Kapitulli i pesëmbëdhjetë

Pendimi i vrasësit me paramendim

 

Dijetarët kanë mendime të ndryshme lidhur me faktin se a ekziston ndonjë gjynah për të cilin nuk ka pendim të pranuar?

Shumica e dijetarëve thonë se pendimi vlen për të gjitha gjynahet. Për çdo lloj gjynahu ka pendim dhe ai pendim i pranohet mëkatarit.

Ndërsa disa të tjerë thonë: Për vrasësin me paramendim nuk ka pendim. Kjo është edhe fjala që njihet nga Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) dhe njëra prej dy fjalëve të përcjella nga Ahmedi (Allahu e mëshiroftë!).

Për këtë gjë, shokët e Ibën Abasit (Allahu qoftë i kënaqur prej të gjithëve atyre!) diskutuan me të duke i thënë: A nuk ka thënë Allahu, në suren el Furkan: “dhe nuk vrasin njeri, vrasjen e të cilit Allahu e ka ndaluar, veçse me ndonjë të drejtë…Përveç atyre që pendohen, besojnë dhe veprojnë mirësi e drejtësi. Këtyre, Allahu do t’ua shndërrojë gjynahet në vepra të mira. Allahu ëshhtë Falës i Madh, Mëshirëplotë.” [El Furkan: 68-70].

Ndërsa Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) tha: Ky ajet ka për qëllim kohën e injorancës (paraislamike), për shkak se disa njerëz kishin vrarë dhe kishin bërë imoralitet, kështu që erdhën te i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe i thanë: Ajo tek e cila ti na fton është e mirë, nëse do të na njoftoje se për ato vepra të këqia që kemi pas kryer, ka falje. Atëherë zbriti Fjala e Allahut të Lartësuar: “Dhe ata të cilët nuk adhurojnë tjetërkënd me Allahun …” ajeti i mësipërm. Ky ajet ka zbritur për ata. Ndërsa ajeti në suren en Nisa, që thotë: “Kushdo që vret qëllimisht një besimtar, shpërblimi i tij është Xhehenemi, ku do të jetë përgjithmonë. Mbi të është edhe Zemërimi e Mallkimi i Allahut, dhe për të është përgatitur ndëshkim i madh.” [En Nisa: 93].

Kështu që, nëse njeriu e njeh Islamin dhe i mëson ligjet e tij, pastaj vret një besimtar, shpërblimi i tij do të jetë Xhehenemi.

Ndërsa Zejd ibën Thabit, kur zbriti ajeti në suren el Furkan: “Dhe ata të cilët nuk adhurojnë tjetërkënd me Allahun …”, tha: U habitëm me butësinë e tij dhe pritëm shtatë muaj, deri sa zbriti ajeti i ashpër pas atij të butit, i cili e abrogoi atë.

Ai kishte për qëllim me ajetin e ashpër, ajetin e sures en Nisa, ndërsa me ajetin e butë, kishte për qëllim atë të sures el Furkan.

Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ka thënë: Ajeti në suren el Furkan, ka zbritur në Mekë, ndërsa ai i sures en Nisa, ka zbritur në Medine dhe atë nuk e ka abroguar ajet tjetër.

Këta thonë: Pendimi për atë që vret një besimtar me paramendim është i pamundur, pasi që për realizimin e tij nuk ka asnjë rrugë, vetëm se me kërkimin e bërjes hallall nga i vrari, ose duke i kthyer atij shpirtin. Kjo, sepse pendimi që lidhet me të drejtën e një njeriu, nuk mund të realizohet veçse me ato të dyja, por që të dyja ato janë të parealizueshme për vrasësin. Atëherë si mund të jetë i vlefshëm pendimi i tij, që ka të bëjë me të drejtën e një njeriu, tek i cili ai nuk mund të arrijë për t’i kërkuar që t’ia bëjë hallall?!

Kjo nuk është njësoj si vjedhja e pasurisë, kur pronari i saj vdes, pasiqë ajo mund t’i kthehet atij duke e dhënë atë sadaka, në llogari të pronarit.

Por, nuk mund të n’a thuhet se shirku është më i madh se vrasja dhe për të ka pendim (atëherë si nuk mund të ketë pendim për vrasësin). E themi këtë sepse shirku është e drejtë vetëm e Allahut dhe pendimi prej tij është i mundshëm, ndërsa në lidhje me të drejtën e njeriut, pendimi qëndron në kthimin e asaj të drejte dhe në bërjen hallall prej tij, gjëra të cilat janë të parealizueshme, në rastin e vrasjes.

Ndërsa shumica e dijetarëve kanë argumentuar me Fjalën e Allahut të Lartësuar: “Thuaj: O robët e Mi që keni kaluar caqet kundër vetvetes (me ligësi e gjynahe)! Mos i humbni shpresat nga Mëshira e Allahut, vërtet që Allahu i fal të gjitha gjynahet. Ai është gjithnjë Falësi i Madh, Mëshirëploti.” [Ez Zumer: 53].

Ky ajet është për të penduarin.

Gjithashtu, Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu nuk fal që t’i bëhet atij shok, dhe fal përveç kësaj, atë që Ai do.” [En Nisa: 48].

Ky ajet është për atë që nuk është penduar për gjynahet e tij, pasiqë ajeti ka bërë dallim ndërmjet shirkut dhe gjynaheve të tjera, ndërsa faljen e tyre e ka lidhur me Dëshirën e Allahut.

Gjithashtu, ka ardhur hadith i saktë nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), për atë personin që vrau njëqind vetë, pastaj u pendua dhe pendimi i bëri dobi, pasi që u konsiderua prej banorëve të vendit të mirë, për ku synonte të shkonte.[1]

Gjithashtu, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka përcjellë nga Zoti i tij i Lartëmadhëruar, se ka thënë: “O biri Ademit! Sikur të më vije Mua me gjynahe sa e gjithë toka, pastaj të më takosh Mua dhe të mos më kesh shoqëruar shok, atëherë do të të vij me po aq falje.”[2]

Ndërsa në hadithin e ndërmjetësimit, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: “Nxirrini nga Zjarri të gjithë ata që kanë pasur në zemër, qoftë edhe sa një kokërr elbi besim.”[3]

Të gjitha këto tekste e shumë të tjera si ato, dëshmojnë se askush prej njësuesëve të Allahut, nuk do të qëndrojë përgjithmonë në Zjarr.

Ndërsa ajeti në suren en Nisa, është si edhe shumë tekste të tjera prej teksteve të qortimit e paralajmërimit, si p.sh. Fjala e Allahut të Lartësuar: “Kushdo që kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, vërtet që për të është Zjarri i Xhehenemit ku do të jetë përgjithmonë.” [El Xhin: 23].

Apo si fjala e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) që thotë: “Kush e vret veten e tij me një hekur, me atë hekur, ai do të vrasë veten e tij përgjithmonë në Zjarrin e Xhehenemit.”[4]

E shumë tekste të tjera të ngjashme me këto, për komentimin e të cilave dijetarët janë ndarë në disa mendime:

Disa thonë se ato duhen kuptuar ashtu si kanë ardhur, në kuptimin e drejtpërdrejtë të tyre, d.m.th. se njerëzit, të cilëve iu përshtaten ato cilësi, do të jenë përgjithmonë në Zjarr. Kjo është fjala e havarixhëve dhe mutezilive.

Vetë këta janë kundërshtuar në lidhje me ta:

Havarixhët thonë se vepruesit e atyre gjynaheve janë kafira, sepse nuk mund të qëndrojë përgjithmonë në Zjarr, veçse kafirat.

Ndërsa mutezilitë thonë se ata nuk janë kafira, por fasikun –të prishur, që do të qëndrojnë përgjithmonë në Zjarr.

Kjo, nëse ata nuk pendohen për ato gjynahe të mëdha.

Një grup tjetër thotë: Ky kërcënim është për ata që e konsiderojnë të lejuar atë gjynah, pasiqë ai është kafir, ndërsa ai që e kryen atë vepër, duke qenë i bindur se ajo është haram, ai nuk përfshihet në këtë kërcënim, edhe pse atë e përfshin hyrja në Zjarr fillimisht.

Imam Ahmedi e ka refuzuar këtë fjalë dhe ka thënë: “Nëse dikush e konsideron të lejuar atë gjynah, por megjithatë ai nuk e kryen atë, ai është kafir në çdo rast, ndërsa i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kush vepron kështu e kështu…”

Një grup tjetër thotë: Ky është kërcënim, moskryerja e të cilit nuk është mangësi, por lavdi dhe bujari.

Një grup tjetër thotë: Këto tekste e të tjera si ato, në të cilat përmenden veprat që meritojnë të dënohen në Zjarr, nuk është e domosdoshme që meritimi i një vendimi, të zbatohet patjetër, pasi që vendimi zbatohet në rast se plotësohen shkaqet e tij dhe nëse nuk ekziston ndonjë pengesë për zbatimin e tij.

Qëllimi i këtyre teksteve është të njoftuarit se filan vepër është shkak për të merituar filan dënim. Por ekzistojnë argumente të tjera të cilat argumentojnë për pengesat e zbatimit të atij vendimi; disa prej tyre janë argumente të përfituara nga unanimiteti i sahabeve dhe disa të tjera, nga vetë tekstet Kuranore apo Profetike.

Pendimi, p.sh. është pengesë për zbatimin e atij vendimi dhe ai është përfituar nga bashkimi i fjalës së dijetarëve, unanimisht. Ndërsa teuhidi, apo njësimi i Allahut është pengesë e përfituar nga tekstet e përcjella me tevatur – nga numër shumë i madh transmetuesish dhe ato nuk mund të kthehen mbrapsht, apo të interpretohen ndryshe.

Po kështu edhe veprat e mira të mëdha, janë pengesë për zbatimin e atij vendimi. Po ashtu edhe sprovat e mëdha që e kapin njeriun dhe të cilat janë fshirëse të gjynaheve, janë gjithashtu pengesë. Po ashtu edhe zbatimi i dënimit të caktuar në këtë botë, është pengesë për dënimin e përjetshëm, sipas vetë teksteve Profetike.

Të gjitha këto nuk mund të shfuqizohen, por duhet që ato tekste të vërehen nga të dyja këndvështrimet.

Prej këtu është ngritur barazpeshimi ndërmjet të mirave dhe të këqijave, duke marrë parasysh shkaqet që meritojnë dënim dhe nga ana tjetër, pengesat e zbatimit të atij dënimi, duke zbatuar atë që anon më shumë në peshojë.

Thonë: Prej këtu mësohet ndarja e krijesave në ato që do të hyjnë në Xhenet dhe që nuk do të hyjnë në Zjarr, si dhe e kundërta. Po kështu edhe ai që hyn në Zjarr dhe më pas del prej tij, pasi të ketë qëndruar në të aq kohë sa ka qenë i merituar qëndrimi në të.

Ai që e arrin këtë gradë besimi, është e pamundur që të vazhdojë në kryerjen e veprave të këqia, edhe nëse ato janë kryer prej tij, madje shumë herë, por ai posedon dritën e besimit, i cili e urdhëron atë që ta ripërtërisë gjithnjë pendimin, duke u kthyer tek Allahu me të gjithë numrin e frymëmarrjeve të tij. Personi i atillë është krijesa më e dashur tek Allahu i Lartësuar.

Këto ishin disa prej fjalëve të njerëzve në lidhje me këtë çështje dhe më afër të vërtetës është kjo e fundit, megjithatë Allahu e di më mirë.

Ata janë kundërshtuar gjithashtu, për vrasësin që pendohet dhe dorëzohet, pastaj vritet me ligjin e larjes së gjakut; a ngel ndonjë e drejtë për të vrarin mbi të, apo jo?

Disa thonë se nuk ngel për të vrarin ndonjë e drejtë, sepse zbatimi i ligjit të gjakut mbi të është falje për të, ndërsa trashëgimtarët e të vrarit e kanë marrë të drejtën e tyre, dhe në këtë rast ata janë në vend të tij, kështu që është njësoj sikur ai t’a kishte marrë atë të drejtë me veten e tij.

Disa të tjerë thonë: Të vrarit i është bërë padrejtësi dhe ka humbur jetën e tij, dhe ai nuk e ka kthyer padrejtësinë që i është bërë, ndërsa të afërmit e tij kanë marrë vetëm hakun e tyre dhe shërimin e zemrave të tyre. Kështu që, çfarë dobie ka pasur i vrari prej kësaj dhe çfarë haku ka marrë ai nga vrasësi i tij?!

Këta thonë: Në vrasje gjenden tre të drejta; e drejta e Allahut, e drejta e të vrarit dhe e drejta e të afërmëve.

E drejta e Allahut nuk çohet në vend veçse me pendim.

E drejta e të afërmit është marrë nga marrja e gjakut dhe ai ka qenë i lirë të zgjedhë ndërmjet tre gjërave: marrjes së gjakut, faljes pa ndonjë kompensim, ose faljes me kompensim.

Nëse ai ia fal atij, ose i merr kompensim kundrejt faljes së tij, kjo gjë nuk mund t’a rrëzojë të drejtën e vetë të vrarit. Po kështu edhe nëse i afërmi e merr gjakun e të vrarit, pasi që vetë i vrari është një nga tre palët që kanë të drejta në atë vrasje, kështu që, si mund të rrëzohet e drejta e të vrarit, ndërsa dy të tjerat të shkojnë në vend?!

Ata thonë: Po sikur i vrari të kishte mundësi e të thoshte: Mos e vrisni, sepse dua t’ia marr hakun tim në Ditën e Kijametit, ndërsa ata t’a vrisnin; a mund të rrëzohej e drejta e tij, përderisa vetë ai nuk e ka rrëzuar atë?!

Këto argumente, siç e vë re, janë të forta dhe nuk mund të kthehen veçse me argumente më të forta apo të barabarta me to.

Kështu që, mendimi i saktë në këtë çështje është të thuhet: Nëse vrasësi pendohet tek Allahu dhe e dorëzon veten e tij te i afërmi i të vrarit, që ai të marrë hakun e të afërmit të tij, atëherë rrëzohen dy të drejta, por ngel edhe një e drejtë tjetër, ajo e të vrarit, të cilit Allahu nuk ia humb të drejtën, por nga plotësimi i pendimit të vrasësit, Allahu e kompenson të vrarin. Kjo, pasi që dëmi që i është shkaktuar atij, nuk mund të kurohet me vrasjen e vrasësit të tij, ndërsa nga ana tjetër, pendimi i fshin gjynahet, kështu që, ky kompensohet për padrejtësinë që i është bërë, ndërsa ky tjetri nuk dënohet, për shkak të pendimit të tij.

Kështu që, ky është si shembulli i kafirit që lufton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, nëse ai kafir vret një musliman në luftë dhe më pas bëhet musliman dhe e përmirëson islamin e tij, Allahu e kompenson atë dëshmorin e vrarë dhe ia fal këtij për shkak të islamit të tij, duke mos e dënuar për vrasjen e muslimanit me pa të drejtë. D.m.th. se pendimi i shkatërron ato gjynahe që kanë qenë më parë, ashtu siç i shkatërron islami ato që kanë qenë më parë.

Prej këtu, nëse vrasësi e dorëzon veten e tij dhe nënshtrohet, ndërsa kujdestari apo trashëgimtari i të vrarit ia fal atij gjakun, dhe ai vetë pendohet tek Allahu me pendim të çiltër, atëherë Allahu i Lartësuar e pranon pendimin e tij dhe e kompenson të vrarin.

Kjo është ajo ku mund të arrijë studimi i dijetarit dhe përpjekja e tij, ndërsa vendimi më pas, i takon Allahut të Lartësuar: “Zoti yt do të gjykojë mes tyre me Ligjin e Tij. Ai është i Gjithëfuqishmi, i Gjithëdituri.” [En Neml: 78].

_____________________________________

[1] Ky hadith është i saktë dhe i njohur.

[2] Sahih me hadithet e tjera që dëshmojnë për të: “Sahih kitabi el edhkari ve daifihi” (1234/968), i vetë autorit.

[3] Hadith i saktë.

[4] Hadith i saktë dhe i njohur.

 

Kapitulli i gjashtëmbëdhjetë

Prej bidateve që bëhen në pendim

 

Prej bidateve që bëjnë disa njerëz, të cilët duan të pendohen prej gjynaheve janë:

1. Pendimi para ndonjë shejhu, gjë të cilën e kanë shpikur Sufitë, të cilët pretendojnë se ai është ndërmjetës ndërmjet njeriut që kërkon të pendohet dhe Zotit të botëve. Sigurisht që kjo gjë është prej shirkut, sepse pendimi nuk bëhet veçse tek Allahu, njësoj si edhe adhurimet e tjera: falja, agjërimi, zekati etj.

2. Pendimi për veprat e mira që ke bërë. Ky lloj pendimi nuk lejohet kurrë tek asnjë prej muslimanëve, madje ai që pendohet për kryerjen e veprave të mira me vetëdije, ai është ose kafir ose i prishur, në të kundërt, ai është injorant. Kjo për shkak se veprat e mira janë ushqim për besimin, dhe që të pendohesh nga besimi do të thotë të kthehesh nga ai, të bëhesh mosbesimtar.

Këta janë ngatërruar me gjendjen e atyre të parëve të cilët pendoheshin për lënien e veprave të pëlqyeshme dhe kryerjen e disa veprave të papëlqyeshme, duke kujtuar se ata pendoheshin nga kryerja e veprave të mira dhe moskryerja e gjynaheve!

3. Ndarja e pendimit në tre grada: të thjeshtë, të mesëm dhe të veçantë:

Disa mendojnë se pendimi i popullit të thjeshtë është që të bëjë sa më shumë adhurime dhe vepra të mira.

Pendimi i njerëzve të mesëm është që të pendohet për kryerjen e gjynaheve.

Ndërsa pendimi i njerëzve të veçantë është që të pendohet nga humbja e kohës.

Kush e mendon pak këtë fjalë, nuk i gjen asaj asnjë bazë në Librin e Allahut, apo në sunetin e të Dërguarit të Tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

Madje Fjala e Allahut për pendimin është përgjithësuese, siç thotë Allahu i Lartësuar:

“Dhe që të gjithë ju pendohuni tek Allahu, që t’iu falë të gjithëve, o besimtarë, ashtu që të jeni të shpëtuar!” [En Nur: 31].

Ndërsa i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë:

“O ju njerëz! Pendohuni tek Allahu! Unë pendohem tek Allahu njëqind herë në ditë.”[1]

_______________________________________

[1] E kemi përmendur më parë transmetimin e tij.

« Faqa e mëparshme