Pastrimi (Et-Tahara)[1]

Shkëputur nga libri “Fikhu Suneh”

Autor: Sejjid Sabik
Përkthyer nga një grup përkthyesish
Nxjerrja e Haditheve: Bledar Karaj el Albani

Sipas burimeve të Sheriatit islam, uji ndahet në katër lloje:

(a) Uji absolut (Mutlak)

(b) Uji i përdorur (për pastrim)

(c) Uji i përzier me diçka të pastër

(d) Uji i përzier me papastëri të ndryshme

Ne do të diskutojmë për secilin prej tyre në veçanti.

A- Uji absolut (mutlak)

Ky lloj uji konsiderohet i pastër dhe si i tillë, ai mund të përdoret nga njeriu për të pastruar vetveten. Ky lloj uji ndahet në këto kategori:

1- Uji i shiut, dëborës dhe breshërit

Këto ujëra konsiderohen të pastra në bazë të fjalëve të Allahut:

وَيُنَزِّلُ عَلَيْكُمْ مِنْ السَّمَاءِ مَاءً لِيُطَهِّرَكُمْ بِهِ

“Ai ju lëshoi shi nga qielli për t’ju pastruar me të”, (El Enfalë: 11) dhe

وَأَنزَلْنَا مِنْ السَّمَاءِ مَاءً طَهُورًا

“…dhe Ne lëshuam prej qiellit ujë të pastër…” (El Furkan, 48)

Pastërtia e këtyre ujërave bazohet gjithashtu edhe në hadithin e mëposhtëm:

Ebu Hurejra transmeton se i Dërguari i Allahut, Muhamedi (a.s.), e kishte zakon të qëndronte në heshtje gjatë kohës midis tekbirit fillestar të namazit dhe recitimit të Kuranit.

Prandaj Ebu Hurejra e pyeti Profetin (a.s.): “O i Dërguar i Allahut! Pse qëndron i heshtur ndërmjet tekbirit fillestar dhe këndimit të Kuranit? Cfarë thua gjatë kësaj kohe?” Muhamedi (a.s.) iu përgjigj: “Unë them: O Allah! Vendos një largësi midis meje dhe mëkateve të mia të ngjashme me atë që ke vendosur midis Lindjes dhe Perëndimit. O Allah! Më pastro nga mëkatet, ashtu sikurse rrobat e bardha pastrohen nga papastërtitë! O Allah, laji mëkatet e mia me dëborë, shi dhe breshër!”[2]

2- Uji i detit

Pastërtia e ujit të detit vërtetohet nga hadithi i mëposhtëm.

Ebu Hurejra transmeton se një burrë e pyeti Profetin (a.s.): “O i Dërguar i Allahut! Ne lundrojmë në det dhe marrim me vete vetëm pak ujë për të pirë. Nëse e përdorim atë për abdes, atëherë nuk do ta shuajmë dot etjen. Pra, a mund të marrim abdes me ujin e detit?” Profeti (a.s.) iu përgjigj: “Uji i tij (i detit) është i pastër[3] dhe ngordhësirat e tij (kafshët e detit që kanë ngordhur) janë të lejueshme”.[4]

Tirmidhiu thotë se ky hadith është hasen sahih[5] dhe thotë se për këtë ka pyetur Buhariun e ai ka thënë se është sahih[6].

3- Uji i burimit të Zemzemit

Aliu (r.a)[7] ka treguar se, njëherë, i Dërguari i Allahut kërkoi që t’i sillnin një kovë me ujë zemzemi. Ai piu ujë nga kova dhe pastaj mori abdes me të.[8]

4- Uji i ndryshuar

Në këtë kategori hyn ai ujë, gjendja e të cilit ka pësuar ndryshim, si rezultat i qëndrimit për një kohë të gjatë në një vend apo për arsye të vendit ku është vënë si dhe për shkak të përzierjes me ndonjë lëndë që nuk mund të hiqet plotësisht prej tij (ujë me alga, gjethe peme e kështu me radhë).

Dijetarët kanë rënë dakord që uji i ndryshuar bën pjesë tek lloji i ujit absolut.

Shpjegimi është i thjeshtë: Cdo gjë që hyn në kategorinë e kuptimit të përgjithshëm të ujit, pa patur ndonjë cilësi tjetër, konsiderohet e pastër, sepse në Kuran thuhet:

فَلَمْ تَجِدُوا مَاءً فَتَيَمَّمُوا صَعِيدًا طَيِّبًا

“…dhe nëse nuk gjeni ujë, atëherë merrni tejemum me dhé të pastër…” (El-Maide: 6)

B- Uji i përdorur

Kjo kategori ka të bëjë me ujin që kullon nga njeriu pas marrjes së abdesit apo të guslit (larjes së gjithë trupit). Ky lloj uji konsiderohet i pastër sepse gjendja e tij para përdorimit ka qenë e tillë dhe nuk ka asnjë argument për të menduar se ai e ka humbur pastërtinë e vet. Ky përfundim mbështetet në hadithin e Rrubeijja bint Muavidh, e cila përshkruan mënyrën e abdesit të Profetit (a.s.) duke thënë se ai e pastronte kokën me ujin e mbetur në duart e tij pas marrjes së abdesit.[9]

Varianti i Ebu Daudit është: “I Dërguari i Allahut (a.s.) e fërkonte kokën me ujin e mbetur në dorën e tij”.[10]

Ebu Hurejra transmeton gjithashtu se ai u takua njëherë me të Dërguarin e Allahut në rrugët e Medinës, ndërkohë që ishte xhunub[11]. Ebu Hurejra u largua ngadalë, mori gusël[12] dhe u kthye përsëri. I dërguari i Allahut e pyeti atë: “Ku ishe o Ebu Hurejra? Ai iu përgjigj: “Isha xhunub dhe nuk doja të rrija me ty në atë gjendje”.

Pastaj Profeti (a.s.) i tha: “I lartësuar qoftë Allahu! Besimtari nuk bëhet i papastër”.[13]

Ajo çka u përmend më sipër shpjegon faktin se, meqë besimtari nuk është asnjëherë i papastër, atëherë edhe uji që përdor ai për pastrim nuk bëhet i papastër.

Ibn El Mundhiri thotë se është transmetuar nga Aliu, Ibën Umeri, Ebu Umame, A’ta, El Hasani, Mekhuli dhe Nehaiu, të cilët kanë thënë: “Nëse një person ka harruar ta fërkojë kokën e tij gjatë abdesit, është e mjaftueshme për të ta bëjë një gjë të tillë me pak ujë që mund të ketë mbetur në mjekrën e tij”.

Ibn El Mundhiri ka thënë se kjo vërteton faktin që ata e konsideronin “ujin e përdorur”si të pastër. Ky mendim i atribuohet Malikut dhe Shafiut.

Gjithashtu, Ibën Hazmi ia atribuon këtë mendim Sufjan Eth-Thaurit, Ebu Thaurit dhe të gjithë dijetarëve të shkollës dhahirite.

C- Uji i përzier me lëndë të pastra

Në këtë kategori hyn uji i përzier me lëndë të tilla si: sapuni, shafrani, lulet etj., të cilat përfshihen në grupin e objekteve që konsiderohen të pastra nga Sheriati. Ky ujë konsiderohet i pastër për aq kohë sa nuk përzihet me lëndë të tjera që mund t’ia ndryshojnë gjendjen e tij dhe që pas kësaj përzierjeje nuk mund të quhet më ujë. Nëse ndodh kjo, uji konsiderohet ende i pastër, por nuk mund të përdoret për pastrim. Umu A’tija tregon se i Dërguari i Allahut hyri në shtëpinë e saj – pas vdekjes së vajzës së tij Zejnebit – dhe i tha: “Laje atë tre apo pesë herë ose edhe më tepër (nëse e sheh të nevojshme një gjë të tillë), duke përdorur ujë dhe gjethe të thata peme. Për larjen e fundit përdor pak kamfur apo diçka nga ai. Kur të kesh mbaruar, më njofto!”.

Pasi ajo veproi siç i kishte thënë Profeti (a.s.), ai u dha grave veshjen e tij të jashtme dhe u tha atyre që ta mbështillnin Zejnebin me të”.[14]

I vdekuri duhet të lahet me po të njëjtën gjë që përdor i gjalli për t’u pastruar.

Ahmedi, Nesaiu dhe Ibën Huzejme transmetojnë nga Umu Hani se i Dërguari i Allahut dhe Mejmune laheshin nga një (ujë) enë që kishte gjurmë brumi në të.[15]

Nga të dyja hadithet e mësipërme kuptojmë se uji ishte i përzier me një lëndë tjetër, por meqënëse ajo lëndë nuk ishte realisht e mjaftueshme për ta ndryshuar natyrën e ujit, ky i fundit është i vlefshëm për përdorim.

D- Uji i përzier me lëndë të papastra

Kjo kategori përfshin dy gjendje të cilat janë:

· Kur lënda e papastër ndryshon shijen, ngjyrën dhe aromën e ujit. Në këtë rast, ky ujë nuk mund të përdoret më për pastrim. Sipas Ibën El Mundhir dhe Ibën El Mulakin, ekziston një unanimitet i dijetarëve për këtë çështje.

· Kur uji konsiderohet ende ujë absolut, gjë që do të thotë se lënda e papastër, e përzier me të, nuk ka arritur t’ia ndryshojë shijen, ngjyrën apo aromën e tij. Ky ujë konsiderohet i pastër dhe po ashtu mund të përdoret për pastrim.

Këtë e vërteton hadithi i mëposhtëm:

Ebu Hurejra transmeton se një beduin[16] urinoi në xhami. Njerëzit e ndodhur aty u çuan për ta ndaluar atë. Profeti (a.s.) u tha: “Lëreni dhe hidhni një kovë ujë mbi urinën e tij. Ju jeni dërguar për të lehtësuar dhe nuk jeni dërguar për të vështirësuar”.[17]

Ebu Said El Hudri e pyeti Profetin (a.s.): “A mund të marrim abdes me ujin e pusit të Budaah[18] (një pus në Medine)?” Profeti (a.s.) i tha: “Uji është i pastër dhe asgjë nuk e ndot atë”.[19]

Në lidhje me këtë hadith, Ahmedi ka thënë: “Ky hadith është sahih dhe Jahja ibën Main dhe Ebu Muhammed e kanë cilësuar si të tillë gjithashtu”. Të njëjtin mendim kanë edhe Ibën Abasi, Ebu Hurejra, El Hasan El Basri, Ibën El Musejib, Ikrime, Ibën Ebu Lejla, Eth-Thauri, Daud Dhahiri, En-Nehai, Maliku dhe të tjerët.

Për këtë El Gazaliu thotë: “Do të doja që mendimi i Shafiut në lidhje me ujërat të ishte si ai i Malikut”.

Ekziston gjithashtu edhe një hadith nga Abdullah ibën Umer, në të cilin transmetohet se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kur uji të jetë në sasi sa dy kova, ai nuk mban papastërti”.[20] Ky hadith transmetohet nga “të pestët”[21].

Megjithatë, ky hadith është mud-tarib[22], përsa i përket tekstit dhe zinxhirit të transmetuesve.

Ibn Abdul Berr ka thënë në “Et-Temhid”: “Përsa i përket mendimit të Shafiut, i cili bazohet në këtë hadith, ai është i dobët në shqyrtim dhe nuk është i konfirmuar nga të dhënat historike”.

Uji i mbetur

“Uji i mbetur” është uji që mbetet në një enë pasi është pirë një pjesë e tij. Ky lloj uji ndahet në pesë grupe të ndryshme. Ata janë:

1- Uji i mbetur në enë, pasi kanë pirë njerëzit në të

Sipas Sheriatit, ky ujë konsiderohet i pastër, pavarësisht nëse në të ka pirë një musliman, një jobesimtar, një njeri xhunub apo një grua me menstruacione. Edhe pse Allahu thotë në Kuran:

إِنَّمَا الْمُشْرِكُونَ نَجَسٌ

“Me të vërtetë, idhujtarët janë të papastër” (Et-Teube: 28), ky ajet nuk i referohet gjendjes së tyre fizike, por asaj shpirtërore për shkak të besimeve të kota që ata praktikojnë. Ata mund të kenë kontakt me papastërtitë, por kjo nuk do të thotë se trupat e tyre janë të papastër. Në fakt, këta njerëz kishin lidhje të ndryshme me muslimanët. Emisarët dhe delegacionet e tyre e vizitonin të Dërguarin e Allahut si dhe hynin në xhaminë e tij. Profeti (a.s.) nuk urdhëronte asnjëherë që të pastroheshin objektet e prekura prej tyre. Përsa i përket grave me menstruacine, Aishja (r.a.) tregon: “Unë pija ujë nga një enë, ndërkohë që isha me menstruacione. Pastaj ia kaloja atë të Dërguarit të Allahut dhe ai pinte nga i njëti vend ku unë kisha vendosur buzët”.[23]

2- Uji i mbetur në një enë pasi në të ka pirë një kafshë “e lejuar” (mishi i së cilës është hallall)

Ky ujë konsiderohet i pastër ngase jargët (pështyma) burojnë nga mishi i pastër, prandaj dhe uji ka marrë të njëjtën dispozitë.

Ebu Bekër ibën El Mundhir ka thënë: “Dijetarët kanë rënë dakord që ky lloj uji është i lejueshëm për t’u pirë si dhe për t’u përdorur për abdes”.

3- Uji i mbetur në një enë, pasi ka pirë në të një gomar, mushkë, egërsirë apo shpend grabitqar

Edhe ky ujë konsiderohet i pastër, bazuar në hadithin e Xhabirit, në të cilin i Dërguari i Allahut është pyetur në lidhje me marrjen e abdesit me ujin e mbetur në enën ku kanë pirë gomerët. Profeti (a.s.) është përgjigjur: “Po, lejohet, po ashtu edhe uji i lënë nga kafshët e gjahut”.[24]

Transmetohet gjithashtu nga Ibën Umeri se i Dërguari i Allahut doli njëherë natën, ndërkohë që ishte në udhëtim dhe kaloi afër një burri që ishte ulur pranë një pellgu me ujë. Umeri i tha atij: “A ka pirë ndonjë egërsirë në pellgun tënd sonte?”

I Dërguari i Allahut i tha burrit: “O pronar i pellgut! Mos i trego atij (Omerit)se nuk është e nevojshme. Për të (egërsirën) është çfarë ka marrë në stomakun e saj, kurse për ne çfarë ajo ka lënë; pra uji për të pirë dhe për t’u pastruar”.[25]

Jahja ibën Seid tregon se njëherë Umeri ishte në një grup me disa të tjerë ku bënte pjesë edhe Amr ibën El As. Kur ata iu afruan një pellgu, Amri tha: “O pronar i pellgut! A vijnë e pinë ujë egërsirat në pellgun tënd?” Umeri i tha: “Mos na trego, meqenëse njerëzit pijnë pas kafshëve dhe kafshët pas njerëzve”.[26] Këtë e transmeton Maliku në “El Muatta”.

4- Uji i mbetur në një enë në të cilën ka pirë macja

Edhe ky lloj uji konsiderohet i pastër. Kjo rezulton nga hadithi që transmeton Kebshe bint Keab, gruaja e Ebu Katades, ku thotë se i shoqi hyri në dhomë dhe ajo i nxori ujë për të pirë. Në ato momente erdhi një mace për të pirë ujë dhe Katade e anoi pak enën, në mënyrë që macja të pinte prej saj. Kebshe tregon: “Ai e vuri re se po e shikoja dhe më pyeti: “A po habitesh?” Unë ju përgjigja: “Po”. Pastaj ai tha: “I Dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë: “Ajo (macja) nuk është e papastër. Ajo rri me ju”.[27] Ky hadith transmetohet nga grupi i “të pestëve”. Tirmidhiu e ka cilësuar atë si hasen sahih, ndërsa Buhariu dhe të tjerët e kanë cilësuar këtë hadith si sahih.

5- Uji i mbetur në një enë në të cilën ka pirë derri apo qeni

Ky ujë konsiderohet i papastër dhe duhet të shmanget përdorimi i tij. Buhariu dhe Muslimi kanë transmetuar nga Ebu Hurejra se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Nëse një qen pi në ndonjë nga enët tuaja, atëherë lajeni (enën) shtatë herë”.[28]

Ahmedi dhe Muslimi transmetojnë edhe një shtesë tjetër:

“Nëse qeni ka lëpirë ndonjë nga enët tuaja, lajeni atë shtatë herë dhe larjen e parë bëjeni me dhé”.[29]

Për sa i përket ujit të lënë nga derri, ai konsiderohet i pistë dhe i papastër për shkak të papastërsisë dhe ndyrësisë së tij.

 

__________________________________

 

[1] Pastrimi mund të jetë i vërtetë në rastin kur bëhet me ujë, ose i ligjëruar në rastin kur kryhet në një mënyrë simbolike, si p.sh. pastrimi me dhè kur merret Tejemmum.

[2] Transmeton “Grupi”, përveç Tirmidhiut. Buhariu 744, Muslimi 1353, Ebu Daudi 781, Nesai 60,894, Ibën Maxheh 805.

[3] Profeti a.s. nuk iu përgjigj pyetjes me pohim, duke e shoqëruar arsyetimin e tij me dhënien e gjykimit mbi çështjen, e cila është pastërtia e kufizuar, porse ai u përgjigj duke ofruar një gjykim tjetër për një çështje tjetër, për të cilën nuk u shtrua anjë pyetje, që ishte lejimi i ngordhësirave të detit. Ky fakt nënkupton që Profeti a.s. sa jepte përgjigje dhe gjykime që ishin të një dobie të shumëfishtë për njerëzit, në raste kur atyre u nevojitet një dispozitë e veçantë për çështje përkatëse. Ky është një shembull ideal, për dhënien e një gjykimi ideal (Fetva).

[4] Hadith Sahih – i saktë. “Es Sahiha” 480. “Irvaul Galil” 9,2501, “El Mishkat” 479. E ka nxjerrë Ebu Daudi 83, Nesai 333, Tirmidhiu 69, Ibën Maxheh 386,387,388, Ahmedi 2/361, Maliku 1/44-45.

[5] Hadith i pranueshëm i vërtetë – Shënim i redaktorit.

[6] Hadith i vërtetë – Shënim i redaktorit.

[7] Shkurtim i fjalës “radij-Allahu-anhu” që do të thotë: Zoti qoftë i kënaqur me të. Përdoret zakonisht pasi përmendim emrat e sahabëve – Shënim i redaktorit.

[8] Hadith Hasen – i mirë. “Tamamul Mineh” 46, “Irvaul Galil” 13. Nuk është prej transmetimeve të Ahmedit personalisht, siç përmendet në tekstin origjinal, por e ka transmetuar i biri i tij, në shtojca 1/76.

[9] Transmeton Ahmedi 25774.

[10] Hadith Hasen. “Es Sahiha” nën hadithin nr. 36. E ka nxjerrë Ebu Daudi 130, Bejhakiu 1/237.

[11] Xhunub quhet personi që nuk është pastruar pas marrëdhënieve intime ose pas ejakulimit të spermës.

[12] Larje e plotë e trupit pas marrëdhënieve intime ose pas ejakulimit të spermës.

[13] Ky hadith transmetohet nga “Grupi”. Me termin “Grup” në transmetimin e haditheve do të kuptojmë se ato hadithe janë transmetuar në veprat e gjashtë përmbledhjeve të vërteta të haditheve që janë: 1- Sahihu i Buhariut. 2- Sahihu i Muslimit. 3- Suneni i Ebu Daudit. 4- Xhamiu i Tirmidhiut. 5- Suneni i Nesaiut. 6- Suneni i Ibën Maxhes. – Shënim i redaktorit.

Buhariu 283,285, Muslimi 822, Ebu Daudi 231, Tirmidhiu 121, Nesai 269, Ibën Maxheh 534, Ahmedi 6913,8610.

[14] Transmeton “Grupi”. Buhariu 1253,1254,1258,1260, Muslimi 2165, Ebu Daudi 3142,3146, Tirmidhiu 990, Nesai 1880,1885,1886, Ibën Maxheh 1458,1459.

[15] Hadith Sahih. “El Irva” 1/64, ‘El Mishkat” 485. E ka nxjerrë Nesai 240, Ibën Maxheh 378, Ibën Hibani 227 –Mevarid, Bejhakiu 1/7, Ahmedi 6/342, Ibën Huzejme në “El Muhala” 2/200.

[16] Beduin quhet nomadi, që nuk ka një vendbanim të qëndrueshëm; endacak, shtegtar. – Shënim i redaktorit.

[17] Transmeton “Grupi”, përveç Muslimit. Buhariu 220, Ebu Daudi 380, Tirmidhiu 147, Nesai 56,330, Ibën Maxheh 529, Ahmedi 6957, Bejhakiu 2/428.

[18] Pus uji në Medine. Ebu Daudi, në lidhje me këtë pus, na rrëfen se kur kishte e matur vetë thellësinë e këtij pusi, i kishte0 dalë rreth 6 Dhira’ë (njësi matëse e gjatësisë ekuivalente përafërsisht me 102 inch.

[19] Hadith Sahih. “El Irva” 14, “El Mishkat” 288. E ka nxjerrë Ahmedi 3/31,86, Ebu Daudi 66, Tirmidhiu 66, Nesai 326, Ibën Xharudi në “El Munteka” 47, Darakutni f.11, Bejhakiu 1/4-5.

[20] Hadith Sahih – i saktë. “Tamamul Mineh” 46, “El Irva” 23, Sahihul Xhami 758, “El Mishkat” 477. E ka nxjerrë Ebu Daudi 63, Tirmidhiu 67, Nesai 52, Ahmedi 1/314, Darakutni 1/187, El Hakim 1/133, Bejhakiu 1/260.

[21] Me “të pestët” nënkuptohen katër sunetet dhe Ahmed ibën Hanbeli – Shënim i redaktorit.

[22] El-mud-tarib quhet hadithi, transmetimin e të cilit e bëjnë dy palë transmetuesish, që bien në kundërshtim ndërmjet tyre. Kusht është që palët, të cilat transmetojnë hadithin, të jenë të njëjta si për nga numri i transmetuesve, ashtu edhe për nga besueshmëria e tyre. Nëse favorizohet njëra palë, atëherë veprohet sipas palës që përkrah shumica. – Shënim i redaktorit.

[23] Muslimi 690, Ebu Daudi 259, Nesai 70,278,281,340, Ibën maxheh 643, Ahmedi 6/210.

[24] Hadith Daif – i dobët. “Tamamul Mineh” 47, “El Mishkat” 484. E ka nxjerrë Shafiu në “Musnedin” e tij f.8, Darakutni 1/62, Bejhakiu 1/249.

[25] Hadith Daif. “Tamamul Mineh” f.48. E ka nxjerrë Darakutni 1/26.

[26] Hadith Daif. “Tamamul Mineh” f.48-49. E ka nxjerrë Maliku në “Muata” 1/46, Bejhakiu 1/250, Darakutni 1/22; nga Jahja ibën Abdurrahman ibën Hatib; nga Umeri… dhe jo nga Jahja ibën Seid.

[27] Hadith Sahih. “Irvaul Galil” 173, “El Mishkat” 482. E ka nxjerrë Maliku 1/22, Ebu Daudi 75, Nesai 68,340, Tirmidhiu 92, Darimi 1/187-188, Ibën maxheh 1/131, El Hakim 1/159-160, Bejhakiu 1/245, Ahmedi 5/303,309.

[28] Buhariu 172, Muslimi 648, Nesai 63, Ibën Maxheh 364, Ahmedi 2/460, Bejhakiu 1/240.

[29] Muslimi 649, Ahmedi 2/427, Ebu Daudi 71, Bejhakiu 1/240.