Pendimi është i domosdoshëm për gjynahet e mëdha e të vogla

 

Nga libri: Orientuesi i Shpirtit drejt Pendimit të Sinqertë

Autor: Selim Iben Ijd el Hilali

Perktheu: Bledar Albani


Dije, o ti rob i Allahut! -Allahu të drejtoftë në të vërtetën!- Se djalli i mallkuar të urdhëron ty për punë të ndaluara e të këqia, t’i zbukuron ty ato dhe të nxit në to.

Nëse të zë ty pusi në gjynahet e mëdha, ai t’i zbukuron ato në sytë e ty dhe të thotë se ke afat për t’u penduar, duke të të hapur kështu derën e shtyrjes së pendimit dhe vonimit të tij. Të thotë ty: Besimi është në zemër dhe veprat nuk ndikojnë në pakësimin apo shtimin e tij.

Madje mund të shtierë në veshët dhe në gjuhën tënde një shprehje me të cilën janë shkatërruar shumë prej njerëzve, e ajo shprehje është: Nuk të dëmton gjë prej punëve nëse ke teuhidin-njësimin, ashtu si edhe nuk të bën dobi ndonjë punë e mirë nëse i bën Allahut shok në adhurim.

Edhe nëse ti ia përplas syve atij këtë derë, falë parandalimit të Allahut ose si rrjedhojë e pendimit të sinqertë, ai përsëri nuk i humb shpresat dhe nuk lodhet duke të të kërkuar ty. Ti je ajo që ai dëshiron, kështu që, kujdes, kujdes!

Atëherë ai hap para teje derën e gjynaheve të vogla dhe të peshon prej tyre tonelata të shumta duke të të thënë: Përse mërzitesh ndërkohë që i je larguar gjynaheve të mëdha, ti nuk ke ndonjë dënim sado që të mbulohesh me gjynahe të vogla! Ose të thotë: A nuk e di se ato (gjynahet e vogla) fshihen me largimin prej gjynaheve të mëdha dhe me punët e mira që do të bësh?

Vazhdon kështu duke nënvlerësuar çështjen e tyre në sytë e tu, derisa shkakton vazhdueshmërinë tënde dhe mosndërprerjen e kryerjes së tyre, për të çuar kështu në shkatërrim të plotë.

Gjendja e atij që ka rënë në gjynah të madh por që është i frikësuar e pendohet për atë që ka bërë, mund të jetë më e mirë se gjendja jote. Pra, vazhdimësia në gjynah është më e keqe se gjynahu i madh.

Për këtë shkak, duhet të nxitosh në pendim prej gjynaheve të vogla e të mëdha njëherësh, ndërmjet të cilave nuk ka dallim për shkaqe të shumta prej të cilave po përmendim disa:

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e porositi Muadhin (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), që ta pasojë çdo punë të keqe me një të mirë, dhe puna e keqe përfshin gjynahet e vogla e të mëdha njëherësh.

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:

((اتَّقِ اللهَ حَيْثُما كُنْتَ، و أتْبِعِ السَّيِّئَةَ الحَسَنَةَ تَمْحُها، وَ خالِقِ الناسَ بِخُلُقٍ حَسَنٍ))

“Frikësoju Allahut kudo që të jesh!

Pasoje veprën e keqe me një të mirë që ta fshijë atë!

Dhe sillu me njerëzit me moralin më të mirë!”[1]

Për shkak se zvogëlimi e nënvlerësimi i gjynahut është gjynah i cili të çon në një gjynah të tretë, e ai është vazhdimësia në të; e këto të tjerat janë më të mëdha se vetë gjynahu fillimisht.

Për këtë shkak, sipas masës së konsiderimit të gjynahut si të madh, do të jetë edhe pendimi e kërkimi i faljes. Dhe, konsiderimi i gjynahut si i madh rrjedh nga tri gjëra kryesore:

Zmadhimi i asaj të keqeje, madhërimi i Urdhëruesit dhe besimi në shpërblimin sipas asaj që vepron.

Allahu i Lartësuar thotë:

﴿ذَلِكَ وَمَنْ يُعَظِّمْ شَعائِرَ اللهِ فَإنَّها مِنْ تَقْوَى القُلوبِ﴾

“…Dhe kushdo që madhëron simbolet e Allahut, ajo padyshim që është nga përkushtimi i zemrës.” [El Haxh: 32].

Bazuar në këtë, nëse besimtari rrëshqet në ndonjë gjynah të vogël, kjo gjë mbjell tek ai shqetësim, mërzitje e pendesë, njësoj sikur të kishte vrarë të gjithë njerëzit. Kështu që, nxiton për në vepra të mira, që t’a fshijnë atë dhe vepra më e mirë është pendimi i sinqertë.

Abdullah bin Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ka thënë:

“Besimtari i sheh gjynahet e tij, sikur të ishte ulur në rrëzën e ndonjë mali dhe frikësohet se mos i bie mbi krye, ndërsa i prishuri i sheh gjynahet e tij, si një mizë që i kaloi nëpër hundë.”[2]

Ai që i zvogëlon e i nënvlerëson gjynahet e tij, grumbullon shumë prej tyre, gjë që çon në shkatërrimin e tij, siç ka thënë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!):

“Ruajuni gjynaheve të përbuzura (që duken të vogla dhe përbuzen), sepse ato mblidhen tek njeriu dhe e shkatërrojnë atë. Si shembulli i një burri që është në një fushë dhe aty vjen ustai i fshatit.

Atëherë, ky burri ngrihet të largohet dhe më pas kthehet me dru zjarri në duar. Edhe ai burri tjetër filloi të vijë me dru zjarri, derisa mblodhën një grumbull të madh. Ndezën një zjarr të vogël si fillim, por që më pas, ai dogji çdo gjë që hodhën në të.”[3]

Dije, o ti musliman! O ti rob i Allahut! Se Vargje Kuranore dhe Hadithe të tilla, të cilat nxisin në kryerjen e veprave të mira për fshirjen e gjynaheve, nuk duhen marrë si shkak për mbështetjen plotësisht në to dhe quajtjen e vetvetes si i kujdesshëm në kryerjen e gjynaheve dhe e punëve të këqia, duke menduar se ke vepruar një punë e cila t’i ka fshirë të gjitha të këqiat.

Ky lloj përfytyrimi është në kulm të injorancës e të budallallëkut! Ku e di ti, o i zhgënjyer, se Allahu t’a ka pranuar punën tënde të mirë dhe si rrjedhojë t’i ka fshirë gjynahet?!

Allahu i Lartësuar thotë:

﴿إنَّما يَتَقَبَّلُ اللهُ مِنَ المُتَقِيْنَ﴾

“Vërtet Allahu pranon vetëm prej atyre që janë Muttekunë (të përkushtuar në besimin e pastër Islam, që e ruajnë Allahun në urdhërat dhe ndalesat e Tij).” [El Maide: 27].

Takva (përkushtimi, devotshmëria), nëse paraqitet në fjalën e Allahut apo të të Dërguarit të Tij, e vetme pa ndonjë kufizim, ajo përfshin kryerjen e të urdhëruarave dhe lidhjen me to, si dhe lënien e të ndaluarave dhe largimin prej tyre.

Ndërsa kur shoqërohet me kryerjen e të urdhëruarave dhe lënien e të ndaluarave, ajo në këtë rast i përngjet Teubes-kthimit tek Allahu me pendim.

Për këtë shkak, të devotshmit – el Muttekunët, të cilëve Allahu ua pranon punët, janë ata të sinqertët, ndjekësit e të vërtetës e që kthehen tek Allahu me pendim.

Këta të devotshëm veprojnë punë të mira, përpiqen të kryejnë ato me të cilat janë urdhëruar dhe largohen prej të ndaluarave, e megjithatë, ata kanë frikë se iu kthehen mbrapsht punët e tyre e iu përplasen në fytyrë.

Allahu i Lartësuar thotë:

﴿إنَّ الذينَ هُمْ مِنْ خَشْيَةِ رَبِّهِمْ مُشْفِقونَ. وَ الذينَ هُمْ بِآياتِ رَبِّهِمْ يُؤْمِنُونَ. وَ الذينَ هُمْ بِرَبِّهِمْ لاَ يُشْرِكُونَ. وَ الذينَ يُؤْتُونَ ما آتَوْا وَ قُلُوبُهُمْ وَجِلَةٌ أنَّهُمْ إلى رَبِّهِمْ رَاجِعُونَ﴾

“Vërtet se ata që jetojnë në ankth nga frika e Zotit të tyre;

Edhe ata që besojnë në ajetet (provat, shpalljet, shenjat, vargjet) e Zotit të tyre;

Edhe ata që nuk bashkojnë kënd (në adhurim) si shokë me Zotin e tyre;

Edhe ata që japin atë (sadaka e mirësi) që e japin me zemrat e tyre gjithë frikë e përkushtim (nëse do t’u pranohet bamirësia apo jo nga Zoti i tyre), sepse ata janë të sigurtë në kthimin e vet te Zoti i tyre (për llogari).” [El Muminun: 57-60].

Transmetohet nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!), se ka thënë: “E pyeta të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për këtë varg:

“Edhe ata që japin atë (sadaka e mirësi) që e japin me zemrat e tyre gjithë frikë e përkushtim (nëse do t’u pranohet apo jo nga Zoti i tyre).”

– Ajo shtoi: “A janë të tillët ata që pinë pije alkoolike dhe që vjedhin?”

– I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) iu përgjigj:

“Jo, o bija e Siddikut (e të besuarit, Ebu Bekrit), por janë ata të cilët agjërojnë, falen dhe japin lëmoshë dhe kanë frikë se mos veprat e tyre të mira nuk do të pranohen nga Allahu. Këta janë ata që bëjnë garë për vepra të mira.”[4]

Kështu i ka përmendur Allahu i Lartësuar besimtarët që garojnë për punë të mira, me më të mirat cilësi të tyre; ata edhe pse e kryejnë adhurimin e tyre në formën më të mirë, përsëri kanë frikë se mos nuk iu pranohet.

E vërteta në këtë gjë nuk është frika e tyre se Allahu nuk do t’u japë shpërblimin. Në asnjë mënyrë, sepse Allahu nuk e thyen premtimin e Tij:

﴿وَ أمَّا الذينَ آمَنُوا وَ عَمِلُوا الصَّالِحاتِ فَيُوَفِّيْهِمْ أُجُورَهُمْ﴾

“Dhe sa për ata që besojnë (në njësinë e Allahut) dhe që punojnë mirësi e drejtësi, atyre Allahu do t’ua paguajë plotësisht shpërblimin.” [Al Imran: 57].

Madje Ai do t’ua shtojë atyre shpërblimin nga bamirësia dhe bujaria e Tij:

﴿لِيُوَفِّيَهُمْ أُجُورَهُمْ وَ يَزِيْدَهُمْ مِنْ فَضْلِهِ﴾

“Që Ai të mund t’u paguajë atyre shpërblimin që u takon plotësisht e t’u japë edhe më nga Begatia e Përkujtimi i Tij.” [Fatir: 30].

Por, për shkak të frikës së tyre se mos nuk i kanë plotësuar kushtet e fitimit të shpërblimit dhe nuk e kanë kryer adhurimin në atë formë që ka urdhëruar Allahu, ata nuk mund ta thonë prerë se e kanë bërë atë ashtu siç do Allahu i Lartësuar, përkundrazi, mendojnë se e kanë lënë mangut e për këtë shkak, ata kanë frikë se mos nuk pranohen prej tyre. Kështu që nxitonin në punë të mira dhe garonin në to.

Medito në këtë, se ndoshta e shton përkujdesjen në kryerjen e adhurimit e përpikmërinë në të, me sinqeritet për Allahun dhe sipas rrugës së të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

Edhe shokët e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) kishin frikë se mos u fshiheshin punët e tyre, e kjo gjë ishte prej islamit dhe besimit të tyre të plotë.

Allahu i Lartësuar thotë:

﴿فلا يَأمَنُ مَكْرَ اللهِ إلاَّ القَوْمُ الخَاسِرُونَ﴾

“Askush nuk është i sigurtë ndaj Planit të Allahut, përveç popullit të humbur (të dënuar me shkatërrim).” [El A’raf: 99].

Dijetari i besueshëm Abdullah bin Ubejdilah bin ebi Melijke thotë:

“Kam arritur tridhjetë prej shokëve të të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe që të gjithë ata kishin frikë hipokrizinë për veten e tyre. Askush prej tyre nuk thoshte se besimi i tij është si besimi i Xhibrilit dhe Mikailit”

Ndërsa hafiz Ibën Haxher, në “Fet’hu el Bari” (1/110-111) thotë:

“Sahabet, të cilët i ka arritur Ibën Ebi Melijke dhe që kanë qenë të rinj në moshë janë: Aisha dhe motra e saj Esmaja, Umu Seleme, katër Abdullahërit, Ebu Hurejra, Ukbetu bin el Harith dhe El Mesur bin Mahrame…; këta janë ata prej të cilëve ka dëgjuar hadithe, por ai ka arritur në moshë edhe më shumë se kaq, siç është p.sh: Ali ibën ebi Talib, Sead bin ebi Uekkas, etj. Ai e preu me vendosmëri të plotë se që të gjithë ata i frikësoheshin hipokrizisë në veprat e tyre dhe nuk është transmetuar prej sahabeve të tjerë përveç këtyre, diçka e kundërt me këtë, kështu që kjo gjë është si Ixhma –gjykim unanim. Kjo, sepse besimtarit mund t’i shfaqet në punën e tij diçka që e kundërshton sinqeritetin dhe nuk do të thotë frika e tyre prej kësaj gjëje, se ajo ka ndodhur vërtetë tek ata, por kjo ka qenë në formë stërmadhimi prej tyre në devotshmëri e besim, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!”

Edhe hafiz Ibën Haxher (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë të vërtetën. Vërtet që ai brez i ndritur ia kushtoi veten e tij Allahut të Lartësuar. Ata ofruan tek Allahu i Lartësur shumë e shumë herë më shumë se të tjerët, prej punëve të mira.

Këta njerëz të besueshëm shikonin në hakun e Allahut mbi ta, kështu që Allahu u dhuroi atyre përkushtim. Ata e mësuan se shpëtimi nuk mund të arrihet vetëm se me faljen e Allahut dhe mëshirën e Tij, kështu që është e drejtë e Atij që t’i binden e mos t’a kundërshtojnë, të përmendet e të mos harrohet, të falenderohet e të mos mohohet.

Kush sheh në këtë të drejtë të Krijuesit të tij mbi të, e mëson me një dije të sigurtë, se ai nuk ia ka dhënë atë të drejtë Atij ashtu si duhet dhe se ai nuk mund të bëjë dot pa faljen dhe mëshirën e Tij, e sikur të llogaritej me punën dhe veten e tij, ai do të shkatërrohej.

Ky është këndvështrimi i atyre që janë të sinqertë me Allahun e Lartësuar.

Kjo është ajo që mbolli tek ata humbjen e shpresës nga vetja e tyre dhe lidhjen e të gjithë asaj në faljen dhe mëshirën e Allahut.

Këto domethënie madhëshore i ka prekur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), në hadithin që transmeton Uthmani (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) dhe që flet për formën e avdesit të të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!):

“Kush merr avdes, kështu si mora unë, pastaj shkon në xhami dhe fal dy rekate (sunet), i falen atij të gjitha gjynahet që kanë kaluar. Dhe mos u mashtroni!”[5]

Por, për të ardhur keq, nëse fjalëdrejti vështron në gjendjen e njerëzve sot, i gjen ata në krah të kundërt me këtë. Ata shohin në të drejtat e tyre tek Allahu dhe nuk shohin tek të drejtat e Tij mbi ta. Prej këtu, ata i prenë lidhjet me Allahun dhe iu mbyllën zemrat nga njohja e Tij, nga dashuria për Të, malli për takimin me Të dhe mirësinë e Kujtimit të Tij. Ky është kulmi i injorancës së njeriut për Zotin dhe vetveten e tij.

Ki kujdes, o ti rob i Allahut! -Allahu të forcoftë!- dhe ruaju shkallëzimeve të shejtanit, sepse ato janë të shumta dhe kurthet e tij të mëdha. Kujdes dhe kujdes! Mos të të hyjë nga kjo derë!

Dhe dije, -Allahu të mëshiroftë!- se koka e tregtisë e cila nuk ka humbje, është vështrimi i njeriut në të drejtat e Zotit të tij dhe të shohë nëse i ka kryer ato ashtu si duhet? Kjo gjë e çon njeriun në vendet e larta të besnikëve edukatorë, të cilët i flakën zemrat e tyre para Zotit të tyre, të përulura, të nënshtruara, të thyera, por që tek Ai është kurimi i tyre, të varfëra në të cilën varfëri është pasuria e tyre.

Por, dije o ti musliman! Se punët që fshijnë gjynahet nuk janë të tilla, derisa të jenë në përputhje me atë që ka urdhëruar Allahu i Lartësuar dhe në formën që ka sqaruar i Dërguari i Tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

I Dërguari i Allahut na ka dhënë shembull për këtë gjë, si në hadithin e avdesit, në të cilin ai kushtëzoi përmirësimin e tij.

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) transmeton se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:

“Kush merr avdes dhe e përsos atë, pastaj shkon në xhami dhe i gjen njerëzit t’a kenë mbaruar faljen, Allahu ia jep atij shpërblimin njësoj si ai që është falur me xhemat, pa pakësuar nga shpërblimi i tij asgjë.”[6]

Fjalë e përafërt me këtë ka ardhur edhe në hadithin e transmetuar nga Ukbetu ibën Amir (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:

“Kush mer avdes dhe e përsos atë, pastaj fal dy rekate në të cilët drejtohet me zemrën dhe fytyrën e tij (përqendrohet në të), Xheneti bëhet i detyrueshëm për të (e meriton atë).”[7]

Në këtë temë ka hadith edhe nga Uthman ibën Affani, Zejd ibën Halid el Xhuheni dhe Abdullah ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!).

Përsosja e avdesit nuk mund të jetë veçse ashtu si ka urdhëruar Allahu dhe si e ka sqaruar i Dërguari i Tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), gjë e cila ka ardhur e sqaruar në hadithe të tjera, siç është p.sh. hadithi që transmeton Ebu Ejub el Ensari (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), se ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të thotë:

“Kush mer avdes ashtu si është urdhëruar dhe falet ashtu si është urdhëruar, atij i falen të gjitha ato që kanë kaluar prej punëve -dhe në një transmetim tjetër: prej gjynaheve të tij.”[8]

Të gjitha këto bëjnë që pendimi të jetë detyrë e domosdoshme si për gjynahet e mëdha ashtu edhe për të voglat.

Nëse njeriu bën ndonjë vepër të keqe, apo ndonjë gabim, le ta pasojë atë me pendim të sinqertë, që ta fshijë atë. Duke ditur se Allahu është Ai që të jep sukses, Ai është që ka premtuar dhe tek Ai është kthimi dhe përfundimi.

Këtë gradë të lartë e ka sqaruar edhe dijetari i madh es Seffarini, në librin “Leuamiu el Envar el Behijje”-“Shkëlqimi i dritave madhështore” (1/380-381), ku thotë:

“Siç e thamë më lartë, e sakta dhe e vërteta është se pendimi është detyrë edhe për gjynahet e vogla, ashtu si për të mëdhatë. Thuhet gjithashtu, se për gjynahet e vogla nuk është nevoja të pendohesh, pasiqë ato fshihen nëse i largohesh të mëdhave, siç thotë Allahu i Lartësuar:

﴿إنْ تَجْتَنِبُوا كَبائِرَ ما تُنْهَوْنَ عَنْهُ نُكَفِّرْ عَنْكُمْ سَيِّئَاتِكُمْ وَ نُدْخِلْكُمْ مُدْخَلاً كَرِيمًا﴾

“Në qoftë se ju i mënjanoni gjynahet e mëdha që jeni ndaluar t’i kryeni, Ne do t’ju shkarkojmë nga gjynahet e lehta (e vogla) dhe do t’ju pranojmë në një hyrje Madhështore (në Xhenet).” [En Nisa: 31].

Hafiz Ibën Raxheb (Allahu e mëshiroftë!) thotë:

“Shokët tanë dhe fukahatë e tjerë -dijetarët e jurisprudences, si dhe dijetarët e elokuencës, bindjeve, e të tjerë, e kanë bërë vaxhib-obligim pendimin prej gjynaheve të vogla dhe të mëdha.

Edhe Allahu i Lartësuar ka urdhëruar për pendim, pasi ka përmendur gjynahet e vogla dhe të mëdha, në Fjalën e Tij:

﴿قُلْ لِلْمُؤْمِنِينَ يَغُضُّوا مِنْ أَبْصارِهِمْ وَ يَحْفَظُوا فُرُوجَهُمْ … وَ قُلْ لِلْمُؤْمِناتِ يَغْضُضْنَ مِنْ أَبْصارِهِنَّ وَ يَحْفَظْنَ فُرُوجَهُنَّ … ﴾

“Thuaju besimtarëve që ta ulin shikimin (nga të vështruarit e gjërave të ndaluara) dhe t’i ruajnë vendet turpit … Thuaju edhe besimtareve të ulin shikimin dhe t’i ruajnë vendet e turpit…”

“Dhe që të gjithë ju pendohuni tek Allahu që t’ju falë të gjithëve, o besimtarë, që të mund të jeni të fituar.” [En Nur: 30-31].

Madje ka urdhëruar që të pendohesh posaçërisht për gjynahet e vogla, në Fjalën e Tij:

“Oju që keni besuar! Mos të tallet një grup me një grup tjetër…

Dhe kushdo që nuk pendohet, atëherë të këtillët janë me të vërtetë keqbërës.” [El Huxhurat: 11].

Hafizi thotë:

“Ka prej njerëzve që e nuk quajnë obligim pendimin prej gjynaheve të vogla (kishte për qëllim me këtë fjalë, një grup prej Mutezilive)”

Ndërsa disa prej dijetarëve të mëvonshëm konsiderojnë të obligueshme njërën prej dy gjërave: ose të pendohesh për to (gjynahet e vogla), ose të kryesh disa punë të mira që janë fshirëse të tyre.

Ibën Atije, në “Tefsirin” e tij thotë; se në faljen e gjynaheve të vogla, si pasojë e kryerjes së detyrave dhe largimit prej gjynaheve të mëdha, ka dy mendime dijetarësh:

I pari -duke e drejtuar atë tek një grup dijetarësh të fikhut dhe të hadithit- mendojnë prerë se ato fshihen me largimin prej gjynaheve të mëdha, duke u argumentuar me domethënien e drejtpërdrejtë të ajetit Kuranor dhe me hadithin.

I dyti -e ai është mendimi i dijetarëve të Usulit-bazave të fikhut-, të cilët nuk shohin prerë fshirjen e tyre, por se shpresojnë dhe ka mundësi që të fshihen si pasojë e largimit prej të mëdhave dhe se kjo është në dorë të Allahut të Lartësuar.

Kjo sepse, nëse do të ishte e prerë fshirja e tyre në këtë formë, atëherë gjynahet e vogla do të ishin njësoj me gjërat që janë të lejuara (që as nuk është urdhëruar për to e as nuk është ndaluar prej tyre), për të cilat nuk ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë, gjë kjo e cila bie në kundërshtim me qëllimet e Sheriatit dhe shpirtin e tij.

Hafizi (Ibën Raxhebi) thotë:

“Nuk mund të thuhet prerë se ato fshihen në këtë formë, sepse hadithet që shprehin fshirjen e tyre me punë të mira kanë kushtëzuar përsosjen e punës, siç ka ardhur për avdesin dhe Salatin-faljen, kështu që nuk mund të realizohet ekzistenca e punës së përsosur, e cila shkakton fshirjen e tyre.”

Mbi këtë kundërshtim mes dijetarëve ngrihet obligueshmëria e të penduarit për gjynahet e vogla.

Dhe meqënëse gjynahet e vogla shndërrohen në të mëdha si pasojë e vazhdueshmërisë në to, atëherë duhet për vepërmirët që t’i ruhen e t’i largohen vazhdueshmërisë së tyre, në mënyrë që të jenë të larguar prej mëkateve të mëdha dhe të punëve të ndyta, duke ditur se Allahu i Lartësuar thotë:

﴿وَ ما عِنْد اللهِ خَيْرٌ و أَبْقَى لِلَّذِيْنَ آمَنُوا وَ على رَبِّهِمْ يَتَوَكَّلُونَ. وَ الَّذِينَ يَجْتنِبُونَ كَبائِرَ الإثْمِ وَ الفَواحِشَ وَ إذا ما غَضِبُوا هُمْ يَغْفِرُونَ. وَ الذينَ اسْتَجابُوا لِرَبِّهِمْ وَ أقامُوا الصَّلاةَ وَ أمْرُهُمْ شُورَى بَيْنَهُمْ وَ مِمَّا رَزَقْناهُمْ يُنْفِقُونَ. وَ الذينَ إذا أصابَهُمُ البَغْيُ هُمْ يَنْتَصِرُونَ. وَ جَزَاءُ سَيِّئَةٍ سَيِّئَةٌ مِثْلُها. فَمَنْ عَفا وَ أصْلَحَ فَأجْرُهُ على اللهِ﴾

“…Por ajo që është tek Allahu (Xheneti), është më e mirë dhe më e gjatë për ata që besojnë dhe i vënë shpresat tek Zoti i tyre (për gjithçka).

Dhe ata që mënjanojnë gjynahet e mëdha dhe el Favahish (zinanë-marrëdhëniet e ulëta të paligjshme imorale) si dhe sa herë që zemërohen, ata falin.

Dhe ata që i përgjigjen Thirrjes së Zotit të tyre (për të besuar se Ai është i Vetmi Zot, Allahu, për ta adhuruar vetëm Atë, Një e të Vetëm), edhe e kryejnë faljen e namazit, dhe që i rregullojnë punët me këshillim mes tyre, edhe ata që shpenzojnë nga ato (mirësi) që Ne u kemi dhuruar.

Edhe ata që kur u bëhet ndonjë padrejtësi shtypëse (nuk frikësohen), por i japin vetes dhe marrin hak.

Shpërblimi për një të keqe është një e keqe e barabartë me të, por kushdo që fal dhe bën pajtim, shpërblimi i tij është tek Allahu. Vërtet që Ai nuk i do Dhaliminët (shtypësit, keqbërësit, politeistët).” [Esh Shura: 36-40].

Këto Ajete kanë përshkruar besimtarët në kryerjen e asaj me të cilën i ka urdhëruar Allahu prej besimit, mbështetjes tek Allahu, kryerjes se faljes, dhënies së sadakasë prej asaj me të cilën i ka furnizuar Allahu dhe përgjigjes së Thirrjes së Allahut në të gjitha kërkesat e Tij, dhe në të njëjtën kohë, ata i largohen gjynaheve të mëdha dhe punëve të ndyta. Të gjitha këto vërtetojnë tek besimtari Takvan-devotshmërinë ndaj Allahut dhe ruajtjen e Tij (ruajtjen e kërkesave të Tij)…”

Këtu mbaron fjala e Es Seffarinit (Allahu e mëshiroftë!).

 

Së treti:

Gjërat prej të cilave duhet të pendohesh dhe

pa largimin e të cilave, njeriu nuk e meriton të konsiderohet i penduar

Vijon …

______________________________________

[1] Hadith Sahih për shkak të haditheve që dëshmojnë për të, siç e ka sqaruar autori në librin “Sahih el edhkari ue daifihi” (994, 1262).

[2] E ka nxjerrë Buhariu:11/102-Fet’h el Bari.

[3] E kemi thënë më parë se kush e transmeton.

[4] Hadith Hasen (i mirë) për shkak të haditheve që dëshmojnë për të. E ka nxjerrë Tirmidhiu (3175), Ahmedi (6/159,205), El Hakim (3/393), etj.

[5] Trans. Buhariu (11/213-Fet’h) dhe Muslimi (3/107-109) En Nevevi.

[6] Trans. Muslimi (3/132-133 –En Nevevi).

[7] Trans. Ebu Daudi (564). Hadithi është Sahih-i saktë.

[8] Trans. En Nesai (1/90-91), Ibën Maxhe (1396), etj. Hadithi është Hasen-i mirë.

« Faqa e mëparshme   Faqa tjetër »