Drejtimi i shpirtit në rregullat e

PENDIMIT TE SINQERTE (7)

Autor: Selim ibën Ijd el Hilali
Përktheu: Bledar Albani


Kapitulli i tetë

Gjendja e njeriut pas pendimit

Nëse njeriu pendohet prej gjynahut, a kthehet në gradën që ka qenë më parë dhe nga e cila gradë ai gjynah e zbriti atë, apo jo?

Dijetarët kanë rënë në kundërshtim për këtë çështje:

Një grup thotë se ai kthehet në gradën që ka qenë para gjynahut, sepse pendimi e fshin gjynahun plotësisht, sikur të mos kishte ndodhur. Nëse gjynahu e zbriti atë nga grada e tij, atëherë pendimi e ngriti atë përsëri në atë gradë.

Një grup tjetër thotë se ai nuk kthehet më në atë gradë dhe në atë gjendje që ka qenë, sepse ai nuk ka qenë duke qëndruar në vend, por ka qenë në ngjitje e sipër, ndërsa me gjynahun e tij zbriti dhe u rrëzua. Kështu që nëse ai pendohet, atij i zbritet aq sa do të ishte ngjitur, nëse nuk do të bënte gjynahun.

Shembulli i këtij është si ai i dy burrave që ecin në të njëjtën rrugë, por në rrugë e sipër, njërin prej tyre e pengon diçka dhe e vonon nga shoku i tij, i cili vazhdoi rrugën.

Dijetari i Islamit, Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!), pasi shtroi këtë kundërshtim tha: “E sakta është se disa prej atyre që pendohen nuk kthehen më në gradën e tyre të mëparshme, disa të tjera kthehen përsëri dhe disa ngjiten në shkallë më të lartë se ajo, duke u kthyer në më të mirë se para gjynahut. Daudi (alejhis selam) pas gjynahut,  kthehej më i mirë nga ç’ishte para tij.

Kjo gjë është në varësi të gjendjes së të penduarit pas pendimit; seriozitetit dhe vendosmërisë së tij, kujdesit dhe qëndrueshmërisë së tij. Nëse këto janë më të mëdha nga ç’kanë qenë para gjynahut, ai kthehet në më të mirë nga ç’ka ishte dhe në shkallë më të lartë. Nëse janë njësoj si kanë qenë, ai kthehet në të njëjtën gradë dhe nëse janë më të dobëta, ai nuk kthehet më në atë gradë, por zbret nga ajo.”

Kjo fjalë e Ibën Tejmijes (Allahu e mëshiroftë!) është zgjidhja e kundërshtimit në këtë çështje.

Kush është më i mirë; ai që bindet dhe nuk ka bërë kurrë gjynahe, apo ai që bën gjynahe dhe pendohet sinqerisht tek Allahu?

Në këtë çështje ka gjithashtu kundërshtim në mesin e dijetarëve.

Një grup ka zgjedhur atë që nuk ka bërë gjynahe, duke u argumentuar si më poshtë:

Së pari: Krijesa më e plotë dhe më e mirë është ajo që i bindet më shumë Allahut dhe ai që nuk bën gjynahe është më i bindur, kështu që është më i mirë.

Së dyti: Në kohën që gjynahqari merret me gjynahun e tij, ai tjetri ngjitet disa shkallë më shumë, kështu që grada e tij është më e lartë. Më e mira që mund të bëjë ai pas pendimit të tij është që të vazhdojë rrugën për të arritur shokun e tij, i cili edhe ai vazhdon të ecë, atëherë si mundet që t’a arrijë atë?

Së treti: Qëllimi më i madh me pendimin është fshirja e gjynahut të bërë, duke e vënë personin në vendin e atij që nuk e ka bërë atë gjynah, kështu që koha gjatë së cilës ai ishte i zënë me gjynahun, nuk llogaritet as për të dhe as kundra tij, njësoj sikur ajo të mos ishte fare për të. Kështu që si mund të krahasohet rruga e përshkuar prej këtij me atë të atij që ka ecur pa ndalur?!

Së katërti: Allahu mërzitet kur shkelen Urdhërat e Tij, kështu që në kohën kur ky merrej me gjynahe, atëherë pjesa e tij ishte mërzitja, kurse e atij tjetrit pëlqimi.

Nuk ka dyshim që pëlqimi i vazhdueshëm është më i mirë se pëlqimi që pasohet me mërzitje dhe pastaj përsëri me pëlqim.

Së pesti: Gjynahu është në vend të pirjes së helmit,  pendimi është ilaçi dhe shërimi i tij, ndërsa bindja është shëndeti. Sigurisht që shëndeti i vazhdueshëm është më i mirë se ai që goditet me sëmundje e cila mund të shkaktojë shkatërrim të përhershëm.

Ndërsa një grup tjetër thotë se ai që pendohet pas gjynahut është më i mirë edhe pse ai tjetri ka më shumë vepra të mira se ky. Argumentimi i tyre është si më poshtë:

Së pari: Adhurimi i atij që pendohet është prej më të dashurave te Allahu i Lartësuar dhe më i nderuari tek Ai. Allahu i Madhëruar i do ata që pendohen dhe nëse pendimi nuk do të ishte gjëja më e dashur tek Ai, nuk do të sprovohej me gjynahe krijesa më e nderuar te Ai, njeriu. Ai, për shkak të dashurisë për pendimin e robit të Tij, e sprovon atë me gjynahe, të cilat e nxisin njeriun të pendohet dhe bëhen shkak për shtimin e dashurisë së Allahut për robin e Tij, sepse për të penduarit, Allahu ka një dashuri të veçantë..

Së dyti: Pendimi tek Allahu ka një vend të cilin nuk e ka asnjë bindje a vepër tjetër e mirë, ndaj për këtë shkak Allahu gëzohet me pendimin e robit të Tij kur pendohet, më shumë nga ç’mund të imagjinohet. I Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ka krahasuar atë gëzim, me gëzimin e atij që gjen kafshën e tij të udhëtimit, në të cilën ka pasur ushqimin dhe teshat e tij, i cili gjendej në një shkretëtirë dhe i humbi shpresat nga mundësia për t’a gjetur, madje edhe për të jetuar. Ky lloj gëzimi nuk është thënë për ndonjë vepër tjetër të mirë përveç pendimit.

Kështu që, njeriu me pendimin e tij arrin gradën e të dashurit të Allahut, sepse Allahu i do ata që pendohen dhe e do njeriun që pasi sprovohet, pendohet shumë dhe kthehet tek Allahu me zemër të thyer.

Së treti: Pendimi në vetvete përmban përulje, thyerje të zemrës dhe nënshtrim para Allahut, gjë e cila është më e dashur tek Allahu, se shumë punë të tjera të dukshme. Madje edhe nëse ato janë më të shumta në sasi sesa pendimi, por përulja dhe thyerja e zemrës janë shpirti i adhurimit, truri dhe palca e saj.

Së katërti: Arritja e përuljes dhe thyerjes së zemrës janë më të plota te ai që pendohet se te ç’dokush tjetër. Për këtë shkak njeriu është më afër Allahut kur ai është në sexhde, sepse ajo është vend për përuljen dhe thyerjen e zemrës para Allahut të Madhëruar.

Kjo gjë është edhe e fshehta e pranimit të duasë (lutjes) së tre personave: Atij që i është bërë padrejtësi, udhëtarit dhe agjëruesit, për shkak të thyerjes së zemrës që gjendet në çdonjërin prej tyre.

Së pesti: Gjynahu mund të jetë më i dobishëm për njeriun sesa shumë vepra të tjera të mira, nëse ai do t’a pasonte atë me pendim.

Ky është edhe kuptimi i fjalës së njërit prej selefëve: Njeriu mund të punojë një gjynah dhe të hyjë në Xhenet për shkak të tij, dhe mund të punojë një vepër të mirë e të hyjë në Zjarr për shkak të saj.

– I thanë atij: Si mund të ndodhë një gjë e tillë?

– Ai tha: Kur ai bën gjynahun, ai gjynah vazhdon të qëndrojë para syve të tij. Sa herë që ulet e ngrihet, qëndron apo ecën, ai kujton gjynahun e tij, i cili i shkakton atij thyerje të zemrës, pendim dhe kërkim faljeje e keqardhje, duke u bërë kështu shkak për shpëtimin e tij.

Ndërsa kur ai bën një vepër të mirë, ajo vazhdon të qëndrojë para syve të tij. Sa herë që ulet e ngrihet, qëndron apo ecën, ai kujton të mirën që ka bërë, e cila mbjell te ai vetkënaqësinë dhe mendjemadhësinë, duke u bërë kështu shkak për shkatërrimin e tij.

Së gjashti: Fjala e Allahut të Lartësuar, ku thotë: “…Përveç atyre që pendohen, besojnë dhe bëjnë vepra të mira. Atyre Allahu do t’ua shndërrojë të këqiat e tyre në të mira dhe Allahu është Falës i Madh, Mëshirëplotë.” [El Furkan: 70].

Ky është përgëzimi më i madh për të penduarit, nëse pendimit të tyre u bashkangjitet besim dhe vepër e mirë, të cilat janë domethënia e pendimit.

Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!)  ka thënë: Nuk e kam parë të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të gëzohet më shumë sesa është gëzuar kur zbriti ky ajet (i mësipërm) dhe ajeti: ” Ne të kemi dhënë ty fitore të qartë, që Allahu të të falë ty gjynahet e tua të kaluara dhe të ardhshme, të plotësojë Mirësinë e Tij mbi ty dhe të të udhëzojë ty në Rrugën e Drejtë.” [El Fet’h: 1].

Së shtati: Çdo e keqe që ka bërë i penduari, ajo i shndërrohet atij në të mirë si rezultat i pendimit të tij, sepse ai është penduar për atë të keqe dhe pendimi prej çdo gjynahu është vepër e mirë. Kështu që, çdo gjynah që ai ka bërë, hiqet me pendimin i cili zë vendin e tij, dhe kjo është punë e mirë, duke iu vendosur kështu, në vend të çdo të keqe një e mirë.

Kjo e mirë mund të jetë e barabartë me të keqen që ka bërë, ose më e madhe apo më e vogël se ajo, në varësi të sinqeritetit në pendim.

I Madhëruar qoftë Allahu, Zoti i botëve, Bujari më i Madh, Bamirësi më i Butë! Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Tij dhe Ai është i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti.

Kapitulli i nëntë

A pranohet pendimi prej një gjynahu, nëse vazhdon në një gjynah tjetër

Mutezilitë thonë: Ai që vazhdon në një gjynah tjetër nuk konsiderohet i penduar, sepse nuk ka dallim mes gjynaheve.

Ndërsa pasuesit e Sunetit, të gjithë ata e kundërshtojnë këtë dhe thonë se pendimi i atij që vazhdon në një gjynah tjetër, të një lloji tjetër nga ai i pari, është i saktë dhe i pranuar.

Argumenti i atyre që e konsiderojnë të saktë këtë pendim është: Përderisa pranohet Islami i atij që pendohet prej kufrit edhe nëse vazhdon të bëjë ndonjë gjynah për të cilin nuk është penduar, po kështu pranohet pendimi i atij që pendohet nga një gjynah i caktuar edhe nëse vazhdon në një gjynah tjetër.

Një njeriu mund t’i jepet mundësia që të pendohet prej një gjynahu të caktuar dhe nuk i jepet për një gjynah tjetër të ndryshëm nga i pari. Për shembull: Dikush mund të bjerë në zina (imoralitet) dhe të pijë alkoolin, kjo gjë para se të martohet. Nëse ai martohet, atij i formohen kushtet për t’u penduar nga zinaja, duke ulur shikimin dhe duke ruajtur pjesët e turpshme të tij. Nëse ky pendohet nga zinaja por nuk pendohet nga pirja e alkoolit, atëherë përfundimi është ose pranimi i pendimit prej zinasë, ose mospranimi i saj, përderisa ai vazhdon të pijë alkoolin. Sipas kësaj të dytës, gjendja e tij pas pendimit prej zinasë është e njëjtë me atë para pendimit, e cila do të thotë të barazosh ndërmjet bërjes së gjynahut dhe lënies së tij! Por këtë gjë nuk e pranon mendja e pastër dhe as ai që ka dije për Allahun, për të Dërguarin e Tij dhe për Fenë e Vërtetë, por ai që pretendon se logjika është gjykatësi, ai vjen me gjëra të çuditshme dhe përgjigjet me gjëra të panjohura më parë.

Imam en Nevevi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Pendimi prej një gjynahu është i saktë (pranohet) edhe nëse vazhdohet kryerja e një gjynahu tjetër.”

Ai gjithashtu thotë: “Njeriu duhet të pendohet prej të gjitha gjynaheve dhe nëse ai pendohet vetëm prej disave, ai pendim pranohet prej tij, sipas dijetarëve të së Vërtetës, por ngel që ai të pendohet nga të tjerat.”

 

Kapitulli i dhjetë

A prishet pendimi, nëse përsëritet

i njëjti gjynah

Disa njerëz kanë vënë kusht për pranimin e pendimit, mospërsëritjen e atij gjynahu dhe e konsiderojnë përsëritjen e tij si argument për prishjen e pendimit dhe mospranimin e tij.

Por shumica e dijetarëve janë të mendimit se një gjë e tillë nuk është kusht, por pendimi i saktë qëndron në frenimin prej atij gjynahu, pendimin dhe thyerjen e zemrës (keqardhjen) për bërjen e tij dhe vendimin e prerë se nuk do t’a përsërisë herë tjetër. Pas kësaj, nëse ai e përsërit atë gjynah, duke qenë se kur u pendua vendosi që mos t’a përsërisë më atë, ai është njësoj sikur të kishte bërë një gjynah për herë të parë, duke mos iu prishur pendimi i parë prej të njëjtit gjynah.

O ti vëlla musliman! Dije, se kjo çështje është e ndërtuar mbi një bazë, e cila është: Nëse njeriu pendohet për një gjynah të bërë dhe pastaj e përsërit atë, a i kthehet atij e keqja e atij gjynahu, në atë mënyrë që të meritojë dënimin për gjynahun e parë dhe për përsëritjen e tij, nëse ai vdes duke vazhduar t’a bëjë atë, apo ai i pari është fshirë plotësisht dhe dënimi për të nuk i kthehet më, por do të dënohet vetëm për të fundit?

Në këtë çështje ka dy mendime:

Mendimi i saktë është se e keqja e gjynahut të parë nuk kthehet më, edhe nëse ai e përsërit atë, sepse atë gjynah e ka fshirë pendimi dhe është njësoj sikur të mos jetë kryer, sikur të mos ketë qenë, kështu që nuk i kthehet më atij, por ai që i kthehet është gjynahu i ri dhe jo i vjetri.

Argumenti ynë për këtë gjë është si vijon:

1.      Për këtë çështje ekziston hadith i prerë nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), i cili nuk lë vend për fjalën e askujt prej njerëzve.

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) transmeton prej të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), i cili flet për Zotin e tij, në një Hadith Kudsij dhe thotë:

“Një njeri bëri një gjynah, pastaj tha: O Zoti im! Ma fal gjynahun tim! Allahu i Lartësuar thotë: Robi Im bëri gjynah, por e mësoi se ai ka një Zot që i fal gjynahet dhe që dënon për shkak të tyre. Pastaj kthehet dhe bën përsëri gjynah, pastaj thotë: O Zoti im! Ma fal gjynahun tim! Allahu i Lartësuar thotë: Robi im bëri gjynah, por e mësoi se ai ka një Zot që i fal gjynahet dhe që dënon për shkak të tyre. Pastaj kthehet dhe bën përsëri gjynah, pastaj thotë: O Zoti im! Ma fal gjynahun tim! Allahu i Lartësuar thotë: Robi im bëri gjynah, por e mësoi se ai ka një Zot që i fal gjynahet dhe që dënon për shkak të tyre. Puno ç’të duash, sepse Unë t’a kam falur ty!”[1]

Imam en Nevevi, në shpjegimin e Sahihut të Muslimit, nën temën: “Pranimi i pendimit prej gjynaheve edhe nëse ato përsëriten bashkë me pendimin”, thotë: “Kjo çështje ka kaluar me ne, në fillim të Kapitullit të Pendimit dhe këto hadithe të kësaj teme janë të qarta dhe të dukshme në argumentimin e kësaj; sikur gjynahu të përsëritej njëqind herë, një mijë herë apo më shumë, dhe pas çdo gjynahu ai pendohet, pendimi i tij pranohet dhe gjynahet e tij fshihen. Edhe nëse ai pendohet një herë për të gjitha së bashku, pendimi i tij është i saktë.”

Kuptimi i fjalës së Allahut për atë që e përsëriti gjynahun, në Hadithin e mësipërm: “Puno ç’të duash, sepse Unë t’a kam falur ty!”, kuptimi i kësaj është: Meqë ti pas çdo gjynahu pendohesh, Unë t’a kam falur ty!

Them (autori): Ajo që është përmendur në fillim të Kapitullit të Pendimit, në Sahihun e Muslimit, është:

“Nëse ai pendohet sinqerisht, sipas rregullave dhe kushteve të pendimit, pastaj e përsërit atë gjynah, atij i shkruhet gjynahu i dytë dhe nuk i prishet pendimi i parë. Ky është medh’hebi (rruga) e Ehli Sunetit në të dyja këto çështje, ndërsa mutezilitë i kanë kundërshtuar ata. Shokët tanë (prej dijetarëve) kanë thënë: Edhe nëse përsëritet pendimi dhe gjynahu, ai pranohet.”

2. Prej Emrave të Bukur të Allahut është edhe “Et Tevab” (Pranues i Madh i pendimit).

El Halijmi, në shpjegimin e domethënies së këtij Emri të Allahut, thotë: Allahu është Ai, i Cili i kthehet robit të Tij me begatitë e Mëshirës së Tij, sa herë që robi kthehet në bindjen ndaj Tij dhe pendohet për thyerjen e Urdhërit të Tij. Ai nuk ia fshin atij të mirat që ka pas bërë dhe nuk ia ndalon Mirësinë që i ka premtuar atij që i bindet Atij!”

Ndërsa El Hattabi thotë: “Ai është i Cili ia fal gjynahun dhe ia pranon pendimin robit të Tij. Sa herë që përsëritet pendimi, përsëritet edhe pranimi.”

3. Përsëritja e gjynahut nuk është si kufri, i cili i fshin veprat e bëra, pasi që kufri ka natyrë tjetër nga ajo e gjynahut:

Së pari, kufri i fshin të gjitha veprat e mira të mëparshme, ndërsa përsëritja e gjynahut jo.

Së dyti, gjynahu nuk është kufër dhe vepruesi i gjynahut nuk është kafir, as nuk do të qëndrojë përgjithmonë në Zjarr.

Në fakt, ky është drejtimi i pasuesve të epsheve dhe bidatit, prej havarixhëve dhe mutezilive, të cilët thonë se vepruesi i gjynahut të madh do të jetë përgjithmonë në Zjarr, edhe nëse ai ka vepruar më parë mijëra e mijëra vepra të mira.

Sigurisht që të dyja këto drejtime janë të gabuara dhe larg Islamit, pasiqë ato kundërshtojnë Kuranin, Sunetin, ixhmain dhe mendjen e shëndoshë.

Allahu i Lartësuar thotë:

“Sigurisht që Allahu nuk bën padrejtësi as sa grimca e atomit, por nëse ka ndonjë vepër të mirë, Ai e dyfishin atë dhe jep prej Tij shpërblim të madh.” [En Nisa: 40]. 

Tërheqim vërejtjen këtu për robin e sprovuar dhe që pendohet shumë, se ai duhet të ketë parasysh disa gjëra, prej të cilave po përmendim:

* Ndonëse vazhdimësia e pendimit nuk është kusht për pranimin e atij të kaluarit, por ajo është kusht për saktësinë e plotësimit dhe dobisë së tij, sepse vazhdimësia e pendimit është një lloj qëndrueshmërie për të cilën Allahu ka nxitur që të jetë pas pendimit.

Allahu i Lartësuar thotë:

“Bëhu i qëndrueshëm, ashtu siç je urdhëruar, bashkë me ata që i kthehen Allahut me pendim dhe që janë me ty, dhe mos i kaloni caqet (të ndaluarat)! Ai është Gjithëvështrues i asaj që punoni!” [Hud: 112].

Gjithashtu, gjejmë shembull të mirë tek Keab ibën Malik (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), kur Allahu e shpëtoi atë për shkak të sinqeritetit të tij dhe ia fali atij dhe dy shokëve të tij, të cilët nuk shkuan me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në ekspeditën e Tebukut.

– Keabi tha: O i Dërguari i Allahut! Allahu i Lartësuar më shpëtoi mua për shkak të sinqeritetit tim në fjalë, kështu që prej pendimit tim është që të mos flas veçse të vërtetën, përsa të jem gjallë.

– Thotë: Betohem në Allahun, se nuk njoh ndokënd që Allahu t’a ketë sprovuar në thënien e të vërtetës, që kur i thashë atë fjalë të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), më shumë se mua. Dhe betohem në Allahun, se unë nuk kam gënjyer asnjëherë, që nga ajo ditë e deri më sot dhe shpresoj nga Allahu të më ruaj edhe në kohën që më ka ngelur në këtë dynja!”

Prishja e pendimit dhe përsëritja e disa gjynaheve mund të ketë rezultat mospranimin e pendimit të parë dhe fshirje e të mirave që ke bërë. Kjo gjë ndodh në gjynahet e mëposhtme:\

1. Er Rideh -dalja nga Feja dhe vdekja në gjendje kufri e hipokrizie:

Allahu i Lartësuar thotë:

“Ata të cilët refuzojnë (të Vërtetën duke u bërë mosbesimtarë) pas besimit të tyre, pastaj e shtojnë edhe më shumë refuzimin, atyre nuk u pranohet pendimi dhe ata janë të humburit. Ata të cilët kanë refuzuar dhe vdesin duke qenë mosbesimtarë, atyre nuk u pranohet edhe sikur të flijojnë tokën plot me ar. Ata do të kenë dënim të dhembshëm dhe nuk do të ketë kush t’i ndihmojë.” [Al Imran: 90-91].

2. Vazhdimi në pirjen e alkoolit:

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)  ka thënë:

“Kush pi alkool, nuk i pranohet falja për dyzet sabahe (ditë). Nëse ai pendohet, Allahu ia fal atij! Nëse i kthehet përsëri alkoolit, atij nuk i pranohet falja dyzet sabahe dhe nëse pendohet, Allahu ia fal atij! Nëse i kthehet përsëri alkoolit, atij nuk i pranohet falja dyzet sabahe, dhe nëse pendohet, Allahu ia fal atij!

Nëse ai kthehet për të katërtën herë, atij nuk i pranohet falja për dyzet sabahe dhe nëse ai pendohet, Allahu nuk ia fal atij dhe do i jap të pijë nga lumi El Hibal.”[2]

Gjithashtu duhet të kihet parasysh nga ai që pendohet se fjala e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), në Hadithin Kudsij të përmendur më parë:  “Puno ç’të duash, sepse Unë t’a kam falur ty!”: Në këtë fjalë, nuk nënkuptohet liri dhe leje nga Allahu për kryerjen e gjynaheve dhe krimeve, por ajo tregon se Allahu ia fal atij, gjendja e të cilit është kjo; sa herë që bën gjynah, pendohet.

Përveç kësaj, veçimi i këtij personi me këtë fjalë është bërë sepse Allahu e dinte se ai nuk do të vazhdonte në atë gjynah dhe se ai, sa herë që bënte gjynah, pendohej. Ky është një gjykim i cili përfshin të gjithë ata që janë në të njëjtën gjendje, por për atë njeriun e përmendur në hadith ne mund t’a themi të prerë se Allahu atij ia ka falur gjynahun dhe ia ka pranuar pendimin, njësoj si e themi prerë edhe për pjesëmarrësit në luftën e Bedrit dhe për të gjithë ata të cilët i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i ka përgëzuar me Xhenet, apo se i janë falur gjynahet. As i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe as Sahabet nuk kanë kuptuar nga kjo fjalë se ai e ka të lejuar të bëjë gjynahe dhe të thyejë Urdhërat e Allahut, apo të lirohet nga kryerja e obligimeve. Përkundrazi, këta përpiqeshin më shumë, ruheshin dhe e kishin frikë Allahun më shumë se para përgëzimit, siç kanë qenë dhjetë të përgëzuarit me Xhenet.

Ebu Bekër es Sidiku ruhej shumë dhe ishte shumë i devotshëm ndaj Allahut. Po kështu edhe Umeri. Ata e dinin se përgëzimi i prerë është i kufizuar me kushtet e tij dhe qëndrueshmëria në atë gjendje deri në vdekje. Ashtu si dhe është i kufizuar me largimin e pengesave të kësaj, por askush prej tyre nuk ka kuptuar nga kjo fjalë se ai është i lirë të veprojë ç’të dojë prej veprave (të këqia e të mira).



[1] E ka nxjerrë Buhariu dhe Muslimi.

[2] (Sahih) E ka nxjerrë Tirmidhiu dhe Ahmedi. El Hibal është lëngu që del nga pjekja e banorëve të Zjarrit.


Kapitulli i njëmbëdhjetë

Pendimi i atij i cili nuk ka mundësi t’a kthejë

atë hak që ka shkelur

Vijon …