KURANI

PERKTHIM ME KOMENTIM NE GJUHEN SHQIPE

 

Ky është një përkthim i ri me komentim i Kuranit në gjuhën shqipe, i cili nuk është i pari, por lusim Allahun e Madhëruar që ta bëjë më të qëlluarin, më të saktin dhe më të dobishmin! Allahu është dhuruesi i suksesit dhe i Plotfuqishëm për gjithçka.

Pas vëzhgimit në versionet e përkthyera të Kuranit deri më tani nga njerëz me dije fetare dhe përkthyes të ndryshëm, shpërblimi i të cilëve është tek Allahu për të gjitha përpjekjet e tyre, dhe ata janë të falënderuar nga populli musliman shqiptar i cili uron që Allahu t’i shpërblejë me të mira të gjithë ata për mundin dhe kontributin e tyre, megjithatë bie në dukje fakti se një përkthim më i qëlluar për nga ana gjuhësore, kuptimore dhe ajo e komentimit ende nuk ekziston, ndërkohë që mundësia për të dalë në dritë një version më i saktë dhe më i plotë i përkthimit të Kuranit, me ndihmën dhe lejen e Allahut, ekziston. Dhe pikërisht kjo është ajo që duam të arrijmë me ndihmën e Allahut dhe duke shpresuar suksesin vetëm nga Ai.

Metoda e ndjekur në këtë përkthim është si më poshtë:

1. Kemi bërë krahasime ndërmjet shumicës së versioneve të përkthyera deri më tani, siç është përkthimi i H. Sherif Ahmetit, përkthimi i Prof. Hasan Nahit botuar nga “Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam” 2006, përkthimi i Feti Mehdiut dhe përkthimi i “Darus Selam”.

2. Jemi kthyer tek librat nënë të tefsirit të Kuranit, si Tefsiri i Taberiut, i Kurtubiut, Ibën Kethirit. Si dhe në tefsirin e dijetarit Abdurrahman es Seadi (Allahu e mëshirfotë!), i cili e ka përfunduar tefsirin e tij në vitin 1344 H, dhe në tefsirin e dijetarit Muhamed ibën Salih el Uthejmin (Allahu e mëshirfotë!).

3. Kemi përdorur fjalorë të ndryshëm të gjuhës arabe, angleze dhe shqipe, për vendosjen e fjalës më të saktë dhe më të qëlluar në vendin e duhur.

4. Në rastet kur hasim në ndonjë problem apo kur ka më shumë se një mendim për domethënien apo komentimin e një fjale apo ajeti të caktuar, kthehemi zakonisht te tefsiri i Seadit dhe i Ibën Uthejminit, për shkak se këta konsiderohen dijetarë bashkëkohorë dhe tefsirët e tyre janë më përmbledhës, më të qartë në gjuhë dhe kanë zgjedhur në to mendimet më të sakta të selefëve dhe në përputhje me akiden e selefëve, edhe pse nuk pretendojmë se janë të pagabueshëm. Shpeshherë i kthehemi me pyetje drejtpërdrejtë dijetarëve dhe shejhave bashkëkohorë në Jordani dhe jashtë saj.

5. Përkthimi është i shoqëruar me komentim të shkurtër dhe përmbledhës, dhe në shumicën e rasteve është treguar vetëm domethënia dominuese tek dijetarët e tefsirit në lidhje me një ajet apo fjalë të caktuar. Të gjitha këto i kemi vendosur në shënimet poshtë faqes, dhe ndonjëherë kemi shënuar në kllapa titullin e librit nga është marrë ai komentim. Ndërsa në rastet kur nuk është shënuar burimi, duhet të dihet se ai është përfituar nga tefsiret e sipërpëmendura pa dalur asnjë herë prej tyre.

Allahut i mbështetemi dhe vetëm Atij i lutemi të na japë sukses, dhe ta bëjë këtë vepër të sinqertë vetëm për hir të Fytyrës së Tij! Lusim Allahun që kjo vepër t’u vijë në ndihmë muslimanëve shqiptarë dhe t’u bëjë dobi atyre për ta kuptuar sa më mirë dhe saktë Librin e Allahut dhe Shpalljen e Tij! Allahu është Zot i kësaj dhe i Plotfuqishëm për gjithçka.

Dr. Bledar Karaj el Albani

Jordani

 

Xhuzi 1  Xhuzi 2  Xhuzi 3  Xhuzi 4  Xhuzi 5   Xhuzi 6   Xhuzi 7  Xhuzi 8  Xhuzi 9   Xhuzi 10

Xhuzi 11  Xhuzi 12  Xhuzi 13  Xhuzi 14  Xhuzi 15  Xhuzi 16  Xhuzi17  Xhuzi 18  Xhuzi 19  Xhuzi 20

Xhuzi 21  Xhuzi 22   Xhuzi 23  Xhuzi 24  Xhuzi 25  Xhuzi 26  Xhuzi27  Xhuzi 28  Xhuzi 29  Xhuzi 30