PAPASTERTITE (NEXHASET)

Shkëputur nga libri “Fikhu Suneh”

Autor: Sejjid Sabik
Përkthyer nga një grup përkthyesish
Nxjerrja e Haditheve: Bledar Albani

Fjala “nexhese” ka të bëjë me lëndët e papastra, të cilave muslimani duhet t’u largohet dhe t’i lajë nëse ato ndotin rrobat, trupin e tij etj. Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:

وَثِيَابَكَ فَطَهِّرْ

“Dhe rrobat e tua pastroji!”. (El-Muddethir, 4)

Në një varg tjetër kuranor, Allahu thotë:

إِنَّ اللَّهَ يُحِبُّ التَّوَّابِينَ وَيُحِبُّ الْمُتَطَهِّرِينَ

“Vërtet Allahu i do shumë ata të cilët i kthehen Atij me pendim dhe ata të cilët e pastrojnë vetveten”. (El-Bekare: 222)

Gjithashtu, i Dërguari i Allahut ka thënë: “Pastërtia është gjysma e besimit”.[1]

 

Llojet e papastërtive [2]

A. Kafshët e ngordhura

Ky lloj i papastërtive lidhet me rastin kur kafshët ngordhin nga “shkaqe natyrore”, d.m.th. jo me mënyrën e duhur të therjes islame. Ky grup përfshin edhe çdo gjë që hiqet nga një kafshë e gjallë. Ebu Vakid El-Lejthi ka treguar se Profeti (a.s.) ka thënë: “Ajo çka është hequr nga një kafshë e gjallë, konsiderohet e ngordhur”.[3] (Pra, quhet kafshë e patherur në mënyrën e duhur). Ky hadith transmetohet nga Ebu Daudi. Tirmidhiu e klasifikon atë si hasen dhe thonë se dijetarët veprojnë në bazë të tij.

Nga ky rregull përjashtohen:

1- Kafshët e ngordhura të detit

Ibn Umeri tregon se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Dy lloje gjaku dhe dy lloje kafshësh të ngordhura janë të lejueshme për ne. Dy llojet e kafshëve të ngordhura janë peshqit dhe karkalecat. Ndërsa, dy llojet e gjakut janë: gjaku i mëlçisë dhe ai i shpretkës”.[4] Ky hadith transmetohet nga Ahmedi, Shafiu, Bejhakiu dhe Darakutni.

Ky hadith është i dobët, por imam Ahmedi thotë se ai është i saktë në formën meukuf. [5] Edhe Ebu Zura dhe Ebu Hatimi kanë thënë të njëjtën gjë dhe kanë shtuar se transmetime të këtilla kualifikohen në kategorinë e hadithit “merfuë”, ngase thënia e sahabiut “Na është lejuar ne kështu dhe na është ndaluar ne” është e ngjashme me thënien e tij (sahabiut) “jemi urdhëdhuar” dhe “jemi ndaluar”. Më parë mësuam thënien e Pejgamberit (a.s.) në lidhje me detin kur thotë: “Uji i tij është i pastër dhe ngordhësirat e tij janë të lejueshme”.[6]

2- Kafshët e ngordhura që nuk kanë rrjedhje gjaku si: bletët, milingonat etj.

Ato konsiderohen të pastra. Nëse bien në ndonjë lëndë dhe ngordhin, ajo lëndë nuk ndotet.

Ibn El Mundhir ka thënë: “Nuk di të ketë ndonjë kundërshtim përsa i përket pastërtisë së një uji të tillë, me përjashtim të asaj çfarë është transmetuar nga Shafiu. Dihet fare mirë që ai e shihte këtë ujë si të papastër. Sidoqoftë, ai nuk shqetësohet në rast se diçka e tillë bie në ujë dhe nuk e ndryshon atë”.

3- Kockat, brirët, putrat, leshi, pendët dhe lëkura e kafshëve të ngordhura

Të gjitha këto konsiderohen të pastra, ngase në të gjitha këto merret parasysh pastërtia në parim dhe nuk ka argument për të gjykuar mbi papastërtinë. Përsa i përket kockave të elefantit e të tjera të ngjashme me to, Zuhriu ka thënë: “Kam takuar disa nga dijetarët e hershëm selefë që i përdornin objekte të tilla si krehëra, enë për vaj dhe nuk e shihnin këtë gjë si të gabuar”.[7] E transmeton Buhariu.

Ibn Abasi ka thënë: “Shërbëtores së Mejmunes iu dha një dele si lëmoshë dhe ajo ngordhi. I Dërguari i Allahut (a.s.) kaloi pranë saj dhe tha: “Pse nuk ia heq lëkurën, ta përpunosh atë dhe ta përdorësh?” I thanë: “Ajo është e ngordhur!”. Profeti (a.s.) i tha: “Vetëm ngrënia e saj është e ndaluar”.[8] Transmeton “Grupi”, por Buhariu dhe Nesaiu nuk e përmendin përpunimin e lëkurës.

Transmetohet se Ibën Abasi ka përmendur ajetin kuranor:

قُلْ لاَ أَجِدُ فِي مَا أُوحِيَ إِلَيَّ مُحَرَّمًا عَلَى طَاعِمٍ يَطْعَمُهُ إِلاَّ أَنْ يَكُونَ مَيْتَةً أَوْ دَمًا مَسْفُوحًا أَوْ لَحْمَ خِنزِيرٍ

“Thuaj (O Muhamed): “Unë nuk gjej në atë që më është shpallur mua ndonjë gjë të ndaluar për ngrënie për atë njeri që dëshiron të hajë prej tyre, përveç kafshëve të ngordhura, gjakut të derdhur (në therjen e tyre) ose mishit të derrit (në cilindo gatim të tij)…” (El En’am: 145). Pastaj ai ka thënë: “Ajo çfarë ndalohet, është mishi i saj. Kurse lëkura, enët e bëra prej saj, dhëmbët, kockat dhe leshi janë të lejuara”.[9] Tregohet nga Ibën El Mundhir dhe Ibën Hatim.[10]

Po ashtu, edhe qumështi e mullëza konsiderohen të pastra. Kjo bazohet në faktin se kur sahabët hynë në Irak, ata hëngrën djathin e adhuruesve të zjarrit, i cili ishte bërë me mullëz, edhe pse kafshët e tyre të therura konsideroheshin sikurse “të ngodhurat”.

Konfirmohet nga Selman El Farisi se kur u pyet në lidhje me djathin, gjalpin e kulluar si dhe lëkurën e kafshës, ka thënë: “E lejuar është ajo çka Allahu e ka bërë të tillë në Librin e Tij dhe e ndaluar është ajo çka Allahu e ka bërë të ndaluar në Librin e Tij. Atë që nuk e ka përmendur, Ai e ka bërë mëshirë për ju”.

Mësohet se ai u pyet edhe për djathin e adhuruesve të zjarrit, sepse në atë kohë Selmani ishte mëkëmbës i Umerit në Medain në Irak.

B. Gjaku

Në këtë grup hyn gjaku që del nga trupi i kafshës së therur me përjashtim të sasive të vogla të tij që nuk vihen re.

Ibën Xhurejxh ka thënë në lidhje me ajetin kuranor “…apo gjakut të derdhur (në therjen e tyre)…” (El En’am: 145), se ai është gjaku që derdhet jashtë. Gjaku që nuk derdhet jashtë, por që mbet në vena, është i lejuar. Kjo tregohet nga Ibën El Mundhir dhe po ashtu edhe nga Ebu Mixhlez në diskutimin e tij për gjakun që mbetet tek delja e therur apo tek tenxherja (gjatë gatimit)?”Ai u përgjigj: “Nuk ka problem. I ndaluar është vetëm gjaku që rrjedh jashtë, gjatë therjes ”. Transmeton Abd ibën Humejd dhe Ebu Shejh.

Gjithashtu, transmetohet nga Aishja (r.a.) se ajo ka thënë:

“Ne e hanim mishin kur gjaku kishte zënë shtresë në tenxheren e gatimit”.

El Hasani ka thënë: “Muslimanët faleshin gjithmonë, madje edhe kur ishin me plagë”.[11] E ka përmendur Buhariu.

Tregohet se Umeri falej, ndërkohë që nga plaga e tij pikonte dhe rridhte gjak.[12] Duke e sqaruar këtë çështje, Ibën Haxher thotë në “Fet’hu El-Bari” (Koment mbi Sahih El-Buhari): “Ebu Hurejra nuk shihte ndonjë gjë të keqe në rrjedhjen e një apo dy pikave të gjakut gjatë kryerjes së namazit.”[13]

Ebu Mixhlez është pyetur në lidhje me qelbin që bie në trup apo në rroba dhe ka thënë: “Nuk ka asnjë problem për të. Allahu ka përmendur vetëm gjakun dhe jo qelbin”.

Duke komentuar këtë çështje, Ibën Tejmije thotë: “Eshtë e detyrueshme të pastrohen rrobat nga qelbi apo nga gjëra të ngjashme me të”.

Ai thotë gjithashtu: “Nuk ka asnjë argument për sa i përket papastërtisë së tij”. Preferohet që muslimani t’i shmanget kontaktit me këto lëndë sa më shumë që të jetë e mundur.

C. Mishi i derrit

Sipas ajetit të mësipërm kuranor, (El En’am: 145), tre gjërat e përmendura në të janë të papastra. Përemri “ata”, u referohet të trijave. Sipas mendimit të shumicës së dijetarëve, lejohet përdorimi i qimeve të derrit për thurje.

D. Të vjellat, urina dhe sekrecionet e njeriut

Ekziston një unanimitet midis dijetarëve që të treja këto lëndë janë të papastra. Por një sasi e vogël të vjellash (në përgjithësi lëng) dhe urina e një foshnjeje mashkull (që ushqehet ende me gji) nuk merren parasysh. Për të pastruar urinën e foshnjës është e mjaftueshme të hidhet pak ujë mbi të. Një gjë e tillë bazohet në hadithin e Umu Kajs:

“Njëherë, ajo shkoi tek i Dërguari i Allahut (a.s.) me djalin e saj që e ushqente me gji. Ndërsa po e mbante, ai urinoi në prehërin e Profetit (a.s.). Ai kërkoi pak ujë dhe e spërkati mbi rrobat e tij duke mos i larë ato plotësisht”.[14] Mutefekun alejhi.

Aliu (r.a.) tregon se i Dërguari i Allahut ka thënë:

“Urina e foshnjës mashkull duhet të spërkatet[15] me ujë, kurse urina e një foshnjeje femër duhet larë”.[16] Katade thotë: “Kjo gjë thuhet për foshnjën mashkull që nuk ka filluar ende të hajë ushqim, pasi në rast se ai ka filluar të hajë, atëherë rrobat duhen larë”.

Në “El-Feth”, Ibën Haxher thotë se zinxhiri i transmetimit të këtij hadithi është sahih.

Spërkatja me ujë është e mjaftueshme për sa kohë që djali ushqehet me gji. Nëse

ai fillon të hajë ushqim, urina e tij duhet të lahet si nga rrobat ashtu edhe nga trupi. Në këtë të fundit nuk ka asnjë kundërshtim mes dijetarëve. Ndoshta për një lehtësim të tillë për sa i përket foshnjes mashkull bëhet për arsye se njerëzit kanë prirje t’i marrin kudo me vete djemtë e tyre dhe do të kishte qenë shumë e vështirë pastrimi i rrobave pas urinimeve të tyre të shpeshta.

E. El-Uedi

Uedi është një sekrecion i bardhë dhe i trashë që derdhet pas urinimit tek disa njerëz. Ai konsiderohet i papastër.

Aishja (r.a.) ka thënë: “Uedi rrjedh pas urinimit. Njeriu që ka rrjedhje të këtij sekrecioni duhet t’i lajë pjesët intime si dhe të marrë abdes. Por nuk është e nevojshme të merret gusël”. Transmeton Ibën El Mundhir.

F. El-Medhi ose lëngu prostatik

El Medhi është lëngu i bardhë ngjitës që rrjedh nga organet intime, si rezultat i të menduarit në lidhje me marrëdhëniet seksuale. Njeriu që ka një rrjedhje të tillë është zakonisht i pavetëdijshëm për kohën e sekretimit. Ky sekrecion rrjedh si nga organi seksual i mashkullit ashtu edhe nga ai i femrës, por sasia e këtij sekrecioni tek organi i femrës është më e madhe. Dijetarët kanë rënë dakord se ky sekrecion është i papastër. Nëse ai bie në trup, atëherë bëhet e detyrueshme larja e tij, ndërsa nëse bie në rroba, mjafton të spërkatet vendi ku ai ka rënë me ujë, pasi është shumë e vështirë të mbrohesh plotësisht nga kjo papastërti, veçanërisht për të rinjtë beqarë.

Aliu (r.a.) tregon:

“Unë kisha sekretim të medh-it, kështu që i kërkova një burri që ta pyeste të Dërguarin e Allahut në lidhje me të. Mua më vinte turp ta pyesja për arsye të pozitës sime ndaj vajzës së tij (Aliu ishte dhëndrri i Profetit (a.s.). Ai u përgjigj: “Merr abdes dhe laje organin tënd seksual”.[17] Transmeton Buhariu e të tjerë.

Sehl ibën Hanif ka thënë: “Unë vuaja nga sasi të mëdha të medhi-t dhe gjithmonë merrja gusël pas tij. Kështu unë i tregova të Dërguarit të Allahut (a.s.) dhe ai tha: “Të mjafton për këtë të marrësh abdes”. Unë i thashë: “O i Dërguari i Allahut, si të veproj me atë masë që bie mbi rrobat e mia?” Profeti (a.s.) tha: “Eshtë e mjaftueshme të marrësh një grusht ujë dhe ta spërkatësh atë mbi rrobat e tua aty ku e sheh se është përhapur lëngu”.[18] Transmeton Ebu Daudi, Ibën Maxhe dhe Tirmidhiu. Tirmidhiu thotë: “Hadithi është hasen sahih (i vërtetë)”.

El-Athrem e transmeton të njëjtin hadith me fjalët:

“Më shqetësonte shumë sasia e madhe e medhit, kështu që shkova tek Profeti (a.s.) dhe ia tregova problemin tim. Ai tha: “Mjafton që ti të marrësh një grusht me ujë dhe ta spërkatësh mbi të (medhin)”.

G. El-Meni ose sperma

Disa dijetarë thonë se sperma është e papastër, por më afër realitetit është mendimi se ajo është e pastër, prandaj rekomandohet që ajo të lahet kur është ende e lagësht apo të hiqet nëse është e thatë.

Aishja (r.a.) tregon: “Unë e hiqja spermën nga rrobat e Profetit (a.s.), nëse ajo ishte e thatë dhe e laja nëse ajo ishte ende e lagësht”.[19] Transmeton Darakutni, Ebu Auane dhe Bezari.

Gjithashtu, transmetohet se Ibën Abasi ka thënë: “U pyet i Dërguari i Allahut në lidhje me spermën e rënë në rroba. Ai tha: “Ajo është e njëjtë me mukozën dhe pështymën. Eshtë e mjaftueshme të fshihet vendi me një leckë apo copë”.[20] Hadithi është transmetuar nga Darakutni, Bejhakiu dhe Tahaviu, dhe për ngritjen e tij tek Pejgamberi apo për të qenurit e tij meukuf ka kundërshtim.

H. Urina dhe jashtëqitjet e kafshëve të lejuara (për ngrënie)

Të dyja këto konsiderohen të papastra. Ibën Mesudi transmeton se i Dërguari i Allahut shkoi për të kryer nevojën personale. Ai i kërkoi Abdullah ibën Mesudit që t’i sillte tre gurë. Abdullahu i tha: “Nuk munda të gjej tre gurë, por vetëm dy gurë dhe jashtëqitje kafshe (bajgë të thatë) dhe ia çova atij. Ai mori dy gurët dhe e hodhi tutje jashtëqitjen e kafshës, duke thënë: “Eshtë e papastër”.[21] Hadithi është transmetuar nga Buhariu, Ibën Maxhe dhe Ibën Huzejme. Në një version tjetër thuhet: “Eshtë e papastër. Eshtë jashtëqitja e gomarit”.

Megjithatë, ndotja e rrobave të njeriut nga urina e kafshëve është diçka nga e cila ai nuk mund të ruhet plotësisht dhe si rrjedhojë nuk merret shumë parasysh nëse një sasi e tillë është e vogël.

El Velid ibën Muslim tregon:

“I thashë El Euzait: “Si qëndron çështja e urinës së kafshëve, mishi i të cilave nuk hahet, si psh. mushka, gomari dhe kali? Ai tha se gjatë luftës ata i preknin këto kafshë dhe nuk i lanin trupat dhe rrobat e tyre”.

Përsa i përket urinës dhe jashtëqitjes së kafshëve, mishi i të cilave është i lejuar për t’u ngrënë, Maliku, Ahmedi dhe një grup nga shafitë thonë se ato janë të pastra.

Duke bërë komente në lidhje me këto lëndë (urinën dhe jashtëqitjen e kafshëve të lejuara), Ibën Tejmije thotë: “Asnjë nga sahabët nuk mendonte se ato janë të papastra. Në fakt, mendimi për papastërtinë e tyre e ka origjinën vetëm tek kohët e fundit dhe nuk është prej gjeneratave të sahabëve”.

Po ashtu, Enesi ka thënë: “Një grup njerëzish nga fisi Ukel apo Urejne erdhën në Medine ku u sëmurën nga barku. Profeti (a.s.) u tha atyre që të gjenin një deve femër e cila jepte qumësht dhe të pinin prej qumështit dhe urinës së saj”.[22]

Ky hadith transmetohet nga Ahmedi, Buhariu dhe Muslimi. Ai e tregon shumë qartë se urina e devesë është e pastër. Prandaj, në analogji me këtë, edhe urina e kafshëve të tjera të lejuara, mund të konsiderohet gjithashtu e pastër.

Ibën El Mundhiri thotë: “Ata që pretendojnë se ajo (urina e devesë) ishte e lejueshme vetëm për ata njerëz (të fisit Ukel), gabojnë rëndë”. Gjithashtu, ai thotë: “Dijetarët e kanë lejuar pa asnjë kundërshtim shitjen e plehut të dhenve dhe përdorimin e urinës së devesë në mjekimet e tyre, si në të kaluarën ashtu edhe në të tashmen. Kjo tregon se lëndët që u përmendën më sipër janë të pastra.”

Sheukani thotë: “Urina dhe jashtëqitjet e të gjitha kafshëve të gjalla që lejohen për t’u ngrënë, janë të pastra.”

Nuk ka asnjë argument që të vërtetojë të kundërtën e këtij gjykimi.

I. El-Xhelaleh

Xhelaleh është kafsha, e cila ushqehet me ndyrësirat e kafshëve të tjera në atë masë sa mishit i ndryshohet era.

Ibën Abasi tregon se “i Dërguari i Allahut e ndaloi pirjen e qumështit të kësaj kafshe.”[23] Ky hadith transmetohet nga grupi i “të pestëve”, me përjashtim të Ibën Maxhes. Tirmidhiu thotë se hadithi është sahih.

Në një transmetim tjetër thuhet: “Eshtë gjithashtu e ndaluar hipja mbi një xhelaleh”.[24] E transmeton Ebu Daudi.

Amr ibën Shuajbi transmeton nga babai i tij dhe ky i fundit përsëri nga babai i tij, se i Dërguari i Allahut e ndaloi ngrënien e mishit të gomarit shtëpiak. Ai e ndaloi gjithashtu edhe të hipurit mbi kafshët xhelaleh si dhe ngrënien e mishit të tyre.[25] Transmeton Ahmedi, Nesaiu dhe Ebu Daudi.

Nëse kafsha xhelaleh mbahet për një farë kohe larg ushqimeve të ndyta dhe ushqehet me ushqim të pastër, atëherë ajo bëhet e pastër dhe nuk quhet më xhelaleh. Në këtë rast, mishi i saj bëhet i lejueshëm për t’u ngrënë pasi arsyeja e ndalimit të këtij mishi ishte për faktin se ajo më parë hante fëlliqësira, por tani nuk ndodh më një gjë e tillë.

J. Alkooli

Sipas shumicës së dijetarëve, alkooli është i papastër. Allahu thotë në Kuran:

“…alkooli, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyta nga shejtani”. (El Maide: 90)

Disa dijetarë thonë se alkooli është i pastër, pasi ata e marrin fjalën “rixhs” në domethënien kuptimore të moralit islam, ngase alkooli definitivisht nuk mund të cilësohet si papastërti materiale (reale).

Allahu thotë: “Dhe rri larg nga papastërtitë e idhujve!”.

Idhujt janë të papastër në aspektin kuptimor islam dhe nuk konsiderohet i papastër ai që i prek ata.

Shpjegimi i ajetit të mësipërm lidhet me faktin se të gjithë elementet që përmenden në të janë instrumenta në duart e shejtanit, sepse ata çojnë në armiqësi e urrejtje dhe i mbajnë njerëzit larg nga namazi e përkujtimi i Allahut.

Në “Subul Es-Selam” thuhet: “E vërteta është se substancat në parim janë të pastra dhe se ndalimi i tyre nuk lidhet me papastërtinë, ngase edhe bimët narkotike janë të pastra, megjithëse ato janë të ndaluara. Ndërsa papastërtinë e shoqëron ndalimi, prandaj çdo papastërti është e ndaluar dhe jo e kundërta. Kjo ndodh ngase dispozita në lidhje me papastërtinë gjykon me ndalimin e mosprekjes së saj, në çfarëdo gjendje qoftë, pasi ndalimi i vetë substancës ka shkaktuar nxjerrjen e një dispozite të tillë, në të kundërtën e dispozitës së Sheriatit mbi ndalimin. Për shembull, është e ndaluar veshja e mëndafshit dhe vënia e arit (për burrat), edhe pse ato janë të pastra”.

Nëse kuptohet kjo në mënyrën e duhur, atëherë shihet se ndalimi i alkoolit, jo domosdoshmërisht e detyron papastërtinë e tij. Si rrjedhojë, papastërtia e tij duhet vërtetuar me anën e provave të tjera.

K. Qentë

Qentë konsiderohen të papastër. Ena në të cilën ka lëpirë qeni duhet të lahet shtatë herë, ku larja e parë duhet të bëhet me dhé.

Ebu Hurejra transmeton se i Dërguari i Allahut, Muahmedi (a.s.) ka thënë:

“Pastrimi i enës në të cilën ka pirë qeni bëhet duke e larë shtatë herë atë dhe hera e parë duhet të jetë me dhé (d.m.th. ujë të përzier me dhé, derisa të krijohet një masë balte)”.[26] Transmeton Muslimi, Ahmedi, Ebu Daudi dhe Bejhakiu.

Nëse qeni lëpin një enë, në të cilën ka ushqim të thatë, atëherë, ajo pjesë e prekur e ushqimit si dhe çfarë gjendet rreth saj duhet të hidhet. Pjesa e mbetur mund të mbahet pasi ajo është ende e pastër. Ndërsa qimet e qenit konsiderohen të pastra, ngase nuk ka argument për të vërtetuar papastërtinë e tyre.

Eliminimi i papastërtive

Pastrimi i trupit dhe i rrobave

Nëse rrobat apo trupi ndoten nga papastërti të ndryshme, atëherë bëhet e detyrueshme larja e tyre me ujë, derisa ato të pastrohen plotësisht. Kjo bëhet veçanërisht në rastin kur papastërtia është e dukshme, si p.sh. gjaku. Nëse pas larjes ende mbesin shenja të cilat janë të vështira për t’u hequr, atëherë kjo nuk përbën ndonjë problem. Nëse papastërtia nuk është e dukshme, si p.sh. urina, mjafton larja e saj qoftë edhe një herë të vetme.

Esma bint Ebu Bekër tregon se një grua shkoi tek Profeti (a.s.) dhe i tha: “Rrobat tona ndoten nga gjaku i menstruacioneve. Cfarë duhet të bëjmë në lidhje me këtë gjë?” Ai i tha: “Fërkoji, laji me ujë dhe më pas falu me to”.[27] Muttefekun alejhi.

Nëse papastërtitë ndotin ndonjë pjesë të zgjatur të mantelit të gruas, atëherë vetë tërheqja zvarrë mbi tokë llogaritet pastrim për të.

Një grua i ka thënë Umu Selemes: “Unë kam një fustan të gjatë që zvarritet në tokë edhe kur eci nëpër vende të papastra. Si duhet të bëj?” Umu Seleme iu përgjigj: “I Dërguari i Allahut ka thënë: “Cka vjen pas tij (nga zvarritja) e pastron atë”.[28] Transmeton Ahmedi dhe Ebu Daudi.

Pastrimi i vendit (dheut)

Nëse ka papastërti në vendin ku rrini, atëherë pastrimi i tij bëhet duke derdhur ujë mbi të. Kjo vërtetohet nga hadithi i Ebu Hurejras që u përmend më sipër në lidhje me beduinin i cili urinoi në xhami. Profeti (a.s.) tha që e gjitha çfarë duhej bërë për pastrimin, ishte derdhja e ujit mbi të (urinën).

Ebu Kulabe ka thënë: “Tharja e vendit (tokës) është pastrimi i tij”.

Kurse, Aishja (r.a.) ka thënë: “Pastrimi i tokës është të tharët e saj”.[29]

Natyrisht që kjo ka të bëjë me rastin kur papastërtia është e lëngshme. Nëse ajo ka lënë gjurmë, vendi bëhet i pastër vetëm pas heqjes apo kalbjes së saj.

Pastrimi i gjalpit të kulluar apo gjërave të ngjashme me të

Ibn Abasi transmeton nga Mejmune se Profeti (a.s.) u pyet njëherë në lidhje me një mi, i cili kishte rënë në një enë me gjalpë të kulluar. Ai tha: “Nxirre miun dhe çfarë është rreth tij e hidhe tutje. Pastaj mund ta hash gjalpin tënd (pjesën e mbetur)”.[30] Transmeton Buhariu.

Duke komentuar mbi këtë çështje, El Hafidh ibën Haxher thotë: “Ibën Abdul Berr pohon se ekziston një unanimitet mes dijetarëve se, nëse një kafshë e ngordhur bie mbi një enë që ka përmbajtje të ngurtë, atëherë duhet hedhur vetëm pjesa që kjo kafshë prek, si edhe ajo që është rrotull saj duke qenë i sigurt se ajo nuk e ka prekur pjesën e mbetur në enë”.

Përsa i përket lëndës së lëngshme, ka ndryshime mendimesh. Shumica e dijetarëve thonë që i gjithë lëngu bëhet i papastër, ndërsa Zuhri, Euzai dhe disa të tjerë e kundërshtojnë këtë mendim.[31]

Pastrimi i lëkurës së një kafshe të ngordhur

Regjja e pastron lëkurën dhe qimet e një kafshe të ngordhur. Kjo gjë bazohet në hadithin e Ibën Abasit, në të cilin Profeti (a.s.) ka thënë:

“Nëse lëkura e kafshës regjet, atëherë ajo pastrohet”.[32] E transmetojnë dy shejhat (Buhariu dhe Muslimi).

Pastrimi i pasqyrave dhe objekteve të tjera të ngjashme me to

Pasqyrat, thikat, shpatat, thonjtë, kockat, xhamat, vazot si dhe sipërfaqet e tjera të lëmuara, pastrohen thjesht duke i fshirë ato si dhe duke larguar ndonjë papastërti që mund të mbetet pas fshirjes. Sahabët faleshin ndërkohë që i kishin shpatat e tyre të ndotura me gjak dhe për t’i pastruar, thjesht vetëm i fshinin ato.

Pastrimi i këpucëve

Këpucët mund të pastrohen duke i fërkuar ato me tokën, derisa pjesa e mbetur e papastërtisë të hiqet.

Ebu Hurejra transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë: “Nëse ndonjëri nga ju ka shkelur mbi një papastërti, atëherë dheu është pastrues për këpucët tuaja”.[33] E transmeton Ebu Daudi.

Në një transmetim tjetër thuhet: “Nëse ndonjëri prej jush shkel në ndonjë papastërti, ndërkohë që i ka këpucët veshur, dheu do t’i pastrojë ato”.[34] E transmeton Ebu Daudi.

Ebu Seid transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kur një njeri vjen në xhami, le të shikojë këpucët e tij. Nëse gjen ndonjë papastërti, atëherë ai duhet t’i fshijë duke i fërkuar me tokën dhe pastaj të falet me to”.[35] E transmeton Ahmedi dhe Ebu Daudi.

Meqë këpucët janë në kontakt të vazhdueshëm me papastërtitë, atëherë është e mjaftueshme vetëm fërkimi i tyre pas tokës. Kjo është e ngjashme me rastin e vendit të kryerjes së nevojave personale, ku njeriu shkon disa herë dhe mund të ndotet me papastërti.

Hollësi të nevojshme për të cilat kemi nevojë shpesh

Litari i vendosur për terjen e rrobave mund të përdoret edhe nëse në të janë tharë rroba të papastra, pasi që atë ta ketë tharë dielli apo era.

Nëse diçka e lëngshme bie mbi një njeri dhe ai nuk e ka të mundur ta dijë nëse një lëng i tillë është ujë apo urinë, atëherë ai nuk është i detyruar të pyesë në lidhje me të. Nëse pyet, ai që pyetet nuk duhet t’i përgjigjet atij, edhe nëse e di që lëngu është i papastër. Në këtë rast ai njeri, të cilit i ka rënë ky lëng, nuk është i detyruar që t’i lajë rrobat e tij.

Nëse dikush gjen një gjë të lagësht në këmbën apo në skajin e rrobave të tij gjatë natës dhe nuk e di se ç’mund të jetë, atëherë nuk duhet t’i marrë erë për të marrë vesh se çfarë është.

Transmetohet se njëherë Umeri kaloi afër një ulluku (dhe u lag). Shoku i tij e pyeti të zotin e atij ulluku nëse uji në të ishte i pastër apo jo. Umeri i tha pronarit të mos i përgjigjej pyetjes dhe vazhdoi rrugën.

Rrobat që janë të ndotura me baltë rruge nuk është nevoja që të lahen. Kumejl ibën Zijadi ka thënë: “Unë e pashë Aliun duke kaluar nëpër baltë shiu dhe pastaj ai hyri në xhami dhe u fal, pa i larë këmbët e tij”.

Nëse dikush e mbaron namazin dhe sheh papastërti në rrobat e në trupin e tij, gjë të cilën nuk e ka vënë re përpara, ose i ka parë por ka harruar (ose nuk ka qenë në gjendje t’i pastrojë ato), atëherë namazi i tij është i vlefshëm dhe nuk është e nevojshme që ta përsërisë atë. Ky përfundim bazohet në thënien e Allahut:

وَلَيْسَ عَلَيْكُمْ جُنَاحٌ فِيمَا أَخْطَأْتُمْ بِهِ

“… dhe nuk ka gjynah për ju në gabimet që i bëni padashje…” (El Ahzabë, 5)

Shumë prej sahabëve dhe gjeneratave pas tyre e kanë dhënë një gjykim të tillë në lidhje me këtë çështje.

Nëse një njeri nuk mund ta përcaktojë se cila pjesë e rrobave të tij është e papastër, atëherë ai duhet t’i lajë plotësisht ato. Kjo bazohet në parimin: “Nëse një obligim nuk mund të kryhet pa u përmbushur një veprim tjetër i lidhur me të, atëherë ky i fundit bëhet gjithashtu i detyrueshëm”.

Nëse dikush i përzien rrobat e pastra me ato të papastra (dhe i ngatërron ato), atëherë ai duhet të zgjedhë njërën palë nga rrobat (ato që i duken atij më të pastra) dhe të falet një herë me to. Kjo është e ngjashme me çështjen e drejtimit të saktë të kiblës. Nuk ka rëndësi nëse rrobat e pastra ishin më shumë apo më pak se të tjerat.

_______________________________________

[1] Muslimi 533, Tirmidhiu 3517, Darimi 1/132, Ahmedi 4/250, 5/342.

[2] Papastërtitë mund të jenë ose konkrete si urina dhe ujët e trashë, ose jokonkrete por që konsiderohet si papastërti, si gjendja e personit pas ejakulimit.

[3] Hadith Saih. “Gajetul Meram” 41. E ka nxjerrë Ebu Daudi 2858, Tirmidhiu 1480, Ibën Maxheh 3216, Ahmedi 5/218, Bejhakiu 1/23.

[4] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 1118, “El Mishkat” 4142. E ka nxjerrë Ahmedi 2/97, Ibën Maxheh 3314, Bejhakiu 1/254, Darakutni 4/270, Begaviu në “Sherhus Suneh” 3/185.

[5] Meukuf do të thotë se një hadith i tillë i ka gjurmët tek një sahab dhe jo direkt tek Profeti (a.s.), ndërsa merfu’do të thotë se një hadith e ka origjinën direkt tek Profeti (a.s.).

[6] Hadith Sahih. Nxjerrja e tij është përmendur më sipër.

[7] Buhariu e ka përmendur Mualak (pa sened transmetimi), në Kapitullin e Abdesit.

[8] Buhariu 1492,2221,5531, Muslimi 804, Ebu Daudi 4120,4121, Nesai 4235,4236,4237, Ibën Maxheh 3610, Ahmedi, Bejhakiu 1/15.

[9] Darakutni 1/46,47, Bejhakiu 1/23.

[10] Kështu thuhet nëpër tekste, por duhet të jetë treguar nga Ibën Ebu Hatimi.

[11] Buhariu e ka përmendur Mualak (në shënimet e tij pa sened), ndërsa Ibën Ebi Shejbe e ka transmetuar me zinxhir të lidhur e të saktë, siç thuhet në “El Fet’h” 1/281. Shih “Tamamul Mineh” 50.

[12] Transmetim Sahih. “l Irva” 209. E ka nxjerrë Maliku 1/39, Ibën Sead në “Et Tabekat” 3/350, Ibën Ebi Shejbe në “El Iman” 1/190, Darakutni f.81, Bejhakiu 1/357.

[13] Transmetim i dobët – Daif. “Tamamul Mineh” 50-51. E ka nxjerrë Ibn Ebi Shejbe në “El Musanef” 1/137-138.

[14] Buhariu 223, Muslimi 663,665, Ebu Daudi 374, Tirmidhiu 71, Nesai 301, Ibën Maxheh 524.

[15] Me spërkatjen e përmendur në hadith nënkuptohet sprucitja me ujë, aq sa uji të mos rrjedhë mbi sipërfaqen e hedhur.

[16] Hadith Sahih. “Irvaul Galil” 166. E ka nxjerrë Ebu Daudi 378, Tirmidhiu 71, Ibën Maxheh 527, Ahmedi 1/76,97,137, Tahaviu 1/55, Darakutni f.47, El Hakim 1/165-166, Bejhakiu 2/215.

[17] Buhariu 269, Muslimi 693, Ebu Daudi 207, Nesai 193, Ibën Maxheh 504. Teksti i përmendur nga autori është te Buhariu.

[18] Hadith Hasen. Ebu Daudi 210, Tirmidhiu 115, Ibën Maxheh 506, Bejhakiu 2/410.

[19] Hadith Sahih. “El Irva” 180. E ka nxjerrë Ebu Avane 1/204-206, Ebu Daudi 371,372, Nesai 296, Tirmidhiu 1/199, Ibën Maxheh 537-539, Tahaviu 1/29, Tajalisi 1401, Ahmedi 6/35, 43, 67, 97, 101, 125, 132, 135, 193, 213, 239, 255, 263, 280.

[20] Hadith Muker Merfuan – i panjohur, i refuzuar si i ngritur tek Pejgamberi, por kuptimi i tij është i saktë. “Es Silsiletu ed Daife” 948. E ka nxjerrë Darakutni 46, Bejhakiu 2/418.

[21] Buhariu 156, Tirmidhiu 17, Nesai 42, Ibën Maxheh 314, Ibën Huzejme 1/39.

[22] Buhariu 233,3018,4193,6802, Muslimi 4329,4330, Ebu Daudi 4364, Nesai 4036, Ahmedi 3/161.

[23] Hadith Sahih. “Es Sahiha” nën hadithin me nr. 2391. E ka nxjerrë Nesai 4448, Tirmidhi 1826, Darimi 2/83,89, Ibën Huzejme 1/256, Ibën Hibani 1363, El Hakim 1/445, Bejhakiu 9/334, Ahmedi 1/226.

[24] Hadith Sahih. E ka nxjerrë Ebu Daudi 2557.

[25] Hadith Hasen Sahih. “El Irva” 8/150-151. E ka nxjerrë Ebu Daudi 3811, Nesai 4142,4447, Ahmedi 2/21, Bejhakiu 9/333.

[26] Hadith Sahih. Nxjerrja e tij është përmendur më parë.

[27] Buhariu 227,307, Muslimi 673, Ebu Daudi 361,362, Tirmidhiu 138, Nesai 292,392, Ibën Maxheh 629, Ahmedi 6/345,346,353.

[28] Hadith Sahih. “El Mishkat” 504. Ebu Daudi 383, Tirmidhiu 143, Ibën Maxheh 531, Darimi 1/155, Ahmedi 6/290.

[29] Transmeton Ibën Ebi Shejbe 1/76 Meukuf.

[30] Buhariu 235, Ahmedi 25575, Bejhakiu 9/353.

[31] Mendimi i këtyre të dyve është që për një masë të lëngshme, zbatohet rregulli i ujit, që konsiderohet i pistë nëse ndryshon me rënien e papastërtisë në të dhe n.q.s. nuk ndryshon gjë prej masës së lëngshme, atëherë ajo konsiderohet e pastër. Ky është gjithashtu mendimi i Ibni Abasit, Ibni Mes’udit dhe Buhariut dhe ky është mendimi i saktë.

[32] Muslimi 810, Ebu Daudi 4123, Tirmidhiu 1728, Nesai 4252, Ibën Maxheh 3609, Bejhakiu 1/20. Ndërsa Buhariu nuk e ka nxjerrë këtë hadith. “Tamamul Mineh” 50.

[33] Hadith Sahih. “El Mishkat” 503, “Sahihul Xhami” 835. E ka nxjerrë Ebu Daudi 385, Bejhakiu 2/430.

[34] Hadith Sahih. Ebu Daudi 386.

[35] Hadith Hasen. “El Irva” 284. E ka nxjerrë Ebu Daudi 650, Ahmedi 3/20,92, Bejhakiu 2/402,431, El hakim 1/260.