Drejtimi i shpirtit në rregullat e

PENDIMIT TE SINQERTE (9)

Autor: Selim ibën Ijd el Hilali


Kapitulli i trembëdhjetë

Pendimi i atij që shpif për të ndershmin

dhe i atij që gënjen

Pendimin e atij që shpif për të ndershmin, e ka përmendur Ibën el Kajim (Allahu e mëshiroftë!), në librin “Medarixhu es salikin”, ku thotë:

“Pendimi i shpifësit bëhet duke përgënjeshtruar veten e tij, sepse kjo është e kundërta e gjynahut që ai ka kryer dhe me të cilin ka nëpërkëmbur nderin e muslimanit. Pendimi i tij nuk është i vlefshëm vetëm nëse përgënjeshtron vetveten e tij, me qëllim që të mohojë turpin që ia ka mveshur viktimës së shpifjes së tij, gjë e cila është qëllimi i pendimit.

Ndërsa fjala e atyre që thonë se pendimi i tij është të thotë: “I kërkoj falje Allahut nga shpifja, duke e pranuar se kjo gjë është e ndaluar, kjo fjalë e tyre është e dobët, pasi që në këtë rast, viktima nuk ka asnjë lloj dobie dhe as nuk e rifiton pastërtinë e nderit dhe ndërgjegjes së tij nga ajo shpifje që i është mveshur. Kështu që, nuk është realizuar qëllimi i të penduarit nga ky gjynah, pasiqë ai përmban dy të drejta;

E drejta e Allahut dhe e drejta e njeriut. E drejta e Allahut është ndalimi nga shpifja për të ndershmin dhe pendimi prej tij është duke kërkuar falje tek Allahu, duke e pranuar se ke bërë gjynah, dhe ajo është e ndaluar, duke u pikëlluar për atë dhe duke vendosur se nuk do t’a përsëritësh më.

E drejta e njeriut, ka të bëjë me hedhjen pluhur mbi nderin e tij, kështu që pendimi prej tij bëhet duke përgënjeshtruar vetveten. Pra, të penduarit nga ky gjynah, realizohet duke i bashkuar të dyja këto gjëra; kërkimin e faljes nga Allahu dhe përgënjeshtrimin e vetvetes.

Nëse thuhet: Sikur ai të jetë i sinqertë dhe t’a ketë parë imoralitetin me sytë e tij, pastaj e përhap atë, atëherë si mund t’a përgënjeshtrojë vetveten dhe të thotë se ka gënjyer, pastaj kjo të jetë prej realizimit të plotë të pendimit të tij?!

Atëherë thuhet: Ky është problemi për shkak të të cilit, autori i asaj fjale ka thënë: “Pendimi i tij realizohet duke pohuar se shpifja është e ndaluar dhe duke kërkuar falje për të. Këtu është nevoja për të sqaruar gënjeshtrën me të cilën ka gjykuar Allahu kundër shpifësit, duke thënë se ai është gënjeshtar tek Allahu, edhe nëse lajmi i tij është në përputhje me realitetin.”

Për të sqaruar këtë, themi: Me fjalën “gënjeshtër”, janë për qëllim dy gjëra:

E para: Lajmi që nuk është në përputhje me realitetin, dhe ai është dy llojesh: gënjeshtër e qëllimshme dhe gënjeshtër e paqëllimshme. Gënjeshtra e qëllimshme është e njohur, ndërsa gënjeshtra e paqëllimshme është si ajo e Ebu Senabil-it, kur dha gjykim për gruan të cilës i vdes burri, se ajo duhet të presë katër muaj e dhjetë ditë, që t’i lejohet të martohet me dikë tjetër. Por i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Ebu Senabil ka gënjyer.”[1]

Kjo lloj gënjeshtre është gënjeshtër e paqëllimshme dhe kuptimi i saj është se thënësi i asaj fjale ka gabuar.

E dyta prej llojeve të gënjeshtrës, është ai lajm i cili nuk lejohet të përhapet, edhe nëse ai është i vërtetë dhe në përputhje me realitetin. Shembull për këtë është lajmi i atij që shpif për dikë dhe nuk ka dëshmitar që t’a kenë parë imoralitetin me sytë e tyre, përveç vetes së tij. Ky person është gënjeshtar në gjykimin e Allahut, edhe nëse lajmi i tij është i vërtetë. Për këtë shkak, Allahu i Lartësuar thotë: “Përderisa ata nuk sollën dëshmitarë, atëherë tek Allahu, ata janë gënjeshtarët.” [En Nur: 13].

Për këtë person, Allahu ka dhënë vendim që të ndëshkohet me dënimin e trilluesit gënjeshtar, edhe nëse lajmi i tij është i vërtetë.

Sipas kësaj, pendimi i tij nuk mund të realizohet, derisa të pohojë se ai është gënjeshtar tek Allahu, ashtu siç ka thënë Allahu për të. Nëse ai nuk e pohon se është gënjeshtar, përderisa Allahu e ka quajtur gënjeshtar, atëherë ç’pendim mund të ketë për të?!

A nuk është kjo këmbëngulje dhe shfaqje e kundërshtimit për vendimin e Allahut të Lartësuar, me të cilin vendim, Ai ka gjykuar kundër tij?!”[2]

 


[1] Ky hadith është i saktë.

[2] “Medarixhu es salikin” (1/363-365).


 

Kapitulli i katërmbëdhjetë

Pendimi i vjedhësit, të cilit i është

prerë dora në dënim

Për pendimin e vjedhësit, të cilit i është prerë dora në dënimin e vjedhjes, ka kundërshtim në mesin e dijetarëve; nëse kthimi i plaçkës së vjedhur është apo jo kusht për realizimin e pendimit?

Ata janë pajtuar se prej kushteve të vlefshmërisë së pendimit të tij, është kthimi i plaçkës së vjedhur, nëse e posedon atë plaçkë.

Por ata kanë mendime të ndryshme, për rastin kur ajo plaçkë është konsumuar apo është prishur nga vjedhësi.

Imam Shafiu dhe Ahmedi (Allahu i mëshiroftë!) thonë: “Për të qenë pendimi i tij sa më i plotë, ai duhet t’ia kompensojë atë që i ka vjedhur pronarit të saj. Kjo është detyrë e domosdoshme për të, qoftë ai i pasur apo i varfër.”

Ndërsa imam Ebu Hanife (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Nëse atij i është prerë dora dhe plaçka e vjedhur është konsumuar, atëherë ai nuk e ka të detyrueshme kompensimin e saj dhe as nuk qëndron në të vlefshmëria e pendimit të tij, pasi që prerja e dorës është shpërblimi i përgjithshëm i tij, ndërsa kompensimi është dënim i tepërt, i paligjëruar.

Por ndryshon çështja e atij që e posedon ende plaçkën e vjedhur, pasiqë pronari i saj e ka gjetur plaçkën e tij dhe marrja e saj prej vjedhësit, nuk konsiderohet dënim i dytë për të, ndryshe nga kompensimi, i cili është gjobë, pas prerjes së dorës së vjedhësit, kështu që nuk mund t’i bashkojmë atij dy dënime, atë të prerjes së dorës dhe atë të kompensimit të plaçkës së vjedhur.”

Për këtë shkak, Allahu nuk ka përmendur për vjedhësin dhe atë që i lufton muslimanët, dënim tjetër përveç zbatimit të dënimit të caktuar kundra tyre.

Ndërsa autorët e fjalës së parë thonë: Në plaçkën e vjedhur janë bashkuar dy të drejta; e drejta e Allahut dhe e drejta e njeriut. Të dyja këto të drejta janë të ndryshme nga njëra-tjetra, kështu që nuk mund të rrëzohet njëra prej tyre nga tjetra, por duhen çuar në vend që të dyja. Prerja e dorës është e drejtë e Allahut, ndërsa kompensimi i plaçkës së vjedhur është e drejtë e pronarit të saj, për këtë shkak, prerja e dorës nuk mund të kthehet mbrapsht nëse ngrihet çështja te gjykatësi, ndërsa kompensimi mund të rrëzohet, nëse pronari i plaçkës së vjedhur heq dorë nga ajo.

Ndërsa dijetarët e Medines, imam Maliku e të tjerë, zgjodhën një rrugë të mesme, duke thënë: “Nëse vjedhësi posedon pasuri, atëherë duhet t’a kompensojë plaçkën e vjedhur, edhe pas prerjes së dorës, ndërsa në të kundërt, nëse ai nuk ka pasuri, atëherë nuk kompenson gjë prej saj.”

Ky mendim është shumë i mirë, më afër bazave dhe drejtësisë së sheriatit, si dhe më parësor për t’u marrë. Dhe Allahu e di më mirë.

Kapitulli i pesëmbëdhjetë

Pendimi i vrasësit me paramendim

Vijon …