ato, si dhe duke i veçuar (purifikuar), por pa i mohuar. Kjo është ajo çka do të shpjegojmë pas pak, pasi kjo përbën parimin bazë mbi të cilin mbështetet Akidja e Ehli Sunetit për sa i përket kësaj teme.

Çështja e katërt është “et tekjif” – Përshkrimi.

Mbasi që ne i pohojmë emrat dhe cilësitë e Allahut, duhet të kemi shumë kujdes ashtu që të mos hamendësojmë, pra të mos kërkojmë në mendjet tona të dimë se si janë në realitet këto cilësi. Përshkrimi (i emrave dhe cilësive) është i refuzuar dhe duhet që çdonjëri ta shkulë nga rrënjët prej zemrës së vet atë dëshirën për njohjen e mirëfilltë të cilësive të Allahut. I Madhëruari thotë:

“Ai e di të tashmen që është pranë tyre dhe të ardhmen, ndërsa dija e tyre nuk mund ta përfshijë Atë.” {20, 110}.

Po ashtu thotë:

“Shikimet (e njerëzve) nuk mund ta përfshijnë Atë, e Ai i përfshinë shikimet. {6, 103}.

Pra, përshkrimi i cilësive është i kotë pasi është e pamundur për ne njohja e mirëfilltë e tyre.

Madje, ne e kemi të pamundur përshkrimin e mirëfilltë të shumë prej krijesave, e si do të ishte puna kur bëhet fjalë për Krijuesin e tyre?!

Njëri nga selefët, e ai ka qenë Abdurrahman ibën Mehdi, hasi me një djalosh i cili i kishte hyrë gjerë e gjatë çështjes së Tekjifit dhe fliste rreth cilësive të Allahut duke u bazuar në mendjen e tij të mangët dhe logjikën e tij të dobët.

Abdurrahmani atij i tha: “Lëre të folurit rreth cilësive të Allahut dhe le të përqëndrohemi pak tek cilësitë e disa krijesave të Tij. Nëse do të jemi në gjendje të njohim realitetin e tyre dhe ia arrijmë kësaj, atëherë ia mësyjmë të folurit për realitetin e cilësive të Krijuesit të tyre. Mirëpo, po qe se nuk do të mundim të njohim realitetin e shumë prej krijesave, atëherë, mosnjohja e mirëfilltë e cilësive të Krijuesit do të ishte më parësore.”

Unë jam dakord! – tha djaloshi. Abdurrahman ibën Mehdi tha: “Transmetohet se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ka parë Xhibrilin në pamjen e tij origjinale, ndërkohë që e kishte zënë horizontin, e ai kishte gjashtëqindë krah. A s’ma përshkruan vallë se si ato krahë ishin të vendosura tek ai? Më trego për secilin krah se në ç’vend ishte i vendosur?”

Djaloshi nisi të mendohej, u thellua në imagjinatën e tij e po përpiqej të përfytyronte se si mund të ishin ata gjashtëqindë krah mirëpo, s’mundi të thotë asgjë! – Po ta bëj pak më të thjeshtë çështjen. – tha Abdurrahmani. Allahu i Madhëruar në Kuran thotë:

“… Sajuesit të engjëjve me nga dy palë, tri palë e katër palë krahë…” {35, 1}.

Disa nga engjëjt kanë tri palë krah. Dy krah mund edhe t’i përfytyrosh, një në të djathtë e tjetri në të majtë; po i treti ku është?! Pastaj, si arrin ai të fluturoi me ta?! Më trego pra!

– Nuk e di, – tha djaloshi – por unë dëshmoj se pendohem tek Allahu i Madhëruar dhe heq dorë prej përshkrimit në të cilin isha thelluar. Njeriu e ka fare të pamundur përshkrimin e shumë krijesave. Shpirti për shembull, i cili ndodhet në trupin tënd. Shpirti ka cilësi të shumta: Ai lëviz, lartësohet, mbërthehet (nga engjëjt), përhapet në trup… pra ka cilësi të shumta. Cilësitë e tij janë përmendur si në Kuran ashtu edhe në Sunet.

A je në gjendje ta përshkruash shpirtin, e pasi që e di se ai ndodhet fare pranë teje?!

“Të pyesin ty për shpirtin. Thuaj: “Shpirti është çështje që i përket vetëm Zotit tim, e juve ju është dhënë fort pak dije”. {17, 85}.

Pra, duhet që prej këtyre katër çështjeve; Shtrembërimit, Përshkrimit, Shëmbëllimit dhe Mohimit, të ruhemi dhe të mos biem pre e asnjërës prej tyre, si dhe t’i pohojmë emrat e bukur të Allahut dhe cilësitë e Tij të larta ashtu siç kanë ardhur, gjithnjë duke qëndruar larg nga këto lajthitje dhe duke treguar kujdes për të mos rënë në këto ndalesa të cilat dijetarët i sqaruan dhe ndaj të cilave tërhoqën vërejtje.

Njësimi i emrave dhe cilësive ngrihet mbi dy parime bazë: Mbi pohimin e emrave dhe cilësive, por pa i shëmbëllyer ato dhe veçimin (purifikimin) e tyre por pa i mohuar. Duke iu përmbajtur Fjalës së Allahut:

“Asgjë nuk është si Ai; Ai është Dëgjuesi, Shikuesi. {42, 11}.

Në këtë ajet: “Asgjë nuk është si Ai; Ai është Dëgjuesi, Shikuesi.” Vihet në dukje pohimi i emrave dhe cilësive, por pa i shëmbëllyer ato dhe veçimi i tyre por pa i mohuar. Veçimin e gjejmë në Fjalën e Tij: “Asgjë nuk është si Ai” ndërsa pohimin në Fjalën e Tij: “Ai është Dëgjuesi, Shikuesi.”

Kjo është rrjedha e Ehli Sunetit lidhur me këtë temë. Ata i pohojnë cilësitë pa bërë shëmbëllim dhe e dëlirësojnë Allahun e Madhëruar nga çdo mangësi, por pa mohuar.

 

Teuhidi uluhije

(njësimi i Allahut në adhurim)

Pjesa e tretë prej llojeve të Teuhidit është “Teuhidi Uluhije”. Ky lloj i Teuhidit përbën edhe kuptimin e vërtetë të fjalës “La ilahe il laAllah – S’ka zot tjetër (të vërtetë) përveç Allahut.”

Me Teuhidin Uluhije është për qëllim veçimi i Allahut të Madhëruar me adhurim, përkushtimi i fesë vetëm Atij dhe refuzimi i idhujtarisë dhe idhujtarëve. Ashtu siç Allahu i Madhëruar thotë:

“E duke qenë se ata nuk ishin të urdhëruar me tjetër, përveç se që ta adhuronin Allahun me një adhurim të sinqertë ndaj Tij” {98, 5}.

Allahu i Madhëruar thotë:

“Medoemos se feja e vërtetë është vetëm për Allahun. {39, 3}.

“Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër përveç Tij. {17, 23}.

Gjithashtu i Lartësuari thotë:

“Ne dërguam në çdo popull të dërguar që t’u thonë: “Adhuroni vetëm Allahun, e largojuni djajve (adhurimit të tyre)!” {16, 36}.

“Unë nuk i krijova xhindët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë.” {51, 56}.

Ajetet të cilat përmbajnë këtë kuptim janë të shumta.

Me Teuhidin Uluhije është për qëllim përkushtimi i fesë vetëm Allahut dhe veçimi i Tij me adhurim. Pra, të mos adhurojmë askë tjetër përveç Allahut. Të mos i lutemi askujt tjetër përveç Allahut. Të mos i kërkojmë ndihmë askujt tjetër përveç Allahut. Të mos presim kurban për askë tjetër përveç Allahut. Të mos kërkojmë mbështetje, përkrahje, ngadhënjim dhe shpëtim nga askush tjetër pëveç Allahut.

Ashtu siç Allahu është i Vetmi i Cili na ka krijuar, na furnizon dhe përkujdeset për ne, ashtu edhe ne duhet që vetëm Atë ta veçojmë me adhurim. I Lartmadhëruari thotë:

“Unë jam Zoti juaj, pra më adhuroni vetëm Mua.” {21, 92}.

Pra, ashtu siç Ai është i Vetmi Zot, i pa shok në zotërimin e Tij, ashtu edhe ju vetëm Atë adhuroni.

Ashtu siç Ai nuk ka ortak në krijim, furnizim, në dhënien e jetës, përcaktimin e vdekjes dhe sistemimin e çështjeve; ashtu edhe gjatë adhurimit nuk duhet t’i shoqërohet ortak.

A është e logjikshme që Ai të krijoi e tjetërkush të adhurohet?! A është e logjikshme që Ai të furnizoi, ndërsa furnizimi të kërkohet prej dikujt tjetër?! Ai është i Cili shëron dhe mbron, ndërsa shërimi të kërkohet prej dikujt tjetër?!

I Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në njërën prej lutjeve thotë:

“O Allahu im, Zoti i njerëzve! Largoje dhimbjen dhe më shëro, se Ti je Ai që shëron! S’ka shërim përveç se prej Teje!”

Ndërsa Ibrahimi, miku i Allahut, prijësi i njësuesve tha:

“Dhe kur të sëmurem Ai më shëron.” {26, 80}.

Pra, me Teuhidin Uluhije është për qëllim veçimi i Allahut të Madhëruar me përulje ndaj Tij, nënshtrim, bindje, adhurim, namaz, haxh (pelegrinazh), lutje, kurban, betim; si dhe me të gjitha bindjet dhe adhurimet e tjera. Ndërsa “adhurimi” është term i përgjithshëm i cili përfshin çdo gjë që Allahu do dhe është i kënaqur prej saj, qoftë ajo fjalë apo vepër; e dukshme apo e fshehtë. Adhurimi është e drejtë absolute e Allahut të Madhëruar. Ai i cili adhurimin ia përkushton dikujt tjetër përveç Tij, ai i ka shoqëruar shok (ortak) Allahut të Madhëruar.

Asnjë krijesë, cilado qoftë ajo, nuk e meriton të adhurohet.

Vëllezër, dëshiroj që së bashku të shohim me vëmendje se si Kurani famëlartë e ka hedhur poshtë shokvënien në adhurim nëpërmjet pohimit të atyre që pohojnë njësimin e Tij në zotërim. Kjo mënyrë të argumentuari është e shpeshtë në Kuranin famëlartë. Prej kësaj është edhe ajeti të cilin e lexuam pak më sipër:

“O njerëz, adhurojeni Zotin tuaj, i cili ju krijoi juve edhe ata që ishin para jush ashtu që të jeni të devotshëm. Ai, i Cili për ju bëri tokën shtrat (vendbanim), e qiellin kulm, e prej qiellit ju lëshoi shi me të cilin ju siguroi lloje të frutave si ushqim për ju, pra mos i përshkruani Allahut shok, duke qenë se ju e dini.” {2, 21-22}.

Le ta përqëndrojmë pak vëmendjen së bashku në Fjalën e Allahut të Madhëruar: “pra mos i përshkruani Allahut shok…” Kujt i tërhiqet vërejtje me këtë ajet? – I tërhiqet vëmendje idhujtarit (mushrikut) i cili i shoqëron Allahut shok (ortak). I Madhëruari thotë: “pra mos i përshkruani Allahut shok, duke qenë se ju e dini.” Çfarë është ajo që ata e dinë?

Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ka thënë: “pra mos i përshkruani Allahut shok, duke qenë se ju e dini.” D.m.th.: “Mos i përshkruani Allahut ortak në adhurim, duke qenë se ju e dini që Ai është Krijuesi juaj i vetëm.”

Përderisa ti e di që Krijuesi yt, Furnizuesi, Mirëbërësi, Sistemuesi i çështjeve… është vetëm Allahu, atëherë kurrsesi mos i shoqëro Atij shok në adhurim duke dashur që t’u lutesh, t’u përgjërohesh, t’u qaravitesh e të kërkosh nga ata ato gjëra të cilat duhen kërkuar vetëm e vetëm prej Allahut të Madhëruar.

 

Mbyllje

Vëllezër të nderuar!

Është detyrë mbi të gjithë ne që Teuhidit t’i japim hakun që i takon, ta ngremë atë në pozitën që e meriton dhe t’i japim përparësi ndaj çdo gjëje tjetër.

Le të ruhemi prej atyre të cilët thërrasin për në humbje, prej prijësve të së kotës, prej atyre të cilët i hutojnë njerëzit dhe i shtien në dyshime lidhur me fenë e tyre, si dhe ta mbrojmë Teuhidin pasi ai përbën themelin e fesë sonë, qëllimin tonë parësor dhe çështjen më madhore për të cilën Allahu i Madhëruar na ka krijuar, si dhe për vënien në jetë të së cilës ne ekzistojmë.

Pra, le ta mbrojmë atë me një mbrojtje të mirë dhe të përkujdesemi për të me një përkujdesje dinjitoze, ashtu që t’i paraqitemi Zotit tonë si njësues dhe zbatues të sunetit, pa bërë kurrfarë ndryshimi apo tjetërsimi.

Lusim Allahun e Madhëruar të na jap jetë duke qenë musliman dhe të na largojë nga kjo botë me iman (besim)! Jo duke qenë të humbur dhe as prej atyre që i humbasin të tjerët! Të na mbroj ne me fenë islame kur jemi në këmbë, kur jemi ulur dhe kur jemi shtrire!

Po ashtu kërkojmë prej Tij të na e rregulloj fenë e cila për ne është gjëja më e shtrenjtë! Të na e rregulloj dynjanë në të cilën është jetesa jonë! Të na e rregulloj ahiretin pasi atje është kthimi ynë! Të na e zgjasë jetën në bërjen e punëve të mira, ndërsa vdekjen ta bëjë shpëtim për ne nga çdo e keqe!

Kërkojmë nga Allahu prej të gjitha mirësive, e tek Ai janë depot e mirësisë! Allahut i kërkojmë mbrojtje prej çdo të keqeje, e ajo godet veçse me lejen e Tij!

“I kërkojmë mbrojtje Allahut prej shirkut të cilin e dimë dhe i kërkojmë falje për atë që nuk e dimë!”

E lusim Allahun të na japë sukses në realizimin e çdo vepre të dobishme! Të na udhëzoj në rrugën e drejtë, të na bëjë prej robërve të Tij të devotshëm, “Të cilët i dëgjojnë fjalët dhe pasojnë atë më të mirën prej tyre. Të tillët janë ata që Allahu i udhëzoi (në rrugën e drejtë) dhe të tillët janë ata të mençurit.” {39, 18}.

Lutja jonë e fundit është: “Falënderuar qoftë Allahu, Zoti i botërave! Paqja e Allahut, mëshira, begatia dhe mirësia, qofshin mbi robin dhe të Dërguarin e Tij profetin Muhamed; mbi familjen dhe të gjithë shokët e tij!