Drejtimi i shpirtit në rregullat e

PENDIMIT TE SINQERTE (6)

Autor: Selim ibën Ijd el Hilali
Përktheu: Bledar Albani


Kapitulli i gjashtë

 

Pendimi i bidatçiut

 

Dije, o ti pasues i Udhës së Drejtë! Se shejtani kërkon të triumfojë mbi ty, kështu që ruaju prej tij, gjë e cila bëhet duke u larguar plotësisht prej tij, duke u ruajtur, duke qëndruar zgjuar dhe duke qenë i vëmendshëm për atë që ai do.

Ai kërkon të të nxjerrë nga Rruga e Drejtë, ose duke besuar të kundërtën e së Vërtetës me të cilën Allahu ka dërguar të Dërguarin e Tij dhe me të cilën ka zbritur Librat e Tij, ose duke adhuruar Allahun me mënyra e forma për të cilat Ai nuk ka dhënë leje, prej shtesave në Fe të cilat Allahu i Lartësuar nuk i pranon.

Përgjithësisht, këto dy bidate janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe rrallë ndodh që të ndahen. Si të thuash, është martuar bidati i fjalëve me bidatin e veprave, dy të sapomartuarit po merreshin me dasmën dhe papritur u çuditën me fëmijët e paligjshëm të cilët prishin e shkatërrojnë nëpër vendet e Islamit dhe prej të cilëve njerëzit dhe shtetet ankohen te Allahu.

Bidati për Iblisin është më i dashur se gjynahu, për shkak të kundërshtimit të Fesë me të, refuzimit të asaj me të cilën Allahu ka dërguar të Dërguarin e Tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe se pasuesi i bidatit, përgjithësisht nuk pendohet për të dhe nuk kthehet prej tij, por thërret njerëzit në të.

Shkaku tjetër është se bidati përfshin edhe të folurit për Allahun pa dijeni, luftimin e drejtpërdrejtë të sunetit, urrejtjen e ithtarëve të tij, përpjekjen për shuarjen e dritës së tij, dashurinë për atë që e ka braktisur Allahu dhe i Dërguari i Tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), e tjera e tjera si këto.

Kështu që, të këqiat e bidateve nuk i shohin veçse ata që kanë sy, ndërsa të verbërit zhyten në errësirën e verbërisë dhe nuk e shohin rrugën e udhëzimit, sepse dëshirat e tyre sundojnë mbi ta.

Nëse njeriu e kalon këtë shkretëtirë (qorrsokak) dhe del prej saj me dritën e Sunetit, mbrohet prej saj duke ndjekur plotësisht rrugën e të parëve të mirë, prej Sahabeve të pastër dhe pasardhësve të tyre me të mirë, atëherë pendimi i tij është i pranuar tek Allahu, ndërsa në të kundërt, pendimi i tij qëndron i mbyllur derisa të lërë bidatin e tij.

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë:

“Allahu e ka mbuluar (penguar) pendimin për çdo ushtrues të bidatit, deri sa t’a lërë bidatin e tij.”[1]

Disa dijetarë kanë thënë:

“Pendimi i bidatçiut, i cili thërret në një bidat që të çon në humbje, nuk pranohet.”

Por e vërteta është se pendimi i tij pranohet, sepse Allahu i Lartësuar ka sqaruar se Ai e pranon pendimin e krerëve të kufrit, të cilët janë më të këqinj se krerët e bidatit:

“Luftojini krerët e mosbesimit sepse ata nuk e mbajnë betimin, ashtu që të ndalen (prej asaj që bëjnë në luftimin tuaj).” [Et Teube: 12].

Por, kushti i këtij pendimi është që personi të sqarojë gabimin e bidatit të cilin ka pas ndjekur, sepse pendimi nga një gjynah është duke bërë të kundërtën e atij gjynahu. Për këtë arsye, Allahu vuri kusht për pendimin e atyre që fshehin të Drejtën që ka zbritur Allahu, që t’a sqarojnë atë të drejtë.

“Ata të cilët fshehin atë që Ne kemi zbritur prej provave të qarta dhe udhëzimit të drejtë, pasi që Ne ua sqaruam atë njerëzve në Libër, ata i mallkon Allahu dhe i mallkojnë mallkuesit.

Përveç atyre të cilëve pendohen, veprojnë mirësi e drejtësi dhe e shpallin hapur të vërtetën që e mbanin fshehur. Këtyre Unë do t’ua pranoj pendimin dhe Unë jam Ai i Cili pranoj pendimin, Mëshirëploti.” [El Bekare: 159-160].

Kështu që, vepra e mirë bëhet vetëm me ndjekjen e Sunetit, ndërsa sqarimi bëhet duke sqaruar shkatërrimin dhe prishjen e bidatit që ai ndiqte. Por, gabimi i bidatçiut është më i madh se ai që fsheh të Vërtetën, sepse ky e fsheh të Vërtetën, ndërsa ai e fsheh atë dhe thërret në të kundërtën e saj.

Çdo bidatçi është fshehës i së Vërtetës, dhe jo e kundërta.


[1] Hadith Sahih: “Silsiletul Ehadijth es Sahiha” i shejh Albanit.

Kapitulli i shtatë

 

Rregullat e pendimit të mosbesimtarit

Dije, o ti rob i Allahut që kthehesh tek Ai me pendim! Se baza e pranuar te Allahu i Madhëruar është Islami, sepse ai është kreu i të gjithë çështjes dhe kush ndjek rrugë tjetër përveç tij, ai është prej të shkatërruarëve.

Allahu i Lartësuar thotë:

“Feja e pranuar tek Allahu është Islami.” [Al Imran: 19].

“Ai që kërkon Fe tjetër përveç Islamit, ajo nuk pranohet prej tij dhe në Botën Tjetër, ai do të jetë prej të humburve!” [Al Imran: 85].

Por Allahu, Mirëbërësi dhe Mëshiruesi, nuk e dëshiron mosbesimin për robët e Tij dhe nëse ata i japin fund (mosbesimit), Ai ua pranon atyre dhe ua fal atyre.

Allahu i Lartësuar thotë:

“Thuaju atyre që kanë mohuar (Allahun)! Nëse ata i japin fund (mosbesimit të tyre), atëherë do t’u falet ajo që ka kaluar, por nëse ata kthehen përsëri, atëherë i kanë parë shembujt e atyre të parëve. Luftojini ata deri sa mos të ketë ngatërresë në tokë dhe e gjithë Feja të jetë për Allahun, e nëse ata i japin fund, dihet që Allahu sheh çdo gjë që ata veprojnë!” [El Enfal: 38-39].

Kështu që, nëse njeriu e pranon Islamin me zemër e gjymtyrë, atij i falet kufri për të cilin u pendua, për shkak të Islamit të tij, pa ndonjë kundërshtim në mesin e dijetarëve.

Transmetohet nga Abdurrahman ibën Shemameh el Mehri, se ka thënë: “Shkuam te Amër ibën el Asi, i cili ishte në shtratin e vdekjes. Ai qau gjatë dhe ktheu kokën nga muri. I biri i tij filloi t’i thoshte: O babai im! A nuk të ka përgëzuar ty i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) me këtë e këtë?

– Ai e ktheu fytyrën nga ai dhe tha: “Vepra më e mirë që quaj është dëshmia se nuk ka të adhuruar tjetër (me të drejtë) përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut, por unë kam kaluar në tre faza (gjendje):

Në fillim kam qenë i atillë që nuk e ka urryer të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tjetërkush më shumë se unë dhe as nuk ka dashur t’a vrasë atë tjetërkush më shumë se unë. Nëse do të kisha vdekur në atë gjendje, do të kisha qenë prej banorëve të Zjarrit.

Në kohën kur Allahu i Madhëruar futi Islamin në zemrën time, shkova te i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe i thashë: Shtrije dorën e djathtë që të të jap besën time! Ai e shtriu atë ndërsa unë e tërhoqa dorën time.

– Atëherë ai tha: “Ç’farë ke, o Amër?!

– Unë i thashë: Doja të vija një kusht.

– Ai tha: “Ç’farë kushti kërkon që të vësh?”

– Unë i thashë: Që të më falet ajo që ka kaluar.

– Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “A nuk e ke ditur që Islami e fshin çdo gjë që ka qenë para tij, hixhreti (shpërngulja për hir të Fesë) e rrëzon atë që ka qenë para saj dhe Haxhi e rrëzon atë që ka qenë para tij?” 

– Pas kësaj, nuk ka pasur më të dashur tek unë se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)  dhe syri im nuk ngopej me të nga respekti dhe dashuria, saqë nëse do të më kërkohej t’a përshkruaja atë, unë nuk do të mundja, sepse nuk më ngopej syri nga të vështruarit tek ai. Nëse do të kisha vdekur në atë gjendje, atëherë shpresoja të isha prej banorëve të Xhenetit.

Më pas ndodhën gjëra për të cilat unë nuk di si kam qenë, kështu që nëse vdes, mos më shoqëroni me vajtime e as me zjarr! Kur të më varrosni hidheni dheun mbi mua me forcë e të shpërndarë, pastaj qëndroni rreth varrit tim, për aq kohë sa theret një deve dhe ndahet mishi i saj, ashtu që të rri pak në shoqërinë tuaj dhe të shoh se me ç’farë do t’u përgjigjem të dërguarëve të Zotit tim (dy melekët e varrit)!”[1]  

Në këtë temë vlen të sqarojmë tre rregulla kryesore:

1. Gjykimi për atë që vdes mosbesimtar, por që ka bërë disa vepra të mira:

Ata që vdesin mosbesimtarë, por që kanë vepruar disa vepra të mira, Allahu nuk ua humbet ato atyre, por ua shlyen ato në këtë botë:

Allahu i Lartësuar thotë:

“Kush kërkon jetën e kësaj bote dhe stolitë e saj, atyre do t’ua paguajmë plotësisht këtu shpërblimin e veprave të tyre dhe nuk do t’u cënohet aspak! Këta janë ata të cilët nuk do të kenë në botën tjetër asgjë përveç Zjarrit. Kështu veprat e tyre që i kryen atje (në dynja) janë pa asnjë dobi dhe e kotë është ajo që punuan.” [Hud: 15-16].

Kështu që, atyre nuk do t’u pranohet në Ditën e Kijametit asnjë punë e mirë apo drejtësi që kanë bërë, sepse ata i morën të mirat e punëve të tyre në dynja dhe e takojnë Zotin e tyre të dështuar.

Allahu i Lartësuar thotë:

“Atë ditë, ata që nuk besuan do të vendosen para Zjarrit dhe do t’u thuhet: Ju i morët të mirat (e punëve) tuaja në jetën e dynjasë dhe u dëfryet me to. Sot do të shpërbleheni me dënimin përçmues, për shkak se ju ishit mendjemëdhenj në tokë me pa të drejtë dhe bënit punë të këqia (prej tyre edhe mosbesimi).” [El Ahkaf: 20].

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)  thotë:

“Allahu nuk ia ha (nuk i bën padrejtësi) të mirën besimtarit. Ai i jep për shkak të saj rrizkun, në këtë botë dhe e shpërblen për atë në botën tjetër. Ndërsa mosbesimtarin e ushqen për shkak të punëve të mira në dynja dhe kur të kalojë në botën tjetër, nuk do të ketë ndonjë punë të mirë që të shpërblehet për të.”[2]

2. A përfiton mosbesimtari pasi që bëhet musliman, prej të mirave që ka bërë në kohën e injorancës së tij?

Kur mosbesimtari bëhet musliman dhe vdes në besim, Allahu ia fshin të gjitha të këqiat dhe i shkruan të gjitha të mirat që ka bërë në kohën e injorancës së tij. Këtë gjë e thonë tekstet e qarta dhe të sakta të cilat kanë ardhur nga i besueshmi dhe besniku (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

Ebu Seid el Hudri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) thotë: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)  ka thënë:

“Kur njeriu bëhet musliman dhe e përmirëson Islamin e tij (me punë të mira), atëherë Allahu i shkruan atij çdo të mirë që ka pas bërë dhe i fshin çdo të keqe që ka pas bërë. Pas kësaj do të jetë shpërblimi: çdo e mirë do të shpërblehet me dhjetë si ajo deri në shtatëqind fish, ndërsa çdo e keqe do të shpërblehet me një të ngjashme, vetëm nëse Allahu e fal atë.”[3]

3. Nëse mosbesimtari bëhet musliman, por vazhdon të bëjë disa gjynahe dhe nuk pendohet prej tyre në Islamin e tij, ai do të llogaritet për të parat dhe të pasmet.

Është pyetur dijetari i Islamit, Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!), për çifutin dhe të krishterin që bëhet musliman; a i ngelin atij gjynahet që ka pas bërë?

– Ai u përgjigj: Nëse ai bëhet musliman, si nga ana e jashtme ashtu edhe nga ajo e brendshme (me vepra dhe me zemër), atëherë atij i falet kufri prej të cilit është penduar me Islam, pa asnjë kundërshtim. Ndërsa gjynahet për të cilat ai nuk është penduar, si p.sh. të vazhduarit në një gjynah të caktuar, apo në ndonjë padrejtësi a vepër të turpshme, për të cilat ai nuk është penduar kur është bërë musliman; disa njerëz kanë thënë se ato i falen atij me islamin, por e sakta është se atij i falen ato gjynahe për të cilat është penduar dhe ka kërkuar falje, siç ka ardhur nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), se atij i kanë thënë: A do të japim llogari për atë që kemi vepruar në kohën e injorancës?

Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha:

“Kush përmirësohet në Islam, ai nuk do të japë llogari për atë që ka bërë në kohën e injorancës dhe kush vepron keq në Islam, ai do të japë llogari për të parat dhe të fundit!”

Të përmirësohesh në Islam do të thotë t’i përmbahesh kryerjes së atyre që ka urdhëruar Allahu dhe të largohesh prej atyre që Ai ka ndaluar. Ky është edhe kuptimi i përgjithshëm i pendimit. Prej këtu, ai që bëhet musliman në këtë mënyrë, atij i falen të gjitha gjynahet.

Kështu ka qenë Islami i të parëve prej muhaxhirinëve, ensarëve dhe ndjekësve të tyre me të mirë.

Dhënia fund e një gjynahu do të thotë pendim prej tij dhe falje të atyre që kanë kaluar, ndërsa ai që nuk i jep fund një gjynahu, nuk është kusht që t’i falet i njëjti gjynah që ka bërë në të kaluarën.

Këtë gjykim e argumenton edhe Fjala e Allahut të Lartësuar, që thotë:

“O ju që keni besuar! Kini frikë Allahun dhe ndërprisni ç’farë ka ngelur nga kamata (këtej e tutje), në qoftë se jeni me të vërtetë besimtarë!

Dhe në qoftë se nuk e bëni këtë, atëherë merrni njoftimin për luftë nga Allahu dhe i Dërguari i Tij, por nëse pendoheni, atëherë merrni vetëm vlerën fillestare të pasursë tuaj, kështu që nuk bëni padrejtësi dhe as nuk iu bëjnë padrejtësi.” [El Bekare: 278-279].

Këto Ajete flasin për kamatën në kohën e injorancës dhe Allahu e ka varur saktësinë e pendimit prej tyre, me lënien e asaj kamate, duke mos iu bërë padrejtësi dhe as mos t’i bëjnë padrejtësi të tjerëve.

Për këtë shkak, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ndaloi krejtësisht kamatën, në Haxhin e Lamtumirës. Nëse ndokush prej tyre do të refuzonte dhe do t’a merrte kamatën, a do të ndërmjetësonte  Islami dhe imani i tij për të?

Përgjigja për këtë është e qartë në Fjalën e Allahut të Madhëruar:

“Në qoftë se nuk e bëni këtë, atëherë merrni njoftimin për luftë nga Allahu dhe i Dërguari i Tij.” [El Bekare: 279].

Lusim Allahun të na forcojë në Fe dhe të na ruajë nga çdo humbje! 

Gjendja e njeriut pas pendimit

Vijon ..


[1] E ka nxjerrë Muslimi (2/136-137. Nevevi).

[2] E ka nxjerrë Muslimi (17/149-150).

[3] E transmeton Buhariu, në shënimet e tij (1/98- fet’h) dhe Nesai (8/105-106), me sened të saktë.