PASURIA DHE GJYKIMI I SAJ NE ISLAM

Autor: Meshhur ibën Hasen Al Selman
Përktheu: Bledar Albani

 

Falënderimet i takojnë vetëm Allahut, vetëm Atë falenderojmë, prej Tij kërkojmë ndihmë dhe falje të gjynaheve tona. I lutemi Allahut të na ruaj prej sherrit të veteve tona dhe prej të këqiave të punëve tona!

Ai që udhëzon Allahu është i udhëzuar dhe atë që humb Allahu nuk ka kush e udhëzon.

Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është rob i Allahut dhe i dërguari i Tij.

Vërtet që çështja e pasurisë dhe ç’ka lidhet me të prej rregullave dhe ligjeve të sheriatit është një çështje shumë e ndërlikuar dhe për këtë arsye është veçuar në shumë shkrime të njohura prej dijetarëve të ndryshëm. Megjithatë ka ngelur ndoshta pa prekur një çështje: A është pasuria në veten e saj për t’u lavdëruar apo për t’u sharë, ndërkohë që prej teksteve (ajeteve dhe haditheve) përfitohet si njëra ashtu edhe tjetra?

Kështu që dijetarët i kanë konsideruar të dyja anët sipas gjendjes së veçantë.

Kur është pasuria e përçmuar

Pasuria është e përçmuar sipas këndvështrimit të mëposhtëm:

– Pasuria të pengon nga gjërat më të rëndësishme në dynja, siç është bërja e punëve të mira dhe madje mund të jetë shkak për moskryerjen e shumë prej adhurimeve.

– Ajo është shkak për moskryerjen e obligimeve dhe rrugë për në pavëmendësi e rënie në të ndaluara, sepse të kënaqurit me dynjanë është diçka mashtruese dhe dehëse si alkooli dhe kënaqësitë tërheqin njëra tjetrën derisa ta shpjenë pasuesin e tyre në shkatërrim të plotë –Allahu na ruajtë!-

– Sheriati e ka sharë dynjanë dhe për shkak të zbukurimit të saj dhe të shijuarit e kënaqësive të saj. Allahu i Lartësuar thotë:

“Ju i morët gjërat tuaja të mira në jetën e dynjasë dhe u kënaqët në të.”[1]

“Kushdo që të dëshirojë jetën e kësaj bote dhe vezullimin e saj…”[2]

I Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) thotë:

“Ajo që kam më shumë frikë për ju është që t’iu hapet dynjaja (t’iu vijë pasuri e madhe) ashtu siç iu hap atyre që ishin para jush…”[3]

Argumentet për këtë janë të shumta si nga Kur’ani edhe nga Suneti dhe do vinë më pas disa prej tyre.

– Pasuria është shkak për llogarinë e gjatë në Ditën e Kijametit, siç ka ardhur në një hadith: “Pasuria hallall ka llogari të gjatë kurse pasuria haram ka dënim të rëndë” siç do të vijë me ne më pas.

E ai që ka mendje e kupton se llogaria e gjatë është një lloj dënimi dhe largimi sa më parë prej vendit të llogarisë në Xhenet është qëllimi më i madh, ndërsa pasuria të pengon prej kësaj.

Kur është pasuria për t’u lavdëruar

Disa dijetarë të tjerë e kanë kundërshtuar këtë dhe kanë thënë se ato gjëra që thoni për anën negative të pasurisë janë të vërteta por ky është një vështrim i shkurtër dhe pa marrë parasysh qëllimin për të cilin është krijuar dynjaja, siç është të qënurit e saj vend për njohjen e së vërtetës, apo për meritimin e falenderimit të Atij që e ka krijuar atë.

Madje mund të konsiderohet dynjaja si thes apo gjah i kënaqësive duke marrë parasysh anën shtazore të njeriut në të. Kjo është ajo që ka për qëllim grupi i parë dhe vërtetë që në këtë gjëndje dynjaja është pemë pa kokrra, lojë pa seriozitet dhe e kotë pa të vërtetë në të, sepse ai që bën kështu në dynja, nuk ka marrë prej saj veçse ngrënie, pirje, veshje, martesë e makinë, pa shtuar gjë tjetër. Pastaj këto mbarojnë së shpejti dhe nuk ngel gjë prej tyre.

Por këto janë vetëm ëndrra dhe në fakt ky vështrim tek dynjaja është vështrimi i jobesimtarëve, ndërsa besimtarët e dinë se pasuria është për t’u lavdëruar nga shumë këndvështrime siç është:

1. Pasuria është mirësi nga Allahu i Lartësuar si gjithë mirësitë dhe begatitë e tjera, kështu që duhet të falenderohet Allahu për dhënien e saj dhe është obligim të kërkuarit e saj sipas mundësisë dhe aftësisë. Kështu që ajo lëvozhgë u mbush dhe u bë kokërr (pemë me kokrra), madje vetë lëvozhga u bë frut sepse të gjitha janë mirësi të cilat njeriu duhet t’i arrijë dhe të falenderojë Allahun për to.

2. Pasuria të ndihmon në kryerjen e adhurimeve dhe në shumë raste ajo është rrugë që të çon në kryerjen e disa urdhërave e obligimeve, siç është p.sh. ai që e përdor atë për të fituar diçka nga bota tjetër. Thotë i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem): “Lum për pasurinë e mirë që është në duart e njeriut të mirë!” dhe në një hadith tjetër thuhet: “Poseduesit e pasurive të madhe shkuan dhe i morën të gjitha sevapet, gradat e larta dhe kënaqësinë e përhershme…” deri sa tha (i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem): “Kjo është mirësia e Allahut të cilën ia jep kujt të dojë.” Duke e quajtur kështu pasurinë si mirësi nga Allahu me të cilën Ai begaton kë të dojë nga robërit e Tij.

3. Ajo që thanë se pasuria do të ketë llogari të gjatë në Ditën e Gjykimit dhe se të pasurit do të vonohen nga hyrja në Xhenet, u thuhet atyre: Kjo është diçka që kthehet në diçka që është jashtë vetë pasurisë. P.sh. me anë të pasurisë hahet diçka e caktuar, por kjo gjë ka fillime, kushte dhe përfundime të caktuara të cilat duhen marrë parasysh dhe u duhet kushtuar vëmendje. Nëse ruhen këto, atëherë pasuria bëhet rrugë për në adhurime e bindje ndaj Allahut. Në të kundërt, nëse nuk ruhen këto kushtëzime, atëherë pasuria bëhet shkak për mangësinë apo kundërshtimin (e mësimeve të sheriatit) sipas gjendjes së veçantë.

Pasuria është dëshirë si të tjerat

Përgjithësisht, pasuria është si dhe të gjitha dëshirat e tjera të njeriut, kështu që ajo ka rregulla, kritere, kushte, ndalesa dhe rrjedhoja që duhen marrë parasysh. Duhet pasur parasysh këtu se moskryerja apo lënia e diçkaje nga dynjaja është njëlloj si kryerja e saj[4]; ashtu si je përgjegjës për një vepër që bën, po ashtu je përgjegjës për një vepër që e lë dhe largohesh prej saj.

Medito pak ngjarjen që ndodhi ndërmjet Selmanit dhe Ebu Dardasë në hadithin që transmeton Buhariu nga Ebi Xhuhejfe që thotë:

Vëllazëroi i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ndërmjet Selmanit dhe Ebu Dardasë. Një ditë Selmani vizitoi Ebu Dardanë dhe vuri re se Umu Darda (gruaja e Ebu Dardasë) ishte shumë e vrarë dhe e mërzitur. Ai i tha:

C’farë të ka ndodhur? Ajo tha: Vëllai yt, Ebu Darda nuk ka ndonjë nevojë prej dynjasë.

Vjen Ebu Darda dhe i shtron Selmanit për të ngrënë pastaj i thotë: Ha ti sepse unë agjëroj.

Selmani i tha: Unë nuk ha deri sat ë hashë edhe ti. Pastaj hëngri edhe ai.

Pasi ra nata u ngrit Ebu Darda që të falej dhe Selmani i tha që të flerë e ai fjeti. Më vonë u ngrit përsëri dhe Selmani i tha përsëri të flerë. Kur u afrua pjesa e fundit e natës Selmani i tha: Tani ngrihu. U ngritën dhe u falën dhe pastaj Selmani i tha atij:

Zoti yt ka të drejta mbi ty, vetja jote ka të drejta mbi ty dhe familja jote ka të drejta mbi ty, kështu që jepi gjithkujt të drejtën e vet.

Ebu Darda shkoi te i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) dhe e lajmëroi për ç’farë ndodhi dhe ai tha: “Selmani ka thënë të vërtetën.”

Na bëhet e qartë me këtë se kryerja e një vepre dhe lënia e një tjetre, që të dyja kanë lidhje me llogarinë, kështu që nuk ngel më vend për të sharë pasurinë sipas këtij këndvështrimi.

Ndarja e kundërshtimit

E sakta në këtë temë është se të hash hallallin dhe të fitosh pasurinë me rrugë të lejuara nuk mundet që të japësh për të llogari të plotë, por mund të japësh llogari për mosfalenderimin për të ashtu siç duhet, qoftë nga ana e mbledhjes dhe fitimit të saj apo nga ana e mbështetjes në të për kryerjen e obligimeve. Kush e llogarit veten e tij në këtë gjë dhe punon sipas asaj me të cilën është urdhëruar, ai e ka falenduar Allahun për mirësitë e Tij.

Për këtë thotë Allahu i Lartësuar:

“Thuaj (O Muhamed!): Kush e ka ndaluar veshjen bukur me rrobat e dhuruara prej Allahut të cilat Ai i ka krijuar për robët e Tij si dhe rriskun e pastër? Thuaj: Ato janë në jetën e kësaj bote për ata që besojnë dhe veçanërisht (vetëm për besimtarët) në Ditën e Kijametit…”[5]

Këto mirësi janë dhuratë nga Allahu për robin e Tij dhe a ka lezet që robi mos t’a pranojë dhuratën e zotëriut të Tij?! Kjo është diçka e papëlqyer në zakonet e mira të njerëzve dhe po ashtu në rrugën e sheriatit, sepse qëllimi i dhuruesit është që të pranohet dhurata e tij dhe dhurata e Allahut për robin e Tij është çdo mirësi që i jep atij, kështu që ai t’a pranojë atë mirësi dhe t’a falenderojë Dhuruesin e saj.

Përfundimi është se pasuria duhet të jetë shërbyese për të plotësuar një nevojë të domosdoshme, një nevojë të mesme apo një nevojë plotësuese të së bukurës apo dëshirës së lejuar.[6] Kështu që duhet mbledhur dhe fituar duke e quajtur si shërbyes apo mjet për të arritur me të diçka të kërkuar e të dëshiruar duke ditur se të kënaqurit me atë që ka lejuar Allahu i Madhëruar prej ushqimeve, veshjeve e të tjera si këto, është e lejuar ne vetvete dhe këto gjëra të lejuara janë shërbyes të një baze të domosdoshme e cila është të jetuarit dhe jeta.

Kështu që pasuria është e konsiderueshme dhe e dëshiruar duke u nisur nga e vërteta e saj në mënyrë të përgjithshme dhe jo duke u nisur nga vetë ajo si një element më vete. Prej këtu është e saktë që pasuria është dhuratë e cila duhet pranuar dhe nuk duhet kthyer mbrapsht, por jo duke e marrë atë për vetë veten e saj.

Në të kundërt, nëse pasuria bëhet shkak për prishjen e një prej bazave të sheriatit dhe lufton parimet e përgjithshme të tij duke cënuar nderin, apo mendjen, trupin, pasurine e fene, atëherë ajo është e përçmuar dhe ai që e merr këtë lloj pasurie quhet vrapim pas dynjasë dhe dashuri për të shpejtën e të përkohshmen.

Ndërsa nga ana e kundërt e kësaj është esketizmi (zuhdi) i cili do të thotë lënie e pasurisë së tillë dhe vrapimin pas saj nëse do të bëhet shkak për të keqen dhe s’ka dyshim se kjo është ajo që kërkohet prej besimtarit.

Për këtë shkak, fjala e saktë në këtë çështje është se përçmimi i pasurisë në çdo rast nuk është e drejtë, ashtu si dhe nuk është e drejtë lavdërimi i saj në çdo rast.

Këtë gjë e bën të qartë çështja e ndalimit të sefihut (shpërdoruesit të pasurisë pa kriter) nga shpenzimi i pasurisë së tij për shkak se ai e vë atë jo në vendin e saj.[7] Po ashtu edhe çështja e shpenzimit dhe normave të tij.

Ai që ulet dhe nuk punon e shfaq veten e tij para njerëzve duke zgjatur dorën për të kërkuar dhe i humb e i shkatërron ata që ka për të ushqyer dhe kjo do të mjaftonte si gjynah për të.

Transmeton Muslimi në Sahihun e tij në kapitullin e Zekatit se i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Do t’i mjaftonte njeriut ai gjynah që bën kur nuk shfrytëzon fuqinë e tij në atë që ka mundësi t’a bëjë!”

Nuk ka kundërshtim se kjo përtaci dhe boshllëk i njeriut nuk është e pëlqyer dhe ai nuk quhet asket (zahid që nuk do dynjanë) sipas kuptimit pozitiv të asketizmit që sqaruam më sipër. Por kjo vepër e tij quhet mendjelehtësi dhe përtaci. Po ashtu edhe shpërdorimi i pasurisë dhe kopracia. Që të dyja këto janë të përçmuara e të papëlqyera.

Ato janë dy cepat e segmentit ndërsa e drejta dhe e mira (hajri) është në mes të tyre.

Sahabët dhe pasuria

Vështruesi i drejtë që nuk e tepron dhe nuk e lë mangut diçka në gjykimin për Sahabët veçanërisht dhe për selefët e mirë përgjithësisht, gjen që ata (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!) kujdeseshin për fitimin e pasurisë dhe kishin zanate të ndryshme e të njohura për t’a arritur atë, duke e marrë atë nga ana e të qënurit ndihmues për të kryer falenderimin e Allahut dhe si anije për në botën tjetër. Por ata kanë qenë njerëzit më asket në të dhe më të drejtët e të sinqertët në fitimin e saj (duke ndjerë mbikqyrjen e Allahut të Madhëruar).

Ndoshta i dëgjon këto lajme të tyre për kërkimin e pasurisë, ndokush që mendon se ata e kanë kërkuar atë për të arritur kënaqësitë dhe dëshirat e tyre dhe asgjë tjetër, por kjo është injorim i asaj për të cilën ata e kërkonin atë. Larg dhe të pastër nga kjo janë ata! Ata e kanë kërkuar pasurinë si një nga adhurimet dhe obligimet me të cilat ishin ngarkuar -Allahu qoftë i kënaqur prej tyre dhe na bashkoftë me ata, na ringjalltë me ta dhe na dhëntë sukses në atë për të cilën u ka dhënë sukses atyre, me Mirësinë dhe Bujarinë e Tij!

Nuk njohim ndokënd që t’i jetë ofruar aq pasuri sa i është ofruar të Dërguarit të Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) dhe ai ia jepte gjithçka që i ofrohej shokëve të tij dhe për të ngritur Fenë e Allahut. Ai (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) e konsideronte çdo gjë që e fitonte me punën e tij, si mirësi prej Allahut dhe se ai ishte i ngarkuar që t’a shpërndante atë dhe të mos mbante gjë për vete duke arritur kështu gradën më të lartë. Po kështu kanë qenë edhe shokët e tij saqë ndonjëri prej tyre ishte si i autorizuar dhe merrte prej pasurisë së tij atë që i nevojitej edhe pse nuk ishte në gradën e të Dërguarit (sal-lallahu alejhi ue sel-lem).

Gradat e njerëzve në lidhje me fatin e tyre në pasuri

S’ka dyshim se njerëzit dallojnë nga njëri-tjetri në marrjen e rriskut të tyre dhe se shembulli më i mirë për ta në këtë gjë është i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) dhe shokët e tij. Ata nuk mërziteshin dhe kërkonin rriskun e tyre duke qenë të bindur në besimin e tyre sepse ata i dinin Cilësitë e Allahut dhe se sundimi i qiejve e i tokës është në Duart e Tij dhe se Ai do t’i llogarisë ata dhe nuk do t’i zhgënjejë. Kështu që dëshirat, tekat dhe simpatitë e tyre u bënë prej gjërave të harruara dhe kthimi tek ato konsiderohej diçka e neveritshme për ta, duke u nisur nga ana e të pasurit në to të drejta për Allahun e Lartësuar.

Më poshtë po sjellim disa shembuj për të argumentuar këtë gjë:

Transmetohet në hadith të saktë nga Aisha (radiallahu anha) se Ibën Zubejri i dërgoi asaj dy qeska me të holla –transmetuesi thotë se ishin 180 mijë dirhem- ndërsa ajo kërkoi një tepsi dhe filloi t’i ndante ato për njerëzit. Ajo atë ditë agjëronte dhe kur u ngrys nuk i kishte ngelur asnjë dirhem i vetëm. Në kohën e iftarit i thotë shërbyeses: Eja t’a çelim agjërimin! Ajo vjen vetëm me bukë dhe vaj. I thanë Aishes: A nuk munde të blije mish me një dirhem prej atyre që ndave dhe t’a haje për iftar? Ajo tha: Nëse do të ma kishe kujtuar, do t’a kisha bërë.[8]

Transmeton Maliku se një i varfër i lypi Aishes (radiallahu anhu) dhe ajo agjëronte e nuk kishte gjë në shtëpi përveç një cope buke. Ajo i tha një shërbyeseje: Jepja atë copë buke atij! Ajo tha: Por nuk ke gjë tjetër që të hash iftar. Ajo ia përsëriti: Jepja atë atij. Atëherë ia dha. Kur erdhi mbrëmja na dhuroi një familje, apo një njeri –i cili nuk na kishte dhuruar ndonjëherë- mish qengji të pjekur sipas mënyrës së tyre të preferuar dhe Aisha më thirri dhe më tha: Ha prej këtij sepse ky është më i mirë se ajo copa e bukës.”

Transmetohet gjithashtu se ajo (radiallahu anha) ka shpërndarë 70 mijë dirhem dhe ishte duke arnosur rrobën e saj. Një here tjetër shiti gjërat e saj me 100 mijë dirhem dhe i ndau ato sadaka, pastaj hëngri për iftar bukë elbi.

Kjo vepër i ngjan prefektit të ndonjë prefekture të mbretërisë i cili nuk merr vetëm se prej mbretit, sepse ai është e bindur plotësisht në ndarjen dhe caktimin e Allahut për të duke e lënë atë në vend të marrjes së masave për veten e tij.[9]

Nuk ka ndonjë kundërthënie të kësaj me atë që thamë më lartë sepse ky person beson se ajo që ka pregatitur Allahu për të është më e mirë se ajo që pregatit ai për veten e tij dhe nëse ky merr masat dhe prokupohet për veten e tij, atëherë zbret një gradë më poshtë.

* Disa prej Sahabeve e quanin veten e tyre si zëvendës në pasurinë e jetimit[10] ku nëse ai nuk ka nevojë, nuk e prek atë, e nëse është i varfër e ka nevojë, merr aq sa të mbyllë atë nevojë. Ndërsa në çdo lloj veprimi tjetër ai vepron si me pasurinë e jetimit që përdoret vetëm në të mirë të tij. E shpenzon atë aty ku duhet dhe e pengon prej aty ku nuk duhet shpezuar. Nëse ka ndonjë nevojë, atëherë merr prej saj aq sa i mjafton dhe brenda kufijve që i është dhënë leje, duke mos shpërdoruar dhe as shtrënguar me koprraci aty ku duhet shpenzuar.

Kjo gjë është gjithashtu, pastrim prej kismetit në këtë arritje të punës së tij. Nëse ai do të merrte kismetin e tij, atëherë do të favorizonte veten e tij mbi të tjerët, por ai nuk e bën këtë, madje e konsideron veten e tij si një prej krijesave. Sikur të ishte shpërndarës për krijesat dhe ta llogarisë veten e vet si një prej tyre.

Transmetohet në një hadith të saktë nga Ebi Musa se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Vërtetë që Esh-arijitë (fisi i Ebi Musa el-esh’ari) nëse ngelin të ve, apo u pakësohet ushqimi i familjes në Medine, atëherë grumbullojnë atë që u gjendet në një rrobe të vetme dhe pastaj e ndajnë mes njëri-tjetrit me të njëjtën enë. Ata janë prej meje dhe unë jam prej tyre.”[11]

E gjejmë gjithashtu këtë gjë në hadithin e vëllazërimit ndërmjet muhaxhirëve dhe ensarëve[12]. Po ashtu, e bënte këtë gjë i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) nëpër luftra dhe kjo është diçka shumë e njohur[13].

Kështu që privilegjimi në kismetin tënd është diçka pozitive dhe që nuk bie në kundërshtim me fjalën e të të Dërguarit (sal-lallahu alejhi ue sel-lem):

“Fillo (me plotësimin e nevojave) të vetes tënde, pastaj të atyre që ke nën vete!”

Por ai llogaritet si i mesëm në të dyja rastet.

Këta dhe ata para këtyre nuk e kanë kufizuar veten e tyre në kismetin e përkohshëm të kësaj bote dhe ajo që merrnin për veten e tyre nuk konsiderohet si vrapim pas rriskut, sepse qëllimi i tyre është i qartë dhe kjo duket në privilegjimin e të tjerëve para vetes së tyre, apo barazimin e tyre me veten e tij dhe jo e kundërta, siç ndodh zakonisht.

Duke u nisur prej këtu, themi se këta janë janë larg kismetit të tyre dhe sikur ta quanin veten të pakismetë.

I gjen ata në tregti apo qira, të fitojnë sa më pak të jetë e mundur, madje ndokush prej tyre e kthente fitimin tek shoku i tij dhe jo te vetja.

Për këtë shkak, ata e tejkaluan bamirësinë mbi atë që iu takonte, sepse ata ishin zëvendës të njerëzve dhe jo të veteve të tyre. Atëherë, ku është kismeti i tyre këtu?!

Nuk ka dyshim se këta bashkohen në gjykim me ata të parët, për shkak të ngarkimit të vetes së tyre dhe jo si rezultat i ngarkimit të sheriatit fillimisht.

* Disa të tjerë prej njerëzve nuk e kanë arritur gradëne këtyre të parëve, por marrin atë që iu lejohet t’a marrin dhe largohen prej asaj që iu ndaluar duke u mjaftuar me shpenzimin për nevojat e tyre.

Nisur nga kuptimi i mëparshëm, këta kanë ngrënë kismetin e tyre por duke e marrë nga rrugë të sakta e të lejuara.

Nëse këtu thuhet se kjo është zhveshje nga kismeti, kjo thuhet duke u nisur nga mosmarrja e pasurisë sipas dëshirave dhe qejfeve të tyre, por duke konsideruar urdhërat dhe ndalesat në lidhje me të.

Ndërsa kismeti i përçmuar është ai në të cilin nuk njihen kufij dhe vepron si kafsha e cila nuk di veçse të ecë sipas qejfit të saj.

Nuk e kemi fjalën për këtë të dytin por për atë që i ruhet hallallit dhe haramit, ai që pregatit vetëm për veten e tij. Ky, sigurisht që nuk vihet në vend të përgjegjësit për dobinë e përgjithshme të muslimanëve, por ai është përgjegjës për veten e vet. Kështu që ky nuk është kujdestar i përgjithshëm e cila përkujdesi do të thotë zhveshje prej kismetit dhe rriskut tënd.

E sakta është se ky grup njerëzish llogaritet sipas qëllimit që kanë pasur nga arritja e kismetit dhe u lejohet atyre kjo gjë, ndërsa dy grupet e para ndryshojnë nga këta sepse ata i marrin parasysh sebepet por me qëllim të shpërndarjes së pasurisë.

Rëndësia e shkoqitjes në preferencë dhe frytet e saj

Vëzhgoje me kujdes këtë temë sepse ajo heq shumë prej të dyshimtave me të cilat ballafaqohet vëshguesi në sheriat dhe në gjendjet e njerëzve. Kjo temë ndreq shumë prej gabimeve në të cilat bienë ndjekësit e rrugës për në botën tjetër duke e kuptuar asketizmin dhe lënien e dynjasë jo ashtu si duhet dhe duke e kuptuar kërkimin e saj jo ashtu si duhet. Lavdërojnë atë që nuk duhet lavdëruar sipas sheriatit dhe përçmojnë atë që sheriati nuk e përçmon.

Prej dobive të kësaj teme është gjithashtu ndarja ndërmjet grupeve kundërshtare në çështjen e pasurisë dhe varfërisë dhe se varfëria nuk është më e mirë se pasuria në të gjitha rastet, ashtu si dhe pasuria nuk është më e mirë se varfëria në të gjitha rastet. Por zgjidhja e kësaj çështjeje është duke e shkoqitur atë dhe duke thënë që nëse pasuria anon në preferencën e kësaj bote, ajo është e përçmuar në lidhje me kërkuesin e saj për këtë qëllim dhe varfëria është më e mirë për të, por nëse ajo anon nga preferenca e botës tjetër duke e shpenzuar ashtu si kërkohet dhe duke u ndihmuar me të për të bërë punë të mira që t’i kesh për udhëtimin e gjatë (pas vdekjes), atëherë kjo pasuri është më e mirë se varfëria.

Allahu na dhëntë sukses me Mirësinë e Tij!

______________________________________

[1] Suretu El-Ahkaf:20.

[2] Suretu Hud:15.

[3] Buhariu.

[4] Sepse (lënia) tek dijetarët e bazave të fikhut është sikur edhe (kryerja) e diçkaje. Prej këtu, ai që kryen vepra të mira për t’a parë njerëzit është hipokrit, ndërsa ai që i lë ato (të këqiat) për shkak të njerëzve, kjo lënie e tij është shirk sepse ai e bëri atë për shkak të tyre.

[5] Suretu El-A’raf:32. E forcon këtë gjë edhe fjala e të Dërguarit (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) në sqarimin që i bëri Fjalës së Allahut “llogari e lehtë” në ajetin që thotë: “Atij që do t’i jepet libri i tij nga e djathta e tij, ai do të llogaritet me llogari të lehtë.” Ai tha se kjo llogari e lehtë është “El-arad” (shfaqja para xhehenemit që do të jetë për të gjithë njerëzit) dhe jo llogaria që përbëhet nga polemika e dënimi. Këtë hadith e ka nxjerrë Buhariu nga hadithi i Aishes (radiallahu anha), ndryshe nuk do të ishin ato kënaqësi vetëm për besimtarët në Ditën e Kijametit.

[6] Nevojat janë tre lloje: Nevoja të domosdoshme pa të cilat nuk mund të jetosh dhe ato janë pesë: (feja, vatani, jeta, mëndja dhe pasuria e nderi). C’do mjet që ruan këto të pesta është nevojë e domodoshme (darura).

Nevoja të mesme pa të cilat nuk humb jeta por prishet rregulli dhe qetësia në të siç është banesa e rehatshme, kafsha mbartëse (mjeti udhëtues) etj.

Nevoja plotësuese të cilat zbukurojnë jetën e njeriut dhe ato janë më shumë gjërat e qejfit dhe gjërat zbukuruese pa të cilat nuk prishet jeta e as rregulli e qetësia e saj.

[7] Thotë Ibën Hazëm në librin “El-Ahlaku ues-sejru”: Bujari duhet që ta mbrojë trupin e tij me pasurinë e tij, jetën e tij me trupin e tij, nderin e tij me jetën e tij, fenë e tij me nderin e tij dhe mos t’a përdorë fenë e tij për të ruajtur gjë nga dynjaja.

[8] E ka nxjerrë ibën Sead në “Et-tabakat el-kubra”, Darakutni, ibën Asakir, El-Hakim dhe Bagavi me zinxhir të saktë.

[9] Shpenzimi i pasurisë në rrugë të ndryshme bamirësie është diçka e madhe dhe argument i besimit te Allahu dhe lënien e çështjes në Dorë të Tij, gjë cilën e bënin edhe selefët e mirë të umetit.

Ndërsa përpjekja për kërkimin e rriskut me rrugë të lejuara është ajo me të cilën urdhëron dhe nxit sheriati për të ruajtur krenarinë e vetes dhe nderin e saj. Kështu që nuk i lejohet askujt që të rrijë pa punë duke qenë i mundshëm për të punuar dhe të pretendojë se ajo që ka pregatitur Allahu për të është më e mirë se puna e tij. Ai që vepron kështu nuk nuk është aspak afër të së mirës dhe ky pretendim nuk është veçse dukuri përtacie dhe kënaqje me lëmoshën që i japin bamirësit që punojnë, duke u kthyer në fakt në kuptimin se lodhja e njerëzve është më e mirë për të se lodhja e tij!

[10] Ka nxjerrë Ibën Shebbeh, Ibën Ebi Shejbeh, Ibën Xherijr, Bejhaki etj. se Umeri (radiallahu anhu) ka thënë: “Unë e quaj veten time në pasurinë e Allahut, si përkujdesësi në pasurinë e jetimit. Nëse kam bollëk nuk e prek atë, e nëse varfërohem, atëherë marr aq sa kam nevojë, pastaj ia kthej atij (jetimit) atë.” Ky hadith është i saktë duke bashkuar të gjitha rrugët e tij. Në një transmetim tjetër thuhet se Umeri (radiallahu anhu) ia ka thënë këtë Ammarit dhe Ibën Mes’udit (radiallahu anhuma) në kohën kur i ngarkoi drejtues në Kufa. Fjala e tij në atë transmetim është: “Unë dhe ju në pasurinë e Allahut jemi…” vazhdon si thënia e mësipërme.

[11] E ka nxjerrë Buhariu dhe Muslimi.

[12] Transmeton Buhariu në Sahihun e tij nga Hadithi i Ebu Hurejrës (radiallahu anhu) se ai ka thënë: Ensarët thanë: (O i Dërguari i Allahut!) Ndaji hurmat tona ndërmjet nesh dhe muhaxhirëve. Ai (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) tha: Jo. Pastaj tha: Ata të marrin përsipër përkujdesjen për to dhe pastaj të ndahen frytet me jush. Ata thanë: Dëgjuam dhe u bindëm.

Ka nxjerrë gjithashtu Buhariu dhe Muslimi nga hadithi i Enesit (radiallahu anhu) se ka thënë: Kur mbërriti Abdurrahman ibën Auf në Medini, vëllazëroi i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ndërmjet tij dhe Sead ibën Rabij’ El-Ensari. Seadi i parashtroi atij gjysmën e pasurisë dhe të familjes por Abdurrahmani i tha: Allahu të dhëntë begati në familjen dhe pasurinë tënde! Por më trego se ku është tregu! Shkoi në treg dhe fitoi diçka për të ngrënë…”

[13] Po mjaftohemi këtu me përmendjen e një shembulli të vetëm që ka ndodhur në luftën e Tebukut. Ka nxjerrë Muslimi në Sahihun e tij nga Ebu Hurejra (radiallahu anhu) se ka thënë:

Kemi qenë me të Dërguarin e Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) duke ecur për në luftë dhe ushqimet e ushtrisë mbaruan saqë u detyruan të therrin disa prej kafshëve të tyre mbartëse. Umeri (radiallahu anhu) i tha: O i Dërguari i Allahut! A nuk i mbledh ato ushqime që i kanë ngelur njerëzve dhe t’i bësh lutje Allahut që ti shtojë ato? Ashtu bëri dhe njerëzit filluan të bienë atë grur apo hurmë që i kishte ngelur. Thotë Muxhahidi: Dhe atij që i kishin ngelur bërthama i solli ato.

Thashë: Po me bërthamat çfarë bënin? Tha: I thithnin ato dhe pinin ujë me to (që të pinin pak me pika). Bëri dua i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) mbi to dhe ato u shtuan saqë të gjithë njerëzit mbushën torbat e tyre. Pastaj i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) tha: Dëshmoj se nuk të adhuruar tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguari i Tij. Nuk ka ndonjë rob që e takon Allahun (në Ditën e Kijametit) me këto dy dëshmi duke mos patur pikë dyshimi në to, veçse do të hyjë në Xhenet.”

Këtë hadith e ka nxjerrë Ahmedi në Musnedin e tij.