Drejtimi i shpirtit në rregullat e

PENDIMIT TE SINQERTE (8)

Autor: Selim ibën Ijd el Hilali
Përktheu: Bledar Albani


 

Kapitulli i njëmbëdhjetë

Pendimi i atij i cili nuk ka mundësi t’a kthejë atë hak që ka shkelur

 

Kjo mund të përfytyrohet në të drejtat e Allahut dhe në të drejtat e njerëzve.

Së pari: Në lidhje me të drejtat e Allahut mbi njerëzit, si p.sh. lënia e namazit me vetëdije dhe pa arsye justifikuese, duke qenë i ndërgjegjshëm se namazi është i detyrueshëm dhe më pas pendohesh për këtë mangësi.

Në lidhje me këtë çështje, selefët janë ndarë në dy grupe:

Grupi i parë thotë: Pendimi i këtij personi realizohet duke ndjerë keqardhje për atë që ka lënë mangut dhe duke u përpjekur që t’i kompensojë ato namaze të detyrueshme që ka lënë pa falur, d.m.th. t’i falë kaza.

Kjo është fjala e katër imamëve të medhhebeve, e disa të tjerëve përveç tyre.

Grupi i dytë thotë: Pendimi i tij realizohet duke vepruar mirë që këtej e tutje, ndërsa kompensimi i atyre që kanë kaluar nuk bën dobi dhe as nuk pranohet prej tij, as nuk e ka të detyrueshme.

Kjo është fjala e dhahirive – atyre që mbështeten në kuptimin e drejtpërdrejtë të teksteve të sheriatit, si dhe e një grupi prej selefëve.

Argumentet e atyre që e konsiderojnë të detyrueshëm faljen e tyre kaza:

Fjala e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Kush ka qenë në gjumë, në kohën e namazit, apo e ka harruar një namaz, atëherë t’a falë atë, kur t’a kujtojë atë!”[1]

Sipas këtyre, përderisa falja kaza është e detyrueshme për atë që ka qenë në gjumë apo që e ka harruar një namaz, duke qenë se nuk e kanë bërë këtë me qëllim, atëherë për atë që e ka lënë me qëllim është më primare që t’i falë kaza namazet e lëna.

  • ·         Ai kishte për detyrë dy gjëra: Faljen e namazit dhe kryerjen e saj në kohën e vet. Meqë e ka lënë njërën, atëherë ngel tjetra.
  • ·         Nëse njeriu nuk e arrin të gjithë mirësinë e një vepre, atëherë të arrijë prej saj sa të mundë, d.m.th. të falet pas kalimit të kohës së namazit.
  • ·         I Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Nëse u ngarkoj me diçka, veproni prej saj sa të mundni!” Kështu që, ky mundet t’a falë namazin pas kohës së tij dhe si rrjedhojë, e ka detyrë të kryejë prej tij sa të mundet.
  • ·         Si mund të imagjinohet për sheriatin që të bëjë lehtësim për atë person që e lë namazin me qëllim, duke kundërshtuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), ndërsa në anën tjetër, e bën atë të detyrueshëm për atë që ka qenë në gjumë apo e ka harruar një namaz?!
  • ·         I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e vonoi faljen e namazit të ikindisë, në ditën e luftës së Ahzabit, deri pas perëndimit të diellit. Kjo tregon se namazi mund të kryhet edhe pas daljes së kohës së tij, edhe nëse e ke lënë atë me qëllim, qoftë me arsye, si në këtë rast, apo pa arsye. Vonimi i namazit nga koha e tij në këto raste, ndryshon në lidhje me marrjen gjynah apo mosmarrjen dhe jo nëse falja e tij kaza është e detyrueshme apo jo.
  • ·         Çdo i penduar e ka rrugën të hapur për t’u penduar, kështu që si mund t’i mbyllet kjo derë dhe t’i hidhet në qafë gjynahi i lënies së namazit?! Kjo nuk përputhet me bazat e sheriatit, me urtësinë, mëshirën dhe përkujdesjen e tij për realizimin e interesave dhe dobive të njerëzve, në këtë botë dhe në botën tjetër.

Këto janë argumentet kryesore me të cilat mund të argumentohen autorët e kësaj fjale.

Argumentet e palës tjetër:

  • ·       Nëse një adhurim konkret urdhërohet të kryhet sipas një forme apo kohe të caktuar, atëherë i urdhëruari nuk mund të konsiderohet se e ka zbatuar urdhërin, vetëm nëse e kryen atë ashtu siç është kërkuar prej tij.
  • ·       Falja e namazit pas daljes së kohës së tij, është njësoj sikur të falesh në drejtim tjetër nga ai i Kibles, apo sikur të bëje sexhde me faqe në vend të ballit, e kështu.
  • ·       Të drejtat e Allahut, të cilat janë të kufizuara me një kohë të caktuar, Allahu nuk i pranon ato veçse në atë kohë të caktuar. Ashtu si nuk pranohen nëse kryhen para hyrjes së kohës, po ashtu nuk lejohen edhe pas daljes së saj. Ai që thotë: Unë do të agjëroj muajin e Shevalit në vend të Ramazanit, është njësoj si ai që thotë: Unë do të agjëroj muajin Shaban, i cili vjen pas Ramazanit. Por që të dyja këto janë të papranueshme.
  • ·       I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kush e lë namazin e ikindisë, atij i fshihen të gjitha punët.”[2]
  • ·       Në një transmetim tjetër thuhet: “Atij që i shpëton pa falur namazi i ikindisë, është njësoj sikur t’i jetë ndarë familja dhe pasuria e tij.”[3]

 

Sikur të kishte rrugë për arritjen dhe kompensimin e tij, nuk do t’i fshiheshin të gjitha punët dhe nuk do t’i ndahej familja e pasuria.

·         Kjo gjë (falja e namazit kaza) nuk është përcjellë nga i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), i cili thotë: “Çdo vepër që nuk kryhet sipas çështjes sonë, ajo është e refuzuar.”[4]

Kështu që, nëse vërtetohet se kjo vepër është e refuzuar, atëherë del se ajo nuk është e saktë dhe as e vlefshme.

·         Argumentimi i tyre me hadithin: “Kush ka qenë në gjumë, në kohën e namazit, apo e ka harruar një namaz, atëherë t’a falë atë, kur t’a kujtojë atë!” është i pasaktë, sepse një vepër e mvarur nga një kusht, bie me rënien e tij.

 Kështu që, nuk iu ka ngelur veçse të argumentuarit me krahasimin (kijasin) e atij që e ka lënë namazin me qëllim dhe që meriton të dënohet, me atë që e ka lënë atë me arsye të justifikueshme në sheriat, e cila gjë nuk konsiderohet gjynah apo neglizhencë, siç ka ardhur në hadithin e saktë: “Gjumi nuk është neglizhim, por neglizhimi është kur je zgjuar dhe e vonon namazin, deri sa të hyjë koha e namazit tjetër që vjen pas tij.”[5]

 A ka në botë, krahasim më të pasaktë e më të kotë se ky?!

Përveç kësaj, ai që ishte në gjumë, nuk e ka vonuar namazin nga koha e tij, sepse koha e tij, në këtë rast është koha në të cilën është urdhëruar që t’a kryejë namazin, d.m.th. kur të zgjohet apo të kujtohet, siç ka thënë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Kush ka qenë në gjumë, në kohën e namazit, apo e ka harruar një namaz, atëherë t’a falë atë, kur t’a kujtojë atë, sepse ajo është koha e tij. Allahu i Lartësuar thotë: “Fale namazin në kujtimin  Tim.” [Ta ha, 14].

 Te shumë dijetarë të gjuhës, kuptimi i këtij ajeti është: “Kur të më kujtosh mua”, apo “në kohën kur të më kujtosh.”

 Sipas kësaj, i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), kur e ka falur namazin e sabahut, në ditën e el Vadi, të cilin e fali pas lindjes së diellit, nuk e ka falur atë veçse në kohën e tij të vërtetë.

·         Fjala juaj: “Ky është i penduar, si mund t’ia mbyllni atij derën e pendimit dhe t’i hidhni në qafë gjynahin e lënies së namazit?!”

Allahu na ruajtë nga mbyllja e asaj dere që ka hapur Allahu për të gjithë robërit e tij mëkatarë, derë të cilën nuk ia ka mbyllur askujt, deri në vdekjen e tij, apo deri sa të lindë dielli nga perëndimi i tij!

Por ne po diskutojmë për mënyrën e pendimit të tij dhe realizimin e atij pendimi; a e ka të detyrueshme faljen e namazeve të lëna, apo duhet të vazhdojë me vepra të mira që tani e tutje, ndërsa ato që kanë kaluar të mos llogariten as për të dhe as kundra tij?

Në këtë rast, ai është njësoj si mosbesimtari që bëhet musliman, i cili nuk ka për detyrë të kompensojë të gjitha ato që i kanë kaluar prej urdhërave, qoftë kufri i tij origjinal apo që ka dalë nga Islami pasi që ka qenë musliman, për të cilin janë bashkuar sahabet unanimisht, duke mos kërkuar prej murtedinëvefaljen kaza të namazeve të lëna, kur ata u kthyen në Islam.

Kështu që, më parësore për t’u marrë është fjala se pranimi i pendimit të lënësit të namazit, nuk qëndron në kompensimin e namazeve të lëna, duke i falur ato kaza. Dhe Allahu e di më mirë.

Së dyti: Në lidhje me të drejtat e njerëzve

Kjo mund të përfytyrohet në disa çështje:

E para: Një person që vjedh pasuri prej dikujt dhe më pas pendohet, por nuk mundet që t’ia kthejë atë pronarit të saj, apo trashëgimtarëve të tij, ose për shkak se ai nuk i njeh ata, ose se ata kanë vdekur të gjithë, apo për ndonjë shkak tjetër.

Për pendimin e këtij ka kundërshtim.

Një grup thotë se për të nuk ka pendim, deri sa t’ia kthejë të drejtat atyre që i kanë. Nëse nuk e bën këtë, atëherë atij i merret haku në Ditën e Llogarisë, duke marrë prej veprave të mira të tij apo duke e ngarkuar me të këqiat e atij tjetrit. Rrugë tjetër nuk ka, sepse kjo është e drejtë e njeriut dhe Allahu nuk lë gjë pa çuar në vend prej të drejtave të njeriut.

Ndërsa një grup tjetër thotë se dera e pendimit është e hapur për të dhe se Allahu nuk e ka mbyllur për askënd derën e pendimit. Por pendimi i tij është që t’i japë sadaka ato të holla që ka vjedhur, duke qenë zëvendës i pronarëve të tyre në to, d.m.th. sadakaja t’u llogaritet atyre. Ndërsa në Ditën e Llogarisë, ata kanë të drejtë të zgjedhin; nëse e pranojnë sadakanë e dhënë prej tij, apo duan t’i marrin hakun me vepra të mira të marra nga ai, ndërsa ajo sadaka që ai ka dhënë, në këtë rast i llogaritet atij, sepse Allahu nuk e humb sevapin e saj dhe as nuk i bashkon të dyja ato për pronarët e parë.

Kjo është edhe fjala e një grupi prej sahabeve, siç është përcjellë nga Ibën Mesudi, Muavija dhe Haxhaxh ibën esh Shair (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!).

Po kështu veprohet edhe me gjënë e gjetur, nëse nuk gjendet pronari i saj pas kërkimit të tij dhe gjetësi nuk dëshiron t’a mbajë atë për vete, atëherë e jep atë sadaka në llogari të pronarit të saj.

E dyta: Nëse dikush lidh marrëveshje me dikë tjetër për një punë që është haram, si p.sh. marrja e pagesës nga imoralja, apo nga këngëtari, ose shitësi i alkoolit, dëshmitari i rrejshëm, etj. Më pas pendohet, duke qenë se ato të holla janë në dorën e tij apo asaj. Si të veprojë në këtë rast?

Një grup dijetarësh thotë se ato të holla duhet të kthehen te pronari i tyre, sepse ato janë pronë e tij, ndërsa ai tjetri nuk i ka fituar ato me punë të lejuar në sheriat.

Ndërsa një grup tjetër thotë se pendimi i tij bëhet duke i dhënë ato sadaka dhe të mos ia kthejë pronarit të tyre. Kjo është edhe zgjedhja e dijetarit të Islamit, Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) dhe ky është mendimi më i saktë, pasi që pronari i atyre të hollave i dha ato kundrejt një përfitimi të ndaluar, përveç kësaj, si mund t’i lejohet atij të marrë edhe mallin edhe çmimin e tij?

Si mund t’i kthehet atij ajo pasuri, me anë të së cilës ai pati mundësi të kryente haramin dhe me po të njëjtën pasuri, t’i jepet mundësia që ai t’a përsërisë atë haram?!

A nuk është kjo gjë, ndihmesë për në vepra të këqia dhe arrogancë?

A përputhet kjo me drejtësinë e sheriatit; që imoralit t’i kthehen të gjitha ato që pagoi kundrejt shfryrjes së epsheve të tij në haram, duke i marrë ato të holla me të mirë apo me forcë nga ajo me të cilën ai bëri imoralitet?!



[1] E ka nxjerrë Buhariu (2/70 – Fet’h) dhe Muslimi (684).

[2] E ka nxjerrë Buhariu (2/31-66- Fet’h).

[3] E ka nxjerrë Buhariu (2/30 – Fet’h) dhe Muslimi (626).

[4] E ka nxjerrë Muslimi (12/16 – Nevevi).

[5] E ka nxjerrë Muslimi (681).

Kapitulli i dymbëdhjetë

Të drejtat e njerëzve

Prej rregullave të pendimit, nëse ai ka lidhje me të drejtat e ndonjë njeriu, janë gjithashtu pikat e mëposhtme:

  • ·         I penduari duhet të nxjerrë nga vetja e tij atë hak që i ka shkelur tjetrit; ose duke ia shlyer atë, ose duke i kërkuar që t’ia bëj hallall, pasi që e ka pranuar atë padrejtësi që ka bërë, në sy të tjetrit, edhe nëse ajo e drejtë e shkelur është pasuri, apo krim në trupin e tij apo të ndonjë të afërmi të tij. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kush i ka bërë vëllait të tij ndonjë padrejtësi në pasuri apo trup, atëherë të kërkojë që ai t’ia bëjë hallall sot, para se të vijë ajo ditë, ku nuk do të ketë dinar e as dirhem, por vepra të mira e të këqia.”
  • ·         Nëse padrejtësia ka qenë duke folur keq për vëllanë tënd, duke e mbajtur me gojë apo duke e akuzuar në nder, atëherë a është kusht për pendimin prej kësaj, të njoftuarit e hollësishëm atij dhe kërkimi i faljes prej tij, apo mjafton të pohojë se ai ka folur keq për të dhe nuk është kusht tregimi se çfarë ka thënë pikërisht?

Apo nuk është kusht as njëra dhe as tjetra, por mjafton të pendohet tek Allahu, ndërmjet tij dhe Zotit të tij?

Për këtë ka tre mendime në mesin e dijetarëve:

Nga Ahmedi janë përcjellë dy transmetime, njëri thotë se është kusht, ndërsa tjetri thotë jo.

Ndërsa ajo që njihet në medhhebin Shafii, Hanefi dhe Maliki, është kushtëzimi i njoftimit të tjetrit dhe kërkimi prej tij që të ta bëjë hallall. Kjo është përmendur në librat e tyre.

Këta janë argumentuar me fjalën e të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Kush i ka bërë vëllait të tij ndonjë padrejtësi në pasuri apo trup, atëherë të kërkojë që ai t’ia bëjë hallall sot…”

Gjithashtu thonë: Në këtë krim janë bashkuar dy të drejta; një e drejtë e Allahut dhe një e drejtë e njeriut. Kështu që, për t’u penduar prej tij, duhet marrë aprovimi i njeriut për zbritjen nga e drejta e tij duke t’a bërë hallall, ndërsa ndërmjet teje dhe Allahut është pendimi.

Për këtë shkak, pendimi i atij që vret një njeri, bëhet duke i dhënë kujdestarit të të vrarit, të drejtën për të vendosur; nëse ai do, kërkon marrjen e gjakut dhe nëse do, ia fal atë. Po kështu edhe pendimi i atij që u pret rrugën njerëzve.

Ndërsa mendimi tjetër është se njoftimi i vëllait tënd për fjalët e këqia që ke thënë për të, shpifjen dhe mbajtjen e tij në gojë, nuk është kusht për pranimin e pendimit, por mjafton të pendohesh tek Allahu dhe më pas t’a përmendësh për mirë atë vëlla në të njëjtat vende dhe tubime, ku ke folur keq për të. Kështu, e ndërron përgojimin e tij me fjalë të mira dhe lëvdata për të, ndërsa akuzimin e tij në nder, e ndërron me përmendjen e pastërtisë dhe pafajësisë së tij, si dhe kërkon falje për të tek Allahu, aq sa e ke përgojuar.

Këtë mendim ka zgjedhur edhe dijetari ynë, Ebu el Abas ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!).

Thënësit e kësaj fjale janë argumentuar kështu: Njoftimi i tij për fjalët e këqia të thëna për të, është tërësisht negative dhe nuk përmban asnjë lloj dobie e të mire, pasiqë atij nuk i shtohet veçse ofendim, rëndim dhe mërzitje, ndërkohë që para dëgjimit të saj, ai ka qenë i qetë. Përveç kësaj, ndodh që pas dëgjimit të atyre fjalëve, të mos i durojë ato dhe të lëndohet fizikisht apo shpirtërisht.

Sigurisht që vepra me pasoja të atilla, nuk është e lejuar në sheriat dhe aq më pak, të jetë e detyrueshme dhe e urdhëruar.

Gjithashtu thonë: Ndodh që njoftimi i tij me ato fjalë, të jetë shkak për lindjen e armiqësisë dhe të luftës ndërmjet tyre, duke e shndërruar kështu përgojimin e shpifjen në një sherr më të madh se ai, gjë e cila është në kundërshtim me bazat e sheriatit, i cili thërret në bashkimin e zemrave, mëshirimin e njëri-tjetrit, butësinë dhe dashurinë me njëri-tjetrin.

Dallimi ndërmjet këtyre lloj të drejtash dhe të drejtave materiale e fizike, qëndron në dy aspekte:

Aspekti i parë: Ai mund të përfitojë prej atyre të hollave, nëse ia kthen ato, kështu që nuk lejohet të fshihen nga ai, sepse ato janë e drejtë e plotë e tij, kështu që duhen dorëzuar tek ai, ndryshe nga përgojimi e shpifja, për të cilat ai nuk ka ndonjë përfitim nëse njoftohet me to, përkundrazi, vetëm dëm e sherr. Pra, këto të dyja nuk mund të krahasohen kurrë me njëra-tjetrën.

Aspekti i dytë: Nëse e njofton atë për disa të holla që i ke marrë atij, apo që i ke gjetur dhe ato janë të atij, nuk e dëmton atë dhe as nuk mbjell tek ai urrejtje e armiqësi, përkundrazi, kjo gjë mund t’a gëzojë atë.

Kjo ndryshon nga të njoftuarit e tij me diçka që i ka nëpërkëmbur nderin për gjithë jetën e tij. Kështu që këto të dyja nuk mund të krahasohen me njëra-tjetrën dhe siç e ke vënë re, ky është mendimi i saktë në këtë çështje, por Allahu e di më mirë.

Kapitulli i trembëdhjetë

Pendimi i atij që shpif për të ndershmin

dhe i atij që gënjen

Vijon …