Orientuesi i Shpirtit drejt Pendimit të Sinqertë

Autor: Selim ibën Ijd el HILALI

Përktheu: Dr. Bledar Albani

 

Kapitulli i parë

PENDIMI I SINQERTË

Vëllezër të dashur! Allahu iu drejtoftë në të vërtetën! Dijeni se fjala En nasuh– i sinqertë, i pastër, është në formën sipërore, duke pasur qëllim përzmadhimin e madhërimin, siç mund të themi: shekkur – falenderues i madh, apo sabbur-durimtar i madh.

Rrënja e fjalës nesaha– ka kuptimin: pastrimi dhe çlirimi i diçkaje prej mashtrimit dhe mbeturinave të ndryshme të padëshiruara. Me rrënjën kryesore të kësaj fjale lidhet gjithashtu fjala khalesa-i sinqertë, i pastër.

Kështu, sinqeriteti në pendim, adhurim e konsultim, do të thotë: pastrimi dhe çlirimi i tij prej çdo lloj mashtrimi, mangësie apo kundravajtje, si dhe prezentimi i tij në formën më të plotë.

Ndërsa shprehjet e selefëve -brezave të parë të Islamit, në lidhje me kuptimin e pendimit të sinqertë, janë të shumta e të ndryshme, saqë kanë arritur në mbi njëzet fjalë (kuptime), por të gjitha ato kthehen në një pikë të vetme e cila përfshin tre gjëra kryesore:

E para: Përfshirja e të gjitha gjynaheve, në atë mënyrë që të mos lësh asnjë gjynah pa përfshirë në pendim dhe asnjë gabim pa futur në të. Të pendohesh për të gjitha gjynahet dhe gabimet, pa përjashtuar asnjë prej tyre.

E  dyta: Prezentimi i vendosmërisë dhe besnikërisë në pendim me të gjithë qënien tënde, në atë mënyrë që të mos ngelë tek ti asnjë lloj lëkundjeje, mosvendosmërie apo vonim, por të bashkosh të gjithë vullnetin dhe vendosmërinë për ta kryer atë sa më parë.

E treta: Pastrimi i pendimit prej gjërave të padëshiruara dhe atyre që e prishin sinqeritetin në të. Të pendohesh vetëm për hir të Allahut, duke pasur frikë prej Tij e dënimit të Tij, si dhe duke shpresuar shpërblimin e Tij. Jo si ai që pendohet për të ruajtur pozitën e tij apo nderin, pushtetin apo gjendjen shoqërore. As si ai që kërkon ta lavdërojnë njerëzit apo që i ruhet sharjeve të tyre. Ose si ai që i ruhet ngritjes së mendjelehtëve mbi të apo kërkon kryerjen e ndonjë nevoje të tij prej gjërave të kësaj bote. Dhe as si ai që pendohet për shkak të dështimit apo pamundësisë së tij, e të tjera si këto prej gjërave të cilat prishin saktësinë dhe sinqeritetin e pendimit tek Allahu i Lartësuar.

E para lidhet me ato gjëra prej të cilave duhet të pendohesh, e dyta me vetë penduesin dhe gjendjen e tij dhe e treta lidhet me Atë tek i Cili pendohesh.

Kështu që, sinqeriteti i pendimit është besnikëria në të, kërkimi i Fytyrës së Allahut dhe përfshirja e të gjitha gjynaheve në pendim.

Për këtë shkak, pendimi është gjëja më e vështirë të cilën e kanë mjekuar sadikunët- besnikët dhe ky ka qenë  pendimi më i plotë.

Disa injorantë pretendojnë se Nasuh-i pastër, i sinqertë, është emri i një burri i cili ka qenë në kohën e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), dhe se i Dërguari i urdhëroi shokët e tij që të pendohen si pendimi i tij. Por dijetari i Islamit Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) e ka hedhur poshtë këtë injorancë,  në librin e tij “Dekaik et tefsir”-Imtësitë e komentimit të Kuranit, vëll.5, faqe 12. Fjalën e tij do t’a përmendim të plotë në kapitullin: “Disa bidate-risi në pendim”, në dashtë Allahu i Lartësuar.

Kapitulli i dytë

DOMOSDOSHMËRIA  E  TË  PENDUARIT

O ti rob i penduar!

Dije se pendimi i pastër është detyrë e domosdoshme mbi çdo musliman. Argument për këtë kemi në Kuran, në Sunet, në unanimin e dijetarëve dhe në logjikën e shëndoshë.

  • Në Kuran:

Pranuesi më i madh i pendimit, Mëshirëploti thotë:

, وتُوبوا إلى اللهِ جَمِيْعًا أيُّها المُؤْمِنُونَ لَعَلَّكُمْ  تُفْلِحُونَ     

“Dhe që të gjithë ju pendohuni tek Allahu që t’iu falë të gjithëve, o besimtarë, që të mund të jeni të fituar.” [En Nur: 31].

Falësi më i Madh, Mëshirëploti thotë:

, يآأيُّها الذينَ آمنُوا تُوبوا إلى الله تَوْبَةً نَصُوحًا

“O ju që keni besuar! Kthejuni Allahut me pendim të çiltër e të vërtetë…” [Et Tahrim: 8].

Fjala “kthejuni Allahut me pendim” është urdhër dhe urdhëri përmban obligimin, domosdoshmërinë e kryerjes së asaj me të cilën urdhërohesh.

  • Këto vargje të ndershme e të qarta Kuranore përputhen me hadithet e vërteta:

Transmetohet nga Ebi Burde se ka thënë: Kam dëgjuar El Egar, i cili ishte prej shokëve të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), t’i thoshte Ibën Umerit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!): I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:

“O ju njerëz! Pendohuni tek Allahu! Unë i drejtohem Atij me pendim njëqind herë në ditë.”[1]

  • Për këtë shkak, populli musliman është bashkuar unanimisht në të qënurit e pendimit obligim dhe detyrë e domosdoshme.

El Kurtubi (Allahu e mëshiroftë!), në tefsirin e tij “El Xhamiu li Ahkami el Kuran”, vëll.5/ f.90 thotë:

“Është bashkuar i gjithë populli musliman unanimisht, se pendimi është Fard– detyrë e domosdoshme mbi besimtarët.”

Thotë gjithashtu, në vëll.18/f.197:

“Ai është detyrë mbi çdo musliman në të gjitha gjendjet dhe në çdo kohë.”

Dhe thotë, në vëll.12/238:

“Nuk ka kundërshtim në mesin e popullit musliman, se pendimi është obligim dhe detyrë e domosdoshme mbi çdo musliman.”

Ibën Kudame el Makdesi, në librin “Muhtesar Minhaxh el Kasidin”, faqe 322, thotë:

“Është formuar Ixhmau-unanimi i të gjithë dijetarëve të Islamit në të qënurit e pendimit obligim dhe detyrë e domosdoshme.”

Dijetari i Islamit Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!),  në librin “Mexhmuu el Fetava”, vëll.10/f.310, thotë:

“Duhet patjetër për çdo njeri që të pendohet, sepse pendimi ka qenë obligim mbi të gjithë ata që kanë kaluar dhe do të jetë i tillë mbi ata që do të vijnë.”

  • Ndërsa nga ana logjike mund të themi:

Nuk ka njeri që të mos bëjë gjynahe. Askush nuk mund të shpëtojë nga kjo e metë e mangësi, por ajo që ndryshon

dhe lëviz nga njëri person tek tjetri është sasia e tyre; kush më shumë e kush më pak.

Ndërsa baza e gjynahut ekziston tek të gjithë dhe çdokush është i detyruar që të pendohet me pendim të pastër e të çiltër.

Këtë realitet, i cili nuk mund të mohohet, e vë në dukje i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), me fjalën e tij:

“Të gjithë bijtë e Ademit janë gabimtarë, por gabimtarët më të mirë janë ata që kthehen tek Allahu me pendim!”[2]

Kjo për shkak se pakujdesia dhe mangësia janë prej natyrës së njeriut.

I dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë:

“Sikur njerëzit të mos bënin gjynahe, atëherë Allahu do të krijonte krijesa të tjera që bënin gjynahe dhe që më pas t’ua falte atyre, sepse Ai është Falësi më i Madh, Mëshirëploti.”[3]

Gjithashtu, dihet se gjynahet janë devijim nga rruga e drejtë dhe jo në avantazh të njerëzimit. Ato cënojnë jetën e njerëzve, e çrregullojnë atë dhe e vënë në rrezik. Kështu që, nuk ka ndonjë me logjikë, që të kënaqet me këtë  përfundim dhe mos të përpiqet për ndryshimin e tij. Prej këtu, pendimi është detyrë e domosdoshme edhe nga ana e mendjes dhe logjikës së shëndoshë.

 

Me këtë themi se Lajmi i saktë (tekstet Kuranore dhe Hadithet e sakta) përputhet me logjikën e saktë; ashtu që robi (njeriu) t’i përgjigjet thirrjes së Krijuesit të tij, para se të kafshojë gishtat e tij me rënkim e pendim, atëherë kur nuk është më koha e pendimit, dhe para se të akuzojë mendjen e tij dhe të pohojë se ka qenë injorant.

Allahu i Lartësuar thotë:

,وَ اتَّبِعُوا أَحْسَنَ ما أُنْزِلَ إلَيْكُمْ مِنْ رَبِّكُمْ مِنْ قَبْلِ أنْ يَأتِيَكُمُ العذابُ بَغْتَةً و أنْتُمْ لا تَشْعُرونَ. أنْ تَقولَ نفْسٌ يا حَسْرَتا على ما فَرَّطْتُ في جَنْبِ اللهِ و إنْ كُنْتُ لَمِنَ السَّاخِرينَ. أوْ تَقولَ لَوْ أنَّ اللهَ هَداني لَكُنْتُ مِنَ المُتَّقينَ. أوْ تَقولَ حينَ ترى العذابَ لَوْ أنَّ لي كَرَّةً فَأكُونَ مِنَ المُحْسِنينَ. بلى قَدْ جاءتْكَ آياتي فَكَذَّبْتَ بها و اسْتَكْبَرْتَ و كنتَ من الكافِرينَ. و يَوْمَ القيامةِ ترى الذين كَذَبوا على اللهِ وُجُوهُهُمْ مُسْوَدَّةٌ أ لَيسَ في جَهَنَّمَ مَثْوىً لِلْمُتَكَبِّرينَ يأْتِيَكُمُ    

“Dhe ndiqni më të mirën që ju është zbritur nga Zoti juaj (Kurani dhe gjithë ç’përmban ai nga mësimet dhe ndalimet e Islamit), para se t’ju vijë ndëshkimi papritmas duke mos e ndjerë aspak!

Që të mos thotë dikush: ‘Medet për mua! Ah që qeshë i pabindur ndaj Allahut (nuk bëra çfarë urdhëroi Allahu të bëj) dhe nuk qeshë veçse prej atyre që e përqeshën të vërtetën!’.

Apo mos të thotë: ‘Veç sikur të më kishte udhëzuar Allahu, pa do të kisha qenë me të vërtetë prej Muttekinëve (të përkushtuarve në besimin e pastër Islam).’

Apo të mos thotë kur të shohë ndëshkimin: ‘Veç sikur të më jepej edhe njëherë rasti (të kthehesha në dunja), pa do të kisha qenë me të vërtetë prej Muhsininëve (mirëpunuesëve në rrugë të Allahut).’

(Do t’u thuhet): ‘Po! Por në të vërtetë ty të erdhën ajetet e Mia (provat, shenjat, shpalljet) dhe ti i mohove ato, u bëre tepër kryeneç dhe ishe nga mosbesimtarët’!

Dhe Ditën e Kiametit do t’i shohësh ata që shpifën kundër Allahut (duke thënë që Ai ka bir apo shokë)- fytyrat e tyre do të jenë të nxira. A nuk është në Xhehenem një vendbanim për mendjemëdhenjtë mospërfillës?!” [Ez Zumer: 55-60].

Allahu i Lartësuar thotë:

,وَ قالوا لَوْ كُنَّا نَسْمَعُ أوْ نَعْقِلُ ما كُنَّا في أصْحابِ السَّعيرِ. فَاعْتَرَفوا بِذَنْبِهِمْ فَسُحْقًا لأَصْحابِ السَّعِير

“Dhe do të thonë: ‘Ah! Sikur të kishim dëgjuar ose të kishim menduar, ne nuk do të kishim qenë mes banorëve të Zjarrit flakërues!

Pastaj ata do të dëshmojnë mëkatin e tyre. Kështu pra, larg prej banorëve të Zjarrit flakërues!” [El Mulk: 10-11].


***

 

Kapitulli i tretë

PENDIMI   ËSHTË  OBLIGIM

I MENJËHERSHËM

O ti njeri i sprovuar dhe që dwshiron të kthehesh tek Allahu me pendim! Dije se pendimi është obligim që duhet kryer menjëherë pas gjynahut dhe pa vonuar, duke u bazuar për këtë në Kuran, Sunet dhe në logjikën e shëndoshë.

Shumë prej njerëzve mund të mendojnë se pendimi është detyrë që pret dhe e ka afatin të gjatë, saqë kujtojnë se afati i tij është e gjithë jeta para se të vdesësh. Duke rënë kështu në shtyrjen e afatit dhe lënien e të penduarit për një kohë të gjatë, dy elemente të cilat janë shtyllat e këmbënguljes negative në gjynahe, sipas Kuranit, Sunetit dhe logjikës së shëndoshë.

  • Në Kuran:

Vumë re më sipër se si Allahu i fajëson ata që vazhdojnë në mëkatet e tyre me vetëdije dhe lavdëron ata që shpejtojnë në pendim dhe në kthimin tek Allahu.

Allahu i Lartësuar thotë:

,و الذين إذا فَعَلوا فاحِشَةً أوْ ظَلَمُوا أنْفُسَهُمْ ذَكَرُوا اللهَ فاسْتَغْفَرُوا لِذُنوبِهِمْ وَ مَنْ يَغْفِرُ الذُّنوبَ إلاَ اللهُ و لَمْ يُصِرُّوا على ما فَعَلوا و هُمْ يَعْلَمونَ    

“Dhe ata të cilët kur kanë bërë Fahishe (shkelje të kurorës apo marrëdhënie të tjera imorale të paligjshme), apo që e kanë njollosur veten e tyre me gjynah, e kujtojnë Allahun dhe kërkojnë falje për gjynahet e tyre, dhe kush mund të falë gjynahet përveç Allahut? Dhe nuk vazhdojnë në gabimin që kanë bërë, kur e dinë atë.” [Al Imran: 135].

  • Ndërsa në Sunet; i  Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:

“Mëshironi (të tjerët) që të mëshiroheni (nga Allahu) dhe falni (të tjerët) që t’iu falen juve gjynahet. Mjerë për fjalën nënshtruese (që kërkon të nënshtrojë të tjerët) dhe mjerë për ata që vazhdojnë në gjynahet e tyre me vetëdije.”[4]

  • Ndërsa nga ana logjike; ai që e shtyn afatin thotë:

“Do të pendohem nesër…”,

“Kjo është fjalë e kotë, si do të pendohet nesër kur ai nuk e posedon të nesërmen?!”

Allahu i Lartësuar thotë:

 ,وَ ما تَدْرِى نَفْسٌ ماذا تَكْسِبُ غَدًا

“Askush nuk e di se ç’do të fitojë e ç’do t’i ndodhë nesër…” [Lukman: 34].

Njeriu gjithashtu shpreson që të vjetërohet në moshë e pastaj të pendohet. Por e gjitha kjo është fryrja e djallit; si e pretendon këtë kur ai nuk e di exhelin e tij (se sa do të jetojë e kur do të vdesë)?!

Allahu i Lartësuar thotë:

,هُوَ الذي خَلَقَكُمْ مِنْ تُرابٍ ثُمَّ من نُطْفَةٍ ثم من عَلَقَةٍ ثم يُخْرِجُكُمْ طِفْلاً ثم لِتَبْلُغُوا أشُدَّكمْ ثم لِتَكونوا شُيوخًا و منكم مَنْ يُتَوَفّى قَبْلَ ذلِكَ و لِتَبْلُغوا أجَلاً مُسَمًّى و لَعلَّكمْ تَعْقِلونَ

“Ai është i Cili iu ka krijuar juve nga dheu (Ademin a.s.), pastaj (ka krijuar pasardhësit e Ademit) nga Nutfah-lëngu i  ngjizur i  krijuar nga bashkimi i farës së vezës mashkullore me ato femërore, pastaj nga një copë gjaku e mpiksur, pastaj ju nxjerr jashtë si foshnjë, pastaj ju jep rritje që të mund të arrini moshën e fuqisë (rinisë) dhe më pas të jeni të moshuar,- edhe pse disa prej jush vdesin më përpara,- dhe që të arrini një afat të përcaktuar (vdekjen), me qëllim që mbase kuptoni (e fitoni mençuri).” [Gafir: 67].

Mëkatet janë helm shkatërrues të cilat ia humbin njeriut lumturinë e përjetëshme. Ato janë shkak për largimin e robit nga Allahu i Lartësuar, kështu që largimi prej tyre është obligim i menjëhershëm.

Për këtë arsye, Ibnul Kajim (Allahu e mëshiroftë!) thotë:

“Pendimi menjëherë pas gjynahit është Fard– obligim i cili nuk lejohet të vonohet.”

Ndërsa imam En Neveviu (Allahu e mëshiroftë!) thotë:

“Dijetarët kanë rënë dakord unanimisht, se pendimi për çdo vepër të keqe është vaxhib-obligim që duhet kryer menjëherë dhe që nuk lejohet vonimi i tij, qoftë ajo vepër gjynah i madh apo i vogël.”

Ndërsa Ebu Hamid el Gazali ka thënë:

“Sa për detyrshmërinë e tij në mënyrë të menjëhershme nuk ka dyshim, pasiqë nuk e mëson se gjynahet janë shkatërruese vetëm se me anë të besimit, i cili është detyrë e menjëhershme dhe e përhershme dhe është ai i cili e pengon besimtarin nga  veprat e  këqia.”

Kapitulli i katërt

 

VONIMI I PENDIMIT ËSHTË GJYNAH PËR TË CILIN DUHET TË PENDOHESH

Nëse e vonon pendimim, ke bërë gjynah, kështu që, edhe nëse pendohesh për gjynahun që ke bërë më parë, të ka ngelur në qafë një pendim tjetër, i cili është pendimi për vonimin e pendimit.

Nuk mund të shpëtosh nga kjo gjë vetëm nëse bën një pendim të përgjithshëm për mëkatet që ti i di dhe për ato që nuk i di. Dhe sigurisht,  ato që njeriu nuk i di janë më shumë se ato që i di dhe mosdija e tij nuk e ndalon atë nga dhënia llogari për to, në rast se ai ka pasur mundësi që të mësojë.  Ai në këtë rast është mëkatar me lënien e të mësuarit dhe me lënien e të punuarit gjithashtu, duke u bërë gjynahi kështu, edhe më i rëndë mbi të.

Ka ardhur në “Sahihun” e Ibën Hibanit, se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:

“Shirku- idhujtaria në këtë popull është më e fshehtë se zhurma e ecjes së milingonës.”

– Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) tha:

“E si mund të shpëtojmë prej tij, o i Dërguari i Allahut?!

– Tha: “Të thuash: ‘O Zoti im! Më ruaj nga të shoqëruarit Ty  shok, me vetëdije dhe kërkoj falje për atë që e bëj pa vetëdije.”[5]

Kështu qw, ky kërkim për falje bëhet për ato gjynahe që i di Allahu dhe nuk i di njeriu që i ka bërë vetë.

Në një hadith të saktë thuhet se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i bënte lutje Allahut gjatë namazit të tij,  me këto fjalë:

اللهمَّ اغْفِرْ لي: خَطئي، و جَهْلي، و إسْرافي في أمْري، و ما أنتَ أعلمُ به مني، اللهمَّ اغفر لي: جدِّي و هَزْلي، و خَطئي، و عَمْدِي، و كل ذلك عِندي، اللهمَّ اغْفِرْ لي ما قدَّمْتُ، و ما أخَّرْتُ، و ما أسْرَرْتُ، و ما أعْلَنتُ، و ما أنتَ أعْلمُ به مِنِّي، أنت إلهي لا إلهَ إلاَّ أنْتَ “

“O Zoti im! Më fal mua gjynahet e mia, paditurinë time, mangësinë në punët e mia dhe çdo gjë që Ti e di më mirë se unë!

O Zoti im! Më fal mua atë që e kam bërë me seriozitet dhe atë që e kam bërë duke luajtur, atë që e kam bërë gabimisht dhe atë që e kam bërë me vetëdije, sepse të gjitha këto janë tek unë!

O Zoti im! Më fal mua atë që ka kaluar dhe atë që kam përpara, atë që kam mbajtur fshehur dhe atë që kam shfaqur dhe çdo gjë që Ti e di më mirë se unë!

Ti je i Adhuruari im dhe nuk ka të adhuruar tjetër përveç Teje.”[6]

Në një hadith tjetër thuhet:

“O Zoti im! Më fal mua të gjitha gjynahet e mia; të imtat e ato që bien në sy, ato që kam bërë gabimisht dhe ato që i kam bërë me vetëdije, ato që kam mbajtur fshehur dhe ato që kam shfaqur, ato që kanë kaluar dhe ato që kam përpara.”[7]

***

 


[1] E  ka nxjerrë Muslimi:17/24 – Sherhu i En Neveviut.

[2] E ka nxjerrë Tirmidhiu (2499), Ibn Maxhe (4451), Ahmedi (3/198), etj. Autori thotë: Senedizinxhiri i transmetuesëve të këtij hadithi është i mirë – Hasen.

[3] E ka nxjerrë El Hakim (4/246) dhe Ebu Naim në Librin “Hiljatu el Eulija”. Autori thotë: Senedi i tij është  i saktëSahih.

[4] E ka nxjerrë Buhariu, në librin “El Edeb el Mufrad” faqe 370, Ahmedi (2/165, 219), Abd ibën Hamid në “El Muntehab minel musned” faqe 320, nga hadithi i Abdullah bin Amr.

Autori thotë: Senedi i tij është sahih- i saktë. El Mundhiri dhe el Iraki kanë thënë për të: Sened  Xhejid-i mirë. Të njëjtën gjë ka thënë edhe el Albani në “Es Silsiletu es Sahiha” nr.482.

[5] Ky hadith ka ardhur nga Ebu Bekri dhe Ebu Musa  el Esh’ari. Hadithi i Ebu bekrit është Hasen-i mirë me të dyja rrugët, me të cilat ka ardhur, ndërsa ai i Ebu Musës është Sahih me dëshmuesit e tij.

[6] E ka nxjerrë Buhariu (11/196) dhe Muslimi (2719).

[7] E ka  nxjerrë Muslimi (483).

Kapitulli i  pestë

CILAT  JANË  ATO GJYNAHE PËR  TË

CILAT  DUHET  PENDUAR

Faqja Tjetër »