Pelegrinazhi – Haxhi

 

Haxhi (vizita e shtëpisë së shenjtë) është një adhurim fiziko-material, të cilin Allahu i Madhëruar ia ka obliguar çdo njeriu një herë në jetë. Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në një prej haditheve të tij ka thënë: “Kush e bën haxhin, duke mos e përzier atë me fjalë të pista ose gjëra të ndaluara, kthehet sikur ta kishte lindur nëna e tij edhe një herë. [1] Gjithashtu, ka thënë: “Kryerja e umreve njëra pas tjetrës, fshin mëkatet ndërmjet tyre, ndërsa haxhi i pranuar tek Allahu, nuk ka shpërblim tjetër përveç xhenetit”. [2]

Të kesh mundësi për të shkuar në haxh, do të thotë të kesh mundësi trupore dhe materiale. Ai i cili vdes pa kryer haxhin, lejohet që në vend të tij ta bëjë dikush tjetër, ndërsa për të gjallin nuk lejohet me përjashtim të dy rasteve: për të moshuarin që nuk mundet të udhëtojë dhe për të sëmurin i cili nuk shpreson të shërohet ndonjëherë.

Nëse gruaja nuk gjen ndonjë të afërm për ta shoqëruar në haxh, atëherë ajo nuk obligohet për kryerjen e tij. Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)   thotë: “Nuk lejohet veçimi i një burri me një grua, vetëm nëse gruaja është e shoqëruar nga ndonjë i afërm; gjithashtu, nuk lejohet që gruaja të udhëtojë pa të afërm. Një person kur i dëgjoi këto fjalë tha: “O i Dërguari i Allahut! Gruaja ime është nisur për haxh, ndërsa unë kam rregjistruar emrin për të shkuar në betejë”. Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i tha: “Shko dhe kryej haxhin me gruan tënde!”. [3]


[1] Transmeton Buhariu nr.1820

[2] Transmeton Muslimi nr.1349.

[3] Transmeton Buhariu, nr.3006 dhe Muslimi, nr.1341 nga Ibni Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!)