Përzgjedhja ndërmjet haxhit “Temetu”[1], “Ifrad”[2] dhe “Ikran”[3],

si dhe sqarimi se cili është më i miri prej tyre

  1. Transmetohet nga Aisha se ka thënë: “Dolëm me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe ai tha: Kush dëshiron të bëjë Ihram për haxh dhe umra bashkë (ikran), ta bëjë. Kush dëshiron të bëjë Ihram vetëm për haxh (ifrad), ta bëjë. Kush dëshiron të bëjë Ihram vetëm për umra (temetu), ta bëjë.

Thotë (Aisha): Vetë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) bëri Ihram vetëm për haxh dhe si ai bënë disa njerëz të tjerë. Ndërsa disa bënë Ihram për haxh dhe umra bashkë, e disa vetëm për umra. Ndërsa unë isha prej atyre që bënë Ihram vetëm për umra.” Muttefekun alejhi.

  1. Transmetohet nga Imran ibën Husajn se ka thënë: “Zbriti Ajeti i Temetuit në Librin e Allahut dhe ne e zbatuam atë me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!). pas kësaj nuk zbriti ajet tjetër që t’a abrogonte dhe ta bënte të ndaluar atë, deri sa i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ndërroi jetë.” Muttefekun alejhi.

Në një transmetim tjetër të Ahmedit dhe Muslimit thuhet: “Zbriti ajeti i Temetuit –Ihramit vetëm për umra të ndarë nga haxhi- dhe i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) na urdhëroi me të. Më pas nuk zbriti ndonjë ajet që ta abrogonte atë dhe as nuk ndaloi nga ai i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) deri sa ndërroi jetë.”

  1. Transmetohet nga Abdullah ibën Shekik se: “Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) urdhëronte për Temetuin ndërsa Uthmani ndalonte nga ai. Uthmani tha një fjalë dhe Aliu ia ktheu: Ti e di që ne kemi bërë Ihram Temetu me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!). – Po, por ne ishim të frikësuar, tha ai.” E transmeton Ahmedi dhe Muslimi.
  2. Transmetohet nga Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) bëri Ihram për umra (temetu), ndërsa shokët e tij për haxh. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk e hoqi Ihramin (pas umras dhe para haxhit) dhe as ata që e kishin sjellë me vete kurbanin, ndërsa të tjerët e hoqën atë (pas umras, pastaj e veshën për haxh).” E transmeton Ahmedi dhe Muslimi.

Në një transmetim tjetër thuhet: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), Ebu Bekri, Umeri dhe po ashtu Uthmani, e bënë haxhin Temetu’, kurse i pari që e ndaloi këtë ishte Muavija.” E transmeton Ahmedi dhe Tirmidhiu. [Daif – Tirmidhiu 822].

  1. Transmetohet nga nëna e besimtarëve, Hafsa, se ajo ka thënë: “I thashë të Dërguarit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!): Si është puna që njerëzit e hoqën Ihramin pas umras, ndërsa ti jo? – Unë e solla kurbanin me vete dhe kam vënë diçka ngjitëse në kokë. Kështu që nuk e heq Ihramin deri sa të kryej haxhin.” E transmeton grupi, përveç Tirmidhiut.
  2. Transmetohet nga Ganim ibën Kajs el Mazini se ka thënë: “Pyeta Sead ibën Ebi Vekas për haxhin temetu dhe ai tha: E kemi vepruar atë dhe në atë kohë ky ka qenë mosbesimtar në el Urush, d.m.th. në shtëpitë e Mekës, d.m.th. Muavija.” E transmeton Ahmedi dhe Muslimi.
  3. Transmetohet nga ez Zuhri; nga Salimi; nga babai i tij se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e bëri nijetin e Ihramit në haxhin e Lamtumirës me “temetu” – heqje të Ihramit pas umras për ta veshur pastaj për haxhin dhe bëri kurban të cilin e solli me vete që nga Dhul Hulejfe. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) filloi së pari me umran, pastaj bëri Ihram tjetër për haxhin dhe njerëzit bashkë me të e hoqën Ihramin pas umras për ta veshur përsëri për haxhin. Disa njerëz bënë kurban kafshën të cilën e kishin sjellë me vete, ndërsa disa të tjerë nuk therën kurban.

Kur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) mbërriti në Meke, ai u tha njerëzve: Kush ka sjellë kurban me vete, të mos i lejojë vetes asgjë nga ato që e ka ndaluar me Ihramin, deri sa të kryejë haxhin, ndërsa ata që nuk kanë sjellë kurban me vete, të bëjnë tavaf rreth Qabes dhe në Safa e Merva, të shkurtojnë flokët dhe të heqin Ihramin. Pastaj të bëjnë përsëri Ihram për haxh dhe të therin kurban. Ai që nuk gjen (që nuk ka mundësi për) kurban, atëherë të agjërojë tre ditë në haxh dhe shtatë ditë kur të kthehet në familjen e tij.

Vetë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) bëri tavaf rreth Qabes kur hyri në Mekë, duke filluar me Këndin e Jemenit. Në tre xhirot e para të tavafit, ai eci me ecje të shpejtë, ndërsa në katër të tjerat me ecje normale. Pas tavafit, ai fali dy rekate namaz te “Mekamu Ibrahim”. Pastaj dha selam dhe shkoi në kodrën Safa nga ku filloi shtatë xhiro nga Safa në Merve dhe anasjelltas. Pastaj nuk bëri të lejuar asgjë që kishte të ndaluar me Ihramin (nuk e hoqi Ihramin) veçse pas kryerjes së haxhit, therjes së Kurbanit në ditën e Kurbanit dhe tavafit të Ifadas, pas këtyre ai u lirua nga çdo gjë prej të cilave ishte ndaluar (e hoqi Ihramin).

Kështu si i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) vepruan edhe ata që e kishin sjellë me vete kurbanin.” Nga Urveh; nga Aisha, transmetohet hadith i njëjtë me këtë të Salimit nga babai i tij. Hadithi është muttefekun alejhi.

  1. Transmetohet nga el Kasim; nga Aisha se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e bëri haxhin “Ifrad” – vetëm haxh, pa umra me të.” E transmeton grupi, përveç Buhariut.
  2. Transmetohet nga Nafiu; nga Ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ka thënë: “E bëmë Ihramin “Ifrad” bashkë me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!).” E transmeton Muslimi.

Në një transmetim tjetër të Muslimit thuhet se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e bëri haxhin “Ifrad”.

  1. Transmetohet nga Ebu Bekër el Muzeni; nga Enesi se ky ka thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të bënte telbijen për haxh dhe umra bashkë, duke thënë: Lebbejke Umraten ue Haxhen.” Muttefekun alejhi.
  2. Transmetohet gjithashtu nga Enesi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ai ka thënë: “Dolëm dhe ngrinim zërat për në haxh. Kur mbërritëm në Mekë, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) na urdhëroi që të bënim umra dhe tha: Sikur të kthehej edhe një herë ajo që kaloi, unë do ta kisha bërë Ihramin për umra, por unë e solla kurbanin me vete dhe bashkova ndërmjet haxhit dhe umras –Ikran.” Transmetohet nga Ahmedi. [Sahih – Sahihu Ebi Daud, nën hadithin nr. 1577].
  3. Transmetohet nga Umer ibën el Hatab (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ka thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) kur ishte në luginën e Atikut, të thoshte: Këtë natë më erdhi një i dërguar nga Zoti im dhe më tha: Falu në këtë luginë të begatë dhe thuaj: Umra në haxh.” E transmeton Ahmedi, Buhariu, Ibën Maxheh dhe Ebu Daudi.

Në një transmetim tjetër të Buhariut thuhet: “Dhe thuaj: Umra dhe haxh.”

  1. Transmetohet nga Mervan ibën el Hakem se ka thënë: “Pashë Uthmanin dhe Aliun. Uthmani ndalonte nga haxhi Temetu dhe nga bashkimi i umras me haxhin. Kur Aliu pa këtë gjë, bëri Ihram për të dyja ato bashkë duke thënë: “Lebbejke biumratin ue haxhetin”, pastaj tha: Nuk e lë sunetin e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për fjalën e askujt.” E transmeton Buhariu dhe Nesai.
  2. Transmetohet nga es Subej ibën Meabed se ka thënë: “Isha një burrë i krishterë, por u bëra musliman dhe bëra Ihram për haxh dhe umra. Zejd ibën Suhan dhe Selman ibën Rabija më dëgjuan tek po bëja Ihram për të dyja bashkë dhe më thanë: Ky është më i humbur se deveja e familjes së tij! – Kur dëgjova këto fjalë të tyre, sikur më ra mali mbi kokë, kështu që shkova tek Umer ibën el Hatab dhe i tregova për këtë. Ai shkoi tek ata dhe u foli ashpër, pastaj u kthye nga unë dhe më tha: Përkundrazi, ti je udhëzuar në përputhje me sunetin e Pejgamberit tënd, Muhamedit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!).” E transmeton Ahmedi, Ibën Maxheh dhe Nesai. [Sahih – Ibën Maxheh 2970, Sahihu Ibën Daud 1578, Musned Ahmed 169].
  3. Transmetohet nga Suraka ibën Malik se ka thënë: Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të thotë: “Umra ka hyrë në haxh dhe do të vazhdojë kështu deri në ditën e Kijametit.” Thotë: Në haxhin e Lamtumirës, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) bashkoi ndërmjet umras dhe haxhit.” E transmeton Ahmedi. [Sahih – Sahihu Ebi Daud 1577].
  4. Transmetohet nga el Bera ibën Azib se ka thënë: “Aliu u kthye nga Jemeni tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe tha: E pashë Fatimen të kishte veshur një rrobe të ngjyer dhe e kishte prafumosur shtëpinë me parfum. Ajo i tha atij: Çfarë ke? I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i urdhëroi shokët e tij që ta heqin Ihramin. – Unë i thashë asaj: Ndërsa unë e bëra Ihramin bashkë me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Thotë: Pastaj shkova tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe ai më tha: Si veprove? – E bëra Ihramin me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!). – Por unë e solla kurbanin me vete dhe bashkova ndërmjet umras dhe haxhit, tha Pejgamberi (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!). – Thotë (Aliu): Pastaj më tha mua: Therr gjashtëdhjetë e shtatë apo gjashtëdhjetë e gjashtë prej kurbaneve (që solli nga Jemeni) dhe therr vetë tridhjetë e tre ose tridhjetë e katër, dhe më ruaj mua nga një copë mish prej secilit kurban.” E transmeton Ebu Daudi. [Sahih – Ebu Daudi 1797].

Tema

Futja e Haxhit në Umra

  1. Transmetohet nga Nafiu se ka thënë: “Ibën Umeri donte të bënte haxh në vitin e haxhit të harurive (havarixhëve), në kohën e Ibën Zubejrit, por dikush i tha: Njerëzit janë në luftë me njëri-tjetrin dhe kemi frikë se do të të pengojnë. Ai tha: Për ju ka qenë shembulli më i mirë tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!), kështu që unë do të bëj ashtu siç ka bërë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Iu marrë për dëshmitarë se unë po bëj Ihram për umra. Pastaj doli dhe u ngjit në kodrën shkretinore e tha: Haxhi dhe umra janë një dhe unë ju marr për dëshmitarë se po bashkoj haxhin me umran. Pastaj mori me vete kurbanin të cilin e bleu në Kudejd dhe shkoi në Mekë. Bëri tavaf rreth Qabes dhe nga Safa në Merva, pa shtuar gjë tjetër dhe pa i lejuar vetes gjërat që i kishte ndaluar me Ihramin, deri në ditëne Kurbanit. Atë ditë ai qethi kokën dhe preu kurbanin, pastaj ishte i mendimit se e kishte kryer tavafin e haxhit dhe të umras në tavafin e parë që kishte bërë kur hyri në Mekë, pastaj tha: Kështu ka vepruar i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!).” Muttefekun alejhi.
  2. Transmetohet nga Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ai ka thënë: “Shkuam në Mekë ndërkohë që kishim bërë Ihram për haxh Ifrad (vetëm haxh) bashkë me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!), ndërsa Aisha për umra (dhe pas saj haxh), por kur mbërritëm në vendin e quajtur Serif, asaj i erdhën periodat. Kur hymë në Mekë, bëmë tavaf rreth Qabes, dhe në Safa e Merva. Pastaj i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) na urdhëroi që ata të cilët nuk kishin sjellë kurban me vete, të hiqnin Ihramin.

Thotë: Thamë: Lejim i çfarë gjërave është ky? – I të gjitha gjërave, tha ai. – Atëherë bëmë marrëdhënie me gratë, hodhëm parfum dhe veshëm rrobat tona (jo të Ihramit), ndërkohë që nga dita e Arafatit kishin mbetur vetëm katër netë. Pastaj veshëm Ihramin në ditën e tervijes (dita e tetë e Dhul Hixhes, një ditë para Arafatit). Pastaj i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) hyri te Aisha të cilën e gjeti duke qarë dhe i tha: Përse qan? – Sepse unë jam me perioda, ndërsa njerëzit veshën Ihramin e unë jo, dhe as nuk kam bërë tavaf rreth Qabes, ndërsa njerëzit tani po shkojnë të bëjnë haxhin. – Por kjo është diçka të cilën Allahu e ka caktuar për bijat e Ademit, por ti lahu dhe bë Ihramin për haxh.

Ashtu bëri dhe i kreu ritet e haxhit, duke qëndruar në të gjitha vendet e detyrueshme, pastaj u pastrua dhe bëri tavaf rreth Qabes dhe në Safa e Merva, pastaj ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i tha: Tani je liruar nga haxhi dhe umra së bashku. – O i Dërguari i Allahut! Por unë ndiej në vete se nuk kam bërë tavaf kur bëra haxhin (në ditën e kurabaneve). – Shko me të në Tenim, o Abdurrahman (vëllai i saj), tha i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Kjo ishte në natën e Husbes.” Muttefekun alejhi.

[1] “Temetu” quhet ai lloj haxhi për të cilin, kur vishet Ihrami, bëhet nijeti për umra pas të cilës hiqen rrobat e Ihramit dhe pelegrini bëhet i lejuar, pastaj i vesh përsëri rrobat e Ihramit për të bërë haxhin. Nga kjo kuptohet se ky që vepron kështu ka shkuar në Mekë para kohës së haxhit me disa ditë.

[2] “Ifrad” quhet ai lloj haxhi për të cilin bëhet nijeti vetëm për haxh, pa umra me të.

[3] “Ikran” quhet ai lloj haxhi për të cilin bëhet nijeti për haxh dhe umra bashkë, njëkohësisht, sipas dispozitave të veçanta për këtë.